Ringjallja
Përkufizimi: Fjala greke Anástasis që përkthehet «ringjallje», fjalë për fjalë do të thotë «të ngrihesh sërish» dhe jep idenë e ngritjes nga vdekja. Shprehja më e plotë «ringjallja e të vdekurve (nga të vdekurit)» përdoret shpesh në Shkrime. (Mat. 22:31; Vep. 4:2; 1 Kor. 15:12) Fjala përkatëse në hebraisht është tehijáth hamethím, që do të thotë «ringjallje e të vdekurit». (Mat. 22:23, shn, Bibla BR me referime, angl.) Ringjallja përfshin rikthimin në jetë të individit me të gjitha karakteristikat e tij, të cilat Perëndia i ka në kujtesën e vet. Individi merr një trup njerëzor ose frymor, sipas vullnetit të Perëndisë për të, dhe ruan identitetin e tij me të njëjtin personalitet dhe kujtime që kishte para se të vdiste. Ringjallja e të vdekurve është një shprehje e mrekullueshme e dashamirësisë së pamerituar të Jehovait. Ajo dëshmon për mençurinë dhe fuqinë e tij, si edhe përbën një mjet, përmes të cilit do të plotësohet qëllimi që kishte në fillim për tokën.
A është ringjallja një bashkim i shpirtit jomaterial me trupin fizik?
Që të ndodhë kjo, duhet patjetër që njerëzit të kenë një shpirt jomaterial që ndahet nga trupi fizik. Por Bibla nuk e mëson një gjë të tillë. Ky nocion u huazua nga filozofia greke. Pikëpamja e Biblës për shpirtin trajtohet në faqet 387-390. Për t’u njohur me origjinën e bindjes së adoptuar nga i ashtuquajturi krishterim për shpirtin e pavdekshëm jomaterial, shih faqet 391, 392.
A u ringjall Jezui me trup mishor, dhe a e ka këtë trup tani në qiell?
1 Pjet. 3:18: «Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa u përket mëkateve, një i drejtë për të padrejtët, që ai t’ju çojë te Perëndia, duke u vrarë në mish, por duke u ngjallur në frymë [‘nga Fryma’, Dio].» (Jezui u ringjall në trup frymor. Në tekstin grek fjalët «mish» dhe «frymë» janë në kontrast me njëra-tjetrën dhe, që të dyja, janë në rasën dhanore. Prandaj, nëse shprehja përkthehet «nga fryma», logjikisht edhe pjesa tjetër duhet përkthyer «nga mishi» dhe anasjelltas, nëse përkthehet «në mish», edhe pjesa tjetër duhet të përkthehet «në frymë».)
Vep. 10:40, 41: «Atë [Jezu Krishtin] Perëndia e ngriti nga të vdekurit ditën e tretë dhe bëri t’i shfaqej, jo të gjithë popullit, por dëshmitarëve të zgjedhur që më parë nga Perëndia.» (Pse nuk e panë edhe të tjerë? Sepse ishte një krijesë frymore dhe, kur u materializua me trup mishor që të tjerët ta shihnin, siç kishin bërë edhe engjëjt në të kaluarën, e bëri vetëm në prani të dëshmitarëve të zgjedhur.)
1 Kor. 15:45: «Madje është shkruar kështu: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.’ Adami i fundit [Jezu Krishti, që ishte i përsosur siç ishte Adami kur u krijua] u bë një frymë jetëdhënëse.»
Çfarë do të thotë Luka 24:36-39 kur flet për trupin me të cilin u ringjall Jezui?
Luka 24:36-39: «Kur [dishepujt] po flitnin për këto, ai vetë qëndroi mes tyre dhe u tha: ‘Paqja qoftë me ju!’ Por, ngaqë ishin të tmerruar dhe të trembur, ata kujtuan se panë një frymë. Prandaj, ai u tha: ‘Pse jeni trazuar dhe pse ju lindin dyshime në zemër? Shihni duart dhe këmbët e mia, jam unë vetë. Më prekni dhe shihni, sepse fryma nuk ka mish dhe kocka, siç e shihni që kam unë.’»
Njerëzit nuk mund t’i shohin frymërat, prandaj dishepujt me sa duket pandehën se po shihnin një fanitje ose vegim. (Krahaso Markun 6:49, 50.) Jezui i siguroi se nuk ishte një fanitje, pasi ata mund ta shihnin trupin e tij në mish, mund ta preknin e të ndienin kockat e tij. Veç këtyre, ai hëngri në sy të tyre. Po njësoj, në të kaluarën engjëjt ishin materializuar, me qëllim që njerëzit t’i shihnin. Ata kishin ngrënë me ta, e madje, disa prej tyre, ishin martuar e kishin pasur fëmijë. (Zan. 6:4; 19:1-3) Pasi u ringjall, Jezui nuk u shfaq gjithnjë me të njëjtin trup mishor (ndoshta për t’u ngulitur në mendje dishepujve se ai kishte trup frymor), ndaj edhe ata që ishin shoqëruar nga afër me të, nuk e njohën menjëherë. (Gjoni 20:14, 15; 21:4-7) Sidoqoftë, duke iu shfaqur atyre herë pas here me trup të materializuar, dhe, duke thënë e duke bërë disa gjëra që ata ta identifikonin me Jezuin që njihnin, ai u forcoi besimin se ishte ringjallur vërtet nga të vdekurit.
Nëse dishepujt do ta kishin parë Jezuin me trupin që ka tani në qiell, Pavli nuk do t’i ishte referuar më vonë Krishtit në pozitën e tij të lavdishme si «paraqitja e saktë e vetë qenies së tij [Perëndisë]», sepse Perëndia është Frymë dhe nuk ka pasur kurrë trup mishor.—Hebr. 1:3; krahaso 1 Timoteut 6:16.
Kur lexojmë tregimet për shfaqjet e Jezuit pas ringjalljes së tij, i kuptojmë siç duhet, nëse mbajmë në mendje 1 Pjetrit 3:18 dhe 1 Korintasve 15:45, që citohen në faqen 325.
Shih edhe faqet 196, 197, te tema «Jezu Krishti».
Cilët do të ringjallen për të jetuar në qiell me Krishtin dhe çfarë do të bëjnë atje?
Luka 12:32: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.» (Këtu nuk përfshihen të gjithë ata që kanë treguar besim; numri është i kufizuar. Vajtja në qiell ka një qëllim.)
Zbul. 20:4, 6: «Pashë frone dhe ata që u ulën në to, të cilëve iu dha pushtet për të gjykuar. . . . I lum dhe i shenjtë është kushdo që ka pjesë në ringjalljen e parë. Vdekja e dytë nuk ka aspak autoritet mbi ta, dhe ata do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.»
Shih edhe faqet 308-314, te tema «Qielli».
A do të kenë trupa fizikë të lavdishëm ata që ringjallen në jetën qiellore?
Filip. 3:20, 21: «Presim . . . Zotërinë Jezu Krisht, i cili do të rimodelojë trupin tonë të përulur, që të bëhet si trupi i tij i lavdishëm, sipas veprimit të fuqisë së tij.» (A do të thotë kjo se trupi i tyre prej mishi do të bëhet i lavdishëm në qiell? Apo duhet kuptuar që në vend të trupave të thjeshtë mishorë, ata do të marrin një trup frymor të lavdishëm, kur të ngrihen në jetën qiellore? Le ta marrim përgjigjen nga shkrimet e mëposhtme.)
1 Kor. 15:40, 42-44, 47-50: «Ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë, mirëpo tjetër është lavdia e trupave qiellorë dhe tjetër ajo e trupave tokësorë. Kështu është edhe ringjallja e të vdekurve. . . . Mbillet trup fizik dhe ngrihet trup frymor. . . . Njeriu i parë [Adami] është nga toka dhe i bërë nga pluhuri, kurse njeriu i dytë [Jezu Krishti] është nga qielli. Ashtu siç ishte ai që u bë nga pluhuri, ashtu janë edhe të tjerët që janë bërë nga pluhuri. Dhe, ashtu siç është qiellori, ashtu janë edhe ata që janë qiellorë. Ashtu si kemi mbartur shëmbëlltyrën e atij që është bërë nga pluhuri, ashtu do të mbartim edhe shëmbëlltyrën e qiellorit. Sidoqoftë, po ju them këtë, vëllezër, se mishi e gjaku nuk e trashëgojnë dot mbretërinë e Perëndisë.» (Këto shkrime nuk lënë vend për të kuptuar se mund të bashkohen dy lloje trupash ose se trupi mishor mund të shkojë në qiell.)
Si e tregoi Jezui se çfarë do të thotë ringjallja për njerëzit në përgjithësi?
Gjoni 11:11, 14-44: «[Jezui u tha dishepujve të tij:] ‘Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.’ Atëherë Jezui ua tha troç: ‘Lazari ka vdekur.’ . . . Kur mbërriti atje, Jezui mori vesh se ai [Lazari] kishte tashmë katër ditë në varr. . . . Jezui i tha [Martës, njërës prej motrave të Lazarit]: ‘Unë jam ringjallja dhe jeta.’ . . . Ai thërriti me zë të lartë: ‘Lazar, dil jashtë!’ Ai që kishte qenë i vdekur, doli me këmbët dhe duart të lidhura me rripa pëlhure, kurse fytyrën e kishte të mbështjellë me një copë pëlhure. Jezui u tha: ‘Zgjidheni dhe lëreni të ikë.’» (Nëse Jezui e kishte thirrur Lazarin, ndërkohë që ai shijonte kënaqësitë e botës tjetër, nuk do të ishte treguar aspak i mirë. Përkundrazi, kur Jezui e ringjalli Lazarin nga një gjendje e pajetë, i bëri një mirësi qoftë atij, qoftë motrave të tij, pasi Lazari u kthye edhe një herë në jetë.)
Mar. 5:35-42: «Nga shtëpia e të parit të sinagogës erdhën disa burra dhe thanë: ‘Vajza jote vdiq! Përse ta bezdisësh akoma mësuesin?’ Por, me t’i kapur veshi këto fjalë, Jezui i tha të parit të sinagogës: ‘Mos ki frikë, vetëm trego besim.’ . . . Mori me vete të atin dhe të ëmën e fëmijës, bashkë me ata që ishin me të, dhe hyri aty ku ishte fëmija. E kapi fëmijën për dore dhe i tha: ‘Tálitha kúmi’, që e përkthyer do të thotë: ‘Vashëz, po të them: ngrihu!’ Menjëherë vashëza u ngrit e nisi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeçe. Sakaq ata mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh.» (Kur të ndodhë ringjallja në tokë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, pa dyshim miliona e miliona prindër e fëmijë do t’i pushtojë gëzimi kur të jenë sërish së bashku.)
Ç’e ardhme i pret ata që do të ringjallen për të jetuar në tokë?
Luka 23:43: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Nën mbretërimin e Krishtit e gjithë toka do të kthehet në parajsë.)
Zbul. 20:12, 13: «Pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin para fronit, dhe u hapën rrotullat. Por u hap edhe një rrotull tjetër; ajo është rrotulla e jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre. . . . Ata u gjykuan secili sipas veprave të veta.» (Hapja e rrotullave të bën të mendosh se Perëndia ka caktuar një kohë që njerëzit të mësojnë vullnetin hyjnor, në përputhje me atë që thuhet tek Isaia 26:9. Fakti që «rrotulla e jetës» hapet, tregon se për ata që i zbatojnë ato çka mësojnë, ekziston mundësia që t’i kenë emrat të shkruar në atë rrotull. Për ta ekziston mundësia që, në të ardhmen, të fitojnë jetën e përhershme si njerëz të përsosur.)
Shih edhe faqet 246-251, te tema «Mbretëria».
A do të ringjallen disa vetëm për të marrë gjykimin dhe pastaj të përjetojnë vdekjen e dytë?
Ç’kuptim ka Gjoni 5:28, 29? Ky varg thotë: «Të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi.» Këto fjalë të Jezuit duhet të kuptohen nën dritën e zbulesës që ai i dha më vonë Gjonit. (Shih Zbulesën 20:12, 13, që citohet në faqen 328.) Qoftë ata që kanë bërë të mira, qoftë ata që kanë bërë të këqija, ‘do të gjykohen secili sipas veprave të veta’. Cilave vepra? Po të mendojmë se njerëzit do të dënohen në bazë të veprave që kanë bërë para se të vdisnin, kjo nuk do të përputhej aspak me atë që thuhet në Romakëve 6:7: «Kush vdes, shfajësohet nga mëkati i vet.» Gjithashtu, do të ishte e palogjikshme t’i ringjallje njerëzit vetëm për t’i shkatërruar më pas. Prandaj, në Gjonin 5:28, 29a, Jezui po fliste për ringjalljen që do të ndodhte në të ardhmen, kurse në pjesën tjetër të vargut 29 po fliste për përfundimin që do të kishin pasi të ringjalleshin si njerëz të përsosur e të gjykoheshin.
Çfarë tregon Zbulesa 20:4-6 për ata që do të ringjallen në tokë?
Zbul. 20:4-6: «Pashë frone dhe ata që u ulën në to, të cilëve iu dha pushtet për të gjykuar. Po, pashë shpirtrat e atyre që ishin ekzekutuar me sëpatë, ngaqë kishin dhënë dëshmi për Jezuin dhe kishin folur për Perëndinë. . . . Ata u kthyen në jetë dhe mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet. (Pjesa tjetër e të vdekurve nuk u kthyen në jetë derisa mbaruan një mijë vjetët.) Kjo është ringjallja e parë. I lum dhe i shenjtë është kushdo që ka pjesë në ringjalljen e parë. Vdekja e dytë nuk ka aspak autoritet mbi ta, dhe ata do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.»
Përkthimi Bota e Re përdor kllapat për ta ndihmuar lexuesin që ta lidhë fjalinë e mëparshme me atë që vjen më pas. Siç duket qartë edhe nga shkrimi, «pjesa tjetër e të vdekurve» nuk merr pjesë në ringjalljen e parë. Ajo ringjallje është për ata që do të mbretërojnë me Krishtin për një mijë vjet. A do të thotë kjo se përveç atyre që do të mbretërojnë me Krishtin në qiell, gjatë një mijë vjetëve, nuk do të jetë gjallë asnjeri tjetër? Jo, sepse ata nuk do të kishin se kujt t’i shërbenin si priftërinj dhe do të mbretëronin mbi një planet të shkretë.
Cilët janë, atëherë, «pjesa tjetër e të vdekurve»? Janë të gjithë njerëzit që kanë vdekur për shkak të mëkatit të Adamit dhe ata që do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh ose që mund të lindin gjatë Mijëvjeçarit, por që kanë nevojë të çlirohen nga pasojat vdekjeprurëse të atij mëkati.—Krahaso Efesianëve 2:1.
Në ç’kuptim ata nuk ‘kthehen në jetë’ deri në fund të një mijë vjetëve? Kjo nuk ka të bëjë me ringjalljen e tyre. ‘Ardhja në jetë’ e tyre përfshin shumë më tepër se thjesht ekzistencën si njerëz. Kjo nënkupton se do të arrijnë përsosmërinë njerëzore dhe do të çlirohen nga të gjitha pasojat e mëkatit të Adamit. Vini re se fjalët e vargut 5 vijnë menjëherë pasi vargu i mëparshëm thotë se ata që do të jenë në qiell, «u kthyen në jetë». Në rastin e tyre, kjo do të thotë se janë çliruar nga të gjitha pasojat e mëkatit dhe se kanë privilegjin e veçantë të jenë të pavdekshëm. (1 Kor. 15:54) Pra, edhe për ‘pjesën tjetër të të vdekurve’ kjo nënkupton jetën e vërtetë si njerëz të përsosur.
Kush do të ringjallet në tokë?
Gjoni 5:28, 29: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [zërin e Jezuit] dhe do të dalin.» (Fjala greke që përkthehet «varre», nuk është shumësi i fjalës táfos [varr, vend varrimi], dhe as i fjalës háides (varri i përbashkët i njerëzimit të vdekur), por është shumësi i fjalës mneméion [kujtim, varr që shërben për të kujtuar] në rasën dhanore. Kjo fjalë thekson se ruhet një kujtim për të vdekurin. Pra, që të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë, do të ringjallen ata që kujtohen nga Perëndia, dhe jo ata, kujtimi i të cilëve është fshirë në Gehenë, për shkak të mëkateve të tyre të pafalshme.—Mat. 10:28; Mar. 3:29; Hebr. 10:26; Mal. 3:16.
Vep. 24:15: «Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Do të ringjallen si ata që kanë jetuar në përputhje me udhët e drejta të Perëndisë, edhe ata që, nga padija, kanë bërë gjëra të padrejta. Bibla nuk u përgjigjet të gjitha pyetjeve që mund të na lindin nëse disa individë të caktuar do të ringjallen apo jo. Megjithatë, mund të jemi të sigurt se Perëndia, që është në dijeni të të gjitha fakteve, do të veprojë me paanësi. Drejtësia e tij shoqërohet me mëshirën, por ai nuk i shpërfill normat e tij të drejta. Krahaso Zanafillën 18:25.)
Zbul. 20:13, 14: «Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Hadesi i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta, dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta. Vdekja dhe Hadesi u hodhën në liqenin e zjarrit. Kjo do të thotë vdekja e dytë, liqeni i zjarrit.» (Ata që e kanë humbur jetën për shkak të mëkatit të Adamit, do të ringjallen kudo të kenë qenë, në det ose në Hades, në varrin e përbashkët tokësor të atyre që kanë vdekur.)
Shih edhe temën «Shpëtimi».
Nëse do të ringjallen me miliarda njerëz, ku do të jetojnë të gjithë?
Sipas një përllogaritjeje shumë të përgjithshme, thuhet se deri tani në tokë kanë jetuar 20.000.000.000 njerëz. Siç kemi parë, jo të gjithë do të ringjallen. Por edhe sikur të ringjalleshin të gjithë, prapëseprapë do të kishte vend të mjaftueshëm. Sipërfaqja e thatë e tokës tani për tani është rreth 150.000.000 km2. Sikur gjysma e kësaj sipërfaqeje të lihej mënjanë për qëllime të tjera, do të mbetej rreth 0,37 ha për person, sipërfaqe kjo që mund të sigurojë ushqim më se të mjaftueshëm. Njerëzit sot vuajnë mungesën e ushqimit, jo ngaqë toka nuk prodhon mjaftueshëm, por ngaqë ka rivalitet politik dhe makutëri nga ana e tregtarëve.
Shih edhe faqen 396, te tema «Toka».