JAKOBI
[një që kap thembrën; një që i zë vendin].
1. Djali i Isakut dhe i Rebekës; binjaku dhe vëllai më i vogël i Esaut. Prindërit e Jakobit kishin 20 vjet të martuar kur, në vitin 1858 p.e.s., lindën dy binjakët, që ishin fëmijët e tyre të vetëm. Në atë kohë, Isaku ishte 60 vjeç. Kështu, njësoj si në rastin e Abrahamit, lutjet e Isakut për pasardhës morën përgjigje vetëm pasi durimi i tij dhe besimi te premtimet e Perëndisë u vunë plotësisht në provë.—Zn 25:20, 21, 26; Ro 9:7-10.
Gjatë shtatzënisë Rebeka vuante, sepse binjakët ziheshin në barkun e saj. Jehovai shpjegoi se ky ishte fillimi i armiqësisë mes dy kombeve dhe se, ndryshe nga ç’ishte zakoni, më i madhi do t’i shërbente më të voglit. Në fakt, kur lindi, Jakobi që doli i dyti, kishte kapur thembrën e Esaut; prandaj, e quajtën Jakob, që do të thotë «që kap thembrën». (Zn 25:22-26) Me këtë Jehovai tregoi se ishte në gjendje të pikaste prirjen gjenetike të një njeriu para se të lindte dhe të përdorte aftësinë për t’i njohur gjërat që më përpara. Gjithashtu, tregoi se kishte të drejtë të zgjidhte që më përpara atë që donte për përmbushjen e qëllimeve të tij. Por kjo s’do të thotë në asnjë mënyrë se ai paracakton të ardhmen e secilit.—Ro 9:10-12; Ho 12:3.
Vëllai i tij, Esau, të cilin Isaku e donte më shumë, ishte një gjahtar sypatrembur që s’e zinte vendi dhe endej gjithkund. Kurse Jakobi përshkruhet si «njeri i paqortueshëm [heb., tam]» që «banonte në tenda», bënte një jetë të qetë bariu, s’e linte kurrë pas dore familjen dhe që e ëma e donte në mënyrë të veçantë. (Zn 25:27, 28) Herë të tjera, termi hebraik tam është përdorur për ata që kanë miratimin e Perëndisë. Për shembull, «njerëzit gjakatarë e urrejnë atë që është i paqortueshëm», megjithatë Jehovai siguron se «e ardhmja e [të paqortueshmit] do të jetë paqësore». (Pr 29:10; Ps 37:37) Jobi besnik «ishte i paqortueshëm [heb., tam] dhe i drejtë».—Jb 1:1, 8; 2:3.
E drejta e të parëlindurit dhe bekimi. Kur vdiq Abrahami në vitin 1843 p.e.s., nipi i tij, Jakobi, ishte 15 vjeç, pra, që fëmijë ai kishte pasur mjaft mundësi të dëgjonte nga vetë goja e gjyshit, si edhe nga i ati, për besëlidhjen që kishte bërë Perëndia duke u betuar. (Zn 22:15-18) Jakobi e kuptonte ç’privilegj i madh do të ishte të luante edhe ai një rol në përmbushjen e premtimeve të Perëndisë. Më në fund, doli rasti që të merrte ligjërisht nga i vëllai të drejtën e të parëlindurit dhe privilegjet që e shoqëronin. (Lp 21:15-17) Kjo mundësi erdhi një ditë kur Esau u kthye nga fusha i lodhur dhe ndjeu erën e gjellës së shijshme që kishte bërë i vëllai. «Shpejt, të lutem,—thirri Esau,—më jep një lugë nga ajo e kuqja atje, sepse jam i lodhur!» Jakobi ia ktheu: «Më parë, më shit të drejtën tënde si i parëlindur.» «Esau e përbuzi të drejtën e të parëlindurit», kështu shitja u bë menjëherë dhe u vulos me një betim solemn. (Zn 25:29-34; He 12:16) Të gjitha këto ishin arsye të mjaftueshme që Jehovai të thoshte: «E desha Jakobin, por e urreva Esaun.»—Ro 9:13; Ma 1:2, 3.
A ishte me vend nga ana e Jakobit që të hiqej si Esau?
Isaku, tashmë i moshuar dhe i sigurt se po i afrohej vdekja, dërgoi Esaun që të zinte gjah e t’i përgatiste një gjellë. Ai i tha: «Ma sill ta ha, që shpirti im të të bekojë para se të vdes.» Megjithatë, këtë bisedë ia zuri veshi Rebekës, e cila dërgoi menjëherë Jakobin të merrte dy keca, që t’i përgatiste një gjellë të shijshme Isakut. Ajo i tha Jakobit: «Çoja [babait], që ta hajë dhe të të bekojë para se të vdesë.» Madje, ia vuri Jakobit lëkurën e kecave në duar dhe qafë, që kur ta prekte Isaku, ta merrte për Esaun. Kur i çoi ushqimin, Isaku e pyeti Jakobin: «Kush je ti biri, im?» Jakobi iu përgjigj: «Jam Esau, i parëlinduri yt.» Jakobi e dinte mirë se ligjërisht kishte të drejtë të vepronte në rolin e Esaut, të parëlindurit të Isakut. Isaku e preku Jakobin për të parë nëse ishte vërtet Esau dhe tha: «Zëri është i Jakobit, por duart janë të Esaut.» Megjithatë, gjithçka shkoi mirë dhe tregimi thotë se «ai e bekoi». (Zn 27:1-29) A vepruan drejt Rebeka dhe Jakobi?
Nuk ka asnjë dyshim që Jakobi kishte të drejtë të merrte bekimin. Para se të lindnin binjakët, Jehovai i kishte thënë Rebekës: «Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit.» (Zn 25:23) Më vonë, prirja që kishte dalluar që më përpara Jehovai tek ai dhe që e kishte bërë të donte më shumë Jakobin, e shtyu Esaun t’ia shiste të drejtën e të parëlindurit Jakobit vetëm për një pjatë gjellë.—Zn 25:29-34.
Bibla nuk tregon deri në ç’masë i dinte Isaku këta tregues lidhur me atë që duhej të merrte bekimin. Nuk e dimë me saktësi pse Rebeka dhe Jakobi vepruan në atë mënyrë; dimë vetëm që të dy ishin në dijeni se bekimi i takonte Jakobit. Ai nuk i shtrembëroi gjërat me dashaligësi, që të merrte diçka që nuk i takonte. Bibla nuk e dënon veprimin e Rebekës dhe të Jakobit. Rezultati qe që Jakobi mori bekimin që i takonte. Pa dyshim, Isaku e kuptoi vetë se në këtë rast ishte bërë vullneti i Jehovait. Pak kohë më pas, kur e dërgoi në Haran për të gjetur grua, Isaku e bekoi përsëri Jakobin dhe i tha shprehimisht: «Perëndia i Plotfuqishëm . . . do të të japë bekimin e Abrahamit.» (Zn 28:3, 4; krahaso He 11:20.) Pra, është me vend të dalim në përfundimin se rezultati ishte ai që kishte për qëllim Jehovai. Bibla e tregon qartë mësimin që duhet të nxjerrim nga ky tregim, duke na thënë të bëjmë kujdes që «të mos ketë asnjë kurvar, as ndonjë që nuk i vlerëson gjërat e shenjta, si Esau, i cili vetëm në këmbim të një gjelle, dorëzoi të drejtat e tij si i parëlindur».—He 12:16.
Jakobi shkon në Padan-Aram. (HARTA, vëll. 1, f. 529 në botimin anglisht) Jakobi ishte 77 vjeç kur la Beer-Shebën për të shkuar në vendin e stërgjyshërve të tij, ku kaloi 20 vite të tjera të jetës. (Zn 28:10; 31:38) Pasi përshkoi rreth 100 km drejt veri-verilindjes, ai u ndal në Luz (Bethel), në kodrat e Judesë, që të kalonte natën. Ai vuri një gur si jastëk. Atje pa në ëndërr një palë shkallë ose një varg shkallaresh, që arrinin deri në qiell, e nëpër të ngjiteshin dhe zbritnin engjëj. Në majë të tyre, iu shfaq në një vegim Jehovai, i cili i ripohoi Jakobit besëlidhjen që Ai kishte bërë me Abrahamin dhe Isakun.—Zn 28:11-13; 1Kr 16:16, 17.
Me këtë besëlidhje Jehovai i premtoi Jakobit se do ta mbronte, do ta mbështeste e nuk do ta braktiste derisa vendi ku ishte shtrirë, të bëhej pronë e tij dhe fara e tij të bëhej e shumtë si grimcat e pluhurit të tokës. Veç kësaj, i tha: «Me anën tënde dhe me anën e farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës.» (Zn 28:13-15) Kur e kuptoi plotësisht rëndësinë e ndodhisë së asaj nate, Jakobi thirri: «Ky vend të ngjall frikë! Kjo s’është gjë tjetër veçse shtëpia e Perëndisë.» Kështu, ia ndryshoi emrin qytetit nga Luz në Bethel, që do të thotë «shtëpi e Perëndisë». Pastaj ngriti një shtyllë dhe e mirosi që të shërbente si dëshmitare e këtyre ngjarjeve të rëndësishme. Veç kësaj, mirënjohës për premtimin që i kishte bërë Perëndia se do ta mbështeste, Jakobi u zotua se do t’i jepte Jehovait një të dhjetën e çdo gjëje që do të merrte.—Zn 28:16-22.
Gjatë udhëtimit, në afërsi të Haranit, Jakobi u ndesh me kushërirën e tij, Rakelën, dhe babai i saj, Labani, që ishte daja i Jakobit, e ftoi të rrinte në shtëpinë e tij. Jakobi u dashurua me Rakelën dhe pranoi të punonte shtatë vjet për të atin që ta merrte për grua. Dashuria e tij për Rakelën ishte kaq e thellë, sa vitet që kalonin atij i dukeshin «vetëm pak ditë». Megjithatë, ditën e dasmës Jakobin e mashtruan duke i dhënë në vend të Rakelës motrën e saj më të madhe, Lean. Ja si e shpjegoi Labani këtë veprim: «Nuk e kemi zakon të japim të voglën para së madhes.» Pasi bëri një javë martesë me Lean, Labani i dha për grua Jakobit edhe Rakelën, me kusht që të punonte shtatë vite të tjera për të paguar për të. Ai i dha me vete Leas dhe Rakelës edhe dy shërbyese, përkatësisht Zilpën dhe Bilhanë.—Zn 29:1-29; Ho 12:12.
Me këto martesa, Jehovai filloi të ndërtonte një komb të madh. Lea i lindi Jakobit katër djem njëri pas tjetrit: Rubenin, Simeonin, Levin dhe Judën. Duke parë që nuk lindte, Rakela i dha Jakobit skllaven e vet, Bilhanë, dhe pati dy djem nëpërmjet saj, Danin dhe Neftalin. Gjatë kësaj kohe, Lea nuk lindte. Prandaj i dha Jakobit skllaven e saj, Zilpën, dhe nga ky bashkim lindën dy djem, Gadi dhe Asheri. Më pas, Lea filloi të lindte përsëri dhe solli në jetë në fillim Isakarin, më pas Zabulonin, e në fund një vajzë me emrin Dina. Edhe Rakela më në fund mbeti shtatzënë dhe lindi Jozefin. Pra, në një periudhë relativisht të shkurtër prej shtatë vjetësh, Jakobi u bekua me shumë fëmijë.—Zn 29:30–30:24.
Bëhet i pasur para se të ikë nga Harani. Pas përfundimit të kontratës, sipas së cilës iu desh të punonte 14 vjet për të marrë gratë e tij, Jakobi priste me padurim të kthehej në vendlindje. Mirëpo Labani, duke parë se sa e kishte bekuar Jehovai për shkak të Jakobit, nguli këmbë që Jakobi të vazhdonte të kujdesej për kopetë e tij, madje i tha ta caktonte vetë pagën për këtë punë. Në atë zonë, delet dhe dhitë zakonisht janë njëngjyrëshe, delet të bardha, kurse dhitë të zeza. Kështu, Jakobi kërkoi që t’i jepeshin vetëm delet dhe dhitë me ngjyra e shenja jonormale, domethënë të gjitha delet me ngjyrë kafe të errët dhe të gjitha dhitë me lara të bardha. «Shkëlqyeshëm!»—u përgjigj Labani. E që paga të ishte sa më e ulët, Labani, sipas sugjerimit të vetë Jakobit, ndau veç të gjitha dhitë pikaloshe, me vija e me lara, si edhe deshtë e rinj në kafe të errët, dhe ua la bijve të tij që të kujdeseshin për to. Madje, la tri ditë udhë largësi mes kopeve të tij dhe të Jakobit që të mos kryqëzoheshin. Vetëm ato që në të ardhmen do të lindnin me ngjyrë jonormale do të ishin të Jakobit.—Zn 30:25-36.
Që nga ky moment, Jakobi filloi të merrej vetëm me delet me ngjyrë normale dhe me dhitë pa lara. Megjithatë, ai punoi pa u lodhur dhe bëri gjithçka që, sipas tij, do të rriste numrin e deleve dhe të dhive me ngjyrë të pazakontë. Ai mori disa purteka të njoma jeshile stiraksi, bajameje e rrapi dhe i zhvoshku në një mënyrë që të dukeshin si me vija ose lara. I vuri në vijat e ujit, në lugjet ku kopeja shkonte për të pirë, me mendimin që, nëse shihnin vijat kur ishin në afsh, kjo do të ndikonte që të vegjlit të lindnin me lara ose me ngjyrë jonormale. Gjithashtu, Jakobi u kujdes që t’i vinte purtekat nëpër lugje vetëm kur vinin në afsh kafshët që ishin të forta.—Zn 30:37-42.
Cili qe rezultati? Të vegjlit me lara ose me ngjyrë jonormale, që ishin paga e Jakobit, ishin më të shumtë se ato me ngjyrë uniforme, që i takonin Labanit. Duke qenë se arriti rezultatet e dëshiruara, ndoshta Jakobi mendoi se kjo ndodhi nga marifeti i purtekave me vija. Për këtë, ai kishte pa dyshim mendimin e gabuar, por mjaft të përhapur edhe sot, se një gjë e tillë mund të ndikojë te të vegjlit që lindin. Megjithatë, në një ëndërr, Krijuesi i bëri të ditur se kishte qenë krejt e kundërta.
Në atë ëndërr Jakobi mësoi se pati sukses falë disa parimeve të gjenetikës, dhe jo falë purtekave. Në fakt, megjithëse Jakobi kujdesej vetëm për kafshët me ngjyrë uniforme, vegimi i zbuloi se cjeptë ishin pikaloshë, me vija dhe me pulla. Si ishte e mundur? Paçka se me ngjyrë uniforme, me sa duket, ata ishin hibridë që kishin ardhur si rezultat i kryqëzimeve në kopenë e Labanit para se Jakobi të fillonte të paguhej. Kështu, disa nga këto kafshë mbartnin në qelizat e tyre të riprodhimit faktorë trashëgues që ua bënin të mundur brezave të ardhshëm të dilnin me vija dhe lara, sipas ligjeve të trashëgimisë të zbuluara gjatë shekullit të 19-të nga Gregor Mendeli.—Zn 31:10-12.
Gjatë gjashtë viteve që punoi në këtë mënyrë, Jehovai e bekoi shumë Jakobin dhe i dha mbarësi duke i shtuar jo vetëm kopetë, por edhe numrin e shërbyesve, të deveve dhe të gomarëve, pavarësisht se Labani ia ndryshonte vazhdimisht pagën për të cilën kishin rënë dakord. Më në fund, «Perëndia i vërtetë i Bethelit» i tha Jakobit të kthehej në Tokën e Premtuar.—Zn 30:43; 31:1-13, 41.
Kthimi në Tokën e Premtuar. Nga frika se mos Labani përpiqej përsëri ta detyronte të punonte për të, Jakobi mori fshehurazi gratë e tij, fëmijët dhe gjithçka që kishte, kaloi lumin Eufrat dhe mori rrugën për në Kanaan. Kur po mendonte këtë plan, ka mundësi që Jakobi të ishte duke kullotur bagëtitë afër Eufratit, siç tregon Zanafilla 31:4, 21. Në atë kohë, Labani kishte shkuar të qethte kopetë dhe e mori vesh tri ditë më vonë se Jakobi kishte ikur. Mund të jetë dashur edhe më shumë kohë derisa mbaroi qethjen dhe u bë gati të ndiqte Jakobin me njerëzit e tij. Gjithë kjo duhet t’i ketë dhënë kohën e mjaftueshme Jakobit dhe kopeve të tij me hap të ngadaltë që, para se Labani t’i arrinte, të shkonin deri në rajonin malor të Galaadit, të paktën 560 km larg nga Harani, distancë që Labani dhe njerëzit e tij që e ndiqnin si të tërbuar mbi deve mund ta përshkonin fare lehtë për shtatë ditë.—Zn 31:14-23.
Labani i gjeti të fushuar pak kilometra më në veri të Jabokut. Ai i kërkoi Jakobit t’i shpjegonte pse kishte ikur pa i dhënë mundësi të përshëndeste e të puthte fëmijët e nipërit, dhe pse kishte vjedhur perënditë e tij. (Zn 31:24-30) Përgjigjja e pyetjes së parë ishte shumë e qartë: Jakobi kishte frikë se mos Labani nuk e linte të ikte. Në lidhje me pyetjen e dytë, ai nuk ishte në dijeni të ndonjë vjedhjeje. Por faktikisht idhujt e shtëpisë i kishte vjedhur Rakela dhe i kishte fshehur në koshin e samarit të devesë së saj. Edhe pas shumë kërkimesh, ata nuk u gjetën.—Zn 31:31-35.
Veprimi i Rakelës dhe meraku i Labanit mund të shpjegohen kështu: «Zotërimi i perëndive të familjes dallonte trashëgimtarin e ligjshëm, gjë që shpjegon ankthin e Labanit te Zan. 31:26 e më tutje për t’i marrë Jakobit perënditë e tij të familjes.»—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 220, shën. 51.
Pasi grindja u zgjidh paqësisht, Jakobi ngriti një gur si shtyllë e pastaj bëri një tog me gurë që, për shumë vjet, qëndroi atje si dëshmitar i besëlidhjes së paqes që ata të dy bënë duke ngrënë një vakt ceremonial. Togu i gurëve u quajt Galed (që do të thotë «tog dëshmitar») dhe Kulla e Rojës.—Zn 31:36-55.
Tani Jakobi mezi priste të bënte paqe edhe me të vëllanë, Esaun, që kishte më shumë se 20 vjet që s’e shihte. Për të zbutur ndonjë mëri që mund të ushqente akoma i vëllai, Jakobi nisi para dhurata të kushtueshme për Esaun—qindra dele e dhi, si dhe shumë deve, gomarë e gjedhë. (Zn 32:3-21) Jakobi nuk kishte pothuaj asgjë kur ia mbathi nga Kanaani, kurse tani, falë bekimit të Jehovait, po kthehej atje i pasur.
Pse e la të çalë Jakobin engjëlli që luftoi me të?
Natën që Jakobi me familjen e tij kapërceu Jabokun për të shkuar drejt jugut e për t’u takuar me Esaun, Jakobi përjetoi diçka krejt të pazakontë: u përlesh me një engjëll. Për shkak të ngulmimit që tregoi, emri i tij u ndryshua në Izrael, që do të thotë «ndeshet (ngulmon) me Perëndinë; ose Perëndia ndeshet». (Zn 32:22-28) Që nga ky moment të dy emrat shfaqen shpesh nëpër paralelizma poetikë në hebraisht. (Ps 14:7; 22:23; 78:5, 21, 71; 105:10, 23) Gjatë kësaj përleshjeje, engjëlli i preku Jakobit zgavrën e kyçit të kofshës, dhe Jakobi çaloi për gjithë jetën. Ndoshta engjëlli e bëri këtë për t’i mësuar përulësinë, pasi ky gjymtim do t’i kujtonte vazhdimisht që të mos lartësohej së tepërmi për begatinë që i kishte dhënë Perëndia ose për faktin që ishte kacafytur me një engjëll. Në kujtim të këtyre ngjarjeve të rëndësishme, Jakobi e quajti atë vend Peniel ose Penuel.—Zn 32:25, 30-32.
Pas takimit miqësor, dy binjakët, Jakobi dhe Esau, tani rreth 97-vjeçarë, ndoqën secili drejtimin e vet, ndoshta pa u takuar më deri rreth 23 vjet më vonë, kur vdiq babai i tyre, Isaku, të cilin e varrosën së bashku. Esau shkoi drejt jugut në Seir bashkë me dhuratat e tij, kurse Jakobi u kthye drejt veriut, duke kaluar edhe një herë Jabokun.—Zn 33:1-17; 35:29.
33 vjet të tjerë në dhé të huaj. Pasi u nda me Esaun, Jakobi u vendos në Sukot. Ky ishte vendi i parë ku qëndroi disa kohë pasi u kthye nga Padan-Arami. Tregimi nuk saktëson sa gjatë qëndroi në atë vend, por mund të ketë qëndruar për disa vjet, pasi ndërtoi atje një shtëpi për të jetuar, si edhe disa kasolle ose disa lloj grazhdesh të mbuluara për bagëtinë.—Zn 33:17.
Më pas, Jakobi u shpërngul në perëndim të Jordanit afër Sikemit, ku bleu nga bijtë e Hamorit një copë tokë për «njëqind monedha [heb., kesitáh ]». (Zn 33:18-20; Js 24:32) Vlera e kësaj njësie monetare të lashtë, kesitáh, sot nuk dihet, por njëqind të tilla së bashku ndoshta vlenin sa një peshë e konsiderueshme argjendi, meqenëse në atë kohë nuk ekzistonin monedhat.
Në Sikem, Dina, vajza e Jakobit, filloi të shoqërohej me kananitet, dhe kjo i dha mundësi Sikemit, birit të prijësit Hamor, ta përdhunonte. Fill pas kësaj ngjarjeje, Jakobit i doli situata jashtë kontrollit: bijtë e tij vranë të gjithë meshkujt e Sikemit, morën rob gratë e fëmijët dhe përvetësuan të gjitha të mirat dhe pasuritë e qytetit, duke e bërë Jakobin, babanë e tyre, të pështirë për banorët e vendit.—Zn 34:1-31.
Më pas, Perëndia i tha Jakobit të ikte nga Sikemi dhe të shkonte në Bethel. Jakobi u bind, por para se të nisej, u kujdes që gjithë familja të pastrohej, të ndërronte rrobat, të flakte të gjitha perënditë e rreme (mbase edhe idhujt e shtëpisë së Labanit), si edhe vathët që ndoshta i mbanin si hajmali. Jakobi i groposi ato afër Sikemit.—Zn 35:1-4.
Për Jakobin, Betheli, «shtëpia e Perëndisë», kishte një rëndësi të veçantë, sepse atje, ndoshta rreth 30 vjet më parë, Jehovai i besoi besëlidhjen që kishte bërë me Abrahamin. Kësaj here, pasi Jakobi i ndërtoi një altar Perëndisë së madh të paraardhësve të tij, Jehovai e përsëriti besëlidhjen dhe ripohoi se emrin e Jakobit e kishte ndryshuar në Izrael. Pas kësaj, Jakobi ngriti në atë vend një shtyllë dhe derdhi mbi të një blatim në pije e vaj në kujtim të këtyre ngjarjeve të rëndësishme. Gjatë qëndrimit të tij në Bethel, Debora, taja e nënës së tij, vdiq dhe e varrosën aty.—Zn 35:5-15.
Edhe kësaj here, nuk dihet për sa kohë Jakobi qëndroi në Bethel. Kur u nisën drejt jugut e kishte akoma rrugë deri në Betlehem (Efratah), Rakelën e zunë dhembjet e lindjes dhe vdiq gjatë lindjes së djalit të saj të dytë, Beniaminit. Jakobi e varrosi atje Rakelën, gruan që e donte shumë, dhe ngriti një shtyllë si shenjë mbi varrin e saj.—Zn 35:16-20.
Izraeli që tani ishte bekuar me plot 12 djem, nga të cilët do të vinin 12 fiset e Izraelit, vazhdoi rrugën edhe më në jug. Fushimi tjetër i tij përshkruhet si «në njëfarë largësie nga kulla e Ederit», diku mes Betlehemit dhe Hebronit. Atje Rubeni, djali i madh i Jakobit, pati marrëdhënie seksuale me Bilhanë, konkubinën e të atit dhe nënën e Danit e të Neftalit. Rubeni mund të ketë menduar se i ati, Jakobi, ishte shumë i moshuar për të reaguar. Por Jehovai e dënoi aktin e tij të incestit, dhe kjo i kushtoi Rubenit të drejtën e të parëlindurit.—Zn 35:21-26; 49:3, 4; Lp 27:20; 1Kr 5:1.
Ndoshta para se i biri, Jozefi, të shitej si skllav në Egjipt, Jakobi u shpërngul në Hebron, ku rronte ende babai i tij i moshuar, Isaku. Megjithatë, koha e shpërnguljes nuk dihet me siguri.—Zn 35:27.
Një ditë Jakobi e dërgoi Jozefin (që në atë kohë ishte 17 vjeç) te vëllezërit e tij që ruanin kopetë, për të parë si ishin. Kur më në fund i gjeti në Dotan rreth 100 km në veri të Hebronit, ata e zunë dhe ia shitën një karvani tregtarësh që shkonte në Egjipt. Kjo ndodhi në vitin 1750 p.e.s. Babanë e tyre e bënë të besonte se Jozefin e kishte shqyer një kafshë e egër. Jakobi e qau Jozefin për shumë ditë dhe nuk pranonte ta ngushëllonin, por thoshte: «Do të zbres të mbaj zi tek im bir, në Sheol!» (Zn 37:2, 3, 12-36) Vdekja e të atit, Isakut, në vitin 1738 p.e.s. vetëm sa ia shtoi brengën.—Zn 35:28, 29.
Në Egjipt. Rreth dhjetë vjet pas vdekjes së Isakut, një zi buke me përmasa të jashtëzakonshme e detyroi Jakobin t’i dërgonte dhjetë nga bijtë e tij në Egjipt për të blerë drithë. Beniamini nuk shkoi. Jozefi, që ishte bërë administratori i ushqimit për faraonin, i njohu vëllezërit dhe u kërkoi që herën tjetër të vinin në Egjipt bashkë me Beniaminin, vëllanë e tyre më të vogël. (Zn 41:57; 42:1-20) Kur ia treguan këtë Jakobit, në fillim ai nuk pranoi ta linte, nga frika se mos i ndodhte gjë djalit të pleqërisë që e donte aq shumë. Në atë kohë, Beniamini ishte të paktën 22 vjeç. (Zn 42:29-38) Vetëm kur i gjithë ushqimi i marrë në Egjipt mbaroi, më në fund, Jakobi pranoi ta linte Beniaminin që të shkonte.—Zn 43:1-14; Ve 7:12.
Pasi Jozefi u pajtua me vëllezërit e tij, Jakobi mori ftesën të shkonte në Goshen, një vend pjellor i Egjiptit në deltën e Nilit, bashkë me familjen, gjënë e gjallë dhe gjithçka që kishte, pasi zia e madhe e bukës do të vazhdonte edhe për pesë vite të tjera. Për t’i ndihmuar, faraoni u dha edhe qerre e ushqime. (Zn 45:9-24) Gjatë udhëtimit, Jehovai e siguroi Jakobin se kjo shpërngulje kishte bekimin dhe miratimin e tij. (Zn 46:1-4) Të gjithë ata që i përkisnin shtëpisë së Jakobit, duke përfshirë edhe Manaseun, Efraimin dhe të tjerë që mund të kenë lindur në Egjipt para se Jakobi të vdiste, ishin 70 shpirt. (Zn 46:5-27; Da 1:5; Lp 10:22) Në këtë numër nuk përfshihej Lea, që kishte vdekur në Tokën e Premtuar (Zn 49:31), vajzat e tij që nuk përmenden me emër ose gratë e bijve të tij.—Zn 46:26; krahaso Zn 37:35.
Pak pasi arriti në Egjipt në vitin 1728 p.e.s., Jakobin e çuan në oborrin e faraonit, ku ai e përshëndeti mbretin me një bekim. Jakobi e quajti veten banor në dhé të huaj (njësoj si Abrahami dhe Isaku, sepse njësoj si ata edhe ai nuk e kishte trashëguar tokën që premtoi Perëndia). Kur faraoni e pyeti për moshën, Jakobi u përgjigj se ishte 130 vjeç, por, në krahasim me paraardhësit e tij, ditët e tij kishin qenë «të pakta e plot vuajtje».—Zn 47:7-10.
Pak para se të vdiste, Jakobi bekoi nipërit e tij, djemtë e Jozefit, dhe i shtyrë nga Perëndia vuri Efraimin, më të voglin, para Manaseut, më të madhit. Pastaj Jozefit, që do të merrte pjesën e dyfishtë të trashëgimisë që i takonte të parëlindurit, i tha: «Unë po të jap një copë tokë më shumë se vëllezërve të tu, atë që u mora amoritëve me shpatën dhe me harkun tim.» (Zn 48:1-22; 1Kr 5:1) Përderisa Jakobi kishte blerë paqësisht afër Sikemit një copë tokë nga bijtë e Hamorit (Zn 33:19, 20), duket se ky premtim që i bëri Jozefit ishte shprehje e besimit të tij, pasi në mënyrë profetike ai foli për pushtimin e ardhshëm të Kanaanit nga pasardhësit e tij sikur të ishte kryer tashmë nga vetë shpata dhe harku i tij. (Shih AMORITËT.) Pjesa e dyfishtë e asaj toke të pushtuar që do t’i shkonte Jozefit, formohej nga dy pjesët që iu dhanë fisit të Efraimit dhe të Manaseut.
Para se të vdiste, Jakobi mblodhi forcat sa për të bekuar secilin nga 12 bijtë e tij. (Zn 49:1-28) Ai tregoi besim në plotësimin e qëllimeve të Jehovait. (He 11:21) Falë besimit që tregoi dhe faktit që Jehovai ia ripohoi shprehimisht bekimin e besëlidhjes abrahamike, Shkrimet shpesh e quajnë Jehovain jo vetëm Perëndi të Abrahamit dhe të Isakut, por edhe të Jakobit.—Da 3:6; 1Kr 29:18; Mt 22:32.
Në fund, në vitin 1711 p.e.s., pas 17 vjetësh në Egjipt, Jakobi vdiq në moshën 147-vjeçare. (Zn 47:27, 28) Kështu mbaroi periudha historike që fillon nga lindja e Jakobit deri në vdekjen e tij, një histori që zë më shumë se gjysmën e faqeve të librit të Zanafillës. (Kap. 25-50) Meqë dëshira e Jakobit ishte që ta varrosnin në Kanaan, në fillim Jozefi u kërkoi mjekëve të Egjiptit ta balsamosnin trupin e të atit e ta bënin gati për udhëtimin. Pastaj, një kortezh i madh i përmortshëm, në lartësinë e rangut që gëzonte i biri, Jozefi, u nis nga Egjipti. Kur arritën në rajonin e Jordanit, për shtatë ditë bënë ritet e zisë. Më pas, bijtë e Jakobit e varrosën të atin në shpellën e Makpelahut, ku ishte varrosur edhe Abrahami me Isakun.—Zn 49:29-33; 50:1-14.
2. Shpesh profetët e përdorën fjalën «Jakob» në kuptim të figurshëm, për t’iu referuar kombit që erdhi nga ky patriark. (Is 9:8; 27:9; Jr 10:25; Ezk 39:25; Am 6:8; Mi 1:5; Ro 11:26) Në një rast, Jezui e përdori emrin Jakob në mënyrë të figurshme, kur foli për ata që do të ishin «në mbretërinë e qiejve».—Mt 8:11.
3. I ati i Jozefit, burrit të Marisë që ishte nëna e Jezuit.—Mt 1:15, 16.