Zgjidhja e vërtetë e problemeve
NË MOSHËN 32-vjeçare, Lina, që u përmend në artikullin e parë, ishte «e dërrmuar nga ndjenjat e fajit, ishte krejt e pashpresë dhe mendonte veç për vdekjen». Kjo vinte kryesisht nga problemet me drogën. Ajo shkruan: «Doja të isha një bashkëshorte dhe një nënë e mirë, por gjithçka në jetën time dhe në botë ishte kaq e trishtueshme dhe e mjerë dhe më dukej e kotë të ndryshoja. Edhe ato pak herë që u përpoqa, s’ia dola.»
Pastaj Lina nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. S’kaloi shumë dhe e vërteta biblike i dha paqe të brendshme dhe lehtësim, që ajo e përshkroi si ndjenjën më të jashtëzakonshme që kishte provuar ndonjëherë. Njohuria për parimet e Biblës dhe shpresa e mrekullueshme për të ardhmen i dhanë motivin të ndërronte rrugë dhe ta mposhtte varësinë nga droga.
Parime për jetën
Ligjet dhe parimet që gjenden në Bibël u bënë enkas për ne nga Krijuesi ynë, Perëndia Jehova. Te Psalmi 19:7, 8 thuhet: «Ligji i Jehovait është i përsosur, ai ta gjallëron shpirtin. . . . Urdhrat e Jehovait janë të drejtë dhe ta gëzojnë zemrën. Urdhërimet e Jehovait janë të pastra dhe i bëjnë sytë të ndrijnë.»
Për shembull, 2 Korintasve 7:1 na nxit «të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës». Linën e preku shumë ky varg dhe e ndihmoi të hiqte dorë nga vesi i saj ndotës. E njëjta gjë ndodhi edhe me Mirën që përmendëm në artikullin e parë të serisë. Mbase ju vjen ndër mend se ajo u bë e varur nga ilaçet për dhembjen e kokës. Ç’bëri Mira për këtë problem? Ajo foli hapur me mjekun që e ndihmoi të kurohej ndryshe.a Veç kësaj, përfitoi nga inkurajimi që i dhanë në kongregacionin e krishterë.
Lina e Mira kërkuan ndihmë edhe me anë të lutjes. Te Filipianëve 4:6, 7 thuhet: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.» Një shërbëtor i Perëndisë në lashtësi që e provoi këtë paqe të brendshme shkroi se, kur ‘pati shumë mendime turbulluese’, fjalët zemërdhënëse të Perëndisë i sollën qetësi, ngushëllim dhe gëzim. (Psalmi 94:19) Fjalë të tilla ngushëlluese gjenden në faqet e Biblës dhe në inkurajimin e mbështetjen e shoqërisë së shëndetshme të krishterë, ku përfshihen edhe pleqtë e krishterë.
Megjithatë, për shkak të abuzimit me substanca të ndryshme, ka raste që dikush ndihet pa pikë vlere. Xhanisa, një e krishterë që për shumë vjet kishte qenë e varur nga ilaçet, shkroi: «Ata që janë bërë të varur nga substancat mund ta kenë të vështirë e madje të pamundur që t’i kërkojnë vetë ndihmë Jehovait, pasi kanë humbur marrëdhënien me të dhe e urrejnë veten.» Në këtë gjendje është mjaft e rëndësishme të kërkojnë ndihmën e të krishterëve të pjekur. Inkurajimi që ata japin plot dashuri dhe durim, si dhe lutjet e tyre me besim mund ‘ta shërojnë të pamundurin’. (Jakovi 5:15) Sigurisht, kur bëhet fjalë për një fëmijë, prindërit duhet ta ndihmojnë të shërohet dhe të rregullojë marrëdhënien me Jehovain, që të mos bjerë prapë në këtë ves.
Xhanisa hyri në një qendër kurimi, e mposhti vesin e saj dhe që atëherë nuk ka abuzuar më me ilaçet. Ajo shkroi: «Mbështetem te Jehovai për të përballuar momentet e vështira. Tani kam paqe dhe po më kthehet sërish natyra gazmore e dikurshme.»
Kur të mos kemi më probleme
Po vjen dita kur ilaçet dhe droga do t’i përkasin së kaluarës. Si është e mundur? Zbulesa 21:3, 4 përgjigjet: «Tenda e Perëndisë është me njerëzit. . . . Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme [përfshirë edhe problemet e sotme] shkuan.»
Bibla e krahason shpresën e krishterë me «një spirancë për shpirtin, të sigurt dhe të patundur njëkohësisht». (Hebrenjve 6:18, 19) Kur shpërthente ndonjë stuhi, marinarët në kohët e lashta ulnin spirancën e anijes. Nëse spiranca ngecte në fund të detit, anija do të qëndronte në vend gjatë stuhisë dhe nuk do të përplasej nëpër shkëmbinj dhe as në breg. Po kështu, shpresa ‘e sigurt dhe e patundur’ nga Bibla na ndihmon të ruajmë ekuilibrin e ndjenjave, mendimeve dhe marrëdhënien me Perëndinë kur përballemi me stuhitë e jetës, pasi pa dyshim do të vijnë.
Pse të mos e shqyrtojmë Biblën e të shohim sa me vend dhe sa inkurajuese janë mësimet e saj? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmonin me kënaqësi dhe nuk do të zhgënjehesh.
[Shënimi]
a Disa situata ndryshojnë nga ajo e Mirës. Për shembull, disa njerëz mund të kenë një sëmundje që shkakton dhembje dhe gjejnë lehtësim vetëm me ilaçe të forta që kanë veti të të bëjnë të varur e që jepen nën mbikëqyrjen e mjekut. Këta pacientë nuk po i marrin ilaçet ngaqë duan të provojnë eufori dhe as ngaqë janë të varur.—Shih Proverbat 31:6.
[Diçitura në faqen 9]
«Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime. . . . Kështu paqja e Perëndisë . . . do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.» —Filipianëve 4:6, 7
[Kutia dhe figura në faqen 10]
HAPA PRAKTIKË PËR TË QENË MË TË SHËNDETSHËM
Libri Kujdesu për mendjen: Udhëzime për shëndetin mendor (anglisht) thotë se fizkultura mund «të ta ngrejë humorin dhe të ta lehtësojë për pak kohë depresionin». Mund të jetë i dobishëm edhe ndryshimi në të ngrënë e në zakone—fizike a mendore qofshin. Të marrim rastin e Valerisë të cilën e kishin keqtrajtuar kur ishte fëmijë. Ajo merrte të paktën 12 ilaçe ndaj të cilave u bë e varur. Gjithsesi arriti ta mposhtte këtë ves e të bënte një jetë pak a shumë normale. Cili ishte sekreti?
Në vend që të shikonte televizor e të lexonte romane jo dhe aq të përshtatshme, Valeria bëri një program të rregullt të studimit të Biblës dhe linte kohë për të lexuar botimet e bazuara në Bibël që kanë nxjerrë Dëshmitarët e Jehovait, përfshirë edhe këtë revistë. Veç kësaj, ajo i lutej pareshtur Perëndisë për forcë, nxori dobi nga ndihma e kongregacionit të krishterë dhe e mbushte ditën me aktivitete të shëndetshme, si për shembull, fliste me të tjerët për mesazhin ngushëllues të Biblës. Gjithashtu bëri ndryshime të mëdha në dietë, pasi më parë hante shumë ushqime pa vlera. Për rrjedhojë e mori veten kaq mirë sa u habitën edhe mjekët. Tani ka shumë vjet që nuk është më skllave e ilaçeve.b
[Shënimi]
b Nëse merr ilaçe me recetë nga mjeku për të kuruar depresionin, çrregullimin bipolar ose ndonjë lloj tjetër problemi mendor, ka të ngjarë që situata jote të mos jetë si ajo e Valerisë. Prandaj, mos bëj asnjë ndryshim pa u konsultuar me mjekun.