KAPITULLI TRE
«Jam . . . i përulur në zemër»
1-3. Si hyri Jezui në Jerusalem dhe pse mund të kenë mbetur të habitur disa nga turma?
JERUSALEMI ziente nga entuziazmi. Po vinte një njeri i rëndësishëm! Jashtë qytetit, njerëzit ishin mbledhur në të dyja anët e rrugës. Donin ta mirëpritnin këtë njeri, sepse disa thoshin që ishte trashëgimtar i mbretit David dhe Udhëheqësi i ligjshëm i Izraelit. Disa po sillnin gjethe palmash për ta përshëndetur, kurse të tjerë po shtronin përtokë veshjet e tyre dhe degë pemësh, për t’i sheshuar rrugën në shenjë respekti. (Mateu 21:7, 8; Gjoni 12:12, 13) Me siguri, shumë veta ishin kureshtarë se si do të hynte në qytet.
2 Ndoshta disa prisnin që hyrja e tij të ishte madhështore. Me siguri, ata kishin dëgjuar për njerëz të rëndësishëm që kishin hyrë në qytet me pompozitet. Për shembull, Absalomi, biri i Davidit, që ishte vetëshpallur mbret, kishte urdhëruar që 50 burra të vraponin para karrocës së tij. (2 Samuelit 15:1, 10) Jul Cezari, një sundimtar romak, pëlqente organizime edhe me më shumë salltanete. Në një rast, ai i kishte prirë një procesioni triumfues drejt kapitolit romak—tempullit të Jupiterit, ku mbaheshin eventet më të rëndësishme fetare dhe politike. Atë e shoqëronin edhe 40 elefantë me llamba sipër tyre. Ama, kësaj radhe, populli i Jerusalemit po priste një njeri shumë më të rëndësishëm. Ndoshta nuk e dinin, por ai ishte Mesia, njeriu më i madh i të gjitha kohërave. Gjithsesi, disa mbetën të habitur kur ky Mbret i ardhshëm, hyri në qytet.
3 Ata nuk panë as karroca, as njerëz që vraponin para tij, as kuaj e, pa diskutim, as elefantë. Përkundrazi, Jezui kishte hipur mbi një gomar, një kafshë barre e rëndomtë.a Ai nuk ishte veshur me rroba luksoze, dhe as kafsha në të cilën kishte hipur nuk ishte zbukuruar me salltanete. Jezui ishte ulur mbi disa mantele që kishin hedhur miqtë e tij të ngushtë, dhe jo mbi një samar të kushtueshëm. Po pse ai vendosi të hynte në Jerusalem në një mënyrë kaq të përulur, kur njerëz shumë më pak të rëndësishëm se ai, kishin kërkuar ceremonira shumë më të bujshme?
4. Çfarë kishte parathënë Bibla për mënyrën si do të hynte në Jerusalem Mbreti mesianik?
4 Jezui po përmbushte këtë profeci: «Gëzohu me gjithë shpirt. . . . Brohorit triumfuese, o bijë e Jerusalemit. Ja, mbreti yt po vjen te ti. Ai është i drejtë dhe sjell shpëtim, është i përulur dhe ka hipur në një gomar.» (Zakaria 9:9) Kjo profeci tregonte se i Mirosuri i Perëndisë, Mesia, do të shfaqej një ditë para banorëve të Jerusalemit si Mbreti i caktuar nga Perëndia. Jo vetëm kaq, por edhe mënyra si do të hynte në qytet, hipur mbi një gomar, do të zbulonte një cilësi të bukur që kishte në zemër: përulësinë.
5. Pse përulësia e Jezuit na bën për vete? Pse është jetësore ta imitojmë Jezuin në këtë aspekt?
5 Përulësia e Jezuit është një ndër cilësitë e tij më tërheqëse dhe prekëse. Siç e trajtuam në kapitullin e mëparshëm, vetëm Jezui është «udha, e vërteta dhe jeta». (Gjoni 14:6) Është e qartë se nga miliarda e miliarda njerëz që kanë jetuar këtu në tokë, asnjë nuk ka qenë aq i rëndësishëm sa Biri i Perëndisë. E megjithatë, Jezui nuk shfaqi kurrë as edhe një gjurmë krenarie, fodullëku ose mendjemadhësie—cilësi që sa e sa njerëz të papërsosur i kanë. Për të qenë dishepuj të Krishtit, duhet ta luftojmë prirjen për t’u bërë krenarë. (Jakovi 4:6) Mos harro që Jehovai e urren fodullëkun. Prandaj është jetësore të mësojmë ta imitojmë përulësinë e Jezuit.
Gjithmonë i përulur
6. Ç’do të thotë të jesh i përulur? Si e dinte Jehovai se Mesia do të ishte i përulur?
6 Të jesh i përulur do të thotë të kesh «përulësi mendjeje» dhe të mos jesh krenar ose arrogant. Kjo cilësi buron nga zemra dhe shfaqet në të folur, në sjellje dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Si e dinte Jehovai se Mesia do të ishte i përulur? Nga fakti që Biri pasqyronte në mënyrë të përsosur përulësinë e Tij. (Gjoni 10:15) Veç kësaj e kishte parë edhe më përpara si e kishte shfaqur këtë cilësi.
7-9. (a) Si tregoi përulësi Mikaeli kur u përball me Satanain? (b) Si mund ta imitojnë të krishterët përulësinë e Mikaelit?
7 Në letrën e Judës gjejmë një shembull mbresëlënës: «Kurse kryeengjëlli Mikael, kur pati një mosmarrëveshje me Djallin dhe bëri fjalë me të për trupin e Moisiut, nuk guxoi të fliste keq për të e ta gjykonte, por tha: ‘Jehovai të qortoftë!’» (Juda 9) Emri Mikael përdoret për t’iu referuar Jezuit para dhe pasi jetoi në tokë, në rolin e tij si kryeengjëll, domethënë si kreu i ushtrisë qiellore të Jehovait.b (1 Selanikasve 4:16) Por shiko si veproi Mikaeli në këtë përballje me Satanain.
8 Në tregimin e Judës nuk na thuhet se ç’donte të bënte Satanai me trupin e Moisiut. Por me siguri që bluante në mendje ndonjë qëllim të lig. Ndoshta donte t’i nxiste njerëzit që ta përdornin trupin e atij njeriu besnik në adhurimin e rremë. Mikaeli nuk e lejoi Satanain ta realizonte planin e tij të lig, por nga ana tjetër tregoi edhe shumë vetëpërmbajtje. S’kishte dyshim që Satanai e meritonte një qortim. Por në atë kohë, Mikaelit nuk i ishte dhënë ende gjithë autoriteti ‘për të gjykuar’ dhe e dinte se gjykimi i takonte vetëm Perëndisë Jehova. (Gjoni 5:22) Si kryeengjëll, Mikaeli kishte shumë autoritet. Megjithatë, në vend që t’i kalonte caqet me arrogancë, me përulësi e la çështjen në dorë të Jehovait. Veç kësaj, ai tregoi edhe modesti, duke qenë i vetëdijshëm për kufizimet e veta.
9 Juda u frymëzua të shkruante rreth kësaj ngjarjeje për një arsye me vend. Mjerisht, disa të krishterë në kohën e tij nuk ishin të përulur. Tërë fodullëk ata ‘flisnin keq për gjithë gjërat që nuk kuptonin’. (Juda 10) Është shumë e lehtë që, si njerëz të papërsosur, të biem pre e krenarisë. Si reagojmë kur nuk kuptojmë diçka në kongregacion, ndoshta ndonjë vendim të trupit të pleqve? A nuk do të tregonim mungesë përulësie po të flitnim në mënyrë negative e madje kritikuese, sidomos kur nuk i dimë të gjithë faktet që qëndrojnë pas këtyre vendimeve? Le të imitojmë Mikaelin, pra Jezuin, e të mos gjykojmë çështje për të cilat Perëndia nuk na ka dhënë autoritet.
10, 11. (a) Pse gatishmëria e Birit të Perëndisë për të pranuar caktimin që të vinte në tokë ishte e veçantë? (b) Si mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit?
10 Biri i Perëndisë tregoi përulësi edhe duke pranuar caktimin për të ardhur në tokë. Shqyrto se çfarë iu desh të linte pas. Ai ishte kryeengjëlli. Ishte edhe «Fjala», Zëdhënësi i vetë Jehovait. (Gjoni 1:1-3) Jetonte në qiell, në ‘banesën shumë të lartë, të shenjtë dhe të lavdishme’ të Jehovait. (Isaia 63:15) E megjithatë, «e zbrazi veten, mori natyrë skllavi dhe u bë njeri». (Filipianëve 2:7) Mendo se çfarë do të thoshte për Jezuin ky caktim! Jehovai e transferoi jetën e Birit të tij në barkun e një gruaje të virgjër judeje dhe, pas nëntë muajsh, ky Bir lindi si një foshnjë e brishtë në familjen e një zdrukthëtari të varfër. Si të gjithë njerëzit e tjerë, iu desh të kalonte disa faza të jetës, si foshnjërinë, fëmijërinë dhe adoleshencën. Ndonëse ishte i përsosur, gjatë gjithë kësaj kohe iu nënshtrua prindërve të tij të papërsosur. (Luka 2:40, 51, 52) Ç’përulësi e jashtëzakonshme!
11 A mund ta imitojmë përulësinë e Jezuit, duke pranuar me gatishmëri caktime shërbimi që mund të mos duken prestigjoze? Për shembull, i tillë mund të na duket caktimi për t’u predikuar lajmin e mirë njerëzve që nuk duan të na dëgjojnë, që thonë gjëra të këqija për ne ose që tregohen armiqësorë. (Mateu 28:19, 20) Por, nëse nuk dorëzohemi, mund t’i ndihmojmë të tjerët të shpëtojnë jetën. Gjithashtu do të mësojmë të jemi më të përulur, ndërsa imitojmë Zotërinë tonë Jezu Krisht.
Përulësia e Jezuit kur ishte njeri
12-14. (a) Si tregonte përulësi Jezui kur e lavdëronin? (b) Në ç’mënyra tregoi se i trajtonte të tjerët me përulësi? (c) Si e kuptojmë që përulësia e Jezuit nuk ishte sa për t’u dukur a për t’u treguar i sjellshëm?
12 Gjatë gjithë shërbimit të tij në tokë, Jezui shfaqi përulësi. Për shembull, kur të tjerët e lavdëronin, ai ia jepte meritat Jehovait. Me raste, njerëzit e lëvdonin Jezuin për mençurinë e fjalëve të tij, për fuqinë me të cilën kryente mrekulli, e madje edhe për mirësinë që e karakterizonte. Por, ai nuk e merrte për vete këtë lavdi, përkundrazi ia jepte gjithmonë Jehovait.—Marku 10:17, 18; Gjoni 7:15, 16.
13 Jezui tregonte përulësi me mënyrën si i trajtonte njerëzit. Ai e bëri të qartë se kishte ardhur në tokë jo që t’i shërbenin, por që t’u shërbente atyre. (Mateu 20:28) Gjithashtu u tregua i butë dhe i arsyeshëm me ta. Kur dishepujt e zhgënjenin, nuk i kritikonte ashpër, por përpiqej vazhdimisht t’u prekte zemrën. (Mateu 26:39-41) Në një rast kur po kërkonte një vend të qetë e të veçuar për të pushuar, turmat i dolën para. Në vend që t’i dëbonte, Jezui vazhdoi të jepte nga vetja dhe t’u mësonte «shumë gjëra». (Marku 6:30-34) Kur një grua joizraelite iu lut disa herë që t’i shëronte të bijën, në fillim ai i tha se nuk do ta bënte këtë. Megjithatë, nuk e përzuri me inat. Përkundrazi, duke parë besimin e saj të jashtëzakonshëm, në fund ia plotësoi kërkesën, siç do ta shohim në kapitullin 14.—Mateu 15:22-28.
14 Jezui e vërtetoi në shumë mënyra atë që kishte thënë për veten: «Jam me natyrë të butë e i përulur në zemër.» (Mateu 11:29) Përulësia e tij nuk ishte sipërfaqësore, sa për t’u dukur a për t’u treguar i sjellshëm. Ai ishte vërtet i përulur, sepse kjo cilësi i buronte nga zemra. Prandaj nuk habitemi që për Jezuin, ishte shumë e rëndësishme t’u mësonte dishepujve të tij të ishin të përulur!
U mësoi dishepujve të ishin të përulur
15, 16. Si e bëri Jezui dallimin mes qëndrimit të sundimtarëve në botë dhe qëndrimit që duhej të zhvillonin dishepujt e tij?
15 Apostujve të Jezuit iu desh kohë të kultivonin përulësinë, prandaj Jezui u përpoq vazhdimisht t’u prekte zemrën. Për shembull, një herë, nëpërmjet nënës së tyre, Jakovi dhe Gjoni i kërkuan Jezuit t’u premtonte një vend me pozitë në Mbretërinë e Perëndisë. Me modesti, Jezui u përgjigj: «Nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën a në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.» Dhjetë apostujt e tjerë «u indinjuan» me Jakovin dhe Gjonin. (Mateu 20:20-24) Si e zgjidhi Jezui këtë situatë?
16 Me butësi, ai i ndreqi që të gjithë, duke u thënë: «Ju e dini se sundimtarët e kombeve sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë ushtrojnë autoritet mbi kombet. Por mes jush nuk duhet të jetë kështu. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj, dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi juaj.» (Mateu 20:25-27) Apostujt me siguri e kishin parë deri ku mund të arrinte krenaria, ambicia dhe egoizmi i ‘sundimtarëve të kombeve’. Ama, Jezui tregoi se dishepujt e tij duhej të ishin ndryshe nga ata tiranë të etur për pushtet. Duhej të ishin të përulur. A e kapën pikën apostujt?
17-19. (a) Ç’mënyrë të paharrueshme përdori Jezui për t’u mësuar përulësinë apostujve, natën para se të vdiste? (b) Cili ishte mësimi më i fuqishëm rreth përulësisë që dha Jezui?
17 Për apostujt s’ishte e lehtë. Kjo nuk ishte as hera e parë dhe as e fundit që Jezuit iu desh t’u mësonte si të ishin të përulur. Ca kohë më parë, kur kishin debatuar se cili ishte më i madhi, ai kishte vënë mes tyre një fëmijë të vogël. Pastaj i kishte nxitur që të ishin si fëmijët, të cilët në përgjithësi, ndryshe nga shumica e të rriturve, nuk janë krenarë, nuk kanë ambicie dhe as nuk shqetësohen për pozitë. (Mateu 18:1-4) Megjithatë, edhe natën para se të vdiste, Jezui pa që apostujt ende po luftonin me krenarinë. Kështu që u dha një mësim të paharrueshëm. Mori një peshqir, e ngjeshi pas vetes dhe bëri një ndër punët më të përulura, që zakonisht në atë kohë e bënin shërbëtorët kur vinin mysafirë. Jezui ua lau këmbët të gjithë apostujve, madje edhe Judës, që pas pak do ta tradhtonte!—Gjoni 13:1-11.
18 Jezui i ndihmoi të kapnin pikën, duke u thënë: «Unë ju lashë modelin.» (Gjoni 13:15) A arritën më në fund dishepujt ta kuptonin se duhej të ishin të përulur? Në fakt, pak më vonë debatuan përsëri se kush ishte më i madhi mes tyre. (Luka 22:24-27) Gjithsesi, Jezui vazhdoi të ishte i duruar me ta dhe i mësoi me përulësi. Pastaj u dha një mësim edhe më të fuqishëm: «E përuli veten dhe u bind deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture.» (Filipianëve 2:8) Me gatishmëri, Jezui iu nënshtrua një vdekjeje poshtëruese e të padrejtë, me damkën e një krimineli blasfemues. Kështu, Biri i Perëndisë tregoi se ishte i pashoq, pasi nga të gjitha krijesat e Jehovait, vetëm ai e shfaqi përulësinë në mënyrë të përsosur e të plotë.
19 Ndoshta pikërisht ky mësim i fundit rreth përulësisë që dha Jezui, la gjurmë të pashlyeshme në zemrën e këtyre apostujve besnikë. Bibla na thotë se edhe vite më vonë, ata bashkëpunonin me njeri-tjetrin gjithë përulësi. Ç’të themi për ne?
A do të ndjekësh modelin që la Jezui?
20. Si mund ta dimë nëse jemi të përulur në zemër?
20 Pavli këshillon secilin prej nesh: «Mbani po atë prirje mendore që kishte edhe Krishti Jezu.» (Filipianëve 2:5) Ashtu si Jezui, duhet të jemi të përulur në zemër. Si mund ta dimë nëse e kemi të rrënjosur këtë cilësi? Po ja, Pavli na kujton se nuk duhet të bëjmë asgjë ‘nga fryma e kundërshtimit a nga egoizmi, por me përulësi t’i konsiderojmë të tjerët më të lartë se veten’. (Filipianëve 2:3) Pra, mënyra si i shohim të tjerët tregon nëse jemi vërtet të përulur. Duhet t’i konsiderojmë të tjerët më të lartë dhe më të rëndësishëm se vetja. A do ta zbatosh këtë këshillë?
21, 22. (a) Pse mbikëqyrësit e krishterë duhet të jenë të përulur? (b) Si mund ta tregojmë se kemi veshur përulësinë?
21 Shumë vjet pas vdekjes së Jezuit, apostulli Pjetër ende po mendonte për rëndësinë e kësaj cilësie. Ai i mësoi mbikëqyrësit e krishterë që t’i shërbenin me përulësi kongregacionit, duke mos u sjellë kurrë si zotër me delet e Jehovait. (1 Pjetrit 5:2, 3) Përgjegjësitë në kongregacion nuk i japin askujt të drejtën për të qenë krenar. Përkundrazi, sa më shumë përgjegjësi të kemi, aq më shumë kemi nevojë të tregohemi të përulur. (Luka 12:48) Kjo cilësi nuk është jetësore vetëm për mbikëqyrësit, por për të gjithë të krishterët.
22 Edhe pse në fillim Pjetri nuk ishte dakord që Jezui t’ia lante këmbët, me siguri nuk e harroi kurrë atë natë. (Gjoni 13:6-10) Ai u shkroi të krishterëve: «Të gjithë vishuni me përulësi ndaj njëri-tjetrit.» (1 Pjetrit 5:5) Fjala «vishuni» na bën të mendojmë për një shërbëtor që vesh përparësen, për të bërë një punë në dukje të rëndomtë. Madje kjo fjalë mund të na kujtojë momentin kur Jezui lidhi pas vetes peshqirin dhe u ul në gjunjë për t’u larë këmbët apostujve. Nëse imitojmë Jezuin, kurrë nuk do të mendojmë se një caktim nga Jehovai, na ul dinjitetin. Po të jemi të përulur në zemër, kjo do të jetë e dukshme për të gjithë, sikur ta kishim veshur këtë cilësi.
23, 24. (a) Pse duhet t’i kundërvihemi prirjes për të qenë fodullë? (b) Cilën pikëpamje të gabuar për përulësinë do të trajtojmë në kapitullin vijues?
23 Fodullëku është si helm. Pasojat e tij mund të jenë shkatërruese. Ky tipar mund ta bëjë të padobishëm për Perëndinë edhe njeriun më të talentuar në botë. Nga ana tjetër, përulësia mund ta bëjë shumë të dobishëm për Jehovain edhe njeriun më të thjeshtë. Nëse e zhvillojmë çdo ditë këtë cilësi të çmuar, duke u përpjekur të ecim me përulësi në gjurmët e Krishtit, shpërblimi ka për të qenë i mrekullueshëm. Pjetri shkroi: «Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.» (1 Pjetrit 5:6) Pa dyshim, Jehovai e lartësoi Jezuin ngaqë e përuli veten plotësisht. Po njësoj, Perëndia do të të shpërblejë me kënaqësi për përulësinë që tregon.
24 Mjerisht, disa mendojnë se përulësia është shenjë dobësie. Shembulli i Jezuit na ndihmon të kuptojmë sa e gabuar është kjo pikëpamje. Në fakt, njeriu më i përulur në tokë ishte edhe më i guximshmi nga të gjithë. Këtë do ta shqyrtojmë në kapitullin vijues.
a Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, një libër thotë se gomarët «janë krijesa të rëndomta». Pastaj shton: «Ato janë kafshë pune të zakonshme për të varfrit, të ngadalta, kokëforta, dhe jo shumë tërheqëse.»
b Për më shumë prova se Mikaeli është Jezui, shih artikullin «Kush është kryeengjëlli Mikael?» te kategoria «Përgjigje për pyetje rreth Biblës», në sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait, jw.org.