Liqeni i Ziftit në Trinidad dhe Tobago
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË TRINIDAD
ÇFARË kanë të përbashkët tuneli Cross Harbour në Hong Kong, autostrada transalpine në Austri dhe viadukti Jubilee në Angli? Që kur janë ndërtuar, secila prej këtyre rrugëve është shtruar një herë me një përzierje që përmban një asfalt të veçantëa—atë që vjen nga Liqeni i Ziftit në Trinidad dhe Tobago.
Liqeni i madh i Ziftit është një rezervë natyrore asfalti. Në vitin 1814, një fjalor gjeografik e përshkroi atë si «një dukuri nga më të mrekullueshmet». Por më mirë shikojeni vetë ndërkohë që bëjmë një vizitë në vendndodhjen e tij pranë bregut jugperëndimor të Trinidadit.
Një shëtitje mbi liqen
Kur hyjmë në fshatin La Brea (në spanjisht do të thotë «zift»), vërejmë se trotuaret duken sikur po fundosen në tokë. Edhe disa shtëpi çuditërisht nuk rrinë drejt, por të duket sikur po kërrusen nga vetë pesha e tyre. Nuk kemi kohë për të shuar kureshtjen që na ngjall kjo gjë, pasi para nesh shtrihet diçka që ngjan me një vendparkim të paanë e të braktisur. Kemi mbërritur në Liqenin e Ziftit. Udhërrëfyesi na tregon se liqeni mbulon një sipërfaqe prej rreth 47 hektarësh dhe është gati 80 metra i thellë në qendër. «Le ta shohim më nga afër»,—thotë ai.
Me kujdes të madh hedhim hapat e parë mbi liqen dhe zbulojmë se çuditërisht sipërfaqja e tij, ndonëse jo e sheshtë, është e fortë. Në fakt, sipërfaqja e liqenit mund të mbajë fare lehtë peshën e një kamioni dhe të ndonjë makinerie tjetër të rëndë. (Megjithatë, nëse do të lihej për një kohë të gjatë në të njëjtin vend, objekti dalëngadalë do të fundosej.) Sidoqoftë duhet të hapim sytë se ku shkelim! Në mes të kësaj sipërfaqeje të fortë, aty-këtu ndesh edhe zona të vogla me bitum ngjitës. Këto mund t’i bëjnë një surprizë të pakëndshme vizitorit që nuk dyshon se mund t’i ngjiten këpucët.
Që kur kemi ardhur, herë pas here kemi ndierë erëra të rënda që të shpojnë hundën. «Sulfur hidrogjeni»—na thonë. Në liqen formohen sasi të vogla të kësaj substance si edhe metan, etan dhe dyoksid karboni. Udhërrëfyesi shkëput dhe ndan më dysh një copë të vogël asfalti. Brenda ajo duket si djathë me vrima të cilat janë formuar nga flluskat e gazit të bllokuar brenda.
Liqeni i Ziftit është edhe një habitat i rëndësishëm i gjallesave të ndryshme. Disa pellgje me ujë, që krijohen në sipërfaqen e tij dhe në anët me bar përreth tij, shërbejnë si vendbanim për rosën e rrallë me maskë (Oxyura dominica). Ka të ngjarë që të mos e shohim dot sot këtë shpend të vogël, sepse shpesh ai qëndron palëvizur ose zhytet pa zhurmë në qoftë se i afrohet dikush. Kur shkojmë pranë disa kullotave ku bari arrin deri në gjoks, sipër kalon vetëtimthi një shpend tjetër, jakana me lafshë (Jacana jacana). Trupi i errët bën kontrast me ngjyrën e verdhë të zbehtë nën krahët e saj. Këtu gjendet edhe pula vjollcë e ujit (Porphyrula martinica) dhe lloje të tjera që jetojnë kënetave. Në zonat ujore jetojnë peshq të vegjël të ujërave të ëmbla dhe me raste edhe kajmanë, një lloj krokodili.
I përdorur nga 400 vjet
Duke treguar për nga bregu, udhërrëfyesi na tregon se më 1595 eksploruesi britanik, sër Uollter Rallej, hodhi spirancën në këtë zonë. Në atë kohë liqeni, i cili sot shtrihet në një gropë, ishte një fushë e rrafshët me rrëke asfalti që shkonin drejt bregut të detit. Rallej e përdori asfaltin për të mbyllur të çarat e anijeve të tij. Ai tha se ishte «gjëja më e shkëlqyer», duke shtuar se ‘nuk shkrihej nga dielli, si zifti i Norvegjisë, dhe prandaj ishte shumë i vlefshëm për anijet që bëjnë tregti me portet e Jugut’.b
Më 1846, kanadezi dr. Abraham Gesner, i cili më vonë u quajt babai i industrisë së naftës, përftoi një lloj të ri vaji që përdorej për ndriçim duke distiluar asfaltin e Trinidadit. Ai e quajti atë vajgur. Mjerisht, squfuri i këtij asfalti i jepte vajgurit një erë disi të pakëndshme. Më vonë Gesneri zbuloi një burim tjetër asfalti që në përgjithësi ishte pa erë.
Asfalti i liqenit të Trinidadit filloi të bëhej vërtet i dobishëm, kur u zbulua se sa i vlefshëm ishte ai për shtrimin e rrugëve. Më 1876, inxhinierët sugjeruan që ai të përdorej për të shtruar bulevardin Pensilvania në Uashington D.C. Thuhet se, pavarësisht nga trafiku i dendur, për 11 vjet radhazi gjendja e rrugës mbeti e shkëlqyer. Kjo gjë ndihmoi që asfalti i Trinidadit të bëhej i famshëm.
Vitet e fundit, shoqëritë e naftës kanë mundur të prodhojnë bitum me kosto më të ulët. Ai merret si nënprodukt nga përpunimi i naftës. Megjithatë, inxhinierët kanë vazhduar ta përdorin asfaltin natyror të Trinidadit për ndërtimin e autostradave, urave, aeroporteve dhe porteve. Pse?
Një përzierje e pashoqe
Tashmë dihet se kur përzihet me materiale të tjera për shtrimin e rrugëve, ky asfalt i jep sipërfaqes së shtruar fortësi, jetëgjatësi, rezistencë dhe e bën të parrëshqitshme—pa përmendur edhe ngjyrën gri e pa shkëlqim të sipërfaqes, e cila lehtëson shikimin kur nget makinën natën. Asfalti i liqenit është përdorur me sukses për sipërfaqe rrugësh ku temperatura i kalon 40 gradë celsius në verë dhe shkon nën minus 25 gradë celsius në dimër. Aerodromet e shtruara me këtë asfalt i kanë rezistuar kohës, pavarësisht nga forcat e ushtruara mbi to nga ngritjet dhe uljet e vazhdueshme të avionëve të rëndë. Sipërfaqet e shtruara me këtë asfalt janë rezistente edhe ndaj veprimit gërryes të lëngjeve që përdoren për të shkrirë akullin si edhe ndaj rrjedhjeve të karburantit e të naftës. Shumë nga këto sipërfaqe kanë duruar më shumë se 20 vjet, duke u bërë fare pak shërbim për mirëmbajtjen.
Veçoritë e asfaltit të liqenit të Trinidadit vijnë nga përbërja e tij e veçantë. Bitumi i tij ka 63 deri në 67 për qind maltene dhe 33 deri në 37 për qind asfaltene. Maltenet janë një kategori lëndësh kimike ngjitëse që gjenden te nafta e që i japin bitumit veti ngjitëse. Ato që gjenden në asfaltin e këtij liqeni janë përshkruar si «shumë më tepër ngjitëse dhe çimentuese sesa vajore, ndryshe nga disa bitume që përftohen [në rafineri]». Asfaltenet janë një grup tjetër hidrokarburesh, të cilat ndihmojnë që bitumi të bëhet një material termoplastik, pra një material që zbutet e rrjedh kur nxehet dhe forcohet kur ftohet. Natyra e gjithë këtyre përbërësve dhe raporti midis tyre i japin këtij asfalti disa veçori që nuk mund të arrihen lehtë në rafineri.
Nxjerrja dhe përpunimi
Na tërheq vëmendjen gjëmimi i një makinerie të rëndë dhe kështu kthehemi të shohim pajisjen për nxjerrjen e asfaltit, e cila lëviz drejt liqenit. Me pak fjalë, ky është një traktor i stërmadh i pajisur me disa të dala metalike të forta, ose dhëmbë, që e shkulin asfaltin nga sipërfaqja e liqenit. Pastaj, pjesët e copëtuara të asfaltit ngarkohen në vagonë që tërhiqen me kavo për t’u transportuar në një fabrikë aty afër. Që nga fundi i viteve 1800 e deri tani nga ky vend janë nxjerrë më shumë se nëntë milionë tonë asfalt. Mendohet se me ritmin e sotëm të konsumit, afro dhjetë milionë tonët e mbetur do të mjaftojnë edhe për 400 vjet të tjera.
Pasi nxirren disa tonë asfalt nga liqeni, gropa e formuar zvogëlohet dhe zhduket brenda pak javësh. Kjo të krijon përshtypjen sikur liqeni rimbushet vetë. Megjithatë, asfalti «i ngurtë» është vërtet një lëng mjaft veshtullor dhe materiali përreth rrjedh e futet brenda gropës së formuar. Në këtë mënyrë, i gjithë liqeni është në një lëvizje të vazhdueshme, por të padukshme.
A ju kujtohen ato shtëpi të anuara që pamë më parë? Animi i tyre pjesërisht vjen si pasojë e damarëve të nëndheshëm të asfaltit që dalin nga liqeni. Njerëzit që ndërtojnë në këtë zonë duhet ta zgjedhin me kujdes vendin.
«Le të shkojmë në fabrikë»,—thotë udhërrëfyesi. Procesi i rafinimit është vërtet i thjeshtë. Asfalti i papërpunuar zbrazet në kazanë të mëdhenj, secili me kapacitet mbi 100 tonë. Këtu asfalti shkrihet me anë të tubave në formë spirale me avull që nxehet në temperaturën gati 165 gradë celsius. Ky proces bën që të çlirohen gazet e bllokuara në asfalt dhe të avullojë uji i tepërt që zë rreth 30 për qind të peshës së asfaltit të papërpunuar. Pastaj, asfalti sitet për të hequr copërat e drurit dhe materialet e tjera bimore. Në fund, asfalti i nxehtë zbrazet në fuçi prej fibrash të presuara e të veshura me letër silikoni. Fuçitë bëhen pikërisht këtu në fabrikë dhe çdonjëra prej tyre mban rreth 240 kilogramë. I gjithë procesi i rafinimit zgjat rreth 18 orë.
«Asfalti i pastruar quhet Epuré»,—thotë udhërrëfyesi ynë. Ai përziehet lehtë me bitumin e rafinuar dhe me materiale të tjera për të prodhuar përzierje me cilësi të lartë për shtrimin e rrugëve. Gjithashtu, vitet e fundit ai është përdorur për të prodhuar një shumëllojshmëri bojërash, si edhe për materiale që përdoren për çimentim, izolim dhe hidroizolim. Si rrjedhim, ai ka gjetur përdorim në shumë shtëpi dhe ndërtesa anembanë botës.
Një shkrimtar e përmblodhi mirë çështjen kur shkroi: «Diçka me interes . . . të veçantë duket se qëndron në këtë vepër të mrekullueshme të Perëndisë, diçka që e mbush studiuesin e natyrës me një frikë plot nderim e ndjenjë admirimi.» Po, Liqeni i Ziftit në Trinidad dhe Tobago është vërtet një vend mbresëlënës për t’u vizituar!
[Shënimet]
a Termat bitum, asfalt, katran dhe zift shpesh përdoren si sinonime të njëra-tjetrës. Megjithatë, bitumi është një term i përgjithshëm që përdoret për një kategori përbërjesh të rënda me hidrokarbure që kanë ngjyrë të errët e që gjenden në katran, zift dhe naftë. Katrani është një lëndë ngjitëse me ngjyrë të errët që përftohet si kondensat nga distilimi shkatërrues i materialeve të tilla, si: druri, qymyri dhe torfa. Avullimi i mëtejshëm i katranit jep pisën si një mbetje gjysmë të ngurtë. Katrani dhe pisa kanë një përmbajtje relativisht të ulët bitumi.
Kur nafta e papërpunuar avullon, si mbetje formohet një lëndë që përbëhet pothuajse e tëra nga bitumi. Bitumi që vjen nga nafta është quajtur edhe asfalt. Megjithatë në shumë vende fjala «asfalt» përdoret për bitumin e përzierë me agregate mineralesh, siç janë rëra ose zhavorri. Ai përdoret shpesh për shtrimin e rrugëve. Në këtë artikull fjala «asfalt» përdoret si për lëndën e papërpunuar ashtu edhe për lëndën e përpunuar që vjen nga Liqeni i Ziftit.
b Edhe në Bibël njihet aftësia hidroizoluese e asfaltit ose bitumit. Për ndërtimin e arkës, Noeja u porosit ‘ta lyente me bitum nga jashtë e nga brenda’ atë. (Zanafilla 6:14) Gjithashtu sipas Eksodit 2:3, arka prej papirusi, ku fshehën Moisiun, ishte e veshur «me bitum dhe katran».
[Figura në faqet 24, 25]
Liqeni i Ziftit është një rezervë natyrore asfalti
[Figura në faqen 26]
Një rafineri asfalti
[Figura në faqen 26]
Duke nxjerrë asfalt nga liqeni