KAPITULLI 20
Shërbimi i dhënies së ndihmës
1, 2. (a) Çfarë vështirësie hasën të krishterët në Jude? (b) Cilën vepër dashurie përjetuan të krishterët judenj?
JEMI aty nga viti 46 i e.s. dhe Judenë e ka mbërthyer zia e bukës. Dishepujt judenj të Krishtit që jetojnë këtu nuk kanë para të paguajnë çmimet stratosferike për drithin e paktë që gjendet. Janë në dorën e urisë. Ama do të përjetojnë mbrojtjen e dorës së Jehovait në një mënyrë që asnjë dishepull i Krishtit nuk e ka provuar më parë. Çfarë do të ndodhë?
2 Të prekur nga vuajtjet e të krishterëve judenj në Jerusalem dhe në Jude, të krishterë judenj dhe jojudenj në Antioki të Sirisë mbledhin fonde për bashkëbesimtarët. Pastaj zgjedhin mes tyre dy vëllezër përgjegjës, Barnabën dhe Saulin, që t’ua çojnë ndihmat pleqve të kongregacionit në Jerusalem. (Lexo Veprat 11:27-30; 12:25.) Imagjino sa mund t’i ketë prekur vëllezërit nevojtarë në Jude kjo vepër dashurie nga ana e vëllezërve të tyre në Antioki!
3. (a) Si e ndjek edhe sot populli i Zotit shembullin që lanë të krishterët e hershëm në Antioki? Jep një shembull. (Shih edhe kutinë «Japim për herë të parë ndihmë në shkallë botërore në kohët tona».) (b) Cilat pyetje do të trajtojmë në këtë kapitull?
3 Kjo ngjarje e shekullit të 1-rë të e.s. është rasti i parë i dokumentuar ku të krishterët që jetojnë në një pjesë të botës, u dërgojnë ndihmë të krishterëve që jetojnë në një pjesë tjetër. Sot ndjekim shembullin që na lanë vëllezërit në Antioki. Kur marrim vesh se bashkëbesimtarët në një vend janë prekur nga një katastrofë ose vështirësi, u shkojmë në ndihmë.a Për të kuptuar si lidhet vepra e ndihmës me aktivitetet e tjera të shërbimit, le të trajtojmë tri pyetje për shërbimin e dhënies së ndihmës: pse e konsiderojmë shërbim veprën e ndihmës? Cilët janë objektivat e kësaj vepre? Si nxjerrim dobi nga shërbimi i dhënies së ndihmës?
Pse vepra e ndihmës është ‘shërbim i shenjtë’?
4. Çfarë u tha Pavli korintasve për shërbimin e krishterë?
4 Në Letrën e Dytë drejtuar Korintasve, Pavli shpjegoi se të krishterët bëjnë shërbim të dyfishtë. Ndonëse letra e Pavlit u drejtohej të krishterëve të mirosur, fjalët e tij zbatohen edhe për ‘delet e tjera’ të Krishtit. (Gjoni 10:16) Një pjesë e shërbimit tonë është ‘shërbimi i pajtimit’, pra vepra e predikimit dhe e mësimdhënies. (2 Kor. 5:18-20; 1 Tim. 2:3-6) Pjesa tjetër përfshin shërbimin që bëjmë ndaj bashkëbesimtarëve. Pavli foli qartë për ‘shërbimin e dhënies së ndihmës’. (2 Kor. 8:4, Përkthimi Bota e Re, angl.) Në të dyja shprehjet, ‘shërbimi i pajtimit’ dhe ‘shërbimi i dhënies së ndihmës’, fjala «shërbim» është përkthyer nga një formë e fjalës greke diakonía. Pse është domethënëse kjo?
5. Pse është domethënëse që Pavli e quajti shërbim veprën e ndihmës?
5 Duke përdorur të njëjtën fjalë greke për të dyja mënyrat e shërbimit, Pavli e lidhi veprën e ndihmës me forma të tjera shërbimi që po bëheshin në kongregacionin e krishterë. Ai kishte thënë më parë: «Ka një shumëllojshmëri shërbimesh, e megjithatë është i njëjti Zotëri. Ka edhe një shumëllojshmëri veprimesh. . . . Dhe të gjitha këto veprime i kryen e vetmja dhe e njëjta frymë.» (1 Kor. 12:4-6, 11) Në fakt, Pavli i lidhi shërbimet e ndryshme në kongregacion me ‘shërbimin e shenjtë’.b (Rom. 12:1, 6-8) S’është çudi që iu duk me vend ta përdorte një pjesë të kohës ‘që t’u shërbente të shenjtëve’.—Rom. 15:25, 26.
6. (a) Siç shpjegoi Pavli, pse është vepra e ndihmës pjesë e adhurimit tonë? (b) Përshkruaj si po kryhet vepra e ndihmës në gjithë globin sot. (Shih kutinë «Kur prek katastrofa».)
6 Pavli i ndihmoi korintasit të kuptonin pse vepra e ndihmës ishte pjesë e shërbimit dhe e adhurimit ndaj Jehovait. Shih arsyetimin e tij: të krishterët japin ndihmë, sepse janë «të nënshtruar ndaj lajmit të mirë për Krishtin». (2 Kor. 9:13) Prandaj, nga dëshira që t’i zbatojnë mësimet e Krishtit, të krishterët i ndihmojnë bashkëbesimtarët. Pavli tha se veprat mirëdashëse që bëjnë në dobi të vëllezërve, në të vërtetë janë shprehje të «dashamirësisë së pamerituar tejet të madhe të Perëndisë». (2 Kor. 9:14; 1 Pjet. 4:10) Ja pse, kur foli që t’u shërbejmë vëllezërve në nevojë, ku përfshihet vepra e ndihmës, Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1975 (angl.) me të drejtë tha: «Kurrë nuk duhet të dyshojmë nëse Perëndia Jehova dhe i Biri, Jezu Krishti, i japin vërtet rëndësi këtij lloj shërbimi.» Po, vepra e ndihmës është një formë e vyer e shërbimit të shenjtë!—Rom. 12:1, 7; 2 Kor. 8:7; Hebr. 13:16.
Vepra e ndihmës ka objektiva të qartë
7, 8. Cili është objektivi i parë i shërbimit të dhënies së ndihmës? Shpjego.
7 Cilët janë objektivat e shërbimit të dhënies së ndihmës? Pavli iu përgjigj kësaj pyetjeje në Letrën e Dytë drejtuar Korintasve. (Lexo 2 Korintasve 9:11-15.) Në këto vargje, Pavli thekson tre objektivat ose synimet kryesore që arrijmë duke marrë pjesë në këtë «shërbim publik», pra në veprën e ndihmës. Le t’i shohim me radhë.
8 Së pari, shërbimi i dhënies së ndihmës i sjell lavdi Jehovait. Vër re, në pesë vargjet e lartpërmendura, sa shpesh Pavli ua drejton vëmendjen vëllezërve te Perëndia Jehova. Apostulli u sjell ndër mend këto shprehje: «të falënderojnë Perëndinë» dhe «shumë shprehje falënderimi drejtuar Perëndisë». (Vargjet 11, 12) Ai thotë se dhënia e ndihmës i bën të krishterët ‘t’i japin lavdi Perëndisë’ dhe të lëvdojnë ‘dashamirësinë e pamerituar tejet të madhe të Perëndisë’. (Vargjet 13, 14) Pavli e mbyll trajtimin për shërbimin e dhënies së ndihmës duke thënë: «Faleminderit Perëndisë!»—Vargu 15; 1 Pjet. 4:11.
9. Si mund të ndryshohen përshtypjet falë veprës së ndihmës? Jep një shembull.
9 Si Pavli, shërbëtorët e Zotit sot e konsiderojnë veprën e ndihmës si mundësi që t’i sjellin lavdi Jehovait dhe të stolisin mësimet e tij. (1 Kor. 10:31; Titit 2:10) Faktikisht, vepra e ndihmës shpesh luan rol të rëndësishëm në ndreqjen e përshtypjeve të gabuara që kanë disa njerëz për Jehovain dhe Dëshmitarët e tij. Për shembull, një grua e cila jeton në një zonë që u prek nga një uragan kishte këtë shënim në derë: «Dëshmitarë të Jehovait: Mos trokitni!» Por një ditë pa disa vullnetarë që po riparonin një shtëpi të dëmtuar, në anën tjetër të rrugës. Ditë pas dite i shihte punëtorët miqësorë dhe pastaj vajti të merrte vesh cilët ishin. Kur kuptoi se vullnetarët ishin Dëshmitarë të Jehovait, u mahnit dhe tha: «Kisha mendim të gabuar për ju.» Rezultati? E hoqi shënimin nga dera.
10, 11. (a) Cilët shembuj tregojnë se po e arrijmë objektivin e dytë të veprës së ndihmës? (b) Cili botim i ndihmon vullnetarët? (Shih kutinë «Mjet shtesë për vullnetarët në raste katastrofash».)
10 Së dyti, ‘plotësojmë me bollëk nevojat’ e bashkëbesimtarëve. (2 Kor. 9:12a) Mezi presim t’ua plotësojmë nevojat e ngutshme dhe t’ua lehtësojmë vuajtjet vëllezërve dhe motrave tona. Pse? Sepse pjesëtarët e kongregacionit të krishterë formojnë «një trup» dhe, «sikur të vuajë një gjymtyrë, gjithë gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të». (1 Kor. 12:20, 26) Ndaj përzemërsia dhe dhembshuria vëllazërore i motivojnë shumë vëllezër e motra sot t’i lënë menjëherë mënjanë punët e tyre, të marrin veglat dhe të nisen drejt vendeve të prekura nga katastrofa, që të ndihmojnë bashkëbesimtarët. (Jak. 2:15, 16) Për shembull, pasi tsunami goditi Japoninë në vitin 2011, zyra e degës e Shteteve të Bashkuara u dërgoi një letër Komiteteve Rajonale të Ndërtimit në SHBA, ku i pyeste nëse «disa vëllezër të kualifikuar» mund të ndihmonin me rindërtimin e Sallave të Mbretërisë atje. Si reaguan vëllezërit dhe motrat? Brenda pak javësh, gati 600 veta dolën vullnetarë të ndihmonin dhe pranuan të shkonin në Japoni me shpenzimet e tyre. Zyra e degës e Shteteve të Bashkuara tha: «Reagimi i vëllezërve dhe i motrave na ka prekur thellë.» Kur një vëlla në Japoni, pyeti një vullnetar nga jashtë shtetit pse kishte ardhur të ndihmonte, mori këtë përgjigje: «Vëllezërit në Japoni janë pjesë e ‘trupit tonë’. Ne e ndiejmë dhembjen dhe vuajtjen e tyre.» Nga dashuria vetëmohuese, ndonjëherë vullnetarët madje kanë rrezikuar jetën për të ndihmuar bashkëbesimtarët.c—1 Gjon. 3:16.
11 Edhe ata që nuk janë Dëshmitarë shprehin vlerësim për veprën tonë të ndihmës. Për shembull, pas një katastrofe në shtetin e Arkanzasit në SHBA, më 2013, një gazetë e njoftoi reagimin e shpejtë të vullnetarëve Dëshmitarë me këto fjalë: «Dëshmitarët e Jehovait i organizojnë kaq mirë vullnetarët, saqë mund t’i përgjigjen katastrofës me mjeshtëri dhe efektshmëri.» Siç tha apostulli Pavël, ‘ua plotësojmë me bollëk’ nevojat vëllezërve tanë.
12-14. (a) Pse është kaq e rëndësishme të arrijmë objektivin e tretë të veprës së ndihmës? (b) Cilat shprehje theksojnë sa e rëndësishme është të vazhdojmë me aktivitetet frymore?
12 Së treti, i ndihmojmë nevojtarët t’u kthehen aktiviteteve frymore. Pse është e rëndësishme kjo? Pavli thotë se ata që ndihmohen do të motivohen të bëjnë «shumë shprehje falënderimi drejtuar Perëndisë». (2 Kor. 9:12b) Ku ka mënyrë më të mirë për këta, sesa t’ia shprehin falënderimet Jehovait duke u kthyer tek aktivitetet frymore sa më shpejt të jetë e mundur?! (Filip. 1:10) Në 1945-n, Kulla e Rojës tha: «Pavli e miratoi . . . mbledhjen e kontributeve, sepse kjo u jepte . . . vëllezërve të krishterë nevojtarë ca ndihmë materiale, e kështu ata mund të angazhoheshin më lirisht dhe energjikisht në veprën e dëshmisë së Jehovait.» Edhe sot kemi të njëjtin synim. Duke iu kthyer veprës së predikimit, vëllezërit tanë nuk forcojnë vetëm fqinjët e dëshpëruar, por edhe veten.—Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.
13 Shih disa komente nga ata që morën ndihmën aq të nevojshme, që filluan të predikonin sërish dhe që u forcuan ngaqë bënë kështu. Një vëlla tha: «Ishte bekim për familjen tonë të shkonte në shërbim. Ndërsa mundoheshim të ngushëllonim të tjerët, u çliruam sadopak nga ankthi për gjërat tona.» Një motër tha: «Ngaqë u përqendrova tek aktiviteti frymor, nuk e kisha mendjen te shkatërrimi përreth. Kjo më dha siguri.» Një motër tjetër vërejti: «Ndonëse shumë gjëra nuk i kishim nën kontroll, shërbimi na ndihmoi të përqendroheshim tek e ardhmja. Duke folur me të tjerët për shpresën e botës së re na u forcua besimi se çdo gjë do të bëhet e re.»
14 Një aktivitet tjetër frymor që bashkëbesimtarët e prekur nga katastrofa duhet të rifillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, është ndjekja e mbledhjeve. Shih çfarë i ndodhi Kijokos, motër që në atë kohë ishte në fund të të 50-ave. Pasi humbi gjithçka në një tsunami, përveç rrobave dhe sandaleve që kishte veshur, nuk dinte si t’ia bënte për të mbijetuar. Më pas, një plak i tha se do të mbanin mbledhjen e krishterë në makinën e tij. Kijokoja thotë: «Plaku me të shoqen dhe unë me një motër u ulëm në makinë. Mbledhja ishte e thjeshtë por, si me mrekulli, tsunami më iku nga mendja. Ndjeva paqe mendore. Ajo mbledhje më tregoi fuqinë e shoqërisë së krishterë.» Kur foli për mbledhjet që ndoqi pas një katastrofe, një motër tjetër tha: «Ato ishin litari im i shpëtimit!»—Rom. 1:11, 12; 12:12.
Shërbimi i dhënies së ndihmës sjell dobi afatgjata
15, 16. (a) Cilat dobi do të nxirrnin të krishterët në Korint e gjetkë nga pjesëmarrja në veprën e ndihmës? (b) Si nxjerrim edhe ne dobi nga vepra e ndihmës sot?
15 Kur foli për shërbimin e dhënies së ndihmës, Pavli u shpjegoi korintasve edhe dobitë që do të nxirrnin ata dhe të krishterë të tjerë nga pjesëmarrja në këtë vepër. Ai pohoi: «Me përgjërime, ata [të krishterët judenj në Jerusalem që morën ndihmën] digjen nga dëshira për t’ju parë, për shkak të dashamirësisë së pamerituar tejet të madhe të Perëndisë për ju.» (2 Kor. 9:14) Po, bujaria e korintasve do t’i motivonte të krishterët judenj të luteshin për vëllezërit e tyre në Korint, ku përfshiheshin jojudenjtë, dhe do t’ua thellonte përzemërsinë për ta.
16 Duke zbatuar fjalët e Pavlit për dobitë e veprës së ndihmës sot, Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1945 (angl.) pohoi: «Sa shumë shtohet uniteti kur një pjesë e popullit të shenjtë të Zotit kontribuon për nevojat e një pjese tjetër!» Vullnetarët sot përjetojnë tamam këtë. Një plak që ndihmoi pas një përmbytjeje thotë: «Angazhimi në veprën e ndihmës më bëri të ndihesha më afër me vëllezërit.» Një motër mirënjohëse që mori ndihmë shprehet kështu: «Vëllazëria jonë gati-gati më bën të ndihem si në Parajsën tokësore.»—Lexo Proverbat 17:17.
17. (a) Si zbatohen fjalët e Isaisë 41:13 për veprën e ndihmës? (b) Përmend disa shembuj si vepra e ndihmës e nderon Jehovain dhe forcon unitetin tonë. (Shih edhe kutinë «Vullnetarët përreth botës japin ndihmë».)
17 Kur vullnetarët mbërrijnë në vendin e katastrofës, vëllezërit në nevojë përjetojnë në mënyrë të veçantë të vërtetën e premtimit të Zotit: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’» (Isa. 41:13) Pasi i mbijetoi katastrofës, një motër tha: «U ndjeva e pafuqishme kur pashë dëmin, por Jehovai më zgjati dorën. Ndihma që mora nga vëllezërit është e papërshkrueshme.» Pasi një katastrofë shkatërroi vendin e tyre, dy pleq shkruan në emër të kongregacionit ku shërbejnë: «Tërmeti na solli shumë dhembje, por provuam ndihmën që Jehovai na jep nëpërmjet vëllezërve. Kishim lexuar për veprën e ndihmës, por tani e pamë me sytë tanë.»
A mund të bësh diçka?
18. Ç’mund të bësh nëse do që të marrësh pjesë në veprën e ndihmës? (Shih edhe kutinë «Jeta ime mori tjetër drejtim».)
18 A dëshiron të provosh gëzimin që sjell vepra e ndihmës? Nëse po, mbaj parasysh se vullnetarët shpesh zgjidhen mes atyre që punojnë në projektet e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Ndaj thuaju pleqve se dëshiron të plotësosh një formular. Një plak me shumë përvojë në veprën e ndihmës jep këtë përkujtues: «Shko në një zonë të prekur nga katastrofa vetëm pasi të të ketë ftuar zyrtarisht Komiteti i Ndihmës në Rast Katastrofash.» Në këtë mënyrë, vepra e ndihmës do të bëhet me rregull.
19. Si tregojnë më së miri vullnetarët se jemi vërtet dishepuj të Krishtit?
19 Vepra e ndihmës është një mënyrë e jashtëzakonshme nëpërmjet së cilës i bindemi urdhrit të Jezuit ‘për të dashur njëri-tjetrin’. Kur shfaqim këtë dashuri, tregojmë se jemi vërtet dishepuj të Krishtit. (Gjoni 13:34, 35) Ç’bekim është për ne të kemi kaq shumë vullnetarë të zellshëm që i sjellin lavdi Jehovait ndërsa u japin ndihmën e nevojshme atyre që me besnikëri mbështetin Mbretërinë e Perëndisë!
a Ky kapitull flet për veprën e ndihmës që bëjmë në dobi të bashkëbesimtarëve. Megjithatë, në shumë raste, vepra jonë e ndihmës u sjell dobi edhe jo Dëshmitarëve.—Gal. 6:10.
b Pavli përdori shumësin e fjalës diákonos (shërbëtor) për «shërbëtorët ndihmës».—1 Tim. 3:12.
c Shih artikullin «Ndihma për familjen tonë të besimtarëve në Bosnje», në Kullën e Rojës të 1 marsit 1995, faqet 23-27.