Jehovai përgatit udhën
«Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet.»—MATEU 24:14, BR.
1. Çfarë është kryer me anë të veprës së predikimit si në shekullin e parë, ashtu edhe dhe në shekullin e 20-të?
MEQENËSE Jehovai është Perëndi i dashurisë, vullneti i tij është që «të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës». (1. Timoteut 2:4) Kjo gjë ka bërë të nevojshme një fushatë ndërkombëtare predikimi dhe mësimdhënieje. Në shekullin e parë, ky predikim e bëri kongregacionin e krishterë ‘shtyllën dhe mbështetjen e së vërtetës’. (1. Timoteut 3:15) Pas kësaj, erdhi një periudhë e gjatë apostazie, në të cilën drita e së vërtetës u bë e zbehtë. Kohët e fundit, gjatë ‘kohës së mbarimit’, «njohuria e vërtetë» është bërë përsëri e bollshme, duke u sjellë miliona vetave shpresën e bazuar në Bibël, për shpëtimin e përhershëm.—Danieli 12:4, BR.
2. Çfarë ka bërë Jehovai lidhur me aktivitetin e predikimit?
2 Pavarësisht nga përpjekjet e vazhdueshme të Satanait për të penguar qëllimin e Perëndisë, aktiviteti i predikimit si në shekullin e parë, ashtu edhe në shekullin e 20-të, ka pasur sukses të jashtëzakonshëm. Ky sukses na sjell ndër mend profecinë e Isaisë. Lidhur me kthimin e të mërguarve judenj në Judë, në shekullin e gjashtë p.e.s., Isaia shkroi: «Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jetë sheshuar, vendet dredha-dredha të drejtuara dhe vendet e vështira të sheshuara.» (Isaia 40:4) Po kështu, Jehovai ka përgatitur dhe ka sheshuar udhën për fushatat e mëdha të predikimit si në shekullin e parë, ashtu edhe në shekullin e 20-të.
3. Në cilat mënyra është në gjendje Jehovai ta plotësojë qëllimin e tij?
3 Kjo nuk do të thotë se Jehovai ka ndikuar drejtpërdrejt mbi çdo zhvillim që ka ndodhur në tokë, me qëllim që të çonte përpara predikimin e lajmit të mirë, as nuk do të thotë se Jehovai ka ushtruar aftësinë e tij parashikuese për të njohur në hollësitë më të imta çdo gjë që do të ndodhte. Kuptohet, ai është në gjendje edhe të parashikojë, edhe të modelojë ngjarjet e ardhshme. (Isaia 46:9-11) Por ai është në gjendje edhe për të reaguar ndaj zhvillimeve, ndërsa ato ndodhin. Jehovai e udhëheq popullin e tij si një bari me përvojë, i cili di si ta drejtojë dhe si ta mbrojë kopenë e vet. Ai i udhëheq ata drejt shpëtimit, duke mbrojtur gjendjen e tyre frymore dhe duke i nxitur që të përfitojnë nga situatat dhe zhvillimet, të cilat përkrahin predikimin e suksesshëm të lajmit të mirë në mbarë botën.—Psalmi 23:1-4.
Një caktim i vështirë
4, 5. Pse predikimi i lajmit të mirë ka qenë një caktim sfidues?
4 Ashtu si ndërtimi i arkës në ditët e Noes, vepra e predikimit të Mbretërisë si në shekullin e parë, edhe në kohët moderne, ka qenë një projekt jashtëzakonisht i madh. Puna për të arritur te të gjithë njerëzit me çfarëdo mesazhi është mjaft e vështirë, por kjo vepër ishte veçanërisht sfiduese. Në shekullin e parë, dishepujt ishin relativisht pak. Udhëheqësi i tyre, Jezui, ishte ekzekutuar gjoja si nxitës rebelimi. Feja judaike kishte themele të forta. Në Jerusalem gjendej një tempull madhështor. Edhe fetë jojudaike, në zonën e Mesdheut, kishin themele të forta, me tempuj e priftërinj. Në mënyrë të ngjashme, kur nisi «koha e mbarimit» në vitin 1914, të krishterët e mirosur ishin të paktë, ndërsa përkrahësit e feve të tjera, të cilat pohonin se i shërbenin Perëndisë, ishin të shumtë.—Danieli 12:9.
5 Jezui i kishte paralajmëruar ithtarët e tij se do të persekutoheshin. Ai tha: «Do t’ju dorëzojnë në mundime dhe do t’ju vrasin, dhe të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mateu 24:9) Përveç problemeve të tilla, veçanërisht në «ditët e fundit», të krishterët do të gjendeshin në «kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1) Madhësia e veprës, dijenia se do të kishte me siguri persekutime dhe vështirësia e kohëve e kanë bërë sfiduese dhe të vështirë veprën e predikimit. Nevojitej një besim i madh.
6. Çfarë sigurie i dha Jehovai popullit të tij për suksesin?
6 Ndërkohë që Jehovai e dinte se do të ekzistonin vështirësi, ai dinte, gjithashtu, se asgjë nuk do ta ndalte veprën. Suksesi u paratha në një profeci të mirënjohur, e cila pati përmbushje të spikatshme si në shekullin e parë, ashtu edhe në shekullin e 20-të: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar.»—Mateu 24:14, BR.
7. Sa i zgjeruar ishte aktiviteti i predikimit në shekullin e parë?
7 Të mbushur me besim dhe me frymën e shenjtë, shërbëtorët e Perëndisë në shekullin e parë vazhduan të kryenin atë që u ishte ngarkuar. Duke qenë se Jehovai provoi që ishte me ta, suksesi që arritën ishte përtej asaj që pritnin. Në kohën kur u shkroi kolosianëve, rreth 27 vjet pas vdekjes së Jezuit, Pavli mundi të thoshte se lajmi i mirë i ishte «predikuar çdo krijese që është nën qiell». (Kolosianëve 1:23) Ngjashëm, në përfundim të shekullit të 20-të, lajmi i mirë po predikohet në 233 vende.
8. Nën cilat rrethana e kanë përqafuar lajmin e mirë shumë veta? Jep shembuj.
8 Miliona njerëz kanë përqafuar lajmin e mirë dekadat e fundit. Shumë prej tyre e kanë bërë këtë nën rrethana të pafavorshme: gjatë periudhave me luftëra, me ndalime dhe me persekutim të fortë. Kështu ndodhi edhe në shekullin e parë. Në një rast, Pavlin dhe Silën i rrahën brutalisht me shkopinj dhe i futën në burg. Sa situatë e vështirë për të bërë dishepuj! E megjithatë, Jehovai e përdori situatën pikërisht për këtë gjë. Pavli dhe Sila u liruan dhe gardiani i burgut, së bashku me familjen e tij, u bënë besimtarë. (Veprat 16:19-33) Përvoja të tilla tregojnë se ata që i kundërvihen lajmit të mirë nuk mund ta bëjnë atë të heshtë. (Isaia 54:17) Megjithatë, historia e krishterimit nuk ka qenë vetëm me vështirësi dhe persekutime të ashpra. Tani, le të përqendrohemi mbi disa zhvillime të favorshme që kanë ndihmuar të sheshohej udha për predikimin e suksesshëm të lajmit të mirë si në shekullin e parë, ashtu edhe në shekullin e 20-të.
Mjedisi fetar
9, 10. Në ç’mënyrë Jehovai krijoi një gjendje pritjeje për predikimin e lajmit të mirë, në shekullin e parë dhe në shekullin e 20-të?
9 Shqyrto kohën e fushatave globale të predikimit. Për sa i përket mjedisit në shekullin e parë, profecia e 70 javëve vjetore, të cilën e gjejmë në Danielin 9:24-27, përcaktonte vitin se kur duhej të shfaqej Mesia: viti 29 i e.s. Edhe pse judenjtë e shekullit të parë nuk e kuptuan kohën e saktë të gjërave, ata ishin në pritje të Mesisë. (Luka 3:15) Manuali biblik francez thotë: «Njerëzit e dinin se shtatëdhjetë javëve vjetore të përcaktuara nga Danieli po u vinte fundi dhe askush nuk u habit kur dëgjoi Gjon Pagëzorin të njoftonte se mbretëria e Perëndisë ishte afruar.»
10 Ç’të themi për mjedisin në kohët moderne? Një zhvillim historik qe kurorëzimi i Jezuit në qiell, që shënoi fillimin e pranisë së tij në fuqinë e Mbretërisë. Profecitë e Biblës tregojnë se kjo gjë ndodhi në vitin 1914. (Danieli 4:13-17) Dijenia që më përpara rreth kësaj ngjarjeje bëri, gjithashtu, që disa njerëz fetarë të kohëve moderne të fillonin të ishin në pritje. Pritja ishte e dukshme edhe mes Studentëve të sinqertë të Biblës, të cilët filluan të botonin këtë revistë në vitin 1879, me titullin Kulla e Rojës e Sionit dhe Shpallësja e pranisë së Krishtit (Zion’s Watch Tower and Herald of Christ’s Presence). Kështu, si në shekullin e parë, ashtu edhe në kohët moderne, gjendja e pritjes nga ana fetare përgatiti mjedisin për predikimin e lajmit të mirë.a
11. Cilat baza fetare ishin hedhur për të ndihmuar predikimin e lajmit të mirë?
11 Një faktor tjetër që ndihmoi veprën e të krishterëve në të dyja epokat, qe fakti se shumë njerëz ishin të familjarizuar me Shkrimet e Shenjta. Në shekullin e parë, komunitetet hebraike ishin shpërndarë kudo nëpër kombet fqinje johebraike. Këto komunitete kishin sinagoga, ku njerëzit mblidheshin rregullisht për të dëgjuar leximin dhe diskutimin e Shkrimeve. Kështu, të krishterët e hershëm ishin në gjendje të ndërtonin mbi njohurinë fetare që njerëzit e kishin tashmë. (Veprat 8:28-36; 17:1, 2) Në fillim të epokës sonë, populli i Jehovait gëzonte një mjedis të ngjashëm në shumë vende. Bibla ishte gjerësisht në dispozicion në vendet ku praktikohej i ashtuquajturi krishterim, sidomos në vendet protestante. Ajo lexohej në shumë kisha dhe miliona njerëz kishin një kopje personale. Bibla ishte tashmë në duart e njerëzve, por ata kishin nevojë për ndihmë që të kuptonin atë që kishin.
Dobitë nga ligji
12. Në ç’mënyrë ligji romak ishte zakonisht një mbrojtje në shekullin e parë?
12 Predikimi i krishterë ka pasur shpeshherë dobi prej ligjeve qeveritare. Perandoria Romake sundonte botën në shekullin e parë dhe ligjet e saj të shkruara patën një ndikim të thellë në jetën e përditshme. Këto ligje siguronin mbrojtje dhe të krishterët e hershëm nxorën dobi prej tyre. Për shembull, apelimi i Pavlit ndaj ligjit romak çoi në lirimin e tij nga burgu dhe bëri që të shpëtonte nga rrahja. (Veprat 16:37-39; 22:25, 29) Referimi që iu bë masave të sistemit ligjor romak, ndihmoi për të qetësuar një turmë të zemëruar në Efes. (Veprat 19:35-41) Në një rast, Pavli i shpëtoi dhunës në Jerusalem, sepse ishte qytetar romak. (Veprat 23:27) Më vonë, ligji romak i dha atij mundësi të bënte mbrojtje ligjore të besimit të tij para Cezarit. (Veprat 25:11) Ndonëse disa Cezarë sunduan si tiranë, ligjet e shekullit të parë zakonisht linin vend për «mbrojtjen dhe vendosjen ligjore të lajmit të mirë».—Filipianëve 1:7, BR.
13. Si ka përfituar shpesh nga ligji vepra e predikimit në kohët tona?
13 E njëjta gjë ndodh në shumë vende sot. Edhe pse ka pasur nga ata që kanë ‘thurur padrejtësi në emër të ligjit’, ligjet e shkruara në pjesën më të madhe të vendeve e konsiderojnë lirinë e fesë si një të drejtë themelore. (Psalmi 94:20) Duke e kuptuar se Dëshmitarët e Jehovait nuk përbëjnë asnjë rrezik për rregullin shoqëror, shumë qeveri na kanë dhënë njohjen ligjore. Në Shtetet e Bashkuara, ku shtypet pjesa më e madhe e literaturës së Dëshmitarëve, ligjet ekzistuese kanë bërë të mundur prodhimin e vazhdueshëm të revistës Kulla e Rojës që prej 120 vjetësh dhe leximin e saj në mbarë botën.
Periudha paqeje dhe tolerance
14, 15. Si pati dobi aktiviteti i predikimit në shekullin e parë nga stabiliteti relativ shoqëror?
14 Aktiviteti i predikimit ka pasur dobi edhe nga periudhat e paqes relative. Ndonëse Jezui paratha me saktësi se në të dyja epokat ‘do të ngrihej komb kundër kombi’, ka pasur intervale stabiliteti që kanë bërë të mundur predikimin intensiv të Mbretërisë. (Mateu 24:7, BR) Të krishterët e shekullit të parë jetuan nën Pax Romana ose ndryshe nën Paqen Romake. Një historian shkroi: «Roma i kishte nënshtruar në mënyrë kaq të plotë popujt e botës së Mesdheut, saqë u dha fund luftërave që këta popuj zhvillonin thuajse vazhdimisht për shekuj me radhë.» Ky stabilitet u krijoi mundësi të krishterëve të hershëm që të udhëtonin me njëfarë sigurie relative nëpër botën romake.
15 Perandoria Romake u përpoq t’i bashkonte popujt nën dorën e saj të fuqishme. Kjo politikë nxiti jo vetëm udhëtimin, tolerancën dhe shkëmbimin e ideve, por edhe konceptin e një vëllazërie ndërkombëtare. Në librin On the Road to Civilization, thuhet: «Uniteti i Perandorisë [Romake] e bëri të favorshme fushën [për predikimin e krishterë]. Pengesat kombëtare ishin hequr. Një qytetar romak ishte qytetar i botës. . . . Për më tepër, një fe që mësonte vëllazërinë e njerëzve mund të kuptohej në një shtet, i cili kishte zhvilluar idenë e qytetarisë universale.»—Krahaso Veprat 10:34, 35; 1. Pjetrit 2:17.
16, 17. Ç’gjë i ka motivuar përpjekjet për të nxitur paqen në kohët moderne dhe në çfarë përfundimi kanë arritur shumë njerëz?
16 Ç’të themi për kohën tonë? Shekulli i 20-të ka parë luftërat më shkatërruese në histori dhe luftërat rajonale vazhdojnë të ziejnë në disa vende. (Zbulesa 6:4) Por, ka pasur edhe periudha me paqe relative. Fuqitë kryesore të botës nuk kanë luftuar kundër njëra-tjetrës në një luftë të përgjithshme nga më shumë se 50 vjet. Kjo situatë ka ndihmuar shumë në predikimin e lajmit të mirë në këto vende.
17 Tmerret e luftërave të shekullit të 20-të i kanë bërë shumë njerëz të kuptojnë nevojën për një qeveri botërore. Frika e luftës botërore çoi në formimin e Lidhjes së Kombeve dhe të Kombeve të Bashkuara. (Zbulesa 13:14) Një synim i shpallur i të dyja këtyre organizatave ka qenë nxitja e bashkëpunimit dhe e paqes ndërkombëtare. Njerëzit që e kuptojnë këtë nevojë, shpesh reagojnë në mënyrë të favorshme ndaj lajmit të mirë për një qeveri botërore, e cila do të sjellë paqe të vërtetë e të qëndrueshme: Mbretëria e Perëndisë.
18. Cili qëndrim ndaj fesë e ka favorizuar veprën e predikimit?
18 Ndonëse disa herë të krishterët janë persekutuar egërsisht, si në shekullin e parë, ashtu edhe në shekullin e 20-të, ata kanë përjetuar periudha tolerance fetare. (Gjoni 15:20; Veprat 9:31) Romakët i adoptonin dhe u përshtateshin me lehtësi perëndive dhe perëndeshave të popujve që pushtonin. Profesori Rodni Stark shkroi: «Në shumë aspekte, Roma siguroi një nivel më të lartë lirie fetare, i cili nuk u pa deri pas Revolucionit Amerikan.» Në kohët moderne, në shumë vende njerëzit janë bërë më të hapur ndaj pikëpamjeve të tjera dhe si rezultat, kanë qenë të gatshëm të dëgjojnë mesazhin e Biblës që u çojnë Dëshmitarët e Jehovait.
Roli i teknologjisë
19. Si e vunë në përdorim të krishterët e hershëm kodikun?
19 Së fundi, shqyrto se si Jehovai i dha mundësi popullit të tij për të nxjerrë dobi nga përparimet teknologjike. Edhe pse të krishterët e hershëm nuk jetuan në një epokë përparimi të shpejtë teknologjik, një zhvillim të cilin ata e përdorën ishte kodiku ose libri me fletë. Kodiku i zuri vendin rrotullës së rëndë. Në librin The Birth of the Codex (Lindja e kodikut) thuhet: «Në kontrast me procesin e ngadaltë dhe gradual, me anë të të cilit kodiku zëvendësoi rrotullat në literaturën jofetare, adoptimi i kodikut nga të krishterët duket se ka qenë i menjëhershëm dhe universal.» Kjo vepër referimi thotë, gjithashtu: «Kaq universal ishte përdorimi i kodikut nga të krishterët në shekullin e dytë, saqë futja e tij në përdorim duhet të datojë shumë kohë para vitit 100 pas Krishtit.» Kodiku ishte më i lehtë për t’u përdorur sesa rrotulla. Shkrimet mund t’i gjeje më shpejt. Kjo me siguri i ka ndihmuar të krishterët e hershëm, të cilët ashtu si Pavli, jo vetëm që i shpjeguan Shkrimet, por, gjithashtu, «provuan me referime» gjërat që po u mësonin të tjerëve.—Veprat 17:2, 3, BR.
20. Si e ka përdorur populli i Perëndisë teknologjinë moderne në aktivitetin mbarëbotëror të predikimit dhe përse?
20 Përparimet teknologjike në shekullin tonë kanë qenë mahnitëse. Makineritë e shtypjes me shpejtësi të madhe kanë ndihmuar për të bërë të mundur botimin e njëkohshëm të literaturës biblike në shumë gjuhë. Teknologjia moderne ka përshpejtuar punën e përkthimit të Biblës. Kamionët, trenat, anijet dhe aeroplanët bëjnë të mundur transportimin e shpejtë të literaturës biblike në të gjithë tokën. Telefonat dhe fakset e kanë bërë realitet komunikimin e menjëhershëm. Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai i ka nxitur shërbëtorët e vet që ta vinin në përdorim praktik këtë teknologji, për të çuar përpara përhapjen e lajmit të mirë në mbarë botën. Ata nuk po i përdorin këto zhvillime të shtyrë nga dëshira për të njohur dhe për të përdorur çfarëdo gjëje që është më e fundit në këtë botë. Në vend të kësaj, interesi i tyre kryesor është për atë që do t’i ndihmojë të kryejnë me sa më shumë efektivitet veprën e tyre të predikimit.
21. Për çfarë gjëje mund të jemi të sigurt?
21 Jezui paratha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar.» (Mateu 24:14, BR) Pikërisht siç panë të krishterët e hershëm një përmbushje të kësaj profecie, edhe ne sot e shohim këtë përmbushje në një shkallë të gjerë. Pavarësisht nga madhësia dhe nga vështirësia e punës, në kohë të favorshme dhe në kohë me telashe, mes ligjeve dhe qëndrimeve të ndryshueshme, në kohë lufte e në kohë paqeje, si edhe mes çdo lloj përparimi teknologjik, lajmi i mirë është predikuar dhe po predikohet. A nuk mbushemi me respekt të thellë për mençurinë dhe largpamësinë mahnitëse të Jehovait? Mund të jemi plotësisht të sigurt se vepra e predikimit do të përmbushet sipas kohës së caktuar të Jehovait dhe se qëllimi i tij i dashur do të plotësohet për bekimin e të drejtëve. Ata do të zotërojnë tokën dhe do të jetojnë përgjithmonë mbi të. (Psalmi 37:29; Habakuku 2:3) Nëse e vëmë jetën në harmoni me qëllimin e Jehovait, edhe ne do të jemi mes atyre njerëzve.—1. Timoteut 4:16.
[Shënimi]
a Për një shpjegim më të hollësishëm të këtyre dy profecive mesianike, shiko librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, faqet 36, 97 dhe 98-107, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Pika për rishikim
◻ Pse predikimi i lajmit të mirë ka qenë një caktim sfidues?
◻ Në cilat mënyra ka pasur dobi vepra e të krishterëve nga rregullimet qeveritare dhe nga stabiliteti relativ shoqëror?
◻ Për cilat zhvillime të ardhshme na siguron bekimi që ka pasur vepra e predikimit nga Jehovai?