Mos u dorëzo në garën për jetë!
«Le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»—HEBRENJVE 12:1, BR.
1, 2. Çfarë ngjarjesh emocionuese kanë drithëruar shërbëtorët e Jehovait gjatë këtyre ditëve të fundit?
JETOJMË në kohë emocionuese dhe me sfida. Më shumë se 80 vjet më parë, në vitin 1914, Jezui hipi në fron si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë. «Dita e Zotërisë» dhe bashkë me të «koha e fundit» e këtij sistemi gjërash, filloi. (Zbulesa 1:10; Danieli 12:9, BR) Që atëherë, gara e krishterë për jetë ka marrë një urgjencë në rritje. Shërbëtorët e Perëndisë e kanë ushtruar veten në mënyrë të fuqishme për të ecur në një hap me karrocën qiellore të Jehovait, organizatën e tij qiellore, e cila po lëviz pa u ndalur, për të përmbushur qëllimet e Jehovait.—Ezekieli 1:4-28; 1. Korintasve 9:24.
2 A ka gjetur gëzim populli i Jehovait, ndërsa ‘vrapon në garën’ drejt jetës së përhershme? Në të vërtetë, po! Ata drithërohen tek shohin grumbullimin e atyre që kanë mbetur nga vëllezërit e Krishtit dhe gëzohen tek kuptojnë se vulosja përfundimtare e të mbeturve nga 144.000-t është pranë plotësimit. (Zbulesa 7:3, 4) Për më tepër, ata emocionohen tek shquajnë faktin që Mbreti i emëruar i Jehovait ka futur drapërin e tij për të korrur «të korrën e tokës». (Zbulesa 14:15, 16, BR) Çfarë e korre është ajo! (Mateu 9:37) Deri më sot, janë grumbulluar më shumë se pesë milion shpirtra: «një shumicë e madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbulesa 7:9, BR) Askush nuk mund ta thotë se sa e madhe do të jetë përfundimisht ajo shumicë, pasi askush nuk është në gjendje ta numërojë.
3. Pavarësisht nga çfarë duhet të përpiqemi gjithmonë të kultivojmë një frymë të gëzueshme?
3 Vërtet, Satanai përpiqet të na pengojë apo të na ngadalësojë, ndërsa shpejtojmë në garë. (Zbulesa 12:17) Nuk ka qenë e lehtë të vazhdojmë të vrapojmë përmes luftërave, zive të bukës, murtajave dhe të gjitha vështirësive të tjera që shënojnë kohën e fundit. (Mateu 24:3-9; Luka 21:11; 2. Timoteut 3:1-5) Megjithatë, zemrat tona brofin nga gëzimi, ndërsa fundi i garës afrohet. Ne përpiqemi të pasqyrojmë frymën që Pavli i nxiti të kishin bashkë të krishterët në kohën e tij: «Gëzohuni gjithnjë në Zotërinë! Edhe një herë do ta them: Gëzohuni!»—Filipianëve 4:4, BR.
4. Ç’lloj fryme u manifestua nga të krishterët filipianë?
4 Nuk ka dyshim që të krishterët, të cilëve Pavli u drejtoi këto fjalë, po gjenin gëzim në besimin e tyre, sepse Pavli u tha: «Vazhdoni të gëzoheni në Zotërinë!» (Filipianëve 3:1, BR) Filipianët ishin një kongregacion bujar dhe i dashur, që shërbente me zell dhe entuziazëm. (Filipianëve 1:3-5; 4:10, 14-20) Por jo të gjithë të krishterët e shekullit të parë kishin atë frymë. Për shembull, disa prej të krishterëve hebrenj, të cilëve Pavli u shkroi librin e Hebrenjve, ishin një shkak për shqetësim.
«T’u kushtojmë më tepër se një vëmendje të zakonshme»
5. (a) Çfarë fryme patën të krishterët hebrenj, kur u formua kongregacioni i parë i krishterë? (b) Përshkruaj frymën e disa të krishterëve hebrenj rreth vitit 60 të e.s.
5 Kongregacioni i parë i krishterë në historinë botërore, përbëhej nga hebrenj natyrorë e nga prozelitë dhe u themelua në Jerusalem, në vitin 33 të e.s. Ç’lloj fryme kishte ai? Për dikë do të duhej vetëm të lexonte kapitujt e parë të librit të Veprave, që të mësonte rreth entuziazmit dhe gëzimit të tij, megjithë persekutimin. (Veprat 2:44-47; 4:32-34; 5:41; 6:7) Megjithatë, ndërsa dekadat kalonin, gjërat ndryshuan dhe me sa duket shumë të krishterë hebrenj u ngadalësuan në garën për jetë. Në lidhje me situatën e tyre, që ekzistonte rreth vitit 60 të e.s., një vepër referimi thotë kështu: «Një gjendje plogështie dhe kapitjeje, gjërash të pritura të papërmbushura, shpresash të shtyra për më vonë, dështimi të vetëdijshëm dhe mungese besimi në gjërat e jetës së përditshme. Ata ishin të krishterë, por kishin çmueshmëri të paktë për lavdinë e thirrjes së tyre.» Si mundën të binin të krishterët e mirosur në një gjendje të tillë? Një shqyrtim i disa pjesëve të letrës së Pavlit drejtuar hebrenjve (shkruar rreth vitit 61 të e.s.), na ndihmon t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Një shqyrtim i tillë do të na ndihmojë të gjithëve ne sot, që të shmangim zhytjen në një gjendje të ngjashme të dobët frymore.
6. Cilat janë disa ndryshime ndërmjet adhurimit nën Ligjin e Moisiut dhe adhurimit të bazuar te besimi në Jezu Krishtin?
6 Të krishterët hebrenj dolën nga judaizmi, një sistem që deklaronte se i bindej Ligjit që dha Jehovai nëpërmjet Moisiut. Duket se ai Ligj ka vazhduar të kishte në vetvete një tërheqje për shumë të krishterë hebrenj, ndoshta sepse për shumë shekuj kishte qenë e vetmja mënyrë për t’iu afruar Jehovait dhe ishte një sistem adhurimi mbreslënës, me një priftëri, me flijime të rregullta dhe një tempull me famë botërore, që ndodhej në Jerusalem. Krishterimi është ndryshe. Ai kërkon një pikëpamje frymore, si ajo e Moisiut, i cili «shikonte me kujdes drejt pagimit të shpërblerjes [ende të ardhshme]» dhe «vazhdoi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm». (Hebrenjve 11:26, 27, BR) Me sa duket shumë të krishterëve hebrenj u mungonte një pikëpamje e tillë frymore. Ata po çalonin, në vend se të vraponin në një mënyrë të vendosur.
7. Si mund të ndikojë sistemi prej të cilit kemi dalë, në mënyrën se si vrapojmë në garën për jetë?
7 A ekziston sot një situatë e ngjashme? S’diskutohet që gjërat nuk janë tamam njësoj. Megjithatë, të krishterët dalin nga një sistem gjërash që mburret për gjëra të mëdha. Bota ofron mundësi nxitëse, por në të njëjtën kohë, u vë barrë të rënda njerëzve. Veç kësaj, shumë prej nesh jetojnë në vende ku është i zakonshëm një qëndrim skeptik dhe ku njerëzit kanë një mënyrë trajtimi të gjërave egoiste, prej «uni». Nëse ia lejojmë vetes të influencohemi nga një sistem i tillë, ‘sytë e zemrës sonë’ mund të vishen lehtë. (Efesianëve 1:18, BR) Si do të vrapojmë mirë në garën për jetë, nëse nuk mundim më të shquajmë qartë se ku po shkojmë?
8. Cilat janë disa mënyra në të cilat krishterimi ka epërsi në krahasim me adhurimin nën Ligj?
8 Që t’i stimulonte të krishterët judenj, Pavli u kujton epërsinë e sistemit të krishterë në krahasim me Ligjin e Moisiut. Vërtet që kur kombi i Izraelit mishor përbënte popullin e Jehovait nën Ligj, Jehovai i foli me anë të profetëve të frymëzuar. Por, Pavli thotë se sot ai flet «me anë të një Biri, të cilin e emëroi trashëgimtar të të gjitha gjërave dhe nëpërmjet të cilit bëri sistemet e gjërave». (Hebrenjve 1:2, BR) Përveç kësaj, Jezui është më i madh se të gjithë mbretërit e linjës së Davidit, «shokët» e tij. Ai është madje më i lartë se engjëjt.—Hebrenjve 1:5, 6, 9.
9. Pse ne, ashtu si të krishterët hebrenj të kohës së Pavlit, duhet t’i kushtojmë «më tepër se një vëmendje të zakonshme» asaj që thotë Jehovai?
9 Prandaj, Pavli i këshilloi të krishterët hebrenj: «Për ne është e domosdoshme t’u kushtojmë më tepër se një vëmendje të zakonshme gjërave të dëgjuara nga ne, që të mos rrëzohemi kurrë.» (Hebrenjve 2:1, BR) Megjithëse të mësoje rreth Krishtit ishte një bekim i mrekullueshëm, nevojitej më shumë se kaq. Ata duhej t’i kushtonin vëmendje të madhe Fjalës së Perëndisë, që të kundërvepronin ndaj influencës së botës judaike që i rrethonte. Edhe ne duhet t’i kushtojmë «më tepër se një vëmendje të zakonshme» asaj që thotë Jehovai, duke pasur parasysh propagandën e vazhdueshme që vjen nga kjo botë ndaj së cilës jemi të ekspozuar. Kjo do të thotë të zhvillojmë zakone të mira studimi dhe të mbajmë një program të mirë të leximit të Biblës. Siç tha më pas Pavli në letrën e tij drejtuar hebrenjve, kjo do të thotë, gjithashtu, të jemi të rregullt në ndjekjen e mbledhjeve dhe në shpalljen e besimit tonë të tjerëve. (Hebrenjve 10:23-25) Një aktivitet i tillë do të na ndihmojë të qëndrojmë syhapur frymësisht, që të mos humbim nga sytë shpresën tonë të lavdishme. Nëse e mbushim mendjen tonë me mendimet e Jehovait, nuk do të mposhtemi apo nuk do të humbasim ekuilibrin nga asgjë që mund të na bëjë kjo botë.—Psalmi 1:1-3; Proverbat (Fjalët e urta) 3:1-6.
«Vazhdoni të nxitni njëri-tjetrin»
10. (a) Çfarë mund t’i ndodhë atij që nuk i kushton më tepër se një vëmendje të zakonshme Fjalës së Jehovait? (b) Si mund të ‘vazhdojmë të nxitim njëri-tjetrin’?
10 Nëse nuk u kushtojmë vëmendje të madhe gjërave frymore, premtimet e Perëndisë mund të duken fare mirë jo reale. Kjo ndodhi madje edhe në shekullin e parë, kur kongregacionet ishin të përbëra krejtësisht nga të krishterë të mirosur dhe kur disa prej apostujve ishin ende gjallë. Pavli i paralajmëroi hebrenjtë: «Ruhuni, vëllezër, nga frika se mos zhvillohet te ndonjëri prej jush një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, por vazhdoni të nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, derisa ajo të quhet ‘Sot’, nga frika se mos ndonjë nga ju ngurtësohet prej fuqisë mashtruese të mëkatit.» (Hebrenjve 3:12, 13, BR) Shprehja «ruhuni» e Pavlit, thekson nevojën për të qenë vigjilentë. Na kërcënohet një rrezik! Një mungesë besimi, «mëkati», mund të zhvillohet në zemrat tona dhe mund të largohemi nga Perëndia, në vend se t’i afrohemi më shumë atij. (Jakovit 4:8) Pavli na kujton që ‘të vazhdojmë të nxitim njëri-tjetrin’. Ne kemi nevojë për ngrohtësinë e shoqërisë vëllazërore. «Ai që izolohet, do të kërkojë dëshirën e vet të zjarrtë egoiste, do të shpërthejë kundër çdo mençurie praktike.» (Proverbat 18:1, BR) Nevoja për një shoqëri të tillë i nxit sot të krishterët që të jenë të rregullt në frekuentimin e mbledhjeve të kongregacionit, asambleve dhe kongreseve.
11, 12. Pse nuk duhet të jemi të kënaqur me njohjen thjesht të doktrinave bazë të krishtere?
11 Më pas, në letrën e tij Pavli jep këtë këshillë të mëtejshme të paçmueshme: «Megjithëse, duke pasur parasysh kohën, ju duhet të jeni mësues, keni përsëri nevojë për dikë që t’ju mësojë që nga fillimi gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë dhe jeni bërë persona të tillë që keni nevojë për qumësht, jo për ushqim të fortë. . . . Ushqimi i fortë i përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë të stërvitura aftësitë e tyre perceptuese, për të dalluar si të drejtën, ashtu dhe të gabuarën.» (Hebrenjve 5:12-14, BR) Me sa duket, disa të krishterë hebrenj nuk kishin shkuar përpara në kuptueshmëri. Ata kishin qenë të ngadaltë në pranimin e dritës së shtuar në lidhje me Ligjin dhe rrethprerjen. (Veprat 15:27-29; Galatasve 2:11-14; 6:12, 13) Ndoshta disa i vlerësonin ende praktika të tilla tradicionale si Sabatin javor dhe Ditën solemne vjetore të Shlyerjes.—Kolosianëve 2:16, 17; Hebrenjve 9:1-14.
12 Prandaj, Pavli thotë: «Tani që e kemi lënë doktrinën fillestare në lidhje me Krishtin, le të vazhdojmë drejt pjekurisë.» (Hebrenjve 6:1, BR) Një vrapues në një maratonë, i cili i kushton vëmendje të madhe dietës së tij, është më shumë në gjendje të durojë në garën e gjatë dhe rraskapitëse. Ngjashëm, një i krishterë që i kushton vëmendje të madhe ushqyerjes frymore, duke mos u kufizuar me ‘doktrinat fillestare’ bazë, do të jetë më shumë në gjendje të qëndrojë në garën e vrapimit dhe ta përfundojë atë. (Krahaso 2. Timoteut 4:7.) Kjo do të thotë të zhvillosh interesin për «gjerësinë, gjatësinë, lartësinë dhe thellësinë» e së vërtetës, duke përparuar kështu drejt pjekurisë.—Efesianëve 3:18, BR.
«Keni nevojë për qëndrueshmëri»
13. Si e kishin demonstruar të krishterët hebrenj besimin e tyre në kohët e kaluara?
13 Në periudhën menjëherë pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., të krishterët hebrenj qëndruan të vendosur, megjithë kundërshtimin e egër. (Veprat 8:1) Ndoshta Pavli pati këtë gjë ndër mend, kur shkroi: «Vazhdoni të kujtoni ditët e mëparshme në të cilat, pasi ishit ndriçuar, duruat një ndeshje të madhe nën vuajtje.» (Hebrenjve 10:32, BR) Një qëndrueshmëri e tillë besimplotë, demonstroi dashurinë e tyre për Perëndinë dhe u dha atyre liri fjale para tij. (1. Gjonit 4:17) Pavli i nxit që të mos e flakin këtë liri, për shkak të mungesës së besimit. Ai u bën thirrje: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, që pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit. Sepse akoma ‘shumë pak kohë’ dhe ‘ai që po vjen, do të mbërrijë dhe nuk do të vonojë’.»—Hebrenjve 10:35-37, BR.
14. Cilat fakte duhet të na ndihmojnë për të duruar, edhe pas shumë vjetësh shërbimi ndaj Jehovait?
14 Ç’të themi për ne sot? Shumica prej nesh, kur mësuam në fillim të vërtetën e krishterë, ishim të zellshëm. A e kemi ende atë zell? Apo e ‘lamë dashurinë që patëm në fillim’? (Zbulesa 2:4, BR) A jemi ftohur, ndoshta duke u zhgënjyer apo lodhur ca nga pritja e Harmagedonit? Megjithatë, le të ndalemi dhe të bëjmë një shqyrtim. E vërteta nuk është më pak e mrekullueshme sesa ishte më parë. Jezui është ende Mbreti ynë qiellor. Ne ende shpresojmë për jetën e përhershme në një tokë parajsore dhe ende kemi marrëdhënien tonë me Jehovain. Mos harro asnjëherë: «Ai që po vjen, do të mbërrijë dhe nuk do të vonojë.»
15. Ashtu si Jezui, si kanë duruar disa të krishterë një persekutim të hidhur?
15 Kështu që, fjalët e Pavlit të shkruara në Hebrenjve 12:1, 2, janë shumë të përshtatshme: «Le të heqim, gjithashtu, çdo peshë dhe mëkatin [mungesën e besimit] në të cilin ngecim lehtësisht dhe le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara, ndërsa shikojmë me kujdes Udhëheqësin Kryesor dhe Përsosësin e besimit tonë, Jezuin. Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë mundimesh, duke përbuzur turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» Në këto ditë të fundit, ka shumë gjëra që kanë duruar shërbëtorët e Perëndisë. Ashtu si Jezui, i cili qe besimplotë deri në pikën e një vdekjeje agonike, disa prej vëllezërve tanë dhe motrave tona, kanë duruar me besim të plotë persekutimin më të ashpër: kampet e burgimit, torturat, përdhunimin, madje edhe vdekjen. (1. Pjetrit 2:21) A nuk gufon zemra jonë nga dashuria për ta, kur shqyrtojmë integritetin e tyre?
16, 17. (a) Me çfarë sfidash të besimit të tyre ndeshet shumica e të krishterëve? (b) Duke kujtuar çfarë, do të ndihmohemi për të vazhduar të vrapojmë në garën për jetë?
16 Megjithatë, për shumicën e të krishterëve, aplikohen fjalët e mëtejshme të Pavlit: «Në bërjen e ndeshjes suaj kundër këtij mëkati, nuk keni rezistuar akoma deri në gjak.» (Hebrenjve 12:4, BR) Gjithsesi, në këtë sistem, rruga e së vërtetës nuk është e lehtë për asnjërin prej nesh. Disa i shkurajon «i foluri kundërshtues nga mëkatarët» në punët botërore apo në shkollë, duke duruar talljet apo duke i rezistuar presionit të mëkatit. (Hebrenjve 12:3, BR) Tundimi i fortë e ka gërryer vendosmërinë e disave për të mbajtur standardet e larta të Perëndisë. (Hebrenjve 13:4, 5) Apostatët kanë ndikuar në drejtpeshimin frymor të disa personave që dëgjojnë propagandën e tyre helmuese. (Hebrenjve 13:9) Problemet me personalitetin ua kanë grabitur të tjerëve gëzimin. Theksimi i tepërt i zbavitjes dhe aktiviteteve në kohën e lirë, i ka dobësuar disa të krishterë. Shumica ndihet e shtypur nga problemet e jetesës në këtë sistem gjërash.
17 Vërtet, asnjë prej këtyre situatave nuk përbën ‘rezistencë deri në gjak’ dhe disa prej tyre mund ta kenë burimin te vendimet e gabuara që marrim ne vetë. Por të gjitha ato i paraqesin një sfidë besimit tonë. Ja sepse duhet ta mbajmë syrin të përqendruar te shembulli i mrekullueshëm i qëndrueshmërisë së Jezuit. Le të mos harrojmë kurrë se sa e mrekullueshme është shpresa jonë. Le të mos e humbasim kurrë bindjen se Jehovai «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me zell». (Hebrenjve 11:6, BR) Atëherë, do të kemi forcën frymore për të vazhduar të vrapojmë në garën për jetë.
Ne mund të durojmë
18, 19. Cilat ngjarje historike lënë të kuptohet se të krishterët hebrenj në Jerusalem ia vunë veshin këshillave të frymëzuara të Pavlit?
18 Si iu përgjigjën të krishterët hebrenj letrës së Pavlit? Pothuajse gjashtë vjet pas shkrimit të letrës drejtuar hebrenjve, Judea ishte në luftë. Në vitin 66 të e.s., ushtria romake rrethoi Jerusalemin, duke përmbushur kështu fjalët e Jezuit: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i saj është afruar.» (Luka 21:20, BR) Megjithatë, për dobinë e të krishterëve, që në atë kohë do të ishin në Jerusalem, Jezui tha: «Atëherë, ata që janë në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata në mes të saj le të tërhiqen dhe ata në fshatra le të mos hyjnë në të.» (Luka 21:21, BR) Pra, lufta me Romën paraqiti një provë: A do ta braktisnin ata të krishterë hebrenj Jerusalemin, qendrën e adhurimit judaik dhe vendndodhjen e tempullit të lavdishëm?
19 Papritur dhe pa asnjë arsye të njohur, romakët u tërhoqën. Ka të ngjarë që hebrenjtë fetarë ta kenë konsideruar këtë si një dëshmi se Perëndia po e mbronte qytetin e tyre të shenjtë. Po të krishterët? Historia na thotë se ata ikën. Më pas, në vitin 70 të e.s., romakët u kthyen dhe e shkatërruan krejtësisht Jerusalemin me një humbje të tmerrshme jetësh. «Dita e Jehovait», e parathënë nga Joeli, kishte mbërritur në Jerusalem, por të krishterët besimplotë nuk ndodheshin më atje. Ata ‘u shpëtuan’.—Joeli 2:30-32, BR; Veprat 2:16-21.
20. Në cilat mënyra duhet të na nxitë dijenia se e madhja «ditë e Jehovait» është pranë?
20 Sot, ne e dimë se një tjetër «ditë e Jehovait» e madhe do të ndikojë së shpejti në të gjithë këtë sistem gjërash. (Joeli 3:12-14) Nuk e dimë se kur do të vijë ajo ditë. Por Fjala e Perëndisë na siguron se për të ardhur, do të vijë! Jehovai thotë se ajo nuk do të vonojë. (Habakuku 2:3; 2. Pjetrit 3:9, 10) Pra, le t’i «kushtojmë më tepër se një vëmendje të zakonshme gjërave të dëgjuara». Shmang mungesën e besimit, «mëkatin ku ngecim lehtësisht»! Ji i vendosur për të duruar, për aq kohë sa do të duhet. Mos harro, organizata e madhe qiellore e Jehovait, ngjashëm karrocës, është në lëvizje. Ajo do ta kryejë qëllimin e saj. Kështu pra, vazhdofshim të gjithë të vrapojmë dhe të mos dorëzohemi në garën për jetë!
A të kujtohet?
◻ Duke ia vënë veshin cilës nxitje të Pavlit drejtuar filipianëve, do të ndihmohemi të durojmë në garën për jetë?
◻ Çfarë do të na ndihmojë për të kundërvepruar ndaj tendencës së kësaj bote për të na shpërqendruar?
◻ Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të duruar në garë?
◻ Cilat janë disa gjëra që mund ta ngadalësojnë një të krishterë?
◻ Si mund të na ndihmojë shembulli i Jezuit për të duruar?
[Figura në faqet 8, 9]
Të krishterët, si vrapues, nuk duhet të lejojnë asgjë që t’i shpërqendrojë
[Figura në faqen 10]
Asgjë nuk mund ta pengojë karrocën e madhe qiellore të Jehovait të kryejë qëllimin e saj