Një botë më e mirë është afër!
«MALLI për parajsën është midis nostalgjive më të forta që duket se i shqetëson qeniet njerëzore. Ndoshta është më e fuqishme dhe më këmbëngulëse nga të gjitha. Në çdo nivel të jetës fetare është e dukshme një dëshirë e zjarrtë për parajsën»,—thotë The Encyclopedia of Religion.
Të gjitha kulturat duket se kanë të përbashkët dëshirën për të jetuar në një botë më të mirë, sikur të vajtonin një ideal fillestar që tashmë nuk ekziston më. Kjo sugjeron mundësinë e ekzistencës së një parajse origjinale, po ku? Një psikoanalist mund të thotë se kjo aspiratë zbulon dëshirën për të gjetur sigurinë e humbur në mitrën e nënës. Por ky shpjegim nuk i bind ata që studiojnë historinë fetare.
«Nostalgji për parajsën»—Përse?
Kjo nostalgji shërben ndoshta, sikurse sugjerojnë disa njerëz, vetëm për t’i bërë vështirësitë dhe natyrën kalimtare të ekzistencës njerëzore më të durueshme? Apo ka ndonjë shpjegim tjetër?
Pse njerëzimi ka mall për një botë më të mirë? Bibla na jep një shpjegim sa të qartë aq edhe të thjeshtë: sepse njerëzimi vjen nga një botë më e mirë! Një parajsë origjinale ka ekzistuar me të vërtetë. Fjala e Perëndisë e përshkruan atë si «një kopsht», të vendosur në një rajon të veçantë në Lindjen e Mesme, i bekuar me «lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t’u ngrënë». Perëndia ia besoi atë kujdesit të çiftit të parë njerëzor. (Zanafilla 2:7-15) Ishte një mjedis ideal, në të cilin qeniet njerëzore do të kishin qenë me të vërtetë të lumtura.
Përse nuk u ruajtën këto kushte parajsore? Për shkak të rebelimit, së pari të një krijese frymore dhe pastaj të çiftit njerëzor. (Zanafilla 2:16, 17; 3:1-6, 17-19) Kështu, njeriu humbi jo vetëm parajsën, por edhe përsosmërinë, shëndetin dhe jetën e pafundme. Kushtet që vijuan sigurisht që nuk e përmirësuan jetën njerëzore. Përkundrazi, ajo sa vinte dhe keqësohej më tepër derisa arriti kulmin në ditët tona.—Eklisiastiu 3:18-20; Romakëve 5:12; 2. Timoteut 3:1-5,13.
Kërkimi i parajsës—Historia e një ideje
Siç mund të imagjinohet, «nostalgjia për parajsën» ka një histori shumë të gjatë. Sumerianët kujtonin kohën në të cilën në të gjithë universin mbretëronte harmonia. «Nuk kishte frikë, terror, njeriu nuk kishte rivalë . . . I gjithë universi, njerëzit në harmoni, i këndonin lavdi Enlilit në një gjuhë të vetme»,—thotë një poemë e lashtë mesopotamike. Disa, ashtu si egjiptianët e lashtë, shpresonin të arrinin një botë më të mirë pas vdekjes. Ata besonin se një shpirt i pavdekshëm arrinte fushat e Aarusë. Por të paktën në një kohë të hershme, kjo shpresë vlente vetëm për aristokracinë, ndërsa të varfrit nuk guxonin as edhe të ëndërronin një botë të drejtë.
Në një zonë tjetër fetare, hindusët kanë shekuj që presin ardhjen e një epoke (yuga) më të mirë. Sipas mësimeve të hinduizmit, përsëriten në mënyrë të vazhdueshme katër yuga dhe aktualisht jemi duke jetuar në më të keqen. Mjerisht, kjo Kali Yuga (epokë e errët), me të gjitha vuajtjet dhe pandershmëritë e saj, do të zgjasë plot 432.000 vjet. Por, megjithatë hindusët besnikë presin epokën e artë, Krita Yugan.
Nga ana tjetër, grekët dhe romakët ëndërronin të arrinin Ishujt fatlumë mitikë në Oqeanin Atlantik. Edhe shumë shkrimtarë si Hesiodi, Virgjili dhe Ovidi folën për një epokë të artë të mrekullueshme fillestare, duke shpresuar se një ditë do të kthehej përsëri. Nga fundi i shekullit të parë p.e.s., poeti latin Virgjili paratha ardhjen e pashmangshme të një aurea aetas (epokë të artë) të re dhe të fundit. Në shekujt në vazhdim, «të paktën gjashtëmbëdhjetë perandorë romakë pretendonin se mbretëria e tyre kishte rivendosur Epokën e artë»,—thotë The Encyclopedia of Religion. Por siç e dimë mirë sot, kjo ishte vetëm një propagandë politike.
Ndërsa shumë keltë shpresonin në një tokë të shkëlqyer në një ishull (ose në një arkipelag) përtej detit, në të cilin siç besonin ata, njerëzit jetonin në lumturi të përsosur. Sipas një legjende, mbreti Artur, megjithëse i plagosur për vdekje, vazhdoi të jetonte pasi gjeti ishullin e mrekullueshëm të quajtur Avalon.
Në kohët e lashta dhe në Mesjetë shumë njerëz mendonin se një kopsht i vërtetë që të jepte kënaqësi, kopshti i Edenit vazhdonte të ekzistonte diku, «në majë të një mali të paarritshëm ose përtej një oqeani të pakapërcyeshëm»,—shpjegon historiani Zhan Delymo. Poeti italian Dante, megjithëse besonte në parajsën qiellore, imagjinonte se në majën e malit të purgatorit të tij, në antipodet e qytetit të Jeruzalemit ekzistonte akoma një parajsë tokësore. Disa besonin se ajo mund të gjendej në Azi, në Mesopotami, ose në malet Himalaje. Dhe legjendat mesjetare për parajsën e Edenit, vinin e bëheshin gjithnjë e më shumë. Shumë besonin se afër kësaj parajse gjendej një mbretëri përrallore që sundohej nga prifti besimtar, Gjoni. Falë afërsisë së parajsës tokësore, jeta në mbretërinë e «priftit Gjon» supozohej të ishte e gjatë dhe e lumtur, një pranverë e përjetshme bollëku dhe pasurie. Të tjerët, duke kujtuar legjendat e lashta greke, akoma mendonin se ishujt e parajsës mund të gjendeshin në Atlantik. Hartat mesjetare tregonin sigurinë e besimit të tillë në ekzistencën e kopshtit të Edenit, megjithëse e shënonin atë si një vend të supozuar.
Në shekujt e 15-të dhe 16-të, lundruesit që përshkonin Atlantikun ishin në fakt në kërkimin e një bote të re dhe të lashtë në të njëjtën kohë. Ata mendonin se në anën tjetër të oqeanit do të gjenin jo vetëm Indinë, por edhe kopshtin e Edenit. Kristofor Kolombi, për shembull, e kërkonte atë midis maleve të vendeve të buta tropikale të Amerikës së Jugut dhe asaj Qendrore. Zbuluesit evropianë që arritën në Brazil ishin të sigurt që parajsa e humbur duhej të ishte atje për shkak të klimës së butë dhe bollëkut në ushqime dhe bimësi. Megjithatë, shpejt do të njihnin realitetin e zymtë.
Utopitë—Vende ideale?
Në vend që të pëpiqeshin të përcaktonin botën ideale në disa pjesë të largëta të tokës, të tjerët janë përpjekur ta formojnë atë. Kështu, në vitin 1516, humanisti anglez Tomas Mor e përshkroi ishullin Utopia, si një vend të mrekullueshëm, paqësor dhe tolerant, një thirrje e largët nga bota e ulët që ai njihte. Edhe të tjerët janë përpjekur të formojnë botë më të mira, më të drejta: në shekullin e gjashtë p.e.s., Platoni me Republikën e tij; në vitin 1602, murgu italian Tomaso Kampanella me Qytetin e Diellit lartësisht të organizuar; vetëm pak vite më vonë, filozofi anglez Frensis Bekoni tregoi «lumturinë dhe lulëzimin e patundshëm» të Atlantidës së Re. Gjatë shekujve në vazhdim, mendimtarë të të gjitha llojeve (besimtarë apo jo) kanë përshkruar duzina «utopish», edhe pse pak prej tyre u morën seriozisht.
Megjithatë, ka pasur edhe nga ata që u përpoqën t’i realizonin utopitë e tyre. Për shembull, në vitin 1824 një anglez i pasur, Robert Ouen, vendosi të emigronte në Indiana, SH.B.A., në mënyrë që të realizonte idetë e tij utopike në fshatin të cilin e quajti Harmonia e Re. I bindur që në kushte të drejta njerëzit do të ndryshonin për mirë, ai vuri në përdorim gati të gjitha burimet e tij financiare, duke u përpjekur të themelonte atë që ai e përfytyronte si botë të re morale. Por rezultatet treguan që kushtet e reja të jetesës nuk janë të mjaftueshme për të krijuar njerëz të rinj.
Pothuajse të gjitha ideologjitë politike pohojnë se njeriu duhet ta planifikojë botën sipas diturisë dhe ndjenjës së tij se çfarë është e vërtetë, në mënyrë që të realizojë ëndrrën e parajsës në tokë. Por në mënyrë paradoksale, përpjekjet për të realizuar aspirata të tilla kanë rezultuar në luftëra dhe revolucione, si revolucioni francez në 1789-ën dhe ai bolshevik në 1917-ën, të cilët në vend se të sillnin kushte parajsore, kanë çuar në rritjen e dhimbjeve dhe të vuajtjeve.
Aspirata, projekte, utopi dhe përpjekje për t’i realizuar ato—është një histori zhgënjimesh të vazhdueshme. Në kohën e sotme, disa flasin për një «ëndërr të thyer» dhe për «fundin e epokave të utopive», duke na ftuar «të jetojmë pa utopitë». A ka ndonjë shpresë për të parë një botë më të mirë, apo është paracaktuar që ajo të jetë vetëm një ëndërr?
Të krishterët dhe një botë më e mirë
Një botë e re nuk është aspak një ëndërr—ajo është një shpresë e sigurt! Jezu Krishti, Themeluesi i krishterimit, e dinte se bota e tanishme nuk është më e mira e botëve të mundshme. Ai mësoi se toka do të trashëgohej nga njerëzit e butë dhe se atje do të kryhej vullneti i Perëndisë. (Mateu 5:5; 6:9, 10) Si Jezui ashtu edhe dishepujt e tij e dinin se kjo botë kontrollohet nga armiku i Perëndisë, Satana Djalli dhe se kjo është arsyeja kryesore e vuajtjeve të shumta të njerëzimit. (Gjoni 12:31; 2. Korintasve 4:4; 1. Gjonit 5:19; Zbulesa 12:12) Hebrenjtë besnikë e prisnin ditën në të cilën Perëndia do ta çlironte njëherë e përgjithmonë tokën nga luftrat, vuajtjet dhe sëmundjet, me qëllim që të popullohej nga njerëz që e duan paqen dhe drejtësinë. Po ashtu edhe të krishterët në shekullin e parë prisnin të sigurt që kjo botë e tanishme të zëvendësohej nga një sistem i ri gjërash, nga «qiejt e rinj dhe një tokë e re».—2. Pjetrit 3:13, BR; Psalmi 37:11; 46:8, 9; Isaia 25:8; 33:24; 45:18; Zbulesa 21:1.
Kur u gozhdua në shtyllën e mundimeve, Jezu Krishti ia përsëriti premtimin e tij për një botë më të mirë një krimineli i cili tregoi njëfarë besimi tek Ai. «[Jezui] i tha atij: ‘Në të vërtetë po të them sot, do të jesh me mua në parajsë.’» (Luka 23:40-43, BR) Si i kuptoi krimineli këto fjalë? Mos ndoshta Jezui donte të thoshte se krimineli me të vërtetë do të shkonte ‘me të’ atë ditë në qiell, siç nënkuptohet në disa përkthime katolike dhe protestante të Biblës? Jo, nuk ishte kjo ajo që mendonte Jezui, sepse pas ringjalljes Jezui i tha Maria Magdalenës se Ai «nuk ishte ngjitur ende te Ati i tij». (Gjoni 20:11-18) Madje edhe apostujt e tij që e kishin dëgjuar Jezuin për tre vjet e gjysëm me radhë, deri përpara Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., nuk mendonin që parajsa ishte në qiell. (Veprat 1:6-11) Krimineli kuptoi atë që kuptonte shumica e hebrenjve të asaj kohe: Jezui ishte duke premtuar ardhjen e një bote më të mirë në një tokë parajsore. Një studiues gjerman shtoi: «Mësimi i shpërblimit në botën e përtejme nuk duket fare në Dhiatën e Vjetër.»
Që do të ketë një parajsë në tokën tonë kjo duket qartë nga letra që apostulli Pavël u shkroi hebrenjve. Duke i inkurajuar bashkëbesimtarët që të mos «e linin pas dore një shpëtim kaq të madh i cili u shpall nëpërmjet Jezu Krishtit», Pavli pohoi që Perëndia Jehova i dha Jezuit autoritetin mbi «tokën e banuar [greqisht: oi·kou·me’ne] që po vjen». (Hebrenjve 2:3, 5, BR) Në Shkrimet e Krishtere Greke, termi oi·kou·me’ne gjithmonë i referohet tokës sonë të populluar nga qenie njerëzore, jo një bote qiellore. (Krahaso Mateu 24:14; Luka 2:1; 21:26; Veprat 17:31.) Mbretëria e Perëndisë e sunduar nga Jezu Krishti do të ushtrojë sundimin e saj në të gjithë tokën e banuar. Ajo me të vërtetë do të jetë një vend ideal për të jetuar!
Megjithëse kjo Mbretëri është qiellore, ajo do të ndërhyjë në çështjet e tokës. Me çfarë rezultatesh? Dobësitë, mizoritë, varfëria dhe vdekja do të harrohen. Madje edhe zhgënjimi dhe pakënaqësia do të zhduken. (Zbulesa 21:3-5) Bibla thotë se «Perëndia e hap dorën e tij dhe plotëson dëshirën e çdo gjëje të gjallë». (Psalmi 145:16) Probleme të tilla si papunësia dhe ndotja do të kenë një zgjidhje praktike dhe të përhershme. (Isaia 65:21-23; Zbulesa 11:18) Por mbi të gjitha, falë bekimeve të Perëndisë, do të triumfojë e vërteta, drejtësia dhe paqja, cilësi që sot pothuajse janë zhdukur!—Psalmi 85:7-13; Galatasve 5:22, 23.
A është e gjithë kjo një ëndërr, një utopi? Jo, këto kohë më kritike në të cilat po jetojmë sot tregojnë që jemi në «ditët e fundit» të kësaj bote dhe se bota e re është shumë afër. (2. Timoteut 3:1-5) A do të dëshiroje të jetoje atje? Mëso se si është e mundur kjo nëpërmjet studimit të Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. Një botë më e mirë është afër, më e mirë nga ç’e kemi ëndërruar ndonjëherë. Kjo nuk është një utopi—është një realitet!
[Figura në faqen 7]
Një botë më e mirë—së shpejti realitet