Të mbajmë unitetin në këto ditë të fundit
«Silluni në mënyrë të denjë për lajmin e mirë . . . , duke qëndruar të vendosur në një frymë, duke u përpjekur me një shpirt, krah për krah për besimin e lajmit të mirë.»—FILIPIANËVE 1:27, BR.
1. Çfarë kontrasti ekziston ndërmjet Dëshmitarëve të Jehovait dhe botës?
KËTO janë «ditët e fundit». Pa diskutim, jemi «në kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1-5) Në këtë «kohë të mbarimit», me turbullirat e saj në shoqërinë njerëzore, Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë në kontrast të hapur, për shkak të paqes dhe unitetit të tyre. (Danieli 12:4) Por, për secilin individ që i përket familjes globale të adhuruesve të Jehovait, kërkohet të punojë shumë për të mbajtur këtë unitet.
2. Çfarë tha Pavli në lidhje me mbajtjen e unitetit dhe cilën pyetje do të shqyrtojmë?
2 Apostulli Pavël i paralajmëroi bashkë të krishterët që të qëndronin të bashkuar. Ai shkroi: «Silluni në mënyrë të denjë për lajmin e mirë mbi Krishtin, në mënyrë që edhe nëse vij e ju shoh apo edhe nëse s’jam, të mund të dëgjoj për gjërat që ju shqetësojnë, që jeni duke qëndruar të vendosur në një frymë, duke u përpjekur me një shpirt, krah për krah për besimin e lajmit të mirë dhe të patrembur në çdo aspekt nga kundërshtarët tuaj. Vetë kjo gjë është një provë për shkatërrimin e tyre, por për shpëtimin tuaj; dhe ky tregues është nga Perëndia.» (Filipianëve 1:27, 28, BR) Fjalët e Pavlit tregojnë qartë se ne si të krishterë duhet të punojmë së bashku. Ç’do të na ndihmojë, pra, që të mbajmë unitetin tonë të krishterë në këto kohë të vështira?
T’i nënshtrohemi vullnetit hyjnor
3. Kur dhe si u bënë paganët e parë të parrethprerë, ithtarë të Krishtit?
3 Një mënyrë për të mbajtur unitetin tonë është nënshtrimi në çdo kohë ndaj vullnetit hyjnor. Kjo mund të kërkojë rregullime në mënyrën tonë të të menduarit. Le të shqyrtojmë dishepujt e hershëm hebrenj të Jezu Krishtit. Kur apostulli Pjetër u predikoi së pari paganëve të parrethprerë në vitin 36 të e.s., Perëndia derdhi frymën e shenjtë mbi këta njerëz të kombeve dhe ata u pagëzuan. (Veprat, kreu 10) Deri në atë kohë, vetëm hebrenjtë, prozelitët hebrenj dhe samaritanët, ishin bërë ithtarë të Jezu Krishtit.—Veprat 8:4-8, 26-38.
4. Çfarë tha Pjetri, pasi kishte shpjeguar se ç’kishte ndodhur në lidhje me Kornelin dhe ç’provë solli kjo për dishepujt hebrenj të Jezuit?
4 Kur apostujt dhe vëllezërit e tjerë në Jerusalem morën vesh për kthimin e Kornelit dhe të paganëve të tjerë, ata shfaqën interes për të dëgjuar raportin e Pjetrit. Pasi shpjegoi se çfarë kishte ndodhur në lidhje me Kornelin dhe me besimtarët e tjerë paganë, apostulli përfundoi me këto fjalë: «Në qoftë se Perëndia, pra, u dha atyre [paganëve besimtarë] të njëjtën dhuratë [të frymës së shenjtë] që kemi marrë ne [hebrenjtë], që besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të mund t’i kundërvihesha Perëndisë?» (Veprat 11:1-17) Ky fakt përbënte një provë për ithtarët hebrenj të Jezu Krishtit. A do t’i nënshtroheshin ata vullnetit të Perëndisë dhe do t’i pranonin paganët besimtarë si bashkadhurues? Apo uniteti i shërbëtorëve tokësorë të Jehovait do të vihej në rrezik?
5. Si iu përgjigjën apostujt dhe vëllezërit faktit që Perëndia u kishte lejuar paganëve të pendoheshin dhe ç’mund të mësojmë ne prej këtij qëndrimi?
5 Tregimi thotë: «Si i dëgjuan këto fjalë, ata [apostujt dhe vëllezërit e tjerë] u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: ‘Perëndia, pra, edhe johebrenjve u dha pendesën për t’u dhënë jetën!’» (Veprat 11:18) Ky qëndrim ruajti dhe nxiti unitetin e ithtarëve të Jezuit. Vetëm brenda një kohe të shkurtër, vepra e predikimit shkoi përpara ndër paganët, apo njerëzit e kombeve dhe bekimi i Jehovait ishte mbi këto aktivitete. Edhe ne duhet të pranojmë kur na kërkohet bashkëpunim në lidhje me formimin e ndonjë kongregacioni të ri apo kur bëhen disa rregullime teokratike nën drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë. Bashkëpunimi ynë me gjithë zemër do t’i pëlqejë Jehovait dhe do të na ndihmojë të mbajmë unitetin tonë në këto ditë të fundit.
Ngjituni pas së vërtetës
6. Ç’ndikim ka e vërteta mbi unitetin e adhuruesve të Jehovait?
6 Si pjesë e familjes së adhuruesve të Jehovait, ne mbajmë unitetin, sepse të gjithë ne jemi «të mësuar nga Jehovai» dhe mbahemi fort pas së vërtetës që ai na ka zbuluar. (Gjoni 6:45; Psalmi 43:3) Meqë mësimet tona bazohen në Fjalën e Perëndisë, ne flasim të gjithë në harmoni. Pranojmë me gëzim ushqimin frymor që Jehovai na vë në dispozicion nëpërmjet «skllavit të besueshëm e të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Një mësim i tillë uniform na ndihmon të mbajmë unitetin tonë mbarëbotëror.
7. Çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë nuk duhet të bëjmë, nëse individualisht kemi vështirësi për të kuptuar ndonjë pikë?
7 Po sikur individualisht të kemi vështirësi për të kuptuar apo pranuar njëfarë pike? Duhet të lutemi për mençuri dhe të bëjmë kërkime në Shkrimet dhe në botimet e krishtere. (Proverbat 2:4, 5; Jakovit 1:5-8) Mund të na vijë në ndihmë edhe biseda me ndonjë plak. Nëse akoma nuk mund ta kuptojmë pikën, do të ishte më mirë ta linim atë çështje. Ndoshta do të botohen informata të mëtejshme mbi atë pikë dhe në atë kohë kuptueshmëria jonë do të zgjerohet. Megjithatë, do të ishte e gabuar po të përpiqeshim për të bindur të tjerët në kongregacion që të pranojnë mendimin tonë të ndryshëm. Kjo do të mbillte përçarjet, duke mos vepruar për ruajtjen e unitetit. Sa do të ishte më mirë, sikur të vazhdonim ‘të ecnim në të vërtetën’ dhe të inkurajonim të tjerët që të vepronin kështu!—3. Gjonit 4.
8. Cili qëndrim është i përshtatshëm kundrejt së vërtetës?
8 Në shekullin e parë, Pavli tha: «Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë, ashtu sikurse njihem.» (1. Korintasve 13:12) Edhe pse nuk i shquanin të gjitha hollësitë, të krishterët e hershëm mbetën të bashkuar. Tani, ne kemi një kuptueshmëri shumë të qartë për qëllimet e Jehovait dhe për Fjalën e tij të së vërtetës. Prandaj, le të jemi mirënjohës për të vërtetën që kemi marrë nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm’. Gjithashtu, le të jemi mirënjohës që Jehovai na drejton nëpërmjet organizatës së tij. Edhe pse nuk kemi pasur gjithnjë të njëjtën shkallë njohurie, nuk kemi vdekur urie dhe nuk kemi qenë të zhuritur frymësisht. Përkundrazi, Bariu ynë, Jehovai, na ka mbajtur të bashkuar dhe është kujdesur më së miri për ne.—Psalmi 23:1-3.
Të përdorim drejt gjuhën!
9. Si mund të përdoret gjuha për të nxitur unitetin?
9 Përdorimi i gjuhës për të inkurajuar të tjerët është një mënyrë e rëndësishme për të nxitur unitetin dhe frymën e vëllazërisë. Letra që zgjidhte çështjen e rrethprerjes, pasi u dërgua nga trupi udhëheqës i shekullit të parë, ishte një burim inkurajimi. Pasi e lexuan atë, dishepujt paganë në Antioki «u gëzuan për ngushëllimin [inkurajimin, BR]». Juda dhe Sila, të cilët u dërguan nga Jerusalemi me letrën, «me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan». Pa dyshim, edhe prania e Pavlit dhe e Barnabës, i inkurajoi dhe i forcoi bashkëbesimtarët në Antioki. (Veprat 15:1-3, 23-32) Ne mund të bëjmë po kaq shumë kur mblidhemi në mbledhjet e krishtere dhe ‘inkurajojmë njëri-tjetrin’ me praninë dhe me komentet tona ndërtuese.—Hebrenjve 10:24, 25.
10. Çfarë duhet bërë për të mbajtur unitetin, nëse ndodhin shpifje?
10 Megjithatë, përdorimi i gabuar i gjuhës mund të kërcënojë unitetin tonë. «Gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh,—shkroi dishepulli Jakov.—Ja, një zjarr i vogël ç’pyll të madh djeg!» (Jakovit 3:5) Jehovai i urren ata që shkaktojnë grindje. (Proverbat 6:16-19) Një të folur i tillë mund të shkaktojë përçarje. Prandaj, ç’mund të bëhet nëse ekzistojnë shpifje, si për shembull, duke abuzuar shumë me dikë apo duke e bërë atë objekt të një të foluri sharës? Pleqtë do të përpiqen ta ndihmojnë atë që ka bërë gabimin. Megjithatë, një shpifës i papenduar duhet përjashtuar, në mënyrë që të mbahet paqja, rregulli dhe uniteti në kongregacion. Mbi të gjitha, Pavli shkroi: «Të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është . . . shpifës, . . . bile as të mos hani bashkë.»—1. Korintasve 5:11.
11. Përse është e rëndësishme përulësia, nëse kemi thënë diçka që ka shkaktuar tension mes nesh dhe ndonjë bashkëbesimtari?
11 Mbajtja nën fre e gjuhës do të na ndihmojë të mbajmë unitetin. (Jakovit 3:10-18) Por ta zëmë se diçka që kemi thënë, ka shkaktuar tension ndërmjet nesh dhe një bashkë të krishteri. A s’do të ishte e përshtatshme të merrnim iniciativën për të bërë paqe me vëllanë tonë, duke kërkuar edhe falje po të jetë e nevojshme? (Mateu 5:23, 24) Vërtet, kjo kërkon përulësi ose përulësi mendjeje, por Pjetri shkroi: «Ngjeshuni me përulësi mendjeje kundrejt njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet krenarëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (1. Pjetrit 5:5, BR) Përulësia do të na nxisë ‘të kërkojmë paqen’ me vëllezërit tanë, duke pranuar gabimet tona dhe duke kërkuar falje në mënyrë të përshtatshme. Kjo ndihmon që në familjen e Jehovait të mbahet uniteti.—1. Pjetrit 3:10, 11.
12. Si mund ta përdorim gjuhën për të nxitur dhe për të mbajtur unitetin e popullit të Jehovait?
12 Nëse e përdorim gjuhën siç duhet, mund të nxitim një frymë familjare ndërmjet pjesëtarëve të organizatës së Jehovait. Meqë veproi edhe vetë në këtë mënyrë, Pavli mundi t’u kujtonte selanikasve: «Ju e dini gjithashtu se ne këshilluam, ngushëlluam dhe i jemi përbetuar secilit prej jush, si bën një baba me bijtë e vet, që të ecni denjësisht për Perëndinë.» (1. Selanikasve 2:11, 12) Duke lënë një shembull të shkëlqyer në këtë çështje, Pavli mundi t’i nxiste bashkë të krishterët që ‘të ngushëllonin zemërlëshuarit’. (1. Selanikasve 5:14) Mendo se sa më mirë do të bënim, sikur ta përdornim gjuhën për të ngushëlluar, inkurajuar dhe për të ndërtuar të tjerët. Po, «sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur»! (Proverbat 15:23) Për më tepër, duke folur në këtë mënyrë, nxitim dhe mbajmë unitetin e popullit të Jehovait.
Të falim!
13. Përse duhet të falim?
13 Të falim dikë që na ka ofenduar dhe që ka kërkuar falje, është diçka thelbësore nëse duam të mbajmë unitetin e krishterë. Sa shpesh duhet të falim? Jezui i tha Pjetrit: «Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.» (Mateu 18:22) Nëse nuk falim, jemi duke vepruar kundër vetë interesave tona. Në ç’mënyrë? E pra, armiqësia dhe ushqimi i smirës do të na heqin paqen e mendjes. E nëse jemi të njohur si mizorë e të pafalshëm, atëherë të tjerët nuk do të na pranojnë. (Proverbat 11:17) Mbajtja e smirës nuk i pëlqen Perëndisë dhe mund të çojë në mëkate të rënda. (Levitiku 19:18) Nuk duhet të harrojmë se Gjon Pagëzorit iu pre koka në një komplot të thurur nga Herodiada e ligë, e cila «ushqente smirë» ndaj tij.—Marku 6:19-28, BR.
14. (a) Çfarë na mëson në lidhje me faljen, Mateu 6:14, 15? (b) Përpara se të falim dikë, a duhet të presim gjithnjë që ai të na kërkojë ndjesë?
14 Lutja model e Jezuit përfshinte këto fjalë: «Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.» (Luka 11:4) Nëse nuk falim, rrezikojmë që ndonjë ditë Perëndia Jehova të mos na i falë më mëkatet tona, sepse Jezui tha: «Në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja..» (Mateu 6:14, 15) Prandaj, nëse vërtet duam të bëjmë pjesën tonë në mbajtjen e unitetit në familjen e adhuruesve të Jehovait, do të falim, mbase duke harruar fare ndonjë fyerje që mund të jetë bërë pa u menduar dhe pa asnjë qëllim të lig. Pavli tha: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni njëri-tjetrin, nëse dikush ka ndonjë shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali lirisht, edhe ju bëni po kështu.» (Kolosianëve 3:13, BR) Kur falim, ndihmojmë në mbajtjen e unitetit të çmuar në organizatën e Jehovait.
Uniteti dhe vendimet personale
15. Çfarë e ndihmon popullin e Jehovait për të mbajtur unitetin, kur merr vendime personale?
15 Perëndia na ka bërë të lirë për të zgjedhur mënyrën tonë të të vepruarit, me privilegjin dhe përgjegjësinë për të marrë vendimet tona personale. (Ligji i përtërirë 30:19, 20; Galatasve 6:5) Megjithatë, jemi në gjendje të mbajmë unitetin tonë, sepse përputhemi me ligjet dhe parimet e Biblës. Ne i mbajmë ato parasysh, kur marrim vendime personale. (Veprat 5:29; 1. Gjonit 5:3) Ta zëmë se lind ndonjë pyetje në lidhje me asnjanësinë. Në bazë të asaj që dimë, ne mund të marrim një vendim personal, duke mos harruar që ‘nuk jemi nga bota» dhe që ‘i kemi farkëtuar shpatat tona në plugje’. (Gjoni 17:16; Isaia 2:2-4) Në mënyrë të ngjashme, kur duhet të marrim një vendim personal që ka të bëjë me marrëdhënien tonë me shtetin, marrim në shqyrtim atë që thotë Bibla për t’i kthyer «Perëndisë atë që është e Perëndisë», ndërkohë që u nënshtrohemi «pushteteve të sipërm» në çështjet e botës. (Luka 20:25; Romakëve 13:1-7; Titit 3:1, 2) Po, mbajtja parasysh e ligjeve dhe e parimeve të Biblës kur marrim vendime personale, ndihmon në ruajtjen e unitetit tonë të krishterë.
16. Si mund të ndihmojmë në mbajtjen e unitetit, kur marrim vendime, në të cilat nuk përfshihet asnjë ligj apo parim biblik? Ilustro.
16 Ne mund të ndihmojmë në mbajtjen e unitetit të krishterë, edhe atëherë kur marrim një vendim që është krejtësisht personal dhe në të cilin nuk përfshihet asnjë ligj apo parim biblik. Në ç’mënyrë? Duke treguar vëmendje të dashur për të tjerët, të cilët mund të ndikohen nga vendimi ynë. Le ta ilustrojmë: Në kongregacionin e Korintit të lashtë lindi një pyetje në lidhje me mishin që u flijohej idhujve. Natyrisht, një i krishterë nuk merr pjesë në ceremoni idhujtare. Megjithatë, pasi t’i hiqej gjaku në mënyrë të përshtatshme, nuk ishte mëkat të hahej ky lloj mishi që mbetej, që ishte shitur në një dyqan publik. (Veprat 15:28, 29; 1. Korintasve 10:25) Por ndërgjegjja e disa të krishterëve ishte tronditur nga ngrënia e këtij mishi. Prandaj, Pavli i nxiti të krishterët që të mos u bëheshin pengesë këtyre. Në fakt, ai shkroi: «Nëse ushqimi e pengon vëllanë tim, unë s’do të ha mish kurrë më, që të mos e pengoj vëllanë tim.» (1. Korintasve 8:13, BR) Pra, edhe sikur të mos përfshihet asnjë ligj apo parim biblik, sa të dashur do të tregoheshim po të mbanim parasysh të tjerët, kur të merrnim vendime personale që mund të ndikojnë në unitetin e familjes së Perëndisë!
17. Çfarë është e këshillueshme të bëjmë, kur duhet të marrim vendime personale?
17 Nëse nuk jemi të sigurt se ç’rrugë duhet të ndjekim, është e mençur të vendosim në atë mënyrë, që të mbetemi me ndërgjegje të pastër, ndërsa të tjerët duhet ta respektojnë vendimin tonë. (Romakëve 14:10-12) Natyrisht, kur na duhet të marrim një vendim personal, duhet të kërkojmë në lutje drejtimin e Jehovait. Ngjashëm psalmistit, ne mund të lutemi me besim: «Ma vër veshin. . . . Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.»—Psalmi 31:2, 3.
Të mbajmë gjithnjë unitetin e krishterë
18. Si e ilustroi Pavli unitetin e kongregacionit të krishterë?
18 Në 1. Korintasve, kreu 12, Pavli përdori trupin njerëzor për të ilustruar unitetin e kongregacionit të krishterë. Ai theksoi ndërvarësinë dhe rëndësinë e çdo gjymtyre. «Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?—pyeti Pavli.—Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm. Dhe syri nuk mund t’i thotë dorës: ‘Unë nuk kam nevojë për ty’; dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: ‘Unë nuk kam nevojë për ju.’» (1. Korintasve 12:19-21) Në mënyrë të ngjashme, të gjithë ne nuk kryejmë të njëjtin funksion në familjen e adhuruesve të Jehovait. Megjithatë, jemi të bashkuar dhe kemi nevojë për njëri-tjetrin.
19. Si mund të përfitojmë prej sigurimeve frymore të Perëndisë dhe çfarë tha në lidhje me këtë një vëlla i moshuar?
19 Sikurse trupi ka nevojë për ushqim, kujdes dhe drejtim, edhe ne kemi nevojë për sigurimet frymore që Perëndia na jep nëpërmjet Fjalës, frymës dhe organizatës së tij. Që të përfitojmë prej këtyre sigurimeve, duhet të jemi pjesë e familjes tokësore të Jehovait. Pas shumë vjetësh në shërbim të Perëndisë, një vëlla shkroi: «Jam shumë mirënjohës që kam jetuar në njohurinë e qëllimeve të Jehovait qysh prej atyre ditëve të hershme, përpara 1914-s, kur gjithçka nuk ishte kaq e qartë . . . deri në këtë ditë, kur e vërteta shkëlqen si dielli në mesditë. Nëse ka pasur diçka më të rëndësishme për mua, kjo ka qenë çështja për të qëndruar pranë organizatës së dukshme të Jehovait. Përvoja ime e hershme më ka mësuar se sa e kotë është të besosh në arsyetimet njerëzore. Sapo mendja ime u sqarua mbi këtë pikë, vendosa të qëndroja me organizatën e besueshme. Ku tjetër mund të gjendet favori dhe bekimi i Jehovait?»
20. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë, në lidhje me unitetin tonë si popull i Jehovait?
20 Jehovai e ka nxjerrë popullin e tij nga errësira dhe përçarja botërore. (1. Pjetrit 2:9) Ai na ka sjellë në këtë unitet të bekuar me të dhe me bashkëbesimtarët tanë. Ky unitet do të ekzistojë edhe në sistemin e ri të gjërave, që tani është kaq afër. Prandaj, në këto ditë kritike të fundit, le të vazhdojmë ‘të vishemi me dashuri’ dhe të bëjmë gjithçka që mundemi, për të nxitur dhe për të mbajtur unitetin tonë të çmuar.—Kolosianëve 3:14.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse bërja e vullnetit të Perëndisë dhe ngjitja pas së vërtetës, do të na ndihmojnë të mbajmë unitetin?
◻ Si lidhet uniteti me përdorimin e duhur të gjuhës?
◻ Çfarë përfshin aftësia për të falur?
◻ Si mund të mbajmë unitetin, kur marrim vendime personale?
◻ Përse duhet të mbajmë unitetin e krishterë?
[Figura në faqen 16]
Sikurse ky bari e mban kopenë e tij të bashkuar, edhe Jehovai e mban popullin e tij të bashkuar
[Figurat në faqen 18]
Duke kërkuar me përulësi falje kur shkaktojmë fyerje, ndihmojmë në nxitjen e unitetit