A interesohet dikush për mua?
A ndihesh ndonjëherë vetëm dhe pa ndihmë, sikur askush nuk e kupton dot atë që po kalon? Edhe sikur dikush ta dijë atë që po kalon, ti mendon se nuk interesohet vërtet për ty.
KUR na bien halle, jeta mund të duket si një stuhi që s’mbaron. Madje, nganjëherë mendojmë se ajo që po përballojmë është kaq e rëndë e kaq e padrejtë sa nuk mund të durojmë dot më. Kjo ndodh shpesh kur kemi ndonjë plagë shpirtërore, vuajmë nga depresioni a nga sëmundje kronike, pësojmë ndonjë aksident që na lë të kufizuar ose gjëra të ngjashme. Mund të ndihemi kaq të pafuqishëm e të pashpresë sa nuk dimë ku të gjejmë ngushëllim. A ka ndonjë që interesohet vërtet?
«Perëndia i çdo ngushëllimi» interesohet
Në Bibël, Perëndia përshkruhet si «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Korintasve 1:3) Perëndia, emri i të cilit është Jehova, e di se kemi nevojë për ngushëllim. Fjala ‘ngushëllim’, që në Bibël del në forma të ndryshme dhe mbi njëqind herë, na siguron se Perëndia jo vetëm e kupton atë që po kalojmë, por edhe dëshiron të na ngushëllojë. Kjo na bind se, edhe kur të tjerët nuk i vënë re, nuk i kuptojnë ose nuk duan t’ia dinë për hallet tona, Perëndia i sheh, i kupton dhe interesohet për to.
Shkrimet tregojnë qartë se Jehovai interesohet për secilin. «Sytë e Jehovait janë në çdo vend,—thotë Bibla,—duke vrojtuar të këqijtë dhe të mirët.» (Proverbat 15:3) Ngjashëm, edhe te Jobi 34:21 lexojmë: «Ai i mban sytë tek udhët e njeriut, dhe sheh tërë hapat e tij.» Jehovai i di mirë rrethanat tona dhe e sheh sjelljen tonë—e mirë a e keqe qoftë—që të bëjë atë që i duket e përshtatshme. Kjo vërtetohet nga fjalët që parashikuesi ose profeti Hanan i tha mbretit Asa të Judës: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.»—2 Kronikave 16:7, 9.
Jehovai i mban sytë te ne edhe për një arsye tjetër. Jezui shpjegon: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Jehovai interesohet aq shumë saqë shqyrton zemrën e një njeriu për të parë nëse ai ose ajo dëshiron ta njohë më mirë. Nëse po, Perëndia mund t’i përgjigjet në mënyra mbresëlënëse. Për shembull, një grua në Republikën Domenikane ishte shtruar në spital pasi duhej të bënte një operacion për kancer. Ajo iu përgjërua Perëndisë ta ndihmonte të gjente fenë e vërtetë. Pikërisht atë çast i shoqi i solli një broshurë me titull Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?a që ia kishte sjellë atë mëngjes në shtëpi një Dëshmitare e Jehovait. Gruaja e lexoi broshurën dhe kuptoi se Perëndia i ishte përgjigjur lutjes së saj. Ajo pranoi të studionte Biblën me Dëshmitaren dhe në më pak se gjashtë muaj ia kushtoi jetën Perëndisë e u pagëzua.
Në librin biblik të Psalmeve gjejmë shumë fjalë që na ngrohin zemrën, të shkruara nga psalmistë të lashtë hebrenj, si për shembull, mbreti David. Në to përshkruhet interesimi i dashur i Jehovait për shërbëtorët e tij. Te Psalmi 56:8 lexojmë për mbretin David që i lutet me zjarr Perëndisë: «M’i vër lotët në calikun tënd. A nuk gjenden ato në librin tënd?» Përshkrimi figurativ i futjes së diçkaje të çmuar në një calik lëkure tregon se Davidi e dinte që Jehovai nuk ishte i vetëdijshëm vetëm për vuajtjen që po kalonte ai, por edhe si ndikonte ajo te ndjenjat. Jehovai e dinte dhembjen e Davidit dhe i ruajti në kujtesë vuajtjet emocionale që i shkaktuan lot. Vërtet, Krijuesi ynë vigjilon mbi të gjithë ata që bëjnë çmos të kryejnë vullnetin e tij, mbi «[ata] që i janë kushtuar me gjithë zemër atij».
Një pjesë tjetër nga Bibla që përshkruan kujdesin e dashur të Perëndisë është Psalmi 23, që është shumë i njohur. Ai fillon duke e paraqitur Perëndinë si një bari të dashur: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë.» Një bari në Lindjen e Mesme, kujdeset për çdonjërën nga delet e tij, madje i vë secilës një emër. Çdo ditë ai thërret secilën të vijë, e përkëdhel me dashuri dhe e sheh se mos është vrarë gjëkundi. Po të zbulojë ndonjë plagë, e lyen me vaj a pomadë për të përshpejtuar shërimin. Nëse delja është e sëmurë, bariut mund t’i duhet t’ia futë ilaçin me zor deri në fyt e ta mbajë në këmbë, që të mos shtrihet e të vdesë. Ky është pa dyshim një ilustrim i shkëlqyer që tregon sa interesohet Jehovai për ata që i drejtohen atij.
Lutja dhe ringjallja —Prova se Perëndia interesohet
Këto dhe psalme të tjera të bukura nuk janë shënuar në Bibël vetëm që t’i lexojmë e të kënaqemi. Ato na tregojnë si ia zbrazën zemrën Jehovait shërbëtorët besnikë të lashtësisë për t’i shprehur sa nevojë kishin për ndihmën e tij dhe mirënjohjen për drejtimin e bekimet që u jepte ai. Këto shprehje tregojnë qartë se shërbëtorët e lashtësisë kishin besim të patundur se Perëndia interesohej për ta. Leximi dhe meditimi rreth këtyre fjalëve që buronin nga zemra na ndihmojnë që edhe ne të kemi po ato ndjenja për Perëndinë. Fakti që Perëndia na lejon t’i lutemi është provë e fortë se interesohet për ne.
Mirëpo, nganjëherë jemi kaq të rënduar nga ndonjë problem, saqë nuk dimë as si të lutemi për të. A e pengon kjo Jehovain ta marrë vesh sa po vuajmë? Romakëve 8:26 përgjigjet: «Edhe fryma na vjen në ndihmë, për shkak të dobësisë sonë, sepse edhe atëherë kur kemi nevojë, ne nuk dimë për çfarë të lutemi, por vetë fryma përgjërohet për ne me rënkime të pathëna.» Ky shkrim na tregon se lutjet e frymëzuara të shërbëtorëve të Perëndisë në të kaluarën mund të pasqyrojnë ndjenjat tona, e kështu Jehovai, ‘Dëgjuesi i lutjes’, i pranon sikur të ishin fjalët tona.—Psalmi 65:2.
Shpresa e ringjalljes është një tjetër provë bindëse se Perëndia interesohet për secilin individualisht. Jezu Krishti tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [të Jezuit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Fjala e përdorur këtu «varr» vjen nga folja greke «të kujtosh». Ajo përcjell idenë se Perëndia e mban mend çfarë njeriu ka qenë gjatë jetës individi që ka vdekur.
Vetëm imagjino, që të kthejë sërish në jetë dikë, Perëndia duhet të dijë gjithçka rreth individit, përfshirë pamjen, tiparet e trashëguara dhe ato të fituara gjatë jetës, si edhe çdo kujtim të tijin. (Marku 10:27) Ai e kujton atë po njësoj edhe pas mijëra vjetësh. (Jobi 14:13-15; Luka 20:38) Pra, miliarda njerëz që nuk jetojnë më, janë të regjistruar deri në detajet më të hollësishme në kujtesën e Perëndisë Jehova. Kjo është provë e pakundërshtueshme se Perëndia interesohet për ne si individë.
Jehovai shpërblen
Ç’duhet të bëjmë që të marrim vëmendjen dhe kujdesin e dashur të Perëndisë? Mbi të gjitha duhet të tregojmë se i mbajmë shpresat tek ai dhe i bindemi, pra se kemi besim tek ai. Apostulli Pavël nxjerr në pah si lidhet besimi me interesimin e Perëndisë. Ai shkroi: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij, sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»—Hebrenjve 11:6.
Vër re se besimi që e kënaq Perëndinë ka dy aspekte. Në radhë të parë duhet ‘të besojmë se ai është’, pra, duhet të besojmë se Perëndia ekziston, se është Sundimtari ynë më i Lartë, e prandaj meriton t’i bindemi dhe ta adhurojmë. Së dyti, duhet të besojmë se ai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». Besimi i vërtetë përfshin të besosh se Perëndia interesohet për mirëqenien e të gjithë atyre që kërkojnë me ngulm të bëjnë vullnetin e tij dhe të besosh se i shpërblen ata. Po të studiosh Fjalën e Perëndisë dhe të shoqërohesh me ata që i binden atij, edhe ti mund të kesh atë besim që meriton shpërblimin e Perëndisë dhe kujdesin e tij të dashur.
Sot shumë njerëz mendojnë se Perëndia nuk interesohet për punët e njerëzve. Por, siç e pamë, Bibla tregon qartë se Perëndia interesohet shumë për ata që tregojnë besim të vërtetë tek ai. Ndonëse jeta shpesh është plot halle, shqetësime, zhgënjime dhe vuajtje, nuk duhet të biem në dëshpërim. Perëndia Jehova interesohet për ne. Me dashuri na fton t’i drejtohemi atij për mbështetje. Psalmisti tha: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»—Psalmi 55:22.
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figura në faqen 29]
Shkrime që të forcojnë besimin se Perëndia interesohet me dashuri për ty
«Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.»—2 KRONIKAVE 16:9
«M’i vër lotët në calikun tënd. A nuk gjenden ato në librin tënd?»—PSALMI 56:8
«Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë.»—PSALMI 23:1
«O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri.»—PSALMI 65:2
«Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.»—JOBI 14:15
«Kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»—HEBRENJVE 11:6
«Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»—PSALMI 55:22