ESAU
[leshtor].
I parëlinduri i Isakut dhe i Rebekës; vëllai binjak i Jakobit dhe paraardhësi i edomitëve. I vunë emrin Esau ngaqë dukej jashtëzakonisht leshtor kur lindi. Kurse emrin Edom (që do të thotë «i kuq») e mori nga gjella me thjerrëza të kuqe, për të cilën shiti të drejtën e të parëlindurit.—Zn 25:25, 26, 30.
Edhe para se të lindnin në vitin 1858 p.e.s., kur Isaku ishte 60 vjeç, dy binjakët ziheshin me njëri-tjetrin në bark të nënës. Rebeka pyeti se çfarë do të thoshte kjo, dhe Jehovai i zbuloi se nga pjesët e saj të brendshme do të dilnin dy popuj, e më i madhi do t’i shërbente më të voglit.—Zn 25:22, 23.
Përçmon gjërat frymore. Esau u bë gjahtar i zoti dhe sypatrembur, «njeri i egër». Ndryshe nga vëllai i tij, Jakobi «i paqortueshëm», Esau e mbante mendjen te gjërat materiale dhe mishore. (Zn 25:27, shih edhe shën., NW.) Por Isaku e donte Esaun, «sepse ai i sillte për të ngrënë mish gjahu».—Zn 25:28.
Një ditë, kur Jakobi po bënte gjellë, Esau erdhi nga fusha i lodhur dhe i uritur. Kur Esau i tha: «Shpejt, të lutem, më jep një lugë nga ajo e kuqja atje», Jakobi i kërkoi t’i shiste të drejtën e të parëlindurit. Duke mos vlerësuar gjërat e shenjta, pra premtimin që Jehovai i kishte bërë Abrahamit për farën nëpërmjet së cilës do të bekoheshin të gjitha kombet e tokës, me rrëmbim, Esau u betua dhe ia shiti të drejtën e të parëlindurit Jakobit për një gjellë me thjerrëza dhe bukë. Duke përçmuar të drejtën e të parëlindurit, duke e konsideruar me kaq pak vlerë, Esau tregoi mungesë të plotë besimi. Ndoshta nuk donte të vuante pasojat që do të sillte përmbushja e fjalës së Perëndisë për farën e Abrahamit: «Ata që do të vijnë nga fara jote, do të jenë banorë të ardhur në një vend që s’është i tyre. Kanë për t’u bërë skllevër dhe do të mundohen për katërqind vjet.»—Zn 15:13; 25:29-34; He 12:16.
Në moshën 40-vjeçare, Esau i bëri vetë planet për t’u martuar. Ai zgjodhi të bëhej poligam dhe, ndryshe nga i ati, Isaku, që e kishte lejuar babanë e tij, Abrahamin, t’i gjente grua mes adhurueseve të Jehovait, ai mori për gra dy hitite pagane, Juditën (Oholibamën?) dhe Basematën (Adën?). Këto gra u bënë burim hidhërimi për Isakun dhe Rebekën.—Zn 26:34, 35; 36:2; 24:1-4, 50, 51; shih BASEMATA nr. 1; JUDITA.
Jakobi merr bekimin. Isaku i shkuar në moshë donte t’ia jepte bekimin djalit më të madh, Esaut. Në fillim, i kërkoi Esaut të zinte gjah për të dhe t’i bënte një gjellë të shijshme. Këtë filloi të bënte Esau me mendimin që të merrte bekimin si i parëlindur, edhe pse në fakt nuk i takonte më pasi e kishte shitur të drejtën e të parëlindurit. Kështu, ishte gati të shkelte besëlidhjen e bërë me betim kur shiti të drejtën e tij si i parëlindur. Duke ditur çfarë i kishte thënë Jehovai para lindjes së binjakëve, Rebeka ndërhyri. Ajo e këshilloi Jakobin të paraqitej tek i ati si Esau për të marrë bekimin që i takonte me të drejtë. Duke qenë i verbër, Isaku nuk e njohu Jakobin që kishte veshur rrobat e Esaut dhe kishte vënë lëkurë kecash në duar e në pjesën pa qime të qafës.—Zn 25:23; 27:1-23.
Sapo Isaku i kishte dhënë bekimin Jakobit, Esau u kthye nga gjuetia dhe filloi të përgatiste një gjellë të shijshme për të atin. Kur shkoi para të atit për të marrë bekimin në mënyrë të pandershme dhe mësoi se Isaku kishte bekuar Jakobin, «Esau bërtiti fort, tërë hidhërim». Me ngulm, por i shtyrë nga motive egoiste, iu lut tërë zjarr të atit t’i jepte një bekim. Megjithatë, edhe lotët e tij nuk ia ndryshuan mendjen Isakut dhe nuk e bënë ta kthente mbrapsht bekimin që i kish dhënë Jakobit. Ka mundësi që Isaku ta ketë pranuar se gjërat i kishte drejtuar Jehovai. Më pas, ai i tha Esaut: «Ja, banesa jote do të jetë larg tokës pjellore dhe larg vesës së qiejve atje lart. Do të jetosh me anë të shpatës sate dhe do t’i shërbesh vëllait tënd. Por kur të të mërzitet shpirti, ke për ta thyer nga qafa zgjedhën e tij.»—Zn 25:33; 27:30-40; He 12:17.
Esau e dinte se Jakobit i takonte me të drejtë bekimi, pasi e kishte fituar ligjërisht të drejtën e të parëlindurit. (Dëshmitë arkeologjike vërtetojnë se mes popujve të lashtë të Lindjes së Mesme ishte zakon ta këmbeje të drejtën e të parëlindurit me diçka materiale. Për shembull, një tekst nga Nuzi thotë se një vëlla mori tri dele në këmbim të pjesës së tij të trashëgimisë.) Mirëpo Esau, njësoj si Kaini, ushqente mëri kundër të vëllait, Jakobit, dhe priste rastin që ta vriste. Kur e mori vesh, Rebeka e këshilloi Jakobin të shkonte te vëllai i saj, Labani, në Haran. Kur kërkoi pëlqimin e Isakut për këtë, ajo parapëlqeu me dashamirësi të mos i tregonte për qëllimet vrastare të Esaut kundër Jakobit, por i shprehu se si do të ndihej ajo nëse Jakobi merrte për grua një si bijat e Hethit. Atëherë, Isaku e thirri Jakobin, e bekoi dhe i tha të shkonte të gjente grua në Padan-Aram, te të afërmit e Rebekës. Kjo e shtyu Esaun të merrte gruan e tretë, Mahalatën (Basematën?), të bijën e Ismaelit, birit të Abrahamit.—Zn 27:41–28:9; 36:3; shih BASEMATA nr. 2.
Ngjarjet e mëvonshme. Në një moment gjatë 20 vjetëve që Jakobi ishte larg, Esau filloi të shtinte në dorë disa prona në Seir, në fushën e Edomit. (Zn 32:3; Js 24:4) Me sa duket, ai u shpërngul në Seir vite më vonë, duke çuar atje familjen dhe gjithë çfarë kishte. (Zn 36:6-8) Rrugës së kthimit për në Kanaan, Jakobi u shqetësua mjaft kur lajmëtarët që kishte dërguar i thanë se Esau kishte dalë ta priste me 400 burra. Esau mund të ketë dalë me 400 burra për t’i bërë përshtypje të vëllait me epërsinë e forcave të tij ose ndoshta për t’i treguar se ishte një prijës i fuqishëm. Pasi iu lut Jehovait, Jakobi nisi përpara një dhuratë bujare me më shumë se 550 kokë bagëti. Kur pa Esaun, me përulësi Jakobi «u përkul deri në tokë shtatë herë, derisa iu afrua vëllait të tij». Esau vrapoi që ta takonte, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi. Të dy shpërthyen në lot. Në fillim, Esau nuk deshi ta pranonte dhuratën e Jakobit, dhe tha: «Unë kam shumë, o vëlla. Mbaji për vete ato që janë të tuat.» Megjithatë, me këmbënguljen e Jakobit, Esau më në fund pranoi. Ai u tregua i gatshëm ta shoqëronte, por Jakobi nuk pranoi me takt as këtë, as propozimin tjetër të Esaut për t’i lënë disa burra në dispozicion që ta mbronin. Esau dhe burrat e tij u kthyen në Seir. Tregimi biblik thotë se Esau dhe Jakobi e varrosën bashkë atin e tyre, Isakun, kur vdiq rreth 23 vjet më vonë.—Zn 32:6, 7, 10-15; 33:1-3, 8, 9, 11-16; 35:29.
Ilustrim i parimeve hyjnore. Personaliteti i Esaut tregon qartë se Perëndia Jehova nuk u tregua i paarsyeshëm dhe nuk mbajti me hatër kur zgjodhi Jakobin si paraardhësin e Farës së premtuar. Përderisa Esau nuk i vlerësonte gjërat frymore dhe jepej shumë pas dëshirave mishore, nuk ishte i përshtatshëm si paraardhës i drejtpërdrejtë i Farës së premtuar. Ja pse Jehovai tha nëpërmjet Malakisë, profetit të tij: «Unë e desha Jakobin dhe e urreva Esaun.» Esau nuk është përfshirë në renë e dëshmitarëve besnikë të renditur në kapitullin 11 të Hebrenjve, ku Pavli tha: «Me anë të besimit, Abrahami . . . banoi në tenda me Isakun e Jakobin, trashëgimtarë me atë të të njëjtit premtim.»—Ma 1:2, 3; He 11:8, 9; 12:1.
Jehovai zgjodhi Jakobin në vend të Esaut, dhe kjo tregon se Perëndia nuk i zgjedh njerëzit në bazë të normave njerëzore. Apostulli Pavël përdor këtë rast për të treguar se fëmijët e vërtetë të Abrahamit nuk janë medoemos ata që e kanë prejardhjen nga ai, as ata që e pretendojnë një gjë të tillë falë veprave të tyre, përkundrazi janë ata që kanë besimin e Abrahamit.—Ro 9:6-12.
Rasti i Esaut materialist është një shembull paralajmërues për të krishterët që të mos bëhen me faj si ai për mosvlerësim të gjërave frymore ose të shenjta.—He 12:16; shih EDOMI, EDOMITËT.