«Vazhdoni të ecni si bij të dritës»
«Vishni personalitetin e ri që u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.»—EFESIANËVE 4:24, NW.
1. Me çfarë janë të bekuar adhuruesit e Jehovait? Përse?
PERËNDIA JEHOVA është «Ati i dritave qiellore» dhe «në Të nuk ka kurrfarë errësire!» (Jakovit 1:17, NW; 1. Gjonit 1:5) Biri i tij, Jezu Krishti, tha për veten: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.» (Gjoni 8:12) Adhuruesit e vërtetë të Jehovait, ithtarët e Birit të tij, janë të bekuar me dritën: mendore, morale dhe frymore dhe «shkëlqejnë si ndriçues në botë.»—Filipianëve 2:15, NW.
2. Çfarë kontrasti është parathënë midis popullit të Perëndisë dhe botës?
2 Shumë kohë më parë, profeti Isaia u frymëzua për të parathënë këtë kontrast: «Ja, errësira vetë do të mbulojë tokën dhe terri i dendur grupet e kombeve; por mbi ty do shkëlqejë Jehovai dhe mbi ty do të shihet vetë lavdia e tij.» Në fakt, mbarë njerëzimi i përjashtuar nga Perëndia gjendet nën pushtetin dhe ndikimin e «qeveritarëve botërorë të kësaj errësire.»—Isaia 60:2; Efesianëve 6:12, NW.
3. Për çfarë arsyeje jemi mjaft të interesuar për këshillat me vend të Pavlit?
3 Apostulli Pavël kujdesej shumë që bashkëbesimtarët e tij të krishterë të qëndronin të lirë prej asaj errësire. Ai i nxiti ata që «të mos ecnin më siç ecin edhe kombet», por që të «ecnin si bij të dritës». (Efesianëve 4:17; 5:8, NW) Ai shpjegoi, gjithashtu, se si mund ta bënin me sukses këtë gjë. Sot, errësira dhe terri që mbulojnë kombet janë dendësuar. Bota është fundosur edhe më thellë në baltën e falimentimit moral dhe frymor. Adhuruesit e Jehovait duhet të zhvillojnë një betejë gjithnjë e më të ashpër. Prandaj, ne jemi mjaft të interesuar për të ditur se ç’tha Pavli.
Të mësojmë për Krishtin
4. Çfarë kishte në mend Pavli kur tha: «Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin»?
4 Pasi ka përshkruar punët e padobishme dhe fëlliqësinë e botës, apostulli Pavël e drejton sërish vëmendjen nga bashkëbesimtarët e tij të krishterë në Efes. (Lexo Efesianëve 4:20, 21.) Pavli kish kaluar gati tre vjet duke predikuar dhe duke mësuar në atë qytet dhe duhet të jetë njohur personalisht me shumë pjesëtarë të kongregacionit. (Veprat 20:31-35) Prandaj, kur ai tha: «Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin», shprehte njohurinë e vet personale, se të krishterëve të Efesit nuk u ishte mësuar ndonjë version tolerant apo i turbullt i së vërtetës, që i kalonte pa vënë re format e rënda të sjelljes së gabuar, që ai i kishte përshkruar në vargjet 17 dhe 19. Ai e dinte se atyre u ishte mësuar në mënyrën e duhur dhe me saktësi mënyra e vërtetë e jetesës së krishterë, e ilustruar me shembullin e Jezu Krishtit. Për këtë arsye, ata nuk ecnin më në errësirë si kombet, por ishin bij të dritës.
5. Si ndryshon qenia e sipërfaqshme në të vërtetën nga fakti që të kesh të vërtetën brenda vetes?
5 Sa e rëndësishme është, pra, që «të mësojmë mbi Krishtin» në mënyrën e duhur! A ka mënyra të gabuara për të mësuar mbi Krishtin? Po, patjetër. Disa vargje më lart, në Efesianëve 4:14, Pavli i kish porositur vëllezërit: «Të mos jemi më foshnja, si të hedhur nga valët dhe të bartur andej-këndej nga çdo erë mësimi prej dredhive të njerëzve, prej dinakërisë në gabimin e trilluar.» (NW) Me sa duket ka pasur nga ata që kishin mësuar mbi Krishtin, por ecnin ende në rrugët e botës dhe përpiqeshin madje që të yshtnin edhe të tjerë për të vepruar ashtu. A nuk na tregon kjo se është e rrezikshme që vetëm të jemi në të vërtetën, shprehje e përdorur prej disave, në vend se të kemi të vërtetën brenda nesh? Në ditët e Pavlit, ata që kishin vetëm një kuptim të sipërfaqshëm, gënjeheshin nga të tjerët me lehtësi dhe shpejtësi dhe e njëjta gjë vlen edhe për sot. Për të shmangur këtë, Pavli vazhdoi të thoshte se efesianët kishin nevojë «të dëgjonin Krishtin dhe të mësoheshin me anë të Jezuit.»—Efesianëve 4:21.
6. Si mund të mësojmë, të dëgjojmë dhe të mësohemi prej Krishtit sot?
6 Shprehjet «mësoj», «dëgjoj» dhe «mësohem», të përdorura nga Pavli, nënkuptojnë të gjitha një proces studimi dhe arsimimi, si në ndonjë shkollë. Natyrisht, sot ne nuk mund të dëgjojmë, të mësojmë apo të mësohemi drejtpërdrejt nga vetë Jezui. Por ai po drejton një fushatë botërore edukimi biblik, nëpërmjet «skllavit të tij besnik e të matur». (Mateu 24:45-47; 28:19, 20, NW) Mund të mësojmë «për Krishtin» ashtu siç duhet dhe me saktësi, nëse marrim rregullisht ushqimin frymor që siguron klasa e skllavit, nëse e studiojmë atë me zell, personalisht apo në kongregacion, duke medituar për të dhe duke vënë në zbatim atë çka mësojmë. Le të sigurohemi se i përdorim plotësisht të gjitha furnizimet, në mënyrë që të mund të themi me të vërtetë se «e kemi dëgjuar dhe jemi mësuar me anë të tij.»
7. Çfarë kuptimi mund të kenë fjalët e Pavlit: «E vërteta është në Jezuin»?
7 Është interesante se tek Efesianëve 4:21, pasi ka nxjerrë në pah procesin e të mësuarit, Pavli shton: «Sipas së vërtetës që është në Jezuin.» (NW) Disa komentues të Biblës tërheqin vëmendjen se në shkrimet e tij Pavli e përmend rrallë emrin personal Jezu më vete. Në fakt, kjo është e vetmja herë e këtij lloj përdorimi në letrën drejtuar Efesianëve. A ka kjo ndonjë kuptim të veçantë? Ndoshta Pavli donte të tërhiqte vëmendjen mbi shembullin e dhënë nga Jezui si njeri. Sill ndër mend se një herë Jezui tha për vete: «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.» (Gjoni 14:6; Kolosianëve 2:3) Jezui tha: «Unë jam . . . e Vërteta», sepse ai nuk u mjaftua duke folur e duke mësuar të vërtetën, por e jetoi atë, e personifikoi atë. Po, krishterimi i vërtetë nuk është vetëm një ide, por një mënyrë jetese. «Të mësojmë për Krishtin», përfshin edhe që të mësojmë ta imitojmë atë, duke e jetuar të vërtetën. A është jeta jote sipas modelit të Jezuit? A i ndjek me kujdes çdo ditë hapat e tij? Vetëm në këtë mënyrë mund të ecim si bij të dritës.
«Hiqni personalitetin e vjetër»
8. Çfarë ilustrimi përdori Pavli në Efesianëve 4:22, 24 dhe përse është i përshtatshëm?
8 Për të treguar se si mund «të mësojmë për Krishtin» me sukses dhe të ecim si fëmijë të dritës, Pavli vazhdoi të thoshte në Efesianëve 4:22-24, se ne duhet të bëjmë tre hapa të ndryshëm. I pari është: «Ju duhet të hiqni personalitetin e vjetër që përputhet me sjelljen tuaj të mëparshme dhe që është i korruptuar sipas dëshirave të tij mashtruese.» (Efesianëve 4:22, NW) Shprehjet «hiqni» («zhvishni», Kingdom Interlinear) dhe «vishni» (vargu 24), të sjellin në mendje idenë e heqjes dhe veshjes së një rrobeje. Kjo është një metaforë, të cilën Pavli e përdor shpesh dhe është efikase. (Romakëve 13:12, 14; Efesianëve 6:11-17; Kolosianëve 3:8-12; 1. Selanikasve 5:8) Kur veshja jonë bëhet pis apo me ndonjë njollë, për shembull gjatë ngrënies, ne shpejtojmë që ta ndërrojmë atë sa më shpejt të jetë e mundur. A nuk duhet të shqetësohemi po kaq edhe në rast të ndonjë ndotjeje të gjendjes sonë frymore?
9. Si hiqet personaliteti i vjetër?
9 Si mund ta heqim, pra, personalitetin e vjetër? Folja «heq», në gjuhën origjinale është në kohën e quajtur aoriste. Kjo kohë tregon një veprim të kryer vetëm një herë ose një herë e përgjithmonë. Kjo na thotë se «personaliteti i vjetër» («njeriu i vjetër», Kingdom Interlinear), bashkë me «sjelljen tonë të mëparshme», duhet të hiqen me një veprim të qartë dhe të vendosur, rrënjësisht dhe plotësisht. Nuk është diçka që mund ta përballojmë me ngathtësi apo edhe duke ngurruar. Përse?
10. Përse duhet të jemi të patundur dhe të vendosur në heqjen e personalitetit të vjetër?
10 Shprehja «që është i korruptuar», tregon se «njeriu i vjetër» është në një proces të vazhdueshëm dhe progresiv degjenerimi moral, që shkon keq e më keq. Në të vërtetë, duke hedhur tej dritën frymore, mbarë njerëzimi gjendet në një vorbull që ka marrë teposhtë. Pavli thotë se ky është rezultati i «dëshirave mashtruese». Dëshirat e trupit janë mashtruese, sepse mund të duken të padëmshme, por si përfundim janë shkatërrimtare. (Hebrenjve 3:13) Nëse nuk jemi të kujdesshëm, fundi do të jetë ndotja dhe vdekja. (Romakëve 6:21; 8:13) Për këtë arsye personaliteti i vjetër duhet hequr, duhet zhveshur me vendosmëri dhe plotësisht, ashtu siç bëjmë me një veshje të vjetër e të fëlliqur.
Një «frymë e mendjes» e re
11. Nga duhet të fillojë rinimi?
11 Një njeri që ngrihet prej një pellgu me baltë, ka nevojë jo vetëm që të heqë rrobat e tij të pista, por edhe të lahet vetë, para se të veshë diçka të pastër dhe të freskët. Pikërisht këtë gjë Pavli e nënvizon si hapin e dytë drejt dritës frymore: «Ju duhet të rinoheni në forcën lëvizëse të mendjes suaj.» (Efesianëve 4:23, NW) Siç kishte theksuar edhe më parë, në vargjet 17 dhe 18, kombet ecin «në padobishmërinë e mendjes së tyre» dhe janë «me mendje të errësuar». Është e logjikshme, pra, që rinimi të fillojë nga mendja, qendra e perceptimit dhe e njohurisë. Si mund të bëhet kjo? Pavli shpjegon se mund të bëhet duke rinuar forcën lëvizëse të mendjes sonë. Çfarë është kjo forcë?
12. Çfarë është forca lëvizëse e mendjes?
12 Forca lëvizëse e mendjes sonë, së cilës i referohet Pavli, a është fryma e shenjtë? Jo. Fraza «forca lëvizëse e mendjes suaj», fjalë për fjalë është «fryma e mendjes suaj». Në asnjë vend në Bibël nuk thuhet se fryma e shenjtë e Perëndisë i përket ndonjë njeriu apo se është pjesë e ndonjë njeriu. Fjala «frymë», do të thotë «ajri që thithim e që nxjerrim nga mushkëritë», por në Bibël është përdorur edhe «për të treguar forcën që na shtyn për të paraqitur një sjellje të caktuar, një prirje apo ndjenjë ose për të ndërmarrë një veprim apo kurs të caktuar.» (Insight on the Scriptures, ang., vol. 2, faq. 1026) Prandaj, «fryma e mendjes» është forca që aktivizon apo vë në veprim mendjen tonë, tendencën dhe prirjen tonë mendore.
13. Përse duhet rinuar prirja jonë mendore?
13 Tendenca dhe prirja natyrore e mendjes së papërsosur, është drejt gjërave fizike, trupore dhe materiale. (Eklisiastiu 7:20; 1. Korintasve 2:14; Kolosianëve 1:21; 2:18) Edhe nëse një njeri e heq personalitetin e vjetër me praktikat e tij të këqija, tendenca e tij mëkatare e mendjes, nëse nuk ndryshohet, herët a vonë do ta shtyjë atë që të kthehet në atë që braktisi. A nuk ka ndodhur kështu me shumë prej atyre që janë përpjekur, për shembull, të lënë duhanin, pijen e tepërt apo praktika të tjera të këqija? Nëse nuk përpiqen që të rinohen në forcën lëvizëse të mendjes së tyre, rënia është gati e pashmangshme. Çdo ndryshim i vërtetë duhet të përfshijë një rinim rrënjësor në mendje.—Romakëve 12:2.
14. Si mund të rinohet forca lëvizëse e mendjes?
14 Si mund të rinohet, pra, kjo forcë, në mënyrë që mendja e dikujt të priret në drejtimin e duhur? Folja «rinohem», në tekstin grek është në kohën e tashme, që shpreh veprim të vazhdueshëm. Prandaj, duke vazhduar studimin e Fjalës së vërtetë të Perëndisë dhe duke menduar mbi domethënien e saj, mund të rinojmë forcën lëvizëse të mendjes. Shkencëtarët shpjegojnë se në trurin tonë, informacionet nën formën e sinjaleve elektrike dhe kimike të kodifikuara, udhëtojnë nga një neuron në tjetrin, duke kapërcyer shumë lidhje të quajtura sinapse. Një libër thotë se «një farë lloj kujtese formohet në sinaps, kur kalon sinjali i kodifikuar, duke lënë prapa gjurmën e vet karakteristike.» (The Brain) Kur i njëjti sinjal kalon herën tjetër, qeliza nervore e njeh atë dhe përgjigjet më shpejt. Me kohë, kjo krijon tek individi një model të ri mendimi. Ndërsa ne këmbëngulim në marrjen e informatave të shëndosha frymore, ndërtohet një mënyrë e re mendimi dhe forca lëvizëse e mendjes rinohet.—Filipianëve 4:8.
«Vishni personalitetin e ri»
15. Në çfarë kuptimi personaliteti është i ri?
15 Së fundi, Pavli tha: «[Ju] duhet të vishni personalitetin e ri që u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» (Efesianëve 4:24, NW) Po, i krishteri vesh një personalitet të ri. Në këtë rast «i ri» nuk ka kuptimin e kohës, por të cilësisë. Si të themi, nuk është i ri në kuptimin se është më i përditësuar. Ai është tërësisht i ri, i freskët, «i krijuar sipas vullnetit të Perëndisë». Në Kolosianëve 3:10, Pavli përdor një gjuhë të ngjashme dhe thotë se ai «përtërihet në njohurinë e drejtë në përgjasim të Krijuesit të vet». Si krijohet ky personalitet i ri?
16. Përse mund të themi se personaliteti i ri është «krijuar sipas vullnetit të Perëndisë»?
16 Perëndia Jehova e krijoi çiftin e parë, Adamin dhe Evën, sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij. U pajisën me cilësi morale dhe frymore që i dallonin shkoqur dhe i vendosnin më lart se krijesat shtazore. (Zanafilla 1:26, 27) Edhe pse rebelimi i tyre e zhyti gjithë njerëzimin në mëkat dhe papërsosmëri, ne, si pasardhës të Adamit, kemi ende aftësinë për të shfaqur cilësi morale dhe frymore. Vullneti i Perëndisë është që ata, të cilët ushtrojnë besim në flijimin shpërblerës, të eliminojnë personalitetin e vjetër dhe të gëzojnë «lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë».—Romakëve 6:6; 8:19-21; Galatasve 5:1, 24.
17. Përse drejtësia dhe besnikëria janë karakteristika të veçanta të personalitetit të ri?
17 Drejtësia dhe besnikëria e vërtetë janë dy nga cilësitë që Pavli i veçon si karakteristike për personalitetin e ri. Kjo nxjerr edhe më tej në pah se personaliteti i ri po rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi. Psalmi 145:17, na thotë: «Jehovai është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe besnik në të gjitha punët e tij.» Dhe Zbulesa 16:5, thotë për Jehovain: «Ti, Ai që je dhe që ishe, Besniku, je i drejtë.» (NW) Është e vërtetë, drejtësia dhe besnikëria janë dy cilësi thelbësore nëse duam të jetojmë si të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, duke pasqyruar lavdinë e tij. Le të jemi si Zaharia, ati i Gjon Pagëzuesit, që i nxitur prej frymës së shenjtë e lavdëroi Perëndinë që i kish dhënë popullit të Tij «privilegjin për të kryer shërbimin e shenjtë pa frikë, me besnikëri dhe drejtësi».—Luka 1:74, 75, NW.
«Vazhdoni të ecni si bij të dritës»
18. Si na ndihmon Pavli për të parë rrugët e botës, ashtu siç janë në të vërtetë?
18 Pasi kemi shqyrtuar me hollësi fjalët e Pavlit në Efesianëve 4:17-24, kemi mjaft për të menduar. Në vargjet 17 deri 19, Pavli na ndihmon të shohim rrugët e botës, ashtu siç janë në të vërtetë. Duke hedhur tej njohurinë e Perëndisë dhe duke ngurtësuar zemrat e tyre para tij, ata që janë ende në botë janë të përjashtuar nga burimi i vërtetë i jetës. Si rrjedhojë, pa ndonjë qëllim dhe drejtim të vërtetë, punët e tyre përfundojnë me marrëzira dhe pa dobi. Gjithnjë e më shumë zhyten në baltë, moralisht dhe frymësisht. Çfarë gjendje e shkretë! Dhe sa shkak i fortë për ne, për të qenë të vendosur që të vazhdojmë të ecim si bij të dritës!
19. Çfarë inkurajimi përfundimtar na jep Pavli që të vazhdojmë të ecim si bij të dritës?
19 Pastaj, në vargjet 20 dhe 21, Pavli ngre lart rëndësinë e mësimit të së vërtetës me seriozitet, në mënyrë që të mos jemi vetëm në shoqëri me të vërtetën, por ta jetojmë atë, ashtu siç bëri Jezui. Së fundi, në vargjet 22 deri 24, ai na nxit që të zhveshim personalitetin e vjetër dhe të veshim të riun, me guxim dhe vendosmëri. Ndërkohë, duhet t’i drejtojmë prirjet tona mendore në një drejtim të shëndoshë dhe frymor. Mbi të gjitha, ndërsa ecim si fëmijë të dritës, duhet të shohim për ndihmë tek Jehovai. «Sepse Perëndia ishte ai që tha: ‘Le të shkëlqejë drita nga errësira’ dhe ai ka shkëlqyer në zemrat tona, për të na ndriçuar me njohurinë e lavdishme të Perëndisë, me anë të fytyrës së Krishtit.»—2. Korintasve 4:6.
Pyetjet për përsëritje
◻ Si mund «të mësojmë për Krishtin» sot?
◻ Përse personaliteti i vjetër duhet hequr me vendosmëri?
◻ Çfarë është forca lëvizëse e mendjes dhe si mund të rinohet ajo?
◻ Cilat janë cilësitë dalluese të personalitetit të ri?
[Figura në faqen 15]
Jezui tha: «Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta»
[Figura në faqen 16]
«Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij»: zemërimin, inatin, ligësinë, të folurin fyes, bisedat e pahijshme dhe gënjeshtrat.—Kolosianëve 3:8, 9
[Figura në faqen 17]
«Vishni personalitetin e ri që u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.»—Efesianëve 4:24