Të mësojmë sekretin për t’u kënaqur me aq sa kemi
Në një letër inkurajuese që u shkroi të krishterëve në Filipi, apostulli Pavël tha: «Kam mësuar në çdo rrethanë që të ndodhem, të kënaqem me aq sa kam. . . . Në çdo gjë dhe në çdo rrethanë kam mësuar sekretin edhe si të jem i ngopur, edhe si të jem i uritur, edhe si të kem me bollëk, edhe si të jem në nevojë.»—Filipianëve 4:11, 12.
Cili ishte sekreti i Pavlit për t’u kënaqur me aq sa kishte? Duke pasur parasysh koston e lartë të jetesës dhe pasigurinë ekonomike të kohëve tona, do të jetë patjetër e dobishme për të krishterët e vërtetë të mësojnë se si të kënaqen me aq sa kanë. Kjo do t’i ndihmojë që të vazhdojnë të përqendrohen në shërbimin ndaj Perëndisë.
DIKU më lart në letrën e tij Pavli përshkroi karrierën e mëparshme të suksesshme që kishte pasur. Ai tha: «Nëse ndonjë tjetër mendon se ka baza për t’u ndier i sigurt në mish, unë kam edhe më shumë: i rrethprerë ditën e tetë, nga trungu i familjes së Izraelit, nga fisi i Beniaminit, hebre i lindur nga hebrenj; për sa i përket ligjit, farise; për sa i përket zellit, persekutues i kongregacionit; për sa i përket drejtësisë me anë të ligjit, një që tregoi se ishte i paqortueshëm.» (Filipianëve 3:4-6) Veç këtyre, si jude i zellshëm Pavli kishte një detyrë nga krerët e priftërinjve në Jerusalem dhe mbështetjen e tyre. Të gjitha këto gjëra i premtonin atij në sistemin judaik pushtet dhe prestigj—politik, fetar e pa dyshim edhe financiar.—Veprat 26:10, 12.
Mirëpo, kur Pavli u bë shërbëtor i zellshëm i krishterë, gjërat ndryshuan kryekëput. Për hir të lajmit të mirë, ai me gatishmëri hoqi dorë nga karriera e tij e suksesshme dhe nga gjithçka që më parë e shihte si të rëndësishme. (Filipianëve 3:7, 8) Me se do ta mbante veten tani? A do të merrte ndonjë pagë si shërbëtor i krishterë? Si do t’i plotësonte nevojat e tij?
Pavli nuk paguhej për shërbimin që kryente. Prandaj, për të mos iu bërë barrë atyre të cilëve u shërbente, ai u bashkua me Akuilën dhe Prishilën për të bërë tenda kur ishte në Korint, e pastaj bëri edhe punë të tjera për të mbajtur veten. (Veprat 18:1-3; 1 Selanikasve 2:9; 2 Selanikasve 3:8-10) Pavli bëri tri udhëtime të gjata misionare dhe udhëtoi edhe nëpër kongregacionet që kishin nevojë t’u bëhej vizitë. Meqë ishte plotësisht i zënë në shërbimin e Perëndisë, kishte pak gjëra materiale. Zakonisht vëllezërit kujdeseshin për nevojat e tij. Megjithatë, disa herë, për shkak të rrethanave të këqija, i mungoi ushqimi dhe gjëra të tjera të domosdoshme për jetën. (2 Korintasve 11:27; Filipianëve 4:15-18) Gjithsesi, Pavli nuk u ankua kurrë për gjendjen e tij të vështirë dhe nuk i lakmoi gjërat që kishin të tjerët. Me gatishmëri dhe me lumturi ai punoi fort për dobinë e të bashkëkrishterëve. Në të vërtetë, ishte pikërisht Pavli ai që citoi fjalët e famshme të Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» Sa shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ne!—Veprat 20:33-35.
Ç’do të thotë të kënaqesh me aq sa ke?
Një faktor kryesor që i solli lumturi Pavlit ishte se ai dinte të kënaqej me aq sa kishte. Por, çfarë do të thotë të kënaqesh me aq sa ke? Me pak fjalë, do të thotë të kënaqesh vetëm me gjërat e domosdoshme. Lidhur me këtë, Pavli i tha Timoteut, shokut të tij të shërbimit: «Sigurisht, devocioni [përkushtimi] hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi është një mjet për fitim të madh. Sepse asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»—1 Timoteut 6:6-8.
Vër re se Pavli e lidhi kënaqjen me aq sa kemi me përkushtimin hyjnor. Ai e kuptoi se lumturia e vërtetë nuk vjen nga pasuria e nga gjërat materiale, por nga përkushtimi hyjnor, pra nëse vëmë në radhë të parë në jetën tonë shërbimin ndaj Perëndisë. ‘Të kishte për të ngrënë, për të veshur e ku të fuste kokën’—këto përbënin për Pavlin veçse mjetin që do t’i jepte mundësi të vazhdonte të ndiqte përkushtimin hyjnor. Prandaj, për Pavlin sekreti që të kënaqej me aq sa kishte ishte të mbështetej te Jehovai në çfarëdo rrethane.
Shumë njerëz sot kanë ankthe e pakënaqësi, sepse nuk e dinë këtë sekret ose e shpërfillin atë. Në vend që të kënaqen me aq sa kanë, ata parapëlqejnë ta vënë besimin te paratë dhe te gjërat që mund të blihen me to. Industria e reklamave dhe mjetet e informacionit i bëjnë njerëzit të mendojnë se s’mund të jenë të lumtur po të mos kenë (e t’i kenë menjëherë) produktet dhe mjetet elektronike më të fundit e më të kushtueshme. Për pasojë, shumë bien pre e rendjes pas parasë dhe pas gjërave materiale. Në vend që të gjejnë lumturi e kënaqësi, ata «bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim».—1 Timoteut 6:9, 10.
Njerëz që e kanë mësuar sekretin
A është vërtet e mundur në këto ditë që të jetojmë me përkushtim hyjnor e të kënaqemi me aq sa kemi, dhe të jemi të lumtur? Po, është e mundur. E vërteta është se miliona njerëz sot po veprojnë tamam kështu. Ata kanë mësuar sekretin që të jenë të lumtur me ato gjëra materiale që kanë. Janë Dëshmitarë të Jehovait, të cilët i janë kushtuar Perëndisë, duke bërë vullnetin e tij dhe duke i mësuar njerëzve kudo për qëllimin e tij.
Shqyrto për shembull, ata që kanë dalë vullnetarë për t’u stërvitur e për të shkuar misionarë në vende të huaja, që të predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Shumë shpesh, kushtet e jetesës në vendet ku shkojnë misionarët nuk janë aq të mira materialisht, sa ç’ishin mësuar ata. Për shembull, kur misionarët mbërritën në një vend aziatik në fillim të vitit 1947, pasojat e luftës ishin ende të dukshme dhe shumë pak shtëpi kishin dritë elektrike. Në shumë vende, misionarët u përballën me zakonin që rrobat laheshin një nga një në govatë ose nëpër shkëmbinj afër një lumi, e jo me lavatriçe. Por ata kishin shkuar atje për t’u mësuar njerëzve të vërtetën biblike, prandaj u përshtatën me kushtet e vendit dhe iu kushtuan shërbimit.
Të tjerë kanë ndërmarrë shërbimin e plotkohor ose janë transferuar në zona ku ende nuk ishte predikuar lajmi i mirë. Adulfoja ka shërbyer si shërbëtor i plotkohor për më shumë se 50 vjet në pjesë të ndryshme të Meksikës. Ai thotë: «Ashtu si apostulli Pavël, unë dhe ime shoqe kemi mësuar të përshtatemi me rrethanat. Për shembull, një nga kongregacionet që vizituam ishte shumë larg nga ndonjë qytet ose treg. Në çdo vakt, vëllezërit mjaftoheshin vetëm me një pite meksikane me pak sallo e kripë, si edhe një filxhan kafe. Kjo ishte gjithçka kishin për të ngrënë: tri pite në ditë. Prandaj, mësuam të jetonim si ata vëllezër. Kam pasur shumë përvoja të tilla gjatë 54 viteve që i kam shërbyer Jehovait në kohë të plotë.»
Florentinoja kujton se si atij dhe familjes së tij iu desh të përshtateshin me rrethana të vështira. Duke kujtuar kohët e hershme, ai thotë: «Babai im ishte tregtar i pasur. Kishte shumë toka. Më kujtohet ende arka e llogarisë në dyqanin ushqimor që kishim. Aty kishte një sirtar rreth 50 centimetra të gjerë dhe 20 centimetra të thellë, me katër ndarje, në të cilin vendoseshin paratë e ditës. Në fund të çdo dite, sirtari ishte gjithnjë mbushur e stërmbushur me monedha e kartëmonedha.
Pastaj, papritur patëm një rrënim financiar, dhe nga bollëku i madh ramë në skamje. Humbëm gjithçka përveç shtëpisë. Veç kësaj, njëri nga vëllezërit e mi më të mëdhenj pati një aksident dhe përfundoi i paralizuar. Asgjë s’ishte më si më përpara. Për ca kohë shita fruta dhe mish. Gjithashtu, punova në korrjen e pambukut, rrushit dhe jonxhës, si edhe për të vaditur arat. Disa njerëz më quanin ‘ai që i vjen ndoresh për çdo gjë’. Mamaja shpesh na ngushëllonte duke na thënë se kishim të vërtetën, këtë pasuri frymore që pak veta e kishin. Prandaj u mësova edhe të kisha shumë, edhe të kisha pak ose asgjë. Tani që i kam shërbyer Jehovait në kohë të plotë për 25 vjet, mund të them se ditë pas dite kam pasur bekimin që të di se kam zgjedhur mënyrën më të mirë të jetës, pra t’i shërbej Jehovait në kohë të plotë.»
Bibla na paralajmëron se «skena e kësaj bote po ndryshon». Për këtë arsye, ajo edhe na nxit: «Ata që gëzojnë, [të jenë] si ata që nuk gëzojnë; dhe ata që blejnë, si ata që nuk zotërojnë gjë; dhe ata që përdorin këtë botë, si ata që nuk e përdorin plotësisht.»—1 Korintasve 7:29-31.
Prandaj, tani është koha që t’i bësh një shqyrtim edhe më nga afër jetës sate. Në qoftë se ke të ardhura të kufizuara, ruhu që të mos zemërohesh nga kjo, duke u mbushur me hidhërim e zili. Nga ana tjetër, çfarëdo zotërimi material që të kesh, do të ishte e mençur ta mbaje në vendin e duhur, që të mos bëhet pronari yt. Siç këshilloi apostulli Pavël, me çdo kusht vari shpresat jo «në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë». Nëse vepron kështu, mund të thuash se ke mësuar sekretin për t’u kënaqur me aq sa ke.—1 Timoteut 6:17-19.
[Figura në faqen 9]
Pavli punonte me duart e tij, që të mos ishte barrë për të tjerët
[Figurat në faqen 10]
Mijëra veta po gjejnë lumturi duke bërë një jetë me ‘përkushtim hyjnor së bashku me kënaqjen me atë që kanë’