RIFATI
Bir i Gomerit dhe nip i Jafetit. (Zn 10:2, 3; 1Kr 1:6) Te 1 Kronikave 1:6, në tekstin masoretik thuhet «Difati»; megjithatë, Septuaginta greke, Vulgata latine dhe afro 30 dorëshkrime hebraike thonë «Rifati». Ky ndryshim ndoshta erdhi ngaqë germa hebraike resh (ר) u zëvendësua gjatë kopjimit me germën dáleth (ד), që ngjason shumë me të.
Rifati renditet mes individëve prej të cilëve u shpërndanë në tokë kombet e popujt pas Përmbytjes globale. (Zn 10:32) E vetmja e dhënë historike për pasardhësit e tij është një pohim i historianit Jozef të shekullit të parë, i cili thotë se banorët e lashtë të Paflagonisë (përgjatë bregut jugor të Detit të Zi, në veriperëndim të Azisë së Vogël) njëherë e një kohë quheshin rifatitë. Disa studiues e lidhin emrin Rifat edhe me atë të lumit Rebas, që ndodhet pak a shumë në atë zonë, kurse të tjerë anojnë më tepër nga një lidhje me krahinën e Rebantias në rajonin e Bosforit, më në perëndimin. Të dhënat e pakta biblike për Rifatin dhe fakti që emri i tij thuajse mungon fare në dokumentet e lashta të historisë jobiblike e bëjnë të pamundur të identifikohet me siguri.