‘T’i bëjmë gjërat pa murmuritje’
«Vazhdoni të bëni çdo gjë pa murmuritje.»—FILIPIANËVE 2:14.
1, 2. Ç’këshillë u dha apostulli Pavël të krishterëve në Filipi e në Korint, dhe përse?
NË LETRËN e frymëzuar që i dërgoi kongregacionit të krishterë të Filipisë në shekullin e parë, apostulli Pavël dha shumë lavdërime. I lavdëroi bashkëbesimtarët në atë qytet për frymën e tyre bujare e të zellshme dhe shprehu gëzim për veprat e tyre të mira. Gjithsesi, Pavli u kujtoi atyre ‘të vazhdonin të bënin çdo gjë pa murmuritje’. (Filipianëve 2:14) Pse e dha këtë këshillë apostulli?
2 Pavli e dinte se ku mund të çonte murmuritja. Disa vjet më parë, ai i kishte kujtuar kongregacionit të Korintit se murmuritjet mund të jenë të rrezikshme. U kishte treguar se, kur izraelitët ishin në shkretëtirë, disa herë me radhë e kishin ndezur zemërimin e Jehovait. Po si? Duke dëshiruar gjëra të dëmshme, duke praktikuar idhujtarinë dhe kurvërinë, duke e vënë në provë Jehovain dhe duke murmuritur. Pavli i nxiti korintasit të nxirrnin mësim nga këta shembuj. Ai shkroi: «As mos jini murmuritës, siç murmuritën disa nga ata, vetëm për të marrë fund nga shkatërruesi.»—1 Korintasve 10:6-11.
3. Pse është me interes sot argumenti i murmuritjeve?
3 Si shërbëtorë të Jehovait shfaqim një frymë të ngjashme me atë të kongregacionit në Filipi. Jemi të zellshëm për vepra të shkëlqyera dhe kemi dashuri për njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Por, duke mbajtur parasysh dëmet që i shkaktoi murmuritja popullit të Perëndisë në të kaluarën, kemi arsye të vlefshme për t’ia vënë veshin këshillës: «Vazhdoni të bëni çdo gjë pa murmuritje.» Le të shqyrtojmë fillimisht disa shembuj murmuritjesh që janë përmendur në Shkrime. Më pas, do të shohim se çfarë mund të bëjmë që të mos i lejojmë murmuritjet të shkaktojnë dëme sot.
Një asamble e keqe murmurit kundër Jehovait
4. Si murmuritën izraelitët në shkretëtirë?
4 Fjala hebraike që ka kuptimin ‘të murmuritësh, të qahesh, të ankohesh’, është përdorur në Bibël për ngjarjet që ndodhën gjatë 40 viteve që kaluan izraelitët në shkretëtirë. Në disa raste, izraelitët ishin të pakënaqur për gjendjen në të cilën ndodheshin dhe e shprehën këtë duke murmuritur. Për shembull, vetëm disa javë pas çlirimit nga skllavëria në Egjipt, «tërë asambleja e bijve të Izraelit nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aaronit». Izraelitët u ankuan për ushqimin, duke thënë: «Oh, sikur të kishim vdekur nga dora e Jehovait në vendin e Egjiptit, kur rrinim ulur pranë kazanëve të mishit, kur hanim bukë sa ngopeshim, sepse ju na keni nxjerrë në këtë shkretëtirë, që ky kongregacion të vdesë nga zia e bukës!»—Dalja 16:1-3.
5. Kundër kujt po murmuritnin në të vërtetë izraelitët kur u ankuan?
5 Në të vërtetë, Jehovai po i mbështeste izraelitët në shkretëtirë dhe po u jepte çfarë u nevojitej, duke u siguruar me dashuri ushqim e ujë. Asnjëherë populli i Izraelit s’kishte rrezikuar të vdiste nga zia e bukës në shkretëtirë. Por, ashtu të pakënaqur siç ishin, ata e zmadhuan gjendjen e tyre të vështirë dhe nisën të murmuritnin. Ndonëse u ankuan për Moisiun dhe Aaronin, Jehovai i quajti ato si ankesa ndaj atij vetë. Moisiu u tha izraelitëve: «Jehovai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër tij. Por ne cilët jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Jehovait.»—Dalja 16:4-8.
6, 7. Si kishte ndryshuar qëndrimi i izraelitëve, siç tregohet te Numrat 14:1-3?
6 Jo shumë kohë më vonë, izraelitët murmuritën prapë. Moisiu kishte dërguar 12 burra që të vëzhgonin Tokën e Premtuar. Kur u kthyen, dhjetë prej tyre thanë fjalë të këqija. Cilat ishin pasojat? «Të gjithë bijtë e Izraelit nisën të murmuritnin kundër Moisiut dhe Aaronit. Tërë asambleja zuri të thoshte: ‘Ah, sikur të kishim vdekur në Egjipt ose në këtë shkretëtirë! Pse po na çon Jehovai në këtë vend [në Kanaan] që të vritemi nga shpata? Gratë dhe fëmijët tanë do të merren si plaçkë. A s’është më mirë të kthehemi në Egjipt?’»—Numrat 14:1-3.
7 Sa shumë kishte ndryshuar qëndrimi i Izraelit! Mirënjohja që kishin ndier në fillim kur u çliruan nga Egjipti dhe shpëtuan përmes Detit të Kuq, i kishte nxitur t’i këndonin lavde Jehovait. (Dalja 15:1-21) Kurse tani që u përballën me parehatitë e shkretëtirës dhe me frikën nga kananitët, mirënjohjes ia zuri vendin fryma e pakënaqësisë. Në vend që ta falënderonin Perëndinë për lirinë e fituar, e fajësuan sepse gabimisht mendonin që u mungonin gjërat e nevojshme. Pra, murmuritjet ishin shprehje e mungesës së çmueshmërisë për masat që kishte marrë Jehovai. Ja pse ai tha: «Deri kur do të vazhdojë të murmuritë kundër meje kjo asamble e keqe?»—Numrat 14:27; 21:5.
Murmuritjet në shekullin e parë
8, 9. Përmend shembuj murmuritjesh që janë dokumentuar në Shkrimet e Krishtere Greke.
8 Shembujt e mësipërm të murmuritjeve ishin për grupe njerëzish që, siç duket, e shprehën me zë pakënaqësinë e tyre. Ndryshe ishte puna kur Jezu Krishti ndodhej në Jerusalem për festën e kasolleve, në vitin 32 të e.s., sepse «mes turmës dëgjoheshin shumë pëshpëritje për të». (Gjoni 7:12, 13, 32) Pra, njerëzit pëshpëritnin për të, disa thoshin se ishte njeri i mirë, të tjerë thoshin se nuk ishte.
9 Në një rast tjetër, Jezui dhe dishepujt e tij ishin mysafirë në shtëpinë e Levit ose ndryshe Mateut, taksambledhësit. «Farisenjtë dhe skribët nisën t’u murmuritnin dishepujve të tij: ‘Pse hani e pini me taksambledhësit dhe mëkatarët?’» (Luka 5:27-30) Disa kohë më vonë, në Galile, «judenjtë filluan të murmuritnin për [Jezuin], ngaqë tha: ‘Unë jam buka që zbriti nga qielli.’» Madje, edhe disa ithtarë të Jezuit u fyen nga ajo që tha ai dhe filluan të murmuritnin.—Gjoni 6:41, 60, 61.
10, 11. Pse murmuritën judenjtë që flitnin greqisht dhe si nxjerrin dobi pleqtë e krishterë nga mënyra se si u zgjidh situata?
10 Ndërsa, pas festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., pati një rast kur murmuritjet dolën me rezultate më pozitive. Shumë dishepuj që sapo ishin kthyer në besim e që nuk ishin nga Izraeli, në atë kohë gëzonin mikpritjen e bashkëbesimtarëve në Jude. Por lindën disa probleme me shpërndarjen e ushqimit. Tregimi thotë: «Judenjtë që flitnin greqisht filluan të murmuritnin kundër judenjve që flitnin hebraisht, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore kur bëhej shpërndarja e përditshme e ushqimit.»—Veprat 6:1.
11 Këta që po murmuritnin nuk ishin si izraelitët në shkretëtirë. Judenjtë që flitnin greqisht nuk shprehën me egoizëm pakënaqësinë për gjendjen e tyre në jetë. Jo, ata e drejtuan vëmendjen te një problem lidhur me plotësimin e nevojave të disa vejushave. Për më tepër, ata që murmuritën në këtë rast, nuk vepruan si ngatërrestarë e të ngrinin zërin kundër Jehovait. Ata ua drejtuan ankesën apostujve, të cilët morën masa për të vepruar menjëherë, sepse ankesa ishte me vend. Sa shembull të mirë lanë apostujt për pleqtë e krishterë sot! Këta barinj frymorë bëjnë kujdes që ‘të mos i mbyllin veshët para britmës së ankimit të të varfërve’.—Proverbat 21:13; Veprat 6:2-6.
Kujdes nga ndikimi gërryes i murmuritjeve
12, 13. (a) Ilustroni pasojat e murmuritjes. (b) Ç’mund ta shtyjë një njeri të murmuritë?
12 Shumica e shembujve biblikë që kemi shqyrtuar, tregojnë se murmuritja i shkaktoi shumë dëme popullit të Perëndisë në të kaluarën. Prandaj, duhet të mendojmë seriozisht për ndikimin gërryes që mund të ketë sot murmuritja. Ndoshta na ndihmon një ilustrim. Shumë metale kanë prirjen për t’u ndryshkur. Nëse shpërfillen shenjat e para të ndryshkut, metali mund të ndryshket deri në atë pikë sa nuk bën më për asnjë punë. Kushedi sa automjete përfundojnë në hekurishte jo se nuk u punon motori, por sepse u është ndryshkur kaq shumë metali, saqë nuk janë të sigurta si makina. Si mund ta zbatojmë këtë ilustrim për murmuritjet?
13 Ashtu si disa metale kanë prirjen të ndryshken, njerëzit e papërsosur kanë prirjen të ankohen. Duhet të jemi vigjilentë për të dalluar shenjat e kësaj prirjeje. Ashtu si nga lagështia dhe ajri i detit ndryshkja përshpejtohet, po ashtu vështirësitë mund të na bëjnë më të prirur të murmuritim. Stresi mund ta kthejë një acarim të vogël në një ankesë të madhe. Duke qenë se kushtet në këto ditë të fundit të sistemit po keqësohen dita-ditës, me siguri do të lindin shkaqe për t’u ankuar. (2 Timoteut 3:1-5) Kështu, një shërbëtor i Jehovait mund të fillojë të murmuritë kundër një tjetri. Shkas mund të jetë një gjë e vogël, si pakënaqësia për dobësitë, aftësitë ose privilegjet e shërbimit të dikujt tjetër.
14, 15. Pse duhet ta frenojmë prirjen për t’u ankuar?
14 Cilado qoftë arsyeja pse jemi të pakënaqur, po të mos e frenojmë prirjen për t’u ankuar, ajo mund të nxitë brenda nesh një frymë pakënaqësie, derisa murmuritja të na bëhet ves. Po, efekti gërryes nga ana frymore që sjell murmuritja mund të na prishë krejt. Kur murmuritën për jetën në shkretëtirë, izraelitët arritën deri aty sa e bënë me faj Jehovain. (Dalja 16:8) Mos na ndodhtë kurrë një gjë e tillë!
15 Te metalet, prirja për t’u ndryshkur mund të zvogëlohet duke i lyer me bojë kundër ndryshkut dhe duke u kujdesur menjëherë për vendet ku ka filluar gërryerja. Po kështu, nëse vëmë re te vetja një prirje për t’u ankuar, mund ta mbajmë nën kontroll nëse i kushtojmë menjëherë vëmendje kësaj çështjeje në lutje. Si?
T’i shohim gjërat nga këndvështrimi i Jehovait
16. Si mund të kapërcehet prirja për t’u ankuar?
16 Kur murmuritim, po e përqendrojmë mendjen te vetja dhe telashet tona, e po lëmë në hije bekimet që kemi si Dëshmitarë të Jehovait. Për ta mposhtur prirjen për t’u ankuar, duhet t’i mbajmë gjithnjë në mendje këto bekime. Për shembull, secili prej nesh ka privilegjin e mrekullueshëm të mbajë emrin e Jehovait. (Isaia 43:10) Mund të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të dhe të arrijmë të flasim në çdo kohë me ‘Dëgjuesin e lutjes’. (Psalmi 65:2; Jakovi 4:8) Jeta jonë ka kuptim të vërtetë, sepse e kuptojmë çështjen e sovranitetit universal dhe nuk harrojmë se është një privilegj të mbajmë integritetin ndaj Perëndisë. (Proverbat 27:11) Mund të marrim pjesë rregullisht në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë. (Mateu 24:14) Besimi te flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit na jep mundësi të kemi një ndërgjegje të pastër. (Gjoni 3:16) Këto janë bekime që i gëzojmë, pavarësisht nga vështirësitë që duhet të durojmë.
17. Pse duhet të përpiqemi t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i Jehovait, edhe atëherë kur kemi arsye të vlefshme për t’u ankuar?
17 Le të përpiqemi t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i Jehovait, e jo vetëm sipas këndvështrimit tonë. «Më bëj të njoh udhët e tua, o Jehova, më mëso shtigjet e tua»,—këndoi psalmisti David. (Psalmi 25:4) Nëse kemi një arsye të vlefshme për t’u ankuar, kjo nuk i ka shpëtuar pa vënë re Jehovait. Ai mund t’i zgjidhte çështjet menjëherë. Po përse disa herë lejon që të vazhdojnë vështirësitë? Ndoshta që të na ndihmojë të zhvillojmë cilësi të mira, si durimin, qëndrueshmërinë, besimin dhe shpirtgjerësinë.—Jakovi 1:2-4.
18, 19. Ilustroni rezultatet që mund të vijnë kur i durojmë parehatitë pa u ankuar.
18 Kur i durojmë parehatitë pa u ankuar, jo vetëm që përmirësojmë personalitetin tonë, por edhe mund t’u lëmë përshtypje të mira atyre që vërejnë sjelljen tonë. Në vitin 2003, një grup Dëshmitarësh të Jehovait udhëtuan me autobus nga Gjermania në Hungari, për të ndjekur një kongres. Shoferi nuk ishte Dëshmitar dhe s’e kishte me shumë qejf që të rrinte dhjetë ditë me Dëshmitarët. Por, në fund të udhëtimit kishte ndryshuar mendje krejtësisht. Përse?
19 Gjatë udhëtimit, disa gjëra nuk shkuan siç duhej. Por Dëshmitarët nuk u ankuan asnjëherë. Shoferi tha se ky ishte grupi më i mirë me pasagjerë që kishte pasur ndonjëherë! Madje, premtoi që herën tjetër kur t’i vinin në shtëpi Dëshmitarët, do t’i ftonte brenda dhe do t’i dëgjonte me vëmendje. Sa përshtypje të mirë që lanë ata pasagjerë, ‘duke i bërë gjërat pa murmuritje’!
Falja nxit unitetin
20. Pse duhet ta falim njëri-tjetrin?
20 Po sikur të kemi ndonjë ankesë kundër një bashkëbesimtari? Nëse çështja është serioze, duhet të zbatojmë parimet që gjejmë te fjalët e Jezuit, të dokumentuara te Mateu 18:15-17. Por s’do të jetë gjithnjë nevoja për këtë, pasi shumica e ankesave janë të vogla. Pse të mos e shohim situatën si një mundësi për të treguar falje? Pavli shkroi: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolosianëve 3:13, 14) A gjejmë dot vend në zemrën tonë për të falur? A nuk ka Jehovai arsye të vlefshme të ankohet për ne? E megjithatë, ai vazhdimisht tregon dhembshuri dhe fal.
21. Ç’efekt mund të kenë murmuritjet tek ata që i dëgjojnë?
21 Cilido qoftë shkaku për ankesë, murmuritjet nuk do të zgjidhin gjë. Fjala hebraike e përkthyer ‘të murmuritësh’ mund të ketë edhe kuptimin ‘të qahesh’. Me siguri, ne vetë nuk ndihemi rehat kur jemi afër dikujt që murmurit vazhdimisht, dhe përpiqemi t’i rrimë larg. Nëse ne vetë murmuritim ose qahemi, ata që na dëgjojnë mund të ndihen po njësoj. Mund të mos ndihen fare rehat dhe të përpiqen të largohen nga ne. Qarjet ndoshta do t’i tërheqin vëmendjen dikujt, por me siguri nuk do t’i fitojnë zemrën askujt!
22. Çfarë tha një vajzë për Dëshmitarët e Jehovait?
22 Fryma e faljes nxit unitetin, diçka që populli i Jehovait e quan të shtrenjtë. (Psalmi 133:1-3) Në një vend evropian, një 17-vjeçare katolike i shkroi zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait, për të shprehur admirimin që ndiente për ta. Ajo tha: «Është e vetmja organizatë që njoh, anëtarët e së cilës nuk janë të përçarë nga urrejtja, nga lakmia, nga intoleranca, nga egoizmi ose nga mungesa e unitetit.»
23. Ç’do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
23 Çmueshmëria për të gjitha bekimet frymore që kemi si adhurues të Perëndisë së vërtetë, Jehovait, do të na ndihmojë të nxitim unitetin dhe të mos murmuritim kundër të tjerëve për çështje personale. Në artikullin vijues, do të tregohet se si cilësitë që na mëson Perëndia do të na ruajnë nga një formë shumë më e rrezikshme e murmuritjes. Kjo është murmuritja kundër pjesës tokësore të organizatës së Jehovait.
A ju kujtohet?
• Çfarë përfshin murmuritja?
• Si mund të ilustrohen pasojat e murmuritjes?
• Çfarë mund të na ndihmojë të mposhtim prirjen për të murmuritur?
• Si na ndihmon gatishmëria për të falur, që të mos murmuritim?
[Figura në faqen 15]
Në të vërtetë, izraelitët murmuritën kundër Jehovait!
[Figura në faqen 17]
A përpiqesh t’i shohësh gjërat siç i sheh Jehovai?
[Figurat në faqen 18]
Falja nxit unitetin mes të krishterëve