Sa larg në lindje mund të shkonin misionarët?
MË PAK se 30 vjet pas vdekjes së Jezuit, apostulli Pavël shkroi se lajmi i mirë po u predikohej «të gjitha krijesave» nën qiell. (Kolosianëve 1:23) Kjo thënie e tij nuk duhet marrë fjalë për fjalë, domethënë sikur çdo njeri që ishte gjallë në atë kohë e kishte dëgjuar lajmin e mirë. Por, ajo që donte të theksonte Pavli është e qartë: misionarët e krishterë po predikonin gjerësisht në botën që njihej atëherë.
Sa larg mund të kenë shkuar ata? Shkrimet tregojnë se anijet tregtare i dhanë mundësi Pavlit ta zgjeronte predikimin drejt perëndimit, deri në Itali. Ky misionar i patrembur donte të predikonte edhe në Spanjë.—Veprat 27:1; 28:30, 31; Romakëve 15:28.
Po në drejtimin e kundërt? Sa larg në lindje shkuan ungjillëzuesit e hershëm të krishterë? S’e themi dot me siguri, pasi Bibla nuk komenton për këtë. Por mund të habiteni kur të mësoni deri ku shtriheshin rrugët tregtare mes Mesdheut dhe Lindjes, në shekullin e parë të e.s. Të paktën ekzistenca e këtyre rrugëve tregon se kishte mjaft mundësi për të udhëtuar në lindje.
Trashëgimia që la Aleksandri
Pushtimet e çuan Aleksandrin e Madh drejt lindjes, përmes Babilonisë e Persisë dhe deri në Punjab, në veri të Indisë. Ato ekspedita u dhanë mundësi grekëve të njihnin brigjet që nga gryka e Eufratit, në Gjirin Persik, deri në grykën e Indit, në Detin Arabik.
Shpejt erëzat dhe temjani vërshuan në botën greke nga Oqeani Indian, përmes Detit të Kuq. Kjo tregti fillimisht kontrollohej nga tregtarët indianë dhe arabë. Por, kur Ptolemejtë e Egjiptit zbuluan të fshehtat e stinës së musoneve, u futën edhe ata në tregtinë e Oqeanit Indian.
Në atë oqean, erërat fryjnë vazhdimisht nga jugperëndimi nga maji deri në shtator, duke i lejuar anijet të dalin nga gryka e Detit të Kuq e të lundrojnë ose përgjatë bregut jugor të Arabisë, ose drejtpërdrejt në Indinë Jugore. Nga nëntori deri në mars, erërat ndryshojnë drejtim, duke fryrë nga e kundërta e duke lehtësuar udhëtimin e kthimit. Detarët arabë e indianë e kishin shfrytëzuar për qindra vjet njohurinë për këto erëra, duke udhëtuar mes Indisë dhe Detit të Kuq me ngarkesa kasie, kanelle, nardi dhe piperi.
Rrugët detare për në Aleksandri dhe Romë
Kur romakët pushtuan vendet e sunduara nga pasardhësit e Aleksandrit, Roma u bë tregu kryesor për mallra të çmuara nga Lindja: fildish nga Afrika, temjan dhe mirrë nga Arabia, erëza dhe gurë të çmuar nga India, e madje edhe mëndafsh nga Kina. Anijet me këto mallra shkarkoheshin në dy porte kryesore në bregun egjiptian të Detit të Kuq: Berenikë dhe Mios-Hormos. Të dyja këto porte kishin lidhje me rrugët tokësore nga ku karvanët shkonin në Koptos, përgjatë Nilit.
Nga Koptosi, mallrat zbritnin nëpër Nil, që ishte arteria kryesore e Egjiptit, deri në Aleksandri, ku ngarkoheshin në anije që shkonin në Itali e gjetkë. Një rrugë tjetër për në Aleksandri ishte përgjatë një kanali që lidhte Nilin me pjesën e sipërme të Detit të Kuq, pranë Suezit të sotëm. Natyrisht, Egjipti dhe portet e tij detare ishin relativisht afër vendeve ku predikoi Jezui, prandaj atje mund të shkohej lehtësisht.
Sipas gjeografit grek të shekullit të parë, Strabonit, në kohën e tij kishte 120 anije aleksandrine që çdo vit lundronin nga Mios-Hormosi për të bërë tregti me Indinë. Një manual i shekullit të parë për lundrimin në këtë zonë ka mbijetuar deri në ditët tona. Ka të ngjarë të jetë shkruar nga një tregtar egjiptian greqishtfolës, që ta përdornin tregtarët e tjerë. Ç’mund të mësojmë nga ky libër i lashtë?
Manuali, të cilit shpesh i referohen me emrin latin Periplus Maris Erythraei (Udhëtim përqark Detit të Eritresë), përshkruan rrugët detare që mbulonin mijëra kilometra në jug të Egjiptit, deri në Zanzibar. Duke parë drejt lindjes, autori rendit largësitë, limanet e ankorimit, qendrat tregtare, mallrat që tregtoheshin dhe natyrën e banorëve vendës përgjatë bregut jugor të Arabisë, poshtë nëpër bregun perëndimor të Indisë deri në Sri-Lankë e pastaj përsëri lart nëpër bregun lindor të Indisë deri në lumin Gang. Përshkrimet e sakta e të gjalla të librit të çojnë në përfundimin se autori i kishte vizituar vetë vendet që përshkruan.
Perëndimorët në Indi
Në Indi, tregtarët perëndimorë njiheshin si javanë. Sipas Periplus, një nga vendmbërritjet e tyre të rregullta në shekullin e parë të e.s., ishte Muzirisi, që ndodhej pranë cepit jugor të Indisë.a Poemat tamile, që datojnë në shekujt e parë të e.s., flasin vazhdimisht për këta tregtarë. «Anijet e ndërtuara bukur të javanëve erdhën me ar e u kthyen me piper, dhe Muzirisi u mbush me zhurmë»,—thotë një poemë. Në një tjetër poemë, një princ i Indisë Jugore nxitet të pijë verë aromatike që kanë sjellë javanët. Ndër mallrat e tjera perëndimore që gjetën treg të gjerë në Indi ishin enët prej qelqi, metalet, koralet dhe pëlhurat.
Arkeologët kanë gjetur shumë prova të mallrave të importuara në Indi nga Perëndimi. Për shembull, në Arikamedu, në bregun juglindor të Indisë, zbulimet përfshijnë disa copëza qypash vere romake dhe pjatash me stampat e poçarëve që i prodhuan ato në Areco, në Italinë Qendrore. «Kërkuesit të sotëm i zgjohet imagjinata ndërsa nxjerr nga aluvionet e Gjirit të Bengalit copa poçesh me emrat e zejtarëve që i kishin punishtet në periferi të Arecos»,—thotë një shkrimtar. Tregtia mes Mesdheut dhe Indisë vërtetohet më tej nga sasitë e mëdha të monedhave romake prej ari e argjendi, që janë gjetur në jug të Indisë. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin shekullit të parë të e.s. dhe kanë figurat e perandorëve romakë August, Tiber dhe Neron.
Mundësia që shtetasit romakë të kenë vendosur koloni të përhershme tregtie në jug të Indisë, krijohet nga provat e një harte të lashtë, një kopje mesjetare e së cilës ekziston ende. Kjo hartë, e njohur si Tabela e Poitingerit—që thuhet se paraqet botën romake të shekullit të parë të e.s.,—tregon një tempull të Augustit në Muziris. Një libër thotë: «Një strukturë të tillë do ta kishin ndërtuar vetëm nënshtetas të Perandorisë Romake, ndoshta ata që jetonin në Muziris ose kalonin mjaft kohë atje.»—Rome’s Eastern Trade: International Commerce and Imperial Policy, 31 BC–AD 305.
Regjistrat romakë përmendin vizitat e të paktën tre delegacioneve indiane në Romë gjatë mbretërimit të Augustit, nga viti 27 p.e.s. deri në vitin 14 të e.s. «Këto delegacione kishin një qëllim të rëndësishëm diplomatik»,—thuhet në një studim për këtë temë. Duhej të binin dakord se ku do të kryhej tregtia mes banorëve të vendeve të ndryshme, ku do të vileshin taksat, ku do të banonin të huajt, e kështu me radhë.
Pra, në shekullin e parë të e.s., udhëtimet midis pellgut të Mesdheut dhe Indisë nuk ishin as të rralla, as të pazakonta. Për një misionar të krishterë në veri të Detit të Kuq do të kishte qenë e lehtë t’i hipte një anijeje që shkonte në Indi.
Përtej Indisë?
Është vështirë të themi sa larg në lindje guxuan të shkonin tregtarët mesdhetarë dhe udhëtarët e tjerë, dhe në cilën periudhë. Por besohet se në shekullin e parë të e.s., disa perëndimorë kishin udhëtuar deri në Tajlandë, Kamboxhia, Sumatër dhe Javë.
Vepra Hou Han-Shou (Kronikat e Dinastisë së Vonshme Han), që mbulon periudhën nga viti 23 i e.s. deri në vitin 220 të e.s., përcakton datën e një udhëtimi të tillë. Në vitin 166 të e.s., një delegacion i mbretit të Daçinit, të quajtur An-Tun, mbërriti në oborrin mbretëror kinez me haraçin për perandorin Huan-Ti. Daçin ishte emri kinez për Perandorinë Romake, kurse An-Tun duket se është shqiptimi kinez i emrit Anton, emri i familjes së Mark Aurelit, perandorit romak të asaj kohe. Historianët dyshojnë se ky nuk ishte një delegacion zyrtar, por thjesht një përpjekje nga ana e tregtarëve të shkathët perëndimorë për të marrë mëndafsh drejtpërdrejt nga Kina, e jo me anë të ndërmjetësve.
Le të kthehemi te pyetja e fillimit: sa larg në lindje mund t’i kenë çuar anijet e lashta misionarët e krishterë të shekullit të parë? Në Indi e përtej? Ndoshta. Sigurisht, mesazhi i krishterë u përhap aq gjerësisht, sa apostulli Pavël mund të thoshte se ‘po jepte fryt dhe po rritej në mbarë botën’, domethënë deri në skajet më të largëta të botës së njohur atëherë.—Kolosianëve 1:6.
[Shënimi]
a Vendi i saktë ku ndodhej Muzirisi nuk dihet, por studiuesit thonë se ndodhej pranë grykës së lumit Perijar, në shtetin e Keralës.
[Kutia dhe figura në faqen 22]
Ankesa e një perandori
Në vitin 22 të e.s., perandori romak Tiberi u ankua për teprimet pa kufi të bashkëkombësve të tij. Lakmia e tyre e pangopur për lukse dhe dëshirat e tepruara të zonjave romake për bizhuteri, po shpartallonin pasuritë e perandorisë së tij, duke ua dhënë «kombeve të huaja ose armiqësore». Edhe historiani romak Plini Plaku (23-79 i e.s.) u ankua për shpenzime të tilla. «Nëse bëjmë një përllogaritje shumë të vogël,—shkruante ai,—India, serët dhe Gadishulli Arabik i zhvatin perandorisë sonë njëqind milionë sesterca në vit: kaq shtrenjtë paguajmë për luksin e grave tona.»b
[Shënimi]
b Analistët llogaritin se 100 milionë sesterca përbënin rreth 2 për qind të të ardhurave totale ekonomike të Perandorisë Romake.
[Burimi]
Museo della Civiltà Romana, Roma; Todd Bolen/Bible Places.com
[Kutia dhe figura në faqen 23]
Ku i kërkonin tregtarët mallrat?
Jezui foli për «një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer». (Mateu 13:45) Libri i Zbulesës po ashtu përmend «tregtarët shëtitës» që ndër të tjera tregtonin gurë të çmuar, mëndafsh, dru erëmirë, fildish, kanellë, temjan dhe erëza Indie. (Zbulesa 18:11-13) Burimet natyrore të këtyre mallrave gjenden përgjatë rrugëve tregtare në lindje të Palestinës. Drurët erëmirë, si druri i santalit, vinin nga India. Margaritarët me vlerë mund të gjendeshin në Gjirin Persik, në Detin e Kuq dhe, sipas autorit të Periplus Maris Erythraei, në afërsi të Muzirisit e në Sri-Lankë. Perlat e Oqeanit Indian duket se ishin të cilësisë së parë dhe më të kushtueshmet.
[Harta në faqet 20, 21]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Disa rrugë tregtare që ekzistonin mes Romës dhe Azisë në shekullin e parë
Areco
Romë
DETI MESDHE
AFRIKË
Aleksandri
EGJIPT
Koptos
Lumi Nil
Mios-Hormos
Berenikë
Zanzibar
Deti i Kuq
Jerusalem
ARABI
Lumi Eufrat
BABILONI
Gjiri Persik
PERSI
↓ Musoni verilindor
↑ Musoni jugperëndimor
Lumi Ind
PUNJAB
Lumi Gang
Gjiri i Bengalit
INDI
Arikamedu
Muziris
SRI-LANKË
OQEANI INDIAN (DETI I ERITRESË)
KINË
PERANDORIA HAN
TAJLANDË
KAMBOXHIA
VIETNAM
Sumatër
Javë
[Figura në faqen 21]
Modeli i një anijeje mallrash romake
[Burimi]
Anija: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.