Libri biblik numër 61—2 Pjetrit
Shkrimtari: Pjetri
Vendi ku u shkrua: Babiloni (?)
Shkrimi përfundoi: rr. 64 të e.s.
1. Cilat fakte provojnë se Pjetri shkroi letrën e dytë që mban emrin e tij?
GJATË kohës që shkroi letrën e dytë, Pjetri e kuptoi se së shpejti do të përballej me vdekjen. Ai dëshironte me padurim t’u kujtonte të bashkëkrishterëve rëndësinë e njohurisë së saktë, që t’i ndihmonte të qëndronin të palëkundur në shërbim. A ka ndonjë arsye për të dyshuar se Pjetri ishte shkrimtari i letrës së dytë që mban emrin e tij? Vetë letra heq çdo dyshim lidhur me identitetin e shkrimtarit. Autori prezantohet si «Simon Pjetri, skllav dhe apostull i Jezu Krishtit». (2 Pjet. 1:1) Ai pohon: «Kjo është letra e dytë që po ju shkruaj.» (3:1) Veç kësaj, tregon se ka qenë dëshmitar i shpërfytyrimit të Jezu Krishtit, një privilegj që Pjetri e pati bashkë me Jakovin dhe Gjonin, dhe flet për të me ndjenjën që mund të provojë vetëm ai që e ka parë me sytë e vet. (1:16-21) Gjithashtu, në letrën e tij Pjetri tregon që Jezui kishte parathënë vdekjen e tij.—2 Pjet. 1:14; Gjoni 21:18, 19.
2. Ç’gjë mbështet faktin që 2 Pjetrit është pjesë e kanunit biblik?
2 Megjithatë, disa kritikë kapen te ndryshimi i stilit të dy letrave si provë për të treguar se letra e dytë nuk është shkruar nga Pjetri. Por stili s’duhet të përbëjë një problem të qenësishëm, pasi tema dhe qëllimi ishin të ndryshëm. Veç kësaj, letrën e parë Pjetri e shkroi ‘me anë të Silvanit, një vëllai të besueshëm’, dhe nëse Silvanit i ishte dhënë njëfarë lirie në formulimin e fjalive, kjo mund të shpjegojë ndryshimin e stilit në këto dy letra, pasi, me sa duket, Silvani nuk mori pjesë në shkrimin e letrës së dytë. (1 Pjet. 5:12) Është vënë në dyshim edhe që kjo letër është pjesë e kanunit biblik për faktin se për të «janë dhënë shumë pak dëshmi në shkrimet e etërve të kishës». Megjithatë, siç mund të shihet edhe në tabelën «Katalogë të vjetër të rëndësishëm të Shkrimeve të Krishtere Greke», 2 Pjetrit konsiderohej pjesë e katalogut të Biblës nga mjaft autoritete para se të formohej Këshilli i Tretë i Kartagjenës.a
3. Kur dhe ku u shkrua me sa duket letra e dytë e Pjetrit dhe kujt iu drejtua?
3 Kur u shkrua letra e dytë e Pjetrit? Ka shumë mundësi të jetë shkruar rreth vitit 64 të e.s. në Babiloni ose në rrethinat e saj, pak pas letrës së parë, por nuk ka asnjë dëshmi të qartë, sidomos për vendin. Në kohën kur u shkrua, shumica e letrave të Pavlit qarkullonin nëpër kongregacione dhe ishin të njohura për Pjetrin, që i shihte si të frymëzuara nga Perëndia dhe i gruponte me «pjesën tjetër të Shkrimeve». Letra e dytë e Pjetrit u drejtohet «atyre që kanë marrë një besim, i cili është një privilegj i barabartë me tonin», e kjo përfshin edhe ata të cilëve iu drejtua letra e parë, si dhe të tjerët të cilëve u kishte predikuar Pjetri. Njësoj si letra e parë që kishte qarkulluar në shumë vende, edhe e dyta mori një karakter të përgjithshëm.—2 Pjet. 3:15, 16; 1:1; 3:1; 1 Pjet. 1:1.
PËRMBAJTJA E 2 PJETRIT
4. (a) Ç’përpjekje duhet të bëjnë vëllezërit për të qenë të frytshëm në lidhje me njohurinë e saktë dhe çfarë u premtohet? (b) Si u bë më e sigurt fjala profetike dhe pse duhet dëgjuar?
4 Të sigurohen për thirrjen në Mbretërinë qiellore (1:1-21). Pjetri tregon menjëherë interesim të dashur për ‘ata që kanë marrë një besim’. Ai dëshiron që dashamirësia e pamerituar dhe paqja t’u shtohen «me anë të njohurisë së saktë për Perëndinë dhe Jezuin, Zotërinë». Perëndia u ka dhënë lirisht «premtimet e çmuara dhe shumë të mëdha» nëpërmjet të cilave ata mund të bëhen pjesëmarrës të natyrës hyjnore. Prandaj, duke bërë përpjekje të zellshme, ata duhet t’i shtojnë besimit virtytin, njohurinë, vetëkontrollin, qëndrueshmërinë, përkushtimin hyjnor, përzemërsinë vëllazërore dhe dashurinë. Nëse këto cilësi vërshojnë tek ata, nuk do të bëhen kurrë joaktivë ose të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë. Vëllezërit duhet të bëjnë çmos që të sigurohen për thirrjen dhe zgjedhjen e tyre, si dhe për hyrjen në Mbretërinë e përjetshme të Zotërisë së tyre. Duke e ditur se ‘tabernakulli i tij do të hiqet së shpejti’, Pjetri është gati t’ua kujtojë këto gjëra që ata të flasin për to pas nisjes së tij. Pjetri kishte qenë dëshmitar i madhështisë së Krishtit në malin e shenjtë kur «prej lavdisë madhështore, iu drejtuan këto fjalë: ‘Ky është biri im, i dashuri im, të cilin unë vetë e kam miratuar.’» Kështu, fjala profetike është bërë më e sigurt dhe duhet dëgjuar, sepse nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, «por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë».—1:1, 2, 4, 14, 17, 21.
5. Ç’paralajmërim jep Pjetri kundër mësuesve të rremë dhe ç’ilustrime të fuqishme përdor ai për të treguar se gjykimi i Perëndisë kundër këtyre njerëzve është i sigurt?
5 Paralajmërime të forta kundër mësuesve të rremë (2:1-22). Profetët dhe mësuesit e rremë do të futin sekte shkatërruese, do të nxitin sjelljen e shthurur dhe prej tyre do të shahet e vërteta. Megjithatë, shkatërrimi i tyre nuk po dremit. Perëndia nuk ua kurseu ndëshkimin engjëjve që mëkatuan, nuk kurseu Përmbytjen në ditët e Noesë dhe i bëri hi qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës. Por e çliroi Noenë që predikonte dhe Lotin e drejtë, ndaj «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor, dhe t’i ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen». Këta janë kokëkrisur, kryeneçë, si kafshë që nuk arsyetojnë, në padije, shajnë, kënaqen me mësime mashtruese, kurorëshkelës, lakmitarë dhe si Balaami duan shpërblimin e keqbërjes. Premtojnë liri, por vetë janë skllevër të prishjes. Për ta do të ishte më mirë të mos e kishin njohur saktësisht shtegun e drejtësisë, sepse u ka ndodhur ajo që thotë shprehja: «Qeni u kthye tek e vjella e tij, dhe dosa që ishte larë u kthye të zhgërryhet në llucë.»—2:9, 22.
6. (a) Pse shkruan Pjetri dhe çfarë thotë për premtimin e Perëndisë? (b) Si duhet të tregohen vigjilentë të krishterët ndryshe nga tallësit?
6 Të mbajnë gjithnjë në mend ditën e Jehovait (3:1-18). Pjetri po u shkruan të krishterëve që t’u zgjojë aftësinë për të menduar kthjellët, që të kujtojnë fjalët e thëna më parë. Në ditët e fundit do të vijnë tallës që do të thonë: «Ku është kjo prania e tij [e Krishtit] e premtuar?!» Këta njerëz nuk i japin rëndësi faktit që Perëndia e shkatërroi botën e lashtë me ujë dhe se «me anë të së njëjtës fjalë, qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin» dhe «po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm». Një mijë vjet për Jehovain janë si një ditë, prandaj, «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij», por është i durueshëm, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë. Ndaj, të krishterët duhet të kenë kujdes se si sillen dhe duhet të praktikojnë veprime të përkushtimit hyjnor, ndërsa presin dhe mbajnë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait, nëpërmjet së cilës qiejt do të shpërbëhen nga flakët dhe elementët do të shkrihen nga nxehtësia përvëluese. Por, siç ka premtuar Perëndia do të ketë «qiej të rinj e një tokë të re».—3:4, 7, 9, 13.
7. Ç’duhet të përpiqen të bëjnë të krishterët duke e pasur këtë njohuri që më përpara?
7 Prandaj ata duhet të bëjnë çmos ‘që në fund të gjenden prej tij të panjollë, të patëmetë dhe në paqe’. Duhet ta konsiderojnë durimin e Zotërisë së tyre si shpëtim, sikurse u shkroi vëllai i dashur Pavël. Duke pasur që më përpara këtë njohuri, duhet të ruhen që të mos e humbasin palëkundshmërinë. «Përkundrazi,—përfundon Pjetri,—vazhdoni të rriteni në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia tani dhe në përjetësi!»—3:14, 18.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
8. (a) Si dëshmon Pjetri se edhe Shkrimet Hebraike, edhe ato Greke janë të frymëzuara? (b) Si nxjerrim dobi duke u mbajtur fort pas njohurisë së saktë?
8 Sa e rëndësishme është njohuria e saktë! Vetë Pjetri ndërthur në argumentet e tij njohurinë e saktë që ka fituar nga Shkrimet Hebraike. Ai dëshmon se ato ishin të frymëzuara nga fryma e shenjtë: «Sepse profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.» Gjithashtu, duke folur për Pavlin, ai saktëson se mençuria «iu dha». (1:21; 3:15) Ne nxjerrim shumë dobi duke i shqyrtuar të gjitha Shkrimet e frymëzuara dhe duke u mbajtur fort pas njohurisë së saktë. Kështu nuk do të bëhemi kurrë moskokëçarës si ata që përshkruan Pjetri e që thonë: «Të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.» (3:4) As nuk do të biem në grackat e mësuesve të rremë që përshkroi Pjetri në kapitullin 2 të letrës së tij. Përkundrazi, duhet t’i shqyrtojmë vazhdimisht përkujtuesit e Pjetrit dhe të shkrimtarëve të tjerë të Biblës. Këto na ndihmojnë të qëndrojmë ‘të vendosur në mënyrë të patundur në të vërtetën’ dhe ‘të rritemi në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht’ me durim dhe të patundur.—1:12; 3:18.
9. Ç’përpjekje të zellshme nxitemi të bëjmë dhe pse?
9 Si ndihmë për të shtuar ‘njohurinë e saktë për Perëndinë dhe Jezuin, Zotërinë tonë’, Pjetri na nxit të bëjmë përpjekje të zellshme për të zhvilluar cilësitë e krishtere që renditen në vargjet 5 deri në 7 të kapitullit të parë. Pastaj, në vargun 8 ai shton: «Po t’i keni këto gjëra, madje po të vërshojnë te ju, ato nuk do t’ju lënë të jeni joaktivë dhe të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht.» Ky është vërtet një inkurajim i shkëlqyer për të qenë aktivë si shërbëtorë të Perëndisë në këto kohë kritike!—1:2.
10. (a) Cilat premtime thekson Pjetri dhe ç’nxitje jep në lidhje me to? (b) Ç’siguri jep Pjetri për profecitë e Mbretërisë?
10 Sa e rëndësishme është të bëjmë çmos që të sigurohemi se do të marrim pjesë në «premtimet e çmuara dhe shumë të mëdha» të Perëndisë Jehova! Prandaj, Pjetri i nxit të krishterët e mirosur t’i mbajnë sytë vetëm te synimi i Mbretërisë, kur thotë: «Bëni çmos që të siguroheni për thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, nëse vazhdoni t’i bëni këto gjëra, nuk do të dështoni kurrsesi. Kështu, do t’ju sigurohet një hyrje e lavdishme në mbretërinë e përjetshme të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.» Më pas, Pjetri e tërheq vëmendjen te madhështia e lavdisë së Jezuit si Mbret, të cilën ai e pa me sytë e vet në vegimin e shpërfytyrimit, dhe shton: «Prandaj, ne e kemi fjalën profetike më të sigurt.» Vërtet, të gjitha profecitë për Mbretërinë madhështore të Jehovait do të përmbushen me siguri. Prandaj, u bëjmë jehonë me bindje fjalëve të Pjetrit të cituara nga profecia e Isaisë: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.»—2 Pjet. 1:4, 10, 11, 19; 3:13; Isa. 65:17, 18.
[Shënimi]
a Shih tabelën në faqen 303.