AFROJUNI PERËNDISË
«Ja, po bëj çdo gjë të re»
A dëshiron shëndet të mirë dhe jetë të gjatë për veten e për familjen? A do me zjarr të jetosh në një botë ku dhembja, vuajtjet dhe vdekja do t’i përkasin së kaluarës? Një botë e tillë nuk është fryt i imagjinatës. Përkundrazi, një botë e re dhe e drejtë do të bëhet realitet së shpejti, sepse ky është qëllimi i Perëndisë Jehova. Vër re si përshkruhet përmbushja e qëllimit të tij te Zbulesa 21:3-5.—Lexoje.
«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.» (Zbulesa 21:4) Çfarë lotësh do të fshijë ai? Nuk janë lotët e gëzimit e as lotët që na mbrojnë sytë. Premtimi i Perëndisë u referohet lotëve të shkaktuar nga vuajtjet dhe trishtimi. Perëndia jo vetëm që do t’i thajë këta lot, por edhe do t’i fshijë krejtësisht, duke hequr shkaqet e lotëve të padëshiruar—vuajtjet dhe trishtimin.
«Nuk do të ketë më vdekje.» (Zbulesa 21:4) E çfarë tjetër ka shkaktuar kaq shumë lot të padëshirueshëm sesa armiku ynë, vdekja?! Jehovai do ta çlirojë njerëzimin e bindur nga kthetrat e vdekjes. Si? Do të eliminojë shkakun kryesor të vdekjes: mëkatin e trashëguar nga Adami. (Romakëve 5:12) Falë flijimit shpërblyes të Jezuit,a Jehovai do ta çojë drejt përsosmërisë njerëzimin e bindur. Atëherë armiku i fundit, vdekja, «do të asgjësohet». (1 Korintasve 15:26) Njerëzit besnikë do të jetojnë sipas qëllimit që kishte Perëndia për ta: përgjithmonë dhe me shëndet të përsosur.
«As dhembje nuk do të ketë më.» (Zbulesa 21:4) Ç’lloj dhembjeje nuk do të ketë më? Nuk do të ekzistojë më dhembja mendore, emocionale dhe fizike që janë pasojë e mëkatit dhe e papërsosmërisë e ua kanë bërë jetën të mjerë miliona vetave.
Së shpejti do të bëhet realitet një jetë pa lot, pa vdekje e pa dhembje. «Por, ku?—mund të pyesësh.—Mos e ka fjalën për jetën në qiell premtimi i Perëndisë?» Aspak. Ja pse: së pari, ky premtim nis me fjalët «tenda e Perëndisë është me njerëzit» dhe njerëzit jetojnë në tokë. (Zbulesa 21:3) Së dyti, përshkruan një botë ku «nuk do të ketë më vdekje»—botë ku dikur vdekja ekzistonte, por nuk do të jetë më. Në qiell nuk ka pasur kurrë vdekje, kurse në tokë ajo ka ekzistuar prej kohësh. Pra, është e qartë se premtimi i Perëndisë për një jetë më të mirë do të përmbushet tamam këtu në tokë.
Perëndia do t’i thajë rrëketë e lotëve të shkaktuara nga vuajtjet dhe trishtimi
Jehovai dëshiron që ne ta besojmë premtimin e tij për një botë të re e të drejtë. Fill pasi përshkruan bekimet e së ardhmes, ai na siguron për premtimin e tij me fjalët: «Ja, po bëj çdo gjë të re.» Më pas shton: «Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.» (Zbulesa 21:5) Pse të mos mësosh më shumë se si ti dhe njerëzit e tu të dashur mund të jeni mes adhuruesve të lumtur që do të shohin përmbushjen e lavdishme të premtimit të Perëndisë?
Sugjerim për leximin e Biblës në dhjetor
1 Pjetrit 1-5; 2 Pjetrit 1-3; 1 Gjonit 1-5; 2 Gjonit 1-13; 3 Gjonit 1-14; Juda 1-25–Zbulesa 1-22
a Për të mësuar më shumë për flijimin shpërblyes të Krishtit, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.