Tranformohuni në mendje dhe ndriçohuni në zemër
«Këtë, pra, them dhe dëshmoj në emër të Zotërisë, që ju të mos vazhdoni më duke ecur, siç ecin edhe kombet.»—EFESIANËVE 4:17, NW.
1. Çfarë bëjnë për ne mendja dhe zemra jonë?
MENDJA dhe zemra janë dy nga aftësitë më të mrekullueshme që zotëron njeriu. Edhe pse funksionet e tyre janë të shumta, në vetvete ato janë të veçanta në çdo individ. Personaliteti ynë, të folurit, sjellja, emocionet dhe vlerat, të gjitha ndikohen thellësisht nga mënyra në të cilën vepron mendja dhe zemra jonë.
2, 3. (a) Si i përdor Bibla fjalët «zemër» dhe «mendje»? (b) Përse duhet të interesohemi për zemrën dhe mendjen tonë?
2 Në Bibël, «zemra» i referohet zakonisht motiveve, emocioneve dhe ndjenjave, ndërsa «mendja» i referohet intelektit dhe aftësisë për të menduar. Megjithatë, ato nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Për shembull, Moisiu i nxiti izraelitët: «Duhet të thërrasësh në zemrën tënde [«duhet të thërrasësh në mendjen tënde», shënimi] se Jehovai është Perëndia i vërtetë.» (Ligji i përtërirë 4:39) Skribëve, që po komplotonin kundër tij, Jezui u tha: «Pse mendoni keq në zemrat tuaja?»—Mateu 9:4; Marku 2:6, 7.
3 Kjo tregon se zemra dhe mendja janë të lidhura ngushtë. Ato bashkëveprojnë midis tyre, disa herë duke mbështetur njëra-tjetrën për të punuar si një ekip, por shpesh duke u ndeshur në një luftë për të mbizotëruar. (Mateu 22:37; krahaso Romakëve 7:23.) Për këtë arsye, për të pasur favorin e Jehovait, nuk duhet vetëm të njohim mirë gjendjen e zemrës dhe të mendjes sonë, por duhet që edhe t’i stërvisim ato që të veprojnë së bashku në harmoni, që të ecin në të njëjtin drejtim. Duhet të transformohemi në mendje dhe të ndriçohemi në zemër.—Psalmi 119:34; Proverbat 3:1.
«Mënyra si ecin kombet»
4. Si mund të ndikojë Satanai mbi mendjet dhe zemrat e njerëzve dhe me çfarë rezultati?
4 Satanai është një mjeshtër i mashtrimeve dhe i manipulimeve. Ai e di, se për të pasur në kontroll njerëzit, duhet të mbajë në shenjë mendjet dhe zemrat e tyre. Që nga fillimi i historisë njerëzore, ai ka përdorur mjete të ndryshme për të arritur atë qëllim. Si rezultat «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1. Gjonit 5:19, NW) Në fakt, Satanai ka ndikuar me sukses mbi zemrat dhe mendjet e njerëzve të botës, që Bibla i përshkruan si një «brezni të prishur e dinake». (Filipianëve 2:15) Apostulli Pavël e përshkruan me gjallëri gjendjen e zemrës dhe të mendjes së atij brezi të prishur e dinak dhe fjalët e tij shërbejnë si një paralajmërim për të gjithë ne sot. Të lutemi të lexosh, për shembull, Efesianëve 4:17-19 dhe ta krahasosh atë me fjalët e Pavlit në Romakëve 1:21-24.
5. Përse Pavli shkuajti këshilla aq të forta për efesianët?
5 Mund të kuptojmë se përse Pavli shkruajti fjalë kaq të forta për të krishterët në Efes, nëse kujtojmë se qyteti ishte i njohur për degjenerimin moral dhe adhurimin pagan të idhujve. Edhe pse grekët kishin mendimtarët dhe filozofët e tyre të famshëm, ka të ngjarë që edukimi grek e bënte shumicën e njerëzve më të aftë për të bërë keq dhe se kultura i bënte veset e tyre më të rafinuara. Pavli ishte thellësisht i shqetësuar për bashkëbesimtarët e tij të krishterë që jetonin në një ambient të tillë. Ai e dinte se shumë prej tyre kishin qenë njerëz të kombeve dhe se kishin «ecur sipas sistemit të gjërave të kësaj bote». Por tani ata kishin pranuar të vërtetën. Mendjet e tyre ishin transformuar dhe zemrat e tyre ishin ndriçuar. Dhe mbi të gjitha, Pavli dëshironte që ata «të ecnin në mënyrë të denjë për thirrjen e tyre.»—Efesianëve 2:2; 4:1, NW.
6. Përse duhet të na interesojnë fjalët e Pavlit?
6 Sot, gjendja është e ngjashme. Edhe ne sot jetojmë në një botë me vlera të shtrembëra, me moral të falimentuar dhe me praktika fetare false. Një herë e një kohë, shumë prej nesh jetonin sipas sistemit të gjërave të kësaj bote. Të tjerë janë të shtrënguar të punojnë çdo ditë me kolegë nga bota. Disa jetojnë nëpër familje ku mbizotëron fryma e botës. Prandaj, është e domosdoshme që të kuptojmë domethënien e fjalëve të Pavlit dhe të përfitojmë prej këshillave të tij.
Mendje të padobishme dhe të errësuara
7. Çfarë donte të thoshte Pavli me shprehjen «padobishmëria e mendjeve të tyre»?
7 Për t’i dhënë një mbështetje më të fortë nxitjes së tij që të krishterët «të mos ecin më siç ecin edhe kombet», Pavli përmendi së pari «padobishmërinë e mendjes së tyre». (Efesianëve 4:17, NW) Çfarë do të thotë kjo? Fjala e përkthyer «padobishmëri», sipas një fjalori biblik «përfshin zbrazëtinë, mosveprimin, kotësinë, marrëzinë, paqëllimshmërinë dhe zhgënjimin». (The Anchor Bible) Kështu, Pavli tregonte se fama dhe lavdia e botës greko-romake mund të dukeshin madhështore, por ndjekja e tyre ishte në fakt një gjë e zbrazët, e marrë dhe pa një qëllim. Ata që digjeshin për famë dhe lavdi nuk përfundonin me gjë tjetër, veçse me zhgënjim dhe shpresa të humbura. I njëjti parim është i vërtetë edhe për botën e sotme.
8. Në ç’mënyrë punët e botës janë të padobishme?
8 Bota ka intelektualët dhe elitën e vet, tek të cilët njerëzit kërkojnë përgjigje për pyetje të tilla të mëdha si origjina dhe qëllimi i jetës, si dhe e ardhmja e njerëzimit. Por çfarë zbulimi dhe udhëheqje kanë ofruar ata? Ateizëm, agnosticizëm, evolucion dhe një pafundësi me ide dhe teori të tjera të ngatërruara dhe kundërshtuese që nuk janë më të ndritura, sesa ritet dhe bestytnitë e së kaluarës. Shumë prej punëve të botës duket, gjithashtu, sikur të japin një farë kënaqësie dhe një ndjenjë realizimi. Njerëzit flasin për suksese dhe arritje në shkencë, art, muzikë, sport, politikë e kështu me radhë. Ngazëllehen me çastet kalimtare të lavdisë së tyre. E megjithatë, analet dhe librat e historisë janë plot me heronj të harruar. E gjithë kjo nuk është tjetër, veçse zbrazëti, mosveprim, kotësi, marrëzi, paqëllimshmëri dhe zhgënjim.
9. Cilave punë të padobishme u kthehet shumica?
9 Duke kuptuar padobishmërinë e këtyre përpjekjeve, shumë veta u kthehen punëve materiale, grumbullojnë para dhe sende që mund të blihen me to, duke i shndërruar këto punë në qëllimin e jetës së tyre. Janë të bindur se lumturia vjen nga pasuria, kamja, si dhe duke kërkuar kënaqësitë. Jo vetëm që e përqëndrojnë mendjen në këto gjëra, por janë të gatshëm që të sakrifikojnë gjithçka, shëndetin, familjen, madje edhe ndërgjegjen. Me çfarë rezultati? Në vend se të ndihen të plotë, ata «e mundojnë vetveten me shumë vuajtje». (1. Timoteut 6:10) Nuk habitemi, pra, që Pavli i nxiti bashkëbesimtarët e tij të krishterë që të mos ecnin më si kombet, në padobishmërinë e kësaj mënyre të menduari.
10. Në ç’kuptim njerëzit e botës janë «me mendje të errësuar»?
10 Për të treguar se bota nuk ka asgjë për t’u pasur zili apo për t’u imituar, Pavli shton se ata janë «me mendje të errësuar». (Efesianëve 4:18) Natyrisht, bota ka njerëz inteligjentë dhe me njohuri pothuajse në çdo fushë të dijes. Megjithatë, Pavli tha se ata janë me mendje të errësuar. Përse? Vërejtjet e tij s’kanë të bëjnë me kompentencën apo me aftësinë e tyre mendore. Fjala «mendje» mund t’i referohet edhe qendrës së perceptimit njerëzor, vatrës së njohurisë, njeriut të brendshëm. Janë në errësirë, sepse nuk kanë asnjë dritë udhëheqëse apo sens drejtimi në dijen e tyre. Kjo mund të shihet në kuptimin e tyre të mjegulluar mbi të mirën dhe të keqen. Njerëzit mund të mendojnë se mentaliteti i sotëm «që nuk gjykon», sipas të cilit çdo gjë është e lejuar, është i ndritur, por në të vërtetë, sipas Pavlit, është një mentalitet i errësuar. Në kuptimin frymor, ata enden në errësirë të plotë.—Jobi 12:25; 17:12; Isaia 5:20; 59:6-10; 60:2; krahaso Efesianëve 1:17, 18.
11. Cili është shkaku i errësirës mendore të botës?
11 Si është e mundur që njerëzit të jenë inteligjentë, të shkëlqyer madje, në shumë gjëra e megjithatë në errësirë frymore? Në 2. Korintasve 4:4, Pavli përgjigjet: «Perëndia i këtij sistemi gjërash i ka verbuar mendjet e atyre që s’besojnë, me qëllim që drita e lajmit të mirë të lavdishëm të Krishtit, që është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos shkëlqejë mbi ta.» (NW) Sa bekim i madh është që ata që e pranojnë lajmin e mirë të lavdishëm janë të transformuar në mendje dhe të ndriçuar në zemër!
Zemra të paditura dhe të pandjeshme
12. Në ç’mënyrë bota është «e përjashtuar nga jeta që i përket Perëndisë?»
12 Për të na ndihmuar që të kuptojmë më mirë se përse duhet të transformohemi në mendje dhe të ndriçohemi në zemër, Pavli e drejton vëmendjen tonë në faktin se rruga e botës është «e përjashtuar nga jeta që i përket Perëndisë». (Efesianëve 4:18, NW) Nuk është se njerëzit nuk besojnë më te Perëndia apo se janë bërë tërësisht ateistë. Një gazetar shkruan: «Në vend të shprehjes pa Perëndi, le të shpikim një të re: me pak Perëndi. Njerëzit me pak Perëndi mbahen sikur besojnë në një Hyjni, edhe pse në të njëjtën kohë e mbajnë Atë në kuti, duke e nxjerrë jashtë vetëm të dielën në mëngjes dhe duke mos i lejuar kurrë që të ndikojë në konceptin e tyre të botës politike apo në jetën e tyre personale midis dy të dielave. [Ata] pak a shumë besojnë te Perëndia, por mendojnë se Ai nuk ka shumë për të thënë mbi shoqërinë moderne.» Në letrën e tij drejtuar Romakëve, Pavli u shpreh kështu: «Edhe pse e njohën Perëndinë, nuk e lavdëruan atë si Perëndi, as nuk e falënderuan atë.» (Romakëve 1:21, NW) Çdo ditë shohim njerëz që jetojnë duke mos menduar fare për Perëndinë. Sigurisht, ata nuk e nderojnë dhe as e falënderojnë atë.
13. Çfarë është «jeta që i përket Perëndisë»?
13 Shprehja «jeta që i përket Perëndisë», është domethënëse. Është një demonstrim i mëtejshëm i faktit se si e ngatërron errësira frymore dhe mendore kuptimin e vlerave të njerëzve. Fjala greke e përkthyer këtu «jetë», nuk është bios (prej nga rrjedhin fjalë të tilla si «biologji», «biografi»), që do të thotë mënyrë jetese apo stil jetese. Fjala është zoè (nga e cila rrjedhin fjalë si «zoologji»). Kjo do të thotë «jetë si një parim, jetë në kuptimin absolut, jetë si e ka Perëndia. . . . Nga kjo jetë është përjashtuar njeriu, për shkak të Rënies së tij.» (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) Prandaj, Pavli po na thotë se errësira mendore dhe frymore jo vetëm që i ka çuar njerëzit e botës në shkatërrimin e trupit, por i ka përjashtuar ata edhe nga shpresa e jetës së përhershme që ofron Perëndia. (Galatasve 6:8) Përse? Pavli vazhdon, duke na treguar shkaqet.
14. Cila është njëra nga arsyet që bota është e përjashtuar nga jeta që i përket Perëndisë?
14 Para së gjithash, ai thotë «për shkak të paditurisë që është ndër ta». (Efesianëve 4:18) Fraza «që është ndër ta», nxjerr në pah se padituria nuk vjen nga ajo se nuk kanë pasur rast, por nga refuzimi i qëllimtë i diturisë së Perëndisë. Kjo frazë është përkthyer edhe kështu: «Refuzimi i tyre i brendshëm për të njohur Perëndinë.» (The Anchor Bible); «Zemra e tyre e ngurtësuar i bën të paditur.» (Parola del Signore) Pasi e kanë hedhur apo përbuzur me qëllim diturinë e saktë të Perëndisë, ata nuk kanë asnjë bazë për të marrë atë lloj jete që Jehovai ofron për ata që ushtrojnë besim tek Biri i tij, që thotë: «Edhe këjo është jet’ e-përjetëshme, të njohënë ty të-vetëminë e të-vërtetinë Perëndi, edhe Jisu Krishtinë që dërgove.»—Gjoni 17:3, BK; 1. Timoteut 6:19.
15. Ç’gjë kontribuon në përjashtimin e botës nga jeta që i përket Perëndisë?
15 Një tjetër arsye për të cilën, sipas Pavlit, bota në përgjithësi është përjashtuar nga jeta që i përket Perëndisë, është «pandjeshmëria e zemrës së tyre». (Efesianëve 4:18) Këtu «pandjeshmëri» në mënyrë thelbësore do të thotë ngurtësim, sikur të mbulohej nga kalloja. Të gjithë e dimë se si formohen kallot. Fillimisht, lëkura mund të jetë e butë dhe e ndjeshme, por nëse u ekspozohet vazhdimisht shtypjeve dhe fërkimeve, ajo forcohet dhe trashet, duke formuar një kallo. Nuk i ndien më acarimet. Në mënyrë të ngjashme, njerëzit nuk lindin me një zemër të ngurtë apo me kallo, në mënyrë që të jenë automatikisht të pandjeshëm ndaj Perëndisë. Por, pasi jetojmë në botë dhe i ekspozohemi frymës së saj, nuk duhet shumë kohë që zemra të zërë kallo apo të ngurtësohet, nëse nuk kujdesemi për të. Prandaj, Pavli paralajmëroi: «Kini kujdes . . . që askush nga ju të mos ngurtësohet nga fuqia mashtruese e mëkatit.» (Hebrenjve 3:7-13, NW; Psalmi 95:8-10) Sa është urgjente, pra, që të mbesim të transformuar në mendje dhe të ndriçuar në zemër!
16. Cila është pasoja e errësirës mendore dhe e përjashtimit të botës nga jeta që i përket Perëndisë?
16 Pasojat e kësaj errësire dhe të këtij përjashtimi, janë përmbledhur nga fjalët vijuese të Pavlit: «Pasi kanë kaluar çdo lloj sensi moral, e kanë lëshuar veten në sjellje të shthurur, për të kryer me lakmi papastërti të çdo lloji.» (Efesianëve 4:19, NW) Shprehja «pasi kanë kaluar çdo lloj sensi moral», fjalë për fjalë do të thotë «pasi nuk ndiejnë më dhimbje», dhimbje morale. Në këtë mënyrë një zemër zë kallo. Kur nuk e vret më ndërgjegjja dhe kur nuk ndihet më përgjegjëse para Perëndisë, ajo nuk njeh më asnjë kufi. Prandaj, Pavli tha se «e kanë lëshuar veten» në sjellje të shthurur dhe fëlliqësi. Ishte një hap i bërë me qëllim, vullnetarisht. «Sjellje e shthurur», siç përdoret në Bibël, tregon një qëndrim të pacipë dhe të paturpshëm, përbuzës ndaj ligjit dhe autoriteteve. Po kështu, «papastërti të çdo lloji», nuk përfshin vetëm zvetënimet seksuale, por edhe gjërat e korruptuara që bëheshin në emër të fesë, të tilla si ritet e pjellshmërisë dhe ato që kryheshin në tempullin e Artemidës në Efes, të cilat lexuesit e Pavlit i njihnin mirë.—Veprat 19:27, 35.
17. Përse Pavli tha se njerëzit që kanë kaluar çdo lloj sensi moral mëkatojnë «me lakmi»?
17 Sikur të mos ishte mjaft i keq lëshimi në sjellje të shthurur dhe papastërti të çdo lloji, Pavli shtoi se këta njerëz vepronin «me lakmi». Kur dikush, që akoma zotëron një farë sensi moral kryen një mëkat, të paktën do t’i vijë keq dhe do të përpiqet me forcë për të mos e përsëritur atë. Por ata që «kanë kaluar çdo lloj sensi moral», mëkatojnë «me lakmi» («dhe kërkojnë ende për më shumë», The Anchor Bible). Ata hyjnë me padurim teposhtë në vorbullën e veseve, derisa zhyten në thellësirat e korruptimit, madje pa e menduar fare. Çfarë përshkrimi i saktë i «vullnetit të kombeve»!—1. Pjetrit 4:3, 4.
18. Duke përmbledhur, çfarë lloj kuadri bën Pavli mbi gjendjen mendore dhe frymore të botës?
18 Kështu, pra, vetëm në tre vargje, Efesianëve 4:17-19, Pavli demaskon gjendjen e vërtetë morale dhe frymore të botës. Ai tregon se idetë dhe teoritë e nxjerra nga mendimtarët e botës, si dhe kërkimi i shfrenuar i pasurisë dhe i kënaqësive, janë tërësisht të padobishme. Ai qartëson se, për shkak të errësirës frymore dhe mendore, bota po fundoset gjithnjë e më shumë në llumin moral. Së fundi, për shkak të paditurisë dhe pandjeshmërisë së saj të vullnetshme, bota është përjashtuar pa asnjë shpresë nga jeta që i përket Perëndisë. Pa dyshim, kemi arsye të forta për të mos ecur siç ecin edhe kombet!
19. Cilat pyetje thelbësore mbeten ende për t’u shqyrtuar?
19 Pasi bota është përjashtuar nga Perëndia Jehova, për shkak të errësirës që i mbulon mendjen dhe zemrën, si mund ta largojmë plotësisht errësirën prej mendjes dhe zemrës sonë? Po, çfarë duhet të bëjmë, me qëllim që të ecim si bij të dritës dhe të marrim favorin e Perëndisë? Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë e shtyu Pavlin që të jepte këshilla të forta në Efesianëve 4:17-19?
◻ Përse rrugët e botës janë të padobishme dhe në errësirë?
◻ Cila është domethënia e shprehjes «të përjashtuar nga jeta që i përket Perëndisë»?
◻ Cilat janë pasojat e errësirës mendore dhe të zemrës së pandjeshme?
[Figurat në faqen 9]
Efesi ishte i njohur për adhurimin e tij idhujtar dhe degjenerimin moral
1. Gladiator romak në Efes
2. Rrënoja të tempullit të Artemidës
3. Teatër në Efes
4. Artemida e Efesit, perëndesha e pjellorisë
[Figura në faqen 10]
Çfarë zbulimi mund të ofrojë elita e botës?
Neroni
[Burimi]
Musei Capitolini, Romë