Bekimi i Jehovait mbi «tokën» tonë
«Aty ku do të kalojë përroi, çdo gjë do të bëhet e gjallë.»—EZEKIELI 47:9, BR.
1, 2. (a) Sa i rëndësishëm është uji? (b) Çfarë paraqet uji i lumit të vizionit të Ezekielit?
UJI është një lëng i jashtëzakonshëm. E gjithë jeta fizike varet nga ai. Asnjë nga ne nuk mund të mbijetojë për shumë kohë pa të. Ne varemi nga ai edhe për të pastruar, pasi uji mund të shpërbëjë dhe të lajë shumë papastërti. Prandaj me të lajmë trupin, rrobat e madje edhe ushqimin. Bërja e kësaj mund të na shpëtojë jetën.
2 Bibla e përdor ujin për të paraqitur masat frymore të Jehovait për jetën. (Jeremia 2:13; Gjoni 4:7-15) Këto masa përfshijnë pastrimin e popullit të tij nëpërmjet flijimit shpërblyes të Krishtit dhe njohurinë e Perëndisë që gjendet në Fjalën e tij. (Efesianëve 5:25-27) Në vizionin e Ezekielit për tempullin, lumi i mrekullueshëm që rrjedh nga tempulli simbolizon këto bekime jetëdhënëse. Por, ku rrjedh ai lumë dhe çfarë do të thotë për ne sot?
Një lumë rrjedh në një tokë të rivendosur
3. Çfarë përjetoi Ezekieli, siç raportohet në Ezekielin 47:2-12?
3 Duke qenë rob në Babiloni, populli i Ezekielit kishte tepër nevojë për masat e marra nga Jehovai. Sa inkurajuese ishte për Ezekielin kur pa një rrëke uji që dilte nga shenjtërorja dhe rridhte jashtë tempullit të vizionit! Një engjëll mat thellësinë e rrëkesë me intervale prej 1.000 kubitësh. Thellësia e saj rritet nga lartësia e kyçit të këmbës, në lartësinë e gjurit, në lartësinë e kofshës e deri në një përrua, ku bëhet i nevojshëm notimi. Lumi sjell jetë dhe begati. (Ezekieli 47:2-11) Ezekielit i thuhet: «Përgjatë përroit, përgjatë brigjeve të tij nga kjo anë dhe nga ana tjetër, do të rriten të gjitha llojet e pemëve për ushqim.» (Ezekieli 47:12a, BR) Kur përroi derdhet në Detin e Vdekur, një masë ujore e pajetë, jeta shpërthen! Peshqit vijnë me tufa. Një industri peshkimi lulëzon.
4, 5. Si është e ngjashme profecia e Joelit lidhur me lumin, me atë të Ezekielit dhe pse është domethënëse kjo gjë?
4 Kjo profeci e bukur mund t’u ketë sjellë ndër mend të mërguarve hebrenj një profeci tjetër të bërë shekuj më parë: «Nga shtëpia e Jehovait do të dalë një burim dhe ai duhet të ujitë luginën e Akacieve.»a (Joeli 3:18, BR) Profecia e Joelit, ashtu si ajo e Ezekielit, parathotë se një lumë do të rridhte nga shtëpia e Perëndisë, tempulli, dhe do t’i sillte jetë një rajoni të zhuritur.
5 Kulla e Rojës ka shpjeguar nga shumë kohë se profecia e Joelit po përmbushet në kohën tonë.b Sigurisht, pra, e njëjta gjë del e vërtetë për vizionin e ngjashëm të Ezekielit. Sot, në tokën e rivendosur të popullit të Perëndisë, ashtu si në Izraelin e lashtë, masat dhe bekimet e Jehovait me të vërtetë kanë rrjedhur si lumë.
Një rrjedhje e fuqishme bekimesh
6. Për çfarë duhet t’i ketë kujtuar judenjtë spërkatja e gjakut mbi altarin e vizionit?
6 Cili është burimi i bekimeve mbi popullin e rivendosur të Perëndisë? Vëre se uji rrjedh nga tempulli i Perëndisë. Ngjashëm sot, bekimet vijnë nga Jehovai nëpërmjet tempullit të tij të madh frymor, rregullimit për adhurimin e pastër. Vizioni i Ezekielit shton një hollësi të rëndësishme. Në oborrin e brendshëm, rrëkeja kalon pranë altarit, pikërisht në jug të tij. (Ezekieli 47:1) Altari gjendet tamam në qendër të tempullit të vizionit. Jehovai ia përshkruan me imtësi altarin Ezekielit dhe e urdhëron që ai të spërkatet me gjakun e flijimeve. (Ezekieli 43:13-18,20) Ai altar kishte një domethënie të madhe për të gjithë izraelitët. Besëlidhja e tyre me Jehovain ishte ratifikuar kohë më përpara, kur Moisiu e spërkati me gjak altarin në këmbët e malit Sinai. (Dalja [Eksodi] 24:4-8) Spërkatja e gjakut mbi altarin e vizionit duhet t’u ketë kujtuar atyre se pasi të ktheheshin në tokën e rivendosur, bekimet e Jehovait do të rridhnin për sa kohë që ata do ta respektonin besëlidhjen e tyre me të.—Ligji i përtërirë 28:1-14.
7. Çfarë domethënieje gjejnë të krishterët e sotëm në altarin simbolik?
7 Në mënyrë të ngjashme, populli i Perëndisë sot është bekuar me anë të një besëlidhjeje, një më të mire, besëlidhjes së re. (Jeremia 31:31-34) Edhe ajo u ratifikua shumë kohë më parë me gjak, me atë të Jezu Krishtit. (Hebrenjve 9:15-20) Sot, qoftë që jemi mes të mirosurve, të cilët janë njëra palë në atë besëlidhje, qoftë që jemi mes deleve të tjera, që janë përfitues prej saj, ne gjejmë një domethënie të madhe në altarin simbolik. Ai simbolizon vullnetin e Perëndisë në lidhje me flijimin e Krishtit. (Gjoni 10:16; Hebrenjve 10:10) Pikërisht ashtu si altari simbolik gjendet në qendër të tempullit frymor, flijimi shpërblyes i Krishtit është faktori qëndror në adhurimin e pastër. Ai përbën bazën për faljen e mëkateve tona e në këtë mënyrë edhe bazën për shpresat tona për të ardhmen. (1. Gjonit 2:2) Prandaj, ne përpiqemi të jetojmë sipas ligjit të shoqëruar me besëlidhjen e re, ‘ligjit të Krishtit’. (Galatasve 6:2) Për sa kohë të veprojmë kështu, do të nxjerrim shumë dobi nga masat e Jehovait për jetën.
8. (a) Çfarë mungonte nga oborri i brendshëm i tempullit të vizionit? (b) Me çfarë do të pastroheshin priftërinjtë në tempullin e vizionit?
8 Një nga bekimet është qëndrimi i pastër para Jehovait. Në tempullin e vizionit, oborrit të brendshëm i mungonte diçka që ishte e spikatshme në oborrin e tabernakullit dhe në tempullin e Solomonit: legeni i madh, më vonë i quajtur det, ku laheshin priftërinjtë. (Dalja 30:18-21; 2. Kronikave 4:2-6) Atëherë, çfarë do të përdornin priftërinjtë në tempullin e vizionit të Ezekielit për t’u larë? Ja, pra, atë rrëke të mrekullueshme që rridhte përmes oborrit të brendshëm! Po, Jehovai do t’i bekonte ata me mjetet e nevojshme për të pasur një qëndrim të pastër ose të shenjtë.
9. Si mund të kenë një qëndrim të pastruar sot të mirosurit dhe shumica e madhe?
9 Ngjashëm sot, të mirosurit janë bekuar me një qëndrim të pastër para Jehovait. Ai i konsideron ata si të shenjtë, duke i shpallur të drejtë. (Romakëve 5:1, 2) Po «shumica e madhe», e paraqitur nga fiset jopriftërore? Ata adhurojnë në oborrin e jashtëm dhe po e njëjta rrëke uji rrjedh përmes asaj pjese të tempullit të vizionit. Sa e përshtatshme, pra, që apostulli Gjon pa shumicën e madhe veshur me rroba të bardha e të pastra, ndërsa adhuron në oborrin e tempullit frymor! (Zbulesa 7:9-14) Pavarësisht se si janë trajtuar në këtë botë të degraduar, ata mund të jenë të sigurt se, për sa kohë që do të ushtrojnë besim në flijimin shpërblyes të Krishtit, Jehovai i konsideron ata si të pastër e të kulluar. Si e ushtrojnë ata besimin? Duke ndjekur gjurmët e Jezuit, duke pasur siguri të plotë në flijimin shpërblyes.—1. Pjetrit 2:21.
10, 11. Cila është një karakteristikë e rëndësishme e ujit simbolik dhe si lidhet kjo me zgjerimin e jashtëzakonshëm të lumit?
10 Siç është përmendur tashmë, ekziston një aspekt tjetër jetësor i këtij uji simbolik: njohuria. Në Izraelin e rivendosur, Jehovai e bekoi popullin e tij me arsimimin biblik me anë të priftërisë. (Ezekieli 44:23) Në një mënyrë të ngjashme, Jehovai e ka bekuar sot popullin e tij me arsimim të bollshëm rreth Fjalës së tij të së vërtetës, nëpërmjet «priftërisë mbretërore». (1. Pjetrit 2:9, BR) Njohuria për Perëndinë Jehova, për qëllimet e tij për njerëzimin dhe veçanërisht për Jezu Krishtin e për Mbretërinë Mesianike ka rrjedhur si një përrua gjithnjë e më i rrëmbyeshëm gjatë këtyre ditëve të fundit. Sa i mrekullueshëm është vërshimi i freskisë frymore që sa vjen e shtohet, të cilin po e marrim tani!—Danieli 12:4.
11 Pikërisht ashtu si përroi që mati engjëlli, rritej progresivisht në thellësi, po kështu rrjedhja e bekimeve jetëdhënëse nga Jehovai është rritur shumë, me qëllim që të plotësojë nevojat e numrit të madh të njerëzve në tokën tonë të bekuar frymore. Një profeci tjetër për rivendosjen paratha: «I vogli vetë do të bëhet një mijë dhe i pakti një komb i fuqishëm. Unë vetë, Jehovai, do ta shpejtoj atë në kohën e duhur.» (Isaia 60:22, BR) Këto fjalë kanë dalë të vërteta, pasi miliona njerëz janë mbledhur për t’u bashkuar me ne në adhurimin e pastër. Jehovai ka vënë në dispozicion «ujë» me bollëk për të gjithë ata që kthehen tek ai. (Zbulesa 22:17) Ai merr masa që organizata e tij tokësore të shpërndajë Bibla dhe literaturë biblike në të gjithë botën, në qindra gjuhë. Në mënyrë të ngjashme, në mbarë botën organizohen mbledhje të krishtere dhe kongrese, me qëllim që të gjithë të marrin ujërat e pastra kristal të së vërtetës. Si ndikojnë këto masa mbi njerëzit?
Uji sjell jetë!
12. (a) Pse pemët në vizionin e Ezekielit janë në gjendje të prodhojnë një sasi të tillë? (b) Çfarë përfaqësohet nga këto pemë të frytshme gjatë ditëve të fundit?
12 Lumi në vizionin e Ezekielit sjell jetë dhe shëndet. Kur Ezekieli mëson për pemët që do të rriteshin përgjatë lumit, atij i thuhet: «Gjethnaja e tyre nuk do të fishket as frytet e tyre nuk do të mbarojnë. . . . Dhe frytet e tyre do të dalin se janë për ushqim dhe gjethnaja e tyre për shërim.» Përse këto pemë prodhojnë në këtë mënyrë mahnitëse? «Sepse uji për to po del nga vetë shenjtërorja.» (Ezekieli 47:12b, BR) Këto pemë simbolike parafytyrojnë të gjitha masat e Perëndisë për rivendosjen e njerëzimit në përsosmëri, mbi bazën e flijimit shpërblyes të Jezuit. Në tokë, në kohën tonë, mbetja e mirosur merr drejtimin në sigurimin e ushqimit dhe të shërimit frymor. Pasi të gjithë 144.000-t të kenë marrë shpërblimin e tyre qiellor, dobitë që vijnë nga shërbimi priftëror si bashkësundimtarë me Krishtin do të shtrihen në të ardhmen, duke çuar përfundimisht në mposhtjen e plotë të vdekjes adamike.—Zbulesa 5:9, 10; 21:2-4.
13. Çfarë shërimi është bërë në kohën tonë?
13 Lumi i vizionit derdhet në Detin e Vdekur të pajetë dhe shëron gjithçka që arrin të prekë. Ky det paraqet ambientin e vdekur frymësisht. Por jeta gjallërohet «në çdo vend ku kalon përroi i dyfishuar në madhësi». (Ezekieli 47:9, BR) Ngjashëm, në ditët e fundit, kudo ku ka depërtuar uji i jetës njerëzit kanë ardhur në jetë frymësisht. Të parët që u rigjallëruan ishin mbetja e mirosur, në vitin 1919. Ata u gjallëruan në jetë frymësisht nga një gjendje joaktive, ngjashëm vdekjes. (Ezekieli 37:1-14; Zbulesa 11:3, 7-12) Këto ujëra jetësore kanë arritur edhe të vdekur të tjerë frymësisht dhe këta kanë ardhur në jetë e kanë formuar një shumicë të madhe gjithnjë në rritje të deleve të tjera, të cilët e duan dhe i shërbejnë Jehovait. Shpejt, kjo masë do t’u ofrohet morive të të ringjallurve.
14. Çfarë ilustron më së miri sot industria e peshkimit që lulëzon përgjatë brigjeve të Detit të Vdekur?
14 Gjallëria frymore rezulton në produktivitet. Kjo ilustrohet nga industria e peshkimit që lulëzon në brigjet e detit, i cili më parë ishte i vdekur. Jezui u tha ithtarëve të tij: «Do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.» (Mateu 4:19) Në ditët e fundit, vepra e peshkimit filloi me mbledhjen e mbetjes së të mirosurve, por nuk ka ndaluar aty. Uji jetëdhënës që del nga tempulli frymor i Jehovait, duke përfshirë edhe bekimin e njohurisë së saktë, ndikon te njerëz të të gjitha kombeve. Kudo që ka arritur ai përrua, rezultati ka qenë jeta frymore.
15. Ç’gjë tregon se jo të gjithë do t’i pranojnë masat e Perëndisë për jetën dhe cili është rezultati përfundimtar për këta njerëz?
15 Sigurisht, jo të gjithë i përgjigjen në mënyrë të favorshme mesazhit të jetës tani dhe as nuk do të bëjnë kështu të gjithë ata që do të ringjallen gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. (Isaia 65:20; Zbulesa 21:8) Engjëlli shpall se pjesë të detit nuk janë shëruar. Këto pjesë të pajeta e moçalore i «jepen kripës». (Ezekieli 47:11, BR) Për sa u përket njerëzve të ditëve tona, jo të gjithë ata që vijnë në kontakt me ujin jetëdhënës të Jehovait, e pranojnë atë. (Isaia 6:10) Në Harmagedon, të gjithë ata që kanë zgjedhur të mbeten në një gjendje frymore të pajetë e të sëmurë do t’i jepen kripës, domethënë, do të shkatërrohen përgjithmonë. (Zbulesa 19:11-21) Megjithatë, ata që kanë pirë plot besim nga këto ujëra mund të shpresojnë të mbijetojnë dhe të shohin përmbushjen përfundimtare të kësaj profecie.
Lumi rrjedh në parajsë
16. Kur dhe si do ta ketë përmbushjen e vet përfundimtare vizioni i Ezekielit për tempullin?
16 Ashtu si profecitë e tjera të rivendosjes, edhe vizioni i Ezekielit për tempullin e ka përmbushjen e tij përfundimtare gjatë Mijëvjeçarit. Atëherë klasa priftërore nuk do të jetë më këtu mbi tokë. «Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të sundojnë si mbretër me të [në qiell] për një mijë vjet.» (Zbulesa 20:6, BR) Këta priftërinj qiellorë do të shoqërohen me Krishtin në administrimin e dobive të plota të flijimit shpërblyes të Krishtit. Kështu, njerëzimi i drejtë do të shpëtohet, do të rivendoset në përsosmëri.—Gjoni 3:17.
17, 18. (a) Si përshkruhet lumi jetëdhënës në Zbulesën 22:1, 2 dhe kur është koha kryesore e përmbushjes së këtij vizioni? (b) Në Parajsë, pse lumi i ujit të jetës do të hyjë në kohën e një zgjerimi të madh?
17 Atëherë, në fakt, lumi që pa Ezekieli do të rrjedhë me ujin më të fuqishëm të jetës. Kjo është koha kryesore e zbatimit të profecisë së regjistruar në Zbulesën 22:1, 2: «Ai më tregoi një lumë me ujë jete, të pastër si kristali, që rridhte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit në mes të udhës së tij të gjerë. Dhe nga kjo anë e lumit dhe nga ana tjetër kishte pemë jete që prodhonin dymbëdhjetë të korra frytesh, duke nxjerrë fryte çdo muaj. Dhe gjethet e pemëve ishin për kurimin e kombeve.»—BR.
18 Gjatë Mijëvjeçarit, të gjitha sëmundjet, fizike, mendore dhe emocionale, do të shërohen. Kjo është paraqitur shumë mirë nga ‘kurimi i kombeve’ me anë të pemëve simbolike. Falë masave të administruara nga Krishti dhe nga 144.000-t, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’». (Isaia 33:24, BR) Veç kësaj, lumi do të hyjë në kohën e tij të zgjerimit më të madh. Atij do t’i duhet të zgjerohet e të thellohet me qëllim që të plotësojë nevojat e miliona, ndoshta miliarda njerëzve të ringjallur, që do të pinë nga këto ujëra të pastra të jetës. Lumi i vizionit shëroi Detin e Vdekur, duke sjellë jetë kudo që rridhnin ujërat e tij. Në Parajsë, burrat dhe gratë do të vijnë në jetë në kuptimin më të plotë, duke u shëruar nga vdekja e trashëguar adamike, nëse ushtrojnë besim në dobitë e shpërblesës që u janë ofruar atyre. Zbulesa 20:12 parathotë se në ato ditë do të hapen «rrotulla», duke siguruar dritë të mëtejshme kuptueshmërie, nga e cila do të përfitojnë edhe të vdekurit e ringjallur. Mjerisht, disa do të refuzojnë të shërohen, madje edhe në Parajsë. Këta rebelë janë ata që do t’i «jepen kripës» së shkatërrimit të përhershëm.—Zbulesa 20:15.
19. (a) Si do të përmbushet në Parajsë ndarja e tokës? (b) Cilin aspekt të Parajsës paraqet qyteti? (c) Cila është domethënia e vendosjes së qytetit në njëfarë distance nga tempulli?
19 Në atë kohë, edhe ndarja e tokës në vizionin e Ezekielit do të ketë përmbushjen e vet përfundimtare. Ezekieli pa tokën që ishte ndarë siç duhet; në mënyrë të ngjashme, çdo i krishterë besimplotë mund të jetë i sigurt se do të ketë një vend, një trashëgimi, në Parajsë. Po ashtu, dëshira për të pasur secili shtëpinë e vet për të jetuar dhe për t’u kujdesur do të përmbushet në një mënyrë të rregullt. (Isaia 65:21; 1. Korintasve 14:33) Qyteti që pa Ezekieli paraqet tamam rregullimin administrativ që Jehovai ka si qëllim për tokën e re. Klasa e mirosur priftërore nuk do të jetë më e pranishme fizikisht mes njerëzimit. Vizioni sugjeron po të njëjtën gjë, duke e portretizuar qytetin si në një tokë «profane» në njëfarë distance nga tempulli. (Ezekieli 48:15) Ndërsa të 144.000-t sundojnë me Krishtin në qiell, Mbreti nuk është pa përfaqësues në tokë. Nënshtetasit e tij njerëzorë do të nxjerrin shumë dobi nga udhëheqja dhe drejtimi i dashur i klasës së prijësit. Gjithsesi, selia e vërtetë e qeverisë do të jetë, jo mbi tokë, por në qiell. Të gjithë ata që janë në tokë, duke përfshirë edhe klasën e prijësit, do t’i nënshtrohen sundimit të Mbretërisë Mesianike.—Danieli 2:44; 7:14, 18, 22.
20, 21. (a) Pse është i përshtatshëm emri i qytetit? (b) Cilat pyetje duhet të na shkaktojë t’i bëjmë vetes kuptueshmëria për vizionin e Ezekielit?
20 Vëre fjalët përfundimtare të profecisë së Ezekielit: «Emri i qytetit që nga ajo ditë do të jetë, Vetë Jehovai është atje.» (Ezekieli 48:35, BR) Ky qytet nuk do të ekzistojë për t’i dhënë pushtet apo influencë njerëzve, as nuk do të jetë atje për të imponuar ndonjë vullnet njerëzor. Ai është qyteti i Jehovait që do të pasqyrojë gjithnjë mendjen dhe udhët e tij të dashura e të arsyeshme. (Jakovit 3:17) Kjo na jep sigurinë që na ngroh zemrën se Jehovai do të bekojë «tokën e re», shoqërinë e organizuar të njerëzimit, deri në një të ardhme që zgjat pafundësisht.—2. Pjetrit 3:13.
21 A nuk rrëqethemi nga perspektiva që është përpara nesh? Është me vend, pra, dhe secili nga ne bën mirë të pyesë veten: ‘Si u përgjigjem bekimeve të mrekullueshme të zbuluara në vizionin e Ezekielit? A e mbështes plot besim punën që po bëhet nga mbikëqyrësit e dashur, duke përfshirë edhe ata të mbetjes së mirosur dhe anëtarët e mundshëm të klasës së prijësit? A e kam bërë adhurimin e pastër vetë qendrën e jetës sime? A përfitoj plotësisht nga uji i jetës që rrjedh kaq me bollëk sot?’ Vazhdoftë secili prej nesh të bëjë këtë dhe të gjejë kënaqësi në masat e Jehovait për të gjithë përjetësinë!
[Shënimet]
a Kjo luginë mund t’i referohet luginës së Kidronit, e cila zë fill në juglindje të Jerusalemit dhe përfundon në Detin e Vdekur. Rrjedha e saj më e ulët në veçanti është pa ujë dhe e thatë gjatë gjithë vitit.
b Shiko numrat e Kullës së Rojës, 1 maj 1881 dhe 1 qershor 1981, anglisht.
Si do të përgjigjesh?
◻ Çfarë paraqesin ujërat që rrjedhin nga tempulli?
◻ Çfarë shërimi ka bërë Jehovai me anë të lumit simbolik dhe pse lumi është rritur në vëllim?
◻ Çfarë paraqesin pemët përgjatë brigjeve të lumit?
◻ Çfarë do të paraqesë qyteti gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar dhe pse emri që i jepet qytetit është i përshtatshëm?
[Figurat në faqen 23]
Lumi i jetës përfaqëson masën që ka marrë Perëndia për shpëtim