«Ligji është bërë edukatori ynë»
SA FËMIJË e kuptojnë vlerën e rregullave e të disiplinës? Pak. Për fëmijët kufizimet janë të mërzitshme. Megjithatë, ata që kanë përgjegjësinë të ndihmojnë fëmijët e dinë se mbikëqyrja e duhur është më se e domosdoshme. Me kalimin e viteve, ka shumë të ngjarë që shumica e fëmijëve ta kuptojnë vlerën e drejtimit që u është dhënë. Apostulli Pavël përdori shembullin e një burri që mbronte fëmijët, për të ilustruar një nga masat që Perëndia Jehova ka marrë për të mbikëqyrur popullin e tij.
Disa të krishterë të shekullit të parë në provincën romake të Galatisë këmbëngulnin se Perëndia miratonte vetëm ata që i bindeshin Ligjit që u dha izraelitëve nëpërmjet Moisiut. Apostulli Pavël e dinte që kjo nuk ishte e vërtetë, sepse Perëndia u kishte dhënë frymën e shenjtë disave që nuk e kishin zbatuar kurrë ligjin judaik. (Veprat 15:12) Kështu, Pavli e korrigjoi këtë ide të gabuar duke përdorur një ilustrim. Në letrën drejtuar të krishterëve galatas ai shkroi: «Ligji është bërë edukatori ynë që çon te Krishti.» (Galatasve 3:24) Figura e edukatorit, thotë një studiues, ka «një histori të lashtë e plot domethënie». Kjo histori do të na ndihmojë të kuptojmë pikën që donte të theksonte Pavli.
Edukatori dhe përgjegjësitë e tij
Pjesa më e madhe e familjeve të kamura greke, romake, e ndoshta edhe judaike, mbanin edukatorë për të mbikëqyrur fëmijët, që nga foshnjëria deri në pubertet. Në përgjithësi, edukatori ishte një skllav i besuar, shpesh i moshuar, që shërbente për të mbrojtur fëmijën dhe për t’u siguruar që të plotësoheshin dëshirat që babai kishte për fëmijën. Gjatë gjithë ditës edukatori e shoqëronte fëmijën kudo që shkonte, kujdesej për higjienën e tij, e çonte në shkollë, shpesh i mbante librat e sendet e tjera, dhe vëzhgonte se si shkonte me mësimet.
Zakonisht, edukatori nuk ishte mësues shkolle. Ai nuk merrej me arsimimin shkollor të fëmijës, por thjesht, si një kujdestar, mbikëqyrte zbatimin e udhëzimeve që i kishte dhënë babai i fëmijës. Megjithatë, në mënyrë të tërthortë, ai e mësonte fëmijën me anë të mbikëqyrjes dhe disiplinës. Ai i mësonte rregullat e mirësjelljes, e qortonte dhe madje e ndëshkonte fizikisht kur fëmija sillej keq. Qartë që mamaja dhe babai ishin edukatorët kryesorë të fëmijës. Megjithatë, teksa djali rritej, edukatori e mësonte të mbante trupin në pozicionin e duhur kur ecte në rrugë, të vishte mantelin, të ulej e të hante si duhej, të ngrihej në këmbë kur hynin më të mëdhenjtë, të donte prindërit, etj.
Filozofi grek Platoni (428-348 p.e.s.) kishte bindjen e fortë se dëshirat fëmijërore duheshin mbajtur në fre. Ai shkroi: «Ashtu si asnjë dele apo bagëti tjetër s’mund të ekzistojë pa bariun, edhe fëmijët s’mund të jetojnë pa një edukator, as skllevërit pa zotëri.» Kjo pikëpamje mund të duket ekstreme, por ja që Platoni mendonte kështu.
Meqë ishin vazhdimisht pranë fëmijëve, edukatorëve u doli nami si roja shtypëse dhe disiplinues të ashpër, si burim i një lumi të pafund akuzash të vockla, të mërzitshme dhe të pafrytshme. Gjithsesi, edukatorët ishin një mbrojtje, nga ana morale dhe fizike. Apiani, historian grek i shekullit të dytë të e.s., tregon për një edukator, i cili ndërsa çonte fëmijën në shkollë, e mbuloi me krahët e tij për ta mbrojtur nga disa vrasës. Meqë nuk pranoi ta lëshonte djalin, i vranë që të dy, atë dhe fëmijën.
Imoraliteti ishte shumë i përhapur në botën helene. Fëmijët, sidomos djemtë, kishin nevojë për mbrojtje nga ngacmimet seksuale. Kështu që edukatorëve u duhej të rrinin me fëmijët gjatë mësimit, ngaqë shumë mësuesve s’mund t’u zihej besë. Libani, orator grek i shekullit të katërt të e.s., tha madje se edukatorëve u duhej të bëheshin edhe «roja të të rinjve që po zhvilloheshin fizikisht», që «të mos u lejonin dashnorëve të padëshiruar të afroheshin, duke i dëbuar dhe duke i mbajtur larg, që të mos lidheshin me djemtë». Shumë edukatorë fituan respektin e atyre që kishin mbrojtur. Lapidarë të shumtë dëshmojnë për mirënjohjen që të rriturit ndienin akoma për edukatorët e tyre të dashur që kishin vdekur.
Ligji si edukator
Përse apostulli Pavël e krahasoi Ligjin e Moisiut me një edukator? Pse ky ilustrim është veçanërisht i përshtatshëm?
Arsyeja e parë është se Ligji shërbente si mbrojtje. Pavli shpjegoi se judenjtë ‘mbaheshin të mbyllur bashkë nën ligj’, si të ishin nën kujdesin mbrojtës të një edukatori. (Galatasve 3:23) Ligji ndikonte në çdo fushë të jetës së tyre. Mbante nën fre dëshirat e tyre epshore. Mbikëqyrte sjelljen e tyre dhe i qortonte vazhdimisht për mangësitë që kishin, duke bërë që çdo izraelit të ishte i vetëdijshëm për papërsosmëritë e veta.
Ligji i mbronte edhe nga ndikimet korruptuese, si praktikat e ulëta morale dhe fetare të kombeve përreth Izraelit. Për shembull, Perëndia ndalonte martesat me paganët, dhe kjo ishte thelbësore që i gjithë kombi të kishte një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. (Ligji i përtërirë 7:3, 4) Këto norma ruanin pastërtinë e adhurimit të popullit të Perëndisë dhe i përgatiste të pranonin Mesinë. Këto ishin masa të dashura. Moisiu u kujtoi izraelitëve: «Jehovai, Perëndia yt, të qortonte, ashtu si një baba qorton birin e vet.»—Ligji i përtërirë 8:5.
Megjithatë, një element thelbësor i ilustrimit të Pavlit ishte natyra e përkohshme e autoritetit të edukatorit. Kur fëmija arrinte moshën e pjekurisë, nuk ishte më nën kontrollin e edukatorit. Historiani grek Ksenofoni (431-352 p.e.s.) shkroi: «Kur një djalë rritet dhe hyn në moshën e rinisë, e heqin nga kujdestaria e edukatorit dhe e mësuesit; ai nuk është më nën kontrollin e tyre, por i lejohet të jetë i pavarur.»
Njësoj ishte me autoritetin e Ligjit të Moisiut. Roli i tij ishte i përkohshëm, u dha «për të bërë të qarta shkeljet, derisa të mbërrinte fara [Jezu Krishti]». Apostulli Pavël shpjegoi se, për judenjtë, Ligji ishte ‘edukatori që çonte te Krishti’. Që të kishin miratimin e Perëndisë, judenjtë e kohës së Pavlit duhej të pranonin rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë. Kur disa prej tyre vepruan kështu, roli i edukatorit u përmbush.—Galatasve 3:19, 24, 25.
Ligji që Perëndia u dha izraelitëve ishte i përsosur. E arriti plotësisht qëllimin për të cilin Perëndia e vendosi: të mbronte popullin e tij dhe t’i bënte të vetëdijshëm për normat e tij të larta. (Romakëve 7:7-14) Ligji ishte një edukator i mirë. Megjithatë, për disa nga ata që jetuan nën mbrojtjen e tij, kërkesat e Ligjit mund të jenë dukur të rënda. Prandaj, Pavli shkroi se, kur mbërriti koha e caktuar nga Perëndia, «meqë na bleu, Krishti na liroi nga mallkimi i Ligjit». Ligji ishte ‘mallkim’ vetëm në kuptimin se u kërkonte judenjve të papërsosur të mbanin disa norma, të cilave ata nuk mund t’u bindeshin plotësisht. Ai kërkonte që ritet të zbatoheshin pikë për pikë. Pasi një jude pranonte shpërblesën që bëri të mundur flijimi i Jezuit, nuk kishte më nevojë t’u përmbahej kufizimeve të ‘edukatorit’.—Galatasve 3:13; 4:9, 10.
Pra, Pavli e krahasoi Ligjin e Moisiut me një edukator për të theksuar rolin e tij si kujdestar dhe natyrën e tij të përkohshme. Miratimi i Jehovait nuk fitohet duke iu bindur Ligjit, por duke pranuar Jezuin dhe duke treguar besim tek ai.—Galatasve 2:16; 3:11.
[Kutia dhe figura në faqen 21]
‘NJERËZ TË NGARKUAR’ DHE ‘KUJDESTARË’
Përveçse shkroi për edukatorin, apostulli Pavël përdori edhe ilustrimin e «njerëzve të ngarkuar» dhe të «kujdestarëve». Te Galatasve 4:1, 2 lexojmë: «Për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk ndryshon fare nga një skllav, megjithëse është zotëri i të gjitha gjërave. Ai është nën kujdesin e njerëzve të ngarkuar dhe të kujdestarëve, deri ditën që ka caktuar më parë i ati.» Rolet e «njerëzve të ngarkuar» dhe të «kujdestarëve» ishin të ndryshme nga ato të edukatorëve, mirëpo pika që donte të theksonte Pavli, në thelb, ishte e njëjtë.
Sipas ligjit romak, një ‘njeri i ngarkuar’ caktohej ligjërisht si rojë për një të mitur jetim dhe për të administruar çështjet financiare të fëmijës derisa të rritej. Prandaj, Pavli tha që, ndonëse teorikisht ky fëmijë ishte «zotëri» i trashëgimisë së vet, për sa kohë ishte fëmijë, ai nuk kishte asnjë të drejtë mbi të, ngjashëm një skllavi.
Nga ana tjetër, ‘kujdestari’ kishte përgjegjësi për çështjet financiare të pronave të një familjeje. Historiani jude Jozef Flavi thotë se një i ri me emrin Hirkan i kërkoi të atit të shkruante një letër ku të autorizonte kujdestarin për t’i dhënë para që të blinte çfarë t’i duhej.
Pra, të ishte nën kontrollin e një edukatori, të një ‘njeriu të ngarkuar’ apo të një ‘kujdestari’, nënkuptonte që një i mitur nuk ishte i lirë. Jeta e fëmijës kontrollohej nga të tjerët, deri në kohën e caktuar nga i ati.
[Figura në faqen 19]
Vizatim në një vazo greke që tregon një edukator me shkopin e vet
[Burimi]
Muzeu Arkeologjik Kombëtar, Athinë
[Figura në faqen 19]
Skenë në një kupë të shek. V p.e.s. ku tregohet një edukator (me shkop) që vëzhgon teksa fëmija që ka nën kujdestari mëson poezi dhe muzikë
[Burimi]
Bildarchiv Preussischer Kulturbesitz/Art Resource, NY