Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga letrat e Jakovit dhe Pjetrit
GATI 30 vjet pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., dishepulli Jakov—vëllai nga nëna i Jezuit —u shkruan një letër «dymbëdhjetë fiseve» të Izraelit frymor. (Jak. 1:1) Qëllimi i tij është t’i nxitë të jenë të fortë në besim dhe të tregojnë qëndrueshmëri përballë sprovave. Gjithashtu, ai jep këshilla për të ndrequr gjendjen shqetësuese që është krijuar në kongregacione.
Pikërisht para fushatës së përndjekjes nga perandori romak, Neroni, në vitin 64 të e.s., apostulli Pjetër shkruan letrën e tij të parë drejtuar të krishterëve, ku i inkurajon të qëndrojnë të patundur në besim. Në letrën e tij të dytë, që u shkrua shumë shpejt pas së parës, Pjetri i inkurajon të bashkëkrishterët që t’i kushtojnë vëmendje fjalës së Perëndisë dhe i paralajmëron për ardhjen e ditës së Jehovait. Po, mund të nxjerrim dobi nëse u kushtojmë vëmendje mesazheve që japin letrat e Jakovit dhe të Pjetrit.—Hebr. 4:12.
PERËNDIA U JEP MENÇURI ATYRE QË ‘IA KËRKOJNË ME BESIM’
«Lum kush vazhdon të qëndrojë në sprovë,—shkruan Jakovi,—sepse, kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës.» Atyre që ‘ia kërkojnë me besim’, Jehovai u jep mençurinë e duhur për të përballuar sprovat.—Jak. 1:5-8, 12.
Besim dhe mençuri u nevojitet edhe atyre që ‘bëhen mësues’ në kongregacion. Pasi e krahasoi gjuhën me ‘një gjymtyrë të vogël’ që është në gjendje ‘të njollosë gjithë trupin’, Jakovi paralajmëron për prirjet e botës që mund të dëmtojnë marrëdhënien me Perëndinë. Gjithashtu, thekson hapat që duhet të marrë për t’u shëruar ai që është frymësisht i sëmurë.—Jak. 3:1, 5, 6; 5:14, 15.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
2:13—Në ç’kuptim «mëshira lartësohet ngadhënjimtare mbi gjykimin»? Kur t’i japim llogari Perëndisë për veten, ai do të marrë parasysh mëshirën që kemi treguar kundrejt të tjerëve dhe do të na falë në bazë të flijimit shpërblyes të Birit të tij. (Rom. 14:12) A nuk është kjo një arsye e fortë për ta bërë mëshirën cilësi mbizotëruese në jetën tonë?
4:5—Çfarë shkrimi po citon Jakovi këtu? Jakovi nuk po citon ndonjë varg specifik. Megjithatë, këto fjalë të frymëzuara nga Perëndia ka mundësi që bazohen në mendimin e përgjithshëm që gjendet te vargje të tilla, si Zanafilla 6:5; 8:21; Proverbat 21:10 dhe Galatasve 5:17.
5:20—Mëkatet e kujt do të mbulojë «ai që kthen një mëkatar nga udha e tij e gabuar»? Një i krishterë që kthen një keqbërës nga një udhë mëkatare shpëton nga vdekja frymore, e ndoshta nga shkatërrimi i përhershëm, shpirtin e atij që pendohet. Ai që ndihmon një mëkatar në këtë mënyrë, «do të mbulojë një shumicë mëkatesh [të mëkatarit]».
Mësime për ne:
1:14, 15. Mëkati e ka zanafillën në dëshirat e papërshtatshme. Prandaj, nuk duhet të ushqejmë dëshira të gabuara duke e mbajtur mendjen tek ato. Përkundrazi, duhet ‘të vazhdojmë të mendojmë’ për gjëra ndërtuese dhe të mbushim mendjen e zemrën me këto mendime.—Filip. 4:8.
2:8, 9. ‘Mbajtja me hatër’ bie në kundërshtim me «ligjin mbretëror» të dashurisë. Prandaj, të krishterët e vërtetë nuk mbajnë me hatër.
2:14-26. Ne ‘shpëtojmë nëpërmjet besimit’, jo «nga veprat» sipas Ligjit të Moisiut ose nga veprat që kryejmë si të krishterë. Të kemi besim do të thotë më shumë sesa thjesht të themi se besojmë te Perëndia. (Efes. 2:8, 9; Gjoni 3:16) Besimi duhet të na shtyjë të veprojmë sipas vullnetit të Perëndisë.
3:13-17. «Mençuria nga lart» sigurisht që qëndron më lart se mençuria «tokësore, shtazarake e demonike». Duhet ‘të vazhdojmë të rrëmojmë për të si për thesare të fshehura’.—Prov. 2:1-5.
3:18. Fara e lajmit të mirë të Mbretërisë duhet ‘të mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe’. Pra, është e rëndësishme të jemi paqebërës dhe jo arrogantë, grindavecë ose sherrxhinj.
TË QËNDROJMË «TË FORTË NË BESIM»
Pjetri u kujton të bashkëkrishterëve ‘shpresën e gjallë’ për një trashëgimi në qiell. Ai u thotë: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë’». Pasi u jep këshilla specifike për nënshtrimin, ai i nxit të gjithë të jenë ‘të një mendjeje, të tregojnë ndjenja të përbashkëta, të kenë përzemërsi vëllazërore, të jenë zemërdhembshur, me mendje të përulur’.—1 Pjet. 1:3, 4; 2:9; 3:8.
Meqenëse «fundi i [sistemit judaik] është afruar», Pjetri i këshillon vëllezërit ‘të jenë me mendje të shëndoshë dhe vigjilentë në lidhje me lutjet’. Ai u thotë: «Ruani gjykimin, jini syçelë. . . . Kundërvijuni, [Satanait] të fortë në besim.»—1 Pjet. 4:7; 5:8, 9.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
3:20-22—Si na shpëton pagëzimi? Pagëzimi është një kërkesë për ata që duan të shpëtojnë. Megjithatë, nuk është pagëzimi në vetvete që na shpëton. Shpëtimi në të vërtetë vjen «nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit». Kandidati për pagëzim duhet të ketë besim se shpëtimi bëhet i mundur vetëm sepse Jezui vdiq si flijim, u ringjall dhe «është në të djathtën e Perëndisë» me autoritet mbi të gjallët dhe të vdekurit. Pagëzimi i bazuar në një besim të tillë është ai që përkon me rastin kur ‘tetë shpirt shpëtuan nëpërmjet ujit’.
4:6—Kush ishin ‘të vdekurit’ të cilëve ‘iu shpall lajmi i mirë’? Bëhet fjalë për ata që ishin ‘të vdekur për shkak të shkeljeve dhe mëkateve të tyre’ ose që ishin frymësisht të vdekur para se të dëgjonin lajmin e mirë. (Efes. 2:1) Por, pasi besuan në lajmin e mirë, ata filluan ‘të jetonin’ frymësisht.
Mësime për ne:
1:7. Që besimi ynë të ketë vlerë të madhe, duhet të jetë i një cilësie të sprovuar. Ky lloj besimi i fortë vërtet ‘ruan gjallë shpirtin’. (Hebr. 10:39) Nuk duhet të sprapsemi nga sprovat e besimit.
1:10-12. Engjëjt dëshironin të shikonin e të kuptonin të vërtetat e thella frymore që profetët e Perëndisë në të kaluarën shkruan lidhur me kongregacionin e të krishterëve të mirosur. Megjithatë, këto gjëra u bënë të qarta vetëm kur Jehovai filloi të përdorte kongregacionin. (Efes. 3:10) A nuk duhet të ndjekim shembullin e engjëjve dhe të përpiqemi të shqyrtojmë «gjërat e thella të Perëndisë»?—1 Kor. 2:10.
2:21. Duke imituar Shembullin tonë, Jezu Krishtin, duhet të jemi të gatshëm të vuajmë, madje edhe deri në vdekje, që të mbështetim sovranitetin e Jehovait.
5:6, 7. Kur hedhim ankthin tonë mbi Jehovain, ai na ndihmon të vazhdojmë t’i japim përparësi adhurimit të vërtetë, në vend që të shqetësohemi së tepërmi se ç’do të sjellë e nesërmja.—Mat. 6:33, 34.
«DITA E JEHOVAIT DO TË VIJË»
«Profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut,—shkruan Pjetri,—por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.» Nëse i kushtojmë vëmendje fjalës profetike, kjo mund të na mbrojë nga ‘mësuesit e rremë’ dhe nga njerëz të tjerë korruptues.—2 Pjet. 1:21; 2:1-3.
«Në ditët e fundit do të vijnë tallës, që do të tallen»,—paralajmëron Pjetri. Por «dita e Jehovait do të vijë si një hajdut». Pjetri e mbyll letrën e tij me një këshillë të mençur për ata që ‘janë duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e asaj dite’.—2 Pjet. 3:3, 10-12.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:19—Kush është «ylli i mëngjesit», kur ngrihet ai dhe si e dimë që kjo ka ndodhur tashmë? «Ylli i mëngjesit» është Jezu Krishti pasi u bë Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. (Zbul. 22:16) Në vitin 1914, Jezui u ngrit para gjithë krijimit si Mbreti mesianik, duke lajmëruar agimin e një dite të re. Shpërfytyrimi paraqiste një pamje paraprake të lavdisë së Jezuit dhe pushtetit të tij mbretëror, duke nxjerrë në pah besueshmërinë e fjalës profetike të Perëndisë. (Mar. 9:1-3) Nëse i kushtojmë vëmendje kësaj fjale na ndriçohen zemrat dhe kështu kuptojmë se Ylli i mëngjesit është ngritur.
2:4—Çfarë është «Tartari» dhe kur u hodhën engjëjt rebelë në të? Tartari është një gjendje e ngjashme me burgosjen ku hidhen krijesat frymore, por jo ato njerëzore. Ata që janë në këtë gjendje errësire të dendur mendore, nuk mund të shohin dritën frymore të Perëndisë dhe nuk kuptojnë qëllimet e tij. Ata në Tartar nuk kanë asnjë shpresë për të ardhmen. Perëndia i hodhi engjëjt e pabindur në Tartar në ditët e Noesë dhe ata do të mbeten në atë gjendje të poshtëruar derisa të shkatërrohen.
3:17—Çfarë donte të thoshte Pjetri me «njohuri që më përpara»? Pjetri e kishte fjalën për njohjen që më përpara të ngjarjeve që do të ndodhnin në të ardhmen, ngjarje që iu zbuluan nën frymëzim atij dhe shkrimtarëve të tjerë të Biblës. Pasja e kësaj njohurie nuk do të thoshte që të krishterët e asaj kohe dinin çdo detaj në lidhje me të ardhmen, pasi nuk bëhej fjalë për njohuri pa kufi. Ata dinin vetëm në vija të përgjithshme çfarë do të ndodhte në të ardhmen.
Mësime për ne:
1:2, 5-7. Përveçse na ndihmojnë të rritemi në ‘njohurinë e saktë për Perëndinë dhe Jezuin’, përpjekjet tona të zellshme për të zhvilluar cilësi të tilla, si besimi, qëndrueshmëria dhe përkushtimi hyjnor ‘nuk do të na lënë të jemi joaktivë dhe të pafrytshëm’ në lidhje me këtë njohuri.—2 Pjet. 1:8.
1:12-15. Që të qëndrojmë ‘të vendosur në mënyrë të patundur në të vërtetën’, kemi nevojë për përkujtues të vazhdueshëm, si ata që marrim nëpërmjet mbledhjeve të kongregacionit, studimit personal dhe leximit të Biblës.
2:2. Duhet të kemi kujdes që sjellja jonë të mos sjellë sharje mbi Jehovain dhe organizatën e tij.—Rom. 2:24.
2:4-9. Duke pasur parasysh atë që ka bërë në të shkuarën, mund të jemi të sigurt se «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor, dhe t’i ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen».
2:10-13. Edhe pse «të lavdishmit», domethënë pleqtë e krishterë, kanë të meta dhe mund të gabojnë ndonjëherë, nuk duhet t’i shajmë.—Hebr. 13:7, 17.
3:2-4, 12. Nëse u kushtojmë vëmendje ‘fjalëve të thëna që më parë nga profetët e shenjtë, si dhe urdhërimit të Zotërisë e të Shpëtimtarit’, kjo do të na ndihmojë të mbajmë parasysh se dita e Jehovait është shumë afër.
3:11-14. Si ata që qëndrojnë «duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait», ne duhet (1) ‘të kemi një sjellje të shenjtë,’ duke ruajtur pastërtinë fizike, mendore, morale dhe frymore; (2) të bëjmë me bollëk vepra që pasqyrojnë ‘përkushtim hyjnor’, si për shembull ato që lidhen me predikimin për Mbretërinë dhe veprën e bërjes së dishepujve; (3) të mbajmë një sjellje dhe personalitet «të panjollë», të pandotur nga bota; (4) të jemi «të patëmetë» duke bërë gjithçka nisur nga një motiv i pastër; dhe (5) të jemi «në paqe»—në paqe me Perëndinë, me vëllezërit e krishterë dhe me njerëzit e tjerë.