Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga letrat drejtuar Galatasve, Efesianëve, Filipianëve dhe Kolosianëve
ME TË dëgjuar që disa të krishterë po largoheshin nga adhurimi i pastër për shkak të ndikimit të disa judaizuesve, apostulli Pavël shkruan një letër të fuqishme «për kongregacionet e Galatisë». (Gal. 1:2) Kjo letër që u shkrua gjatë viteve 50-52 të e.s., përmban këshilla të drejtpërdrejta dhe nxitje të fuqishme.
Rreth dhjetë vjet më vonë, teksa ndodhet në Romë si një «i burgosur i Krishtit Jezu», Pavli u shkruan kongregacioneve në Efes, në Filipi dhe në Kolose, duke u dhënë këshilla të shëndosha dhe inkurajim të dashur. (Efes. 3:1) Edhe ne sot mund të nxjerrim dobi duke i kushtuar vëmendje mesazhit të librave biblikë të Galatasve, Efesianëve, Filipianëve dhe Kolosianëve.—Hebr. 4:12.
SI «SHPALLET I DREJTË»?
Meqë judaizuesit përpiqen me dinakëri të diskreditojnë Pavlin, ai e mbron autoritetin e vet si apostull duke dhënë disa hollësi nga jeta e tij. (Gal. 1:11–2:14) Duke kundërshtuar mësimet e tyre të rreme, Pavli thekson këtë pikë: «Njeriu shpallet i drejtë, jo falë veprave të ligjit, por vetëm nëpërmjet besimit në Krishtin Jezu.»—Gal. 2:16.
Pavli thotë se Krishti ‘i liroi ata që ishin nën ligj’ duke bërë që të gëzonin lirinë e krishterë. Ai u jep këtë paralajmërim të fortë: «Qëndroni të vendosur dhe mos lejoni të viheni sërish nën një zgjedhë skllavërie.»—Gal. 4:4, 5; 5:1.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
3:16-18, 28, 29—A është ende e vlefshme besëlidhja abrahamike? Po. Besëlidhja e Ligjit ishte një shtesë e besëlidhjes që bëri Perëndia me Abrahamin, e jo një zëvendësim i saj. Prandaj, besëlidhja abrahamike qëndroi në fuqi pasi Ligji u ‘shfuqizua’. (Efes. 2:15) Premtimet e saj i kanë kaluar ‘farës’ së vërtetë të Abrahamit—Krishtit Jezu, i cili është kryesori, dhe atyre që ‘i përkasin Krishtit’.
6:2—Çfarë është ‘ligji i Krishtit’? Ky ligj përfshin çdo gjë që mësoi dhe urdhëroi Jezui. Në veçanti përmban urdhërimin për të ‘dashur njëri-tjetrin’.—Gjoni 13:34.
6:8—Në ç’kuptim ‘mbjellim për frymën’? E bëjmë këtë duke jetuar në një mënyrë që e lejon frymën e Perëndisë të veprojë lirisht te ne. Të mbjellim për frymën përfshin të marrim pjesë me gjithë zemër në aktivitete që nxitin vërshimin e frymës.
Mësime për ne:
1:6-9. Pleqtë e krishterë duhet të veprojnë pa vonesë kur lindin probleme në kongregacion. Duke përdorur arsyetime të shëndosha dhe Shkrimet, ata mund të hedhin poshtë menjëherë arsyetimet e rreme.
2:20. Shpërblesa është një dhuratë që na ka bërë Perëndia. Duhet të mësojmë ta konsiderojmë në këtë mënyrë.—Gjoni 3:16.
5:7-9. Shoqëritë e këqija mund ‘të na pengojnë që të mos vazhdojmë t’i bindemi së vërtetës’. Tregohemi të mençur nëse i shmangim ato.
6:1, 2, 5. Ata që kanë «kualifikime frymore» mund të na ndihmojnë të mbajmë ndonjë barrë, si për shembull, të përballojmë një rrethanë të vështirë ku mund të gjendemi ngaqë, pa e ditur, kemi marrë një hap të gabuar. Por, kur bëhet fjalë për të mbajtur ngarkesën e përgjegjësive tona frymore, këtë ngarkesë duhet ta mbajmë vetë.
‘MBLEDHJA E TË GJITHA GJËRAVE NË KRISHTIN’
Duke theksuar temën e unitetit të krishterë në letrën drejtuar Efesianëve, Pavli flet për ‘një administrim, kur të mbusheshin kohët e caktuara, për të mbledhur përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë’. Krishti ka dhënë «dhurata në njerëz» për t’i ndihmuar të gjithë që ‘të arrijnë njëjësinë në besim’.—Efes. 1:10; 4:8, 13.
Për të nderuar Perëndinë dhe për të nxitur unitetin, të krishterët duhet ‘të veshin personalitetin e ri’ dhe ‘të jenë të nënshtruar ndaj njëri-tjetrit në frikën e Krishtit’. Gjithashtu duhet ‘të qëndrojnë të patundur kundër intrigave të Djallit’ duke veshur armaturën e plotë të Perëndisë.—Efes. 4:24; 5:21; 6:11.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:4-7—Si u paravendosën të krishterët e mirosur shumë kohë para se të lindnin? Ata u paravendosën si grup ose si klasë, dhe jo si individë. Kjo ndodhi para se të vinte në ekzistencë bota mëkatare e njerëzimit. Në profecinë e dokumentuar te Zanafilla 3:15, e cila u shpall para se të ngjizej ndonjë njeri mëkatar, përfshihet qëllimi i Perëndisë që disa dishepuj të Krishtit të sundojnë me të në qiell.—Gal. 3:16, 29.
2:2—Në ç’kuptim fryma e botës është si ajri dhe pse e ushtron ajo autoritetin në mbarë botën? ‘Fryma e botës’, domethënë fryma e pavarësisë dhe e mosbindjes, gjendet kudo, njësoj si ajri që thithim. (1 Kor. 2:12) Ajo e ushtron autoritetin ose fuqinë në mbarë botën, për shkak të ndikimit të saj të fuqishëm e të pareshtur.
2:6—Si mund të jenë të krishterët e mirosur «në vendet qiellore» ndërsa janë ende në tokë? Këtu shprehja «vendet qiellore» nuk bën fjalë për trashëgiminë e tyre qiellore që u është premtuar. Përkundrazi, tregon pozitën e tyre frymore të lartësuar ngaqë janë ‘vulosur me frymën e shenjtë të premtuar’.—Efes. 1:13, 14.
Mësime për ne:
4:8, 11-15. Jezu Krishti «mori me vete robër», domethënë, hoqi njerëz nga kontrolli i Satanait për t’i përdorur si dhurata që të ndërtonte kongregacionin e krishterë. Ne mund ‘të rritemi me anë të dashurisë në të gjitha gjërat në përputhje me Krishtin’, duke qenë të bindur dhe të nënshtruar ndaj atyre që marrin drejtimin mes nesh dhe duke vepruar në përputhje me atë që vendoset ose organizohet për kongregacionin.—Hebr. 13:7, 17.
5:22-24, 33. Përveçse të jetë e nënshtruar ndaj burrit, gruaja duhet edhe ta respektojë atë. E bën këtë nëse shfaq një ‘frymë të qetë e të butë’ dhe nëse përpiqet ta nderojë të shoqin duke folur mirë për të dhe bashkëpunon që vendimet e tij të kenë sukses.—1 Pjet. 3:3, 4; Titit 2:3-5.
5:25, 28, 29. Ashtu si e «ushqen» veten, një burrë duhet të kujdeset për nevojat fizike, emocionale dhe frymore të gruas. Gjithashtu, duhet ta çmojë duke kaluar kohë të mjaftueshme me të dhe duke e trajtuar me butësi, me fjalë e me vepra.
6:10-13. Për t’u rezistuar forcave demonike, duhet të përpiqemi me gjithë zemër të veshim armaturën frymore të Perëndisë.
«LE TË VAZHDOJMË TË ECIM ME RREGULL»
Letrën e Pavlit drejtuar Filipianëve e përshkon dashuria. Ai thotë: «Lutem vazhdimisht që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më e madhe në njohurinë e saktë dhe aftësinë e plotë dalluese.» Për t’i ndihmuar që të shmangin grackën e besimit të tepruar te vetja, ai i nxit: «Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.»—Filip. 1:9; 2:12.
Pavli i inkurajon ata që janë të pjekur, që të sulen «drejt qëllimit për të marrë çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë». Ai thotë: «Që këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull, duke ndjekur të njëjtën vazhdë.»—Filip. 3:14-16.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:23 dhe shtojca 4Ç—Cilat ishin ‘dy gjërat’ për të cilat ishte nën presion Pavli dhe çfarë «lirimi» dëshironte ai? Për shkak të rrethanave në të cilat ndodhej, Pavli ishte nën presion sepse para tij kishte dy mundësi: jetën ose vdekjen. (Filip. 1:21) Edhe pse nuk e thotë se çfarë do të zgjidhte, ai tregon se çfarë dëshironte: ‘lirimin dhe të ishte me Krishtin’. (Filip. 3:20, 21; 1 Sel. 4:16) Nga ky ‘lirim’ gjatë pranisë së Krishtit, Pavli do të merrte shpërblimin që Jehovai kishte përgatitur për të.—Mat. 24:3.
2:12, 13—Në ç’mënyrë Perëndia bën që ‘të kemi vullnet dhe të veprojmë’? Fryma e shenjtë e Jehovait mund të veprojë në zemrën dhe në mendjen tonë që të na shtojë dëshirën për të bërë më të mirën në shërbim të tij. Pra, nuk jemi pa ndihmë ndërsa ‘vazhdojmë të punojmë për shpëtimin e vetes tonë’.
Mësime për ne:
1:3-5. Edhe pse ishin të varfër nga ana materiale, filipianët na kanë lënë një shembull të shkëlqyer bujarie.—2 Kor. 8:1-6.
2:5-11. Siç e tregon shembulli i Jezuit, përulësia nuk është një shenjë dobësie, por force morale. Për më tepër, Jehovai i lartëson të përulurit.—Prov. 22:4.
3:13. ‘Gjërat e lëna pas’ mund të jenë gjëra të tilla si një karrierë fitimprurëse, siguria që ndien dikush ngaqë bën pjesë në një familje të pasur ose madje mëkate të rënda të së kaluarës për të cilat jemi penduar dhe ‘jemi larë’. (1 Kor. 6:11) Duhet t’i harrojmë këto gjëra, domethënë, duhet të mos shqetësohemi më për to dhe ‘të synojmë drejt atyre që kemi para’.
‘TË BËHEMI TË QËNDRUESHËM NË BESIM’
Në letrën drejtuar Kolosianëve, Pavli demaskon pikëpamjet e gabuara të mësuesve të rremë. Ai arsyeton se shpëtimi nuk varet nga kërkesat e Ligjit, por nëse ‘vazhdojmë në besim’. Pavli i nxit kolosianët që ‘të vazhdojnë të ecin në unitet me Krishtin, të rrënjosen, të ndërtohen në të e të bëhen të qëndrueshëm në besim’. Si duhet të ndikojë kjo qëndrueshmëri te ta?—Kolos. 1:23; 2:6, 7.
«Përveç të gjitha këtyre gjërave,—shkruan Pavli—vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi. Gjithashtu, paqja e Krishtit le të mbretërojë në zemrat tuaja.» Apostulli u thotë: «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.» Për ata jashtë kongregacionit, ai thotë: «Vazhdoni të veproni me mençuri ndaj atyre.»—Kolos. 3:14, 15, 23; 4:5.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
2:8—Cilat janë ‘gjërat elementare të botës’ kundër të cilave paralajmëroi Pavli? Këto janë elementet e botës së Satanait: gjërat bazë ose parimet që e përbëjnë, e udhëheqin ose e motivojnë atë. (1 Gjon. 2:16) Në to përfshihen filozofia, materializmi dhe fetë e rreme të kësaj bote.
4:16—Pse letra drejtuar laodiceasve nuk bën pjesë në Bibël? Ndoshta sepse letra nuk përmban informacione të nevojshme për sot. Ose sepse në të përsëriteshin pika nga letra të tjera kanunore.
Mësime për ne:
1:2, 20. Shpërblesa, të cilën Perëndia e siguroi nga dashamirësia e tij e pamerituar, mund të na e pastrojë ndërgjegjen nga faji dhe të na japë paqe të brendshme.
2:18, 23. ‘Përulësia e shtirur’ e dikujt—një përulësi që t’u bëjë përshtypje të tjerëve ndoshta duke hequr dorë nga gjërat materiale ose duke e trajtuar trupin me ashpërsi—tregon se ai ‘krekoset për shkak të prirjes mishore të mendjes së tij’.