Dokumentimi i udhëtimit të Noes: A ka domethënie për ne?
NDËRSA po jepte profecinë për shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit, Jezui tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noes, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.» (Mateu 24:3, 37) Është e qartë që Jezui paratha se ajo që po ndodh në ditët e sotme është e ngjashme me kohën e Noes. Një tregim i besueshëm dhe i saktë për ngjarjet e ditëve të Noes mund të jetë diçka me shumë vlerë.
A është me shumë vlerë dokumentimi i udhëtimit të Noes? A i ka elementët e një dokumenti historik të vërtetë? A mund të përcaktojmë vërtet se kur ndodhi Përmbytja?
Kur ndodhi Përmbytja?
Bibla siguron informacione sipas një rendi kronologjik, që bëjnë të mundur të llogaritim në mënyrë të përpiktë kohën që nga fillimi i historisë njerëzore. Te Zanafilla 5:1-29 gjejmë gjenealogjinë njerëzore që nga krijimi i njeriut të parë, Adamit, deri në lindjen e Noes. Përmbytja filloi «në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut [Noes, BR]».—Zanafilla 7:11.
Për të përcaktuar kohën e Përmbytjes duhet të fillojmë nga një datë kyçe. Kjo do të thotë që duhet të nisemi nga një datë që njihet në historinë shekullare dhe që përkon me një ngjarje të veçantë të dokumentuar në Bibël. Nga një pikë e tillë fikse mund të bëjmë llogaritje dhe të caktojmë për Përmbytjen një datë sipas kalendarit gregorian që tani është në përdorim të zakonshëm.
Një datë kyçe është viti 539 p.e.s., kur mbreti pers Kiri mposhti Babiloninë. Burimet shekullare për kohën e mbretërimit të tij përfshijnë pllaka babilonase dhe dokumente të Diodorit, Afrikanit, Eusebit dhe Ptolemeut. Për shkak të një dekreti të nxjerrë nga Kiri, judenjtë e mbetur ikën nga Babilonia dhe mbërritën në vendlindjen e tyre më 537 p.e.s. Kjo shënoi fundin e shkretimit 70-vjeçar të Judës, i cili sipas dokumentimit biblik kishte filluar më 607 p.e.s. Po të marrim parasysh periudhën e gjykatësve dhe të mbretërimit të mbretërve të Izraelit, mund të përcaktojmë se dalja e izraelitëve nga Egjipti ndodhi më 1513 p.e.s. Kronologjia e bazuar në Bibël na çon prapa edhe 430 vjet të tjera në kohën kur u bë besëlidhja me Abrahamin më 1943 p.e.s. Pastaj duhet të marrim parasysh lindjen dhe jetëgjatësinë e Terahut, Nahorit, Serugut, Reut, Pelegut, Eberit dhe Shelahut, si edhe të Arpakshadit i cili lindi «dy vjet pas përmbytjes». (Zanafilla 11:10-32) Kështu mund të përcaktojmë se Përmbytja filloi në vitin 2370 p.e.s.a
Fillon Përmbytja
Përpara se të shqyrtojmë ngjarjet e ditëve të Noes, ju lutemi të lexoni Zanafillën nga kapitulli 7 vargu 11 deri te kapitulli 8 vargu 4. Në lidhje me Përmbytjen na thuhet: «Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut [2370 p.e.s.], në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën.»—Zanafilla 7:11.
Noeja e ndau vitin në 12 muaj prej 30 ditësh secilin. Në kohët e lashta, muaji i parë i vitit fillonte rreth mesit të muajit kalendarik të shtatorit. Përmbytja filloi në «muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit» dhe vazhdoi për 40 ditë e 40 netë gjatë muajve nëntor e dhjetor të vitit 2370 p.e.s.
Për Përmbytjen na thuhet gjithashtu: «Ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë. . . . Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar. Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit.» (Zanafilla 7:24–8:4) Pra, periudha nga koha kur ujërat mbuluan tokën e deri kur u tërhoqën ishte 150 ditë ose pesë muaj. Kështu arka u ndal mbi malet e Araratit në prill të vitit 2369 p.e.s.
Tani ju lutemi të lexoni Zanafillën 8:5-17. Majat e maleve u shfaqën pothuajse dy muaj e gjysmë (73 ditë) më vonë, «në muajin e dhjetë [qershor], ditën e parë të muajit». (Zanafilla 8:5)b Tre muaj (90 ditë) më vonë—‘në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noes, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit’ ose në mes të shtatorit të vitit 2369 p.e.s.—Noeja hoqi mbulesën e arkës. Ai mundi të shihte që «sipërfaqja e tokës ishte e thatë». (Zanafilla 8:13) Një muaj e 27 ditë (57 ditë) më vonë, «në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij [mesi i nëntorit të vitit 2369 p.e.s.], toka ishte e thatë». Atëherë Noeja dhe familja e tij dolën nga arka dhe zbritën në tokë të thatë. Kështu Noeja bashkë me të tjerët kaluan në arkë një vit hënor e dhjetë ditë (370 ditë).—Zanafilla 8:14.
Çfarë provojnë gjithë këto dokumentime të sakta që përfshijnë ngjarje, hollësi dhe elementë kohorë? Thjesht provojnë këtë gjë: Profeti hebre Moisiu, i cili me sa duket e bazoi Zanafillën në dokumentime që kishte marrë, po paraqiste fakte dhe jo një mit. Prandaj, Përmbytja ka domethënie të madhe për ne sot.
Si e shihnin Përmbytjen shkrimtarë të tjerë të Biblës?
Noeja dhe Përmbytja përmenden edhe shumë herë të tjera në Bibël përveç tregimit të Zanafillës. Për shembull:
(1) Kërkuesi Ezdra përfshiu Noen dhe djemtë e tij (Semin, Kamin dhe Jafetin) në gjenealogjinë e kombit të Izraelit.—1 Kronikave 1:4-17.
(2) Mjeku dhe shkrimtari i ungjillit, Luka, e përfshin Noen kur rendit paraardhësit e Jezu Krishtit.—Luka 3:36.
(3) Apostulli Pjetër e përmend shumë herë tregimin e Përmbytjes ndërsa u shkruan të bashkëkrishterëve.—2 Pjetrit 2:5; 3:5, 6.
(4) Apostulli Pavël flet për besimin e madh që shfaqi Noeja kur ndërtoi arkën për mbijetesën e familjes së tij.—Hebrenjve 11:7.
A mund të ketë ndonjë dyshim se këta shkrimtarë të frymëzuar të Biblës e pranuan tregimin e Zanafillës për Përmbytjen? Ata e shihnin pa diskutim atë si një ngjarje të vërtetë.
Jezui dhe Përmbytja
Jezu Krishti kishte ekzistuar edhe para se të bëhej njeri. (Fjalët e urta 8:30, 31) Ai ishte një krijesë frymore në qiell gjatë Përmbytjes. Prandaj, si një dëshmitar okular, Jezui na jep provën më të madhe nga Shkrimet në lidhje me Noen dhe Përmbytjen. Ai tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noes, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. Sepse sikurse ishin ata në ato ditë përpara përmbytjes, që hanin e pinin, burrat martoheshin e gratë jepeshin në martesë, deri ditën që Noeja hyri në arkë; dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.»—Mateu 24:37-39.
A do të përdorte Jezui një mit për të na paralajmëruar rreth fundit që po vjen të këtij sistemi? Patjetër që jo! Jemi të sigurt se ai përdori si shembull një ngjarje të vërtetë rreth ekzekutimit të gjykimit hyjnor ndaj të ligjve. Vërtet, shumë njerëz humbën jetën, por mund të marrim ngushëllim duke ditur se Noeja dhe familja e tij shpëtuan nga Përmbytja.
«Ditët e Noes» janë jashtëzakonisht domethënëse për ata që jetojnë sot, gjatë ‘pranisë së Birit të njeriut’, Jezu Krishtit. Ndërsa lexojmë tregimin e hollësishëm të Përmbytjes globale, të ruajtur në një dokumentim të mbajtur nga Noeja, mund të jemi të sigurt se ai është një dokument historik i vërtetë. Gjithashtu tregimi i Zanafillës për Përmbytjen, i frymëzuar nga Perëndia, ka domethënie të madhe për ne. Ashtu si Noeja, djemtë e tij dhe gratë e tyre e vunë besimin në mjetin e Perëndisë për të mbijetuar, edhe ne sot mund të vihemi nën mbrojtjen e Jehovait në bazë të besimit te flijimi shpërblerës i Jezuit. (Mateu 20:28) Për më tepër, siç tregon dokumentimi i udhëtimit të Noes, mund të kemi shpresën që të jemi mes atyre që do të mbijetojnë gjatë fundit të këtij sistemi të lig, ashtu si Noeja dhe familja e tij mbijetuan nga Përmbytja, e cila i dha fund botës së paperëndishme të asaj kohe.
[Shënimet]
a Për hollësi të tjera rreth datimit të Përmbytjes shihni Vëllimin e 1-rë, faqet 458-460, të librit Mendjehollësi mbi Shkrimet, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Në Vëllimin e 1-rë të veprës Keil-Delitzsch Commentary on the Old Testament (Komente për Dhiatën e vjetër të autorëve Kil dhe Delitsh), në faqen 148 thuhet: «Ndoshta 73 ditë pasi arka u ndal, u dukën majat e maleve, domethënë, majat e malësive armene të cilat rrethonin arkën.»
[Kutia në faqen 5]
A jetonin vallë kaq gjatë?
«NOEU [Noeja, BR] jetoi gjithsej nëntëqind e pesëdhjetë vjet; pastaj vdiq»,—thotë Bibla. (Zanafilla 9:29) Gjyshi i Noes, Metuselahu, jetoi 969 vjet—jetëgjatësia njerëzore më e madhe e dokumentuar. Jetëgjatësia mesatare në dhjetë breza, nga Adami deri te Noeja, ishte më tepër se 850 vjet. (Zanafilla 5:5-31) A jetonin vallë kaq gjatë njerëzit atëherë?
Qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që njeriu të jetonte përgjithmonë. Njeriu i parë, Adami, u krijua me mundësinë që të gëzonte një jetë që nuk do të merrte fund kurrë nëse ai do t’i bindej Perëndisë. (Zanafilla 2:15-17) Por Adami nuk iu bind dhe e humbi këtë mundësi. Ai jetoi gjithsej 930 vjet. Pak nga pak iu afrua vdekjes derisa në fund u kthye në dhé prej të cilit ishte krijuar. (Zanafilla 3:19; 5:5) Njeriu i parë ua trashëgoi mëkatin dhe vdekjen të gjithë pasardhësve të tij.—Romakëve 5:12.
Megjithatë, njerëzit që jetonin në atë periudhë kohore ishin më afër përsosmërisë që kishte në fillim Adami dhe me sa duket për këtë arsye kishin një jetëgjatësi më të madhe sesa ata që lindën më vonë. Kështu jetëgjatësia e disa njerëzve ishte pothuajse njëmijëvjeçare gjatë periudhës para Përmbytjes, pastaj pas Përmbytjes u shkurtua menjëherë. Për shembull, Abrahami jetoi vetëm 175 vjet. (Zanafilla 25:7) Dhe rreth 400 vjet pas vdekjes së këtij patriarku besnik, profeti Moisi shkroi: «Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur.» (Psalmi 90:10) Gjendja sot është pothuajse njësoj.
[Harta dhe figurat në faqet 6, 7]
Duke llogaritur mbrapa në kohë, nga dekreti i Kirit që i lejoi judenjtë të ktheheshin nga mërgimi e deri në Përmbytjen e ditëve të Noes
537 Dekreti i Kiritc
539 Mposhtja e Babilonisë nga persiani Kir
68 vjet
607 Fillon shkretimi 70-vjeçar i Judës
906 vjet mbikëqyrje
nga udhëheqësit,
gjykatësit dhe
mbretërit
e Izraelit
1513 Dalja e Izraelit nga Egjipti
430 vjet Periudha 430-vjeçare kur bijtë e
Izraelit banuan në tokën e Egjiptit
dhe të Kanaanit (Eksodi 12:40, 41)
1943 Hyrja në fuqi e besëlidhjes abrahamike
205 vjet
2148 Lindja e Terahut
222 vjet
2370 Fillimi i Përmbytjes
[Shënimi]
c Shpallja e Kirit për çlirimin e judenjve nga mërgimi u bë «në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë», ka të ngjarë në vitin 538 p.e.s. ose në fillim të vitit 537 p.e.s.