Një shumicë e madhe që kryen shërbim të shenjtë
«Ata i bëjnë atij shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij.»—ZBULESA 7:15, BR.
1. Cila pikë domethënëse në lidhje me kuptueshmërinë frymore u arrit në 1935-ën?
MË 31 maj 1935, midis delegatëve në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait, në Uashington, kishte gëzim të madh. Atje, për herë të parë, turma e madhe (ose shumica e madhe) e Zbulesës 7:9 u identifikua qartësisht, në përputhje me pjesën tjetër të Biblës dhe me ngjarjet që tashmë kishin filluar të ndodhnin.
2. Nga duket se një numër në rritje e kuptoi që Perëndia nuk i kishte thirrur në jetën qiellore?
2 Gati gjashtë javë më parë, në përkujtimin e Darkës së Zotërisë në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, 10.681 nga të pranishmit (rreth 1 në 6 veta) nuk i morën emblemat e bukës e të verës dhe 3.688 prej tyre ishin lajmëtarë aktivë të Mbretërisë së Perëndisë. Përse nuk i morën emblemat? Sepse në bazë të asaj që kishin mësuar nga Bibla, ata e kuptuan që Perëndia nuk i kishte thirrur për në jetën qiellore, por do të kishin pjesë në masat e dashura të Jehovait në një mënyrë tjetër. Çfarë ndodhi, pra, kur gjatë atij kongresi folësi pyeti: «Ju lutemi, a mund të ngrihen të gjithë ata që kanë shpresë për të jetuar përgjithmonë në tokë?» Mijëra veta u ngritën në këmbë, të shoqëruar nga brohoritjet e zgjatura të auditorit.
3. Përse identifikimi i shumicës së madhe i dha një vrull të ri shërbimit në fushë dhe si u ndien Dëshmitarët në lidhje me këtë?
3 Ajo që delegatët mësuan në atë kongres, i dha vrull të ri shërbimit të tyre. Ata nisën të vlerësonin se tani, përpara fundit të këtij sistemi të vjetër, jo vetëm disa mijërave, por një shumice të madhe njerëzish po u jepej mundësia për t’u futur brenda rregullimeve të Jehovait për ruajtjen e jetës, me perspektivën për të jetuar përgjithmonë mbi një tokë parajsore. Ç’mesazh i përzemërt u paraqit për ata që donin të vërtetën! Dëshmitarët e Jehovait e kuptuan se kishin shumë punë për të bërë, punë të gëzueshme. Vite më vonë, John Booth, i cili u bë më pas anëtar i Trupit Udhëheqës, kujtonte: «Ajo asamble na dha shumë arsye për t’u gëzuar.»
4. (a) Deri në ç’masë ishte bërë mbledhja e shumicës së madhe deri në 1935-ën? (b) Në ç’mënyrë pjesëtarët e shumicës së madhe po dëshmojnë se kanë një besim të gjallë?
4 Gjatë viteve që pasuan, numri i Dëshmitarëve të Jehovait u rrit në mënyrë dramatike. Pavarësisht nga persekutimi i shpeshtë e i ashpër që pllakosi mbi ta gjatë Luftës II Botërore, numri i tyre gati u trefishua brenda një dekade. Dhe të 56.153 lajmëtarët që kishin dhënë dëshmi publike në 1935-ën, në 1994-ën u shtuan në mbi 4.900.000 lajmëtarë të Mbretërisë, që vepronin në më shumë se 230 vende. Pjesa më e madhe mezi presin që të përfshihen midis atyre që Jehovai do t’u japë favorin e jetës së përsosur mbi një tokë parajsore. Duke i krahasuar me tufën e vogël, ata janë bërë me të vërtetë një shumicë e madhe. Ata nuk janë njerëz që thonë se kanë besim e pastaj nuk e tregojnë atë. (Jakovit 1:22; 2:14-17) Të gjithë ata e ndajnë me të tjerët lajmin e mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë. A je edhe ti pjesë e këtij grumbulli të madh e të lumtur? Nëse je një Dëshmitar aktiv, plotëson një shenjë të rëndësishme identifikuese, por ka edhe më shumë.
«Qëndronin në këmbë përpara fronit»
5. Çfarë tregohet nga fakti se shumica e madhe po ‘qëndron në këmbë përpara fronit’?
5 Në vizionin që pati, apostulli Gjon pa ata që «qëndronin në këmbë përpara fronit». (Zbulesa 7:9) Qëndrimi i tyre përpara fronit të Perëndisë, siç përshkruhet në këtë kontekst, tregon se ata e pranojnë plotësisht sovranitetin e Jehovait. Dhe kjo përfshin shumë. Për shembull: (1) Ata pranojnë të drejtën e Jehovait për të vendosur se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe për shërbëtorët e tij. (Zanafilla 2:16, 17; Isaia 5:20, 21) (2) Ata e dëgjojnë Jehovain, ndërsa ai u flet nëpërmjet Fjalës së tij. (Ligji i përtërirë 6:1-3; 2. Pjetrit 1:19-21) (3) Ata e vlerësojnë rëndësinë e nënshtrimit ndaj atyre, të cilëve Jehovai u ka besuar mbikëqyrjen. (1. Korintasve 11:3; Efesianëve 5:22, 23; 6:1-3; Hebrenjve 13:17) (4) Edhe pse të papërsosur, ata përpiqen sinqerisht që t’i përgjigjen drejtimit teokratik, jo pa dëshirë, por me gatishmëri e nga zemra. (Proverbat 3:1; Jakovit 3:17, 18) Ata qëndrojnë përpara fronit, për t’i bërë shërbim të shenjtë Jehovait, të cilin e respektojnë dhe e duan thellësisht. Në rastin e kësaj shumice të madhe, ‘qëndrimi’ i saj përpara fronit tregon miratimin nga ana e Atij që rri ulur mbi fron. (Krahaso Zbulesën 6:16, 17.) Mbi ç’bazë mbështetet ky miratim?
«Të veshur me rroba të bardha»
6. (a) Ç’do të thotë shprehja se anëtarët e shumicës së madhe ishin «të veshur me rroba të bardha»? (b) Si ka arritur shumica e madhe të ketë një qëndrim të drejtë përpara Jehovait? (c) Deri në ç’pikë ndikon besimi në gjakun e derdhur të Krishtit, mbi jetën e shumicës së madhe?
6 Përshkrimi që i bën apostulli Gjon asaj që pa, thotë se pjesëtarët e shumicës së madhe janë «të veshur me rroba të bardha». Këto rroba të bardha simbolizojnë qëndrimin e tyre të pastër e të drejtë para Jehovait. Si e kanë arritur ata këtë qëndrim? Ne kemi parë tashmë se në vizionin e Gjonit ata qëndronin «përpara Qengjit». E pranojnë Jezu Krishtin si «Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës». (Gjoni 1:29) Gjoni dëgjoi një prej pleqve, i cili në vizion ishte i pranishëm në fronin e Perëndisë, që i shpjegoi: «I kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit. Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë.» (Zbulesa 7:14, 15) Në mënyrë figurative, ata i kanë larë veshjet e tyre duke ushtruar besim në gjakun shpërblerës të Krishtit. Ata nuk e pranojnë vetëm nga ana mendore mësimin e Biblës mbi shpërblimin. Çmueshmëria për të ndikon edhe mbi llojin e personit që janë përbrenda; në këtë mënyrë, ata tregojnë «me zemër» që ushtrojnë besim. (Romakëve 10:9, 10) Kjo ka një ndikim shumë të madh mbi mënyrën se si e përdorin jetën e tyre. Me besim, dedikohen ndaj Jehovait në bazë të sakrificës së Jezuit, e simbolizojnë dedikimin e tyre me zhytjen në ujë, jetojnë në harmoni të vërtetë me dedikimin e tyre dhe në këtë mënyrë gëzojnë një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë. Sa privilegj i shkëlqyer që duhet ruajtur me kujdes!—2. Korintasve 5:14, 15.
7, 8. Si e ka ndihmuar organizata e Jehovait shumicën e madhe që t’i mbajë të panjollosura rrobat e saj?
7 Me një përkujdesje të dashur për mirëqenien e tyre të përhershme, organizata e Jehovait ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen mbi shprehi apo sjellje që mund të njollosin, ose të fëlliqin veshjen identifikuese të dikujt, në atë mënyrë që, pavarësisht nga ç’mund të thotë, personi nuk do t’i përshtatej me të vërtetë përshkrimit profetik të Zbulesës 7:9, 10. (1. Pjetrit 1:15, 16) Duke përforcuar atë që ishte botuar edhe më parë, Kulla e Rojës, nga 1941 e më pas, tregoi vazhdimisht se do të ishte krejt e papërshtatshme që t’u predikonim të tjerëve e pastaj, jashtë shërbimit, të jepeshim pas sjelljeve të tilla si kurvëria apo tradhtia bashkëshortore. (1. Selanikasve 4:3; Hebrenjve 13:4) Në vitin 1947, u theksua se normat e krishtere të Jehovait mbi martesën zbatoheshin në të gjitha vendet; pavarësisht nga çfarë mund të pranohej prej zakoneve lokale, ata që vazhdonin të praktikonin poligaminë nuk mund të ishin Dëshmitarë të Jehovait.—Mateu 19:4-6; Titit 1:5, 6.
8 Në vitin 1973, për të gjithë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën u bë e qartë se çdonjëri prej tyre nuk duhej të kishte fare të bënte me praktika të pamohueshme njollosëse, të tilla si keqpërdorimi i duhanit, kudo që të ishin: jo vetëm në Sallën e Mbretërisë apo në shërbimin në fushë, por edhe gjatë punës ose në ndonjë ambient privat. (2. Korintasve 7:1) Në 1987-ën, në kongreset krahinore të Dëshmitarëve të Jehovait, të rinjtë e krishterë u këshilluan me forcë që për të pasur një qëndrim të pastër përpara Perëndisë, duhej të ruheshin nga një jetë e dyfishtë. (Psalmi 26:1, 4) Gjithnjë e përsëri, Kulla e Rojës kishte paralajmëruar mbi aspekte të ndryshme të frymës së botës, sepse «feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit» përfshin edhe të mbash veten «të pastër nga bota».—Jakovit 1:27.
9. Cilët do të qëndrojnë, në fakt, të miratuar para fronit të Perëndisë pas mjerimit të madh?
9 Personat që ende ‘do të qëndrojnë në këmbë përpara fronit’ si shërbëtorë të miratuar të Perëndisë pas mjerimit të madh që po vjen, do të jenë ata individë, besimi i të cilëve i nxit që të jetojnë në mënyrë të atillë, që të mbesin të pastër frymësisht dhe moralisht. Këta janë njerëz që jo vetëm fillojnë një jetë të krishterë, por vazhdojnë me besnikëri në të.—Efesianëve 4:24.
«Me palma në duart e tyre»
10. Çfarë domethënie kanë degët e palmave që mbante në dorë shumica e madhe, sipas asaj që pa Gjoni?
10 Një nga karakteristikat dalluese të shumicës së madhe, siç vërejti edhe apostulli Gjon, është se ata kishin «palma në duart e tyre». Çfarë domethënie ka kjo? Pa dyshim, ato degë palmash i sillnin ndër mend Gjonit festivalin hebre të kasolleve, festa më e gëzuar në kalendarin hebre, që mbahej pas korrjeve të verës. Në përputhje me Ligjin, gjethet e palmave, bashkë me degët e pemëve të tjera, u përdorën për të bërë kasolle në të cilat do të jetonin gjatë festës. (Levitiku 23:39-40; Nehemia 8:14-18) Gjithashtu, ato tundeshin edhe nga adhuruesit në tempull, ndërsa këndonin psalmet e Helelit. (Psalmet 113-118) Tundja e degëve të palmave nga ana e shumicës së madhe, ka mundësi t’i ketë kujtuar Gjonit edhe rastin kur Jezui hyri në Jeruzalem kaluar mbi një kërriç, ndërsa turma e adhuruesve tundte me gëzim degët e palmave dhe bërtiste: «Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!» (Gjoni 12:12, 13) Prandaj, tundja e degëve të palmave tregon se shumica e madhe e nderon me gëzim Mbretërinë e Jehovait dhe Mbretin e tij të mirosur.
11. Përse shërbëtorët e Perëndisë gjejnë gëzim të vërtetë në shërbim të Jehovait?
11 Të njëjtën frymë të gëzuar po shfaq sot edhe shumica e madhe, duke i shërbyer Jehovait. Kjo nuk do të thotë se ata nuk përballojnë vështirësi apo që nuk provojnë hidhërime e dhimbje. Por kënaqësia që vjen duke i shërbyer dhe duke i bërë qejfin Jehovait, baraspeshon këto gjëra. Për shembull, një misionare që kishte shërbyer për 45 vjet me të shoqin në Guatemala, tregon për kushtet primitive në të cilat gjendeshin, për punën e rëndë dhe për udhëtimet e rrezikshme që ishin pjesë e jetës së tyre, ndërsa përpiqeshin të çonin mesazhin e Mbretërisë në fshatrat e indianëve. Ajo përfundon: «Ishte periudha më e lumtur e jetës sonë.» Edhe pse i kishte ndier pasojat e moshës së shkuar e të sëmundjes, midis rreshtave të fundit të ditarit të saj gjendeshin fjalët: «Ka qenë një jetë e bukur dhe mjaft e kënaqshme.» Në mbarë botën, Dëshmitarët e Jehovait ndiejnë të njëjtën gjë për shërbimin e tyre.
«Shërbim të shenjtë ditë e natë»
12. Çfarë vëren Jehovai këtu mbi tokë, si ditën ashtu edhe natën?
12 Këta adhurues të gëzuar i bëjnë Jehovait «shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij». (Zbulesa 7:15, BR) Përreth globit, miliona veta po marrin pjesë në këtë shërbim të shenjtë. Kur në disa vende është natë dhe njerëzit flenë, në një vend tjetër ka dalë dielli dhe Dëshmitarët e Jehovait janë të zënë me shërbimin e tyre. Ndërsa globi rrotullohet vazhdimisht, ditë e natë, ata i këndojnë lavdi Jehovait. (Psalmi 86:9) Por shërbimi ditë e natë, për të cilin flet Zbulesa 7:15, është edhe më shumë personal.
13. Sipas asaj që tregojnë Shkrimet, ç’do të thotë të shërbesh «ditë e natë»?
13 Individët që përbëjnë shumicën e madhe kryejnë shërbim të shenjtë ditë e natë. A do të thotë kjo se çdo gjë që ata bëjnë shihet si shërbim i shenjtë? Është e vërtetë se çfarëdo të jenë duke bërë, ata mësojnë ta kryejnë në mënyrë që të nderojë Jehovain. (1. Korintasve 10:31; Kolosianëve 3:23) Megjithatë, shprehja «shërbim i shenjtë» zbatohet vetëm mbi atë që përfshin drejtpërdrejt adhurimin që dikush i bën Perëndisë. Të jesh i angazhuar në një aktivitet «ditë e natë», përfshin rregullsinë ose vazhdimësinë, si edhe përpjekje të sinqerta.—Krahaso Josiun 1:8; Luka 2:37; Veprat 20:31; 2. Selanikasve 3:8.
14. Në ç’mënyrë shërbimi që kryejmë personalisht në fushë, mund t’i përshtatet përshkrimit që i bëhet shërbimit «ditë e natë»?
14 Duke shërbyer në oborrin tokësor të tempullit të madh të Jehovait, pjesëtarët e shumicës së madhe përpiqen të marrin pjesë rregullisht dhe vazhdimisht në shërbimin në fushë. Shumë prej tyre kanë vënë si synim që çdo javë të marrin pjesë në ndonjë aspekt të shërbimit në fushë. Disa të tjerë ushtrohen si pionierë të rregullt apo ndihmës. Shpesh, këta janë të zënë qysh herët në mëngjes duke dhënë dëshmi në rrugë apo në dyqane. Për të lehtësuar të interesuarit, disa Dëshmitarë drejtojnë studime biblike natën vonë. Ata dëshmojnë kur bëjnë pazarin, kur udhëtojnë, gjatë pushimeve të drekës ose me telefon.
15. Përveç shërbimit në fushë, çfarë përfshihet në shërbimin tonë të shenjtë?
15 Edhe pjesëmarrja në mbledhjet e kongregacionit është pjesë e shërbimit tonë të shenjtë; po kështu është edhe puna që përfshin ndërtimin dhe kujdesin për vendet e asambleve të krishtere. Këtu hyjnë edhe përpjekjet për të inkurajuar e ndihmuar frymësisht dhe materialisht vëllezërit e motrat, që të mbajnë gjallë shërbimin e Jehovait. Përmblidhet këtu edhe puna që kryejnë Komitetet e Lidhjes me Spitalet. Shërbimi në Bethel, në të gjitha format e tij të ndryshme, si edhe shërbimi vullnetar nëpër kongreset tona, është i gjithi shërbim i shenjtë. Vërtet, kur jeta jonë përqendrohet rreth marrëdhënies sonë me Jehovain, ajo është e mbushur me shërbim të shenjtë. Siç thotë shkrimi, populli i Jehovait kryen «shërbim të shenjtë ditë e natë» dhe gjen gëzim të madh duke vepruar kështu.—Veprat 20:35; 1. Timoteut 1:11.
‘Prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve’
16. Si po vërtetohet fakti që shumica e madhe po ‘vjen nga të gjitha kombet’?
16 Pjesëtarët e shumicës së madhe po dalin nga të gjitha kombet. Perëndia është i paanshëm dhe masa që ka marrë për shpërblimin me anë të Jezu Krishtit është për dobinë e të gjithëve. Kur shumica e madhe u identifikua për herë të parë në bazë të Shkrimeve, në 1935-ën, Dëshmitarët e Jehovait ishin aktivë në 115 vende. Prej viteve ’90, kërkimi i personave ngjashëm deleve është shtrirë në një numër vendesh më të madh se dyfishi.—Marku 13:10.
17. Çfarë është bërë për të ndihmuar njerëz të të gjitha ‘fiseve, popujve dhe gjuhëve’, me qëllim që të përfshihen në shumicën e madhe?
17 Në gjetjen e pjesëtarëve të shumicës së madhe, Dëshmitarët e Jehovait nuk u kanë kushtuar vëmendje vetëm grupeve kombëtare, por edhe fiseve, popujve dhe grupeve gjuhësore brenda këtyre kombeve. Për të arritur këta njerëz, Dëshmitarët botojnë literaturë biblike në më shumë se 300 gjuhë. Kjo përfshin stërvitjen dhe mbajtjen e skuadrave të kualifikuara me përkthyes, duke siguruar kompjuterë për të bërë të mundur përdorimin në gjithë këto gjuhë, si edhe shtypjen e literaturës. Vetëm gjatë pesë viteve të shkuara, listës së gjuhëve të përkthyera iu shtuan edhe 36 të tjera, që fliten nga më shumë se 98.000.000 njerëz. Përveç kësaj, Dëshmitarët përpiqen t’i vizitojnë personalisht këta njerëz, për t’i ndihmuar që të kuptojnë Fjalën e Perëndisë.—Mateu 28:19, 20.
«Vijnë nga mjerimi i madh»
18. (a) Kur të shpërthejë mjerimi i madh, cilët do të jenë të mbrojtur? (b) Çfarë lajmërimesh të lumtura do të bëhen atëherë?
18 Kur engjëjt të lirojnë erërat e shkatërrimit, për të cilat flet Zbulesa 7:1, mbrojtjen e dashur të Jehovait nuk do ta provojnë vetëm «shërbëtorët [e mirosur] të Perëndisë tonë», por edhe shumica e madhe që është bashkuar me ta në adhurimin e vërtetë. Apostullit Gjon i thanë se ata të shumicës së madhe do të «vijnë nga mjerimi i madh», si të mbijetuar. Çfarë britme mirënjohjeje dhe lavdërimi do të dalë atëherë: «Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit.» Dhe të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë do t’i bashkojnë zërat e tyre me shumicën e madhe, duke deklaruar: «Amen! Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria, dhe falendërimi, dhe nderimi, dhe fuqia, dhe forca janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve. Amen!»—Zbulesa 7:10-14.
19. Në çfarë aktiviteti të gëzuar, do të jenë të paduruar për të marrë pjesë ata që do të mbijetojnë?
19 Sa kohë e lumtur do të jetë! Të gjithë që do jetojnë, do të jenë shërbëtorë të Perëndisë së vetëm e të vërtetë! Gëzimi më i madh për të gjithë do të jetë shërbimi ndaj Jehovait. Do të ketë shumë punë për të bërë: punë të gëzueshme! Toka duhet transformuar në Parajsë. Mijëra e miliona të vdekur do të ringjallen e më pas duhen edukuar në rrugët e Jehovait. Sa privilegj i gëzuar do të jetë të marrësh pjesë në të!
Si do të komentoje?
◻ Çfarë ndikimi patën mbi aktivitetin e shërbimit të Dëshmitarëve të Jehovait ngjarjet e vitit 1935?
◻ Çfarë tregon fakti që shumica e madhe u pa ‘duke qëndruar në këmbë përpara fronit’?
◻ Si ndikon mbi jetën çmueshmëria për gjakun e Qengjit?
◻ Ç’domethënie ka tundja e degëve të palmave nga ana e tyre?
◻ Në ç’mënyrë shumica e madhe kryen shërbim të shenjtë ditë e natë?
[Figurat në faqet 16, 17]
Shërbimi i tyre i shenjtë pasqyron rregullsi, zell dhe përpjekje të ndershme