KAPITULLI 4
Perëndia ka një emër
ZAKONISHT, kur e takon një njeri për herë të parë, për çfarë e pyet në fillim? . . . Po, e pyet si e ka emrin. Që të gjithë ne kemi nga një emër. Njeriut të parë që ishte në tokë ia vuri emrin Perëndia. E quajti Adam. Gruaja e Adamit u quajt Eva.
Por nuk kanë vetëm njerëzit emër. Mendo edhe për gjërat e tjera që kanë një emër. Kur të jep dikush një kukull ose një kafshë të vogël për ta mbajtur në shtëpi, ti i vë një emër, apo jo? . . . Po, të kesh një emër është shumë e rëndësishme.
Ngrije kokën lart dhe shiko sa shumë yje që duken natën. A mendon se kanë emra? . . . Po, Perëndia i ka vënë nga një emër secilit yll që është në qiell. Bibla na thotë se ai «llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre».—Psalmi 147:14, Dio.
Si thua ti, cili është personi më i rëndësishëm në gjithë universin? . . . Po, është Perëndia. A ka një emër ai, sipas teje? . . . Jezui tha se ka. Një herë ai i tha në lutje Perëndisë: ‘Ua kam bërë të njohur emrin tënd dishepujve të mi.’ (Gjoni 17:26) Si e ka emrin Perëndia? . . . Ai na e ka thënë vetë si e ka emrin. Ai thotë: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.» Pra, emri i Perëndisë është JEHOVA.—Isaia 42:8.
Si ndihesh kur të tjerët ta mbajnë mend emrin? . . . Je i kënaqur, apo jo? . . . Edhe Jehovai do që njerëzit ta dinë emrin e tij. Prandaj duhet ta përdorim emrin Jehova kur flasim për Perëndinë. Mësuesi i Madh e përdorte emrin e Perëndisë, Jehova, kur u fliste njerëzve. Një herë Jezui tha: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde.»—Marku 12:30.
Jezui e dinte se emri «Jehova» është shumë i rëndësishëm. Prandaj i mësoi dishepujt e tij që ta përdornin emrin e Perëndisë. I mësoi edhe që të flitnin për emrin e Perëndisë kur luteshin. Jezui e dinte se Perëndia dëshiron që të gjithë njerëzit ta dinë emrin e Tij, Jehova.
Shumë kohë më parë Perëndia i tregoi një njeriu sa i rëndësishëm është emri i tij. Ky ishte Moisiu, nga populli i Izraelit. Bijtë e Izraelit, që quheshin izraelitë, jetonin në vendin e quajtur Egjipt. Njerëzit e atij vendi ishin egjiptianët. Këta i bënë skllevër izraelitët dhe u treguan shumë të këqij me ta. Kur Moisiu u rrit, u përpoq të ndihmonte një njeri nga populli i tij. Kjo e zemëroi faraonin, mbretin e Egjiptit, aq shumë sa donte ta vriste Moisiun! Prandaj Moisiu iku me vrap nga Egjipti.
Moisiu shkoi në një vend tjetër, që quhej Midian. Atje u martua dhe u bë me familje. Zuri edhe punë si bari e kujdesej për delet. Një ditë Moisiu po merrej me delet e tij afër një mali kur pa një gjë të çuditshme. Një shkurre kishte marrë zjarr, por nuk po digjej. Moisiu i shkoi më afër që ta shikonte më mirë.
Çfarë ndodhi aty? . . . Moisiu dëgjoi një zë që i fliste nga mesi i asaj shkurreje që digjej. Zëri i thirri: «Moisi! Moisi!» Kush po fliste kështu? . . . Po fliste Perëndia! Ai donte t’i jepte Moisiut shumë punë për të bërë. Perëndia i tha: ‘Eja, do të të çoj te faraoni, mbreti i Egjiptit dhe ti do të nxjerrësh nga Egjipti popullin tim, bijtë e Izraelit.’ Perëndia i premtoi Moisiut se do ta ndihmonte për ta bërë këtë.
Por Moisiu i tha Perëndisë: ‘Ta zëmë se unë shkoj te bijtë e Izraelit në Egjipt dhe u them se më ka dërguar Perëndia. Po sikur ata të më pyesin: «Si e ka emrin?» Çfarë t’u them?’ Perëndia i tha Moisiut që t’u thoshte bijve të Izraelit: ‘Jehovai më ka dërguar te ju. Jehova është emri im përgjithmonë.’ (Dalja 3:1-15) Kjo tregon se Perëndia do ta mbante emrin Jehova. Nuk do ta ndryshonte kurrë. Perëndia donte që ta njihnin përgjithmonë me emrin e tij Jehova.
Kur Moisiu u kthye në Egjipt, egjiptianët menduan se Jehovai do të ishte ndonjë perëndi i vogël i izraelitëve. Nuk mendonin se ai ishte Perëndia i të gjithë tokës. Prandaj, Jehovai i tha mbretit të Egjiptit: ‘Do ta bëj të njohur emrin tim në gjithë tokën.’ (Dalja 9:16) Jehovai e bëri vërtet të njohur emrin e tij. Si e bëri këtë? . . .
Po ja, ai e përdori Moisiun që ta udhëhiqte popullin e Izraelit jashtë Egjiptit. Kur arritën para Detit të Kuq, Jehovai bëri për ta një rrugë të thatë përmes detit. Izraelitët ecën nëpër tokë të thatë dhe dolën nga ana tjetër shëndoshë e mirë. Por, ama, pasi faraoni me ushtrinë e tij hynë nëpër shtratin e thatë të detit, ujërat që deri në atë çast ishin mbajtur të ndarë në të dyja anët ranë mbi egjiptianët dhe ata vdiqën të gjithë.
Shumë shpejt njerëzit në gjithë tokën filluan të dëgjonin për atë që kishte bërë Jehovai në Detin e Kuq. Nga e dimë se kishin dëgjuar për këtë? . . . Po ja, rreth 40 vjet më vonë, izraelitët hynë në Kanaan, i cili është vendi që Jehovai u kishte premtuar t’u jepte. Atje, një vajzë e re me emrin Rahab u tha dy izraelitëve: «Kemi dëgjuar se si Jehovai thau ujërat e Detit të Kuq para jush kur dolët nga Egjipti.»—Josiu 2:10.
Sot shumë njerëz janë porsi ata egjiptianë. Nuk e besojnë se Jehovai është Perëndia i gjithë tokës. Prandaj Jehovai dëshiron që populli i tij t’u tregojë të tjerëve për të. Këtë bëri edhe Jezui. Kur po afrohej fundi i jetës së tij këtu në tokë, ai i tha Jehovait në lutje: «Ua kam bërë të njohur [atyre] emrin tënd.»—Gjoni 17:26.
A dëshiron të jesh si Jezui? Atëherë duhet t’u tregosh të tjerëve se emri i Perëndisë është Jehova. Ndoshta do të shohësh se shumë njerëz nuk e dinë këtë. Prandaj mund t’u tregosh shkrimin që gjejmë në Bibël te Psalmi 83:18. Ta marrim që tani Biblën dhe ta gjejmë bashkë këtë shkrim. Aty thuhet: «Që ta dinë se ti që e ke emrin Jehova, vetëm ti je Më i Larti në tërë dheun.»
Çfarë mësojmë nga kjo që kemi lexuar? . . . Po, mësojmë se emri Jehova është emri më i rëndësishëm. Është emri i Perëndisë së Plotfuqishëm, i Atit të Jezuit dhe i Atij që ka bërë gjithçka. Mos harro se Jezui tha që duhet ta duam Perëndinë Jehova me gjithë zemrën tonë. A e do ti Jehovain? . . .
Si mund ta tregojmë se e duam Jehovain? . . . Një mënyrë është duke e njohur mirë atë, që të jetë Miku ynë. Një mënyrë tjetër është duke u treguar të tjerëve emrin e tij. Mund t’ua tregojmë drejtpërdrejt nga Bibla që emri i tij është Jehova. Gjithashtu, mund t’u tregojmë për gjërat e mrekullueshme që ka krijuar Jehovai dhe për gjërat e mira që ka bërë. Kjo e bën shumë të lumtur Jehovain, sepse ai dëshiron që njerëzit të dinë më shumë për të. Edhe ne mund të flasim me të tjerët për këtë, apo jo? . . .
Jo të gjithë duan të dëgjojnë, kur u flasim për Jehovain. Shumë njerëz nuk dëgjuan as Jezuin, Mësuesin e Madh, kur fliste për të. Por kjo nuk e pengoi Jezuin që të fliste për Jehovain.
Prandaj, le të jemi si Jezui. Le të vazhdojmë të flasim për Jehovain. Në qoftë se veprojmë kështu, Perëndia Jehova do të jetë i kënaqur me ne, sepse tregojmë dashuri për emrin e tij.
Tani le të lexojmë së bashku disa shkrime të tjera nga Bibla, që tregojnë sa i rëndësishëm është emri i Perëndisë: Isaia 12:4, 5; Mateu 6:9; Gjoni 17:6 dhe Romakëve 10:13.