ARTIKULLI I STUDIMIT 43
Përkushtoju vetëm Jehovait
«Jehovai është një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij.»—NAU. 1:2.
KËNGA 51 Perëndisë i jemi kushtuar
PËRMBLEDHJEa
1. Pse e meriton Jehovai t’i përkushtohemi vetëm atij?
JEHOVAI e meriton t’i përkushtohemi vetëm atij sepse është Krijuesi dhe Jetëdhënësi ynë. (Zbul. 4:11) Mirëpo ekziston një rrezik. Edhe pse e duam dhe e respektojmë Jehovain, disa gjëra mund të na tërheqin e të na pengojnë t’i përkushtohemi vetëm atij, ashtu siç e meriton. Është e rëndësishme të kuptojmë si mund të ndodhë kjo. Gjithsesi, së pari le të shohim ç’do të thotë t’i përkushtohemi vetëm Jehovait.
2. Sipas Eksodit 34:14, çfarë bëjmë kur jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait?
2 Në Bibël, të jesh i përkushtuar ndaj Perëndisë do të thotë të kesh dashuri të thellë për të. Kur jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait, adhurojmë vetëm atë. Nuk lejojmë askënd e asgjë të zërë vendin që ka ai në zemrën tonë.—Lexo Eksodin 34:14.
3. Pse nuk është i verbër përkushtimi ynë ndaj Jehovait?
3 Përkushtimi ynë ndaj Jehovait nuk është i verbër. Pse? Sepse është i bazuar në faktet që dimë për të. Ne i njohim cilësitë e tij të bukura dhe i admirojmë. E dimë çfarë i pëlqen e çfarë nuk i pëlqen dhe ndihemi po njësoj. E kuptojmë dhe e mbështetim qëllimin e tij për ne. Ndihemi të nderuar që na lejon të jemi miqtë e tij. (Psal. 25:14) Çdo gjë që mësojmë për Krijuesin tonë, na afron më shumë me të.—Jak. 4:8.
4. (a) Çfarë përdor Djalli që të na e dobësojë përkushtimin ndaj Jehovait? (b) Çfarë do të shohim në këtë artikull?
4 Djalli e ka nën kontroll këtë sistem dhe e përdor për të na e prishur mendjen duke shfrytëzuar dëshirat e natyrshme dhe dëshirat mëkatare. (Efes. 2:1-3; 1 Gjon. 5:19) Synimi i tij është ta kemi zemrën të ndarë, që të mos jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait. Të shohim dy mënyra si mund ta bëjë këtë Djalli. Së pari, ai na tundon të rendim pas pasurisë dhe së dyti, përpiqet të na nxitë të zgjedhim zbavitje të gabuara.
RUHU NGA DASHURIA PËR PARA
5. Pse duhet të bëjmë kujdes që të mos zhvillojmë dashuri për para?
5 Natyrshëm ne duam të kemi ushqim të mjaftueshëm, veshje të përshtatshme dhe një vend të mirë për të jetuar. Mirëpo duhet të bëjmë kujdes që të mos zhvillojmë dashuri për pará. Shumë njerëz sot, janë «lakmues parash» dhe vdesin për çdo gjë që blihet me para. (2 Tim. 3:2, nwt) Jezui e dinte se dishepujt e tij mund të tundoheshin të zhvillonin këtë dashuri. Ai tha: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të qëndrojë besnik ndaj njërit e do të përçmojë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Mat. 6:24, nwt) Dikush që adhuron Jehovain e në të njëjtën kohë harxhon jashtë mase kohë dhe energji të pasurohet, në njëfarë kuptimi u shërben dy zotërinjve. Ky njeri nuk është i përkushtuar vetëm ndaj Jehovait.
6. Ç’mësojmë nga fjalët që i drejtoi Jezui kongregacionit të Laodicesë?
6 Aty nga fundi i shekullit të parë të e.s., kongregacioni në qytetin e Laodicesë mburrej: «Jam i pasur, kam vënë pasuri e s’kam nevojë për asgjë.» Por në sytë e Jehovait dhe të Jezuit, ishte «i mjerë, i shkretë, i varfër, i verbër e lakuriq». Jezui nuk i këshilloi pjesëtarët e atij kongregacioni ngaqë ishin të pasur, por ngaqë dashuria për para po u dëmtonte miqësinë me Jehovain. (Zbul. 3:14-17) Nëse dallojmë se në zemrën tonë po rritet dëshira për të rendur pas pasurisë, duhet ta korrigjojmë pa vonesë mënyrën si mendojmë. (1 Tim. 6:7, 8) Përndryshe, zemra jonë do të jetë e ndarë dhe Jehovai nuk do ta pranojë adhurimin tonë. Ai ‘kërkon t’i përkushtohemi vetëm atij’. (Ligj. 4:24) Si mund të çekuilibrohet pikëpamja jonë për paratë?
7-9. Çfarë mëson nga shembulli i një plaku që quhet David?
7 Të shohim shembullin e Davidit, një plaku të palodhur që jeton në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se ishte një punëtor i papërtuar në kompaninë e tij dhe e ngritën në detyrë. Madje ishte i mirënjohur në vendin e tij për fushën ku punonte. Davidi tregon: «Në atë kohë, mendoja se suksesi im tregonte se kisha bekimin e Jehovait.» Por a ishte vërtet kështu?
8 Davidi filloi të dallonte shenja paralajmëruese se puna po ndikonte për keq te miqësia e tij me Jehovain. Ai vazhdon: «Vura re se kur isha në mbledhjet e kongregacionit e madje edhe në shërbim, më rrinte mendja te problemet e punës. Po fitoja shumë para, ama isha gjithnjë e më shumë i stresuar dhe fillova të kisha probleme në martesë.»
9 Davidi e kuptoi se kishte nevojë të përcaktonte çfarë kishte përparësi në jetën e tij. «E ndava mendjen ta ndreqja situatën»,—thotë ai. Davidi donte të ndryshonte orarin e punës dhe ia parashtroi këtë plan punëdhënësit. Si rezultat Davidi e humbi punën. Çfarë bëri pas kësaj? Ai tregon: «Që të nesërmen plotësova kërkesën për pionier ndihmës në vazhdimësi.» Për të mbajtur veten, Davidi me të shoqen nisën të punonin në pastrim. Pas ca kohësh, ai filloi si pionier i rregullt, e më pas filloi edhe e shoqja. Ky çift zgjodhi një punë që shumica e përçmojnë, por gjëja më e rëndësishme për ta nuk është lloji i punës. Edhe pse tani marrin një të dhjetën e asaj që fitonin më parë, kanë çdo muaj atë që u nevojitet për të mbuluar shpenzimet. Ata duan që Jehovai të zërë vendin e parë dhe e kanë provuar vetë se Jehovai kujdeset për këdo që vë në vend të parë Mbretërinë.—Mat. 6:31-33.
10. Si mund ta ruajmë zemrën?
10 Pavarësisht nëse kemi shumë apo pak, kemi nevojë të ruajmë zemrën. Si? Duke mos zhvilluar dashuri për para. Gjithashtu, duke mos lejuar që puna të bëhet më e rëndësishme se shërbimi ndaj Jehovait. Si mund ta dallosh nëse po të ndodh kjo? Ja disa pyetje që mund t’i bësh vetes: «A më rri mendja shpesh te puna kur jam në mbledhje ose në shërbim? A shqetësohem orë e çast nëse do të kem siguri financiare në të ardhmen? A po më hapin probleme në martesë paratë dhe të mirat materiale? A jam i gatshëm të bëj ndonjë punë që të tjerët e përçmojnë nëse më jep mundësi të kaloj më shumë kohë në shërbim të Jehovait?» (1 Tim. 6:9-12) Kur të mendosh për këto pyetje, mos harro se Jehovai të do dhe i bën këtë premtim kujtdo që është i përkushtuar ndaj tij: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» Ja pse apostulli Pavël shkroi: «Jetesa juaj të jetë pa dashuri për pará!»—Hebr. 13:5, 6, shën., nwt.
ZGJIDHE ZBAVITJEN ME KUJDES
11. Si mund të ndikojë zbavitja te një person?
11 Jehovai do që ta shijojmë jetën, dhe zbavitja mund të na ndihmojë për këtë. Në fakt, në Fjalën e Perëndisë thuhet se «për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë, të pijë dhe të kënaqet me mundin e vet». (Ekl. 2:24, nwt) Megjithatë, pjesa më e madhe e zbavitjes në botë mund të ndikojë për keq te ne. Ajo ua prish njerëzve normat morale, duke i nxitur t’i tolerojnë a madje t’i duan gjërat që dënohen në Fjalën e Perëndisë.
12. Sipas 1 Korintasve 10:21, 22, pse duhet ta zgjedhim zbavitjen me kujdes?
12 Ne duam t’i përkushtohemi vetëm Jehovait, prandaj nuk mund të hamë edhe në «tryezën e Jehovait», edhe «në tryezën e demonëve». (Lexo 1 Korintasve 10:21, 22.) Të hash një vakt me dikë, shpesh është shenjë miqësie. Nëse zgjedhim zbavitje që nxit dhunën, spiritizmin, imoralitetin ose qëndrime a dëshira mëkatare, në njëfarë kuptimi po hamë një vakt të përgatitur nga armiqtë e Perëndisë. Si rezultat, nuk dëmtojmë vetëm veten, por edhe miqësinë tonë me Jehovain.
13-14. (a) Si mund të ngjajë zbavitja me ushqimin? (b) Sipas Jakovit 1:14, 15, pse duhet të bëjmë kujdes që të mos ushqejmë dëshira të gabuara?
13 Si mund të ngjajë zbavitja me ushqimin? Kur hamë, vendosim çfarë futim në gojë. Por pasi e gëlltitim ushqimin, nuk e kemi më në dorë si do të ndikojë te trupi ynë. Ushqimi i mirë mund të na bëjë më të shëndetshëm, ushqimi i keq na e dëmton shëndetin. Rezultatet mund të mos shihen brenda natës, ama do të vihen re me kalimin e kohës.
14 Po njësoj, kur zgjedhim zbavitjen, vendosim çfarë futim në mendje. Pas kësaj, ajo zbavitje do të ndikojë te mendja dhe zemra jonë. Zbavitja e mirë mund të na ripërtërijë, zbavitja e keqe na dëmton. (Lexo Jakovin 1:14, 15.) Efektet e zbavitjes së keqe mund të mos shihen menjëherë, ama do të vihen re me kalimin e kohës. Ja pse Bibla na paralajmëron: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë! Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Ai që mbjell për dëshirat mëkatare, do të korrë nga këto dëshira shkatërrim.» (Gal. 6:7, 8, nwt) Sa e rëndësishme është që të hedhim poshtë çdo zbavitje që nxit gjërat që Jehovai urren!—Psal. 97:10.
15. Çfarë dhuratash ka siguruar Jehovai që të kënaqemi?
15 Shumë shërbëtorë të Jehovait kënaqen me programet e JW Broadcasting®, stacionit tonë televiziv në Internet plot ushqim të shëndetshëm. Një motër e quajtur Merilin tha: «JW Broadcasting më ka ndihmuar të jem më pozitive, dhe s’kam pse të merakosem për përmbajtjen. Kur ndihem vetëm a e shkurajuar, gjej ndonjë fjalim inkurajues ose ndonjë Adhurim Mëngjesi për të parë. Kjo më bën të ndihem më afër Jehovait dhe organizatës së tij. JW Broadcasting më ka ndryshuar krejt jetën.» A po nxjerr dobi nga kjo dhuratë e Jehovait? Përveç programeve të reja mujore, në JW Broadcasting ka edhe programe të ndryshme audio dhe video, si edhe këngë inkurajuese që dalin në pjesën Video on Demand.
16-17. Pse duhet ta mbajmë në kontroll kohën që harxhojmë duke u zbavitur, dhe si mund ta bëjmë këtë?
16 Duhet të bëjmë kujdes jo vetëm me llojin e zbavitjes që zgjedhim, por edhe me kohën që na merr. Përndryshe mund të harxhojmë më shumë kohë duke u zbavitur sesa duke i shërbyer Jehovait. Shumë veta e kanë të vështirë të kontrollojnë sa kohë harxhojnë me zbavitjen. Një motër 18-vjeçare me emrin Abigaila, thotë: «Relaksohem kur shoh televizor në fund të një dite të ngarkuar. Por nëse nuk bëj kujdes, mund të rri për orë të tëra para ekranit.» Një vëlla i ri që quhet Samuel, thotë: «Disa herë kam parë pafund video të shkurtra në Internet. E nis vetëm me një dhe pa e kuptuar fare më fluturojnë tri a katër orë.»
17 Si mund ta mbash në kontroll kohën që harxhon me zbavitjen? Në fillim duhet të dallosh sa kohë po harxhon vërtet. Po sikur të mbash shënim për një javë? Shkruaj në një kalendar sa orë kalon para televizorit, në Internet dhe duke luajtur në pajisjen tënde elektronike. Nëse mendon se po kalon tepër kohë, përpiqu të bësh një program. Rezervo kohë për gjërat më të rëndësishme në fillim dhe pastaj për zbavitjen. Më pas, kërkoji Jehovait ndihmë që t’i përmbahesh programit. Kështu do të kesh kohë dhe energji për studimin personal të Biblës, adhurimin familjar, mbledhjet e kongregacionit dhe për të dalë në shërbim. Gjithashtu, ka më pak të ngjarë të ndihesh në faj për kohën që harxhon duke u zbavitur.
QËNDRO I PËRKUSHTUAR VETËM NDAJ JEHOVAIT
18-19. Si mund të tregojmë se jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait?
18 Pasi shkroi për fundin e botës së Satanait dhe për botën e re që presim, apostulli Pjetër tha: «Prandaj, o të dashur, meqenëse pritni këto gjëra, bëni çmos që në fund ai t’ju gjejë të panjollë, të patëmetë e në paqe.» (2 Pjet. 3:14, nwt) Kur ia vëmë veshin kësaj këshille dhe bëjmë çmos që të vazhdojmë të jemi të pastër moralisht e ta adhurojmë Jehovain ashtu siç do ai, tregojmë se jemi të përkushtuar vetëm ndaj tij.
19 Satanai dhe sistemi i tij do të na tundojnë vazhdimisht që të ndryshojmë përparësitë. (Luka 4:13) Por pavarësisht vështirësive, nuk do të lejojmë askënd e asgjë të zërë vendin që ka Jehovai në zemrën tonë. Jemi të vendosur t’i japim Jehovait atë që vetëm ai e meriton—përkushtimin tonë të plotë!
KËNGA 30 Perëndia Jehova është im Atë dhe Mik
a Ne jemi të përkushtuar ndaj shërbimit të Jehovait. Por a jemi të përkushtuar vetëm ndaj Tij? Vendimet tona i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Të shohim dy fusha të jetës ku mund të dallojmë sa të përkushtuar jemi ndaj Jehovait.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Nuk do të donim të hanim ushqim të ndotur në një kuzhinë të pistë. A do të donim, atëherë, të shikonim zbavitje të ndotur me dhunë, spiritizëm a imoralitet?