Si mund t’i shtojmë besimit tonë edhe virtytin?
«Shtojini besimit tuaj virtytin.»—2. PJETRIT 1:5, NW.
1, 2. Përse duhet të presim që populli i Jehovait të bëjë atë çka është e virtytshme?
JEHOVAI vepron gjithmonë në një mënyrë të virtytshme. Ai bën atë që është e drejtë dhe e mirë. Prandaj, apostulli Pjetër mundi të flasë për Perëndinë si për atë që i thërret të krishterët e mirosur «nëpërmjet lavdisë dhe virtytit të Tij». Njohja e saktë e Atit të tyre të virtytshëm qiellor, u tregoi atyre se çfarë u nevojitej për të bërë një jetë me devotshmëri vërtet të shenjtë.—2. Pjetrit 1:2, 3, NW.
2 Apostulli Pavël i nxiti të krishterët që të bëheshin «imitues të Perëndisë, si fëmijë të dashur». (Efesianëve 5:1, NW) Ashtu si edhe Ati i tyre qiellor, adhuruesit e Jehovait duhet të bëjnë atë çka është e virtytshme në çdo rrethanë. Por, çfarë është virtyti?
Çfarë është virtyti
3. Si është përcaktuar «virtyti»?
3 Disa fjalorë të sotëm e përcaktojnë «virtytin» si «shkëlqesi morale; mirësi». Ai është «veprim dhe mendim i drejtë; mirësi karakteri». Një njeri i virtytshëm është i drejtë. Virtyti është përcaktuar, gjithashtu, edhe si «përshtatje ndaj një standardi drejtësie». Natyrisht, për të krishterët «standardi i drejtësisë» përcaktohet prej Perëndisë dhe është qartësuar në Fjalën e tij të Shenjtë, Biblën.
4. Për cilat cilësi të përmendura në 2. Pjetrit 1:5-7 të krishterët duhet të përpiqen për t’i zhvilluar?
4 Të krishterët e vërtetë u përshtaten standardeve të drejta të Perëndisë Jehova dhe u përgjigjen premtimeve të tij të çmuara duke ushtruar besim. Ata dëgjojnë, gjithashtu, edhe këshillën e Pjetrit: «Duke kryer si përgjigje çdo përpjekje të kujdesshme, shtojini besimit tuaj virtytin, virtytit njohurinë, njohurisë vetëkontrollin, vetëkontrollit këmbënguljen, këmbënguljes devotshmërinë e shenjtë, devotshmërisë së shenjtë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë.» (2. Pjetrit 1:5-7, NW) Një i krishterë duhet të përpiqet shumë për të zhvilluar këto cilësi. Kjo nuk bëhet në pak ditë apo edhe vite, por kërkon një jetë të tërë me përpjekje të vazhdueshme. Ja, pra, që vetëm shtimi i virtytit në besimin tonë përbën në vetvete një sfidë!
5. Çfarë është virtyti nga pikëpamja e Shkrimeve?
5 Leksikografi M. R. Vincent thotë se fjala origjinale e greqishtes klasike, e bërë këtu «virtyt», tregon «shkëlqesi të çdo lloji». Pjetri përdori formën e shumësit kur tha se të krishterët duhej të tregonin «shkëlqesitë» apo virtytet e Perëndisë. (1. Pjetrit 2:9, NW) Nga një pikëpamje biblike, virtyti nuk është përshkruar si pasiv, por si «forcë morale, energji morale, fuqi shpirti». Duke përmendur virtytin, Pjetri kishte në mendje shkëlqesinë e guximshme morale që shërbëtorët e Perëndisë duhej të shfaqnin apo të mbanin. Megjithatë, duke qenë se jemi të papërsosur, a mund të bëjmë me të vërtetë atë që është e virtytshme në sytë e Perëndisë?
Të papërsosur, por të virtytshëm
6. Edhe pse jemi të papërsosur, përse mund të themi se mund të bëjmë atë çka është e virtytshme në sytë e Perëndisë?
6 Ne kemi trashëguar papërsosmëri dhe mëkat, prandaj mund të pyesim se si mund të bëjmë me të vërtetë atë që është e virtytshme në sytë e Perëndisë. (Romakëve 5:12) Patjetër që kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë nëse duam të kemi zemra të pastra, nga të cilat mund të vijnë mendime, fjalë dhe veprime të virtytshme. (Krahaso Luka 6:45.) Pasi mëkatoi me Betshebën, psalmisti i penduar David u lut: «Krijo tek unë edhe një zemër të pastër, O Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur.» (Psalmi 51:10) Davidi mori faljen e Perëndisë dhe ndihmën që i nevojitej për të vazhduar një rrugë të virtytshme. Prandaj, nëse kemi gabuar seriozisht, por të penduar kemi pranuar ndihmën e Perëndisë dhe të pleqve të kongregacionit, ne mund të kthehemi në një shteg të virtytshëm dhe të qëndrojmë në të.—Psalmi 103:1-3, 10-14; Jakovit 5:13-15.
7, 8. (a) Çfarë është e nevojshme nëse duam të mbetemi të virtytshëm? (b) Cila ndihmë u nevojitet të krishterëve për të qenë të virtytshëm?
7 Për shkak të gjendjes sonë mëkatare të trashëguar, duhet të zhvillojmë një betejë të brendshme të vazhdueshme për të bërë atë që kërkon prej nesh një rrugë e virtytshme. Nëse duam të mbetemi të virtytshëm, nuk duhet t’i lejojmë kurrë vetes që të bëhemi skllevër të mëkatit. Përkundrazi, duhet të jemi «skllevër të drejtësisë», duke menduar, folur dhe vepruar gjithmonë në një mënyrë të virtytshme. (Romakëve 6:16-23) Natyrisht, dëshirat tona trupore dhe prirjet mëkatare janë të forta dhe ne gjendemi në një konflikt midis tyre dhe mendimeve të virtytshme që Perëndia kërkon prej nesh. Pra, ç’duhet bërë?
8 Pikësëpari, duhet të ndjekim udhëheqjen e frymës së shenjtë, apo forcës vepruese të Jehovait. Duhet t’i vëmë veshin, pra, këshillës së Pavlit: «Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të ndiqni asnjë dëshirë trupore. Sepse mishi në dëshirat e tij është kundër frymës dhe fryma kundër mishit; sepse këto kundërshtojnë njëra-tjetrën, kështu që ju të mos bëni ato gjëra që do të donit të bënit.» (Galatasve 5:16, 17, NW) Po, si forcë për drejtësinë, ne kemi frymën e Perëndisë dhe si udhëheqje në sjellje të drejtë kemi Fjalën e tij. Kemi, gjithashtu, edhe ndihmën e dashur të organizatës së Jehovait dhe këshillat e «skllavit të matur dhe besnik». (Mateu 24:45-47, NW) Prandaj, mund të zhvillojmë një luftë të suksesshme kundër prirjeve mëkatare. (Romakëve 7:15-25) Natyrisht, nëse një mendim i papastër na vjen në mendje, duhet ta hedhim menjëherë dhe të lutemi për ndihmën e Perëndisë që t’i rezistojmë çdo tundimi për të vepruar në ndonjë mënyrë të pavirtytshme.—Mateu 6:13.
Virtyti dhe mendimet tona
9. Çfarë lloj të menduari kërkon sjellja e virtytshme?
9 Virtyti fillon me mënyrën në të cilën mendon një njeri. Që të gëzojmë favorin hyjnor, duhet të mendojmë mbi gjëra të drejta, të mira dhe të virtytshme. Pavli tha: «Vëllezër, gjithçka të vërtetë, gjithçka të hijshme, gjithçka të drejtë, gjithçka të dëlirë, gjithçka të dashur, gjithçka për të cilën flitet mirë, nëse ka në to ndonjë virtyt a diçka të denjë për lëvdim, këto gjëra vazhdoni të mendoni.» (Filipianëve 4:8, NW) Duhet ta përqëndrojmë mendjen tonë në drejtësi e gjëra të dëlira dhe asgjë e pavirtytshme nuk duhet të na tërheqë. Pavli mundi të thoshte: «Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua—atë bëni.» Nëse jemi si Pavli—të virtytshëm në mendime, në të folur dhe veprime—do të jemi një shoqëri e mirë dhe shembuj të shkëlqyer në jetën e krishterë dhe ‘Hyu [Perëndia, NW] që jep paqen do të jetë me ne’.—Filipianëve 4:9.
10. Si do të na ndihmojë zbatimi personal i 1. Korintasve 14:20 për të mbetur të virtytshëm?
10 Nëse dëshira jonë është që të mbetemi të virtytshëm dhe t’i pëlqejmë kështu Atit tonë qiellor, është e nevojshme që të zbatojmë këshillën e Pavlit: «Mos u bëni fëmijë të vegjël në forcën e të kuptuarit, por bëhuni foshnja për nga e keqja; bëhuni, pra, plotësisht të rritur në forcën e të kuptuarit.» (1. Korintasve 14:20, NW) Kjo do të thotë që si të krishterë ne nuk duhet të kërkojmë njohuri apo të kemi përvojë për nga e keqja. Në vend se t’i lëmë mendjet tona që të korruptohen në këtë mënyrë, duhet të zgjedhim me mençuri që të mbetemi të papërvojë dhe pa faj në këto çështje, ashtu si edhe foshnjat. Në të njëjtën kohë, e kuptojmë plotësisht se imoraliteti dhe keqbërja janë mëkate në sytë e Jehovait. Dëshira e zjarrtë dhe e çiltër për t’i pëlqyer atij duke qenë të virtytshëm, do të jetë në dobinë tonë, sepse do të na nxisë për të shmangur forma jo të pastra zbavitjeje dhe ndikime korruptuese mendore të kësaj bote që dergjet nën pushtetin e Satanait.—1. Gjonit 5:19.
Virtyti dhe të folurit tonë
11. Çfarë lloj të foluri kërkon të qenët i virtytshëm dhe çfarë shembujsh kemi në lidhje me këtë prej Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit?
11 Nëse mendimet tona do të jenë të virtytshme, kjo do të ketë një ndikim të thellë në ato që themi. Të qenët të virtytshëm kërkon një të folur të pastër, të shëndoshë dhe ndërtues. (2. Korintasve 6:3, 4, 7) Jehovai është «Perëndia i së vërtetës». (Psalmi 31:5) Ai është besnik në çdo gjë që bën dhe premtimet e tij janë të sigurta, sepse ai nuk mund të gënjejë. (Numrat 23:19; 1. Samueli 15:29; Titit 1:2) Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, është «plot me dashamirësi të pamerituar dhe të vërtetë». Kur ishte në tokë, ai gjithmonë foli të vërtetën që kishte marrë prej Atit të tij. (Gjoni 1:14; 8:40) Për më tepër, Jezui «nuk kreu mëkat dhe as që u gjet mashtrim në gojën e tij». (1. Pjetrit 2:22, NW) Nëse jemi me të vërtetë shërbëtorë të Perëndisë dhe të Krishtit, duhet të jemi të vërtetë në të folur dhe të drejtë në sjellje, si të «ngjeshur me të vërtetën».—Efesianëve 5:9; 6:14.
12. Cilat lloje të foluri duhet të shmangim nëse kërkojmë të jemi të virtytshëm?
12 Nëse jemi të virtytshëm, duhet të shmangim disa lloje të foluri. Duhet të udhëhiqemi prej këshillës së Pavlit: «Çdo hidhërim i lig dhe inat dhe zemërim dhe e bërtitur dhe e folur sharëse, le të hiqet prej jush, bashkë me çdo ligësi.» «Kurvëria dhe ndyrësia e çdo lloji dhe lakmia as të mos përmenden mes jush, siç u ka hije njerëzve të shenjtë; as sjellja e turpshme, apo të folurit e çmendur, ose shaka të pahijshme, gjëra që nuk tregohen, por më mirë të dhëna falënderimi.» (Efesianëve 4:31; 5:3, 4, NW) Për të tjerët do të jetë freskuese shoqëria jonë, sepse zemra jonë e drejtë na nxit që të shmangim një të folur jo të krishterë.
13. Përse të krishterët duhet të kontrollojnë gjuhën?
13 Dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë dhe për të thënë gjëra të virtytshme, do të na ndihmojë për të kontrolluar gjuhën. Për shkak të prirjeve mëkatare, të gjithë ne pengohemi në fjalë herë pas here. Megjithatë, dishepulli Jakov tha se «nëse kuajve u vëmë frerët në gojë», ata do të shkojnë të bindur aty ku t’i drejtojmë. Prandaj, duhet të punojmë shumë për të frenuar gjuhën dhe të përpiqemi që ta përdorim atë vetëm në mënyrë të virtytshme. Një gjuhë e pakontrolluar «është një botë e tërë padrejtësie». (Jakovit 3:1-7) Me një gjuhë të pazbutur, shoqërohet çdo lloj aspekti i lig i kësaj bote të pabesë. Ajo është përgjegjëse për gjëra të tilla të dëmshme si dëshmia e rreme, intriga dhe shpifja. (Isaia 5:20; Mateu 15:18-20) Dhe kur një gjuhë e paqeverisur bën vërejtje sharëse, prerëse apo shpifëse, atëherë është e mbushur me helm vdekjeprurës.—Psalmi 140:3; Romakëve 3:13; Jakovit 3:8.
14. Cilën normë të dyfishtë në të folur duhet të shmangin të krishterët?
14 Siç tregon Jakovi, nuk do të ishte koherente që «të bekonim Jehovain», duke folur mirë për Perëndinë e pastaj të keqpërdornim gjuhën për «të mallkuar njerëzit», duke lutur të keqen mbi ta. Çfarë mëkati është që t’i këndojmë lavdi Jehovait në mbledhje dhe pasi të dalim jashtë të flasim keq për bashkëbesimtarët tanë! Nga i njëjti burim nuk mund të rrjedhë edhe ujë i ëmbël edhe i hidhur. Nëse i shërbejmë Jehovait, të tjerët mund të presin me të drejtë që ne të themi gjëra të virtytshme dhe jo që të themi fjalë që nuk mund të thuhen. Le të largojmë, pra, të folurin e keq dhe të përpiqemi të themi gjëra që do të jenë në dobi të atyre që shoqërohen me ne dhe t’i ndërtojnë ata frymësisht.—Jakovit 3:9-12.
Virtyti dhe veprimet tona
15. Përse është kaq e rëndësishme që të shmangim mënyrat dredharake?
15 Pasi mendimet dhe të folurit e krishterë duhet të jenë të virtytshëm, ç’mund të themi për veprimet tona? Duke qenë të virtytshëm në sjellje, është e vetmja mënyrë për të pasur miratimin e Perëndisë. Asnjë shërbëtor i Jehovait që braktis virtytin dhe bëhet dredharak e mashtrues, nuk mund të mendojë me të drejtë se këto gjëra do të pranohen prej Perëndisë. Proverbat 3:32 thotë: «Një njeri dredharak është diçka e urryer për Jehovain, por miqësia e tij e ngushtë është me të drejtin.» Nëse e çmojmë lidhjen tonë me Perëndinë Jehova, këto fjalë nuk do të na lejojnë që të thurim djallëzi apo të bëjmë diçka dredharake. Në fakt, një prej shtatë gjërave të urryera për shpirtin e Jehovait është «një zemër që thur plane të dëmshme»! (Proverbat 6:16-19) Prandaj, le t’i shmangim këto veprime dhe të bëjmë atë që është e virtytshme, në dobi të të afërmve tanë dhe në lavdi të Atit tonë qiellor.
16. Përse të krishterët nuk duhet të nxiten në ndonjë veprim hipokrit?
16 Shfaqja e virtytit kërkon që të jemi të ndershëm. (Hebrenjve 13:18) Një njeri hipokrit, fjalët e të cilit nuk përputhen me veprimet e tij, nuk është i virtytshëm. Fjala greke e përkthyer «hipokrit» (hypokrites΄) do të thotë «ai që përgjigjet» dhe tregon, gjithashtu, një aktor skene. Pasi aktorët grekë dhe romakë mbanin maska, kjo fjalë filloi të përdorej në mënyrë metaforike për dikë që shtirej. Hipokritët janë «të pabesë». (Krahaso Luka 12:46 me Mateu 24:50, 51.) Hipokrizia (hypo΄krisis) mund të tregojë, gjithashtu, edhe ligësi dhe dinakëri. (Mateu 22:18; Marku 12:15; Luka 20:23) Sa e trishtueshme është kur një person i besueshëm bie viktimë e buzëqeshjeve, përkëdheljeve dhe veprimeve që s’janë gjë tjetër veçse shtirje! Por të ngrohet zemra kur e dimë se kemi të bëjmë me të krishterë që e meritojnë besimin tonë. Dhe Perëndia na bekon kur jemi të virtytshëm dhe jo hipokritë. Miratimi i tij mbetet mbi ata që tregojnë «dashuri vëllazërore jo hipokrite» dhe që kanë «besim pa hipokrizi».—1. Pjetrit 1:22; 1. Timoteut 1:5.
Virtyti është një mirësi aktive
17, 18. Nëse tregojmë mirësinë si fryt të frymës, si duhet të sillemi me të tjerët?
17 Nëse i shtojmë besimit tonë edhe virtytin, do të mundohemi që të frenojmë mendimet, thëniet dhe bërjen e gjërave që janë të papranueshme për Perëndinë. Megjithatë, shfaqja e virtytit të krishterë kërkon edhe që të praktikojmë një mirësi aktive. Në fakt, virtyti është përcaktuar si mirësi. Dhe mirësia është një fryt i frymës së shenjtë të Jehovait, jo prodhim i përpjekjeve të njerëzve të thjeshtë. (Galatasve 5:22, 23) Duke shfaqur mirësinë si një fryt të frymës, do të kemi motive për të menduar mirë për të tjerët dhe për t’i lavdëruar ata për cilësitë e tyre të mira, pa marrë parasysh papërsosmërinë e tyre. A i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait për vite me radhë? Atëherë duhet të tregojmë respekt dhe të flasim mirë për ta dhe për shërbimin e tyre ndaj Perëndisë. Ati ynë qiellor e mban parasysh dashurinë që tregojnë për emrin e tij si dhe punën e tyre të virtytshme me besim dhe po kështu duhet të bëjmë edhe ne.—Nehemia 13:31b; Hebrenjve 6:10.
18 Virtyti na bën të durueshëm, të kuptueshëm dhe të dhimbshëm. Nëse një adhurues i Jehovait vuan prej dëshpërimit apo depresionit, ne duhet të flasim në mënyrë ngushëlluese dhe të përpiqemi që t’i japim pak ngushëllim, ashtu si edhe Ati ynë i dashur na ngushëllon ne. (2. Korintasve 1:3, 4; 1. Selanikasve 5:14) Duhet të solidarizohemi me ata që vuajnë, ndoshta nga vdekja e ndonjë të dashuri. Nëse mund të bëjmë diçka për t’i lehtësuar vuajtjen, duhet ta bëjmë, pasi një frymë e virtytshme nxit veprime të dashura dhe të mira.
19. Në ç’mënyrë mund të na trajtojnë të tjerët nëse ne jemi të virtytshëm në mendime, fjalë dhe vepra?
19 Ashtu si ne bekojmë Jehovain duke folur mirë për të, edhe të tjerët na bekojnë ne nëse jemi të virtytshëm në mendime, fjalë dhe vepra. (Psalmi 145:10) Një proverb i mençur thotë: «Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.» (Proverbat 10:6, Dio) Një njeri i keq dhe i ashpër e humb virtytin që e bën atë të dashur për të tjerët. Ai korr atë që mbjell, sepse njerëzit nuk mund ta bekojnë atë me ndershmëri, duke folur mirë për të. (Galatasve 6:7) Sa më e mirë është gjendja për ata që mendojnë, flasin dhe veprojnë në mënyrë të virtytshme, si shërbëtorë të Jehovait! Ata fitojnë dashurinë, besimin dhe respektin e të tjerëve, të cilët ndihen të nxitur për t’i bekuar dhe për të folur mirë për ta. Për më tepër, virtyti i tyre i shenjtë, rezulton me bekime të paçmuara nga Jehovai.—Proverbat 10:22.
20. Çfarë ndikimi mund të kenë mendimet, të folurit dhe veprimet e virtytshme në kongregacionin e popullit të Jehovait?
20 Sigurisht, mendimet, të folurit dhe veprimet e virtytshme janë në dobi të kongregacionit të popullit të Jehovait. Kur bashkëbesimtarët kanë mendime të dashura dhe respekt për njëri-tjetrin, midis tyre lulëzon dashuria vëllazërore. (Gjoni 13:34, 35) Të folurit e virtytshëm, duke përfshirë edhe lavdërimet e sinqerta dhe inkurajimet, ushqen një ndjenjë të ngrohtë bashkëpunimi dhe uniteti. (Psalmi 133:1-3) Dhe veprimet e virtytshme që të ngrohin zemrën i nxisin të tjerët që të na përgjigjen në po këtë mënyrë. Mbi të gjitha, praktikimi i virtytit të krishterë sjell miratimin dhe bekimin prej Atit tonë të virtytshëm qiellor, Jehovait. Le ta bëjmë, pra, synim tonin që t’u përgjigjemi premtimeve të çmueshme të Jehovait, duke ushtruar besim. Dhe me plot kuptimin, le të bëjmë çfarëdolloj përpjekjeje të zellshme për t’i shtuar besimit tonë virtytin.
Pyetjet për përsëritje
◻ Si do ta përcaktoje «virtytin» dhe përse njerëzit e papërsosur mund të jenë të virtytshëm?
◻ Çfarë lloj mendimesh kërkon virtyti?
◻ Si duhet të ndikojë virtyti mbi të folurin tonë?
◻ Çfarë ndikimi duhet të ketë virtyti mbi veprimet tona?
◻ Cilat janë disa nga dobitë që rrjedhin nga të qenët të virtytshëm?
[Figura në faqen 17]
Pasi prej të njëjtit burim nuk mund të rrjedhë njëkohësisht edhe ujë i ëmbël edhe i hidhur, të tjerët me të drejtë presin që shërbëtorët e Jehovait të thonë vetëm gjëra të virtytshme