Dobësia njerëzore lartëson fuqinë e Jehovait
«Të gjithë më konsideronin si një shërbëtore në kohë të plotë, e lumtur dhe e gjallë. Isha gjithmonë ajo që i ndihmoja të tjerët në problemet e tyre. Por në të njëjtën kohë, ndieja sikur nga brenda po vdisja. Mendimet shqetësuese dhe ankthi mendor po sillnin ndikime të dëmshme në mua. Fillova të ndihesha e larguar nga njerëzit. Doja vetëm të rrija në shtrat në shtëpi. Për muaj të tërë, i kërkova Jehovait të më linte të vdisja.»—Vanesa.
SI NË rastin e cituar më lart, duhet pritur që nganjëherë shërbëtorët e Jehovait të ndiejnë pasojat e jetës në këto «kohë kritike të vështira për t’u trajtuar». (2. Timoteut 3:1, BR) Disa madje mund t’i lëshojë zemra. (Filipianëve 2:25-27) Kur zgjatet, trishtimi mund të na grabisë forcën tonë, pasi Bibla thotë: «A e ke treguar veten të shkurajuar në ditën e hidhërimit? Fuqia jote do të jetë e pakët.» (Proverbat 24:10, BR) Po, kur jemi të shkurajuar, kemi nevojë për fuqi, ndoshta edhe për atë, të cilën apostulli Pavël e quajti «fuqi përtej normales».—2. Korintasve 4:7, BR.
Perëndia Jehova është burimi i fuqisë së pakufishme. Kjo është e dukshme, kur shqyrtojmë krijimin e tij. (Romakëve 1:20) Të marrim, për shembull, diellin. Toka merr nga dielli një energji prej rreth 240 trilionë kuajfuqi. Por kjo shifër paraqet vetëm rreth gjysmë bilioni nga prodhimi i energjisë së diellit. Për më tepër, dielli është i vogël në krahasim me yjet që njihen si supergjigantë. Ndër këta është Rigel, një yll në kostelacionin Orion, i cili është 50 herë më i madh se dielli ynë dhe çliron 150.000 herë më shumë energji.
Krijuesi i një burimi të tillë energjie qiellore duhet të zotërojë vetë një «bollëk energjie dinamike». (Isaia 40:26, BR; Psalmi 8:3, 4) Në të vërtetë, profeti Isaia tha se Jehovai «nuk lodhet as nuk kapitet». Perëndia është i gatshëm t’i japë fuqinë e tij kujtdo që për shkak të dobësisë njerëzore, ndien se po lodhet. (Isaia 40:28, 29, BR) Mënyra se si e bën këtë, ilustrohet në rastin e apostullit të krishterë, Pavlit.
Përballimi i sprovave
Pavli u foli korintasve për një pengesë që ai duhet të përballonte. Ai e quajti atë «një gjemb në mish». (2. Korintasve 12:7, BR) Ky «gjemb» mund të ketë qenë një problem shëndetësor, mbase shikimi i dëmtuar. (Galatasve 4:15; 6:11) Ose Pavli mund t’i jetë referuar apostujve të rremë dhe të tjerëve që krijonin shqetësime, të cilët sfidonin veprën dhe të qenët e tij apostull. (2. Korintasve 11:5, 6, 12-15; Galatasve 1:6-9; 5:12) Sido që të ishte, ky «gjemb në mish» e hidhëroi thellë Pavlin dhe lutej vazhdimisht që ai t’i hiqej.—2. Korintasve 12:8.
Por Jehovai nuk e pranoi kërkesën e Pavlit. Përkundrazi, ai i tha atij: «Dashamirësia ime e pamerituar është e mjaftueshme për ty.» (2. Korintasve 12:9, BR) Çfarë donte të thoshte Jehovai me këtë? Epo, kur mbajmë parasysh të kaluarën e Pavlit si persekutues i të krishterëve, ishte vetëm përmes dashamirësisë së pamerituar që ai mundi të kishte një marrëdhënie me Perëndinë, e jo më pastaj të shërbente si një apostull.a (Krahaso Zaharinë 2:8; Zbulesa 16:5, 6.) Jehovai fare mirë mund t’i kishte thënë Pavlit se ishte «i mjaftueshëm» privilegji i të qenit dishepull, gjë që nuk do të shoqërohej nga një heqje e mrekullueshme e problemeve personale të jetës. Ç’është e vërteta, disa vështirësi mund të vijnë edhe si rezultat i privilegjeve të shtuara. (2. Korintasve 11:24-27; 2. Timoteut 3:12) Në çdo rast, Pavlit thjesht i duhej të duronte ‘gjembin e tij në mish’.
Por Jehovai nuk po e braktiste në asnjë mënyrë Pavlin me pashpirtësi. Përkundrazi, ai i tha atij: «Fuqia ime është bërë e përsosur në dobësi.» (2. Korintasve 12:9, BR) Po, Jehovai me dashuri do t’i jepte Pavlit forcën për të përballuar situatën e tij. Në këtë mënyrë, «gjembi në mish» i Pavlit, u bë një mësim. Ai e mësoi atë të mbështetej në forcën e Jehovait në vend se në të vetën. Me sa duket, Pavli e mësoi mirë këtë, sepse disa vjet më vonë ai u shkroi filipianëve: «Kam mësuar, që në çdo rrethanë që të jem, t’i dal zot vetes. Për të gjitha gjërat kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:11, 13, BR.
Po ti? A po përballon ndonjë lloj «gjembi në mish», ndoshta një sëmundje apo një rrethanë në jetë që të shkakton shumë ankth? Nëse po, gjej ngushëllim. Ndërkohë që Jehovai nuk mund të heqë me mrekulli pengesën, ai mund të të japë mençurinë dhe qëndresën për ta përballuar atë, ndërsa vazhdon të vësh në vend të parë në jetën tënde interesat e Mbretërisë.—Mateu 6:33.
Nëse sëmundja apo mosha e shkuar të pengon për të kryer aq shumë sa do të të pëlqente në aktivitetin e krishterë, mos u dëshpëro. Në vend se ta shikosh sprovën tënde si diçka që kufizon shërbimin tënd ndaj Jehovait, shikoje atë si një mundësi për të rritur besimin tënd në të. Veç kësaj, mos harro se vlera e një të krishteri nuk çmohet nga niveli i tij i aktivitetit, por nga besimi dhe thellësia e dashurisë së tij. (Krahaso Markun 12:41-44.) Të duash Jehovain me gjithë shpirtin tënd, do të thotë që t’i shërbesh atij me aq aftësi sa ke ti e jo dikush tjetër.—Mateu 22:37; Galatasve 6:4, 5.
Nëse «gjembi [yt] në mish» përfshin një rrethanë të hidhur në jetë, si për shembull vdekjen e një personi të dashur, ndiq këshillën e Biblës: «Hidhe barrën tënde mbi vetë Jehovain dhe ai vetë do të të mbështesë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22, BR) Këtë bëri një grua e krishterë me emrin Silvia. Vetëm brenda pak vitesh, asaj i vdiq i shoqi pas 50 vjetësh martesë dhe gjithashtu nëntë anëtarë të tjerë të familjes, duke përfshirë dy nipër të rinj. «Po të mos ishte për Jehovain,—thotë Silvia,—do të hidhërohesha në mënyrë të pakontrollueshme. Por lutja më jep ngushëllim të madh. Bëj një bisedë të pandërprerë me Jehovain. E di se ai më jep forcën për të qëndruar.»
Sa siguruese është të dish se «Perëndia i çdo ngushëllimi» mund t’u japë fuqinë për të qëndruar atyre që janë të hidhëruar! (2. Korintasve 1:3; 1. Selanikasve 4:13) Duke vlerësuar këtë, ne mund të kuptojmë përfundimin e Pavlit në lidhje me këtë çështje. Ai shkroi: «Gjej kënaqësi në dobësi, në fyerje, në raste nevoje, në persekutime dhe vështirësi, për Krishtin. Sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.»—2. Korintasve 12:10, BR.
Përballimi i papërsosmërive
Të gjithë ne kemi trashëguar papërsosmërinë nga prindërit tanë të parë njerëzorë. (Romakëve 5:12) Si rezultat, ne kemi një betejë kundër dëshirave të mishit të rënë. Sa shkurajuese mund të jetë të zbulosh se aspekte të «personalitetit të vjetër» ushtrojnë një shtrëngim edhe më të fuqishëm mbi ne, nga sa kemi menduar! (Efesianëve 4:22-24, BR) Në kohë të tilla, ne mund të ndihemi si apostulli Pavël, i cili shkroi: «Unë kënaqem vërtet në ligjin e Perëndisë sipas njeriut që jam brenda, por vërej një tjetër ligj në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën rob të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.»—Romakëve 7:22, 23, BR.
Edhe këtu, ne mund të shfrytëzojmë fuqinë që vjen nga Jehovai. Kur lufton me një dobësi personale, asnjëherë mos ndalo t’i drejtohesh atij në lutje, duke kërkuar me zjarr faljen e tij, pavarësisht se sa shpesh duhet t’i afrohesh atij për të njëjtin problem. Për shkak të dashamirësisë së tij të pamerituar, Jehovai, i cili «vlerëson zemrat» dhe mund të shohë thellësinë e sinqeritetit tënd, do të të japë një ndërgjegje të pastruar. (Proverbat 21:2, BR) Me anë të frymës së tij të shenjtë, Jehovai mund të të japë forcën për të vazhduar sërish betejën kundër dobësive mishore.—Luka 11:13.
Përveç kësaj, kemi nevojë për forcë nga Jehovai, kur kemi të bëjmë me papërsosmëritë e të tjerëve. Për shembull, një bashkë i krishterë mund të na flasë «pa menduar si me goditje shpate». (Proverbat 12:18, BR) Kjo gjë mund të na lëndojë thellë, sidomos nëse vjen nga dikush, për të cilin ne mendojmë se duhet ta dijë mirë se kjo sjellje është e gabuar. Mund të shqetësohemi shumë. Disa madje i kanë përdorur ofendime të tilla si një justifikim për të braktisur Jehovain, gjë që përbën gabimin më të madh.
Megjithatë, një qëndrim i ekuilibruar do të na ndihmojë t’i shohim dobësitë e të tjerëve nga një pikëpamje e përshtatshme. Nuk mund të presim përsosmëri nga njerëz të papërsosur. «Nuk ka asnjë njeri që nuk mëkaton»,—na kujton Solomoni i mençur. (1. Mbretërve 8:46, BR) Arturi, një i krishterë i mirosur, i cili i shërbeu Jehovait me besnikëri për rreth shtatë dekada, vërejti: «Dobësitë e bashkëshërbëtorëve na krijojnë mundësinë për të provuar integritetin tonë ndaj Perëndisë, duke vënë në provë karakterin tonë të krishterë. Nëse lejojmë që ato që thonë apo bëjnë njerëzit të ndërhyjnë në shërbimin tonë ndaj Jehovait, ne po u shërbejmë njerëzve. Veç kësaj, edhe vëllezërit tanë duhet të duan Jehovain. Nëse kërkojmë të mirën në ta, shpejt do të shohim se në fund të fundit, ata nuk janë kaq të këqinj.»
Fuqia për të predikuar
Përpara se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve të tij: «Do të merrni fuqi, kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju dhe ju do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem dhe në gjithë Judenë e Samarinë e deri në pjesët më të largëta të tokës.»—Veprat 1:8, BR.
Siç u shpreh nga fjalët e Jezuit, kjo vepër po kryhet nga Dëshmitarët e Jehovait tani në 233 vende përreth globit. Kolektivisht, ata kalojnë më shumë se një miliard orë çdo vit, duke ndihmuar të tjerët që të njohin Jehovain. Nuk është gjithmonë e lehtë që të përmbushësh këtë vepër. Në disa vende, vepra e predikimit të Mbretërisë është e ndaluar apo e kufizuar. Mbaj parasysh, gjithashtu, se kush po e bën këtë vepër; janë njerëzit e brishtë e të papërsosur, nga të cilët çdonjëri ka pjesën e tij apo e saj të problemeve dhe të anktheve. Prapëseprapë vepra vazhdon dhe si rezultat, gjatë tre vjetëve të kaluar, mbi një milion persona ia kanë dedikuar jetën e tyre Jehovait dhe e kanë simbolizuar dedikimin e tyre me anë të pagëzimit në ujë. (Mateu 28:18-20) Vërtet, kjo vepër është kryer vetëm falë forcës së Jehovait. Jehovai tha përmes profetit Zaharia: «Jo me anë të një force ushtarake, as me anë të fuqisë, por me anë të frymës sime.»—Zaharia 4:6, BR.
Nëse je një lajmëtar i lajmit të mirë, ti ke një pjesë në atë përmbushje të madhe, sado e vogël që duket në pamje të parë. Pavarësisht nga ‘gjembat’ që të duhet të përballosh, ti mund të jesh i sigurt se Jehovai nuk do ta harrojë «veprën tënde dhe dashurinë e treguar për emrin e tij». (Hebrenjve 6:10, BR) Prandaj, vazhdo të besosh për mbështetje në Burimin e gjithë energjisë dinamike. Mos harro, është vetëm në saje të forcës së Jehovait që ne mund të qëndrojmë; fuqia e tij bëhet e përsosur në dobësitë tona.
[Shënimi]
a Natyrisht, përderisa «të gjithë kanë mëkatuar dhe janë të privuar nga lavdia e Perëndisë», është provë e mëshirës së Perëndisë që çdo njeri të mund të ketë një marrëdhënie me të.—Romakëve 3:23, BR.
[Figura në faqen 26]
Vepra e predikimit përmbushet vetëm me anë të fuqisë së Jehovait