Një libër për të gjithë njerëzit
«Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb, njeriu që e ka frikë dhe që praktikon drejtësinë, është i pranueshëm për të.»—VEPRAT 10:34, 35, BR.
1. Si u përgjigj një profesor, kur u pyet se çfarë mendonte për Biblën dhe çfarë vendosi të bënte ai?
NJË të dielë pasdite profesori gjendej në shtëpi dhe nuk priste ndonjë vizitor. Por, kur një nga motrat tona të krishtere i ra derës së tij, ai e dëgjoi. Ajo foli mbi ndotjen dhe mbi të ardhmen e tokës, tema që e tërhoqën profesorin. Por, kur ajo ndërfuti në bisedë Biblën, ai u duk skeptik. Kështu që, ajo e pyeti se ç’mendonte në lidhje me Biblën.
«Është një libër i mirë, i shkruar nga disa njerëz inteligjentë,—ia ktheu ai,—por Bibla nuk duhet marrë seriozisht.»
«A e keni lexuar ndonjëherë Biblën?»—e pyeti ajo.
I zënë në befasi, profesorit iu desh të pranonte se nuk e kishte lexuar.
Atëherë, ajo e pyeti: «Si mund të shprehni një bindje të fortë për një libër që nuk e keni lexuar asnjëherë?»
Motra jonë i kishte rënë pikës. Profesori vendosi ta shqyrtonte Biblën e më pas të formonte një opinion për të.
2, 3. Pse Bibla është për shumë njerëz një libër i mbyllur dhe çfarë sfide na vë përpara kjo gjë?
2 Profesori nuk është i vetmi. Shumë njerëz kanë opinione të përcaktuara në lidhje me Biblën, edhe pse personalisht nuk e kanë lexuar asnjëherë atë. Ata mund të kenë një Bibël. Ndoshta edhe e pranojnë vlerën e saj letrare ose historike. Por për shumë persona, ajo është një libër i mbyllur. ‘Nuk kam kohë ta lexoj Biblën’,—thonë disa. Të tjerë pyesin veten: ‘Si ka mundësi që një libër i lashtë të ketë të bëjë me jetën time?’ Pikëpamje të tilla na vënë përpara një sfidë të vërtetë. Dëshmitarët e Jehovait besojnë në mënyrë të patundur se Bibla ‘është e frymëzuar nga Perëndia dhe e dobishme për mësim’. (2. Timoteut 3:16, 17, BR) Por, si mund t’i bindim njerëzit që pavarësisht nga prejardhja e tyre raciale, kombëtare ose etnike, duhet ta shqyrtojnë Biblën?
3 Le të diskutojmë disa arsye se përse Bibla meriton shqyrtimin tonë. Një diskutim i tillë mund të na pajisë për të arsyetuar me ata që takojmë në shërbimin tonë, ndoshta duke i bindur se duhet ta shqyrtojnë atë që thotë Bibla. Në të njëjtën kohë, ky rishikim duhet të forcojë besimin tonë se Bibla është, në të vërtetë, ajo që deklaron se është: «fjala e Perëndisë».—Hebrenjve 4:12.
Libri i shpërndarë më gjerësisht në botë
4. Pse mund të thuhet se Bibla është libri i shpërndarë më gjerësisht në botë?
4 Së pari, Bibla meriton të shqyrtohet, sepse në një masë të madhe është libri i shpërndarë dhe i përkthyer më gjerësisht gjatë gjithë historisë njerëzore. Mbi 500 vjet më parë, botimi i parë i shtypur me shkronja të lëvizshme doli nga makina e shtypit e Johanes Gutenbergut. Që nga ajo kohë, është përllogaritur se janë shtypur katër miliardë Bibla, të plota ose pjesërisht. Deri më 1996, e gjithë Bibla ose pjesë të saj, janë përkthyer në 2.167 gjuhë dhe dialekte.a Më shumë se 90 përqind e familjes njerëzore e ka mundësinë të lexojë të paktën një pjesë të Biblës në gjuhën e vet. Asnjë libër tjetër, fetar ose jo, nuk i afrohet Biblës për nga shpërndarja!
5. Pse duhet të presim që Bibla të jetë në dispozicion të njerëzve në botën mbarë?
5 Vetëm statistikat nuk provojnë se Bibla është Fjala e Perëndisë. Megjithatë, ne duhet të presim patjetër që një dokument i shkruar, i cili është i frymëzuar nga Perëndia, të jetë në dispozicion të njerëzve në mbarë botën. Në fund të fundit, vetë Bibla na thotë se «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb, njeriu që e ka frikë dhe që praktikon drejtësinë, është i pranueshëm prej tij». (Veprat 10:34, 35, BR) Si asnjë libër tjetër, Bibla ka kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe ka mposhtur pengesat raciale dhe etnike. Vërtet, Bibla është një libër për të gjithë njerëzit!
Një dokumentim unik ruajtjeje
6, 7. Pse nuk është për t’u habitur që nuk dihet të ekzistojë asnjë prej shkrimeve origjinale të Biblës dhe cilën pyetje ngre kjo?
6 Ekziston një arsye tjetër se përse Bibla meriton të shqyrtohet. Ajo ka mbijetuar si pengesat natyrore, ashtu edhe ato njerëzore. Dokumentimi i asaj se si është ruajtur, megjithë sfidat e tmerrshme, është vërtet unik mes atyre që janë shkruar në lashtësi.
7 Me sa duket, shkrimtarët e Biblës i regjistruan fjalët e tyre me bojë mbi papiruse (të bërë nga bima egjiptiane me të njëjtin emër) dhe mbi pergamena (të bërë nga lëkurët e kafshëve).b (Jobi 8:11) Megjithatë, këto materiale shkrimi kanë armiq natyrorë. Studiuesi Oskar Paret shpjegon: «Që të dyja këto mjete shkrimi rrezikohen në të njëjtën masë nga lagështia, myku dhe larvat e ndryshme. Nga përvoja e përditshme ne e dimë se me sa lehtësi letra, e madje edhe lëkura e fortë, prishet përjashta ose në një dhomë me lagështi.» Kështu, nuk është për t’u habitur që nuk dihet të ekzistojë asnjë prej origjinaleve; ato ndoshta janë shpërbërë shumë kohë më parë. Por nëse origjinalet iu dorëzuan armiqve natyrorë, si mbijetoi Bibla?
8. Si u ruajtën shkrimet e Biblës përgjatë shekujve?
8 Pak pasi u shkruan origjinalet, filluan të bëheshin kopje të shkruara me dorë. Në fakt, kopjimi i Ligjit dhe i pjesëve të tjera të Shkrimeve të Shenjta u bë një profesion në Izraelin e lashtë. Prifti Ezdra, për shembull, përshkruhet si «një kopjues i zoti i ligjit të Moisiut». (Ezdra 7:6, 11, BR; krahaso Psalmin 45:1.) Por edhe kopjet e bëra mund të prisheshin; së fundi, ato u desh të zëvendësoheshin nga kopje të tjera të shkruara me dorë. Ky proces i kopjimit të kopjeve vazhdoi për shekuj të tërë. Meqenëse njerëzit nuk janë të përsosur, a e ndryshuan në thelb tekstin e Biblës gabimet e kopjuesve? Dëshmitë e panumërta thonë jo!
9. Si e ilustron shembulli i masoretëve kujdesin dhe saktësinë e jashtëzakonshme të kopjuesve të Biblës?
9 Kopjuesit jo vetëm që ishin shumë të zotët, por kishin edhe një respekt të thellë për fjalët që kopjonin. Fjala hebraike për «kopjues» i referohet llogaritjes dhe regjistrimit. Për të ilustruar kujdesin dhe saktësinë e jashtëzakonshme të kopjuesve, le të marrim rastin e masoretëve, kopjues të Shkrimeve Hebraike, të cilët jetuan mes shekullit të gjashtë dhe të dhjetë të e.s. Sipas studiuesit Tomas Hartuell Horn, ata llogaritnin se «sa herë shfaqet në të gjitha Shkrimet Hebraike çdo shkronjë e alfabetit [hebraik]». Mendo pak se ç’do të thotë kjo! Për të shmangur heqjen qoftë edhe të një shkronje të vetme, këta kopjues të devotshëm llogaritnin jo vetëm fjalët që kopjonin, por edhe shkronjat. Ja sepse, sipas llogaritjes së një studiuesi, thuhet se ata kanë numëruar një për një 815.140 shkronja të veçanta në Shkrimet Hebraike. Një përpjekje e tillë e zellshme siguroi një shkallë të lartë saktësie.
10. Cila dëshmi e fortë ekziston se tekstet hebraike dhe greke, mbi të cilat bazohen përkthimet moderne, përfaqësojnë saktësisht fjalët e shkrimtarëve origjinalë?
10 Në fakt, ekzistojnë dëshmi të forta se tekstet hebraike dhe greke, në të cilat bazohen përkthimet moderne, përfaqësojnë me një besnikëri të jashtëzakonshme fjalët e shkrimtarëve origjinalë. Dëshmitë konsistojnë në mijëra kopje të bëra me dorë të dorëshkrimeve të Biblës: një sasi e llogaritur prej 6.000 dorëshkrimesh të Shkrimeve Hebraike të plota ose të pjesëve të tyre dhe rreth 5.000 nga Shkrimet e krishtere në greqisht, të cilat kanë mbijetuar deri në ditët tona. Një analizë e kujdesshme dhe krahasuese e dorëshkrimeve të shumta që ekzistojnë, u ka bërë të mundur studiuesve të teksteve të zbulojnë ndonjë gabim të kopjuesve dhe të përcaktojnë leximin origjinal. Prandaj, duke komentuar mbi tekstin e Shkrimeve Hebraike, studiuesi Uilliam H. Grin mundi të pohonte: «Mund të thuhet me siguri se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë.» Një siguri e tillë mund të ekzistojë edhe për tekstin e Shkrimeve të krishtere Greke.
11. Nën dritën e 1. Pjetrit 1:24, 25, pse Bibla ka mbijetuar deri në ditët tona?
11 Sa lehtë mund të ishte zhdukur Bibla, po të mos ishin kopjet e shkruara me dorë që zëvendësuan origjinalet, me mesazhin e tyre të vyer! Ekziston vetëm një arsye për mbijetesën e saj: Jehovai është Ruajtësi dhe Mbrojtësi i Fjalës së tij. Siç thotë vetë Bibla në 1. Pjetrit 1:24, 25: «Çdo mish është si bari dhe e gjithë lavdia e tij është si një lule bari; bari thahet dhe lulja bie, por thënia e Jehovait qëndron përgjithmonë.»—BR.
Në gjuhët e gjalla të njerëzimit
12. Përveç shekujve të rikopjimit, cilën pengesë tjetër hasi Bibla?
12 Të mbijetonte shekuj të tërë rikopjimesh ishte mjaft sfiduese, por Bibla hasi edhe një pengesë tjetër: përkthimin në gjuhët bashkëkohore. Që t’u flasë zemrave të njerëzve, Bibla duhet të flasë në gjuhët e tyre. Por, të përkthesh Biblën, me më shumë se 1.100 kapitujt dhe 31.000 vargjet e saj, nuk është një punë e lehtë. Megjithatë, përgjatë shekujve, përkthyes të devotshëm e pranuan me gëzim sfidën, duke hasur herë pas here pengesa, në dukje të pakapërcyeshme.
13, 14. (a) Cilën sfidë hasi përkthyesi i Biblës Robert Mofat në Afrikë, në shekullin e 19-të? (b) Si reaguan njerëzit që flitnin gjuhën tsuana, kur Ungjilli i Lukës u vu në dispozicion në gjuhën e tyre?
13 Le të shohim, për shembull, se si u përkthye Bibla në gjuhët e Afrikës. Në vitin 1800, në të gjithë Afrikën ekzistonin vetëm nja dymbëdhjetë gjuhë të shkruara. Qindra gjuhë të tjera të folura, nuk kishin sistem shkrimi. Kjo ishte sfida që hasi përkthyesi i Biblës, Robert Mofat. Në vitin 1821, në moshën 25-vjeçare, Mofati ndërmori një mision mes njerëzve që flasin gjuhën tsuana në Afrikën Jugore. Për të mësuar gjuhën e tyre të pashkruar, ai hyri në marrëdhënie me njerëzit. Mofati ngulmoi dhe pa ndihmën e abetareve ose të fjalorëve, më në fund zotëroi gjuhën, zhvilloi një formë të shkruar të saj dhe u mësoi tsuanasve ta lexonin atë shkrim. Në vitin 1829, pasi punoi tetë vjet mes tsuanasve, ai përfundoi përkthimin e ungjillit të Lukës. Më vonë, ai tha: «Kam njohur individë që vinin prej qindra kilometrash larg, për të marrë kopje të Shën Lukës. . . . I kam parë tek merrnin pjesë nga Shën Luka dhe qanin sipër tyre, i shtrëngonin në gji dhe derdhnin lot falënderimi, derisa i thashë më shumë se një personi: ‘Me lotët e tu, ke për t’i prishur librat.’» Mofati tregoi edhe për një afrikan, i cili pa shumë njerëz tek lexonin ungjillin e Lukës dhe i pyeti se ç’ishte ajo që kishin. «Është fjala e Perëndisë»,—iu përgjigjën ata. «Flet ajo?»—pyeti burri. «Po,—ia kthyen ata,—ajo i flet zemrës.»
14 Përkthyes të devotshëm si Mofati, u dhanë shumë afrikanëve mundësinë e parë për të komunikuar me anë të shkrimit. Por përkthyesit u dhanë afrikanëve një dhuratë edhe më të vyer: Biblën në gjuhën e tyre. Për më tepër, Mofati futi emrin hyjnor në gjuhën tsuana dhe e përdori këtë emër në të gjithë përkthimin e tij.c Prandaj, tsuanasit i referohen Biblës si «gojës së Jehovait».—Psalmi 83:18, BR.
15. Pse Bibla është shumë e gjallë sot?
15 Përkthyes të tjerë në pjesë të ndryshme të botës, hasën pengesa të ngjashme. Disa madje rrezikuan jetën e tyre për të përkthyer Biblën. Mendo pak: nëse Bibla do të kishte mbetur vetëm në hebraishten dhe në greqishten e lashtë, mund të kishte «vdekur» kohë më parë, sepse me kalimin e kohës këto gjuhë pothuajse u harruan nga masat dhe nuk u njohën kurrë në shumë pjesë të tokës. Por megjithatë, Bibla është shumë e gjallë, sepse ndryshe nga çdo libër tjetër, ajo mund t’u «flasë» njerëzve të mbarë botës në gjuhën e tyre. Si rezultat, mesazhi i saj mbetet «në veprim te besimtarët [e saj]». (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 2:13, BR) Jerusalem Bible i përkthen këto fjalë: «Ajo është ende një fuqi e gjallë mes jush që e besoni.»
E denjë për besim
16, 17. (a) Që Bibla të jetë e denjë për besim, cila dëshmi duhet të ekzistojë? (b) Jep një shembull që ilustron çiltërsinë e shkrimtarit të Biblës, Moisiut.
16 ‘A mund t’i besohet me të vërtetë Biblës?’—mund të pyesë ndonjë. ‘A u referohet ajo njerëzve që nuk diskutohet se kanë jetuar me të vërtetë, vendeve që ekzistonin me të vërtetë dhe ngjarjeve që kanë ndodhur me të vërtetë?’ Nëse duhet ta besojmë, duhet të ekzistojnë dëshmi se ajo është shkruar nga shkrimtarë të kujdesshëm dhe të ndershëm. Kjo na çon në një arsye tjetër për shqyrtimin e Biblës: ekzistojnë dëshmi të forta se ajo është e saktë dhe e denjë për besim.
17 Shkrimtarët e ndershëm do të regjistronin jo vetëm sukseset, por edhe dështimet, jo vetëm anët pozitive, por edhe dobësitë. Shkrimtarët e Biblës shfaqën një çiltërsi të tillë që të kënaq. Të marrim, për shembull, çiltërsinë e Moisiut. Mes gjërave që tha hapur ishin mungesa e gojëtarisë, e cila sipas tij e bënte të papërshtatshëm për të qenë udhëheqësi i Izraelit (Dalja [Eksodi] 4:10); gabimi serioz që bëri, i cili e pengoi të hynte në Tokën e Premtuar (Numrat 20:9-12; 27:12-14); devijimi i vëllait të tij, Aaronit, i cili bashkëpunoi me izraelitët rebelë për të bërë një statujë viçi të artë (Dalja 32:1-6); rebelimi i motrës së tij, Miriamit, dhe ndëshkimi i turpshëm i saj (Numrat 12:1-3, 10); përdhosja që bënë nipat e tij, Nadabi dhe Abihu, (Levitiku 10:1, 2), si dhe ankesat dhe murmuritjet e përsëritura të popullit të Perëndisë (Dalja 14:11, 12; Numrat 14:1-10). A nuk tregon një raportim i tillë i çiltër dhe i hapur një kujdes të sinqertë për të vërtetën? Meqë shkrimtarët e Biblës ishin të gatshëm të raportonin informata të pafavorshme në lidhje me njerëzit e tyre të dashur, me popullin e tyre, madje edhe me veten e tyre, a nuk ekzistojnë arsye të forta për të besuar në ato që shkruan?
18. Ç’gjë e vulos besueshmërinë e shkrimeve të shkrimtarëve të Biblës?
18 Edhe koherenca e shkrimtarëve të Biblës u vë vulën e besueshmërisë shkrimeve të tyre. Është vërtet e jashtëzakonshme që 40 burra, të cilët shkruan në një periudhë kohore prej pothuajse 1.600 vjetësh, të jenë në pajtim me njëri-tjetrin, madje edhe kur është fjala për hollësi të vogla. Megjithatë, kjo harmoni nuk është parapërgatitur me kaq kujdes, sa të ngjallë dyshime për ndonjë marrëveshje në fshehtësi. Përkundrazi, ekziston një mungesë e dukshme qëllimi në përputhjen mes hollësive të ndryshme; shpesh harmonia është qartësisht e rastësishme.
19. Si zbulojnë tregimet e Ungjillit mbi arrestimin e Jezuit një përputhje që është qartësisht e paqëllimshme?
19 Për ta ilustruar, shqyrto një incident që ndodhi natën e arrestimit të Jezuit. Të katër shkrimtarët e Ungjillit shkruajnë se njëri prej dishepujve nxori një shpatë dhe goditi një skllav të kryepriftit, duke i prerë veshin. Por, vetëm Luka na thotë se Jezui «preku veshin dhe e shëroi». (Luka 22:51, BR) Por, a nuk është kjo ajo që do të pritnim nga një shkrimtar, i cili njihej si ‘mjeku i dashur’? (Kolosianëve 4:14) Tregimi i Gjonit na thotë se nga të gjithë dishepujt e pranishëm, ai që përdori shpatën ishte Pjetri, një fakt që nuk na habit, duke pasur parasysh tendencën e Pjetrit për të qenë i nxituar dhe i rrëmbyer. (Gjoni 18:10; krahaso Mateun 16:22, 23 dhe Gjonin 21:7, 8.) Gjoni raporton edhe një hollësi, në dukje të panevojshme: «Emri i skllavit ishte Malk.» Pse vetëm Gjoni jep emrin e atij burri? Shpjegimi jepet nga një fakt i vogël, i pohuar kalimthi në tregimin e Gjonit: Gjoni «njihej nga kryeprifti». Ai njihej edhe nga shtëpia e kryepriftit; shërbëtorët njiheshin me të dhe ai me ta.d (Gjoni 18:10, 15, 16, BR) Pra, është krejt e natyrshme që Gjoni të përmendë emrin e burrit të dëmtuar, ndërkohë që shkrimtarët e tjerë të Ungjillit, për të cilët me sa duket ai burrë ishte i huaj, të mos e shkruanin. Përputhja mes gjithë këtyre hollësive është e jashtëzakonshme, por megjithatë, qartësisht e paqëllimshme. Në të gjithë Biblën, ekzistojnë shembuj të ngjashëm të panumërt.
20. Çfarë kanë nevojë të dinë njerëzit me zemër të ndershme në lidhje me Biblën?
20 Pra, a mund t’i besojmë Biblës? Absolutisht që po! Çiltërsia e shkrimtarëve të Biblës dhe koherenca e brendshme e saj i japin tingullin e qartë të së vërtetës. Njerëzit me zemër të ndershme kanë nevojë ta dinë se mund t’i besojnë Biblës, pasi ajo është Fjala e frymëzuar e «Jehovait, Perëndisë të së vërtetës». (Psalmi 31:5, BR) Ekzistojnë edhe arsye të tjera se përse Bibla është një libër për të gjithë njerëzit, siç do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Bazuar në shifrat e botuara nga Shoqatat e Bashkuara Biblike
b Gjatë burgimit të tij të dytë në Romë, Pavli i kërkoi Timoteut t’i çonte «rrotullat, sidomos pergamenët». (2. Timoteut 4:13, BR) Ka mundësi që Pavli t’i ketë kërkuar pjesë të Shkrimeve Hebraike, që të mund t’i studionte ndërkohë që ishte në burg. Fraza «sidomos pergamenët», mund të tregojë se në to përfshiheshin si rrotullat e papirusit, ashtu dhe të tjerat prej pergameni.
c Në vitin 1838, Mofati përfundoi një përkthim të Shkrimeve të krishtere Greke. Me ndihmën e një kolegu, në vitin 1857 ai përfundoi përkthimin e Shkrimeve Hebraike.
d Familjariteti i Gjonit me kryepriftin dhe shtëpinë e tij është treguar më tej në tregim. Kur një skllav tjetër i kryepriftit e akuzoi Pjetrin se ishte një dishepull i Jezuit, Gjoni i shpjegon se ky skllav ishte «një i afërm i burrit, të cilit Pjetri i preu veshin».—Gjoni 18:26, BR.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Pse duhet të presim që Bibla të jetë libri i shpërndarë më gjerësisht në botë?
◻ Cila dëshmi ekziston se Bibla është ruajtur në mënyrë të saktë?
◻ Cilat pengesa hasën ata që përkthyen Biblën?
◻ Ç’gjë e vulos besueshmërinë e shkrimeve të Biblës?