A e dini?
Cilët ishin «ata të shtëpisë së Cezarit» që u dërguan filipianëve përshëndetje të krishtere me anë të Pavlit?
▪ Apostulli Pavël i shkroi nga Roma kongregacionit të Filipisë rreth viteve 60-61 të e.s., dhe Cezari që përmendi ishte perandori Neron. Po cilët nga shtëpia e Neronit po u dërgonin përshëndetje të krishterëve në Filipi?—Filipianëve 4:22.
Do të ishte e gabuar të nxirrnim përfundimin se shprehja ‘shtëpia e Cezarit’ u referohet medoemos të afërmve të ngushtë të perandorit. Përkundrazi, shprehja përfshin gjithë njerëzit: skllevër a të lirë që jetonin në Romë e në provincat e saj dhe ishin në shërbim të perandorit. Prandaj ‘shtëpia e Cezarit’ përfshinte mijëra shërbëtorë. Këta kujdeseshin për përgjegjësi të ndryshme me natyrë administrative ose bënin punë të përulura në pallatet e perandorit dhe në tokat e zotërimet e tij. Madje disa kishin rol në administratën e qeverisë.
Me sa duket, disa nga shërbëtorët e perandorit në Romë u bënë të krishterë. Nuk dihet nëse kjo ndodhi si rrjedhim i predikimit të Pavlit atje. Sidoqoftë, duket qartë se ata kishin interes të veçantë për kongregacionin e Filipisë. Meqë Filipia ishte koloni romake ku banonin shumë ushtarë e shërbëtorë të qeverisë që kishin dalë në pension, ka mundësi që disa të krishterë atje të ishin miq me ata që u dërguan përshëndetje me anë të Pavlit.
Çfarë ishte martesa me kunatin që përmendet te Ligji i Moisiut?
▪ Në Izraelin e lashtë, nëse një burrë vdiste pa pasur djalë, pritej që vëllai i tij të martohej me vejushën që të linte pasardhës, e kështu të vazhdonte linja familjare e burrit që kishte vdekur. (Zanafilla 38:8) Kjo masë, që më vonë u përfshi në Ligjin e Moisiut, njihej si martesa me kunatin. (Ligji i përtërirë 25:5, 6) Veprimet e Boazit, të përshkruara në librin e Ruthës, tregojnë se, nëse asnjë nga vëllezërit e burrit të vdekur nuk ishte gjallë, këtë detyrë mund ta kryenin të afërm të tjerë meshkuj të familjes.—Rutha 1:3, 4; 2:19, 20; 4:1-6.
Fjalët e saducenjve për martesën me kunatin te Marku 12:20-22, vërtetojnë se kjo martesë praktikohej edhe në kohën e Jezuit. Historiani jude i shekullit të parë, Jozef Flavi, tha se kjo praktikë nuk ruante vetëm emrin e familjes, por edhe zotërimet e saj, si dhe siguronte mirëqenien e vejushës. Në atë kohë, gruaja nuk mund të trashëgonte zotërimet e të shoqit. Ndërsa fëmija i lindur nga martesa me kunatin mund ta ruante trashëgiminë e zotërimeve të të vdekurit.
Sipas Ligjit, të afërmit kishin të drejtë të refuzonin martesën me kunatin. Por, kur një burrë nuk pranonte ‘të ndërtonte shtëpinë e të vëllait’, kjo konsiderohej e turpshme.—Ligji i përtërirë 25:7-10; Rutha 4:7, 8.