Kapitulli 16
Katër kalorës rendin me galop!
Vegimi 3—Zbulesa 6:1-17
Subjekti: Kalërimi i katër kalorësve, dëshmitarët e martirizuar të shtrirë rrëzë altarit dhe dita e madhe e zemërimit
Koha e përmbushjes: Nga viti 1914 deri në shkatërrimin e këtij sistemi
1. Si ia zbuloi Jehovai Gjonit përmbajtjen e rrotullës që hapi Jezui?
A NUK jemi jashtëzakonisht të interesuar në këto ditë krize për «ato që do të ndodhin së shpejti»? Patjetër që jemi, pasi ato na prekin personalisht. Ndaj, le të shohim bashkë me Gjonin se si Jezui nisi të hapte rrotullën që ngjall kureshtje. Duhet thënë që në fillim se Gjonit nuk iu desh ta lexonte atë. Pse? Sepse përmbajtja e saj iu përcoll «me anë të shenjave», nga një seri skenash të gjalla e plot jetë.—Zbulesa 1:1, 10.
2. (a) Çfarë pa e dëgjoi Gjoni, dhe çfarë i la të kuptonte pamja e kerubinit? (b) Kujt i drejtohej urdhri i kerubinit të parë? Shpjego pse.
2 Ja çfarë tha Gjoni ndërkohë që Jezui hapte vulën e parë të rrotullës: «Pashë kur Qengji hapi një nga shtatë vulat e dëgjova një nga katër krijesat e gjalla të thoshte me një zë si bubullimë: ‘Eja!’» (Zbulesa 6:1) Ky ishte zëri i kerubinit të parë. Pamja e tij si luan i la të kuptonte Gjonit se organizata e Jehovait do t’i ekzekutonte me guxim gjykimet e Tij të drejta. Kujt i drejtohej ky urdhër? S’mund t’i drejtohej Gjonit, sepse ai ishte ftuar tashmë të shihte këto skena profetike. (Zbulesa 4:1) ‘Zëri si bubullimë’ u drejtohej pjesëmarrësve të episodit të parë nga katër episodet e tjera nxitëse.
Kali i bardhë dhe Kalorësi i tij i shquar
3. (a) Çfarë përshkroi Gjoni? (b) Çfarë duhet të simbolizojë kali i bardhë, sipas gjuhës simbolike të Biblës?
3 Ç’privilegj për Gjonin që ka parë disa skena të shpejta dramatike që ngjallnin pritje! Privilegj i madh sot është edhe për klasën e Gjonit dhe shokët e zellshëm të saj. Gjoni tha: «Dhe ja, pashë një kalë të bardhë, dhe ai që rrinte mbi të, kishte një hark. Atij iu dha një kurorë, e ai doli fitimtar për të plotësuar fitoren e tij.» (Zbulesa 6:2) Po, një kalë i bardhë mori hov pas atij zëri si bubullimë që tha: «Eja!» Në Bibël, kali simbolizon shpesh luftën. (Psalmi 20:7; Proverbat 21:31; Isaia 31:1) Ky kalë, pa dyshim një hamshor i bukur, kishte një bardhësi rrëzëllyese, që nënkupton shenjtërinë e panjollë. (Krahaso Zbulesën 1:14; 4:4; 7:9; 20:11.) Kjo është me vend, pasi ai portretizon një luftë të pastër dhe të drejtë në sytë e shenjtë të Jehovait.—Shih edhe Zbulesën 19:11, 14.
4. Kush ishte Kalorësi i kalit të bardhë? Shpjego.
4 Kush kalëronte me këtë kalë? Ai kishte një hark, një armë sulmi, dhe kishte marrë edhe një kurorë. Të vetmit të drejtë që janë paraqitur me kurorë në kokë gjatë ditës së Zotërisë, janë Jezui dhe anëtarët e klasës që përfaqësohen nga 24 pleqtë. (Danieli 7:13, 14, 27; Luka 1:31-33; Zbulesa 4:4, 10; 14:14)a S’ka kuptim që një anëtar i grupit të 24 pleqve të paraqitej sikur e kishte marrë kurorën falë meritave të tij. Prandaj, ky që kalëronte i vetëm mbi kalë, duhej të ishte Jezu Krishti dhe askush tjetër. Gjoni e ka parë atë në qiell në vitin 1914, në çastin historik kur Jehovai shpalli: «E kam vënë mbretin tim», dhe i tha se ‘do t’ia jepte kombet si trashëgimi’. (Psalmi 2:6-8)b Kështu, kur hapi vulën e parë, Jezui zbuloi se si ai vetë, si Mbreti i sapokurorëzuar, do të sulej për betejë në kohën e caktuar nga Perëndia.
5. Si ngjan përshkrimi i psalmistit për Kalorësin me atë të Zbulesës 6:2?
5 Kjo skenë përkon mirë me Psalmin 45:4-7, që i drejtohet Mbretit të kurorëzuar nga Jehovai: «Me shkëlqimin tënd shko drejt suksesit; kalëro në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë e të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të mësojë gjëra të frikshme. Shigjetat e tua të mprehta do të hyjnë në zemër të armiqve të tu, o mbret; nën ty vazhdojnë të bien popuj. Perëndia është froni yt përjetë, po, përgjithmonë; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie. Ti e do drejtësinë dhe e urren ligësinë. Ja pse Perëndia, Perëndia yt, të ka mirosur me vajin e ngazëllimit më shumë se shokët e tu.» Gjoni e njihte mirë këtë përshkrim profetik, ndaj me siguri e ka kuptuar se kishte të bënte me veprimet e Jezuit si Mbret.—Krahaso Hebrenjve 1:1, 2, 8, 9.
Del për të fituar
6. (a) Pse Kalorësi duhet të dalë për të fituar? (b) Deri kur vazhdon kalërimi i tij fitimtar?
6 Mirëpo, pse duhet të dalë për luftë Mbreti i sapokurorëzuar? Sepse mbretëria e tij përballet me kundërshtimin e egër të kundërshtarit më të madh të Jehovait, Satana Djallit, dhe të atyre njerëzve në tokë që, me dashje ose pa dashje, u shërbejnë qëllimeve të Satanait. Thjesht lindja e Mbretërisë ndezi një luftë të përmasave të mëdha në qiell. Duke luftuar nën emrin e Mikaelit (që do të thotë «Kush është si Perëndia?»), Jezui mundi Satanain me demonët e tij dhe i flaku poshtë në tokë. (Zbulesa 12:7-12) Kalërimi fitimtar i Jezuit vazhdon edhe gjatë dekadave të para të ditës së Zotërisë, ndërkohë që po mblidhen njerëzit ngjashëm deleve. Ndonëse gjithë bota dergjet ende «nën pushtetin e të ligut», Jezui vazhdon të kujdeset me dashuri për vëllezërit e tij të mirosur dhe për shokët e tyre, duke i ndihmuar të fitojnë betejën e besimit.—1 Gjonit 5:19.
7. Cilat fitore ka korrur Jezui në tokë gjatë dekadave të para të ditës së Zotërisë, dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?
7 Cilat fitore të tjera ka korrur Jezui gjatë ditës së Zotërisë, që vazhdon prej 90 vjetësh? Në të gjithë botën, populli i Jehovait, qoftë si individë, qoftë si kongregacion, ka përjetuar shumë vështirësi, shtypje e përndjekje, si ato që përshkroi apostulli Pavël, për të dhënë prova për shërbimin e tij. (2 Korintasve 11:23-28) Për t’i përballuar, Dëshmitarëve të Jehovait u është dashur ‘fuqi përtej asaj që është normale’, sidomos atje ku lufta dhe dhuna kanë bërë kërdinë. (2 Korintasve 4:7) Megjithatë, edhe në situatat më sprovuese, Dëshmitarët besnikë ia kanë dalë të thonë si Pavli: «Zotëria më qëndroi pranë dhe më mbushi me fuqi, që nëpërmjet meje predikimi të kryhej plotësisht.» (2 Timoteut 4:17) Po, për ta fitoi Jezui, dhe do të vazhdojë të fitojë edhe për ne, për aq kohë sa të jemi të vendosur të arrijmë fitoren tonë të plotë të besimit.—1 Gjonit 5:4.
8, 9. (a) Çfarë fitoresh ka arritur kongregacioni mbarëbotëror i Dëshmitarëve të Jehovait? (b) Në cilat vende ka pasur një hov të madh rritja e Dëshmitarëve të Jehovait?
8 Kongregacioni mbarëbotëror i Dëshmitarëve të Jehovait ka korrur shumë fitore nën drejtimin e Mbretit të vet fitimtar. Ajo që spikat më shumë është mbrojtja e Studentëve të Biblës nga zhdukja në vitin 1918, kur ata ishin ‘mundur’ përkohësisht nga organizata politike e Satanait. Por, në vitin 1919, Ai theu hekurat e burgut për t’i liruar, e më pas i gjallëroi sërish që ta shpallnin lajmin e mirë «deri në skajin më të largët të tokës».—Zbulesa 13:7; Veprat 1:8.
9 Para dhe gjatë Luftës II Botërore, fuqitë diktatoriale të Boshtit u orvatën t’i zhduknin Dëshmitarët e Jehovait në shumë vende ku diktatorët gëzonin mbështetjen e hapur ose të heshtur të krerëve fetarë, sidomos të klerit të Kishës Katolike. Megjithatë, që nga koha kur filloi lufta në vitin 1939 e deri kur mbaroi në vitin 1945, numri i Dëshmitarëve që predikonin u rrit nga 71.509 në 141.606, ndonëse më shumë se 10.000 prej tyre kaluan shumë vite nëpër burgje dhe rreth 2.000 u ekzekutuan. Numri i Dëshmitarëve aktivë në mbarë botën ka vazhduar të rritet, dhe sot janë mbi gjashtë milionë. Rritja ka pasur një hov të madh në vendet katolike dhe në shtetet ku përndjekja ishte më e dhunshme, si në Gjermani, Itali dhe Japoni, ku tani numërohen gjithsej mbi 600.000 predikues aktivë në fushë.—Isaia 54:17; Jeremia 1:17-19.
10. Me ç’fitore e ka bekuar Mbreti fitimtar popullin e tij për ‘mbrojtjen dhe themelimin ligjërisht të lajmit të mirë’?
10 Veç kësaj, Mbreti ynë fitimtar i ka bekuar shërbëtorët e tij të zellshëm, duke u dhuruar shumë fitore «në mbrojtjen dhe në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë», nëpër gjyqe dhe para qeveritarëve. (Filipianëve 1:7; Mateu 10:18; 24:9) Këtë e ka bërë në shkallë ndërkombëtare: në Australi, Argjentinë, Kanada, Greqi, Indi, Suazilandë, Zvicër, Turqi dhe në vende të tjera. Ndër 50 betejat ligjore që kanë fituar Dëshmitarët e Jehovait në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, ka pasur nga ato që garantonin të drejtën për të shpallur lajmin e mirë «publikisht dhe shtëpi më shtëpi», si edhe mospjesëmarrjen në ceremoni patriotike idhujtare. (Veprat 5:42; 20:20; 1 Korintasve 10:14) Kjo ka bërë të mundur të jepej një dëshmi e madhe në të gjithë globin.
11. (a) Si e ‘plotëson fitoren e tij’ Kalorësi? (b) Si duhet të ndikojë te ne hapja e vulës së dytë, të tretë dhe të katërt?
11 Si e ‘plotëson fitoren e tij’ Jezui?c Siç do ta shohim, këtë do ta bëjë duke zhdukur fenë e rreme dhe duke flakur në «liqenin e zjarrtë», një vend simbolik shkatërrimi, çdo mbetje të organizatës së dukshme të Satanait, për të shfajësuar sovranitetin e Jehovait. Ne e presim plot siguri ditën, kur ‘Mbreti i mbretërve’ të korrë fitoren përfundimtare në Harmagedon kundër organizatës politike shtypëse të Satanait. (Zbulesa 16:16; 17:14; 19:2, 14-21; Ezekieli 25:17) Ndërkohë, Fitimtari i pathyeshëm mbi kalin e bardhë vazhdon të kalërojë, ndërsa Jehovai vazhdon t’i shtojë njerëz të ndershëm kombit të Tij të drejtë në tokë. (Isaia 26:2; 60:22) A po jep edhe ti kontributin tënd krah klasës së mirosur të Gjonit për rritjen e numrit të nënshtetasve të kësaj Mbretërie? Nëse po, ajo që pa Gjoni kur u hapën tri vulat e tjera, patjetër do të të nxitë të marrësh pjesë edhe më shumë në veprën që ka caktuar Jehovai për kohën tonë.
Një kalë me ngjyrë të kuqe zjarr
12. Cila do të ishte, sipas fjalëve të Jezuit, shenja e pranisë së tij të padukshme si Mbret?
12 Para se të përfundonte shërbimin në tokë, dishepujt e pyetën Jezuin veçmas: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» Ai u përgjigj duke parathënë disa katastrofa që do të ishin «fillimi i dhembjeve të lindjes». Ai tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, do të ketë tërmete të mëdha, murtaja dhe mungesë ushqimi nga njëri vend në tjetrin. Njerëzit do të shohin pamje të frikshme dhe shenja të mëdha që vijnë nga qielli.» (Mateu 24:3, 7, 8; Luka 21:10, 11) Ato që pa Gjoni kur u hapën vulat e tjera të rrotullës janë një paralel i pazakontë me këtë profeci të cituar më lart. Të shohim çfarë ndodhi, kur Jezui i lartësuar hapi vulën e dytë!
13. Çfarë pa Gjoni dhe me çfarë binte në kundërshtim?
13 «Kur hapi vulën e dytë, dëgjova krijesën e dytë të gjallë që tha: ‘Eja!’» (Zbulesa 6:3) Këtë urdhër e dha kerubini i dytë, që ngjante si dem. Ai simbolizon fuqinë, veçse atë fuqi që përdoret në mënyrë të drejtë. Por në kundërshtim me këtë, Gjoni pa një fuqi vdekjeprurëse e që të kallte tmerrin.
14. Cilin kalë dhe kalorës pa Gjoni, dhe çfarë nënkupton ky vegim?
14 Çfarë ndodhi pas thirrjes së dytë: «Eja!» «Doli një kalë tjetër me ngjyrë të kuqe zjarr. Atij që rrinte mbi të, iu lejua të hiqte paqen nga toka, që njerëzit të thereshin me njëri-tjetrin, dhe iu dha një shpatë e madhe.» (Zbulesa 6:4) Sa i trishtë ky vegim! S’ka pikë dyshimi çfarë nënkupton: luftën! Jo luftën e drejtë të Mbretit fitimtar të Jehovait, por luftën mizore të njeriut, që ka përfshirë gjithë botën e që ka sjellë gjakderdhje e dhembje të panevojshme. Sa e përshtatshme është që ky kalorës ka hipur në një kalë me ngjyrë të kuqe zjarr!
15. Pse s’duhet të dëshirojmë të jemi pjesë e kalërimit të kalit të dytë?
15 Gjoni nuk dëshironte aspak të kishte të bënte me këtë kalorës dhe me kalërimin e tij të pandalshëm, sepse për shërbëtorët e Perëndisë ishte profetizuar: «As do të mësojnë më të luftojnë.» (Isaia 2:4) Ndonëse ende «në botë», Gjoni, e bashkë me të edhe klasa e Gjonit me shumicën e madhe sot, «nuk janë pjesë» e këtij sistemi të përlyer me gjak. Armët tona janë frymore dhe «të fuqishme nga Perëndia», për të shpallur të vërtetën pa reshtur, e jo për të bërë luftë.—Gjoni 17:11, 14; 2 Korintasve 10:3, 4.
16. Kur dhe si iu dha «një shpatë e madhe» kalorësit të kalit të kuq?
16 Para vitit 1914, vit kur Kalorësi i kalit të bardhë mori kurorën, ka pasur shumë luftëra. Atëherë, ç’nënkupton vargu kur thotë se kalorësit të kalit të kuq iu dha «një shpatë e madhe»? Që nga shpërthimi i Luftës I Botërore, konfliktet njerëzore janë bërë më të përgjakshme e më shkatërrimtare se kurrë më parë. Në masakrat e viteve 1914-1918, ku u derdh gjaku lumë, janë përdorur për herë të parë ose në një shkallë të paparë ndonjëherë tanket, gazi helmues, avionët luftarakë, nëndetëset, topat e mëdhenj dhe pushkët automatike. Në rreth 28 vende, jo vetëm ushtarakët, por e gjithë popullsia u detyrua të merrte pjesë në luftë. Numri i viktimave ka qenë tmerrësisht i madh. Më shumë se nëntë milionë ushtarë humbën jetën dhe numri i viktimave në civilë ishte me përmasa astronomike. Edhe pas mbarimit të luftës, bota s’gjeti më prehje. Më shumë se 50 vjet pas luftës, Konrad Adenaueri, një burrë shteti në Gjermani, u shpreh: «Siguria dhe qetësia u zhdukën nga jeta e njerëzve që nga viti 1914.» Kalorësit të kalit me ngjyrë të kuqe zjarr i ishte lejuar vërtet të hiqte paqen nga toka!
17. Si e ka përdorur kalorësi i dytë ‘shpatën e madhe’ pas Luftës I Botërore?
17 Pas kësaj, me etjen e pangopur për gjak, kalorësi i kalit të kuq u zhyt me kokë në Luftën II Botërore. Mjetet e vrasjes u bënë edhe më mizore dhe numri i viktimave u katërfishua në krahasim me ato të Luftës I Botërore. Në vitin 1945, dy bomba atomike shpërthyen në Japoni, dhe secila prej tyre shfarosi sa hap e mbyll sytë dhjetëra mijë jetë njerëzish. Gjatë Luftës II Botërore, kalorësi i kalit të kuq korri rreth 55 milionë jetë, e prapë s’ishte ngopur. Është përllogaritur se mbi 20 milionë njerëz kanë humbur jetën nga tehu i ‘shpatës së madhe’ që nga Lufta II Botërore.
18, 19. (a) Në vend që të ishin një triumf për teknologjinë ushtarake, çfarë kanë vërtetuar masakrat që nga Lufta II Botërore? (b) Me cilin rrezik përballet njerëzimi, dhe çfarë do të bëjë Kalorësi i kalit të bardhë për ta mënjanuar?
18 A mund të quhet ky triumf i teknologjisë ushtarake? Aspak. Përkundrazi, dëshmon se kali i kuq i pamëshirshëm rend me galop. Po ku do të mbarojë ky galop? Disa shkencëtarë i tremben një lufte bërthamore aksidentale, pa folur për një konflikt bërthamor të planifikuar. Sa mirë që Kalorësi fitimtar i kalit të bardhë ka diçka tjetër në mendje për tokën!
19 Për aq kohë sa shoqëria të drejtohet nga krenaria nacionaliste dhe urrejtja, njerëzimi është si i ulur mbi një fuçi baruti. Edhe sikur, nga e keqja, kombet të çarmatosnin gjithë armatimin bërthamor, ende do të kishin aftësinë dhe njohurinë që brenda një kohe të shkurtër të prodhonin mjete të tjera bërthamore po aq vrastare. Për pasojë, çdo luftë me armë konvencionale shumë shpejt mund të kthehej në një katastrofë bërthamore. Krenaria dhe urrejtja që i bëjnë kombet të ziejnë sot, do ta çojnë njerëzimin drejt vetëshkatërrimit, nëse Kalorësi i kalit të bardhë nuk ndërhyn t’i presë rrugën kalit të kuq që vrapon si i marrë. Të jemi të sigurt se Krishti Mbret do të kalërojë nga njëra anë për të plotësuar fitoren e tij mbi botën ku sundon Satanai dhe nga ana tjetër për të vendosur në tokë një shoqëri të re që bazohet te dashuria—te dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin—një forcë që nxit paqen shumë më mirë se armët bërthamore të kohëve tona të çmendura, të cilat siç thuhet janë veç mjete zhbindëse.—Psalmi 37:9-11; Marku 12:29-31; Zbulesa 21:1-5.
Një kalë i zi lëshohet me vrull
20. Ç’gjë na siguron se Kalorësi i kalit të bardhë do t’i japë fund çdo gjendjeje tejet të vështirë?
20 Jezui hapi vulën e tretë. Çfarë pa Gjoni? «Kur hapi vulën e tretë, dëgjova krijesën e tretë të gjallë që tha: ‘Eja!’» (Zbulesa 6:5a) Sa mirë që kerubini i tretë ‘kishte fytyrë njeriu’, që pasqyron cilësinë e dashurisë! Dashuria e bazuar në parime do të jetë me bollëk në botën e re të Perëndisë, ashtu si tërë organizata e Jehovait sot përshkohet nga kjo cilësi e shkëlqyer. (Zbulesa 4:7; 1 Gjonit 4:16) Mund të jemi të sigurt se Kalorësi i kalit të bardhë, që «duhet të mbretërojë derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij», me dashuri do t’i japë fund gjendjes tejet të vështirë që i tërhoqi vëmendjen Gjonit.—1 Korintasve 15:25.
21. (a) Çfarë simbolizojnë kali i zi dhe kalorësi i tij? (b) Ç’gjë tregon se kali i zi rend ende si i harbuar?
21 Çfarë pa Gjoni pas thirrjes së tretë: «Eja!» «Dhe ja, pashë një kalë të zi, dhe ai që rrinte mbi të, kishte në dorë një peshore.» (Zbulesa 6:5b) Zi buke e paparë! Ky është mesazhi i kobshëm i kësaj skene profetike. Ai tregon gjendjen në fillim të ditës së Zotërisë, kur ishte e domosdoshme që ushqimi të peshohej e të racionohej. Që nga viti 1914, zija e bukës ka qenë një problem i vazhdueshëm mbarëbotëror. Luftërat e sotme ia lënë vendin zisë së bukës, pasi të ardhurat që normalisht do të përdoreshin për të ushqyer të uriturit, shpesh përdoren për të siguruar armë. Bujqit rekrutohen për luftë dhe fushat e shkretuara e të bëra shkrumb nga luftimet pakësojnë prodhimin e ushqimit. Pikërisht kështu ndodhi gjatë Luftës I Botërore, kur miliona njerëz i pllakosi uria dhe vdiqën. Veç kësaj, kalorësi i kalit të zi që simbolizon urinë, nuk e uli ritmin me përfundimin e luftës. Gjatë viteve 30, pesë milionë njerëz vdiqën për shkak të zisë së bukës që ra në Ukrainë. Lufta II Botërore provokoi më shumë mungesa ushqimi dhe zi buke. Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se kequshqyerja është ndër shkaqet kryesore të vdekjes së më shumë se pesë milionë fëmijëve në vit. E gjithë kjo ndodh gjatë kalërimit të kalit të zi.
22. (a) Çfarë thoshte një zë dhe cilën nevojë shprehte? (b) Çfarë nënkupton çmimi i një keniku grurë dhe i tre kenikëve elb?
22 Gjoni pa edhe gjëra të tjera. «Dëgjova një zë mes katër krijesave të gjalla, që thoshte: ‘Një kenik grurë për një denar dhe tre kenikë elb për një denar. Mos e ço dëm vajin e ullirit dhe verën.’» (Zbulesa 6:6) Katër kerubinët thonë njëzëri se duhen ruajtur me kujdes rezervat ushqimore, njësoj si para shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., kur njerëzit duhet ‘ta hanin bukën me peshë e me ankth’. (Ezekieli 4:16) Në kohën e Gjonit, një kenik grurë ishte racioni ditor i një ushtari. Sa do të kushtonte një racion? Një denar, sa paga e një dite të tërë pune. (Mateu 20:2)d Ç’mund të bënte një njeri që kishte familje për të ushqyer? Mund të blinte tre kenikë elb të paqëruar. Edhe kjo sasi mund të ushqente vetëm një familje të vogël. Veç kësaj, elbi nuk shihej si ushqim aq cilësor sa gruri.
23. Çfarë lë të kuptosh shprehja «mos e ço dëm vajin e ullirit dhe verën»?
23 Çfarë lë të kuptosh shprehja «mos e ço dëm vajin e ullirit dhe verën»? Disa mendojnë se do të thotë që shumë njerëz nuk do të kishin ushqim, dhe madje do të vdisnin urie, ndërkohë që të pasurve s’do t’u mungonte luksi. Mirëpo, në Lindjen e Mesme vaji dhe vera në të vërtetë nuk janë luks. Në kohët biblike, buka, vaji dhe vera konsideroheshin ushqim bazë. (Krahaso Zanafillën 14:18; Psalmin 104:14, 15.) Uji nuk ishte gjithmonë i mirë, prandaj për të pirë përdorej gjerësisht vera. Shpesh ajo përdorej edhe për kurim. (1 Timoteut 5:23) Sa për vajin, në kohën e Elijas, vejusha nga Zarefati, aq e varfër sa ishte, kishte pak vaj për të gatuar miellin që i kish mbetur. (1 Mbretërve 17:12) Pra, urdhri «mos e ço dëm vajin e ullirit dhe verën», duket si një këshillë për të mos i mbaruar shpejt këto ushqime bazë, por për t’i përdorur me kursim. Përndryshe, ‘do të çoheshin dëm’, domethënë do të mbaronin para se të merrte fund zija e bukës.
24. Pse themi se kali i zi nuk do ta vazhdojë galopin e tij edhe për shumë kohë?
24 A s’jemi të lumtur që shumë shpejt Kalorësi i kalit të bardhë do ta ndalë kalin e zi që rend me galop?! Ja si i përshkruan Bibla kushtet që do të sigurojë Ai me dashuri në botën e re: «Në ditët e tij, i drejti do të lulëzojë, dhe paqja do të jetë pa fund derisa të mos ketë më hënë. Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»—Psalmi 72:7, 16; shih edhe Isainë 25:6-8.
Kali i zbehtë dhe kalorësi i tij
25. Zërin e kujt dëgjoi Gjoni, kur Jezui hapi vulën e katërt, dhe çfarë tregon ai vegim?
25 Por nuk mbaronte me kaq. Gjoni na tregoi çfarë pa, kur Jezui hapi vulën e katërt: «Kur hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e krijesës së katërt të gjallë që tha: ‘Eja!’» (Zbulesa 6:7) Ky ishte zëri i kerubinit që ngjante si shqiponjë që fluturonte. Ajo simbolizon mençurinë largpamëse, dhe Gjoni, klasa e Gjonit, si edhe të gjithë shërbëtorët e tjerë të Perëndisë në tokë, vërtet duhet ta shqyrtojnë këtë vegim e të veprojnë me gjykim të thellë në lidhje me atë që pasqyron ai. Duke vepruar kështu, mund të mbrohemi deri në njëfarë mase nga plagët që godasin brezin e sotëm krenar dhe imoral.—1 Korintasve 1:20, 21.
26. (a) Kush ishte kalorësi i katërt dhe pse ngjyra e kalit të tij është e përshtatshme? (b) Cili ndiqte kalorësin e katërt, dhe çfarë do të ndodhë me viktimat e tij?
26 Ç’tmerre të tjera do të vërshonin, ndërsa kalorësi i katërt i përgjigjej thirrjes? Gjoni tha: «Dhe ja, pashë një kalë të zbehtë, dhe ai që rrinte mbi të, e kishte emrin Vdekje. Atë e ndiqte nga afër Hadesi.» (Zbulesa 6:8a) Kalorësi i kalit të fundit kishte një emër: Vdekje. Ai ishte i vetmi nga katër kalorësit e Apokalipsit që e tregoi hapur se kush ishte. Është e përshtatshme që Vdekja kalëronte mbi një kalë të zbehtë, pasi fjala ‘i zbehtë’ (greqisht khlorós) përdoret në literaturën greke për të përshkruar fytyrat e zbehta si të sëmura. Gjithashtu, është e përshtatshme që Vdekja, në një mënyrë të pashpjeguar, ndiqej nga afër nga Hadesi (varri i përbashkët i njerëzimit), pasi në Hades përfundojnë shumica e atyre që bien viktimë e masakrave të kalorësit të katërt. Ata do të ringjallen kur ‘vdekja dhe Hadesi t’i dorëzojnë të vdekurit që gjenden në ta’, dhe kjo na gëzon pa masë. (Zbulesa 20:13) Por, si bënte Vdekja kaq shumë viktima?
27. (a) Si mbledh Vdekja kaq shumë viktima? (b) Çfarë nënkupton ‘një e katërta e tokës’, mbi të cilën ka autoritet Vdekja?
27 Vegimi rendit disa mënyra. «Atyre iu dha autoritet mbi një të katërtën e tokës, për të vrarë me një shpatë të gjatë, me mungesë ushqimi, me plagë vdekjeprurëse dhe me bishat e tokës.» (Zbulesa 6:8b) Ky kalërim nuk do të ndikonte medoemos një të katërtën e popullsisë së tokës, gjithsesi do të prekte një pjesë të madhe të globit, më shumë ose më pak të banuar. Ky kalorës mbledh viktimat e shpatës së madhe të kalorësit të dytë, dhe të zive të bukës e mungesave të ushqimit të kalorësit të tretë. Ai mbledh edhe viktimat që shkakton vetë me plagën vdekjeprurëse dhe ato të tërmeteve që përshkruhen te Luka 21:10, 11.
28. (a) Si është përmbushur profecia për ‘plagën vdekjeprurëse’? (b) Si është mbrojtur populli i Jehovait nga shumë sëmundje sot?
28 ‘Plaga vdekjeprurëse’ luan një rol të rëndësishëm në ditët tona. Pas kasaphanës që shkaktoi Lufta I Botërore, gripi spanjoll përlau mbi 20 milionë jetë vetëm brenda pak muajve (1918-1919). Vendi i vetëm në të gjithë botën që i shpëtoi kësaj plage ishte ishulli i vogël i Shën-Helenës. Në vendet ku popullsia u zhduk në masë, pirgje të vdekurish digjeshin mbi turra drush. Sot njerëzimi përballet me një shkallë të frikshme të sëmundjeve të zemrës dhe të kancerit, pjesa më e madhe e të cilave shkaktohen nga pirja e duhanit. Gjatë asaj që u quajt «dekada e shëmtuar» e viteve 80, një mënyrë jetese e palejuar nga normat e Biblës i shtoi ‘plagës vdekjeprurëse’ edhe gjëmën e SIDA-s. Në vitin 2000, autoriteti më i lartë i shëndetësisë në SHBA e quajti SIDA-n «epideminë ndoshta më të rëndë shëndetësore që ka njohur bota ndonjëherë». Ai tha se 52 milionë njerëz në gjithë botën ishin prekur nga virusi i HIV-it që shkakton SIDA-n dhe 20 milionë prej tyre kishin vdekur. Populli i Jehovait është mirënjohës që këshillat e mençura të Fjalës së tij e ndihmojnë t’i rrijë larg kurvërisë dhe keqpërdorimit të gjakut, përmes të cilave sot transmetohen shumë sëmundje.—Veprat 15:28, 29; krahaso 1 Korintasve 6:9-11.
29, 30. (a) Si shfaqen në kohën tonë «katër gjykimet» e Ezekielit 14:21? (b) Çfarë mund të kuptojmë me «bishat» e Zbulesës 6:8? (c) Cila duket se është pika kryesore e kësaj skene profetike?
29 Sipas vegimit të Gjonit, shkaku i katërt i vdekjeve të parakohshme janë bishat. Në të vërtetë, katër plagët e përmendura kur u hap vula e katërt—luftërat, zitë e bukës, sëmundjet dhe bishat—në kohët e lashta ishin shkaqet kryesore të vdekjes së parakohshme. Sot të gjitha ato pasqyrojnë shkaqet e vdekjes së parakohshme në kohën tonë. Është tamam ashtu si e paralajmëroi Jehovai Izraelin: «Po njësoj do të jetë kur të dërgoj kundër Jerusalemit katër gjykimet e mia—shpatën, zinë e bukës, bishat e egra dhe murtajën—që të shfaros prej tij njerëzit e kafshët.»—Ezekieli 14:21.
30 Në kohën tonë, vdekja nga bishat rrallëherë ka dalë në faqet e para të gazetave, megjithëse në vendet tropikale kafshët e egra shkaktojnë viktima rregullisht. Në të ardhmen ato mund të shkaktojnë edhe më shumë, nëse toka shkretohet nga lufta ose njerëzit treten nga uria, aq sa të mos mbrohen dot nga kafshët e uritura. Por, njësoj si kafshët pa arsye, sot ka edhe shumë njerëz që tregojnë cilësi kafshërore krejt të kundërta me ato që përshkruhen tek Isaia 11:6-9. Pikërisht ata janë përgjegjësit kryesorë të sulmeve seksuale, vrasjeve, terrorizmit dhe atentateve me bomba që kanë pushtuar botën e sotme. (Krahaso Ezekielin 21:31; Romakëve 1:28-31; 2 Pjetrit 2:12.) Kalorësi i katërt mbledh edhe viktimat e këtyre shkaqeve. Pra, me sa duket pika kryesore në këtë skenë profetike është: kalorësi i kalit të zbehtë mbledh ata që vdesin në mënyrë të parakohshme nga shkaqe të ndryshme.
31. Pse mund të kemi shpresë, ndonëse kalorësit e kalit të kuq, të zi dhe të zbehtë, kanë bërë kërdinë?
31 Ajo që mësuam nga hapja e katër vulave të para na jep siguri, sepse na tregon se s’kemi pse të dëshpërohemi për shkak të luftërave, urisë, sëmundjeve dhe shkaqeve të tjera të vdekjes së parakohshme, që sot bëjnë kërdinë. Por as nuk duhet t’i humbim shpresat, kur shohim që udhëheqësit njerëzorë s’mund t’i zgjidhin problemet e sotme. Nëse kushtet botërore tregojnë qartë se kalorësit e kalit të kuq, të zi dhe të zbehtë rendin me galop, të mos harrojmë se Kalorësi i kalit të bardhë e ka nisur këtë para tyre. Jezui është bërë Mbret dhe e ka korrur tashmë një fitore, kur dëboi Satanain nga qiejt. Në fitoret e tjera të tij përfshihet mbledhja e mbetjes së bijve të Izraelit frymor dhe e shumicës së madhe nga të gjitha kombet, po, e miliona njerëzve që do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh. (Zbulesa 7:4, 9, 14) Ai do ta vazhdojë kalërimin gjersa të plotësojë fitoren e tij.
32. Nga çfarë karakterizohej hapja e secilës nga katër vulat?
32 Pas hapjes së secilës nga katër vulat dëgjohej thirrja: «Eja!» Çdo herë, sulej përpara një kalë dhe kalorësi i tij. Nga vula e pestë e më pas, kjo thirrje nuk dëgjohet më. Megjithatë, këta kalorës ende kalërojnë dhe do të vazhdojnë të rendin me galop deri në fund të këtij sistemi. (Krahaso Mateun 28:20.) Ç’ngjarje të tjera të rëndësishme zbuloi Jezui kur hapi tri vulat e tjera? Disa prej tyre janë të padukshme për sytë njerëzorë. Të tjera, ndonëse të dukshme, janë për të ardhmen. Sidoqoftë, përmbushja e tyre është e sigurt. Të shohim për çfarë bëhet fjalë.
[Shënimet]
a Këtu vlen të thuhet se ‘gruaja’ që përmendet te Zbulesa 12:1 ka një kurorë simbolike «me dymbëdhjetë yje».
b Për prova më të hollësishme që tregojnë se Jezui u bë Mbret në vitin 1914, shih faqet 215-218 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
c Shumë versione e përkthejnë këtë shprehje «për të fituar» (Diodati i Ri, King James Version) ose «për të ngadhënjyer» (Simon Filipaj). Megjithatë, në greqishten origjinale përdorimi i mënyrës lidhore në kohën aoriste, ka kuptimin e plotësimit ose të përfundimit. Duke pasur në mendje pikërisht këtë, Robertson saktëson në fjalorin e tij biblik: «Koha aoriste e kësaj foljeje jep idenë e një fitoreje përfundimtare.»—Word Pictures in the New Testament.
d Një monedhë argjendi romake që peshonte 3,85 gramë.
[Kutia në faqen 92]
Mbreti kalëron fitimtar
Gjatë viteve 30 dhe 40, armiqtë e betuar të Dëshmitarëve të Jehovait u orvatën që t’i bënin të tjerët të besonin se shërbimi i tyre ishte i paligjshëm, i lidhur me krimin, dhe madje prishte rendin. (Psalmi 94:20) Vetëm në vitin 1936, u regjistruan 1.149 arrestime të Dëshmitarëve në Shtetet e Bashkuara. Shumë nga këto çështje ligjore Dëshmitarët i çuan deri në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Më poshtë janë vetëm disa nga fitoret e tyre të bujshme.
Më 3 maj 1943, për çështjen Mardok kundër Pensilvanisë, Gjykata e lartë vendosi që Dëshmitarët nuk kishin nevojë për një leje të veçantë për të dhënë literaturë kundrejt pagesës. Atë ditë që u dha vendimi për çështjen Martini kundër qytetit Strathërs, Gjykata vendosi se nuk ishte e paligjshme t’i bije ziles, gjatë shpërndarjes derë më derë të fletushkave dhe materialeve të tjera.
Më 14 qershor 1943, Gjykata e Lartë vendosi për çështjen Tejlor kundër Misisipit se Dëshmitarët nuk nxitin me predikimin e tyre rebelimin ndaj shtetit. Po atë ditë, në çështjen Drejtoria Shtetërore e Arsimit në Virxhinian Perëndimore kundër Barnetit, Gjykata vendosi se Drejtoria Arsimore nuk kishte të drejtë t’i përjashtonte nga shkolla fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait, që nuk përshëndetnin flamurin. Të nesërmen, Gjykata e Lartë e Australisë, anuloi vendimin për ndalimin e veprës së Dëshmitarëve të Jehovait në atë vend, duke e quajtur atë «të paarsyeshëm, tekanjoz dhe shtypës».
[Kutia në faqen 94]
«Iu lejua të hiqte paqen nga toka»
Ku po na çon teknologjia? Një gazetë kanadeze kishte shkëputur fragmentet e mëposhtme nga një ligjëratë e mbajtur nga Ivan Hedi, president i Qendrës Kërkimore për Zhvillimin Ndërkombëtar.
«Në një raport të besueshëm përllogaritet se një në katër shkencëtarë dhe teknologë në botë që merren me kërkime, punojnë për armatimet. . . . Në vitin 1986, shpenzimet në këtë fushë u rritën më shumë se 1,5 milionë $ në minutë. . . . A na kanë bërë të ndihemi më të sigurt kërkimet në këtë fushë të teknologjisë? Arsenalet bërthamore që zotërojnë superfuqitë kanë një fuqi shpërthyese 6.000 herë më të madhe se tërë municionet e përdorura nga të gjithë ndërluftuesit gjatë tërë Luftës II Botërore. Po, gjashtë mijë luftëra me përmasat e Luftës II Botërore. Që nga viti 1945, bota ka njohur prehje nga aktiviteti ushtarak vetëm për shtatë javë. Janë zhvilluar më shumë se 150 luftëra të karakterit ndërkombëtar ose civil, të cilat, sipas llogaritjeve, u kanë marrë jetën 19,3 milionë njerëzve. Shumica e tyre kanë qenë viktima të teknologjisë së re mjaft të arrirë, që ka nxjerrë krye në epokën e Kombeve të Bashkuara.»—The Globe and Mail, 22 janar 1987, Toronto, Kanada.
Deri në vitin 2005, aktiviteti ushtarak ka shkaktuar shumë më tepër se 20 milionë viktima.
[Kutia në faqet 98, 99]
Skema e librit të Zbulesës
Në pikën ku kemi arritur me trajtimin e librit të Zbulesës, fillojmë të shohim më qartë skemën e këtij libri. Pas asaj hyrjeje që të bën për vete (Zbulesa 1:1-9), Zbulesa mund të ndahet në 16 vegime, si më poshtë:
1 (1:10–3:22): Nën frymëzim Gjoni sheh Jezuin e lartësuar, që u dërgon mesazhe e këshilla të ngrohta shtatë kongregacioneve.
2 (4:1–5:14): Një pamje madhështore e fronit qiellor të Perëndisë Jehova. Ai i zgjat një rrotull Qengjit.
3 (6:1-17): Duke hapur gjashtë vulat e para të rrotullës, Qengji zbulon pak nga pak vegimin e përbërë për ngjarjet që duhet të ndodhin në ditën e Zotërisë. Katër kalorësit e Apokalipsit sulen përpara, skllevërit e Perëndisë që vdiqën si martirë marrin petka të bardha; përshkruhet dita e madhe e zemërimit të furishëm të Perëndisë.
4 (7:1-17): Engjëjt mbajnë erërat e shkatërrimit derisa të vulosen 144.000 anëtarët e Izraelit frymor. Një shumicë e madhe nga të gjitha kombet ia jep meritën për shpëtimin Perëndisë dhe Krishtit, si dhe është mbledhur me synimin që t’i mbijetojë shtrëngimit të madh.
5 (8:1–9:21): Kur hapet vula e shtatë, bien shtatë trumbeta. Vegimi i pestë flet për gjashtë kumbimet e para të trumbetave, të cilat shpallin gjykimin e njerëzimit nga Jehovai. Trumbeta e pestë dhe e gjashtë paraqitin edhe mjerimin e parë dhe të dytë.
6 (10:1–11:19): Një engjëll i fuqishëm i jep Gjonit një rrotull të vogël. Bëhet matja e tempullit dhe mësojmë se ç’ndodh me dy dëshmitarët. Pika kulmore e këtij vegimi është momenti kur bie trumbeta e shtatë, e cila shpall mjerimin e tretë për armiqtë e Perëndisë: ardhjen e Mbretërisë së Jehovait dhe të Krishtit të tij.
7 (12:1-17): Përshkruan lindjen e Mbretërisë, pas së cilës Mikaeli flaku në tokë gjarprin, Satanain. 8 (13:1-18): Bisha e fuqishme del nga deti dhe bisha me dy brirë si brirë qengji kërkon nga njerëzit që ta adhurojnë.
9 (14:1-20): Një skenë profetike madhështore e 144.000-ve në malin e Sionit. Në të gjithë tokën dëgjohen mesazhet e engjëjve, vilet hardhia e tokës dhe shtypet rrushi në shtypësen e zemërimit të Perëndisë.
10 (15:1–16:21): Një vështrim i oborrit të tempullit qiellor, që pasohet nga derdhja mbi tokë e shtatë kupave të zemërimit të Jehovait. Edhe kjo pjesë përfundon me përshkrimin profetik të fundit të sistemit të Satanait.
11 (17:1-18): Prostituta e madhe, Babilonia e Madhe, rri e ulur mbi një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur, që për pak kohë shkon në humnerë, por del sërish dhe e shkatërron prostitutën.
12 (18:1–19:10): Shpall rënien dhe shkatërrimin përfundimtar të Babilonisë së Madhe. Pas ekzekutimit të saj disa vajtojnë, të tjerë i japin lavdi Jehovait. Shpallet edhe martesa e Qengjit.
13 (19:11-21): Jezui drejton ushtritë qiellore për të ekzekutuar gjykimin e furishëm të Perëndisë mbi sistemin e Satanait, mbi ushtritë dhe përkrahësit e tij. Zogjtë e kërmave ngopen me kufomat e tyre.
14 (20:1-10): Hedhja në humnerë e Satana Djallit, Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit dhe i atyre që do të mbretërojnë me të, sprova e fundit e njerëzimit dhe shkatërrimi i Satanait dhe i demonëve të tij.
15 (20:11–21:8): Ringjallja e përgjithshme dhe Dita e madhe e Gjykimit. Shfaqet një qiell i ri dhe një tokë e re, me bekime të përhershme për njerëzit e drejtë.
16 (21:9–22:5): Zbulesa arrin kulmin me vegimin e lavdishëm të Jerusalemit të Ri, gruas së Qengjit. Nga ai qytet vërshojnë masat që ka marrë Perëndia për të shëruar dhe për t’u dhënë jetë njerëzve.
Zbulesa përfundon me fjalët e këshillat e ngrohta të Jehovait, të Jezuit, të engjëllit dhe të vetë Gjonit. Secilit prej nesh i bëhet ftesa: «Eja!»—Zbulesa 22:6-21.