Kapitulli 3
Kush është Perëndia i vërtetë?
1. Përse shumë veta janë dakort me fjalët hapëse të Biblës?
A NUK habitesh kur shikon gjithë ato yje, ndërsa hedh vështrimin në qiellin e një nate të qartë? Si do ta shpjegoje ekzistencën e tyre? Po për gjallesat mbi tokë: për lulet shumëngjyrëshe, për zogjtë me këngët e tyre të gëzueshme, për balenat e fuqishme që kërcejnë nëpër oqeane? Lista është e pafundme. Gjithë këto gjëra nuk mund të kenë ardhur në jetë rastësisht. Nuk habitemi, pra, që shumë veta janë dakort me fjalët hapëse të Biblës: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»—Zanafilla 1:1.
2. Çfarë thotë Bibla mbi Perëndinë dhe çfarë na inkurajon të bëjmë?
2 Njerëzimi është mjaft i përçarë mbi çështjen e Perëndisë. Disa mendojnë se Perëndia është një forcë e papërcaktuar. Miliona të tjerë adhurojnë stërgjyshërit e tyre të vdekur, duke besuar se Perëndia është shumë i largët për t’u arritur. Por Bibla zbulon se Perëndia i vërtetë është një person real, i cili tregon interes të ngrohtë për ne si individë. Ja, përse ajo na nxit «të kërkojmë Zotin», duke thënë: «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.»—Veprat 17:27.
3. Përse është e pamundur të bëjmë një shëmbëlltyrë të Perëndisë?
3 Por, çfarë pamje ka Perëndia? Disa nga shërbëtorët e tij kanë parë vizione të pranisë së tij të lavdishme. Në këto vizione, ai e ka simbolizuar veten si i ulur mbi një fron dhe një shkëlqim i fuqishëm dilte prej andej. Sidoqoftë, ata që panë vizione të tilla nuk përshkruan asnjëherë ndonjë fytyrë të veçantë. (Danieli 7:9, 10; Zbulesa 4:2, 3) Dhe kjo sepse «Perëndia është Frymë»; ai nuk ka një trup fizik. (Gjoni 4:24) Në fakt, është e pamundur të bësh një shëmbëlltyrë të saktë fizike të Krijuesit tonë, pasi «askush s’e pa Perëndinë kurrë». (Gjoni 1:18; Të Dalët 33:20) Gjithsesi, Bibla na mëson edhe më shumë mbi Perëndinë.
PERËNDIA I VËRTETË KA NJË EMËR
4. Cilët janë disa tituj domethënës që përdoren në Bibël për Perëndinë?
4 Në Bibël, Perëndia i vërtetë është përshkruar me shprehje të tilla, si «Perëndi i plotfuqishëm», «Shumë i Larti», «Krijuesi i madh», «Mësuesi i madh», «Zotëri Sovran» dhe «Mbret i përjetshëm». (Zanafilla 17:1; Psalmi 50:14; Eklisiastiu 12:1, BR; Isaia 30:20, BR; Veprat 4:24, BR; 1. Timoteut 1:17, ECM) Meditimi mbi këta tituj mund të na ndihmojë për t’u rritur në njohurinë e Perëndisë.
5. Cili është emri i Perëndisë dhe sa shpesh shfaqet ai në Shkrimet Hebreje?
5 Megjithatë, Perëndia ka një emër të veçantë që shfaqet pothuajse 7.000 herë vetëm në Shkrimet Hebreje: shumë më shpesh se çdo titull i tij. Gati 1.900 vjet më parë, bestytnitë i bënë hebrenjtë të linin shqiptimin e emrit hyjnor. Hebraishtja e kohërave biblike shkruhej pa zanore. Për këtë arsye, nuk është e mundur të jemi të saktë në lidhje me shqiptimin që Moisiu, Davidi apo të tjerë njerëz në kohën e lashtë, u bënin katër bashkëtingëlloreve (יהוה) që përbënin emrin hyjnor. Disa dijetarë sugjerojnë se emri i Perëndisë mund të jetë shqiptuar «Jahveh», por ata nuk mund të jenë të sigurt. Shqiptimi shqip «Jehova» është përdorur për shekuj dhe ekuivalenti i tij në shumë gjuhë sot është gjerësisht i pranuar.—Shiko Të Dalët 6:3, botim i Shtypshkronjës Tregtare Ndërkombëtare, 1914 dhe Psalmin 83:18, botim i Shoqërisë Biblike për n’Angli dhe jashtë; ose Zanafilla 22:14 dhe Gjyqtarët 6:24, Diodati i Ri, përkthimi 1991-94.
PËRSE DUHET TA PËRDORËSH EMRIN E PERËNDISË
6. Çfarë thotë Psalmi 83:18 mbi Jehovain dhe përse duhet ta përdorim emrin e Perëndisë?
6 Emri i veçantë i Perëndisë, Jehova, shërben për ta dalluar atë nga të gjitha perënditë e tjera. Ja, përse ky emër shfaqet kaq shpesh në Bibël, veçanërisht në tekstin hebre. Shumë përkthyes nuk e përdorin emrin hyjnor, megjithatë Psalmi 83:18 thotë në mënyrë të qartë: «Ti, emri i të cilit është Jehova, ti vetëm je Më i Larti mbi gjithë tokën.» (BR) Kështu, pra, kur flasim për Perëndinë është e përshtatshme të përdorim emrin e tij personal.
7. Çfarë na mëson mbi Perëndinë domethënia e emrit të Jehovait?
7 Emri Jehova është një formë e foljes hebreje që do të thotë «për të bërë». Prandaj, emri i Perëndisë do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Në këtë mënyrë, Perëndia Jehova e identifikon veten si Ai që ka një qëllim madhështor. Ai gjithmonë shkakton që qëllimet e tij të bëhen realitet. Vetëm Perëndia i vërtetë mund ta mbajë me të drejtë këtë emër, sepse njerëzit s’mund të jenë asnjëherë të sigurt që planet e tyre do të kenë sukses. (Jakovit 4:13, 14) Vetëm Jehovai mund të thotë: ‘Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime . . . do të realizojë plotësisht atë për të cilën e dërgova.’—Isaia 55:11.
8. Cilin qëllim shpalli Jehovai përmes Moisiut?
8 Secili nga patriarkët hebrenj, Abrahami, Isaku dhe Jakobi, «thërriti në emër të Jehovait», por ata nuk e dinin plotësisht domethënien e emrit hyjnor. (Zanafilla 21:33, BR; 26:25; 32:9; Të Dalët 6:3) Më vonë, kur Jehovai zbuloi qëllimin e tij për të çliruar pasardhësit e tyre, izraelitët, nga skllavëria në Egjipt dhe për t’u dhënë «një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë», kjo mund të jetë dukur e pamundur. (Të Dalët 3:17) Megjithatë, Perëndia theksoi domethënien e përhershme të emrit të tij, duke i thënë profetit Moisi: «Këtë do t’u thuash bijve të Izraelit: ‘Jehovai, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit, më ka dërguar te ju.’ Ky është emri im në kohë të pafundme dhe ky është përkujtimi im brez pas brezi.»—Të Dalët 3:15, BR.
9. Si e shikonte Faraoni Jehovain?
9 Moisiu i kërkoi Faraonit, mbretit të Egjiptit, që t’i linte izraelitët të shkonin e të adhuronin Jehovain në shkretëtirë. Por Faraoni, i cili konsiderohej vetë si perëndi dhe që adhuronte perëndi të tjera egjiptiane, ia ktheu: «Kush është Jehovai, që unë duhet t’i bindem zërit të tij për të dërguar Izraelin? Unë s’e njoh fare Jehovain dhe për më tepër nuk do ta dërgoj Izraelin.»—Të Dalët 5:1, 2, BR.
10. Çfarë veprimi ndërmori Jehovai në Egjiptin e lashtë, për të plotësuar qëllimin e tij në lidhje me izraelitët?
10 Atëherë, Jehovai ndërmori veprime të mëtejshme për të plotësuar qëllimin e tij, duke vepruar në përputhje me domethënien e emrit të tij. Ai dërgoi dhjetë plagë mbi egjiptianët e lashtë. Plaga e fundit vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, duke përfshirë edhe birin e Faraonit krenar. Atëherë, egjiptianët mezi pritnin që Izraeli të largohej. Por, disa egjiptianëve u bëri aq përshtypje fuqia e Jehovait, saqë u bashkuan me izraelitët dhe e lanë Egjiptin.—Të Dalët 12:35-38.
11. Çfarë mrekullie bëri Jehovai në Detin e Kuq dhe çfarë ishin të detyruar të mësonin armiqtë e tij?
11 Faraoni kryeneç dhe ushtria e tij me qindra qerre lufte dolën për të kapur sërisht skllevërit e tyre. Ndërsa egjiptianët po afroheshin, Perëndia ndau në mënyrë të mrekullueshme Detin e Kuq, kështu që izraelitët mundën të kalonin në tokë të thatë. Kur ndjekësit u futën në shtratin e detit, Jehovai «bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre». Luftëtarët egjiptianë bërtitën: «T’ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti [Jehovai, BR] lufton bashkë me ta kundër Egjiptasve.» Por ishte tepër vonë. Muret e larta të ujërave u shembën dhe «mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit». (Të Dalët 14:22-25, 28) Kështu, Jehovai i bëri një emër të madh vetes dhe ajo ngjarje nuk është harruar edhe sot e kësaj dite.—Josiu 2:9-11.
12, 13. (a) Çfarë domethënie ka emri i Perëndisë për ne sot? (b) Çfarë duhet të mësojnë urgjentisht njerëzit dhe përse?
12 Emri që Perëndia i ka bërë vetes, ka një kuptim të madh për ne sot. Emri i tij, Jehova, është si një garanci se do t’i bëjë të vërteta të gjitha qëllimet e tij. Kjo përfshin kryerjen e qëllimit të tij fillestar që toka jonë do të bëhet një parajsë. (Zanafilla 1:28; 2:8) Për këtë qëllim, Perëndia do të eliminojë të gjithë kundërshtarët e sotëm të sovranitetit të tij, pasi ka thënë: «Ata do të njohin se unë jam Jehovai.» (Ezekieli 38:23, BR) Pastaj, Perëndia do të plotësojë premtimin e tij që t’i çlirojë adhuruesit e tij për në botën e re të drejtësisë.—2. Pjetrit 3:13
13 Të gjithë ata që dëshirojnë të kenë favorin e Perëndisë, duhet të mësojnë të thërrasin me besim emrin e tij. Bibla premton: «Secili që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë.» (Romakëve 10:13, BR) Po, emri Jehova ka një domethënie të madhe. Duke thirrur Jehovain si Perëndinë dhe Çliruesin tënd mund të shkosh drejt lumturisë së pafundme.
CILËSITË E PERËNDISË SË VËRTETË
14. Cilat cilësi bazë të Perëndisë thekson Bibla?
14 Një studim i çlirimit të Izraelit nga Egjipti nxjerr në pah katër cilësi themelore që Perëndia i zotëron në baraspeshim të përsosur. Mënyra se si veproi me Faraonin zbulon fuqinë e tij të madhe. (Të Dalët 9:16) Mënyra mjeshtërore me të cilën e trajtoi atë situatë të ndërlikuar tregoi mençurinë e tij të pakrahasueshme. (Romakëve 11:33) Ai zbuloi drejtësinë e tij, duke ndëshkuar kundërshtarët dhe shtypësit e popullit të tij. (Ligji i përtërirë 32:4) Një cilësi mbizotëruese e Perëndisë është dashuria. Jehovai tregoi një dashuri të jashtëzakonshme duke përmbushur premtimin e tij në lidhje me pasardhësit e Abrahamit. (Ligji i përtërirë 7:8) Ai tregoi, gjithashtu, dashuri duke lejuar që disa egjiptianë të braktisnin perënditë e rreme dhe të përfitonin shumë, duke qëndruar përkrah Perëndisë së vetëm e të vërtetë.
15, 16. Në çfarë mënyrash Perëndia ka treguar dashuri?
15 Duke lexuar Biblën, do të vëresh se dashuria është cilësia kryesore e Perëndisë dhe ai e tregon këtë në shumë mënyra. Për shembull, ishte dashuria ajo që e nxiti të bëhej Krijues dhe i pari të ndante gëzimin e jetës me krijesat frymore. Ata qindra e miliona engjëj e duan Perëndinë dhe e lavdërojnë atë. (Jobi 38:4, 7; Danieli 7:10) Perëndia tregoi, gjithashtu, dashuri në krijimin e tokës dhe në përgatitjen e saj për një ekzistencë të lumtur njerëzore.—Zanafilla 1:1, 26-28; Psalmi 115:16.
16 Ne përfitojmë nga dashuria e Perëndisë në mënyra aq të shumta, sa nuk mund t’i përmendim. Së pari, me dashuri Perëndia i ka bërë trupat tanë në mënyrë kaq të mrekullueshme, saqë ne mund t’i gëzohemi jetës. (Psalmi 139:14) Ai e ka treguar dashurinë e tij «duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim». (Veprat 14:17) Madje, Perëndia «bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët». (Mateu 5:45) Gjithashtu, dashuria e shtyn Krijuesin tonë që të na ndihmojë për të arritur njohurinë e Perëndisë e për t’i shërbyer me lumturi, si adhurues të tij. Në të vërtetë «Perëndia është dashuri». (1. Gjonit 4:8) Por ka akoma edhe shumë aspekte të tjera të personalitetit të tij.
«PERËNDI I MËSHIRSHËM E I DHEMBSHUR»
17. Çfarë mësojmë mbi Perëndinë, në Të Dalët 34:6, 7?
17 Pasi kaluan Detin e Kuq, izraelitët kishin ende nevojë të njihnin më mirë Perëndinë. Moisiu e ndjeu këtë nevojë dhe u lut: «Prandaj tani, që më ke me sy të mirë, më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tu.» (Të Dalët 33:13) Moisiut iu desh ta njihte edhe më mirë Perëndinë, kur dëgjoi vetë deklaratën e Perëndisë: «Jehovai, Jehovai, Perëndi i mëshirshëm e i dhembshur, i ngadaltë në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur e të vërtetë, që ruan dashamirësi të dashur për mijëra, por që në asnjë mënyrë nuk lë pa ndëshkuar.» (Të Dalët 34:6, 7, BR) Perëndia e baraspeshon dashurinë e tij me drejtësinë dhe nuk i mbron mëkatarët e vullnetshëm nga pasojat e veprimeve të tyre të gabuara.
18. Në ç’mënyrë Jehovai ka provuar se është i mëshirshëm?
18 Ashtu siç e mësoi edhe Moisiu, Perëndia tregon mëshirë. Një person i mëshirshëm ndjen keqardhje për ata që vuajnë dhe përpiqet t’i lehtësojë. Prandaj, Perëndia ka treguar dhembshuri për njerëzimin, duke marrë masa për një lehtësim të përhershëm nga vuajtjet, sëmundjet dhe vdekja. (Zbulesa 21:3-5) Adhuruesit e Perëndisë mund edhe të heqin mundime për shkak të kushteve të kësaj bote të ligë, ose mund të veprojnë me pak mençuri e kështu të hasin probleme. Por, nëse me përulësi kthehen te Jehovai për përkrahje, ai do t’i ngushëllojë e do t’i ndihmojë. Përse? Sepse në mënyrë të mëshirshme ai tregon kujdes të butë për adhuruesit e tij.—Psalmi 86:15; 1. Pjetrit 5:6, 7.
19. Përse mund të themi se Perëndia është i dhembshur?
19 Shumë njerëz me autoritet i trajtojnë me ashpërsi të tjerët. Përkundrazi, sa i dhembshur është Jehovai me shërbëtorët e tij të përulur! Edhe pse është autoriteti më i lartë në univers, ai tregon mirësi të jashtëzakonshme në përgjithësi për gjithë njerëzimin. (Psalmi 8:3, 4; Luka 6:35) Jehovai tregohet, gjithashtu, i dhembshur edhe në mënyrë individuale, duke iu përgjigjur lutjeve të tyre specifike për të pasur favorin e tij. (Të Dalët 22:26, 27; Luka 18:13, 14) Natyrisht, Perëndia nuk është i detyruar t’i tregojë secilit favor apo mëshirë. (Të Dalët 33:19) Për këtë arsye, duhet të shfaqim një çmueshmëri të thellë për mëshirën dhe dhembshurinë e Perëndisë.—Psalmi 145:1, 8.
I NGADALSHËM NË ZEMËRIM, I PAANSHËM DHE I DREJTË
20. Nga duket se Jehovai është i ngadalshëm në zemërim dhe i paanshëm?
20 Jehovai është i ngadalshëm në zemërim. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ndërmerr veprime, pasi ai e tregoi këtë duke shkatërruar Faraonin kryeneç dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq. Jehovai është edhe i paanshëm. Prandaj, populli i tij i favorizuar, Izraeli, e humbi më në fund favorin e tij për shkak të veprimeve të tij të vazhdueshme të gabuara. Perëndia pranon si adhurues të tij njerëz nga të gjitha kombet, por vetëm ata që përputhen me rrugët e tij të drejta.—Veprat 10:34, 35.
21. (a) Ç’mësojmë për Perëndinë nga Zbulesa 15:2-4? (b) Çfarë do ta bëjë më të lehtë për ne kryerjen e asaj që Perëndia thotë se është e drejtë?
21 Libri biblik i Zbulesës thekson rëndësinë e dëgjimit të «urdhërimeve të drejta» të Perëndisë. Ai na thotë se krijesat qiellore këndojnë: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, Perëndi Jehova, i Plotfuqishmi. Të drejta e të vërteta janë rrugët e tua, Mbret i përjetësisë. Në të vërtetë, kush nuk do të të ketë frikë ty, Jehova dhe të lavdërojë emrin tënd, sepse vetëm ti je besnik? Të gjitha kombet do të vijnë e do të adhurojnë para teje, sepse urdhërimet e tua të drejta u shpallën.» (Zbulesa 15:2-4, BR) Ne tregojmë frikë të shëndoshë ndaj Jehovait, ose frikë me nderim, duke u vënë në harmoni me ato që ai thotë se janë të drejta. Kjo bëhet edhe më e thjeshtë po t’i kujtojmë vetes mençurinë dhe dashurinë e Perëndisë. Të gjitha urdhërimet e tij janë për të mirën tonë.—Isaia 48:17, 18.
«JEHOVAI, PERËNDIA YNË, ËSHTË NJË»
22. Përse ata që pranojnë Biblën nuk adhurojnë një Trinitet?
22 Egjiptianët e lashtë adhuronin shumë perëndi, por Jehovai është «një Perëndi që kërkon devotshmëri të veçantë». (Të Dalët 20:5, BR) Moisiu u kujtoi izraelitëve se «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova». (Ligji i përtërirë 6:4, BR) Edhe Jezu Krishti i përsëriti këto fjalë. (Marku 12:28, 29) Prandaj, ata që pranojnë Biblën si Fjalë të Perëndisë, nuk adhurojnë një Trinitet, që është tre persona apo perëndi në një. Në fakt, fjala «Trinitet» nuk shfaqet fare në Bibël. Perëndia i vërtetë është një Person, i ndarë nga Jezu Krishti. (Gjoni 14:28; 1. Korintasve 15:28) Fryma e shenjtë e Perëndisë nuk është një person. Është forca vepruese e Jehovait, të cilën i Plotfuqishmi e përdori për të plotësuar qëllimet e tij.—Zanafilla 1:2; Veprat 2:1-4, 32, 33; 2. Pjetrit 1:20, 21.
23. (a) Si do të rritet dashuria që ke për Perëndinë? (b) Çfarë tha Jezui në lidhje me dashurinë ndaj Perëndisë dhe çfarë duhet të mësojmë mbi Krishtin?
23 Kur shqyrton se sa i mrekullueshëm është Jehovai, a nuk je dakort se ai meriton adhurimin tënd? Duke studiuar Fjalën e tij, Biblën, ke për ta njohur më mirë dhe do të mësosh se çfarë kërkohet prej teje, me qëllim që të kesh mirëqenie dhe lumturi të përhershme. (Mateu 5:3, 6) Përveç kësaj, do të rritet dashuria që ke për Perëndinë. Dhe kështu duhet të jetë, sepse Jezui tha: «Duhet të duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30, BR) Është e dukshme se Jezui kishte një dashuri të tillë për Perëndinë. Por, çfarë zbulon Bibla mbi Jezu Krishtin? Cili është roli i tij në qëllimin e Jehovait?
PROVO NJOHURINË
Cili është emri i Perëndisë dhe sa shpesh është përdorur ai në Shkrimet Hebreje?
Përse duhet ta përdorësh emrin e Perëndisë?
Cilat cilësi të Perëndisë Jehova të tërheqin veçanërisht?
[Figura në faqen 29]
Sa mirë e njeh Krijuesin e universit?