Burra, imitoni dashurinë e Krishtit!
NATËN e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui u tha apostujve besnikë: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Po, të krishterët e vërtetë duhet ta duan njëri-tjetrin.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt burrave të krishterë, apostulli Pavël shkroi: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efes. 5:25) Si mund ta zbatojë këtë këshillë biblike një i krishterë në martesën e tij, sidomos në rast se gruaja e tij është një shërbëtore e kushtuar e Jehovait?
Krishti përkujdesej për kongregacionin
«Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre,—thotë Bibla.—Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin.» (Efes. 5:28, 29) Jezui i donte dishepujt e tij dhe për të ishin të shtrenjtë. Ai përkujdesej për ta. Edhe pse ishin të papërsosur, ai ishte i butë dhe mirëdashës me ta. Me dëshirën «që ta paraqiste kongregacionin para vetes, në shkëlqimin e tij», ai u përqendrua në cilësitë e mira të dishepujve.—Efes. 5:27.
Ashtu si Krishti shprehu dashurinë e tij për kongregacionin, burri duhet t’ia shfaqë dashurinë gruas si me fjalë, edhe me vepra. Nëse burri ia shpreh rregullisht gruas dashurinë e tij, ajo ndihet e vlerësuar dhe e lumtur. Nga ana tjetër, edhe pse mund të ketë gjithë rehatitë e një shtëpie të bukur, gruaja mund të ndihet shumë e dëshpëruar nëse bashkëshorti e lë pas dore ose e shpërfill.
Si e tregon një burrë se përkujdeset për gruan? Ai e prezanton para të tjerëve në mënyrë dinjitoze dhe e lavdëron hapur për mbështetjen e saj. Nëse ajo ka luajtur një rol kyç në mbarëvajtjen e familjes, ai nuk ngurron ta shprehë në sy të të tjerëve këtë gjë. Kur janë vetëm të dy, ajo duhet ta ndiejë dashurinë e tij. Një prekje e dorës, një buzëqeshje, një përqafim dhe një kompliment mund të jenë gjëra të vogla, por lënë gjurmë të thella në zemrën e saj.
‘Nuk i vinte turp t’i quante «vëllezër»’
Krishtit Jezu ‘nuk i vinte turp t’i quante «vëllezër» [dishepujt e tij të mirosur]’. (Hebr. 2:11, 12, 17) Nëse je një i krishterë, mos harro se gruaja jote është edhe motra jote e krishterë. Kushtimi që ajo i ka bërë Jehovait, ka përparësi mbi betimin e saj të martesës, pavarësisht nëse është pagëzuar para apo pas martese. Kur vëllai drejtues në mbledhjen e kongregacionit i jep mundësinë gruas tënde të komentojë, ai me të drejtë e thërret atë «Motër». Ajo është edhe motra jote e krishterë, jo vetëm në Sallën e Mbretërisë, por edhe në shtëpi. Është e rëndësishme të jesh dashamirës dhe i sjellshëm me të në shtëpi, po aq sa edhe në Sallën e Mbretërisë.
Nëse ke përgjegjësi të tjera në kongregacion, ndonjëherë mund ta kesh të vështirë të gjesh ekuilibrin midis përgjegjësive në kongregacion dhe atyre në shtëpi. Bashkëpunimi i mirë midis pleqve e shërbëtorëve ndihmës dhe delegimi i efektshëm i përgjegjësive, mund të të ndihmojë të kesh kohë për motrën që ka më shumë nevojë për ty—gruan tënde. Ki parasysh se, ka shumë vëllezër që sigurisht mund të përmbushin detyrat e tua në kongregacion, por i vetmi vëlla që është lidhur në martesë me gruan tënde, je ti.
Për më tepër, ti je kreu i gruas tënde. Bibla thotë: «Kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri.» (1 Kor. 11:3) Si duhet ta ushtrosh këtë kryesi? Me dashuri, e jo duke i kujtuar vazhdimisht këtë shkrim dhe duke kërkuar respektin e saj. Çelësi për ushtrimin e kryesisë siç duhet, është të imitosh Jezu Krishtin në mënyrën si e trajton ti gruan.—1 Pjet. 2:21.
«Ju jeni miqtë e mi»
Jezui i quante miq dishepujt e tij. Ai u tha: «Unë nuk ju quaj më skllevër, sepse skllavi nuk e di se ç’bën zotëria i vet. Por ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithçka që kam dëgjuar nga Ati im.» (Gjoni 15:14, 15) Jezui dhe dishepujt kishin një komunikim të mirë. Ata gjithashtu bënin gjëra së bashku. «Jezui me dishepujt e vet» ishin ftuar në një dasmë në Kanë. (Gjoni 2:2) Atyre u pëlqente të shkonin bashkë në disa vende, si për shembull në kopshtin e Getsemanisë. Bibla thotë se «Jezui ishte takuar atje shumë herë me dishepujt e vet».—Gjoni 18:2.
Një grua ka nevojë ta ndiejë se është mikja më e ngushtë e burrit të saj. Është shumë e rëndësishme që ju burra e gra të bëni bashkë shumë aktivitete të këndshme. Shërbejini Perëndisë së bashku. Gjeni kënaqësi në studimin e Biblës së bashku. Kaloni kohë bashkë: shëtitni, flitni dhe hani bashkë. Jini më shumë se një çift i martuar; jini miq të mirë.
«I deshi ata deri në fund»
Jezui ‘i deshi dishepujt e vet deri në fund’. (Gjoni 13:1) Disa burra nuk arrijnë ta imitojnë Krishtin në këtë drejtim. Ata madje mund ta braktisin ‘gruan e rinisë së tyre’, ndoshta për ndonjë tjetër më të re.—Mal. 2:14, 15.
Kurse të tjerë, si Vili, imitojnë Krishtin. Për shkak të shëndetit të lig, gruaja e tij kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm për shumë vjet. Çfarë mendonte Vili për këtë? Ai tha: «Gjithmonë e kam konsideruar gruan time si dhuratë nga Perëndia dhe e kam vlerësuar si të tillë. Përveç kësaj, 60 vjet më parë premtova se do të kujdesesha për të si në të mirë, ashtu edhe në të keq. Nuk do ta harroj kurrë këtë premtim.»
Burra të krishterë, imitoni dashurinë e Krishtit. Përkujdesuni për gruan tuaj që i frikësohet Perëndisë, motrën dhe miken tuaj.
[Figura në faqen 20]
A është gruaja mikja jote më e ngushtë?
[Figura në faqen 20]
‘Vazhdo ta duash gruan tënde’