IMITONI BESIMIN E TYRE | JOZEFI
«Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe?»
JOZEFI nuhat aromën e zambakëve të lulëzuar të ujit e të bimëve të tjera ujore teksa thith ajrin e dendur e të ngrohtë. Po e transporton një karvan tregtarësh që përshkon ultësirat e deltës së paanë të Nilit. Përfytyroni një varg burrash që, teksa u prijnë deveve përgjatë rrjedhës së ujit nga njëri qytet egjiptian në tjetrin, me raste trembin ndonjë çafkë që çapitet në ujë a ibis që niset fluturim. Jozefi sjell ndër mend sërish shtëpinë e tij në vendin malor të Hebronit të rrahur nga era, qindra kilometra larg. Tani gjendej në një botë krejt tjetër.
Imagjinoni majmunët që kuisin e çirren majë pemëve të hurmës së Arabisë dhe të fikut. Por për Jozefin, më i pakuptueshëm është të folurit e njerëzve që ndeshin. Ndoshta përpiqet të kapë ndonjë fjalë a shprehje. Mbase do të ishte mirë ta mësonte atë gjuhë. S’mendonte se do ta shihte më shtëpinë e tij.
Jozefi ishte pak a shumë një djalosh 17 a 18-vjeçar, e megjithatë hasi vështirësi që do t’u shkaktonin ankth edhe të rriturve. Për pak sa nuk e vranë vetë vëllezërit e tij, të mbushur me xhelozi ngaqë ishte i preferuari i babait. Në vend të kësaj, ua shitën këtyre tregtarëve. (Zanafilla 37:2, 5, 18-28) Tani pas javëve udhëtim, ka të ngjarë që tregtarët të jenë gjithnjë e më të kënaqur ndërsa i afrohen metropolit të madh ku kanë ndër mend të mbushin xhepat duke shitur Jozefin dhe mallrat e çmuar. Si ia bëri Jozefi që në zemrën e tij të mos zinte rrënjë dëshpërimi dhe të mos e kaplonte dhembja? Po ne sot, çfarë do të na ndihmojë të mos i lejojmë vështirësitë dhe zhgënjimet të na shkatërrojnë besimin? Mund të mësojmë shumë nga Jozefi.
«JEHOVAI ISHTE ME JOZEFIN»
«Ndërkaq, Jozefin e kishin zbritur në Egjipt dhe Potifari, një zyrtar i oborrit të faraonit, kreu i truprojës, një egjiptian, e bleu nga duart e ismaelitëve, që e kishin çuar deri atje.» (Zanafilla 39:1) Me këto pak fjalë, tregimi biblik na ndihmon të përfytyrojmë sa i poshtëruar duhet të jetë ndier ky i ri kur e shitën për herë të dytë. S’ishte asgjë më shumë se një mall! Imagjinojmë Jozefin tek ecën pas pronarit të ri, një zyrtar i oborrit egjiptian, përmes rrugëve të zhurmshme të pazarit plot njerëz, drejt shtëpisë së re.
Shtëpisë?! Ishte ku e ku krahasuar me atë që Jozefi quante shtëpi. Ai ishte rritur në një familje nomadësh që banonin në tenda dhe transferoheshin vazhdimisht tek kujdeseshin për kopetë e dhenve. Kurse këtu, egjiptianët e pasur, si Potifari, jetonin në shtëpi të sofistikuara e të lyera me bojëra të çelëta. Arkeologët tregojnë se egjiptianët e lashtë e kishin shumë qejf gjelbërimin, kopshtet e rrethuara me mure, me pemë që bënin hije, me pellgje të bukura për të rritur papiruse, zambakë uji dhe bimë të tjera ujore. Disa shtëpi rrethoheshin nga kopshte që falin qetësi, kishin veranda për të shijuar flladin, dritare të larta për freskim, dhoma të shumta, përfshirë një dhomë të madhe ngrënieje dhe dhoma për shërbëtorët.
A mbeti gojëhapur Jozefi nga ky luks? Me sa duket, jo. Më shumë se kurrë, u ndie tërësisht fillikat. Egjiptianët ishin të huaj për sa i përket gjuhës, mënyrës si visheshin e rregulloheshin, e mbi të gjitha për sa i përket fesë. Ata adhuronin një shumëllojshmëri perëndish, praktikonin okultizmin e artet magjike dhe ishin të fiksuar pas botës së përtejme dhe vdekjes. Gjithsesi, një gjë e ndihmoi Jozefin të mos e mbyste vetmia. Bibla thotë: «Jehovai ishte me Jozefin.» (Zanafilla 39:2) Jozefi me siguri ia ka zbrazur zemrën Perëndisë së tij. Bibla thotë se «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin». (Psalmi 145:18) Në ç’mënyrë tjetër iu afrua Jozefi Zotit?
Djaloshi nuk lejoi që kjo situatë ta zhyste në dëshpërim, por iu fut punës me sa forcë kishte. Kështu i dha mundësi Jehovait ta bekonte dhe, pa kaluar shumë, Jozefi fitoi pëlqimin e pronarit të ri. Potifari vuri re se shërbëtori i ri kishte bekimin e Jehovait, Perëndisë së familjes së Jozefit, dhe me siguri, ky bekim solli mbarësi në shtëpinë e egjiptianit. Dalëngadalë Jozefi fitoi aq vlerësim në sytë e zotërisë së tij, Potifarit, sa ky i besoi çdo gjë këtij të riu të zotë.—Zanafilla 39:3-6.
Jozefi la një model jetësor për të rinjtë që i shërbejnë Perëndisë sot. Për shembull, kur janë në shkollë, ndonjëherë ndihen si në një ambient të huaj, në një botë të marrosur pas okultizmit dhe të brumosur me një pikëpamje të zymtë e të pashpresë për jetën. Nëse edhe ti ndihesh kështu, mos harro se Jehovai nuk ka ndryshuar. (Jakovi 1:17) Ai ende u rri pranë gjithë atyre që i mbeten besnikë e përpiqen të punojnë fort në një mënyrë që i pëlqen. I bekon bujarisht dhe do të veprojë njësoj edhe me ty.
Ndërkohë tregimi biblik na thotë se Jozefi po burrërohej. Ky i ri u bë burrë «me trup të bukur dhe i pashëm». Në horizont po shfaqej rreziku, pasi dhurata e bukurisë fizike shpesh tërheq vëmendje të padëshiruar e të papërshtatshme.
«KURRË NUK [E] DËGJOI»
Jozefi e vlerësonte besnikërinë, ndërsa gruaja e Potifarit, fare. Lexojmë: «Gruaja e zotërisë së tij nisi t’ia vinte syrin Jozefit dhe i thoshte: ‘Shtrihu me mua.’» (Zanafilla 39:7) A u tundua Jozefi nga ngacmimet e turpshme të kësaj gruaje pagane? Bibla nuk lë të kuptohet se Jozefi ishte i imunizuar ndaj dëshirave e impulseve të zakonshme për një të ri, ose se kjo grua, bashkëshortja tekanjoze e zyrtarit të pasur e me pushtet, nuk ishte fizikisht tërheqëse. A do të arsyetonte Jozefi se zotëria i tij nuk do ta merrte vesh kurrë? A do ta tundonte mendimi se mund të përfitonte materialisht nga kjo lidhje imorale?
E vërteta është se nuk mund të dimë çdo mendim që i ka kaluar nëpër mend Jozefit. Ama, nga përgjigjja e tij kuptojmë qartë çfarë kishte në zemër: «Imzot nuk merakoset për asgjë që ka lënë në shtëpi me mua, dhe gjithçka që ka, ma ka lënë mua në dorë. Në këtë shtëpi s’ka asnjë më të madh se unë, dhe ai s’më ka mbajtur asgjë tjetër, veç teje, sepse ti je gruaja e tij. Prandaj, si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:8, 9) Përfytyroni këtë të ri tek thotë tërë forcë e sinqeritet këto fjalë. E mundonte edhe thjesht mendimi të bënte çka i kërkonte ajo. Pse?
Siç tha Jozefi, zotëria kishte besim tek ai. Potifari kishte lënë tërë shtëpinë në duart e Jozefit, pa i mbajtur asgjë veç gruas. Si mund ta priste në besë? Vetëm ideja i ngjallte krupë. Por, edhe më i neveritshëm ishte mendimi se do të mëkatonte kundër Perëndisë së tij, Jehovait. Nga prindërit, Jozefi kishte mësuar shumë rreth pikëpamjes së Zotit për martesën dhe besnikërinë. Si themeluesi i martesës së parë, Jehovai e bëri të qartë mendimin e tij. Burri dhe gruaja duhej të lidheshin ngushtë me njëri-tjetrin, duke u bërë «një mish i vetëm». (Zanafilla 2:24) Ata që guxonin ta prishnin këtë lidhje, rrezikonin të sillnin mbi vete zemërimin e Zotit. Për shembull, ata që gati mëkatuan me gruan e Abrahamit, stërgjyshen e Jozefit, dhe me gruan e Isakut, gjyshen e Jozefit, për pak sa nuk u shkatërruan. (Zanafilla 20:1-3; 26:7-11) Jozefi e njihte mirë këtë mësim dhe donte të jetonte në përputhje me të.
Gruas së Potifarit nuk i pëlqeu ajo që dëgjoi. Imagjinoni këtë skllav të papërfillshëm që e refuzon, madje ia quan propozimin një «të keqe të madhe»! Prapëseprapë, ajo nguli këmbë. Ndoshta u prek në sedër e në krenari, ndaj u bë edhe më e vendosur për ta kthyer jo-në e Jozefit në po. Në këtë mënyrë shfaqi të njëjtin qëndrim si Satanai, i cili tundoi Jezuin. Edhe përpjekjet e Satanait dështuan, e në vend që të hiqte dorë, Satanai thjesht priti «një kohë tjetër të volitshme». (Luka 4:13) Njerëzit besnikë duhet të jenë të vendosur e të qëndrueshëm. I tillë ishte Jozefi. Ndonëse gruaja e Potifarit i fliste «ditë për ditë», ai nuk u lëkund. Lexojmë: «Kurrë nuk [e] dëgjoi.» (Zanafilla 39:10) Gjithsesi, ajo ishte një joshëse e paepur.
Zgjodhi një moment kur gjithë shërbëtorët ishin jashtë shtëpisë. E dinte se Jozefi do të hynte brenda për të bërë punët. Kur hyri, ajo i hodhi grepat. E mbërtheu nga rrobat dhe iu përgjërua për herë të fundit: «Shtrihu me mua!» Jozefi reagoi në çast. I rrëshqiti prej duarsh me forcë dhe bëri prapa, por ajo ia shtrëngoi edhe më fort rrobën. Ai u rrotullua me zhdërvjelltësi dhe ia la rrobën në duar. Pastaj ia mbathi.—Zanafilla 39:11, 12.
Ndoshta na vjen ndër mend këshilla e frymëzuar e apostullit Pavël: «Ikni nga kurvëria!» (1 Korintasve 6:18) Çfarë shembulli të shkëlqyer la Jozefi për të gjithë të krishterët e vërtetë! Jeta mund të na përballë me njerëz që nuk kanë respekt për ligjet morale të Perëndisë, por kjo s’do të thotë se duhet të biem pre e ndikimeve të gabuara. Duhet të ikim, cilido qoftë çmimi.
Çmimi që pagoi Jozefi ishte i lartë. Gruaja e Potifarit kërkonte hakmarrje. Ajo nisi menjëherë të ulërinte dhe thirri brenda shërbëtorët e tjerë. U tha se Jozefi tentoi ta përdhunonte dhe se ia mbathi jashtë kur ajo bërtiti. Mbajti veshjen si provë dhe priti sa të kthehej i shoqi. Kur erdhi Potifari, i paraqiti të njëjtën gënjeshtër, duke ia hedhur fajin atij meqë kishte futur në shtëpi këtë të huaj. Si reagoi Potifari? Bibla thotë se atij «iu ndez zemërimi» dhe e futi Jozefin në burg.—Zanafilla 39:13-20.
«IA MUNDUAN KËMBËT NË VARGONJ»
Nuk dimë shumë për burgjet egjiptiane në ato kohë. Arkeologët kanë gjetur rrënojat e këtyre vendeve, struktura të mëdha si fortesa me qeli dhe gropa të errëta e të thella. Më vonë Jozefi e përshkroi këtë vend me një fjalë që do të thotë «birucë», vend pa dritë e pa shpresë. (Zanafilla 40:15) Në librin e Psalmeve, mësojmë se Jozefi iu nënshtrua torturave të mëtejshme: «Atij ia munduan këmbët në vargonj, në hekura përfundoi shpirti i tij.» (Psalmi 105:17, 18) Ndonjëherë egjiptianët u vinin të burgosurve vargonj që i lidhnin prapa te bërrylat; të tjerë mbanin qafore hekuri. Kushedi sa ka vuajtur Jozefi për shkak të keqtrajtimit, ndërkohë që nuk kishte bërë asgjë për ta merituar.
Për më tepër kjo situatë nuk zgjati pak. Tregimi thotë se Jozefi «mbeti atje» në burg. Ai kaloi vite në atë vend të tmerrshëm.a Jozefi nuk e dinte nëse do të dilte ndonjë ditë. Çfarë e ndihmoi të mos binte në dëshpërim e në një gjendje të pashpresë ndërsa ditët e para shokuese bëheshin javë e pastaj muaj?
Tregimi na jep këtë përgjigje siguruese: «Jehovai vazhdoi të ishte me Jozefin dhe i tregonte dashamirësi.» (Zanafilla 39:21) Asnjë mur burgu, asnjë vargua, asnjë birucë e errët s’mund ta pengojë dashamirësinë, ose dashurinë besnike, të Jehovait të arrijë shërbëtorët e tij. (Romakëve 8:38, 39) Fare mirë mund ta imagjinojmë Jozefin tek ia zbraz në lutje ankthin Atit të tij të dashur qiellor e pastaj tek e kaplon paqja dhe qetësia që vetëm «Perëndia i çdo ngushëllimi» mund ta sigurojë. (2 Korintasve 1:3, 4; Filipianëve 4:6, 7) Çfarë bëri tjetër Jehovai për Jozefin? Lexojmë se, falë Jehovait, ai gjente «hir në sytë e kryezyrtarit të burgut të shtëpisë».
Me sa duket, të burgosurve u caktoheshin punë, dhe sërish Jozefi i dha mundësi Jehovait ta bekonte. Punoi fort, duke dhënë më të mirën në çfarëdolloj caktimi e duke ia lënë në dorë Jehovait gjërat e tjera. Me bekimin e Jehovait, Jozefi fitoi besimin dhe respektin e të tjerëve, ashtu si në shtëpinë e Potifarit. Bibla thotë: «Kështu, ai i la në dorë të Jozefit gjithë të burgosurit dhe ai ishte përgjegjës për gjithçka që bënin ata atje. Kryezyrtari i burgut të shtëpisë nuk kujdesej fare për asnjë nga punët e tij, sepse Jehovai ishte me Jozefin dhe çdo gjë që bënte, Jehovai ia binte mbarë.» (Zanafilla 39:22, 23) Sa e ngushëllonte Jozefin dijenia se Jehovai kujdesej për të!
Mund të hasim të përpjeta e të tatëpjeta në jetë, ndonjëherë edhe padrejtësi mizore, por mund të mësojmë nga besimi i Jozefit. Nëse qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain me anë të lutjeve, nëse zbatojmë besnikërisht urdhërimet e tij dhe nëse punojmë fort për të bërë çka është e drejtë në sytë e tij, do t’i japim mundësi të na bekojë. Në rastin e Jozefit, Jehovai kishte ndër mend bekime edhe më të mëdha, siç do të shohim në artikujt e ardhshëm të kësaj serie.
a Bibla thotë se Jozefi ishte rreth 17 a 18 vjeç kur shkoi në shtëpinë e Potifarit, dhe qëndroi atje për pak vite derisa nuk ishte më djalosh. Ndërsa kur doli nga burgu, ishte 30 vjeç.—Zanafilla 37:2; 39:6; 41:46.