Parajsa: A do të jesh atje?
«Njoh një njeri në unitet me Krishtin, i cili . . . u rrëmbye në parajsë.»—2 Korintasve 12:2-4.
1. Cilat premtime të Biblës bëjnë për vete shumë njerëz?
PARAJSA. A të kujtohet si u ndjeve kur e dëgjove për herë të parë premtimin e Perëndisë për një parajsë tokësore? Ndoshta të kujtohet kur mësove se ‘sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve do të hapen e shkretëtira do të lulëzojë’. Ose kur dëgjove profecinë se ujku do të rrijë me qengjin dhe keci me leopardin. A nuk u entuziazmove kur lexove se njerëzit e tu të dashur që kanë vdekur do të ringjallen me shpresën për të jetuar në këtë parajsë?—Isaia 11:6; 35:5, 6; Gjoni 5:28, 29.
2, 3. (a) Pse mund të themi se shpresa jonë për parajsën është me baza? (b) Cilën bazë të mëtejshme kemi për të shpresuar?
2 Shpresa jote nuk është pa baza. Ke arsye për t’i besuar premtimet e Biblës për këtë parajsë. Për shembull, je i sigurt për këto fjalë që i tha Jezui keqbërësit të vënë në shtyllë: «Do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) U beson këtyre fjalëve: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re dhe në ta ka për të banuar drejtësia.» Gjithashtu i beson premtimit se Perëndia do t’i thajë lotët nga sytë tanë, se nuk do të ketë më vdekje, se vajtimi, klithmat dhe dhembja do të mbarojnë. Kjo do të thotë se do të ketë përsëri një parajsë tokësore.—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:4.
3 Një bazë tjetër për të shpresuar te parajsa është diçka në të cilën janë të përfshirë që tani të krishterët anembanë botës. Çfarë është kjo? Perëndia ka sjellë një parajsë frymore dhe e ka vënë popullin e tij në të. Shprehja «parajsë frymore» mund të duket abstrakte dhe e vështirë për t’u kuptuar, por kjo parajsë ishte parathënë dhe ekziston vërtet.
Një vegim për parajsën
4. Cilin vegim përmend 2 Korintasve 12:2-4 dhe, nga sa duket, kush e pati këtë vegim?
4 Vër re çfarë shkroi apostulli Pavël për këtë parajsë frymore: «Njoh një njeri në unitet me Krishtin, i cili . . . u rrëmbye si i tillë deri në qiellin e tretë. Po, unë e njoh një njeri të tillë—a në trup, a veçmas trupit, nuk e di, Perëndia e di—që u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë që nuk thuhen, të cilat për njeriun nuk është e ligjshme të thuhen.» (2 Korintasve 12:2-4) Kjo pjesë vjen menjëherë pas vargjeve ku Pavli po mbronte të drejtën e tij si apostull. Për më tepër, Bibla nuk flet për ndonjë njeri tjetër që pati këtë përvojë dhe Pavli është i vetmi që na tregon për të. Nga sa duket këtë vegim e ka pasur vetë Pavli. Në cilën «parajsë» shkoi ai gjatë këtij vegimi që i dha Jehovai?—2 Korintasve 11:5, 23-31.
5. Çfarë nuk pa në vegim Pavli, e për rrjedhojë ç’lloj ‘parajse’ ishte ajo?
5 Konteksti nuk tregon se ‘qielli i tretë’ bën fjalë për atmosferën që rrethon globin tonë, as për ndonjë hapësirë të jashtme ose për ndonjë univers paralel me universin tonë, siç pohojnë disa fizikanë. Shpesh Bibla e përdor numrin tre për të treguar theksim të veçantë, intensitet ose më shumë forcë. (Predikuesi 4:12; Isaia 6:3; Mateu 26:34, 75; Zbulesa 4:8) Prandaj ajo që pa në vegim Pavli ishte diçka e lartësuar. Ishte frymore.
6. Cilat ngjarje historike na ndihmojnë të kuptojmë atë që pa në vegim Pavli?
6 Profeci të mëparshme biblike na ndihmojnë të kuptojmë më shumë. Pasi populli i tij i lashtë nuk u tregua besnik, Perëndia vendosi t’i linte babilonasit ta sulmonin Judën dhe Jerusalemin. Kjo arriti kulmin në shkatërrimin që ndodhi në vitin 607 p.e.s., sipas kronologjisë biblike. Profecitë thoshin se toka do të lihej e shkretë për 70 vjet, pastaj Perëndia do t’i lejonte judenjtë e penduar të ktheheshin dhe të rivendosnin adhurimin e vërtetë. Një gjë e tillë ndodhi që nga viti 537 p.e.s. dhe më tej. (Ligji i përtërirë 28:15, 62-68; 2 Mbretërve 21:10-15; 24:12-16; 25:1-4; Jeremia 29:10-14) Por, çfarë ndodhi me tokën? Gjatë atyre 70 viteve, ajo u kthye në një vend me bimë të egra, me zona të thata, një banesë për çakejtë. (Jeremia 4:26; 10:22) Megjithatë ishte bërë ky premtim: «Zoti do të ngushëllojë Sionin, do ta ngushëllojë për të gjitha shkatërrimet e tij, do ta bëjë shkretëtirën e tij si Edenin dhe vetminë e tij si kopshtin [ose parajsën, Septuaginta] e Zotit.»—Isaia 51:3.
7. Çfarë do të ndodhte pasi të kalonin 70 vitet e shkretimit?
7 Kjo ndodhi pasi kaluan 70 vjetët. Me bekimin e Perëndisë, kushtet filluan të përmirësoheshin. Përfytyro këtë skenë: «Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili; do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. . . . Çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar. Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth.»—Isaia 35:1-7.
Një popull i rivendosur dhe i ndryshuar
8. Si e dimë se kapitulli i 35-të i Isaisë zbatohej për njerëzit?
8 Çfarë ndryshimi! Nga një vend i shkretë në një parajsë. Megjithatë, kjo profeci, si edhe profeci të tjera të besueshme, tregonin se do të kishte ndryshime edhe te njerëzit, njësoj si një vend i shkretë që bëhet i frytshëm. Pse mund ta themi këtë? Po ja, Isaia po përqendrohej te «të shpëtuarit nga Zoti» që do të ktheheshin në vendin e tyre «me britma gëzimi» e do të kishin «gëzim dhe lumturi». (Isaia 35:10) Kjo nuk zbatohej për tokën e mirëfilltë, po për njerëzit. Për më tepër, në një vend tjetër Isaia paratha për popullin që do të rivendosej në Sion: «[Do] të quhen lisa të drejtësisë mbjellja e Zotit . . . [Sepse] ashtu si toka bën që të rritet bimësia e saj, . . . Zoti do të bëjë që të mbijë drejtësia dhe lëvdimi përpara tërë kombeve.» Isaia tha për popullin e Perëndisë edhe këto fjalë: «Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, . . . dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur.» (Isaia 58:11; 61:3, 11; Jeremia 31:10-12) Prandaj, ashtu siç do të përmirësoheshin kushtet fizike të tokës, po kështu do të kishte ndryshime edhe te judenjtë e rivendosur.
9. Cilën «parajsë» pa në vegim Pavli dhe kur u përmbush ky vegim?
9 Ky model historik na ndihmon të kuptojmë atë që pa në vegim Pavli. Kishte të bënte me kongregacionin e krishterë që Pavli e quajti «ara e Perëndisë nën kultivim» dhe që do të ishte i frytshëm. (1 Korintasve 3:9) Kur do të përmbushej ky vegim? Pavli e quajti «zbulesë» atë çfarë pa, diçka që do të ndodhte në të ardhmen. Ai e dinte se pas vdekjes së tij do të zhvillohej një apostazi e madhe. (2 Korintasve 12:1; Veprat 20:29, 30; 2 Selanikasve 2:3, 7) Ndërkohë që mbizotëronin këta apostatë dhe që dukej sikur i kishin lënë në hije të krishterët e vërtetë, këta të fundit s’mund të krahasoheshin me një kopsht të lulëzuar. Megjithatë do të vinte koha kur adhurimi i vërtetë do të lartësohej përsëri. Populli i Perëndisë do të rivendosej, e kështu ‘të drejtët do të shkëlqenin si dielli në mbretërinë e Atit të tyre’. (Mateu 13:24-30, 36-43) Kjo faktikisht ndodhi disa vjet pasi u vendos në qiell Mbretëria e Perëndisë. Me kalimin e viteve po bëhet gjithnjë e më e dukshme se populli i Perëndisë është në një parajsë frymore, të cilën e pa në atë vegim Pavli.
10, 11. Pse mund të themi se jemi në një parajsë frymore, ndonëse jemi të papërsosur?
10 Qartë, ne e dimë se si individë jemi të papërsosur, për këtë arsye nuk habitemi që hera-herës lindin probleme, siç ndodhi edhe mes të krishterëve në kohën e Pavlit. (1 Korintasve 1:10-13; Filipianëve 4:2, 3; 2 Selanikasve 3:6-14) Megjithatë, mendo për parajsën frymore që gëzojmë tani. Në krahasim me gjendjen e sëmurë frymësisht në të cilën ishim një herë e një kohë, tani jemi shëruar. Veç kësaj, krahaso gjendjen e uritur në të cilën ishim më parë me gjendjen e tanishme që jemi të ushqyer mirë frymësisht. Në vend që të mundohet, si të ishte në një shkretëtirë frymore, populli i Perëndisë ka miratimin e tij dhe një vërshim bekimesh. (Isaia 35:1, 7) Në vend që të jemi të verbuar në errësirën frymore, shohim dritën e lirisë dhe të miratimit nga Perëndia. Shumë nga ata që ishin si të shurdhër për sa u përket profecive të Biblës, kanë arritur të dëgjojnë dhe të kuptojnë atë që thonë Shkrimet. (Isaia 35:5) Për shembull, miliona Dëshmitarë të Jehovait anembanë tokës kanë studiuar varg për varg profecitë e Danielit. Pastaj kanë shqyrtuar me hollësi çdo kapitull të librit biblik të Isaisë. A nuk tregon ky ushqim freskues frymor se jemi në një parajsë frymore?
11 Mendo edhe për ndryshimet që kanë bërë në personalitetin e tyre njerëz të sinqertë nga çdo prejardhje, ndërsa janë përpjekur të kuptojnë e të zbatojnë Fjalën e Perëndisë. Me pak fjalë, ata kanë punuar për të hequr cilësitë shtazarake që i karakterizonin më parë. Ndoshta edhe ti je përpjekur të heqësh disa tipare të këqija dhe ke pasur mjaft rezultate, e po kështu kanë bërë edhe vëllezërit tanë e motrat tona frymore. (Kolosianëve 3:8-14) Prandaj, kur shoqërohesh me një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait, je me njerëz që janë bërë më paqësorë dhe të këndshëm. Vërtet, s’janë ende të përsosur, por me siguri që s’do t’i përshkruaje si luanë të dhunshëm ose si bisha të egra. (Isaia 35:9) Çfarë tregon ekzistenca e kësaj shoqërie paqësore? Është e qartë se frymësisht jemi në një gjendje që me të drejtë e quajmë parajsë frymore. Kjo parajsë frymore është një pamje paraprake e parajsës fizike që do të gëzojmë, në qoftë se i mbetemi besnikë Perëndisë.
12, 13. Çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar në parajsën frymore që kemi?
12 Megjithatë, ka diçka që s’duhet ta nënvlerësojmë. Perëndia u tha izraelitëve: «Respektoni, pra, tërë urdhërimet që unë po ju jap sot, që të jeni të fortë dhe të mundni të pushtoni vendin që po bëheni gati të zotëroni.» (Ligji i përtërirë 11:8) Te Levitiku 20:22, 24 bëhet fjalë për të njëjtin vend: «Do të respektoni, pra, të gjitha statutet dhe dekretet e mia dhe do t’i vini në zbatim, me qëllim që vendi ku po ju çoj të banoni të mos ju vjellë jashtë. Por juve ju thashë: ‘Ju do të shtini në dorë vendin e tyre; do t’ju jap si pronë; është një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.’» Po, nëse donin të qëndronin në Tokën e Premtuar, ata duhej të kishin medoemos një marrëdhënie të mirë me Perëndinë Jehova. Arsyeja që Perëndia i lejoi babilonasit t’i pushtonin izraelitët dhe t’i hiqnin nga vendi i tyre, ishte sepse ata nuk iu bindën.
13 Mund të ketë shumë aspekte të parajsës frymore që na pëlqejnë shumë. Mjedisi është i këndshëm për sytë, qetësues për nervat. Kemi paqe me të krishterët e tjerë që kanë punuar për të hequr tiparet shtazarake që mund të kenë pasur. Ata po përpiqen të jenë mirëdashës dhe të dobishëm për të tjerët. Megjithatë, për të qëndruar në parajsën frymore, kërkohet më shumë sesa të kemi një marrëdhënie të mirë me këta njerëz. Kërkohet që të kemi një marrëdhënie të mirë me Jehovain dhe të bëjmë vullnetin e tij. (Mikea 6:8) Kemi ardhur vullnetarisht në këtë parajsë frymore, por mund të na marrë rryma e të dalim ose edhe të përjashtohemi prej saj, nëse nuk punojmë për të ruajtur marrëdhënien që kemi me Perëndinë.
14. Çfarë do të na ndihmojë që të qëndrojmë në parajsën frymore?
14 Një faktor i rëndësishëm që do të na ndihmojë është të vazhdojmë të marrim forcë nga Fjala e Perëndisë. Vër re gjuhën e figurshme që është përdorur te Psalmi 1:1-3: «Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve . . . por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe që mendon thellë [lexon nën zë, BR] ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.» Veç kësaj, botimet biblike të klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur na sigurojnë ushqim frymor në këtë parajsë frymore.—Mateu 24:45-47.
Përforcoje përfytyrimin që ke për parajsën
15. Pse Moisiu nuk arriti t’i udhëhiqte izraelitët për në Tokën e Premtuar, por çfarë pa?
15 Mendo edhe për diçka tjetër që ishte një pamje paraprake e parajsës. Pasi Izraeli u end në shkretëtirë për 40 vjet, Moisiu e udhëhoqi popullin në rrafshinat e Moabit, në lindje të lumit Jordan. Për shkak të një gabimi që Moisiu kishte bërë më parë, Jehovai vendosi që ai të mos e udhëhiqte Izraelin në anën tjetër të Jordanit. (Numrat 20:7-12; 27:12, 13) Moisiu iu lut Perëndisë: «Më lër të kaloj Jordanin për të parë vendin e bukur që është matanë tij.» Ndonëse nuk mund të hynte në atë vend, Moisiu duhet ta ketë kuptuar se ishte një ‘vend i bukur’ e i mirë, pasi u ngjit në malin Pisgah dhe pa disa pjesë të vendit. Si mendon se ishte ai vend?—Ligji i përtërirë 3:25-27.
16, 17. (a) Si ndryshonte Toka e Premtuar në kohët e lashta nga vendi që shohim tani? (b) Pse mund të besojmë se një herë e një kohë Toka e Premtuar ishte si një parajsë?
16 Po të bazohesh në gjendjen e këtij rajoni kohët e fundit, mund ta mendosh atë vend si një tokë të ashpër me rërë, shkretëtira shkëmbore dhe me një nxehtësi përvëluese. Megjithatë, ka arsye për të besuar se rajoni në tërësi ishte mjaft i ndryshëm në kohët biblike. Në një revistë (Scientific American), dr. Uolltër S. Laudërmilku, specialist i ujit dhe i dheut, shpjegonte se vendi atje është «dëmtuar nga një mijëvjeçar me abuzime». Ky agronom shkroi: «‘Shkretëtira’ që zëvendësoi atë vend një herë e një kohë të lulëzuar, ishte vepër e duarve të njeriut, jo e natyrës.» Në fakt, nga studimet e tij doli se «ky vend një herë e një kohë ishte një parajsë tërë kullota». Duket fare qartë se abuzimi nga ana e njerëzve e ka dëmtuar atë «parajsë tërë kullota».a
17 Duke menduar për atë që ke lexuar në Bibël, mund të kuptosh se ky përfundim është vërtet logjik. Sill ndër mend fjalët siguruese që i tha Jehovai popullit nëpërmjet Moisiut: «Vendi ku jeni duke hyrë për ta pushtuar është një vend me male dhe lugina, që thith ujin e shiut që vjen nga qielli, një vend për të cilin Zoti, Perëndia yt, ka kujdes.»—Ligji i përtërirë 11:8-12.
18. Në ç’mënyrë Isaia 35:2 duhet t’u ketë dhënë një ide izraelitëve të mërguar se si do të ishte Toka e Premtuar?
18 Në Tokën e Premtuar, bukuria që sillte gjelbërimi dhe pjelloria ishin të tilla, saqë vetëm përmendja e disa zonave të sillte ndër mend kushte parajsore. Kjo është e qartë nga profecia që gjejmë në kapitullin e 35-të të Isaisë, e cila pati një përmbushje fillestare kur izraelitët u kthyen nga Babilonia. Isaia paratha: «Do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t’u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë tonë.» (Isaia 35:2) Përmendja e Libanit, e Karmelit dhe e Sharonit duhet t’u ketë sjellë në mendje izraelitëve një përfytyrim të këndshëm e shumë të bukur.
19, 20. (a) Përshkruaj zonën e Sharonit të lashtë. (b) Cila është një mënyrë se si mund ta forcojmë shpresën për parajsën?
19 Le të mendojmë pak për Sharonin, një rrafshinë pranë detit, e cila ndodhej ndërmjet kodrave të Samarisë dhe Detit të Madh ose Detit Mesdhe. (Shih fotografinë në faqen 10.) Ky vend dallohej për gjelbërimin që e hijeshonte dhe për tokën frytdhënëse. Ishte tokë e ujitur mirë dhe ishte e përshtatshme për kullota, por në pjesët veriore kishte edhe pyje me lisa. (1 Kronikave 27:29; Kantiku i Kantikëve 2:1; Isaia 65:10) Prandaj Isaia 35:2 po parathoshte një rivendosje, një vend të lulëzuar e të shkëlqyer që do të bëhej si parajsë. Kjo profeci po theksonte edhe një parajsë të mrekullueshme frymore, në përputhje me atë që pa më vonë Pavli në vegim. Së fundi, kjo profeci, bashkë me të tjerat, na e forcon shpresën e një parajse tokësore për njerëzimin.
20 Ndërkohë që jemi në parajsën frymore, mund ta thellojmë çmueshmërinë për të dhe të forcojmë shpresën për parajsën që do të vijë në tokë. Si? Duke thelluar kuptueshmërinë për atë që lexojmë në Bibël. Përshkrimet dhe profecitë biblike shpesh përmendin vende dhe rajone specifike. A do të doje t’i kuptoje më mirë ku ndodheshin këto dhe si lidheshin me rajonet e tjera? Në artikullin vijues do të merret në shqyrtim si mund të bëhet kjo dhe si të nxjerrim dobi prej saj.
[Shënimi]
a Denis Bali në botimin Gjeografia e Biblës (anglisht) thotë: «Natyra e bimësisë së këtij vendi duhet të ketë ndryshuar shumë që nga kohët biblike.» Shkaku? «Njeriu kishte nevojë për drurë për t’u ngrohur e për të ndërtuar, prandaj . . . filloi të priste pemët, duke e lënë tokën të zhveshur përballë sulmeve të motit. Pasojat e kësaj ndërhyrjeje në mjedis ishin se klima . . . dalëngadalë u bë faktori më i rëndësishëm në shkatërrimin e saj.»
A ju kujtohet?
• Cilën «parajsë» pa në vegim apostulli Pavël?
• Cila ishte përmbushja fillestare e kapitullit të 35-të të Isaisë dhe si lidhet ajo me atë që pa në vegim Pavli?
• Si mund ta thellojmë çmueshmërinë për parajsën frymore dhe të forcojmë shpresën për parajsën tokësore?
[Figura në faqen 10]
Rrafshina e Sharonit, një zonë pjellore në Tokën e Premtuar
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqen 12]
Moisiu e kuptoi se ai ishte «një vend i bukur»