Jehovai Perëndia i qëllimit
«Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.»—ISAIA 14:24.
1, 2. Ç’thonë shumë njerëz mbi qëllimin e jetës?
GJITHKUND njerëzit pyesin: «Cili është qëllimi i jetës?» Një politikan nga perëndimi deklaroi: «Më shumë njerëz se kurrë më parë pyesin: ‘Kush jemi? Ç’qëllim kemi?’» Kur një gazetë u bëri pyetje disa të rinjve për qëllimin e jetës, disa përgjigje tipike ishin: «Të bësh gjithçka që të do zemra.» «Të shijosh plotësisht çdo moment.» «Të jetosh sipas parimeve.» «Të kesh fëmijë, të jesh i gëzuar dhe pastaj të vdesësh.» Pjesa më e madhe besonin se kjo jetë ishte gjithçka që kishin. Askush nuk ka përmendur ndonjë qëllim më largpamës për jetën në tokë.
2 Një dijetar konfuist ka thënë: «Domethënia themelore e jetës gjendet në ekzistencën e përditshme njerëzore.» Sipas kësaj, njerëzit do të vazhdonin të lindnin, të luftonin për 70 apo 80 vjet, pastaj të vdisnin dhe të ktheheshin në asgjë përgjithmonë. Një shkencëtar evolucionist, ka thënë: «Mund të kemi dëshirë për një përgjigje ‘më të ngritur’—por nuk ekziston asnjë.» Për këta evolucionistë, jeta është një luftë për të mbijetuar dhe vdekja i jep fund gjithçkaje. Filozofi të tilla paraqesin një pamje të pashpresë për jetën.
3, 4. Si ndikojnë kushtet e botës mbi mënyrën se si e shohin jetën shumë njerëz?
3 Shumë njerëz dyshojnë se jeta ka një qëllim, kur shohin se ekzistenca njerëzore është e mbushur me shumë mjerime. Në kohën tonë, kur supozohet se njeriu ka arritur kulmin e arritjeve industriale dhe shkencore, rreth një miliard njerëz në mbarë botën ndikohen nga sëmundje të rënda apo nga ushqimi i keq. Nga shkaqe të tilla, çdo vit vdesin miliona fëmijë. Përveç kësaj, në këtë shekull të 20-të, numri i të vdekurve nga lufta ka qenë katër herë më i madh, sesa në katër shekujt e mëparshëm të marrë së bashku. Krimet, dhuna, abuzimi i drogës, shkatërrimi i familjeve, SIDA dhe sëmundje të tjera të transmetuara në rrugë seksuale—rrisin listën e faktorëve negativë. Udhëheqësit botërorë nuk gjejnë zgjidhje për këto probleme.
4 Duke parë kushte të tilla, një grua shprehu mendimin e shumë të tjerëve, kur tha: «Jeta nuk ka asnjë qëllim. Nëse kanë ndodhur gjithë këto gjëra të këqija, atëherë jeta nuk mund të ketë kuptim.» Ndërsa një burrë i moshuar ka thënë: «Kam gjithë jetën që pyes veten se përse ekzistoj. Edhe nëse ka një qëllim, nuk më intereson më.» Kështu, pasi shumica nuk e di se përse Perëndia i lejon vuajtjet dhe kushtet e mjera të botës, kjo bën që të mos kenë një shpresë të vërtetë për të ardhmen.
5. Përse fetë e kësaj bote e rrisin konfuzionin mbi qëllimin e jetës?
5 Edhe udhëheqësit fetarë janë të përçarë dhe të pasigurt në lidhje me qëllimin e jetës. Një ish-dekan i Katedrales së Shën Pavlit, në Londër, ka thënë: «Gjatë gjithë jetës sime kam luftuar për të kuptuar arsyen për të cilën jetojmë . . . Nuk ia dola dot mbanë.» Vërtet, shumë klerikë mësojnë se në vdekje i miri shkon në qiell, kurse i ligu shkon përgjithmonë në ferrin e zjarrtë. Por kjo pikëpamje akoma e lë njerëzimin në tokë për të vazhduar drejtimin e tij torturues. Dhe nëse qëllimi i Perëndisë ishte që njerëzit të jetonin në qiell, përse nuk i krijoi ata si krijesa qiellore që në fillim, ashtu siç bëri me engjëjt dhe kështu t’u kursente njerëzve kaq shumë vuajtje? Prandaj, pështjellimi rreth qëllimit të jetës në tokë apo mospranimi për të besuar se ka ndonjë qëllim, është i zakonshëm.
Perëndia ka një qëllim
6, 7. Çfarë na thotë Bibla për Sovranin Universal?
6 Megjithatë, libri më i shpërndarë në historinë e njerëzimit, Bibla e Shenjtë, na thotë se Jehova Perëndia, Sovrani i universit, ka një qëllim. Ajo na tregon se në fakt ai ka një qëllim largpamës, të përhershëm për njerëzimin në tokë. Dhe kur Jehovai premton diçka, ajo do të plotësohet pa dështuar. Ashtu si shiu bën që fara të mbijë, «kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova». (Isaia 55:10, 11) Çdo gjë që Jehovai thotë se do të bëjë, «kështu ka për të ndodhur».—Isaia 14:24.
7 Ne njerëzit mund të kemi besim të plotë se i Gjithëfuqishmi do t’i mbajë premtimet e tij, sepse Perëndia «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2, BR; Hebrenjve 6:18) Kur na thotë se do të bëjë diçka, fjala e tij është një garanci se do të ndodhë. Është sikur të ketë ndodhur. Ai deklaron: «Unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: ‘Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen’ . . Po, kam folur dhe do të bëj që të ndodhë, kam bërë planin dhe do ta realizoj.»—Isaia 46:9-11.
8. A mund ta gjejnë Perëndinë ata që me sinqeritet duan ta njohin atë?
8 Përveç kësaj, Jehovai «nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim». (2. Pjetrit 3:9) Për këtë arsye, ai do që të gjithë ta njohin. Një profet i quajtur Azaria, ka thënë: «Në rast se e kërkoni [Perëndinë], ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t’ju braktisë.» (2. Kronikave 15:1, 2) Prandaj, ata që sinqerisht duan ta njohin Perëndinë dhe qëllimet e tij, sigurisht mund t’ia dalin mbanë, nëse përpiqen ta kërkojnë atë.
9, 10. (a) Çfarë është siguruar për ata që dëshirojnë ta njohin Perëndinë? (b) Për çfarë na aftëson një kërkim në Fjalën e Perëndisë?
9 Ku ta kërkojnë? Për ata që me të vërtetë e kërkojnë Perëndinë, ai ka siguruar Fjalën e tij, Biblën. Përmes frymës së tij të shenjtë, të njëjtës forcë aktive që përdori për të krijuar universin, Perëndia i drejtoi njerëzit besnikë që të shkruanin atë që ne kishim nevojë të dinim lidhur me qëllimet e tij. Për shembull, për profecinë biblike, apostulli Pjetër tha: «Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.» (2. Pjetrit 1:21) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Pavël deklaroi: «I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, qortuar, ndrequr, për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë plotësisht i zoti, mjaft i përgatitur, për çdo vepër të mirë.»—2. Timoteut 3:16, 17, BR; 1. Selanikasve 2:13.
10 Vëre se Fjala e Perëndisë na aftëson për të qenë jo në mënyrë të pjesshme apo të paplotë, por ‘plotësisht të zotët, mjaft të përgatitur’. Ajo na aftëson që të jemi të sigurt në lidhje me identitetin e Perëndisë, me qëllimet e tij dhe me atë se çfarë kërkon ai nga shërbëtorët e tij. Kjo është ajo që presim nga një libër që ka për autor Perëndinë. Ai është burimi i vetëm ku mund të kërkojmë për të arritur njohurinë e saktë mbi Perëndinë. (Proverbat 2:1-5; Gjoni 17:3) Duke vepruar kështu, nuk «do të jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit». (Efesianëve 4:13, 14) Psalmisti e shprehu pikëpamjen e drejtë, kur tha: «Fjala jote [e Perëndisë] është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.»—Psalmi 119:105.
I zbuluar në mënyrë progresive
11. Si ia zbuloi Jehovai qëllimet e tij njerëzimit?
11 Që në fillimet e familjes njerëzore, Jehovai zbuloi qëllimet e tij për këtë tokë dhe për njerëzit mbi të. (Zanafilla 1:26-30) Por, kur prindërit tanë të parë hodhën poshtë sovranitetin e Perëndisë, njerëzimi ra në errësirë frymore dhe në vdekje. (Romakëve 5:12) Megjithatë, Jehovai e dinte se do të ishin ata që do të dëshironin t’i shërbenin. Prandaj, me kalimin e shekujve ai zbuloi në mënyrë progresive qëllimet e tij për shërbëtorët e tij besnikë. Disa prej atyre me të cilët ai komunikoi ishin: Enoku (Zanafilla 5:24; Juda 14, 15), Noeja (Zanafilla 6:9, 13), Abrahami (Zanafilla 12:1-3) dhe Moisiu (Të Dalët 31:18; 34:27, 28). Profeti i Perëndisë, Amos, shkroi: «Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve.»—Amos 3:7; Danieli 2:27, 28.
12. Si hodhi më shumë dritë Jezui mbi qëllimet e Perëndisë?
12 Kur Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, ishte në tokë, rreth 4.000 vjet pas kryengritjes në Eden, u zbuluan shumë hollësi të tjera në lidhje me qëllimet e Perëndisë. Ato kishin të bënin në veçanti me qëllimin e Perëndisë për të vendosur një Mbretëri qiellore që do të sundonte mbi tokën. (Danieli 2:44) Këtë Mbretëri, Jezui e bëri temën e mësimit të tij. (Mateu 4:17; 6:10) Ai dhe dishepujt e tij mësuan se nën këtë Mbretëri do të plotësohej qëllimi fillestar i Perëndisë për tokën dhe njerëzimin. Toka do të transformohej në një parajsë të banuar nga njerëz të përsosur, që do të jetonin përgjithmonë. (Psalmi 37:29; Mateu 5:5; Luka 23:43; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:4) Përveç kësaj, Jezui dhe dishepujt e tij treguan nëpërmjet mrekullive që Perëndia i fuqizoi për të kryer se çfarë do të ndodhte në atë botë të re.—Mateu 10:1, 8; 15:30, 31; Gjoni 11:25-44.
13. Çfarë ndryshimi ndodhi në Rrëshajët e vitit 33 e.s. lidhur me marrëdhënien e Perëndisë me njerëzimin?
13 Në Rrëshajët e vitit 33 e.s., 50 ditë pas vdekjes së Jezuit, fryma e Perëndisë u derdh mbi kongregacionin e ithtarëve të Krishtit. Ky kongregacion zuri vendin e Izraelit të pabesë, si popull i besëlidhjes së Jehovait. (Mateu 21:43; 27:51; Veprat 2:1-4) Derdhja e frymës së shenjtë në atë rast ishte një provë që tregonte se nga ky moment e më pas, Perëndia do t’i zbulonte të vërtetat lidhur me qëllimin e tij përmes këtij instrumenti të ri. (Efesianëve 3:10) Gjatë shekullit të parë e.s., u vendos struktura organizative e kongregacionit të krishterë.—1. Korintasve 12:27-31; Efesianëve 4:11, 12.
14. Si mund ta identifikojnë kongregacionin e të krishterëve të vërtetë ata që e kërkojnë të vërtetën?
14 Sot, ata që e kërkojnë të vërtetën, mund ta identifikojnë kongregacionin e të krishterëve të vërtetë nga manifestimi i qëndrueshëm i cilësisë themelore të Perëndisë—dashurisë. (1. Gjonit 4:8, 16) Vërtet, dashuria vëllazërore është një shenjë dalluese e krishterimit të vërtetë. Jezui tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri tjetrin ashtu si unë ju kam dashur juve.» (Gjoni 13:35; 15:12) Gjithashtu, Jezui u kujtoi dëgjuesve të tij: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.» (Gjoni 15:14) Prandaj, shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë janë ata që jetojnë sipas ligjit të dashurisë. Ata nuk kufizohen vetëm duke folur për të, sepse «besimi pa vepra është i vdekur».—Jakovi 2:26.
Ndriçim
15. Për çfarë mund të jenë të sigurt shërbëtorët e Perëndisë?
15 Jezui paratha se me kalimin e kohës, kongregacioni i të krishterëve të vërtetë do të ndriçohej gjithnjë e më shumë mbi qëllimet e Perëndisë. Ai u premtoi ithtarëve të tij: «Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë.» (Gjoni 14:26) Jezui, gjithashtu, tha: «Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.» (Mateu 28:20) Prandaj, ndriçimi midis shërbëtorëve të Perëndisë mbi të vërtetën për Perëndinë dhe qëllimet e tij zmadhohet. Po, «shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë».—Proverbat 4:18.
16. Ç’na thotë ndriçimi ynë frymor për faktin se ku jemi në lidhje me qëllimin e Perëndisë?
16 Sot, drita frymore është më e ndriçueshme se kurrë më parë, sepse jetojmë në kohën kur shumë profeci biblike po plotësohen ose janë afër plotësimit. Kjo na tregon se po jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig gjërash. Kjo është periudha kohore e quajtur «përfundimi i sistemit të gjërave» dhe do të ndiqet nga bota e re e Perëndisë. (2. Timoteut 3:1-5, 13; Mateu 24:3-13) Siç u paratha nga Danieli, së shpejti Mbretëria qiellore e Perëndisë do «t’i shkatërrojë të gjitha këto mbretëri [që ekzistojnë tani] dhe do t’u japë fund atyre dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pakufishme».—Danieli 2:44, BR.
17, 18. Cilat profeci madhështore janë duke u plotësuar?
17 Ndërmjet profecive që tashmë janë plotësuar, është edhe ajo e regjistruar në vargun 14, të kapitullit 24 të Mateut. Atje Jezui thotë: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» Kjo vepër e predikimit të Mbretërisë është bërë nga miliona Dëshmitarë të Jehovait, në të gjithë tokën dhe çdo vit atyre u janë bashkuar qindra mijëra njerëz. Kjo është në harmoni me profecinë që gjendet tek Isaia 2:2, 3, e cila thotë se «në pjesën përfundimtare të ditëve» të kësaj bote të ligë, njerëz nga shumë kombe do të vijnë në adhurimin e vërtetë të Jehovait dhe «ai do t’i mësojë mbi rrugët e tij dhe ata do të ecin në shtigjet e tij».—BR.
18 Siç është parathënë nga Isaia ,në kapitullin 60, vargu 8, këta të rinj po grumbullohen në adhurimin e Jehovait «tamam si një re». Vargu 22 shton: «Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.» Provat tregojnë se ajo kohë është pikërisht tani. Dhe të rinjtë mund të jenë të bindur se duke u shoqëruar me Dëshmitarët e Jehovait, kanë rënë në kontakt me kongregacionin e krishterëve të vërtetë.
19. Përse mund të themi se të rinjtë që shoqërohen me Dëshmitarët e Jehovait po vijnë në kongregacionin e të krishterëve të vërtetë?
19 Përse mund ta themi këtë gjë me siguri? Sepse këta të rinj, bashkë me miliona të tjerë që tashmë gjenden në organizatën e Jehovait, ia kanë dedikuar jetën Perëndisë dhe po bëjnë vullnetin e tij. Kjo përfshin jetesën në harmoni me ligjin e dashurisë hyjnore. Si provë për këtë, këta të krishterë kanë «farkëtuar shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj dhe nuk mësojnë më luftën». (Isaia 2:4) Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën e kanë bërë një gjë të tillë, sepse praktikojnë dashurinë. Kjo do të thotë se ata kurrë nuk mund të ngrenë armët kundër njëri-tjetrit apo kundër ndokujt tjetër. Në këtë aspekt, ata janë të vetmit dhe mjaft të ndryshëm nga fetë e botës. (Gjoni 13:34, 35; 1. Gjonit 3:10-12, 15) Ata nuk përfshihen në nacionalizmin përçarës, sepse formojnë një vëllazëri ndërkombëtare të bashkuar fort nga dashuria, «një lidhje e përsosur bashkimi».—Kolosianëve 3:14; Mateu 23:8; 1. Gjonit 4:20, 21.
Pjesa më e madhe preferon të mos e njohë
20, 21. Përse pjesa më e madhe e njerëzimit është në errësirë frymore? (2. Korintasve 4:4; 1. Gjonit 5:19)
20 Ndërkohë që drita frymore ndriçon midis shërbëtorëve të Jehovait, pjesa tjetër e popullsisë së tokës po fundoset gjithnjë e më shumë në errësirë frymore. Ata nuk e njohin Jehovain dhe as qëllimet e tij. Profeti i Perëndisë e përshkroi këtë kohë me këto fjalë: «Sepse ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dëndur mbulon popujt.» (Isaia 60:2) Kjo ndodh sepse njerëzit nuk interesohen sinqerisht për të njohur Perëndinë dhe as nuk tregojnë ndonjë dëshirë për t’u përpjekur që t’i pëlqejnë atij. Jezui tha: «Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij.»—Gjoni 3:19, 20.
21 Individë të tillë nuk janë vërtet të interesuar për të njohur vullnetin e Perëndisë. Në vend të kësaj, ata e përqendrojnë jetën e tyre në kryerjen e vullnetit të tyre personal. Duke mos përfillur vullnetin e Perëndisë, ata e vendosin veten në një pozitë të vështirë, sepse Fjala e tij deklaron: «Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.» (Proverbat 28:9) Ata duhet të përballojnë pasojat e drejtimit që zgjodhën. Apostulli Pavël shkroi: «Mos u gënjeni: Perëndia nuk është për t’u tallur. Sepse çdo gjë që njeriu do të mbjellë, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7, BR.
22. Çfarë po bëjnë tani një numër i madh njerëzish që dëshirojnë të njohin Perëndinë?
22 Megjithatë, ka një numër personash që dëshirojnë ta njohin vullnetin e Perëndisë, që e kërkojnë atë me sinqeritet dhe që tërhiqen drejt tij. «Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve»,—thotë Jakovi 4:8. Për njerëz të tillë, Jezui tha: «Kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë.» (Gjoni 3:21) Ç’të ardhme të mrekullueshme ka premtuar Perëndia për ata që vijnë në dritë! Artikulli ynë i ardhshëm do të diskutojë mbi perspektivat entuziazmuese.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Ç’thonë shumë njerëz në lidhje me qëllimin e jetës?
◻ Si e zbuloi Jehovai veten si Perëndi që ka një qëllim?
◻ Cili ndriçim i madh ndodhi në shekullin e parë të e.s.?
◻ Si mund të identifikohet kongregacioni i të krishterëve të vërtetë sot?