JEHOVAI
[forma shkakore, e cila tregon një veprim që nuk ka përfunduar, e foljes hebraike haváh, (të bëhet); që do të thotë «Ai shkakton të bëhet»].
Emri i Perëndisë. (Is 42:8; 54:5) Ndonëse Shkrimet përdorin tituj përshkrues, si «Perëndi», «Zotëri Sovran», «Krijues», «Atë», «i Plotfuqishmi» dhe «Më i Larti», personaliteti dhe karakteristikat e tij—kush dhe si është—përmblidhen plotësisht e shprehen vetëm te ky emër.—Ps 83:18.
Shqiptimi i saktë i emrit hyjnor. «Jehova» është forma më e njohur e emrit hyjnor në shqip, ndonëse mjaft studiues të hebraishtes parapëlqejnë «Jahveh». Në dorëshkrimet hebraike më të vjetra, emri paraqitet me katër bashkëtingëllore që zakonisht quhen Tetragrami (nga greqishtja tetra-, që do të thotë «katër», dhe grámma, «shkronjë»). Këto katër shkronja (nga e djathta në të majtë) janë יהוה dhe mund të transliterohen në shqip JHVH.
Pra, bashkëtingëlloret hebraike të emrit janë të njohura. Por lind pyetja: cilat zanore duhen ndërthurur me këto bashkëtingëllore? Shenjat zanore filluan të përdoreshin në hebraisht vetëm nga gjysma e dytë e mijëvjeçarit të parë të e.s. (Shih HEBRAISHTJA [Alfabeti dhe shkronjat hebraike].) Për më tepër, shekuj para kësaj kishte nisur një bestytni fetare. Prandaj është e vështirë të përcaktohet cilat zanore duhet t’i vihen emrit hyjnor vetëm nëpërmjet shenjave zanore që ndodhen në dorëshkrimet hebraike.
Bestytnia e fsheh emrin. Në njëfarë pike, mes judenjve doli një ide bestyte se ishte e gabuar madje edhe ta shqiptoje emrin hyjnor (të paraqitur nga Tetragrami). Por nuk dihet me siguri mbi ç’baza u vendos në fillim të mos përdorej më emri hyjnor. Disa mendojnë se emri konsiderohej tepër i shenjtë që ta shqiptonin buzët e papërsosura. Gjithsesi, vetë Shkrimet Hebraike nuk japin asnjë provë se ndonjë nga shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë të ketë ngurruar sadopak ta shqiptonte këtë emër. Dokumente jobiblike hebraike, si të ashtuquajturat Letrat e Lakishit, tregojnë se emri hyjnor përdorej në korrespondencat e zakonshme në Palestinë gjatë pjesës së fundit të shekullit të shtatë p.e.s.
Të tjerë mendojnë se emri nuk u përdor më që të mos e njihnin jojudenjtë, të cilët mund ta keqpërdornin. Sidoqoftë, vetë Jehovai tha se ‘emri i tij do të shpallej në gjithë tokën’ (Da 9:16; krahaso 1Kr 16:23, 24; Ps 113:3; Ma 1:11, 14.), që ta njihnin edhe kundërshtarët. (Is 64:2) Në fakt, kombet pagane e njihnin dhe e përdornin emrin edhe para erës sonë, edhe në shekujt e parë të erës sonë. (The Jewish Encyclopedia, 1976, vëll. XII, f. 119) Sipas një ideje tjetër, qëllimi ishte që emri të mos përdorej në rituale magjike. Po të ishte kështu, ky arsyetim do të dilte i cekët, sepse kuptohet që sa më misterioz të bëhej emri ngaqë s’përdorej, aq më shumë do t’u përshtatej qëllimeve të atyre që merreshin me magji.
Kur zuri rrënjë bestytnia? Siç janë të paqarta arsyeja ose arsyet e nxjerra në fillim për të mos e përdorur më emrin hyjnor, po ashtu është shumë e paqartë koha kur zuri rrënjë vërtet kjo pikëpamje bestyte. Disa thonë se filloi pas mërgimit në Babiloni (607-537 p.e.s.). Gjithsesi, kjo teori bazohet në supozimin se shkrimtarët e fundit të Shkrimeve Hebraike e përdorën më pak emrin, pikëpamje që bie poshtë kur merret në shqyrtim. Për shembull, Malakia, një nga librat e fundit të Shkrimeve Hebraike që u shkruan (në gjysmën e dytë të shekullit të pestë p.e.s.), i jep mjaft rëndësi emrit hyjnor.
Në shumë vepra referimi është hedhur ideja se emri filloi të mos përdorej më rreth vitit 300 p.e.s. Ky përfundim bazohej në supozimin se Tetragrami (ose një transliterim i tij) nuk gjendej te Septuaginta, përkthim në greqisht i Shkrimeve Hebraike që filloi rreth vitit 280 p.e.s. Është e vërtetë se në kopjet më të plota të dorëshkrimeve të Septuagintës që njihen sot, Tetragrami zëvendësohet gjithnjë me fjalët greke Kírios (Zotëri) ose Theós (Perëndi). Por, këto dorëshkrime të rëndësishme datojnë jo më herët se shekulli i katërt dhe i pestë i e.s. Janë zbuluar disa kopje më të lashta, ndonëse në fragmente, që vërtetojnë se emri hyjnor gjendej në kopjet më të hershme të Septuagintës.
Shembull i kësaj janë disa fragmente të një rrotulle papirusi, P. Fouad Inventory No. 266, që përmban një pjesë nga Ligji i përtërirë. (FIGURA, vëll. 1, f. 326 në botimin anglisht) Sa herë që del në tekstin hebraik të përkthyer, Tetragrami është me shkronja hebraike katrore. Sipas studiuesve, papirusi daton në shekullin e parë p.e.s., dhe kjo nënkupton se ishte shkruar katër ose pesë shekuj më herët se dorëshkrimet e lartpërmendura.—Shih shtojcën te BR, f. 1664-1666.
Kur filluan judenjtë në përgjithësi të mos e shqiptonin më emrin e Perëndisë?
Pra nuk ka asnjë dëshmi të vlefshme që emri hyjnor, të paktën në formën e shkruar, të jetë zhdukur ose të mos jetë përdorur para erës sonë. Për herë të parë, njëfarë dëshmie të një qëndrimi bestyt ndaj emrit e gjejmë në shekullin e parë të e.s. Jozefi, historian jude nga një familje priftërore, e përshkruan me këto fjalë momentin që Perëndia iu shfaq Moisiut te kaçuba që digjej: «Atëherë Perëndia i tregoi emrin e Tij, të cilin nuk e kishte dëgjuar njeri më parë dhe për të cilin më ndalohet të flas.» (Antikitete judaike, II, 276 [xii, 4]) Por, pohimi i Jozefit përveçse është i pasaktë kur thotë se emri hyjnor nuk njihej para kohës së Moisiut, është edhe i mjegullt e nuk tregon qartë qëndrimin e përgjithshëm në shekullin e parë ndaj shqiptimit ose përdorimit të emrit hyjnor.
Mishna judaike, koleksion mësimesh e traditash rabinike, është disi më e qartë. Thuhet se e ka përpiluar një rabin që njihet si princ Juda, i cili jetoi në shekujt e dytë e të tretë të e.s. Një pjesë e materialit të Mishnës u referohet qartazi rrethanave para shkatërrimit të Jerusalemit dhe të tempullit në vitin 70 të e.s. Por, një studiues thotë për Mishnën: «Është tejet e vështirë të përcaktohet se ç’vlerë historike duhet t’i jepet cilësdo tradite të dokumentuar te Mishna. Koha, e cila mund të ketë mjegulluar ose shtrembëruar kujtimet e periudhave kaq të ndryshme; trazirat politike, ndryshimet dhe pështjellimet e shkaktuara nga dy rebelimet dhe dy pushtimet romake; standardet që mbanin lart farisenjtë (opinionet e të cilëve dokumentohen te Mishna), por jo saducenjtë . . .—të gjithë këta faktorë duhen peshuar me kujdes për të vlerësuar karakterin e pohimeve të Mishnës. Për më tepër, shumica e përmbajtjes së Mishnës është thjesht material për diskutime akademike dhe në të nuk pretendohet (kështu duket) se dokumentohen fakte historike.» (Mishna, përkthyer nga H. Denbi, Londër, 1954, f. xiv, xv) Më poshtë tregohen disa tradita të Mishnës për shqiptimin e emrit hyjnor.
Për Ditën e Shlyerjes që kremtohej çdo vit, përkthimi i Mishnës nga Denbi pohon: «Kur priftërinjtë dhe njerëzit që qëndronin në Oborrin e Tempullit dëgjonin Emrin nga goja e Kryepriftit, binin në gjunjë dhe përkuleshin me fytyrë përtokë duke thënë: ‘Bekuar qoftë emri i lavdisë së mbretërisë së tij në jetë të jetëve!’» (Yoma 6:2) Për bekimet e përditshme priftërore, Sotah 7:6 thotë: «Në Tempull e shqiptonin Emrin siç ishte shkruar, kurse në provinca e zëvendësonin me një fjalë tjetër.» Sanhedrin 7:5 thotë se një blasfemues ishte fajtor ‘vetëm nëse shqiptonte Emrin’. Gjatë një procesi gjyqësor për blasfemi, përdorej një emër zëvendësues derisa të paraqiteshin të gjitha provat; pastaj, dëshmitari kryesor merrej në pyetje veçmas që ‘të thoshte qartë çfarë kishte dëgjuar’, dhe në këtë moment ka shumë të ngjarë të përmendte emrin hyjnor. Sanhedrin 10:1, ndër të tjera rendit ata «që nuk do të trashëgojnë botën e ardhshme». Aty lexohet: «Abba Sauli thotë: as ai që shqipton Emrin me shkronjat e duhura.» Pavarësisht nga këto pikëpamje negative, në pjesën e parë të Mishnës gjejmë edhe urdhrin pozitiv se «njerëzit duhen përshëndetur me [duke përdorur] Emrin [e Perëndisë]», e më pas përmendet shembulli i Boazit (Ru 2:4).—Berakhot 9:5.
Për aq sa vlejnë, këto pikëpamje tradicionale mund të zbulojnë se diku para shkatërrimit të tempullit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s. ekzistonte një prirje bestyte për të mos e përdorur emrin hyjnor. Prapëseprapë thuhet qartë se kryesisht priftërinjtë përdornin një emër zëvendësues për emrin hyjnor, dhe këtë e bënin vetëm në provinca. Për më tepër, siç kemi parë, vlera historike e traditave të Mishnës është e diskutueshme.
Prandaj nuk ka asnjë bazë të fortë për të besuar se bestytnia që çoi në mospërdorimin e emrit hyjnor të jetë zhvilluar diku më herët se shekulli i parë dhe i dytë i e.s. Gjithsesi erdhi koha kur lexuesi jude, gjatë leximit të Shkrimeve Hebraike në gjuhën origjinale, në vend që ta shqiptonte emrin hyjnor të paraqitur nga Tetragrami, e zëvendësonte me ʼAdhonái (Zotëri Sovran) ose ʼElohím (Perëndi). Kjo duket nga fakti se, kur filluan të përdoreshin shenjat zanore në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të parë të e.s., kopistët judenj futën te Tetragrami shenjat zanore të fjalëve ʼAdhonái ose ʼElohím, siç duket për ta përgatitur lexuesin që të thoshte ato fjalë në vend të emrit hyjnor. Natyrisht, nëse i lexonte Shkrimet Hebraike nga kopjet e mëvonshme të Septuagintës greke, me siguri do të vërente se Tetragrami ishte zëvendësuar krejtësisht nga Kírios dhe Theós.—Shih ZOTËRI.
Edhe përkthime në gjuhë të tjera, si Vulgata latine, ndoqën shembullin e këtyre kopjeve të mëvonshme të Septuagintës greke. Prandaj, përkthimi katolik Douay Version (1609-1610) në anglisht, që bazohet te Vulgata latine, nuk e ka emrin hyjnor, kurse King James Version (1611) në Shkrimet Hebraike përdor ZOTËRI ose PERËNDI (me shkronja të mëdha) në vend të Tetragramit, përveç katër rasteve.
Cili është shqiptimi i duhur i emrit të Perëndisë?
Në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të parë të e.s., studiuesit judenj futën një sistem shenjash për të paraqitur zanoret që mungonin në tekstin hebraik, i cili shkruhej me bashkëtingëllore. Sa për emrin e Perëndisë, në vend që t’i vendosnin shenjat e duhura zanore, vendosën shenja të tjera që ta kujtonin lexuesin se duhej të thoshte ʼAdhonái (që do të thotë «Zotëri Sovran») ose ʼElohím (që do të thotë «Perëndi»).
Te Kodiku i Leningradit B 19A i shekullit të 11-të të e.s., Tetragramit iu vunë shenja zanore që të lexohej Jehváh, Jehvíh dhe Jehováh. Te botimi i Ginsburgut i tekstit masoretik, emrit hyjnor iu vunë shenja zanore që të lexohej Jehováh. (Zn 3:14, shën., NW) Studiuesit hebrenj në përgjithësi preferojnë «Jahveh» si shqiptimin më të mundshëm. Ata theksojnë se forma e shkurtuar e emrit është Jah, si te Psalmi 89:8 dhe te shprehja Halelu-Jáh (që do të thotë «Lëvdoni Jah!»). (Ps 104:35; 150:1, 6) Nga emri Jahveh mund të vijnë edhe format Jehóh, Joh, Jah dhe Jáhu, që janë pjesë e emrave hebraikë Jehozafat, Joshafat, Shefatiah e të tjerë. Edhe transliterime greke të emrit nga shkrimtarë të hershëm të krishterë të çojnë thuajse tek e njëjta formë e emrit , pasi fjalët Iabé dhe Iaoué ngjajnë me Jahve kur shqiptohen në greqisht. Gjithsesi, studiuesit nuk janë fare të një mendjeje për këtë temë, pasi disa pëlqejnë shqiptime të tjera, si «Jahuva», «Jahuah» ose «Jehuah».
Meqë sot nuk mund ta dimë me siguri si shqiptohet emri, nuk ka pse të mos e përdorim formën e njohur në shqip «Jehova», për hir të ndonjë shqiptimi tjetër të sugjeruar. Po të bëhej një ndryshim i tillë, për të qenë koherentë do të duhej të ndryshohej edhe drejtshkrimi dhe shqiptimi i një sërë emrash të tjerë në Shkrime. Për shembull, Jeremia do të ishte Jirmejáh, Isaia do të ishte Jeshaʽjáhu dhe Jezui do të ishte Jehohshúaʽ (në hebraisht) ose Iesoús (në greqisht). Qëllimi i fjalëve është të përcjellin mendime; në shqip emri Jehova identifikon Perëndinë e vërtetë dhe e përcjell këtë mendim sot më mirë se çdo formë tjetër e sugjeruar.
Rëndësia e emrit. Shumë studiues dhe përkthyes të sotëm të Biblës nxitin traditën duke e hequr emrin e Perëndisë. Thonë se kjo është e justifikueshme, sepse shqiptimi i tij nuk dihet me siguri. Gjithashtu mendojnë se, ngaqë Perëndia i vërtetë është suprem dhe unik, nuk ka nevojë për emër. Kjo pikëpamje nuk gjen fare mbështetje në Shkrimet e frymëzuara, as në Shkrimet para krishterimit, as në Shkrimet e Krishtere Greke.
Tetragrami ndodhet 6.828 herë në tekstin hebraik të Biblia Hebraica dhe të Biblia Hebraica Stuttgartensia. Te Përkthimi Bota e Re emri hyjnor gjendet 6.973 herë në Shkrimet Hebraike sepse, përveç të tjerave, përkthyesit morën parasysh edhe faktin që në disa vargje skribët e kishin zëvendësuar emrin hyjnor me ʼAdhonái ose ʼElohím. (Shih shtojcën te BR, f. 1661-1663.) Vetë fakti që ky emër del kaq shpesh, vërteton sa i rëndësishëm është për Autorin e Biblës i cili mban këtë emër. Ky emër del në Shkrime ku e ku më tepër se çdo titull që përdoret për të, si «Zotëri Sovran» ose «Perëndi».
Gjithashtu vlen të përmendet edhe rëndësia që u japin emrave Shkrimet Hebraike dhe popujt semitikë. Profesor Xh. T. Menli tregon: «Studimi i fjalës ‘emër’ në Dh[iatën] e V[jetër] zbulon sa rëndësi ka në hebraisht. Nuk është thjesht etiketë, por tregon personalitetin e atij që e mban. . . . Kur një person thërret me emrin e vet dikë a diçka, ai ose ajo vihet nën ndikimin dhe mbrojtjen e tij.»—New Bible Dictionary, nga Xh. D. Dagllasi, 1985, f. 430; krahaso Everyman’s Talmud, nga A. Koheni, 1949, f. 24; Zn 27:36; 1Sa 25:25; Ps 20:1; Pr 22:1; shih EMRI.
«Perëndi» dhe «Atë» janë tituj të përgjithshëm. Titulli «Perëndi» nuk është as i përveçëm, as dallon nga të tjerët (madje dikush mund të bëjë perëndi edhe barkun e vet; Fi 3:19). Në Shkrimet Hebraike e njëjta fjalë (ʼElohím ) përdoret për Jehovain, Perëndinë e vërtetë, por edhe për perënditë e rreme, si Dagonin e filistinëve (Gjy 16:23, 24; 1Sa 5:7) dhe Nisrokun e asirianëve. (2Mb 19:37) Pa dyshim, nëse një hebre i thoshte një filistini ose asiriani se adhuronte «Perëndinë [ʼElohím ]», kjo nuk mjaftonte për të kuptuar cilin Perëndi adhuronte.
Në artikujt për Jehovain, një fjalor e ilustron bukur ndryshimin mes ʼElohím (Perëndi) dhe Jehova. Ai thotë për emrin Jehova: «Është gjithmonë emër i përveçëm që përdoret vetëm për Perëndinë dhe askënd tjetër, kurse Elohim ka më tepër natyrën e një emri të përgjithshëm, i cili vërtet përdoret zakonisht për Supremin, por jo medoemos dhe jo në çdo rast. . . . Një hebre mund të përdorë nyjë shquese para Elohim për t’iu referuar Perëndisë së vërtetë në dallim me perënditë e rreme, por kurrë nuk shton nyjë shquese para fjalës Jehova, sepse Jehova e ka emrin vetëm Perëndia i vërtetë. Ai thotë shpesh Perëndia im . . . , por kurrë Jehovai im, sepse kur thotë Perëndia im, nënkupton Jehovain. Ai flet për Perëndinë e Izraelit, por kurrë për Jehovain e Izraelit, sepse nuk ka asnjë Jehova tjetër. Ai flet për Perëndinë e gjallë, por kurrë për Jehovain e gjallë, sepse nuk mund ta konceptojë Jehovain përveçse të gjallë.»—The Imperial Bible-Dictionary, nga P. Ferberni, Londër, 1874, vëll. I, f. 856.
E njëjta gjë vlen edhe për fjalën Perëndi në greqisht, Theós. Ajo përdorej si për Perëndinë e vërtetë, edhe për perëndi pagane, si Zeusi dhe Hermesi (Jupiteri dhe Mërkuri i romakëve). (Krahaso Ve 14:11-15.) Pavli e shpjegon mirë këtë te 1 Korintasve 8:4-6: «Ndonëse ekzistojnë ata që quhen ‘perëndi’, qoftë në qiell, qoftë në tokë, ashtu sikurse ka shumë ‘perëndi’ dhe shumë ‘zotërinj’, në të vërtetë për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati, nga i cili janë të gjitha gjërat, dhe ne për të.» Besimi te shumë perëndi ka vazhduar deri në shekullin e 21-të, ja pse është thelbësore të dallohet Perëndia i vërtetë nga të rremet.
Me shprehjen ‘Perëndia, Ati’, Pavli nuk po thotë se emri i Perëndisë së vërtetë është «Atë», pasi ky term përdoret edhe për çdo baba njerëzor, edhe për burra që janë etër në kuptime të tjera. (Ro 4:11, 16; 1Ko 4:15) Mesisë iu dha titulli «Atë i Përjetshëm». (Is 9:6) Jezui e quajti Satanain ‘atin’ e disa kundërshtarëve që ishin vrasës. (Gjo 8:44) Ky term përdorej edhe për perënditë e kombeve. Për shembull, perëndia grek Zeus paraqitet në poemat e Homerit si perëndia i madh atë. Në shumë shkrime tregohet se ‘Perëndia, Ati’ ka një emër që ndryshon nga emri i të Birit. (Mt 28:19; Zb 3:12; 14:1) Pavli e dinte emrin e Perëndisë Jehova, që gjendet te tregimi i krijimit te Zanafilla, sepse citoi nga ky tregim në shkrimet e tij. Ky emër, Jehova, e dallon ‘Perëndinë, Atin’ (Krahaso Is 64:8.) dhe nuk lejon që identiteti e personaliteti i tij të shkrihen ose të përzihen me ato të ndonjë tjetri që mund të quhet «perëndi» ose «atë».
Nuk është perëndi fisnor. Jehova quhet «Perëndia i Izraelit» dhe ‘Perëndia i paraardhësve të izraelitëve’. (1Kr 17:24; Da 3:16) Ndonëse emri i Perëndisë lidhet ngushtë me hebrenjtë dhe me kombin e Izraelit, nuk ka pse të konsiderohet si emër i një perëndie fisnor, siç kanë menduar disa. Apostulli Pavël shkroi: «Mos vallë ai është vetëm Perëndia i judenjve? A s’është edhe i njerëzve të kombeve? Po, është edhe i njerëzve të kombeve.» (Ro 3:29) Jehovai nuk është vetëm «Perëndia i gjithë tokës» (Is 54:5), por edhe Perëndia i universit, ‘Bërësi i qiellit dhe i tokës’. (Ps 124:8) Në besëlidhjen e Jehovait me Abrahamin, afro 2.000 vjet para kohës së Pavlit, u premtuan bekime për njerëzit e të gjitha kombeve, dhe kjo tregon se Perëndia interesohet për gjithë njerëzimin.—Zn 12:1-3; krahaso Ve 10:34, 35; 11:18.
Në fund, Perëndia Jehova e hodhi poshtë kombin jobesnik të Izraelit natyror. Por, emrin e tij do ta mbante kombi i ri i Izraelit simbolik, kongregacioni i krishterë. Ndodhi kështu edhe kur jojudenjtë filluan të bëheshin pjesë e këtij kombi të ri. Prandaj, kur po drejtonte një mbledhje të krishterë në Jerusalem, dishepulli Jakov tha se Perëndia ‘e kishte drejtuar vëmendjen nga kombet jojudeje për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij’. Për të treguar se kjo ishte parathënë, më pas Jakovi citoi një profeci nga libri i Amosit, ku gjendet emri i Jehovait.—Ve 15:2, 12-14; Am 9:11, 12.
Në Shkrimet e Krishtere Greke. Duke pasur parasysh këto prova, duket shumë e çuditshme që emri hyjnor në formën e plotë nuk gjendet në dorëshkrimet ekzistuese të tekstit origjinal të Shkrimeve të Krishtere Greke. Prandaj mungon edhe në shumicën e përkthimeve të asaj që zakonisht quhet Dhiata e Re. Sidoqoftë, emri ndodhet te këto përkthime në formën e shkurtuar te Zbulesa 19:1, 3, 4, 6, në fjalët «Aleluja», «Haleluja» ose «Halelujah» (Dio, DSF, ECM, AS, RS ). Kjo thirrje lëvdimi, «Lëvdoni Jah!», (BR) nga bijtë engjëllorë të Perëndisë, tregon qartë se emri hyjnor nuk kishte dalë nga përdorimi; ishte po aq i rëndësishëm dhe i përshtatshëm sa ç’kishte qenë para krishterimit. Atëherë, pse mungon forma e tij e plotë në Shkrimet e Krishtere Greke?
Pse emri hyjnor nuk gjendet në formën e plotë në dorëshkrimet e lashta të Shkrimeve të Krishtere Greke që kemi në dispozicion?
Prej kohësh është argumentuar se shkrimtarët e frymëzuar të Shkrimeve të Krishtere Greke u bazuan te Septuaginta greke kur cituan nga Shkrimet Hebraike dhe nuk e përdorën emrin Jehova, meqë Tetragrami në këtë përkthim ishte zëvendësuar me Kírios dhe Theós. Siç është shpjeguar, ky argumentim nuk ka më vlerë. Fragmentet më të lashta të Septuagintës greke e kanë emrin hyjnor në formën hebraike e për këtë dr. P. Kahle thotë: «Tani e dimë se në tekstin e Biblës në greqisht [Septuaginta] emri hyjnor nuk u përkthye me fjalën kirios ngaqë u shkrua nga judenjtë për judenjtë, por në këto dorëshkrime u ruajt Tetragrami me shkronja hebraike ose greke. Ishin të krishterët që e zëvendësuan Tetragramin me kirios, kur emri hyjnor me shkronja hebraike nuk kuptohej më.» (The Cairo Geniza, Oksford, 1959, f. 222) Kur ndodhi ky ndryshim në përkthimet greke të Shkrimeve Hebraike?
Duket se ndodhi në shekujt pas vdekjes së Jezuit e të apostujve. Në përkthimin grek të Akuilës, që daton nga shekulli i dytë i e.s., Tetragrami gjendej ende me shkronja hebraike. Rreth vitit 245 të e.s., studiuesi i famshëm, Origjeni, nxori Heksaplën, një riprodhim në gjashtë kolona të Shkrimeve Hebraike të frymëzuara: (1) në hebraishten dhe aramaishten origjinale, të shoqëruara nga (2) një transliterim në greqisht dhe nga përkthimet greke (3) të Akuilës, (4) të Simakut, (5) të Septuagintës dhe (6) të Theodotionit. Në bazë të fragmenteve që njihen sot, profesor U. Xh. Uadelli thotë: «Në Heksaplën e Origjenit . . . përkthimet greke të Akuilës, të Simakut dhe të LXX [Septuagintës] JHVH e paraqitin të gjitha me ΠΙΠΙ; në kolonën e dytë të Heksaplës, Tetragrami shkruhet me shkronja hebraike.» (The Journal of Theological Studies, Oksford, vëll. XLV, 1944, f. 158, 159) Të tjerë besojnë se në tekstin origjinal të Heksaplës së Origjenit u përdorën shkronja hebraike për Tetragramin në të gjitha kolonat. Vetë Origjeni, në komentet e tij për Psalmin 2:2, thotë se «në dorëshkrimet më të sakta EMRI del me shkronja hebraike, jo me shkronjat e hebraishtes së sotme, por me më të lashtat».—Patrologia Graeca, Paris, 1862, vëll. XII, kol. 1104.
Nga shekulli i katërt i e.s., Jeronimi, përkthyesi i Vulgatës latine, thotë te parathënia e librave të Samuelit dhe të Mbretërve: «Edhe sot e kësaj dite e gjejmë në disa vëllime greke emrin e Perëndisë, Tetragramin [pra, יהוה ], të shkruar me shkronja të lashta.» Në një letër që shkroi në Romë në vitin 384 të e.s., Jeronimi renditi dhjetë emra që i janë vënë Perëndisë në Shkrimet Hebraike. Ai thotë: «I nënti është Tetragrami, të cilin e shihnin si [anekfóneton], pra si një emër që nuk duhej zënë në gojë, dhe shkruhet me këto shkronja: Iod, He, Vau, He. Kur e shihnin në librat grekë, disa që nuk e dinin, e kishin zakon ta lexonin ΠΙΠΙ [shkronjat greke që përkojnë me shkronjat romake PIPI] për shkak të ngjashmërisë.»—Papyrus Grecs Bibliques, nga F. Dunandi, Kajro, 1966, f. 47, shën. 4.
Pra, të ashtuquajturit të krishterë që «e zëvendësuan Tetragramin me kirios» në kopjet e Septuagintës, nuk ishin dishepujt e hershëm të Jezuit, por njerëz që jetuan shekuj më vonë, kur apostazia e parathënë ishte zhvilluar mjaft dhe kishte ndotur mësimet e pastra të krishtere.—2Se 2:3; 1Ti 4:1.
E përdornin Jezui dhe dishepujt. Kështu, në kohën e Jezuit dhe të dishepujve, emri hyjnor pa diskutim gjendej në kopjet e Shkrimeve, si në dorëshkrimet hebraike, edhe në ato greke. A e përdornin Jezui e dishepujt emrin hyjnor kur flitnin e kur shkruanin? Duke pasur parasysh që Jezui i dënoi traditat e farisenjve (Mt 15:1-9), do të ishte tepër e paarsyeshme të nxirrnim përfundimin se ai dhe dishepujt lejuan që idetë e farisenjve (të dokumentuara te Mishna) t’i udhëhiqnin në këtë çështje. Vetë emri i Jezuit do të thotë «Jehovai është shpëtim». Ai pohoi: «Unë erdha në emër të Atit tim» (Gjo 5:43); i mësoi dishepujt të luteshin «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt» (Mt 6:9); tha se veprat i bënte «në emër të Atit» (Gjo 10:25) dhe, kur u lut natën para se të vdiste, tha se ua kishte shfaqur emrin e Atit dishepujve dhe i bëri këtë kërkesë: «Atë i shenjtë, ruaji për hir të emrit tënd.» (Gjo 17:6, 11, 12, 26) E gjithë kjo tregon se, kur Jezui citonte ose lexonte nga Shkrimet Hebraike, me siguri e përdorte emrin hyjnor, Jehova. (Krahaso Mt 4:4, 7, 10 me Lp 8:3; 6:16; 6:13; gjithashtu Mt 22:37 me Lp 6:5; dhe Mt 22:44 me Ps 110:1; si edhe Lu 4:16-21 me Is 61:1, 2.) Logjikisht, edhe dishepujt e Jezuit, përfshirë shkrimtarët e frymëzuar të Shkrimeve të Krishtere Greke, do ta ndiqnin shembullin e tij.
Atëherë pse mungon emri në dorëshkrimet ekzistuese të Shkrimeve të Krishtere Greke ose në atë që quhet Dhiata e Re? Siç duket, ngaqë në kohën kur u bënë kopjet që kemi sot (nga shekulli i tretë i e.s. e më tej), teksti origjinal i shkrimeve të apostujve dhe të dishepujve tashmë ishte ndryshuar. Kështu që kopistët e mëvonshëm pa dyshim e zëvendësuan emrin hyjnor në formën e Tetragramit me Kírios dhe Theós. (FIGURA, vëll. 1, f. 324 në botimin anglisht) Faktet tregojnë se është bërë pikërisht kjo gjë në kopjet e mëvonshme të përkthimit të Septuagintës të Shkrimeve Hebraike.
Rivendosja e emrit hyjnor në përkthim. Duke pranuar se duhet të ketë qenë kështu, disa përkthyes e kanë përfshirë emrin Jehova në përkthimet e Shkrimeve të Krishtere Greke. The Emphatic Diaglott, përkthim i shekullit të 19-të nga Benxhamin Uillsoni, e ka emrin Jehova disa herë, veçanërisht aty ku shkrimtarët e krishterë citonin nga Shkrimet Hebraike. Por, që në vitin 1533, në një përkthim nga Anton Margarita, Tetragrami tashmë kishte filluar të dilte në përkthimet e Shkrimeve të Krishtere në hebraisht. Që atëherë, në shumë përkthime të tjera në hebraisht, përkthyesit e vinin Tetragramin në ato vende ku shkrimtari i frymëzuar citonte një pjesë nga Shkrimet Hebraike që përmbante emrin hyjnor.
Disa nga përkthimet e shumta të Shkrimeve të Krishtere Greke ku është përdorur emri hyjnor:
I ndjeri R. B. Gërdëlstoni, ish-drejtori i Wycliffe Hall, Oksford, pranoi se kjo mënyrë të vepruari është e përshtatshme. Këtë pohim e bëri para se të dilnin në dritë dëshmitë e dorëshkrimeve që tregonin se në fillim emri Jehova ndodhej në Septuagintën greke. Ai tha: «Nëse në këtë përkthim [të Septuagintës] do të ishte ruajtur fjala [Jehova], ose do të ishte përdorur një fjalë greke për Jehova e një tjetër për Adonai, me siguri e njëjta gjë do të kishte vazhduar edhe në fjalimet dhe argumentimet e Dhiatës së Re. Prandaj, kur Zotëria ynë citoi Psalmin 110, mund të ketë thënë ‘Jehovai i tha Adonit’ në vend të ‘Zotëria i tha Zotërisë tim’.»
Duke vazhduar mbi këtë bazë (që tani dëshmitë tregojnë se ka qenë fakt konkret), ai shton: «Ta zëmë se një studiues i krishterë do të përkthente në hebraisht Dhiatën Greke; sa herë të haste fjalën Κύριος do t’i duhej të shihte me kujdes nëse në kontekst kishte diçka që tregonte ekuivalentin e vërtetë të kësaj fjale në hebraisht. Kjo vështirësi do të lindte edhe gjatë përkthimit të Dhiatës së Re në çdo gjuhë edhe po të ishte ruajtur fjala Jehova në Dhiatën e Vjetër [në përkthimin e Septuagintës]. Udhërrëfyese për shumë vargje do të ishin Shkrimet Hebraike. Kështu, sa herë që del shprehja ‘engjëlli i Zotërisë’ e dimë se fjala Zotëri përfaqëson Jehovain; në një përfundim të ngjashëm do të arrinim edhe për shprehjen ‘fjala e Zotërisë’ po të ndiqej standardi i vendosur nga Dhiata e Vjetër; e njëjta gjë mund të thuhet edhe për titullin ‘Zotëria i ushtrive’. Nga ana tjetër, sa herë që del shprehja ‘Zotëria im’ ose ‘Zotëria ynë’, duhet të dimë se fjala Jehova do të ishte e papranueshme dhe do të duhej të përdorej Adonai ose Adoni.» (Synonyms of the Old Testament, 1897, f. 43) Pikërisht mbi këtë bazë kanë vazhduar përkthimet e Shkrimeve Greke (të përmendura më lart), në të cilat gjendet emri Jehova.
Megjithatë, Përkthimi Bota e Re, i përdorur gjithandej në këtë botim, është i jashtëzakonshëm në këtë aspekt, pasi emri hyjnor në formën «Jehova» del 237 herë në Shkrimet e Krishtere Greke. Siç është treguar, për këtë ka baza të forta.
Përdorimi i hershëm i emrit dhe kuptimi i tij. Dalja 3:13-16 dhe 6:3 shpesh zbatohen gabim kur thuhet se emri i Jehovait iu bë i njohur për herë të parë Moisiut njëfarë kohe para Daljes nga Egjipti. Është e vërtetë se Moisiu ngriti pyetjen: «Ta zëmë se vajta te bijtë e Izraelit dhe u thashë: ‘Perëndia i paraardhësve tuaj më ka dërguar te ju.’ Çfarë t’u them nëse më pyesin: ‘Si e ka emrin?’» Kjo nuk do të thotë se ai ose izraelitët nuk e dinin emrin e Jehovait. Vetë emri i nënës së Moisiut, Jokebeda, ndoshta do të thotë «Jehovai është lavdi». (Da 6:20) Ka të ngjarë që pyetja e Moisiut të lidhej me rrethanat ku ndodheshin bijtë e Izraelit. Ata kishin qenë në skllavëri të rëndë për mjaft dekada, pa asnjë shenjë lehtësimi. Ka shumë mundësi që të ishin të dobët në besim, të shkurajuar e të kishin dyshime te fuqia dhe qëllimi i Perëndisë për t’i çliruar. (Shih edhe Ezk 20:7, 8.) Prandaj, nëse Moisiu do t’u thoshte thjesht se kishte ardhur në emër të «Perëndisë» (ʼElohím ) ose «Zotërisë Sovran» (ʼAdhonái ) mund të mos kishte dhe aq kuptim për izraelitët që po vuanin. Ata e dinin se egjiptianët kishin perënditë dhe zotërinjtë e tyre dhe pa dyshim që i dëgjonin egjiptianët t’i tallnin se perënditë e tyre ishin më të larta se Perëndia i Izraelit.
Përveç kësaj, duhet të mbajmë parasysh se në atë kohë emrat kishin vërtet kuptim dhe nuk ishin thjesht etiketa për të identifikuar individët si sot. Moisiu e dinte se emri i Abramit [që do të thotë «ati është i lartë (i lartësuar)»] ndryshoi në Abraham [që do të thotë «atë i një shumice (turme)»], për shkak të qëllimit që kishte Perëndia për Abrahamin. Po ashtu, emri i Sarajës u ndryshua në Sara dhe emri i Jakobit u bë Izrael; në secilin rast ndryshimi tregonte diçka themelore dhe profetike rreth qëllimit të Perëndisë për ta. Moisiu fare mirë mund të ketë menduar se tani Jehovai do t’i tregonte ndonjë emër të ri për veten që të hidhte dritë mbi qëllimin e Tij për Izraelin. Vajtja e Moisiut tek izraelitët në «emër» të Atij që e dërgoi, nënkuptonte se ishte përfaqësuesi i Atij dhe se shkalla e autoritetit me të cilën do të fliste, do të përcaktohej ose do të ishte në lartësinë e atij emri dhe të asaj që përfaqësonte. (Krahaso Da 23:20, 21; 1Sa 17:45.) Kështu që pyetja e Moisiut ishte plot kuptim.
Përgjigjja e Perëndisë në hebraisht ishte ʼEhjéh ʼAshér ʼEhjéh. Disa e përkthejnë këtë shprehje: «UNË JAM AI QË JAM.» Gjithsesi duhet theksuar se folja hebraike hajáh, nga e cila vjen fjala ʼEhjéh, nuk do të thotë thjesht «jam», përkundrazi ka kuptimin «bëhem». Me këto fjalë Perëndia nuk po tregonte se vetekziston; po shpjegonte atë që ka ndër mend të bëhet për të tjerët. Prandaj, Përkthimi Bota e Re me të drejtë e përkthen kështu shprehjen e mësipërme hebraike: «UNË DO TË BËHEM ÇDO GJË QË DUA TË BËHEM.» Më pas Jehovai shtoi: «Ja çfarë do t’u thuash bijve të Izraelit: ‘UNË DO TË BËHEM më ka dërguar te ju.’»—Da 3:14, shën., NW.
Kjo nuk do të thoshte se emri i Perëndisë kishte ndryshuar, por jepte më shumë kuptueshmëri për personalitetin e tij, siç tregon më tej: «Ja çfarë do t’u thuash bijve të Izraelit: ‘Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit, më ka dërguar te ju.’ Ky është emri im në jetë të jetëve, dhe me të do të kujtohem brez pas brezi.» (Da 3:15; krahaso Ps 135:13; Ho 12:5.) Emri Jehova vjen nga folja hebraike që do të thotë «të bëhet», dhe sipas disa studiuesve ka kuptimin «Ai shkakton të bëhet». Ky përkufizim i përshtatet më së miri rolit të Jehovait si Krijuesi i të gjitha gjërave dhe Përmbushësi i qëllimit të tij. Vetëm Perëndia i vërtetë mund ta mbajë me të drejtë dhe pa diskutim këtë emër.
Kjo na ndihmon të kuptojmë çfarë donte t’i thoshte më pas Jehovai Moisiut me fjalët: «Unë jam Jehovai. Abrahamit, Isakut dhe Jakobit i shfaqesha si Perëndi i Plotfuqishëm, por me emrin tim, Jehova, nuk u bëra plotësisht i njohur për ta.» (Da 6:2, 3) Përderisa patriarkët, paraardhësit e Moisiut, e kishin përdorur shumë herë emrin e Jehovait, është e qartë se Perëndia po thoshte se nuk u kishte treguar domethënien e plotë të emrit Jehova. Le ta ilustrojmë. Ata që e kishin njohur Abramin, zor se mund të thoshin se e kishin njohur vërtet me emrin Abraham, [që do të thotë «atë i një shumice (turme)»], sepse kishte vetëm një djalë, Ismaelin. Kur lindën Isaku dhe bijtë e tjerë, e kur ata vetë patën pasardhës, emri Abraham mori më tepër kuptim, ose peshë. Po ashtu, emri Jehova tani do të merrte kuptim më të gjerë për izraelitët.
Prandaj «të njohësh» nuk do të thotë medoemos vetëm të kesh njohuri ose të jesh në dijeni për dikë a diçka. Nabali i marrë e dinte emrin e Davidit, e prapë pyeti «Kush është Davidi?» ose me fjalë të tjera «E kush e njeh?» (1Sa 25:9-11; krahaso 2Sa 8:13.) Edhe faraoni i kishte thënë Moisiut: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij, dhe ta lë Izraelin të shkojë?! Unë s’e njoh fare Jehovain, dhe s’kam për ta lënë Izraelin të shkojë!» (Da 5:1, 2) Me sa duket, faraoni po thoshte se nuk e njihte Jehovain si Perëndinë e vërtetë, se Jehovai s’kishte aspak autoritet mbi mbretin e Egjiptit dhe punët e tij dhe se nuk kishte aspak fuqi që të zbatonte vullnetin e Tij të shpallur nga Moisiu e Aaroni. Por tani, faraoni, i gjithë Egjipti dhe izraelitët do ta njihnin kuptimin e vërtetë të atij emri, pra kë përfaqësonte. Siç i tregoi Jehovai Moisiut, kjo do të ndodhte kur të përmbushte qëllimin e Tij për Izraelin, duke i çliruar, duke u dhënë Tokën e Premtuar dhe duke plotësuar kështu besëlidhjen e Tij me paraardhësit e tyre. Në këtë mënyrë do të ndodhte siç kishte thënë Perëndia: «Ju do ta merrni vesh që unë jam Jehovai, Perëndia juaj.»—Da 6:4-8; shih PLOTFUQISHËM, (I).
Ja pse profesori i hebraishtes, D. H. Uiri, me të drejtë thotë se ata që pohojnë se emri i Jehovait u bë i njohur për herë të parë te Dalja 6:2, 3 «nuk i kanë studiuar [këto vargje] në dritën e shkrimeve të tjera; përndryshe do ta kishin dalluar se me fjalën emër nuk duhen kuptuar dy rrokjet që përbëjnë fjalën Jehova, por ideja që shpreh emri. Kur lexojmë tek Isaia, k. lii. 6 ‘prandaj populli im do të njohë emrin tim’, te Jeremia, k. xvi. 21 ‘ata kanë për ta marrë vesh se emri im është Jehova’ ose te Psalmet, Ps. ix. [10, 16] ‘ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti’, e kuptojmë menjëherë se të njohësh emrin e Jehovait nuk do të thotë thjesht të dish katër shkronjat me të cilat përbëhet. Do të thotë të kuptosh nga përvoja se Jehovai është vërtet ashtu siç e tregon qartë emri i tij (Krahaso edhe Is. xix. 20, 21; Ezk. xx. 5, 9; xxxix. 6, 7; Ps. lxxxiii. [18]; lxxxix. [16]; 2 Kr. vi. 33.)».—The Imperial Bible-Dictionary, vëll. I, f. 856, 857.
Çifti i parë njerëzor e njihte emrin. Emri Jehova nuk iu tregua Moisiut në fillim, sepse me siguri që njeriu i parë e njihte. Në Shkrimet e Shenjta, emri del për herë të parë te Zanafilla 2:4, pas tregimit për veprat krijuese të Perëndisë, ku thuhet se Krijuesi i qiejve dhe i tokës është «Perëndia Jehova». Është e arsyeshme të besojmë se Perëndia Jehova ta ketë vënë në dijeni Adamin për historinë e krijimit, ndonëse kjo nuk përmendet te Zanafilla, ashtu siç nuk thuhet shkoqur që Jehovai t’i ketë treguar Adamit, pasi u zgjua, nga erdhi Eva. Megjithatë, fjalët e Adamit kur Jehovai i dha Evën tregojnë se e dinte si e kishte krijuar Perëndia nga vetë trupi i tij. (Zn 2:21-23) Me siguri Jehovai ka komunikuar mjaft me birin e tij tokësor, ndonëse kjo pjesë nuk është përfshirë në tregimin e shkurtër të Zanafillës.
Eva është njeriu i parë për të cilin thuhet specifikisht se ka përdorur emrin hyjnor. (Zn 4:1) Pa dyshim e mësoi këtë emër nga burri dhe kreu i saj, Adami, prej të cilit kishte mësuar edhe urdhrin e Perëndisë për pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes (ndonëse, sërish Shkrimet nuk e thonë hapur se Adami ia dha këtë informacion).—Zn 2:16, 17; 3:2, 3.
Siç tregohet në artikullin ENOSI, kur zunë «të thërritnin emrin e Jehovait» në kohën e nipit të Adamit, Enosit, është e qartë që nuk e thërritnin me besim dhe në një mënyrë që Perëndia e miratonte. Themi kështu sepse, nga Abeli te Noeja, është dokumentuar se vetëm biri i Jaredit, Enoku (jo Enosi), ‘eci me Perëndinë e vërtetë’ në besim. (Zn 4:26; 5:18, 22-24; He 11:4-7) Me anë të Noesë e të familjes së tij, emri hyjnor mbijetoi pas Përmbytjes dhe pas Kullës së Babelit, kur njerëzit u shpërndanë, dhe arriti deri te patriarku Abraham e te pasardhësit e tij.—Zn 9:26; 12:7, 8.
Personi që identifikohet me këtë emër. Jehovai është Krijuesi i të gjitha gjërave, Shkaku i Parë i gjithçkaje; i vetmi që nuk është i krijuar, që nuk ka fillim. (Zb 4:11) «Vitet e tij as që mund të numërohen.» (Jb 36:26) Është e pamundur të përcaktosh moshën e tij, pasi nuk ka fillim. Ndonëse nuk ka moshë, quhet me të drejtë «i Lashti i Ditëve», sepse ekzistenca e tij shtrihet pafundësisht në të kaluarën. (Dn 7:9, 13) Gjithashtu, e ardhmja e tij është e pafund (Zb 10:6), pasi është i paprishshëm, i pavdekshëm. Prandaj quhet ‘Mbreti i përjetësisë’ (1Ti 1:17), për të cilin një mijë vjet janë veçse pak orë, si ndërresa e rojës gjatë natës.—Ps 90:2, 4; Jr 10:10; Ha 1:12; Zb 15:3.
Pavarësisht se nuk ka fillim a fund, Perëndia Jehova ka ndikuar jashtëzakonisht në histori, pasi e paraqit veten në periudha, në vende, me persona dhe në ngjarje specifike. Ai ka vepruar me njerëzimin sipas një kohe specifike. (Zn 15:13, 16; 17:21; Da 12:6-12; Ga 4:4) Ekzistenca e tij e përjetshme është e pamohueshme dhe është e vërteta më themelore në univers, prandaj për të garantuar se premtimet dhe profecitë e tij janë absolutisht të sigurta, është betuar me fjalët: «Siç është e vërtetë që unë rroj.» (Jr 22:24; So 2:9; Nu 14:21, 28; Is 49:18) Edhe njerëzit u betuan në bazë të ekzistencës së Jehovait. (Gjy 8:19; Ru 3:13) Vetëm të pamendët thonë: «S’ka Jehova.»—Ps 14:1; 10:4.
Përshkrime të pranisë së tij. Meqë është Frymë, përtej aftësisë së njeriut për ta parë (Gjo 4:24), çdo përshkrim i pamjes së tij me terma njerëzorë na jep vetëm një ide të vagët të lavdisë së tij të pakrahasueshme. (Is 40:25, 26) Ndonëse nuk e panë vërtet Krijuesin (Gjo 1:18), disa shërbëtorë të tij morën vegime të frymëzuara të oborreve qiellore. Përshkrimi që i bënë pranisë së tij, tregon jo vetëm dinjitet të madh dhe madhështi mbresëlënëse, por edhe qetësi, rregull, bukuri e hijeshi.—Da 24:9-11; Is 6:1; Ezk 1:26-28; Dn 7:9; Zb 4:1-3; shih edhe Ps 96:4-6.
Siç e shikojmë, në këto përshkrime përdoren metafora e similituda, të cilat e krahasojnë pamjen e Jehovait me gjëra të njohura për njerëzit—xhevahire, zjarr, ylber. Madje, ai është përshkruar si të kishte tipare njerëzore. Edhe pse disa studiues i bëjnë objekt debati të ashtuquajturat shprehje antropomorfe që përdoren në Bibël—si «sytë», «veshët», «fytyra» (1Pj 3:12), ‘krahu’ (Ezk 20:33), ‘dora e djathtë’ e Perëndisë (Da 15:6) e të tjera—është e qartë se shprehje të tilla janë të nevojshme që njerëzit ta kuptojnë përshkrimin. Nëse Perëndia Jehova do të na e përshkruante veten me terma të përshtatshëm për krijesat qiellore, do të ishte sikur t’i jepje ekuacione të avancuara algjebrike personave që kanë vetëm njohuri elementare në matematikë, ose sikur të përpiqeshe t’i shpjegoje ngjyrat dikujt që ka lindur i verbër.—Jb 37:23, 24.
Prandaj, të ashtuquajturit antropomorfizma nuk duhen marrë kurrë në kuptimin e mirëfilltë, njësoj siç nuk merren as shprehje të tjera metaforike për Perëndinë, si «diell», «mburojë» ose ‘Shkëmb’. (Ps 84:11; Lp 32:4, 31) Shikimi i Jehovait (Zn 16:13), ndryshe nga i njeriut, nuk varet nga rrezet e dritës; ai mund të shohë edhe veprat që bëhen në errësirë të plotë. (Ps 139:1, 7-12; He 4:13) Sytë e tij shohin në gjithë tokën (Pr 15:3) dhe ai s’ka nevojë për ndonjë pajisje të veçantë për të parë embrionin që rritet brenda barkut të njeriut. (Ps 139:15, 16) Po ashtu, dëgjimi i tij nuk varet nga valët e zërit në atmosferë, pasi ai mund «të dëgjojë» edhe fjalët e pathëna të zemrës. (Ps 19:14) Universi fizik është kaq i paanë, saqë njeriu nuk ia përcakton dot saktë përmasat. Prapëseprapë, qiejt fizikë nuk e mbajnë ose nuk e rrokin dot vendin ku banon Perëndia, e aq më pak ndonjë banesë a tempull në tokë. (1Mb 8:27; Ps 148:13) Me anë të Moisiut, Jehovai e paralajmëroi specifikisht kombin e Izraelit të mos bënte shëmbëlltyra të Tij në formën e një mashkulli ose të ndonjë gjëje tjetër të krijuar. (Lp 4:15-18) Luka dokumenton se Jezui i dëbonte demonët «me anë të gishtit të Perëndisë», kurse Mateu shpjegon se me këtë shprehje Jezui po i referohej «frymës së Perëndisë», ose forcës vepruese.—Lu 11:20; Mt 12:28; krahaso Jr 27:5 dhe Zn 1:2.
Cilësitë e tij duken në krijim. Disa tipare të personalitetit të tij, Jehovai i bëri të dukshme në veprat krijuese që para se të krijonte njeriun. (Ro 1:20) Vetë krijimi është tregues i dashurisë së tij, pasi Jehovai është i plotë në vetvete, nuk i mungon gjë. Prandaj, ndonëse krijoi qindra milionë engjëj, as edhe një prej tyre nuk mund t’i shtonte diçka njohurisë së tij, as t’i shtonte Atij ndonjë ndjenjë ose cilësi të pëlqyeshme që tashmë s’e kishte në shkallën më të lartë.—Dn 7:9, 10; He 12:22; Is 40:13, 14; Ro 11:33, 34.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Jehovai nuk kënaqet me krijesat e tij. Njeriu u krijua «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». (Zn 1:27) Ndaj, gëzimi që ndien babai kur fëmija ia shpreh dashurinë dhe sillet me mençuri, pasqyron gëzimin që ndien Jehovai kur krijesat e tij me intelekt e duan dhe i shërbejnë me mençuri. (Pr 27:11; Mt 3:17; 12:18) Jehovai nuk gëzohet për shkak të ndonjë përfitimi material, por gëzohet kur sheh se krijesat e veta u përmbahen me dëshirë normave të tij të drejta dhe janë altruiste e bujare. (1Kr 29:14-17; Ps 50:7-15; 147:10, 11; He 13:16) Përkundrazi, Jehovai ‘hidhërohet në zemër’ për shkak të atyre që marrin rrugë të gabuar dhe përbuzin dashurinë e tij, që i sjellin sharje emrit të tij e vuajtje mizore të tjerëve.—Zn 6:5-8; Ps 78:36-41; He 10:38.
Jehovai kënaqet edhe kur ushtron fuqinë, në krijim a në diçka tjetër, sepse veprat e tij kanë gjithmonë qëllim të caktuar dhe motiv të mirë. (Ps 135:3-6; Is 46:10, 11; 55:10, 11) Si Dhënësi Bujar ‘i çdo dhurate të mirë dhe i çdo gjëje të përsosur’, atij i kënaqet zemra kur i bekon bijtë e bijat besnike. (Jk 1:5, 17; Ps 35:27; 84:11, 12; 149:4) Edhe pse është Perëndi i ngrohtë e me ndjenja, lumturia e tij nuk varet aspak nga krijesat e veta dhe as i sakrifikon parimet e drejta për hir të sentimentalizmit.
Jehovai tregoi dashuri edhe kur i besoi Birit të parë frymor privilegjin të bashkëpunonte në të gjitha veprat e tjera të krijimit, si në ato frymore edhe fizike, dhe bujarisht e bëri të njohur këtë gjë, e cila i solli nderim të Birit. (Zn 1:26; Kl 1:15-17) Jehovai nuk iu frikësua një konkurrence të mundshme, përkundrazi ishte plotësisht i sigurt se kishte të drejtën për të qenë Sovrani (Da 15:11), siç ishte i sigurt edhe për besnikërinë e përkushtimin e të Birit. Ai u jep njëfarë lirie bijve engjëllorë kur përmbushin përgjegjësitë, madje me raste i lejon të sugjerojnë si t’i përmbushin caktimet.—1Mb 22:19-22.
Siç e theksoi apostulli Pavël, cilësitë e padukshme të Jehovait duken edhe te krijimi fizik. (Ro 1:19, 20) Fuqia e tij e pakufishme tejkalon imagjinatën; galaktikat e stërmëdha me miliarda yje janë veçse ‘vepër e gishtërinjve të tij’ (Ps 8:1, 3, 4; 19:1) dhe mençuria që ka treguar është kaq e pashtershme, sa edhe pas mijëra vitesh studimi e kërkimi, kuptueshmëria e njeriut për krijimin fizik është si një ‘pëshpërimë’ në krahasim me bubullimën e fuqishme. (Jb 26:14; Ps 92:5; Ek 3:11) Kur krijoi planetin Tokë, Jehovai ndoqi një program specifik që dallohet për radhën logjike (Zn 1:2-31), duke e bërë tokën—siç e quanin astronautët e shekullit të 20-të—një xhevahir në hapësirë.
I bëhet i njohur njeriut në Eden. Cilat cilësi të tij u tregoi Jehovai fëmijëve të parë njerëzorë? Adami i përsosur me siguri do të ishte dakord me fjalët që tha më vonë psalmisti: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.» (Ps 139:14) Adami, duke filluar nga vetë trupi i tij—me aftësi jashtëzakonisht komplekse krahasuar me krijesat e tjera në tokë—e deri te gjërat që shihte përreth, kishte çdo arsye të ndiente nderim të thellë për Krijuesin. Çdo zog, kafshë a peshk; çdo bimë, lule a pemë; çdo fushë, pyll, kodër, luginë a përrua që sodiste, do t’i linte gjurmë të pashlyeshme të mençurisë së pafund dhe të personalitetit të larmishëm të Jehovait që pasqyroheshin në shumëllojshmërinë e madhe të veprave krijuese. (Zn 2:7-9; krahaso Ps 104:8-24.) Falë të gjitha shqisave që kishte—të parit, të dëgjuarit, të shijuarit, të nuhaturit e të prekurit—një mendjemprehtë si ai do ta kuptonte qartë se ekzistonte një Krijues tejet bujar e i kujdesshëm.
Nuk u harruan as nevojat intelektuale të Adamit, si nevoja për të biseduar e për shoqëri, pasi Ati i siguroi një plotësuese, një grua me intelekt. (Zn 2:18-23) Fare mirë të dy mund t’i kenë kënduar Jehovait si psalmisti: «Kur jam para teje, ngopem me gëzim. Në të djathtën tënde gjithnjë gjen ëndje.» (Ps 16:8, 11) Meqë Jehovai kishte derdhur kaq shumë dashuri tek Adami dhe Eva, me siguri duhet ta kenë ditur se «Perëndia është dashuri», burimi dhe shembulli suprem i dashurisë.—1Gjo 4:16, 19.
Ç’është më e rëndësishmja, Perëndia Jehova plotësoi nevojën e njeriut që të mësonte për Të. Ati iu bë i njohur Adamit, birit njerëzor, kur komunikoi me të dhe i dha caktime shërbimi. Përmbushja e këtyre caktimeve duke iu bindur, do të ishte pjesë themelore e adhurimit të tij.—Zn 1:27-30; 2:15-17; krahaso Am 4:13.
Perëndi me standarde morale. Që në fillim njeriu e njohu Jehovain jo vetëm si Sigurues të mençur e bujar, por edhe si Perëndi me moral, i cili u përmbahet normave, ose standardeve, të caktuara për sa i përket së drejtës dhe së gabuarës. Nëse Adami e dinte historinë e krijimit, atëherë e dinte edhe se Jehovai kishte standarde hyjnore, pasi te Zanafilla thuhet se Jehovai pa që vepra e tij e krijimit «ishte shumë mirë», duke përmbushur kështu standardet e tij të përsosura.—Zn 1:3, 4, 12, 25, 31; krahaso Lp 32:3, 4.
Pa standarde nuk do të përcaktohej a gjykohej dot e mira nga e keqja ose nuk do të matej a dallohej dot sa e saktë apo sa e shkëlqyer është diçka. Për të kuptuar më shumë në këtë drejtim, na ndihmon ajo që thotë një enciklopedi (Encyclopædia Britannica, 1959, vëll. 21, f. 306, 307).
«Arritjet e njeriut [për sa i përket vënies së standardeve] . . . janë krejt të papërfillshme kur krahasohen me standardet në natyrë. Yjësitë, orbitat e planetëve, vetitë normale e të pandryshueshme të elementeve fizike, si: përcjellshmëria, përkulshmëria, elasticiteti, fortësia, depërtueshmëria, përthyeshmëria, fuqia a viskoziteti . . . ose struktura e qelizave, janë vetëm disa shembuj të jashtëzakonshëm standardizimi në natyrë.»
E njëjta vepër tregon sa i rëndësishëm është ky standardizim në krijimin fizik: «Vetëm nëpërmjet standardizimit në natyrë mund të njohim e të klasifikojmë . . . llojet e shumta të bimëve, të peshqve, të zogjve dhe të kafshëve. Brenda këtyre llojeve, secili ngjan me tjetrin në hollësitë më të imëta të strukturës, të funksionit dhe të zakoneve përkatëse. [Krahaso Zn 1:11, 12, 21, 24, 25.] Po të mos ekzistonte ky standardizim në trupin e njeriut, mjekët nuk do ta dinin nëse dikush i ka të gjitha organet dhe ku ndodhen. . . . Në fakt, pa standardizime në natyrë, nuk do të kishte as shoqëri të organizuar, as arsimim e as mjekë; të gjitha këto varen nga veçoritë themelore të ngjashme me njëra-tjetrën.»
Adami pa se veprat krijuese të Jehovait ishin shumë të qëndrueshme. Për shembull, cikli i rregullt i ditës e i natës, rrjedha e vazhdueshme e lumit Eden për shkak të gravitetit dhe gjëra të tjera të panumërta jepnin prova se Krijuesi i Tokës nuk është Perëndi i kaosit, por i rregullit. (Zn 1:16-18; 2:10; Ek 1:5-7; Jr 31:35, 36; 1Ko 14:33) Natyrisht, kjo e ndihmonte njeriun t’i përmbushte caktimet (Zn 1:28; 2:15), pasi mund të planifikonte e të punonte i sigurt e pa ankth.
Duke pasur parasysh gjithë këtë, një njeriu me intelekt vështirë t’i jetë dukur e çuditshme që Jehovai të vinte standarde për sjelljen dhe marrëdhëniet me Krijuesin e tij. Veprat mjeshtërore e të shkëlqyera të Jehovait i lanë shembullin Adamit si ta punonte Edenin e si të kujdesej për të. (Zn 2:15; 1:31) Gjithashtu, Adami mësoi standardin e Jehovait për martesën, pra për monogaminë, dhe për lidhjet familjare. (Zn 2:24) Sidomos u theksua se standardi i bindjes ndaj udhëzimeve të Perëndisë ishte thelbësor për të jetuar. Meqë Adami ishte i përsosur, standardi që Jehovai vendosi për të ishte bindja e përsosur. Jehovai i dha birit tokësor mundësinë të tregonte dashuri e përkushtim, duke iu bindur urdhrit të Tij për të mos ngrënë nga një prej pemëve të shumta frutore në Eden. (Zn 2:16, 17) Ishte urdhër i thjeshtë. Edhe Adami jetonte në rrethana të thjeshta, pa ndërlikimet e vështirësitë e sotme. Mençuria e Jehovait në këtë provë të thjeshtë u theksua te fjalët e Jezu Krishtit rreth 4.000 vjet më vonë: «Kush është i besueshëm në gjëra të vogla, është i besueshëm edhe në të mëdha dhe kush është i padrejtë në gjëra të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdha.»—Lu 16:10.
Njeriu nuk do ta shijonte më pak jetën për shkak të rregullsisë dhe të standardeve, përkundrazi, do ta shijonte më tepër. Në artikullin për standardet, enciklopedia e përmendur më lart thotë për krijimin fizik: «Me gjithë këtë dëshmi marramendëse standardesh, askush nuk mund të thotë se natyra është monotone. Edhe pse spektri është një shirit i ngushtë me gjatësi valësh, larmia dhe kombinimet e ngjyrave të tij të kënaqin syrin dhe janë thuajse të pafundme. Edhe muzika arrin në veshin tonë përmes një grupi tjetër të vogël frekuencash.» (Vëll. 21, f. 307) Po njësoj, kërkesat e Perëndisë për çiftin e parë njerëzor u jepnin gjithë lirinë që mund të dëshironte një zemër e drejtë. Nuk kishte pse të kufizoheshin me shumë ligje e rregulla. Falë shembullit të dashurisë që u la Krijuesi dhe respektit e dashurisë që kishin për të, nuk do t’i kapërcenin kufijtë e duhur të lirisë.—Krahaso 1Ti 1:9, 10; Ro 6:15-18; 13:8-10; 2Ko 3:17.
Kështu, Perëndia Jehova, nëpërmjet personalitetit, udhëve e fjalëve të tij, tregoi se ishte dhe është Standardi Më i Lartë për gjithë universin, përkufizimi dhe burimi i çdo mirësie. Ja pse kur Biri i tij ishte në tokë, i tha një burri: «Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.»—Mr 10:17, 18; edhe Mt 19:17; 5:48.
Shfajësimi i sovranitetit dhe shenjtërimi i emrit. Çdo gjë që lidhet me Perëndinë është e shenjtë; emri i tij, Jehova, është i shenjtë e duhet të shenjtërohet. (Le 22:32) Të shenjtërosh do të thotë «të bësh të shenjtë, të ndash veç ose ta mbash si të shenjtë». Prandaj, asgjë e shenjtë nuk duhet përdorur si e zakonshme. (Is 6:1-3; Lu 1:49; Zb 4:8; shih SHENJTËRIMI.) Për shkak të Personit që përfaqëson, emri i Jehovait është ‘i madh e të ngjall frikë’ (Ps 99:3, 5), «i madhërishëm» dhe «aq i lartë sa s’arrihet dot» (Ps 8:1; 148:13), i denjë të nderohet thellë (Is 29:23).
Përdhosja e emrit. Dëshmitë tregojnë se emri hyjnor konsiderohej i shenjtë deri kur u përdhos në Eden. Satanai vuri në diskutim reputacionin e Perëndisë kur u rebelua. Ai pretendoi se foli në emër të Perëndisë kur i tha Evës: «Perëndia e di.» Në të njëjtën kohë ngriti dyshime për urdhrin që Perëndia i tha Adamit për pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes. (Zn 3:1-5) Meqë u caktua në mënyrë hyjnore dhe meqë ishte kreu tokësor përmes të cilit Jehovai i jepte udhëzime familjes njerëzore, Adami ishte përfaqësuesi i Tij në tokë. (Zn 1:26, 28; 2:15-17; 1Ko 11:3) Ata që shërbejnë në këtë rol, ‘shërbejnë në emër të Jehovait’ dhe ‘flasin në emër të tij’. (Lp 18:5, 18, 19; Jk 5:10) Prandaj, duke mos iu bindur, Eva e përdhosi emrin e Jehovait, ndërsa Adami tregoi veçanërisht mungesë të thellë respekti për emrin që përfaqësonte.—Krahaso 1Sa 15:22, 23.
Çështja supreme është çështje morale. Është e qartë se biri engjëllor, që u bë Satana, e njihte Jehovain si Perëndi me standarde morale, jo si tekanjoz e të paqëndrueshëm. Po ta kishte njohur Jehovain si Perëndi që shpërthen në zemërim të pakontrolluar e të dhunshëm, s’mund të kishte pritur veçse të shfarosej në vend, sa hap e mbyll sytë, për udhën që mori. Prandaj, çështja që Satanai ngriti në Eden, nuk vuri në provë fuqinë e Jehovait, pra fuqinë e tij shkatërruese. Përkundrazi, ishte çështje morale: e drejta morale e Perëndisë që të ushtrojë sovranitet universal dhe t’u kërkojë bindje e përkushtim absolut të gjitha krijesave kudo. Kjo duket nga fjalët që i tha Satanai Evës. (Zn 3:1-6) Po njësoj, libri i Jobit tregon si e bën të njohur Jehovai para gjithë asamblesë së bijve engjëllorë se deri ku kishte arritur Kundërshtari i tij me qëndrimin e vet. Satanai pretendoi se Jobi (duke nënkuptuar edhe të gjitha krijesat me intelekt) nuk ishte besnik me gjithë zemër ndaj Jehovait, pra nuk e bazonte besnikërinë në përkushtim të vërtetë dhe në dashuri të sinqertë.—Jb 1:6-22; 2:1-8.
Prandaj, integriteti i krijesave me intelekt ishte çështje dytësore, ose më pak e rëndësishme, që lindi nga çështja kryesore e së drejtës së Perëndisë për të qenë Sovrani i Universit. Do të duhej kohë që të shihej nëse akuzat ishin të vërteta ose të rreme, që të vihej në provë qëndrimi i zemrës i krijesave të Perëndisë, dhe kështu çështja të zgjidhej pa asnjë dyshim. [Krahaso Jb 23:10; 31:5, 6; Ek 8:11-13; He 5:7-9; shih INTEGRITETI; LIGA (E), KEQJA (E).] Pra, Jehovai nuk i ekzekutoi menjëherë as çiftin njerëzor rebel, as birin engjëllor që ngriti çështjen. Në këtë mënyrë do të vinin në ekzistencë dy ‘farat’ e parathëna, të cilat përfaqësojnë dy palët kundërshtare të çështjes.—Zn 3:15.
Kur Jezu Krishti ishte në tokë, çështja nuk ishte zgjidhur ende, dhe kjo doli në pah kur u përball me Satanain në shkretëtirë, pasi Jezui kishte agjëruar për 40 ditë. Siç veproi në Eden rreth 4.000 vjet më parë, Kundërshtari i Jehovait përdori taktika dinake për të tunduar Birin e Perëndisë dhe i ofroi Jezuit mbretëritë e tokës. Kështu u bë e qartë se çështja e sovranitetit universal nuk kishte ndryshuar. (Mt 4:1-10) Libri i Zbulesës tregon se çështja do të vazhdojë derisa Perëndia Jehova ta deklarojë të mbyllur (Krahaso Ps 74:10, 22, 23.) dhe të ekzekutojë gjykimin e drejtë mbi të gjithë kundërshtarët nëpërmjet qeverisjes së drejtë të Mbretërisë, e kështu do të shfajësojë plotësisht sovranitetin e tij e do të shenjtërojë emrin e tij të shenjtë.—Zb 11:17, 18; 12:17; 14:6, 7; 15:3, 4; 19:1-3, 11-21; 20:1-10, 14.
Pse shenjtërimi i emrit të Perëndisë ka rëndësi parësore?
Meqë boshti i gjithë Biblës është shfajësimi i sovranitetit të Jehovait, duket qartë se qëllimi kryesor i Perëndisë Jehova është shenjtërimi i emrit të tij. Që emri i Perëndisë të shenjtërohet, duhet të pastrohet nga çdo sharje. Por, jo vetëm kaq, emrin e tij duhet ta nderojnë e ta shenjtërojnë të gjitha krijesat me intelekt në qiell e në tokë. Kjo do të thotë ta njohin e ta respektojnë me dëshirë pozitën sovrane të Jehovait, t’i shërbejnë e të kënaqen kur bëjnë vullnetin hyjnor, sepse e duan. Lutja që i bëri Davidi Jehovait te Psalmi 40:5-10 e shpreh qartë këtë qëndrim dhe tregon çfarë do të thotë të shenjtërohet vërtet emri i Jehovait. (Shiko si i zbatoi apostulli për Krishtin Jezu disa pjesë nga ky psalm te He 10:5-10.)
Prandaj, nga shenjtërimi i emrit të Jehovait varen rregulli, paqja dhe mirëqenia e gjithë universit dhe e banorëve të tij. Jezui e tregoi këtë kur i mësoi dishepujt t’i luteshin Perëndisë dhe njëkohësisht identifikoi mjetin e Jehovait për të plotësuar qëllimin e tij: «U shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mt 6:9, 10) Ky qëllim kryesor i Jehovait siguron çelësin për të kuptuar arsyen e veprimeve të Perëndisë dhe mënyrën si i ka trajtuar krijesat e tij, siç tregohet në të gjithë Biblën.
Kështu kuptojmë se kombi i Izraelit, historia e të cilit zë një pjesë të madhe të Biblës, u zgjodh si ‘populli i thirrur me emrin’ e Jehovait. (Lp 28:9, 10; 2Kr 7:14; Is 43:1, 3, 6, 7) Sipas besëlidhjes së Ligjit që Jehovai bëri me ta, kishte rëndësi parësore t’i përkushtoheshin vetëm Jehovait si Perëndi dhe të mos e përdornin kot emrin e tij, ‘sepse Jehovai nuk do ta linte pa ndëshkuar atë që e zinte në gojë kot emrin e tij’. (Da 20:1-7; krahaso Le 19:12; 24:10-23.) Kur Jehovai tregoi fuqinë shpëtuese dhe shkatërruese duke e çliruar Izraelin nga Egjipti, emri i tij ‘u shpall në gjithë tokën’; fama e këtij emri e priu Izraelin në udhëtimin drejt Tokës së Premtuar. (Da 9:15, 16; 15:1-3, 11-17; 2Sa 7:23; Jr 32:20, 21) Për këtë, profeti Isaia u shpreh: «Kështu, ti i prive popullit tënd, që t’i bëje vetes një emër të lavdishëm.» (Is 63:11-14) Kur Izraeli u rebelua në shkretëtirë, Jehovai i trajtoi me mëshirë dhe nuk i braktisi. Sidoqoftë tregoi arsyen kryesore për këtë: «U përmbajta për hir të emrit tim, që ai të mos përdhosej para syve të kombeve.»—Ezk 20:8-10.
Përgjatë historisë së kombit, Jehovai u theksoi vazhdimisht rëndësinë e emrit të tij të shenjtë. Ai zgjodhi Jerusalemin, kryeqytetin, me malin Sion ‘ku të thirrej e të banonte emri i tij’. (Lp 12:5, 11; 14:24, 25; Is 18:7; Jr 3:17) Tempulli në Jerusalem ishte ‘shtëpia për emrin e Jehovait’. (1Kr 29:13-16; 1Mb 8:15-21, 41-43) Çfarëdo që ndodhte në tempull ose në qytet, për mirë a për keq, ndikonte automatikisht tek emri i Jehovait, dhe ai i kushtonte vëmendje. (1Mb 8:29; 9:3; 2Mb 21:4-7) Po ta përdhosnin emrin hyjnor, qyteti do të shkatërrohej me siguri, dhe Jehovai do ta flakte tej tempullin. (1Mb 9:6-8; Jr 25:29; 7:8-15; krahaso veprimet dhe fjalët e Jezuit te Mt 21:12, 13; 23:38.) Duke i ditur këto, Jeremia e Danieli iu përgjëruan përvajshëm Jehovait për popullin dhe për qytetin, që t’u tregonte mëshirë e t’i ndihmonte ‘për hir të emrit të tij’.—Jr 14:9; Dn 9:15-19.
Kur paratha se populli që mbante emrin e tij do të rivendosej në Judë e do të pastrohej, Jehovai sërish ua bëri të qartë merakun kryesor: «Mua do të më vijë keq për emrin tim të shenjtë.» «‘Nuk e bëj këtë për ju, o shtëpi e Izraelit, por për emrin tim të shenjtë, të cilin ju e keni përdhosur midis kombeve ku keni shkuar. Unë kam për ta shenjtëruar emrin tim të madh, që u përdhos. . . . Kështu, kur të shenjtërohem midis jush para syve të tyre,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’»—Ezk 36:20-27, 32.
Këto dhe shkrime të tjera tregojnë se Jehovai nuk i jep më tepër rëndësi se ç’duhet njerëzimit. Ngaqë të gjithë jemi mëkatarë, me të drejtë meritojmë vdekjen. Vetëm falë dashamirësisë së pamerituar dhe mëshirës së Perëndisë mund të fitojmë jetën. (Ro 5:12, 21; 1Gjo 4:9, 10) Jehovai nuk i detyrohet asgjë njerëzimit, dhe jeta e përhershme për ata që do ta marrin, do të jetë dhuratë e jo pagë që meritojnë. (Ro 5:15; 6:23; Tit 3:4, 5) Ç’dashuri e pakrahasueshme për njerëzimin! (Gjo 3:16; Ro 5:7, 8) Por, ta shohësh shpëtimin e njerëzimit si çështjen më të rëndësishme ose kriterin me të cilin matet drejtësia dhe shenjtëria e Perëndisë, bie në kundërshtim me Shkrimet dhe është pikëpamje e gabuar. Psalmisti tregoi pikëpamjen e duhur kur u lut me përulësi dhe admirim: «O Jehova, Zotëria ynë, sa i madhërishëm është emri yt në mbarë tokën, lavdia jote tregohet mbi qiejt! . . . Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje dhe biri i njeriut që të kujdesesh për të?!» (Ps 8:1, 3, 4; 144:3; krahaso Is 45:9; 64:8.) Shenjtërimi i emrit të Perëndisë Jehova me të drejtë ka më tepër rëndësi se jeta e gjithë njerëzimit. Siç tregoi Biri i Perëndisë, duhet ta duam të afërmin si veten, por Perëndinë duhet ta duam me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën tonë. (Mr 12:29-31) Kjo do të thotë ta duam Perëndinë Jehova më shumë se të afërmit, miqtë ose vetë jetën tonë.—Lp 13:6-10; Zb 12:11; krahaso qëndrimin e tre hebrenjve te Dn 3:16-18; shih XHELOZ, XHELOZIA.
Kjo pikëpamje e Shkrimeve nuk ka pse të na largojë nga Perëndia i vërtetë, por duhet të na e rritë edhe më shumë vlerësimin për të. Do të ishte plotësisht e drejtë që Jehovai t’i jepte fund gjithë njerëzimit mëkatar por, duke i ruajtur gjallë disa, lartësohet edhe më shumë mëshira e madhe dhe dashamirësia e tij e pamerituar. (Gjo 3:36) Ai nuk kënaqet me vdekjen e të ligut (Ezk 18:23, 32; 33:11), e megjithatë nuk do ta kursejë nga ekzekutimi i gjykimit. (Am 9:2-4; Ro 2:2-9) Tregon durim e shpirtgjerësi që të shpëtojë ata që i binden (2Pj 3:8-10), e prapëseprapë nuk do ta tolerojë përgjithmonë një situatë që i sjell sharje emrit të tij madhështor. (Ps 74:10, 22, 23; Is 65:6, 7; 2Pj 2:3) Ai tregon dhembshuri dhe i kupton dobësitë njerëzore, duke i falur «në masë të madhe» ata që pendohen. (Ps 103:10-14; 130:3, 4; Is 55:6, 7) Megjithatë nuk i shkarkon nga përgjegjësitë për veprimet e tyre dhe nuk i mbron nga pasojat që prekin ata dhe familjet e veta. Ata korrin çfarë mbjellin. (Lp 30:19, 20; Ga 6:5, 7, 8) Pra, Jehovai tregon ekuilibër të shkëlqyer e të përsosur drejtësie dhe mëshire. Ata që kanë pikëpamjen e duhur për gjërat, siç tregohet në Fjalën e tij (Is 55:8, 9; Ezk 18:25, 29-31), nuk do të bëjnë gabimin e rëndë që ta përbuzin dashamirësinë e pamerituar ose ‘të humbin qëllimin e saj’.—2Ko 6:1; He 10:26-31; 12:29.
Cilësi dhe standarde të pandryshueshme. Jehovai i tha popullit të Izraelit: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.» (Ma 3:6) Këtë e pohoi rreth 3.500 vjet pasi krijoi njerëzit dhe rreth 1.500 vjet pasi bëri besëlidhjen abrahamike. Edhe pse disa thonë se Perëndia për të cilin flitet në Shkrimet Hebraike ndryshon nga Perëndia për të cilin foli Jezu Krishti dhe shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke, një shqyrtim i kujdesshëm tregon se ky mendim nuk ka asnjë bazë. Dishepulli Jakov tha me të drejtë për Perëndinë: «Nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit.» (Jk 1:17) Personaliteti i Perëndisë Jehova nuk është «zbutur» gjatë shekujve, pasi nuk ishte e nevojshme. Në Shkrimet e Krishtere Greke ai është po aq i rreptë dhe po aq i dashur sa ishte në fillim me njerëzit në Eden.
Ato që duken si ndryshime të personalitetit, në të vërtetë janë vetëm aspekte të ndryshme të të njëjtit personalitet të pandryshueshëm. Jehovai shfaq qëndrime e vepron në varësi të rrethanave dhe të personave. (Krahaso Is 59:1-4.) Adami dhe Eva ndryshuan, jo Jehovai. Ata zgjodhën një udhë që, sipas standardeve të drejta e të pandryshueshme të Jehovait, i përjashtonte nga familja e tij e dashur universale. Si të përsosur, ishin plotësisht përgjegjës për keqbërjen e qëllimshme (Ro 5:14) që e tejkalonte mëshirën hyjnore. Prapëseprapë, Jehovai u tregoi dashamirësi të pamerituar kur u dha veshje dhe i la të jetonin për shekuj jashtë mbrojtjes që gëzonin në Eden e të kishin pasardhës para se të vdisnin për shkak të zgjedhjes së gabuar. (Zn 3:8-24) Pas dëbimit nga Edeni, me sa duket u ndërpre komunikimi mes Perëndisë dhe çiftit të parë.
Pse u kushton vëmendje njerëzve të papërsosur? Falë standardeve të drejta, Jehovai nuk veproi me pasardhësit e Adamit dhe të Evës si me ata të dy. Pse? Sepse pasardhësit e Adamit e trashëguan mëkatin, domethënë nuk zgjodhën të ishin të papërsosur dhe të prirur drejt së keqes që nga lindja. (Ps 51:5; Ro 5:12) Prandaj, për ta kishte bazë për mëshirë. Profecia e parë (Zn 3:15) kur u shpall gjykimi në Eden, tregoi se Jehovai nuk ishte pezmatuar dhe as i ishte shterur dashuria nga rebelimi i fëmijëve të parë njerëzorë (si edhe i një prej bijve engjëllorë). Ajo profeci tregoi me terma simbolikë se situata që lindi nga rebelimi do të ndreqej dhe se do të rivendoseshin kushtet e përsosura të fillimit. Ama, domethënia e saj e plotë u bë e qartë mijëvjeçarë më vonë.—Krahaso simbolet e ‘gjarprit’, të ‘gruas’ dhe të «farës» te Zb 12:9, 17; Ga 3:16, 29; 4:26, 27.
Pasardhësve të Adamit u është dhënë mundësia të jetojnë në tokë për mijëra vjet, ndonëse të papërsosur dhe të vdekshëm, pra të paaftë për t’u çliruar ndonjëherë nga kthetrat vdekjeprurëse të mëkatit. Apostulli Pavël shpjegoi pse e lejoi Jehovai këtë: «Krijesa i ishte nënshtruar kotësisë, jo me vullnetin e vet, por nga ai që e nënshtroi [pra, Perëndia Jehova], në bazë të shpresës se edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë. Ne e dimë që deri tani e gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Ro 8:20-22) Në artikullin PARANJOHJA, PARAVENDOSJA, asgjë nuk tregon se Jehovai zgjodhi të përdorte aftësitë perceptuese për të parashikuar rebelimin e çiftit të parë. Gjithsesi, me të ndodhur kjo, Jehovai paravendosi mjetin që do të ndreqte situatën. (Ef 1:9-11) Ky sekret i shenjtë, i kyçur në profecinë simbolike në Eden, u zbulua plotësisht kur Jehovai dërgoi në tokë Birin e vetëmlindur, ‘që të jepte dëshmi për të vërtetën’ dhe «me anë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë të shijonte vdekjen për çdo njeri».—Gjo 18:37; He 2:9; shih SHPËRBLESA.
Prandaj, mënyra si veproi Jehovai me disa pasardhës të Adamit mëkatar dhe bekimet që u dha, nuk i ndryshoi standardet e drejtësisë së tij të përsosur. Ai nuk po e miratonte gjendjen e tyre mëkatare. Ngaqë qëllimet e Jehovait plotësohen se s’bën, «i thërret gjërat që s’janë sikur të ishin» [siç bëri kur e quajti Abramin «Abraham», që do të thotë «atë i një shumice (turme)», ndërkohë që ai dhe Sara ishin ende pa fëmijë]. (Ro 4:17) Meqë e dinte se në kohën e duhur sipas tij (Ga 4:4) do të siguronte një shpërblesë, mjetin ligjor për faljen e mëkatit dhe heqjen e papërsosmërisë (Is 53:11, 12; Mt 20:28; 1Pj 2:24), Jehovai i ruajti gjithnjë lidhjet me njerëzit e papërsosur, trashëgimtarë të mëkatit, dhe pranoi t’i shërbenin. Këtë e bëri sepse kishte bazën ligjore ‘t’i llogariste’, ose t’i konsideronte, të drejtë falë besimit në premtimet e Tij dhe, më vonë, në përmbushjen e atyre premtimeve te Jezu Krishti si flijimi i përsosur për mëkatet. (Jk 2:23; Ro 4:20-25) Kështu, masa e Jehovait, shpërblesa dhe bekimet e saj, është dëshmi e fortë jo vetëm e dashurisë dhe e mëshirës së Jehovait, por edhe e besnikërisë ndaj standardeve të larta të drejtësisë, sepse me anë të shpërblesës tregon «drejtësinë e vet në kohën e tanishme, që ai të jetë i drejtë edhe kur të shpallë të drejtë njeriun [ndonëse të papërsosur] që ka besim te Jezui».—Ro 3:21-26; krahaso Is 42:21; shih SHPALL TË DREJTË.
Pse lufton ‘Perëndia i paqes’? Edhe pse tha në Eden se do të vinte armiqësi mes farës së Kundërshtarit të tij dhe farës së «gruas», Jehovai mbetet ‘Perëndi i Paqes’. (Zn 3:15; Ro 16:20; 1Ko 14:33) Gjendja ishte njësoj edhe në ditët kur jetoi në tokë i Biri, Jezu Krishti, i cili tha: «Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.» (Mt 10:32-40) Shërbimi i Jezuit solli ndarje, edhe brenda familjeve (Lu 12:51-53), ngaqë iu përmbajt besnikërisht standardeve të drejta të Perëndisë dhe shpalli të vërtetën. Ndarja erdhi sepse shumë e ngurtësuan zemrën ndaj këtyre të vërtetave, ndërkohë që të tjerë i pranuan. (Gjo 8:40, 44-47; 15:22-25; 17:14) Kjo ishte e pashmangshme nëse duheshin mbështetur parimet hyjnore. Ama, fajin e kishin ata që nuk pranonin të drejtën.
Po njësoj, ishte parathënë se do të kishte armiqësi, sepse standardet e përsosura të Jehovait nuk do ta toleronin udhën rebele të «farës» së Satanait. Ngaqë Perëndia nuk do t’i miratonte këta dhe do të bekonte ata që do të ndiqnin udhën e drejtë, do të kishte përçarje (Gjo 15:18-21; Jk 4:4), si në rastin e Kainit dhe të Abelit.—Zn 4:2-8; He 11:4; 1Gjo 3:12; Jd 10, 11; shih KAINI nr. 1.
Udha rebele që zgjodhën njerëz dhe engjëj të ligj sfidonte të drejtën e Jehovait si Sovran dhe kërcënonte rregullin e mbarë universit. Për t’iu përgjigjur sfidës, Jehovait iu desh të bëhej «luftëtar burrëror» (Da 15:3-7) që mbron emrin e tij të mirë e standardet e drejta, që lufton për ata që e duan e i shërbejnë dhe që ekzekuton gjykimin ndaj atyre që e meritojnë shkatërrimin. (1Sa 17:45; 2Kr 14:11; Is 30:27-31; 42:13) Ai nuk ngurron ta përdorë fuqinë e pakufishme, ndonjëherë edhe për të shkatërruar, si në rastin e Përmbytjes, të Sodomës e Gomorrës dhe të çlirimit të Izraelit nga Egjipti. (Lp 7:9, 10) S’ka frikë t’i bëjë të njohura hollësitë e luftërave të tij të drejta; nuk ka pse të kërkojë falje, pasi nuk ka pse t’i vijë turp. (Jb 34:10-15; 36:22-24; 37:23, 24; 40:1-8; Ro 3:4) Respekti që ka për emrin e vet dhe për drejtësinë që përfaqëson ky emër, si edhe dashuria për ata që e duan, e shtyjnë të veprojë.—Is 48:11; 57:21; 59:15-19; Zb 16:5-7.
Shkrimet e Krishtere Greke përcjellin të njëjtën ide. Apostulli Pavël i nxiti të bashkëkrishterët: «Perëndia që jep paqe, do ta dërrmojë së shpejti Satanain nën këmbët tuaja.» (Ro 16:20; krahaso Zn 3:15.) Ai tregoi edhe se është e drejtë që Perëndia t’i shpaguajë me shtrëngim ata që u shkaktojnë shtrëngim shërbëtorëve të tij, duke i shkatërruar njëherë e mirë kundërshtarët. (2Se 1:6-9) Kjo është në përputhje me mësimet e Birit të Perëndisë, i cili nuk la vend për dyshim se Ati është plotësisht i vendosur t’i japë fund me forcë gjithë ligësisë dhe atyre që e praktikojnë. (Mt 13:30, 38-42; 21:42-44; 23:33; Lu 17:26-30; 19:27) Libri i Zbulesës ka plot përshkrime të luftërave të autorizuara nga Perëndia. Falë mençurisë së Jehovait, e gjithë kjo do të sjellë në fund paqe të përhershme universale, të bazuar patundshmërisht te drejtësia.—Is 9:6, 7; 2Pj 3:13.
Marrëdhëniet me Izraelin natyror dhe me Izraelin simbolik. Po njësoj, një pjesë e mirë e ndryshimit mes Shkrimeve Hebraike dhe Shkrimeve të Krishtere Greke lidhet me marrëdhënien e Jehovait me popullin e tij. Shkrimet Hebraike flasin kryesisht për marrëdhënien e Jehovait me Izraelin natyror, kurse Shkrimet e Krishtere Greke paraqitin dhe përshkruajnë në një masë të madhe marrëdhënien e Jehovait me Izraelin simbolik, kongregacionin e krishterë. Nga njëra anë kemi një komb me miliona pjesëtarë, të mirë a të këqij, që bëjnë pjesë në të vetëm falë prejardhjes. Nga ana tjetër, kemi një komb simbolik me njerëz që i janë afruar Perëndisë përmes Jezu Krishtit, që tregojnë dashuri për të vërtetën e drejtësinë dhe që me dëshirë i kushtohen Jehovait dhe bëjnë vullnetin e tij. Logjikisht do të ndryshonte edhe marrëdhënia e Jehovait me secilin grup, edhe mënyra si do të vepronte me ta. Jehovai kishte më shumë arsye të zemërohej dhe të tregohej i ashpër me grupin e parë, sesa me grupin e dytë.
Megjithatë do të ishte gabim i rëndë t’i njihje përciptas aspektet e personalitetit zemërdhënës e të ngrohtë të Perëndisë Jehova, që dalin në pah nga mënyra si veproi me Izraelin natyror. Këta janë shembuj të jashtëzakonshëm që provojnë se Jehovai është pikërisht siç ia përshkroi veten Moisiut: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin, por që në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin, duke ndëshkuar bijtë e nipërit për fajin e etërve, deri në brezin e tretë dhe të katërt.»—Da 34:4-7; krahaso Da 20:5.
Ndonëse të ekuilibruara nga drejtësia, aspektet më të spikatshme të personalitetit të Jehovait janë dashuria, durimi dhe shpirtgjerësia. Këtë e tregon historia e Izraelit, një popull tejet i favorizuar, pjesa më e madhe e të cilit u tregua jashtëzakonisht «me qafë të fortë» dhe «zemërgur» ndaj Krijuesit. (Da 34:8, 9; Ne 9:16, 17; Jr 7:21-26; Ezk 3:7) Shpalljet e gjykimit dhe ndëshkimet e forta që Jehovai i jepte vazhdimisht Izraelit me anë të profetëve, vetëm sa theksojnë sa e madhe është mëshira e tij dhe sa e jashtëzakonshme është shpirtgjerësia e tij. Pasi i duroi për më se 1.500 vjet, madje edhe pasi i Biri u vra për shkak të nxitjes së udhëheqësve fetarë të kombit, Jehovai vazhdoi t’i favorizonte edhe për tre vjet e gjysmë. Kështu lejoi me mëshirë që lajmi i mirë t’u predikohej vetëm atyre, duke u ofruar edhe privilegjin që të mbretëronin me të Birin—privilegj që e pranuan mijëra të penduar.—Ve 2:1-5, 14-41; 10:24-28, 34-48; shih SHTATËDHJETË JAVËT.
Me sa duket, Jezu Krishti iu referua fjalëve të Jehovait, të cituara më sipër, se i ‘ndëshkon pasardhësit e fajtorëve’ kur u tha skribëve e farisenjve hipokritë: «[Ju] thoni: ‘Po të ishim në ditët e paraardhësve tanë, s’do të ishim bashkëfajtorë me ta për gjakun e derdhur të profetëve.’ Kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bij të atyre që vranë profetët. E pra, çojeni deri në fund punën që nisën paraardhësit tuaj.» (Mt 23:29-32) Pavarësisht nga ajo që pretendonin, treguan me vepra se i miratonin gabimet e paraardhësve dhe se ishin ende mes ‘atyre që e urrenin Jehovain’. (Da 20:5; Mt 23:33-36; Gjo 15:23, 24) Ndryshe nga judenjtë që u penduan dhe ua vunë veshin fjalëve të Birit të Perëndisë, ata vuajtën pasojat e gjykimeve të vazhdueshme të Perëndisë kur, vite më vonë, Jerusalemi u rrethua e u shkatërrua dhe shumica e popullsisë vdiq. Mund të kishin shpëtuar, por vendosën të mos e pranonin mëshirën e Jehovait.—Lu 21:20-24; krahaso Dn 9:10, 13-15.
Personaliteti i tij pasqyrohet tek i Biri. Jezu Krishti pasqyroi me besnikëri në gjithçka personalitetin e mrekullueshëm të të Atit, Perëndisë Jehova, në emër të të cilit erdhi. (Gjo 1:18; Mt 21:9; Gjo 12:12, 13; krahaso Ps 118:26.) Jezui tha: «Biri s’mund të bëjë as edhe një gjë me nismën e vet, por vetëm atë që sheh se bën Ati. Gjithçka që bën Ai, bën edhe Biri.» (Gjo 5:19) Si rrjedhojë, mirësia e dhembshuria, butësia e ngrohtësia, si edhe dashuria e fortë për drejtësinë dhe urrejtja e Jezuit për ligësinë (He 1:8, 9), janë të gjitha cilësi që Biri kishte parë tek i Ati, Perëndia Jehova.—Krahaso Mt 9:35, 36 me Ps 23:1-6 dhe me Is 40:10, 11; Mt 11:27-30 me Is 40:28-31 dhe me Is 57:15, 16; Lu 15:11-24 me Ps 103:8-14; Lu 19:41-44 me Ezk 18:31, 32; Ezk 33:11.
Kushdo që e do drejtësinë dhe lexon Shkrimet e frymëzuara si dhe e «njeh» vërtet emrin e Jehovait duke kuptuar domethënien e plotë të tij (Ps 9:9, 10; 91:14; Jr 16:21), ka çdo arsye ta dojë e ta bekojë këtë emër (Ps 72:18-20; 119:132; He 6:10), ta lëvdojë e ta lartësojë (Ps 7:17; Is 25:1; He 13:15), t’i frikësohet e ta shenjtërojë (Ne 1:11; Ma 2:4-6; 3:16-18; Mt 6:9), të besojë tek ai (Ps 33:21; Pr 18:10) e të thotë si psalmisti: «Gjithë jetën do t’i këndoj Jehovait; sa të jem gjallë do të luaj melodi për Perëndinë tim. E këndshme qoftë përsiatja ime për të! Unë do të gëzoj falë Jehovait. Mëkatarët do të shuhen krejt nga faqja e dheut; të ligjtë nuk do të jenë më. Beko Jehovain, o shpirti im! Lëvdoni Jah!»—Ps 104:33-35.
[Figura në botimin e shtypur]
Copë argjendi ku përdoret emri hyjnor; gjetur në Jerusalem e me sa duket daton që nga shekulli i shtatë ose i gjashtë p.e.s.
[Figura në botimin e shtypur]
Pjesë nga Psalmet, Rrotull e Detit të Vdekur. Tetragrami del vazhdimisht me shkronja karakteristike të hebraishtes së lashtë
[Figura në botimin e shtypur]
Novum Testamentum Domini Nostri Iesu Christi, përkthyer nga Elias Huteri (pjesë në hebraisht); botuar në Nuremberg; 1599; Efesianëve 5:17
[Figura në botimin e shtypur]
The New Testament of Our Lord and Saviour Jesus Christ, përkthyer nga Xhon Elioti (gjuha masaçuset); botuar në Kembrixh, Masaçusets; 1661; Mateu 21:9
[Figura në botimin e shtypur]
A Literal Translation of the New Testament . . . From the Text of the Vatican Manuscript, nga Herman Hajnfeteri; botuar në Londër; 1863; Marku 12:29, 30
[Figura në botimin e shtypur]
Sämtliche Schriften des Neuen Testaments, përkthyer nga Johan Jakob Stolzi (gjermanisht); botuar në Zyrih; 1781-1782; Romakëve 15:11