SEMI
[emër; famë].
Një nga tre bijtë e Noesë, nga të cilët pas Përmbytjes globale «popullsia e tokës u përhap kudo».—Zn 6:10; 9:18, 19.
Megjithëse tre bijtë e Noesë, «Semi, Kami dhe Jafeti» renditen gjithmonë sipas kësaj radhe, ka disa pasiguri në lidhje me radhën e tyre sipas moshës. Fakti që Semi përmendet i pari nuk është provë në vetvete se ai ishte djali i parëlindur i Noesë, pasi i parëlinduri i vetë Semit, (Arpakshadi) renditet i treti në regjistrimet gjenealogjike. (Zn 10:22; 1Kr 1:17) Në hebraishten origjinale, Zanafilla 10:21 lë vend për më shumë se një përkthim të mundshëm: disa versione i referohen Semit si «vëllai i Jafetit, më të madhit» (NW), kurse të tjera i referohen si «vëllait të madh [«më të-math», Kris], të Jafetit». (DSF, ECM) Edhe versionet e lashta ndryshojnë: Septuaginta, përkthimi i Simakut, dhe Targumi i Onkelos e paraqesin Jafetin si djalin më të madh, kurse sipas Pentateukut samaritan, Vulgatës latine dhe versioneve siriake, Semi është vëllai i madh i Jafetit. Megjithatë, në pjesën tjetër të tregimit gjejmë të dhëna që tregojnë se ka të ngjarë që Semi të ketë qenë djali i dytë i Noesë, më i vogël se Jafeti.
Tregimi thotë se Noesë i lindën fëmijët pas moshës 500-vjeçare (2470 p.e.s.), pasi Përmbytja ndodhi kur Noeja ishte 600 vjeç. (Zn 5:32; 7:6) Thuhet se Semi, që ishte i martuar në kohën e Përmbytjes, e kishte lindur djalin e tij të parë, Arpakshadin, dy vjet pas Përmbytjes (2368 p.e.s.), kur ai vetë ishte 100 vjeç. (Zn 11:10) Kjo do të thotë se Semi lindi kur Noeja ishte 502 vjeç (2468 p.e.s.); dhe përderisa duket se Kami quhet «djali më i vogël», logjikisht Jafeti duhet të ketë qenë djali i parë që i lindi Noesë, kur ai ishte 500 vjeç.
Pas lindjes së Arpakshadit, Semit i lindën të tjerë bij (gjithashtu edhe bija), nga të cilët ishte Elami, Ashuri, Ludi dhe Arami. (Zn 10:22; 11:11) Tregimi paralel te 1 Kronikave 1:17, pas Aramit rendit edhe ‘Uzin, Hulin, Geterin dhe Mashin’, por te Zanafilla 10:23 këta përmenden si bij të Aramit. Dëshmitë biblike dhe historike tregojnë se Semi ishte në këtë mënyrë paraardhës i popujve semitikë: elamitëve, asirianëve, kaldeasve të lashtë, hebrenjve, aramaitëve (ose sirianëve), fiseve të ndryshme arabe dhe ndoshta lidianëve të Azisë së Vogël. Kjo do të thotë se popullsia që erdhi nga Semi ishte përqendruar kryesisht në cepin jugperëndimor të kontinentit aziatik, duke u shtrirë në pjesën më të madhe të Gjysmëhënës Pjellore dhe duke zënë një pjesë të konsiderueshme të Gadishullit Arabik.—Shih zërat me emrin e çdo biri të Semit.
Kur Semi dhe vëllai i tij, Jafeti, mbuluan lakuriqësinë e të atit, Noesë, që e kishte zënë vera, nuk treguan respekt për të vetëm pse ishte i ati, por edhe sepse Perëndia e përdori për t’i ruajtur gjallë gjatë Përmbytjes. (Zn 9:20-23) Më pas, kur Noeja dha bekimin e tij, ai tregoi se linja e Semit do të bekohej në mënyrë të veçantë nga Perëndia dhe do të kontribuonte në shenjtërimin e emrit të Perëndisë, pasi ai e quajti Jehovain «Perëndia i Semit». (Zn 9:26) Nga Arpakshadi, pasardhës i Semit, erdhi Abrahami, të cilit iu premtua Fara, me anë të së cilës do të bekoheshin të gjitha kombet e tokës. (1Kr 1:24-27; Zn 12:1-3; 22:15-18) Ajo që paratha Noeja se Kanaani do të bëhej ‘skllav’ i Semit, u përmbush kur semitët nënshtruan kananitët pas pushtimit të vendit të Kanaanit nga izraelitët.—Zn 9:26.
Semi jetoi 500 vjet të tjerë pas lindjes së Arpakshadit dhe vdiq në moshën 600-vjeçare. (Zn 11:10, 11) Pra, ai vdiq rreth 13 vjet pasi vdiq Sara (1881 p.e.s.) dhe dhjetë vjet pas martesës së Isakut me Rebekën (1878 p.e.s.). Nisur nga këto të dhëna, disa janë të mendimit se Semi mund të ketë qenë Melkisedeku (që do të thotë «mbret i drejtësisë»), mbreti-prift, të cilit Abrahami i pagoi të dhjetat. (Zn 14:18-20) Megjithatë, Bibla nuk e thotë këtë, dhe apostulli Pavël tregon se nuk ka mbetur asnjë regjistrim gjenealogjik dhe asnjë e dhënë tjetër bibliografike për Melkisedekun, me qëllim që ai të ishte modeli i përshtatshëm i Krishtit Jezu, i cili është Mbret dhe Prift në amshim.—He 7:1-3.