Të çmojmë ‘dhuratat në njerëz’
«Kini vlerësim për ata që po punojnë shumë mes jush dhe . . . jepuni më shumë se konsideratë të jashtëzakonshme në dashuri, për shkak të punës së tyre.»—1. SELANIKASVE 5:12, 13, BR.
1. Sipas Veprave 20:35, çfarë fuqie ka dhënia? Ilustroje.
«KA MË shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.» (Veprat 20:35) A na kujtohet hera e fundit kur kemi provuar vërtetësinë e këtyre fjalëve të Jezuit? Ndoshta i kemi dhënë një dhuratë dikujt që e duam shumë. E kishim zgjedhur me kujdes dhuratën, sepse dëshironim të ishte diçka që do t’i pëlqente shumë njeriut tënd të dashur. Kushedi sa na e ka ngrohur zemrën shprehja e kënaqësisë në fytyrën e njeriut tonë të dashur! Kur ka motivin e duhur, dhënia është një shprehje e dashurisë dhe të shprehurit e dashurisë ka fuqinë të na sjellë lumturi.
2, 3. (a) Pse mund të thuhet se asnjeri nuk është më i lumtur se Jehovai dhe si mund t’ia gëzojë zemrën atij, masa e ‘dhuratave në njerëz’? (b) Çfarë nuk do të donim të bënim me dhuratën prej Perëndisë?
2 Atëherë, kush mund të jetë më i lumtur se Jehovai, Dhënësi i «çdo dhurate të mirë»? (Jakovit 1:17, BR; 1. Timoteut 1:11) Çdo dhuratë që jep ai motivohet nga dashuria. (1. Gjonit 4:8) Kjo sigurisht është e vërtetë për dhuratën që Perëndia i ka dhënë kongregacionit, nëpërmjet Krishtit, ‘dhuratat në njerëz’. (Efesianëve 4:8, BR) Masa e marrë nga Perëndia, duke dhënë pleq që të kujdesen për kopenë, është një shprehje e dashurisë së thellë që ka ai për popullin e vet. Këta burra zgjidhen me kujdes e në fakt duhet të plotësojnë kualifikimet biblike. (1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Ata e dinë se duhet «ta trajtojnë kopenë me butësi», sepse atëherë delet do të kenë arsye për t’u ndier mirënjohëse për barinj të tillë të dashur. (Veprat 20:29, BR; Psalmi 100:3) Kur Jehovai sheh se zemrat e deleve të tij janë plot mirënjohje për këtë gjë, patjetër që edhe zemra e tij gëzohet!—Fjalët e urta (Proverbat) 27:11.
3 Sigurisht, ne nuk do të donim t’ia ulnim vlerën një dhurate të bërë nga Perëndia dhe as nuk do të donim të ishim mosmirënjohës për dhuratat e tij. Atëherë, lindin dy pyetje: Si duhet ta konsiderojnë pleqtë rolin që kanë në kongregacion? Veç kësaj, si mund të tregojë çmueshmëri për ‘dhuratat në njerëz’ pjesa tjetër e kopesë?
‘Ne jemi bashkëpunëtorët tuaj’
4, 5. (a) Me çfarë e krahason Pavli kongregacionin dhe pse ky është një ilustrim i përshtatshëm? (b) Siç tregon ilustrimi i Pavlit, në ç’mënyrë duhet ta konsiderojmë dhe ta trajtojmë njëri-tjetrin?
4 Jehovai u ka besuar ‘dhuratave në njerëz’ një masë autoriteti në kongregacion. Sigurisht, pleqtë nuk duan ta keqpërdorin autoritetin e tyre, por e dinë se, duke qenë njerëz të papërsosur, është tepër e lehtë për ta bërë këtë. Atëherë, si duhet ta konsiderojnë ata veten në lidhje me pjesën tjetër të kopesë? Shqyrto ilustrimin që përdori apostulli Pavël. Pasi argumentoi se përse ishin siguruar ‘dhuratat në njerëz’, Pavli shkroi: «Le të rritemi në çdo gjë me anë të dashurisë në atë që është kreu, Krishti. Nga ai i gjithë trupi, duke qenë në mënyrë të harmonishme i lidhur së bashku dhe duke qenë i bërë për të bashkëpunuar me anë të çdo gjymtyre, e cila jep atë që është e nevojshme sipas funksionimit të çdo pjese përkatëse në masën e duhur, vepron për rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes në dashuri.» (Efesianëve 4:15, 16, BR) Kështu, Pavli e krahason kongregacionin, duke përfshirë pleqtë dhe pjesëtarët e tjerë, me një trup njerëzor. Pse ky është një ilustrim i përshtatshëm?
5 Një trup njerëzor është i përbërë nga shumë pjesë të ndryshme, por ka vetëm një kokë. Gjithsesi, çdo gjë në trup, edhe një muskul, një nerv ose edhe një venë e vetme, është e dobishme. Çdo pjesë është e vlefshme dhe kontribuon diçka në shëndetin dhe bukurinë e së tërës. Në mënyrë të ngjashme, kongregacioni është i përbërë nga shumë pjesëtarë të ndryshëm, por çdo pjesëtar, i ri ose i moshuar, i fortë ose i dobët fizikisht, mund të kontribuojë diçka në shëndetin dhe bukurinë e përgjithshme frymore të kongregacionit. (1. Korintasve 12:14-26) Askush nuk duhet të ndihet sikur është tepër i parëndësishëm për të pasur ndonjë vlerë. Nga ana tjetër, asnjeri nuk duhet të ndihet më lart se të tjerët, sepse të gjithë ne, si barinjtë, ashtu edhe delet, jemi pjesë të trupit dhe ekziston veçse një krye, Krishti. Pra, Pavli paraqet një tablo plot ngrohtësi të dashurisë, kujdesit dhe respektit që duhet të kemi për njëri-tjetrin. Pranimi i kësaj i ndihmon pleqtë që të kenë një pikëpamje të përulur e të ekuilibruar për rolin e tyre në kongregacion.
6. Edhe pse kishte autoritet apostolik, si shfaqi Pavli një frymë të përulur?
6 Këto «dhurata në njerëz» nuk përpiqen të kontrollojnë jetën ose besimin e bashkadhuruesve të tyre. Pavli, edhe pse kishte autoritet apostolik, u tha me përulësi korintasve: «Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj, sepse për shkak të besimit ju qëndroni të patundur.» (2. Korintasve 1:24) Pavli nuk dëshironte të kontrollonte besimin dhe mënyrën e jetesës së vëllezërve të tij. Në të vërtetë, ai nuk shihte asnjë nevojë për ta bërë këtë, pasi shprehu besimin se ata tashmë ishin burra e gra besnike, të cilët ishin në organizatën e Jehovait sepse dëshironin të bënin atë që ishte e drejtë. Prandaj, duke folur për veten dhe për shokun e tij të udhëtimit, Timoteun, Pavli po thoshte në fakt: ‘Puna jonë është të punojmë me ju për t’i shërbyer Perëndisë me gëzim.’ (2. Korintasve 1:1) Çfarë fryme e përulur!
7. Çfarë kuptojnë pleqtë e përulur mbi rolin e tyre në kongregacion dhe çfarë besimi kanë ata te bashkëpunëtorët e tyre?
7 ‘Dhuratat në njerëz’ sot kanë të njëjtën punë. Ata janë ‘bashkëpunëtorë të gëzimit tonë’. Pleqtë e përulur e kuptojnë se nuk u përket atyre të vendosin se sa janë në gjendje të bëjnë të tjerët në shërbimin e Perëndisë. Ata e dinë se ndonëse mund t’i inkurajojnë të tjerët që të zgjerojnë ose të përmirësojnë shërbimin ndaj Perëndisë, ky shërbim duhet të burojë nga një zemër e gatshme. (Krahaso 2. Korintasve 9:7.) Ata janë të bindur se nëse bashkëpunëtorët e tyre janë të gëzuar, do të bëjnë gjithçka munden në shërbim. Prandaj, dëshira e tyre e sinqertë është që t’i ndihmojnë vëllezërit për t’i ‘shërbyer Jehovait me gëzim’.—Psalmi 100:2, BR.
I ndihmojnë të gjithë që të shërbejnë me gëzim
8. Në cilat mënyra pleqtë mund t’i ndihmojnë vëllezërit për t’i shërbyer Jehovait me gëzim?
8 Pleq, si mund t’i ndihmoni vëllezërit tuaj që të shërbejnë me gëzim? Mund t’i inkurajoni me shembullin personal. (1. Pjetrit 5:3) Lini që të bëhet i dukshëm zelli dhe gëzimi juaj në shërbim dhe të tjerët mund të marrin zemër për të imituar shembullin tuaj. Lavdërojini të tjerët për përpjekjet që kanë bërë me gjithë shpirt. (Efesianëve 4:29) Lavdërimi me sinqeritet dhe me ngrohtësi i ndihmon ata që të ndihen të dobishëm dhe të nevojshëm. I inkurajon delet që të duan të bëjnë më të mirën e tyre për t’i shërbyer Perëndisë. Shmangni krahasimet e pafavorshme. (Galatasve 6:4) Krahasime të tilla kanë prirjen të shkurajojnë në vend se t’i motivojnë të tjerët për t’u përmirësuar. Përveç kësaj, delet e Jehovait janë individë me rrethana dhe aftësi të ndryshme. Ashtu si Pavli, shprehni besim te vëllezërit tuaj. Dashuria «beson çdo gjë», prandaj edhe ne bëjmë mirë të besojmë se vëllezërit tanë e duan Perëndinë dhe dëshirojnë t’i pëlqejnë atij. (1. Korintasve 13:7) Kur ‘u tregoni nderim të tjerëve’, i bëni të shfaqin cilësitë e tyre më të mira. (Romakëve 12:10) Të jeni të sigurt se kur delet inkurajohen dhe freskohen, pjesa më e madhe e tyre do të bëjnë gjithçka që munden për t’i shërbyer Perëndisë dhe do të gjejnë gëzim në këtë shërbim.—Mateu 11:28-30.
9. Cila pikëpamje mbi pleqtë e tjerë do të ndihmojë çdo plak që të shërbejë me gëzim?
9 Konsiderimi me përulësi i vetes si një «bashkëpunëtor» do të të ndihmojë ty që të shërbesh me gëzim dhe të çmosh dhuratat e veçanta të pleqve të tjerë. Çdo plak ka talentet dhe aftësitë e veta, të cilat mund t’i përdorë për dobinë e kongregacionit. (1. Pjetrit 4:10) Njëri mund të ketë dhuratën e mësimit. Një tjetër mund të jetë organizues i efektshëm. Një tjetri akoma mund t’i afrohesh në mënyrë të veçantë pa ndrojtje, sepse është i përzemërt dhe i dhembshur. Fakti është se asnjë plak nuk i ka të gjitha dhuratat në të njëjtën masë. Mos ndoshta pasja e një dhurate të veçantë, le të themi e dhuratës së mësimit, e bën një plak të jetë më lart se një tjetër? Kurrsesi! (1. Korintasve 4:7) Nga ana tjetër, nuk duhet të kemi zili dhuratën që ka një tjetër ose të ndiejmë se na mungon diçka kur aftësia e një plaku tjetër i sjell atij lavdërime prej të tjerëve. Mos harro, edhe ti ke dhurata të cilat Jehovai i sheh te ti. Ai mund të të ndihmojë për t’i kultivuar këto dhurata dhe për t’i përdorur në dobi të vëllezërve të tu.—Filipianëve 4:13.
‘Jini të bindur dhe të nënshtruar’
10. Përse është më se e përshtatshme të shprehim çmueshmëri për ‘dhuratat në njerëz’?
10 Kur marrim një dhuratë, është më se e përshtatshme të shprehim çmueshmërinë tonë. Në Kolosianëve 3:15 thuhet: «Jini mirënjohës.» Ç’të themi atëherë për ‘dhuratat në njerëz’, këtë dhuratë të çmuar që na ka dhënë Jehovai? Sigurisht, në radhë të parë i jemi mirënjohës Jehovait, Dhuruesit bujar. Por, ç’të themi për vetë ‘dhuratat në njerëz’? Në ç’mënyrë mund të tregojmë se i çmojmë ata?
11. (a) Si mund ta shfaqim çmueshmërinë për ‘dhuratat në njerëz’? (b) Cila është domethënia e shprehjeve «jini të bindur» dhe «jini të nënshtruar»?
11 Mund ta shfaqim çmueshmërinë tonë për ‘dhuratat në njerëz’, duke qenë të shpejtë për t’ua vënë veshin këshillave dhe vendimeve të tyre të bazuara në Bibël. Bibla na këshillon: «Jini të bindur ndaj atyre që po marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, sepse ata po vigjilojnë mbi shpirtrat tuaj, si ata që do të japin llogari, në mënyrë që këtë ta bëjnë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» (Hebrenjve 13:17, BR) Vëreni se ne duhet jo vetëm ‘të jemi të bindur’, por edhe ‘të jemi të nënshtruar’ ndaj atyre që marrin drejtimin. Fjala greke e përkthyer «ji i nënshtruar», fjalë për fjalë do të thotë «ji i përkulshëm nën». Duke komentuar mbi shprehjet «jini të bindur» dhe «jini të nënshtruar», studiuesi biblik R. C. H. Lenski thotë: «Një person bindet kur është dakord me atë që i thuhet të bëjë, kur është i bindur për korrektësinë dhe përfitimin e asaj që do të bëjë; një person përkulet . . . kur ka një opinion të kundërt.» Kur e kuptojmë dhe jemi dakord me direktivën e atyre që marrin drejtimin, bindja mund të jetë e lehtë. Por, ç’ndodh nëse nuk e kuptojmë arsyen që gjendet pas një vendimi të veçantë?
12. Pse duhet të jemi të nënshtruar ose të përkulshëm edhe kur nuk e kuptojmë plotësisht arsyen që gjendet pas një vendimi të veçantë?
12 Pikërisht në këtë rast mund të na duhet të jemi të nënshtruar ose të përkulshëm. Pse? E para e punës, ne duhet të besojmë se këta burra të kualifikuar frymësisht kanë për zemër interesat tona më të mira. Në fund të fundit, ata e dinë mirë se duhet t’i japin llogari Jehovait për delet që u janë besuar nën kujdes. (Jakovit 3:1) Përveç kësaj, bëjmë mirë të kujtojmë se mund të mos i dimë të gjitha faktet konfidenciale që i kanë çuar ata në një vendim të bazuar mbi njohurinë.—Proverbat 18:13.
13. Çfarë mund të na ndihmojë për të qenë të nënshtruar kur bëhet fjalë për vendimet gjyqësore të pleqve?
13 Por, ç’të themi për nënshtrimin kur bëhet fjalë për vendime gjyqësore? Kuptohet që kjo mund të mos jetë e lehtë, veçanërisht nëse merret vendimi për të përjashtuar dikë që e kemi për zemër, ndoshta një të afërm ose një mik të ngushtë. Edhe në këtë rast më e mira është të përkulemi ndaj gjykimit të ‘dhuratave në njerëz’. Ata kanë mundësi të jenë më objektivë se ne dhe mund të dinë më shumë fakte. Këta vëllezër shpesh janë në ankth për këto vendime, pasi është një përgjegjësi e madhe të ‘gjykosh për Jehovain’. (2. Kronikave 19:6) Ata bëjnë të gjitha përpjekjet për të qenë të mëshirshëm, sepse janë të ndërgjegjshëm që Perëndia është ‘i gatshëm të falë’. (Psalmi 86:5) Por, gjithashtu, ata duhet ta mbajnë të pastër kongregacionin e për këtë arsye Bibla udhëzon që t’i përjashtojnë keqbërësit e papenduar. (1. Korintasve 5:11-13) Në shumë raste, vetë keqbërësi e pranon këtë vendim. Disiplina mund të jetë tamam ajo që duhet për ta sjellë atë në vete. Nëse ne, si personat e afërt të tij, jemi të nënshtruar ndaj këtij vendimi, mund të jemi duke e ndihmuar që të nxjerrë dobi nga disiplina.—Hebrenjve 12:11.
«Jepuni më shumë se konsideratë të jashtëzakonshme»
14, 15. (a) Sipas 1. Selanikasve 5:12, 13, pse pleqtë e meritojnë konsideratën tonë? (b) Pse mund të thuhet që pleqtë po ‘punojnë shumë mes nesh’?
14 Mund ta shprehim çmueshmërinë tonë për ‘dhuratat në njerëz’ edhe duke u treguar konsideratë. Kur i shkroi kongregacionit në Selanik, Pavli i këshilloi pjesëtarët e tij: ‘Kini vlerësim për ata që po punojnë shumë mes jush, që drejtojnë mbi ju në Zotërinë e që ju nxitin dhe . . . jepuni më shumë se konsideratë të jashtëzakonshme në dashuri, për shkak të punës së tyre.’ (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:12, 13, BR) A nuk i përshkruan më së miri shprehja «punojnë shumë», pleqtë e devotshëm që me altruizëm e ofrojnë vetveten për dobinë tonë? Shqyrto për një moment peshën e rëndë që mbajnë këta vëllezër të dashur.
15 Në shumë raste ata janë familjarë që duhet të punojnë për të siguruar gjërat materiale për familjen e tyre. (1. Timoteut 5:8) Nëse plaku ka fëmijë, këta kanë nevojë për kohë dhe vëmendje nga babai i tyre. Atij mund t’i duhet t’i ndihmojë në detyrat e shtëpisë, si edhe të programojë pak kohë që fëmijët të harxhojnë energjinë e tyre rinore në zbavitje të shëndetshme. (Predikuesi [Eklisiastiu] 3:1, 4) Por, më e rëndësishmja, ai kujdeset për nevojat frymore të familjes së tij, duke drejtuar rregullisht një studim biblik familjar, duke punuar me ta në shërbimin në fushë dhe duke i marrë me vete në mbledhjet e krishtere. (Ligji i përtërirë 6:4-7; Efesianëve 6:4) Le të mos harrojmë se përveç këtyre përgjegjësive që janë të zakonshme për shumicën prej nesh, pleqtë kanë edhe detyra të tjera, si: përgatitjen për pjesët e mbledhjeve, bërjen e vizitave baritore, kujdesjen për mirëqenien frymore të kongregacionit dhe, kur është e nevojshme, trajtimin e çështjeve gjyqësore. Disa prej tyre kanë edhe përgjegjësi shtesë në lidhje me asambletë qarkore, kongreset krahinore, ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe Komitetet e Lidhjes me Spitalet. Vërtet, këta vëllezër po «punojnë shumë»!
16. Përshkruaj disa mënyra në të cilat mund të tregojmë konsideratë për pleqtë.
16 Si mund të tregojmë konsideratë ndaj tyre? Një proverb biblik thotë: «Sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!» (Proverbat 15:23; 25:11) Prandaj, fjalët e çmueshmërisë së sinqertë dhe të inkurajimit mund t’u tregojnë atyre se nuk e konsiderojmë si diçka të zakonshme punën e tyre të rëndë. Gjithashtu, duhet të jemi të arsyeshëm në atë që presim prej tyre. Nga ana tjetër, duhet të ndihemi të lirë t’u afrohemi për ndihmë. Mund të ketë periudha kur ‘vetë zemra jonë është në dhimbje të madhe’ dhe kemi nevojë për inkurajim, udhëheqje ose këshilla biblike nga ata që janë «të kualifikuar për të mësuar» Fjalën e Perëndisë. (Psalmi 55:4, BR; 1. Timoteut 3:2, BR) Në të njëjtën kohë, duhet të mbajmë në mend se një plak ka vetëm një sasi kohe për të na e kushtuar, sepse nuk mund të lërë pas dore nevojat e familjes së tij ose të të tjerëve në kongregacion. Duke pasur «ndjenja të përbashkëta» për këta vëllezër punëtorë, ne nuk do të duam t’u bëjmë kërkesa të paarsyeshme. (1. Pjetrit 3:8, BR) Përkundrazi, le të çmojmë çfarëdo sasi kohe dhe vëmendjeje që ata mund të na kushtojnë në mënyrë të arsyeshme.—Filipianëve 4:5.
17, 18. Çfarë sakrificash po bëjnë shumë gra, burrat e të cilave janë pleq dhe si mund të tregojmë se nuk e konsiderojmë diçka të zakonshme sakrificën e këtyre motrave besnike?
17 Ç’të themi për gratë e pleqve? A nuk e meritojnë edhe ato konsideratën tonë? Në fund të fundit, ato po e ndajnë burrin e tyre me kongregacionin. Shpesh, kjo gjë kërkon sakrifica nga ana e tyre. Herë pas here, pleqtë duhet t’i kalojnë orët e mbrëmjes duke u kujdesur për çështjet e kongregacionit, kur mund ta kalonin atë kohë me familjen e tyre. Në shumë kongregacione, gratë e krishtere besnike po i bëjnë me gatishmëri këto sakrifica, në mënyrë që burrat e tyre të mund të kujdesen për delet e Jehovait.—Krahaso 2. Korintasve 12:15.
18 Si mund të tregojmë ne se nuk e konsiderojmë si diçka të zakonshme sakrificën e këtyre motrave besnike të krishtere? Sigurisht, duke mos qenë kërkues në mënyrë të paarsyeshme në lidhje me burrat e tyre. Por të mos harrojmë edhe fuqinë e fjalëve të thjeshta të çmueshmërisë. Në Proverbat 16:24 thuhet: «Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.» Shqyrto një përvojë. Pas një mbledhjeje të krishterë, një çift iu afrua një plaku dhe i kërkoi të flitnin për djalin e tyre adoleshent. Ndërsa plaku fliste me çiftin, gruaja e tij priste me durim. Pas bisedës, e ëma e djalit iu afrua gruas së plakut dhe i tha: «Doja të të falënderoja për kohën që gjeti burri yt për të ndihmuar familjen time.» Këto fjalë të thjeshta e të ëmbla çmueshmërie ia prekën vërtet zemrën gruas së atij plaku.
19. (a) Cilat qëllime po përmbushin me besnikëri pleqtë si një grup? (b) Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë të gjithë ne?
19 Masa që ka marrë Jehovai, duke dhënë pleq që të kujdesen për delet e tij, është një nga ‘dhuratat e mira’ të tij. (Jakovit 1:17, BR) Kuptohet, këta burra nuk janë të përsosur dhe bëjnë gabime, ashtu si edhe ne. (1. Mbretërve 8:46) Megjithatë, si një grup, pleqtë nëpër kongregacione në mbarë botën po përmbushin me besnikëri qëllimet që kishte ndër mend Jehovai për ta, domethënë të ndreqin, të ndërtojnë, të bashkojnë dhe të mbrojnë kopenë. Çdo plak zgjedhtë të vazhdojë të kujdeset për delet e Jehovait me butësi, duke provuar në këtë mënyrë se është një dhuratë ose një bekim për vëllezërit e tij! Gjithashtu, të gjithë ne le të jemi të vendosur të tregojmë çmueshmërinë tonë për ‘dhuratat në njerëz’, duke iu bindur atyre, duke iu nënshtruar, si edhe duke treguar konsideratë për punën e tyre të rëndë! Sa mirënjohës mund të jemi që me dashuri Jehovai ka siguruar burra, që në fakt, u thonë deleve të tij: ‘Puna jonë është t’ju ndihmojmë që t’i shërbeni Perëndisë me gëzim!’
Si do të përgjigjesh?
◻ Pse kongregacioni mund të krahasohet në mënyrë të përshtatshme me një trup?
◻ Si mund t’i ndihmojnë pleqtë vëllezërit e tyre, që t’i shërbejnë Jehovait me gëzim?
◻ Pse duhet të jemi jo vetëm të bindur, por edhe të nënshtruar ndaj atyre që marrin drejtimin?
◻ Në cilat mënyra mund të tregojmë konsideratë për pleqtë?
[Figura në faqen 16]
Pleq, lavdërojini të tjerët për përpjekjet që bëjnë me gjithë shpirt
[Figura në faqen 17]
Me anë të shembullit të tyre të zellshëm në shërbim, pleqtë mund të ndihmojnë pjesëtarët e familjes dhe të tjerët për të shërbyer me gëzim
[Figurat në faqen 18]
Ne i çmojmë pleqtë tanë punëtorë!