ARTIKULLI I STUDIMIT 39
Kush është ‘shumica e madhe’?
«Pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe, . . . të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte.»—ZBUL. 7:9.
KËNGA 60 Ftesë që sjell shpëtim
PËRMBLEDHJEa
1. Në cilën situatë ishte apostulli Gjon në fund të shekullit të parë të e.s.?
NË FUND të shekullit të parë të e.s., apostulli Gjon ndodhej në një situatë tejet të vështirë. Ishte i moshuar, i internuar në ishullin e Patmosit dhe ka të ngjarë të ishte i vetmi që kishte mbetur gjallë nga apostujt. (Zbul. 1:9) Ai e dinte se apostatët po i mashtronin kongregacionet dhe po shkaktonin përçarje. Dukej sikur flakëza e krishterimit pas pak do të shuhej krejt.—Jud. 4; Zbul. 2:15, 20; 3:1, 17.
2. Sipas Zbulesës 7:9-14, cilin vegim emocionues për të ardhmen mori Gjoni? (Shih figurën e kopertinës.)
2 Në këtë situatë të rëndë, Gjoni merr një vegim emocionues për të ardhmen. Në të, engjëjve u thuhet të mbajnë fort erërat shkatërrimtare të shtrëngimit të madh, derisa të bëhet vulosja përfundimtare e një grupi skllevërish. (Zbul. 7:1-3) Ky grup përbëhet nga 144.000 veta, që do të qeverisin me Jezuin në qiell. (Luka 12:32; Zbul. 7:4) Pastaj Gjoni përmend një grup tjetër, që është aq i madh, sa thotë: «Pas këtyre gjërave, pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte.» (Lexo Zbulesën 7:9-14.) Imagjino sa i lumtur duhet të ketë qenë Gjoni kur mori vesh se, në të ardhmen, një numër i madh njerëzish do ta adhuronin Perëndinë në mënyrën e duhur!
3. (a) Pse duhet të na e forcojë besimin vegimi që pa Gjoni? (b) Çfarë do të mësojmë në këtë artikull?
3 Me siguri që ai vegim ia forcoi besimin Gjonit. Aq më shumë duhet të na e forcojë besimin neve, përderisa jetojmë në kohën kur po plotësohet ky vegim! Kemi parë të mblidhen miliona njerëz që shpresojnë të mbijetojnë shtrëngimin e madh dhe të jetojnë përgjithmonë në tokë. Në këtë artikull do të mësojmë në ç’mënyrë ia zbuloi Jehovai identitetin e shumicës së madhe popullit të tij mbi tetë dekada më parë. Pastaj do të shqyrtojmë dy veçori të kësaj shumice: (1) madhësinë dhe (2) larminë. Këto pika duhet t’ua forcojnë besimin të gjithë atyre që kanë perspektivën të bëjnë pjesë në këtë grup me shpresë të mrekullueshme.
KU DO TË JETOJË SHUMICA E MADHE?
4. Cilën të vërtetë të Shkrimeve nuk kupton krishterimi, dhe si ndryshonin Studentët e Biblës në këtë aspekt?
4 Krishterimi në përgjithësi nuk mëson të vërtetën e Shkrimeve se një ditë njerëzit e bindur do të jetojnë përgjithmonë në tokë. (2 Kor. 4:3, 4) Sot, shumica e feve të krishterimit mësojnë se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell kur vdesin. Mirëpo ishte krejt ndryshe me grupin e vogël të Studentëve të Biblës, të cilët po botonin Kullën e Rojës në fund të viteve 1800. Ata e kuptuan se Perëndia do ta rivendosë Parajsën në tokë dhe se miliona njerëz të bindur do të jetojnë këtu në tokë e jo në qiell. Gjithsesi, atyre iu desh kohë të dallonin qartë cilët do të ishin këta njerëz të bindur.—Mat. 6:10.
5. Çfarë besonin Studentët e Biblës për grupin prej 144.000 vetash?
5 Studentët e Biblës kuptuan nga Shkrimet edhe se disa ‘do të bliheshin nga toka’ për të qeverisur me Jezuin në qiell. (Zbul. 14:3) Ai grup do të përbëhej nga 144.000 të krishterë të zellshëm e të kushtuar, të cilët i kishin shërbyer me besnikëri Perëndisë në tokë. Po për shumicën e madhe, çfarë besonin?
6. Çfarë besonin Studentët e Biblës për shumicën e madhe?
6 Në vegimin e tij, Gjoni pa që ai grup «qëndronte para fronit dhe para Qengjit». (Zbul. 7:9) Nga këto fjalë, Studentët e Biblës arritën në përfundimin se shumica e madhe, njësoj si 144.000-t, do të jetonte në qiell. Nëse edhe 144.000-t, edhe shumica e madhe do të jetonin në qiell, si ndryshonte njëri grup nga tjetri? Studentët e Biblës mendonin se shumica e madhe duhej të përbëhej nga të krishterë që nuk kishin qenë plotësisht të bindur ndaj Perëndisë kur ishin në tokë. Edhe pse në përgjithësi mund të kishin bërë një jetë të pastër, disa prej tyre ndoshta ishin ende pjesë e kishave të krishterimit. Studentët e Biblës arritën në përfundimin se ky grup tregonte njëfarë zelli, por jo aq sa të qeveriste me Jezuin. Meqë dashuria e tyre për Perëndinë nuk kishte qenë e zjarrtë sa duhej, shumica e madhe do të kualifikohej të qëndronte në qiell përpara fronit, por jo të ulej në frone.
7. (a) Sipas Studentëve të Biblës, cilët do të jetonin në tokë gjatë Mijëvjeçarit? (b) Çfarë besonin Studentët e Biblës për burrat besnikë të lashtësisë?
7 Po atëherë, kush do të jetonte në tokë? Studentët e Biblës besonin se pasi të mblidheshin në qiell të 144.000-t dhe shumica e madhe, miliona të tjerëve do t’u jepej mundësia të jetonin në tokë, që të shijonin bekimet e Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Studentët e Biblës nuk mendonin se ata miliona veta do t’i shërbenin Jehovait përpara se të fillonte mbretërimi i Krishtit. Përkundrazi, mendonin se ky grup do t’i mësonte udhët e Jehovait gjatë Mijëvjeçarit. Pas kësaj, ata që e përputhnin jetën me standardet e Jehovait, do të bekoheshin me jetën e përhershme në tokë, kurse ata që rebeloheshin, do të shfaroseshin. Gjithashtu, Studentët e Biblës mendonin se disa që do të shërbenin si «princa» në tokë gjatë asaj kohe—përfshirë burra besnikë që vdiqën para Krishtit—ndoshta do të shpërbleheshin me jetën qiellore në fund të Mijëvjeçarit.—Psal. 45:16.
8. Sipas Studentëve të Biblës, cilat ishin tri grupet që përfshiheshin në qëllimin e Perëndisë?
8 Pra, Studentët e Biblës mendonin se ishin tri grupe: (1) 144.000-t, të cilët do të qeverisnin me Jezuin në qiell; (2) shumica e madhe me të krishterë më pak të zellshëm, të cilët do të qëndronin para fronit dhe para Qengjit në qiell dhe (3) miliona njerëz, të cilët do t’i mësonin udhët e Jehovait në tokë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.b Mirëpo në kohën që caktoi Jehovai, drita e së vërtetës për këtë temë filloi të ndriçonte gjithnjë e më shumë.—Prov. 4:18.
DRITA E SË VËRTETËS NDRIÇON MË SHUMË
9. (a) Si mund të qëndrojë «para fronit dhe para Qengjit» shumica e madhe në tokë? (b) Pse është logjike kjo pikëpamje e qartësuar për Zbulesën 7:9?
9 Në vitin 1935 u qartësua identiteti i shumicës së madhe që pa në vegim Gjoni. Dëshmitarët e Jehovait kuptuan se, për të qëndruar «para fronit dhe para Qengjit», shumica e madhe s’ka pse të jetë në qiell në kuptimin e mirëfilltë. Përkundrazi, këtë e bën në kuptimin e figurshëm. Edhe pse do të jetojë në tokë, shumica e madhe mund të qëndrojë «para fronit» duke pranuar autoritetin e Jehovait dhe duke iu nënshtruar sovranitetit të tij. (Isa. 66:1) Ata mund të qëndrojnë «para Qengjit» duke treguar besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. Veç kësaj, te Mateu 25:31, 32 thuhet se «tërë kombet», përfshirë të ligjtë, «do të mblidhen para» Jezuit në fronin e tij të lavdishëm. Është e qartë se tërë këto kombe nuk do të mblidhen në qiell, por në tokë. Kjo pikëpamje e qartësuar është logjike. Ajo shpjegon pse Bibla nuk thotë se shumica e madhe shkon në qiell. Jeta e përhershme në qiell i është premtuar vetëm një grupi—144.000-ve që «do të mbretërojnë mbi tokën» me Jezuin.—Zbul. 5:10.
10. Pse është e nevojshme që shumica e madhe t’i mësojë udhët e Jehovait para Mijëvjeçarit?
10 Pra, që nga 1935-a, Dëshmitarët e Jehovait kanë kuptuar se shumica e madhe në vegimin e Gjonit, përbëhet nga të krishterë besnikë që kanë perspektivën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Që t’i mbijetojë shtrëngimit të madh, shumica e madhe duhet t’i mësojë udhët e Jehovait para se të fillojë Mijëvjeçari. Duhet edhe të tregojë besim të fortë, ‘që t’ia dalë mbanë të shpëtojë nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin’ para Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.—Luka 21:34-36.
11. Pse mund të kenë menduar disa Studentë të Biblës se disa do të ringjalleshin në qiell në fund të Mijëvjeçarit?
11 Ç’mund të themi për pikëpamjen se disa besnikë në tokë do të ringjalleshin në qiell në fund të Mijëvjeçarit? Kjo ide, që u sugjerua vite më parë në Kullën e Rojës të 15 shkurtit 1913, bazohej në këtë arsyetim: «Pse besnikët e lashtësisë do të merrnin thjesht një trashëgimi në tokë, kurse të krishterët që nuk kishin qenë po aq besnikë, do të shpërbleheshin me jetën në qiell?» Sigurisht që ky arsyetim ishte ndikuar nga këto dy supozime të gabuara: (1) shumica e madhe do të jetonte në qiell dhe (2) shumica e madhe do të përbëhej nga të krishterë më pak të zellshëm.
12-13. Çfarë pranojnë të mirosurit dhe shumica e madhe për shpërblimin e tyre?
12 Gjithsesi, siç e kemi parë, Dëshmitarët e Jehovait e kanë kuptuar qartë që nga 1935-a se ata që do të mbijetojnë në Harmagedon, janë shumica e madhe që pa në vegim Gjoni. Ata do të «dalin nga shtrëngimi i madh» pikërisht këtu në tokë dhe do të «thërrasin me zë të fortë: ‘Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.’» (Zbul. 7:10, 14) Gjithashtu, Shkrimet na mësojnë se ata që ringjallen për të jetuar në qiell, marrin «diçka më të mirë» se besnikët e lashtësisë. (Hebr. 11:40) Pasi e kuptuan më qartë këtë, plot entuziazëm vëllezërit filluan t’i ftonin njerëzit t’i shërbenin Jehovait, e kështu të kishin shpresën të jetonin përgjithmonë në tokë.
13 Pjesëtarët e shumicës së madhe gëzojnë për shpresën e tyre. Ata e kuptojnë se është Jehovai ai që vendos ku do t’i shërbejnë adhuruesit e tij besnikë, në qiell a në tokë. Si të mirosurit, edhe shumica e madhe, e pranojnë se mund ta marrin këtë shpërblim vetëm falë dashamirësisë së pamerituar që ka shprehur Jehovai nëpërmjet flijimit shpërblyes të Krishtit.—Rom. 3:24.
E MADHE NË NUMËR
14. Pas 1935-s, pse shumë veta vritnin mendjen si do të plotësohej profecia për shumicën e madhe?
14 Pasi u qartësua në vitin 1935 se kush është shumica e madhe, shumë veta ende vritnin mendjen se si do të bëheshin një shumicë «e madhe» ata që kanë shpresë tokësore. Për shembull, Ronald Parkini ishte 12 vjeç kur u bë i qartë identiteti i shumicës së madhe. Ai kujton: «Në atë kohë ishim rreth 56.000 lajmëtarë në të gjithë botën dhe shumë prej tyre, ndoshta pjesa më e madhe, ishin të mirosur. Prandaj shumica e madhe nuk dukej edhe aq e madhe.»
15. Si ka përparuar mbledhja e shumicës së madhe?
15 Megjithatë, në dekadat vijuese u dërguan misionarë në shumë vende, dhe numri i Dëshmitarëve të Jehovait vazhdoi të rritej. Pastaj, më 1968 filloi të përdorej libri E vërteta që të çon në jetën e përjetshme për të studiuar Biblën me njerëzit. Mënyra e thjeshtë si i shpjegonte të vërtetat e Biblës, tërhoqi shumë zemërbutë drejt Jehovait, si kurrë më parë. Brenda katër vjetëve, u pagëzuan më shumë se 500.000 dishepuj të rinj. Kur Kisha Katolike filloi të humbte pushtetin në Amerikën Latine e në vende të tjera dhe vepra jonë nuk ishte më e kufizuar në Evropën Lindore e në disa vende të Afrikës, miliona të tjerë u pagëzuan. (Isa. 60:22) Vitet e fundit, organizata e Jehovait ka nxjerrë mjaft mjete të tjera të efektshme për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë të vërtetat e Biblës. Pa dyshim që Jehovai po mbledh një shumicë vërtet të madhe, që tani arrin në mbi 8 milionë veta.
LARMIA E SHUMICËS SË MADHE
16. Nga mblidhet shumica e madhe?
16 Kur hodhi me shkrim vegimin, Gjoni përmendi se shumica e madhe do të mblidhej «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». Profeti Zakaria kishte parathënë kohë më parë një gjë të ngjashme. Ai shkroi: «Ato ditë, dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu e do të thonë: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’»—Zak. 8:23.
17. Çfarë po bëhet për të ndihmuar njerëz nga të gjitha kombet dhe gjuhët?
17 Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se, që të mblidhen njerëz nga të gjitha gjuhët, duhet të predikohet lajmi i mirë në shumë gjuhë. Ne kemi përkthyer botime për studimin e Biblës për më shumë se 130 vjet. Por tani po bëjmë veprën më të madhe të përkthimit në histori, pasi po përkthejmë në qindra gjuhë. Është e qartë se Jehovai po bën një mrekulli në ditët tona—po mbledh një shumicë të madhe nga të gjitha kombet. Ngaqë Bibla dhe botimet e bazuara në të disponohen në gjithnjë e më shumë gjuhë, ky grup i larmishëm e adhuron Jehovain në unitet. Gjithashtu, Dëshmitarët spikatin për predikimin e zellshëm dhe dashurinë vëllazërore. Sa na e forcon besimin kjo!—Mat. 24:14; Gjoni 13:35.
SI NDIKON VEGIMI TE NE?
18. (a) Sipas Isaisë 46:10, 11, pse nuk habitemi që Jehovai e ka plotësuar profecinë për shumicën e madhe? (b) Pse nuk ndihen të mënjanuar ata që shpresojnë të jetojnë në tokë?
18 Me të drejtë na emocionon profecia për shumicën e madhe. S’habitemi që Jehovai e ka plotësuar këtë profeci në një mënyrë kaq të mrekullueshme. (Lexo Isainë 46:10, 11.) Pjesëtarët e shumicës së madhe janë mirënjohës për shpresën që u ka dhënë Jehovai. Nuk ndihen të mënjanuar ngaqë nuk janë të mirosur me frymën e Perëndisë për të shërbyer me Jezuin në qiell. Në Shkrime ka plot shembuj të grave e burrave besnikë që e lejonin frymën e shenjtë t’i drejtonte në çdo hap, e prapëseprapë nuk janë pjesë e 144.000-ve. Një prej tyre është Gjon Pagëzori. (Mat. 11:11) Një tjetër është Davidi. (Vep. 2:34) Ata dhe sa e sa të tjerë do të ringjallen në parajsë në tokë. Të gjithë këta, bashkë me shumicën e madhe, do të kenë mundësi të tregojnë besnikërinë e tyre ndaj Jehovait dhe sovranitetit të tij.
19. Si e thekson plotësimi i vegimit të Gjonit për shumicën e madhe urgjencën e kohëve në të cilat jetojmë?
19 Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit që Perëndia të bashkojë miliona veta nga të gjitha kombet. Pavarësisht nëse shpresojmë të jetojmë në qiell a në tokë, duhet të ndihmojmë sa më shumë njerëz, që të bëhen pjesë e shumicës së madhe të ‘deleve të tjera’. (Gjoni 10:16) Së shpejti, Jehovai do të sjellë shtrëngimin e madh të parathënë, që do të shkatërrojë qeveritë dhe fetë që e kanë munduar njerëzimin. Ç’privilegj i mrekullueshëm i pret të gjithë pjesëtarët e shumicës së madhe—t’i shërbejnë përgjithmonë Jehovait në tokë!—Zbul. 7:14.
KËNGA 139 Përfytyro çdo gjë të re
a Në këtë artikull do të shqyrtojmë vegimin profetik që pa Gjoni për mbledhjen e ‘shumicës së madhe’. Pa dyshim, kjo do t’ua forcojë besimin të gjithë atyre që bëjnë pjesë në këtë grup me shpresë të mrekullueshme.
b Shih Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, f. 159-163, anglisht.