Të ecim me Perëndinë në këto kohë të turbullta
«Enoku vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë. Më pas, ai nuk ishte më, sepse Perëndia e mori.»—ZANAFILLA 5:24, BR.
1. Cilat janë disa aspekte të kohëve tona, që i bëjnë kritike ato?
KOHË të turbullta! Kjo shprehje përmbledh më së miri vitet me trazira e me dhunë në të cilat kanë jetuar njerëzit, që nga lindja e Mbretërisë Mesianike në vitin 1914. Gjatë gjithë kësaj kohe, njerëzimi ka qenë në «ditët e fundit». Me një furi të paparë ndonjëherë, mbi të kanë rënë katastrofa të tilla, si: zi buke, epidemi, tërmete dhe luftëra. (2 Timoteut 3:1; Zbulesa 6:1-8) As ata që adhurojnë Jehovain nuk kanë shpëtuar nga këto gjëra. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë duhet të përballemi me vështirësitë dhe pasiguritë e këtyre kohëve. Presionet ekonomike, trazirat politike, krimet dhe sëmundjet janë vetëm disa nga gjërat që e bëjnë jetën të vështirë.
2. Çfarë sfidash kanë hasur shërbëtorët e Jehovait?
2 Veç kësaj, shumë shërbëtorë të Jehovait kanë duruar përndjekje njëra pas tjetrës, pasi Satanai ka luftuar kundër atyre që «zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». (Zbulesa 12:17) Dhe, ndonëse jo të gjithë kemi hasur drejtpërdrejt përndjekje, të gjithë të krishterët e vërtetë duhet të luftojnë kundër Satana Djallit dhe frymës që nxit ai te njerëzit. (Efesianëve 2:2; 6:12) Kërkohet vigjilencë e vazhdueshme që të mos ndikohemi nga kjo frymë, sepse e hasim në punë, në shkollë e kudo gjetkë që takojmë njerëz, të cilët nuk interesohen për adhurimin e pastër.
Të ecim me Perëndinë, jo me kombet
3, 4. Në ç’kuptim të krishterët janë ndryshe nga bota?
3 Edhe në shekullin e parë, të krishterët luftonin fuqimisht kundër frymës së botës, dhe kjo i bënte shumë të ndryshëm nga ata që s’ishin në kongregacionin e krishterë. Pavli e përshkroi këtë ndryshim me fjalët: «Këtë, pra, ju them dhe jap dëshmi në Zotërinë, që ju të mos vazhdoni më të ecni ashtu siç ecin edhe kombet, në kotësinë e mendjeve të tyre, ndërsa janë në errësirë mendërisht dhe të ndarë nga jeta që i përket Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta, për shkak të pandjeshmërisë së zemrave të tyre. Duke mos pasur më asnjë ndjesi morale, ata u dhanë pas sjelljes së shthurur për të bërë me lakmi ndyrësi të çdo lloji.»—Efesianëve 4:17-19.
4 Sa qartë përshkruhet me këto fjalë errësira e thellë frymore dhe morale e botës, qoftë në ditët e Pavlit, qoftë në ditët tona! Ashtu si në shekullin e parë, edhe sot të krishterët nuk ‘ecin siç ecin kombet’. Jo! Ata kanë privilegjin e mrekullueshëm që të ecin me Perëndinë. Vërtet, disa mund të pyesin nëse është e arsyeshme të thuhet se njerëzit e papërsosur e të thjeshtë ecin me Jehovain. Por, Bibla tregon se kjo është e mundur. Madje, Jehovai pret që njerëzit të veprojnë kështu. Në shekullin e tetë para erës sonë, profeti Mikea shkroi këto fjalë të frymëzuara: «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?»—Mikea 6:8, BR.
Si dhe pse të ecim me Perëndinë?
5. Si mund të ecin me Perëndinë njerëzit e papërsosur?
5 Si mund të ecim ne me Perëndinë e plotfuqishëm e të padukshëm? Sigurisht, jo siç ecim kur jemi me njerëzit e tjerë. Në Bibël, shprehja ‘të ecësh’ do të thotë ‘të ndjekësh një drejtim të caktuar’.a Me këtë në mendje, e kuptojmë se një njeri që ecën me Perëndinë, ndjek në jetë drejtimin që i jep Ai dhe që i pëlqen Atij. Ndjekja e këtij drejtimi na bën të ndryshëm nga shumica e njerëzve që na rrethojnë. E megjithatë, është e vetmja zgjedhje e duhur për të krishterët. Përse? Ka shumë arsye.
6, 7. Pse ecja me Perëndinë është drejtimi më i mirë për ne?
6 Së pari, Jehovai është Krijuesi ynë, Burimi i jetës sonë dhe na siguron gjithçka që na nevojitet për të jetuar. (Zbulesa 4:11) Rrjedhimisht, vetëm ai ka të drejtë të na thotë si të ecim. Veç kësaj, ecja me Perëndinë është drejtimi që na sjell më shumë dobi. Atyre që ecin me të, Jehovai u siguron faljen e mëkateve dhe u jep shpresën e sigurt të jetës së përhershme. Gjithashtu, Ati ynë i dashur qiellor siguron këshilla të mençura për t’i ndihmuar ata që ecin me të, me qëllim që të kenë një jetë të suksesshme tani, edhe pse janë të papërsosur e jetojnë në një botë e cila dergjet nën pushtetin e Satanait. (Gjoni 3:16; 2 Timoteut 3:15, 16; 1 Gjonit 1:8; 2:25; 5:19) Një arsye tjetër pse duhet të ecim me Perëndinë është se gatishmëria jonë për të vepruar kështu, ndihmon në paqen dhe unitetin e kongregacionit.—Kolosianëve 3:15, 16.
7 Së fundi, por më e rëndësishmja, kur ecim me Perëndinë, tregojmë në cilën anë qëndrojmë, për sa i përket çështjes madhore të sovranitetit, që u ngrit në kopshtin e Edenit. (Zanafilla 3:1-6) Me jetën tonë, tregojmë se jemi plotësisht në anën e Jehovait dhe shpallim pa frikë se vetëm ai është Sovrani legjitim. (Psalmi 83:18) Në këtë mënyrë, veprojmë në përputhje me lutjen tonë që të shenjtërohet emri i Perëndisë dhe të bëhet vullneti i tij. (Mateu 6:9, 10) Sa të mençur tregohen ata që zgjedhin të ecin me Perëndinë! Mund të jenë të sigurt se po ecin në drejtimin e duhur, pasi Jehovai është ‘i vetmi i mençur’. Ai s’bën kurrë gabime.—Romakëve 16:27.
8. Çfarë ngjashmërish ka mes kohëve të Enokut e të Noesë dhe kohëve tona?
8 Por, a është e mundur të jetojmë siç duhet të jetojnë të krishterët, në këto kohë kaq të turbullta kur shumica e njerëzve s’janë të interesuar t’i shërbejnë Jehovait? Përgjigjen e kuptojmë kur mendojmë për njerëzit besnikë të lashtësisë, që mbajtën integritetin në kohë vërtet të vështira. Dy prej tyre ishin Enoku dhe Noeja. Të dy jetuan në kohë shumë të ngjashme me kohën tonë. Ligësia ishte përhapur ngado. Në ditët e Noesë, bota ishte plot dhunë dhe imoralitet. E megjithatë, Enoku dhe Noeja iu kundërvunë frymës së botës së asaj kohe, dhe ecën me Jehovain. Si e arritën këtë? Për t’u përgjigjur, do të shqyrtojmë në këtë artikull shembullin e Enokut. Në artikullin vijues, do të flasim për Noenë.
Enoku eci me Perëndinë në kohë të turbullta
9. Çfarë të dhënash kemi për Enokun?
9 Enoku është njeriu i parë për të cilin Shkrimet thonë se eci me Perëndinë. Bibla thotë: «Pas lindjes së Metuselahut, Enoku vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë.» (Zanafilla 5:22, BR) Pasi raporton sa zgjati jeta e Enokut—që, ndonëse është e gjatë në krahasim me jetën tonë, për atë kohë ishte e shkurtër—tregimi vazhdon: «Enoku vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë. Më pas, ai nuk ishte më, sepse Perëndia e mori.» (Zanafilla 5:24, BR) Me sa duket, Jehovai e transferoi jetën e Enokut nga vendi i të gjallëve në gjumin e vdekjes, para se të binte në duart e armiqve. (Hebrenjve 11:5, 13) Përveç këtyre vargjeve të shkurtra, për Enokun flitet pak në Bibël. Megjithatë, nga ato të dhëna dhe nga tregues të tjerë, kemi arsye për të thënë se kohët e Enokut ishin të turbullta.
10, 11. (a) Si u përhap prishja pas rebelimit të Adamit dhe Evës? (b) Cilin mesazh profetik predikoi Enoku dhe cilën përgjigje do të ketë hasur me siguri?
10 Për shembull, shikoni se sa shpejt u përhap prishja në racën njerëzore, pasi mëkatoi Adami. Bibla na thotë se djali i parë i Adamit, Kaini, u bë vrasësi i parë njerëzor, kur vrau të vëllanë, Abelin. (Zanafilla 4:8-10) Pas vdekjes mizore të Abelit, Adamit dhe Evës i lindi një djalë tjetër, që ia vunë emrin Set. Për të lexojmë: «Setit i lindi një djalë, dhe ai ia vuri emrin Enos. Në atë kohë zunë të thërritnin emrin e Jehovait.» (Zanafilla 4:25, 26, BR) Mjerisht, ata filluan «të thërritnin emrin e Jehovait» në mënyrë apostate.b Shumë vjet pas lindjes së Enosit, një pasardhës i Kainit me emrin Lamek kompozoi një këngë për dy gratë e tij, duke thënë se kishte vrarë një djalë të ri, i cili e kishte plagosur. Gjithashtu, ai paralajmëroi: «Në rast se do t’i merret hak Kainit shtatë herë, Lamekut do t’i merret hak shtatëdhjetë herë shtatë.»—Zanafilla 4:10, 19, 23, 24.
11 Këto pak fakte që kemi shqyrtuar, tregojnë se prishja që nisi Satanai në kopshtin e Edenit, shumë shpejt çoi në përhapjen e ligësisë mes pasardhësve të Adamit. Në një botë të tillë, Enoku ishte një profet i Jehovait, fjalët e frymëzuara e të fuqishme të të cilit jehojnë edhe sot. Juda dokumenton profecinë e Enokut: «Ja, Jehovai erdhi me dhjetëra mijët e tij të shenjtë, për të ekzekutuar gjykimin kundër të gjithëve, për të shpallur fajtorë të tërë të paperëndishmit për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme që bënë në mënyrë të paperëndishme dhe për të gjitha fjalët tronditëse që thanë kundër tij mëkatarët e paperëndishëm.» (Juda 14, 15) Këto fjalë do të përmbushen përfundimisht në Harmagedon. (Zbulesa 16:14, 16) Megjithatë, mund të jemi të sigurt se edhe në kohën e Enokut kishte shumë ‘mëkatarë të paperëndishëm’ që e dëgjuan profecinë e tij me një ndjenjë mërzie. Sa i dashur u tregua Jehovai që ua hoqi nga duart profetin!
Si gjeti forcë Enoku që të ecte me Perëndinë?
12. Si ndryshonte Enoku nga bashkëkohësit e tij?
12 Në kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva dëgjuan Satanain, dhe Adami u rebelua kundër Jehovait. (Zanafilla 3:1-6) Kurse djali i tyre, Abeli, ndoqi një tjetër drejtim, dhe Jehovai e pa me pëlqim atë. (Zanafilla 4:3, 4) Mjerisht, shumica e pasardhësve të Adamit nuk ishin si Abeli. Por Enoku, që lindi qindra vjet më vonë, ishte si ai. Çfarë ndryshimi kishte midis Enokut dhe shumë pasardhësve të tjerë të Adamit? Apostulli Pavël iu përgjigj kësaj pyetjeje, kur shkroi: «Me anë të besimit, Enoku u hoq që të mos shihte vdekjen dhe nuk u gjend gjëkundi, sepse e kishte hequr Perëndia; pasi përpara se të hiqej pati dëshminë se i kishte pëlqyer Perëndisë.» (Hebrenjve 11:5) Enoku bën pjesë në ‘renë e madhe të dëshmitarëve’ të epokës para krishterimit, të cilët ishin shembuj të jashtëzakonshëm besimi. (Hebrenjve 12:1) Pikërisht besimi i dha mundësi Enokut të mbante një sjellje të drejtë gjatë më se 300 viteve që jetoi, më shumë se tri herë sa kohëzgjatja e jetës së shumicës së njerëzve sot!
13. Ç’lloj besimi kishte Enoku?
13 Pavli e përshkroi besimin e Enokut dhe të dëshmitarëve të tjerë me fjalët: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen.» (Hebrenjve 11:1) Po, besimi është pritja e sigurt, e bazuar në garanci, se gjërat që shpresojmë, do të realizohen. Përfshin një shpresë kaq të fortë, saqë ndikon në pikëpamjen tonë për gjërat më të rëndësishme në jetë. Ky lloj besimi i dha mundësi Enokut të ecte me Perëndinë edhe pse bota përreth tij nuk vepronte kështu.
14. Në cilën njohuri të saktë mund të jetë bazuar besimi i Enokut?
14 Besimi i vërtetë bazohet në njohurinë e saktë. Çfarë njohurie kishte Enoku? (Romakëve 10:14, 17; 1 Timoteut 2:4) Pa dyshim, ai i njihte ngjarjet që kishin ndodhur në Eden. Me siguri kishte dëgjuar edhe si ishte jeta në kopshtin e Edenit, i cili ndoshta ekzistonte ende, por u ishte ndaluar njerëzve. (Zanafilla 3:23, 24) Njihte edhe qëllimin e Perëndisë, se pasardhësit e Adamit do ta mbushnin tokën dhe do ta bënin gjithë planetin si ajo Parajsë fillestare. (Zanafilla 1:28) Veç kësaj, me siguri Enoku mendonte për premtimin e Jehovait që të sillte një Farë, e cila do t’i shtypte kokën Satanait dhe do të ndreqte dëmet e shkaktuara nga mashtrimi i Satanait. (Zanafilla 3:15) Madje, vetë profecia e frymëzuar e Enokut, e ruajtur në librin e Judës, ka të bëjë me shkatërrimin e farës së Satanait. Meqë Enoku kishte besim, e dimë se e adhuronte Jehovain duke e menduar si Personin që «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Prandaj, edhe pse Enoku nuk kishte gjithë këtë njohuri që kemi ne, kishte aq sa të krijonte bazën për një besim të fortë. Me këtë besim, ai mbajti integritetin gjatë atyre kohëve të turbullta.
Të imitojmë shembullin e Enokut
15, 16. Si mund të ndjekim drejtimin e Enokut?
15 Meqenëse ne, ashtu si Enoku, duam t’i pëlqejmë Jehovait gjatë kohëve të turbullta të sotme, duhet të ndjekim shembullin e tij. Duhet të fitojmë dhe të përvetësojmë njohurinë e saktë për Jehovain dhe për qëllimin e tij. Por nuk mjafton vetëm kaq. Duhet të lejojmë që kjo njohuri e saktë të na drejtojë rrugën. (Psalmi 119:101; 2 Pjetrit 1:19) Duhet të udhëhiqemi nga mendimet e Perëndisë, duke u përpjekur gjithnjë që t’i pëlqejmë atij me çdo mendim e çdo veprim tonin.
16 Nuk kemi të dhëna se kush tjetër i shërbente Jehovait në kohën e Enokut, por, me siguri, ai ose ishte vetëm, ose bënte pjesë në një pakicë njerëzish. Edhe ne jemi një pakicë në botën e sotme, po kjo nuk na shkurajon. Jehovai do të na mbështetë, pavarësisht se kush mund të jetë kundër nesh. (Romakëve 8:31) Enoku paralajmëroi me guxim për shkatërrimin që do t’u vinte njerëzve të paperëndishëm. Edhe ne e predikojmë me guxim ‘këtë lajm të mirë të mbretërisë’, pavarësisht nga talljet, kundërshtimi dhe përndjekja. (Mateu 24:14) Enoku nuk jetoi aq gjatë sa shumë nga bashkëkohësit e tij. Megjithatë, ai nuk shpresonte tek ajo botë. I kishte fiksuar sytë te diçka shumë më e madhe. (Hebrenjve 11:10, 35) Edhe ne i kemi fiksuar sytë te përmbushja e qëllimit të Jehovait. Prandaj, nuk e përdorim plotësisht këtë botë. (1 Korintasve 7:31) Forcën tonë dhe gjërat materiale i përdorim kryesisht në shërbim të Jehovait.
17. Çfarë njohurie kemi ne, që Enoku s’e kishte, e prandaj, çfarë duhet të bëjmë?
17 Enoku kishte besim se Fara e premtuar nga Perëndia do të shfaqej në kohën e duhur sipas Tij. Tani kanë kaluar pothuajse 2.000 vjet që kur kjo Farë, Jezu Krishti, u shfaq, siguroi shpërblesën dhe na hapi rrugën ne dhe dëshmitarëve të lashtë, si Enoku, që të trashëgojmë jetën e përhershme. Kjo Farë, që tani është në fron si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, e flaku Satanain nga qielli poshtë në tokë. Shtrëngimin që ka ardhur si pasojë, e shohim kudo përreth nesh. (Zbulesa 12:12) Po, ne sot kemi shumë më tepër njohuri sesa mund të kishte Enoku. Atëherë, le të kemi një besim të fortë si ai. Siguria jonë te përmbushja e premtimeve të Perëndisë ndikoftë në çdo gjë që bëjmë! Le të ecim edhe ne me Perëndinë, si Enoku, ndonëse jetojmë në kohë të turbullta!
[Shënimet]
a Shih Vëllimin 1, faqja 220, paragrafi 6, të librit Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.
b Para kohës së Enosit, Jehovai kishte folur me Adamin. Abeli i kishte bërë Atij një flijim të pranueshëm. Madje, Perëndia kishte komunikuar edhe me Kainin, para se zemërimi dhe xhelozia ta shtynin këtë të fundit të bëhej vrasës. Prandaj, ata filluan «të thërritnin emrin e Jehovait», në një mënyrë tjetër, jo në lidhje me adhurimin e pastër.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë do të thotë të ecim me Perëndinë?
• Pse ecja me Perëndinë është drejtimi më i mirë?
• Çfarë i dha mundësi Enokut të ecte me Perëndinë, pavarësisht nga kohët e turbullta?
• Si mund ta imitojmë Enokun?
[Figura në faqen 15]
Me besim, «Enoku vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë»
[Figura në faqen 17]
Ne kemi besim të fortë se premtimet e Jehovait do të përmbushen
[Burimet e figurave në faqen 13]
Gruaja, djathtas në cep: FAO photo/B. Imevbore; ndërtesa që po bie: San Hong R-C Picture Company