-
AmoritëtGjykim i thellë nga Shkrimet
-
-
Pak kohë para se të vdiste në Egjipt, patriarku Jakob i premtoi Jozefit: «Unë po të jap një copë tokë më shumë se vëllezërve të tu, atë që u mora amoritëve me shpatën dhe me harkun tim.» (Zn 48:22) Meqë fjala hebraike e përkthyer «copë» në këtë shkrim është shekhém, disa pohojnë se Jakobi e kishte fjalën për ngastrën e tokës që kishte blerë afër Sikemit (heb., Shekhém). (Zn 33:18, 19) Mirëpo ajo tokë u ble paqësisht dhe nuk ka asnjë të dhënë që Jakobi të ketë luftuar për ta marrë në zotërim. Paçka se më vonë bijtë e Jakobit e sulmuan egërsisht popullin e Sikemit, Jakobi e bëri të qartë atëherë se nuk kishte gisht në atë akt (Zn 34:30); pastaj, kur ishte në shtratin e vdekjes, e mallkoi zemërimin e Simeonit dhe të Levit që çoi në atë sulm. (Zn 49:5-7) Pra, duket më logjike që premtimi i Jakobit ishte një profeci, në të cilën ai përfytyronte me besim pushtimin e ardhshëm të Kanaanit sikur të kishte ndodhur tashmë dhe sikur Jakobi vetë ta kishte ‘marrë vendin e amoritëve’ me shpatën dhe harkun e pasardhësve.
Fis mbizotërues në Kanaan. Sipas disa komentuesve, në raste të tilla si Zanafilla 15:16 dhe 48:22, termi «amoritët» përfaqëson popujt e Kanaanit në tërësi. Kur izraelitët dolën nga Egjipti, duket se amoritët ishin vërtet fisi kryesor ose mbizotërues në Kanaan. (Krahaso Lp 1:6-8, 19-21, 27; Js 24:15, 18; Gjy 6:10.) Kjo do të shpjegonte pse hera-herës fiset e tjera nën varësinë e tij ose të afërta me të quheshin me emrin e fisit mbizotërues të amoritëve. Kështu, te Numrat 14:44, 45 thuhet se izraelitët e pësuan disfatën e parë në luftë me «amalekitët» dhe «kananitët», kurse në kapitullin e 1-rë të Ligjit të përtërirë, Moisiu i tregon ngjarjet përmbledhtas dhe thotë se u mundën nga «amoritët». (Lp 1:44) Po ashtu, te Josiu 10:5 thuhet se në Jerusalem sundonte një mbret amorit (krahaso Ezk 16:3, 45), ndërsa tjetërkund thuhet se atje banonin jebusitët. (Js 15:8, 63; Gjy 1:21; krahaso edhe rastin e Gibeonit te Js 9:7 dhe 2Sa 21:2.) I ngjashëm është rasti i Judës, njërit nga fiset e kombit të Izraelit, emri i të cilit nisi të nënkuptonte gjithë izraelitët, duke e përdorur fjalën «jude» si përgjithësuese.
-
-
JakobiGjykim i thellë nga Shkrimet
-
-
Pak para se të vdiste, Jakobi bekoi nipërit e tij, djemtë e Jozefit, dhe i shtyrë nga Perëndia vuri Efraimin, më të voglin, para Manaseut, më të madhit. Pastaj Jozefit, që do të merrte pjesën e dyfishtë të trashëgimisë që i takonte të parëlindurit, i tha: «Unë po të jap një copë tokë më shumë se vëllezërve të tu, atë që u mora amoritëve me shpatën dhe me harkun tim.» (Zn 48:1-22; 1Kr 5:1) Përderisa Jakobi kishte blerë paqësisht afër Sikemit një copë tokë nga bijtë e Hamorit (Zn 33:19, 20), duket se ky premtim që i bëri Jozefit ishte shprehje e besimit të tij, pasi në mënyrë profetike ai foli për pushtimin e ardhshëm të Kanaanit nga pasardhësit e tij sikur të ishte kryer tashmë nga vetë shpata dhe harku i tij. (Shih AMORITËT.) Pjesa e dyfishtë e asaj toke të pushtuar që do t’i shkonte Jozefit, formohej nga dy pjesët që iu dhanë fisit të Efraimit dhe të Manaseut.
-