Të nxjerrim dobi nga ‘gruri i qiellit’
PAK kohë pas çlirimit të mrekullueshëm nga Egjipti, izraelitët shfaqën një mungesë serioze besimi në Çliruesin e tyre, Jehovain. Për pasojë, Jehovai bëri që ata të endeshin në shkretëtirën e Sinait për 40 vjet. Gjatë gjithë asaj kohe, izraelitët dhe ‘përzierja e madhe e njerëzve’ të huaj që ishin bashkë me ta, hanin dhe pinin ‘sa ngopeshin’. (Eksodi 12:37, 38) Psalmi 78:23-25 na tregon se si u bë e mundur një gjë e tillë: «Ai [Jehovai] urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit. Bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit. Njeriu hëngri bukën e engjëjve [të fuqishmëve, BR]; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.»
Duke qenë se hëngri nga mana, Moisiu e përshkroi se si ishte ky ushqim unik. Ai shkroi se në mëngjes, pasi «shtresa e vesës u zhduk . . . , mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë. Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njëri-tjetrit: ‘Çfarë është?’» Fjalë për fjalë në hebraisht pyetja ishte «man hu?». Ndoshta kjo shprehje qe origjina e fjalës «mana», emri që i dhanë izraelitët ushqimit. Moisiu tha: «Ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë dhe me shijen e revanisë që bëhet me mjaltë.»—Eksodi 16:13-15, 31, shënimi, BR.
Mana nuk ishte një ushqim që u sigurua në mënyrë natyrale, siç argumentojnë disa. Për sigurimin e saj u përdor një forcë e mbinatyrshme. Për shembull, pasja e manës nuk kufizohej nga vendi ose nga stina. Nëse mbahej për një natë, ajo zinte krimba dhe fillonte të kutërbonte, e megjithatë, racioni i dyfishtë që mblidhte çdo familje një ditë para sabatit javor, nuk prishej brenda natës, kështu që mund të hahej gjatë sabatit, dita kur mana nuk shfaqej. Patjetër, mana sigurohej me anë të një mrekullie.—Eksodi 16:19-30.
Përmendja e «të fuqishmëve» ose «engjëjve» në Psalmin 78, na sugjeron se Jehovai mund të ketë përdorur engjëjt për të siguruar manën. (Psalmi 78:25, shënimi, BR) Sido që të ishte, njerëzit i kishin të gjitha arsyet që ta falënderonin Perëndinë, për dashamirësinë e tij. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre shfaqi një qëndrim mosmirënjohës ndaj Atij që i çliroi nga skllavëria në Egjipt. Edhe ne mund të na ndodhë që t’i konsiderojmë si diçka të zakonshme masat që merr Jehovai ose madje të bëhemi mosmirënjohës, nëse nuk meditojmë për dashamirësinë e tij të dashur. Prandaj, mund të jemi mirënjohës që Jehovai bëri të dokumentohej çlirimi i Izraelit dhe ngjarjet që e pasuan këtë çlirim, për «mësimin tonë».—Romakëve 15:4.
Një mësim për Izraelin u sjell dobi të krishterëve
Kur siguroi manën, Jehovai kishte ndër mend më shumë sesa thjesht plotësimin e nevojave fizike të rreth tre milionë izraelitëve. Ai donte ‘t’i përulte dhe t’i vinte në provë’ për t’i rafinuar dhe për t’i disiplinuar, për dobinë e tyre. (Ligji i përtërirë 8:16, BR; Isaia 48:17) Nëse do t’i përgjigjeshin atij rafinimi dhe asaj disipline, Jehovai do të kënaqej duke ‘u bërë mirë në ditët e tyre të mëpasshme’, duke u dhënë paqe, begati dhe lumturi në Tokën e Premtuar.
Një gjë jetësore që ata duhej të mësonin, ishte se «njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit». (Ligji i përtërirë 8:3) Nëse Perëndia s’do të kishte siguruar manën, populli do të kishte vdekur urie, një fakt që ata e pranonin menjëherë. (Eksodi 16:3, 4) Izraelitët që ishin mirënjohës e kujtonin çdo ditë varësinë e tyre të plotë ndaj Jehovait dhe për këtë arsye përuleshin. Pasi të hynin në Tokën e Premtuar, ku kishte bollëk material, ata do të kishte më pak të ngjarë ta harronin Jehovain dhe faktin që ishin të varur prej tij.
Ashtu si izraelitët, të krishterët duhet të jenë gjithnjë të vetëdijshëm për faktin që janë të varur nga Perëndia, për sa u përket gjërave të nevojshme të jetës fizike dhe frymore. (Mateu 5:3; 6:31-33) Duke iu përgjigjur njërit prej tundimeve të Djallit, Jezu Krishti citoi fjalët e Moisiut, të cilat i gjejmë në Ligjin e përtërirë 8:3, duke thënë: «Është shkruar: ‘Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.’» (Mateu 4:4) Po, adhuruesit e vërtetë të Perëndisë ushqehen, duke lexuar shprehjet e Jehovait që gjenden në Fjalën e tij. Përveç kësaj, besimi i tyre forcohet kur përjetojnë efektet e dobishme të këtyre fjalëve në jetën e tyre, ndërsa ecin me Perëndinë dhe vënë interesat e Mbretërisë së tij në vend të parë.
Njerëzit e papërsosur mund ta humbasin çmueshmërinë e tyre për gjërat që bëhen një pjesë e jetës së përditshme, edhe nëse këto gjëra janë një pasqyrim i interesimit të dashur të Jehovait. Për shembull, sigurimi i mbinatyrshëm i manës i mahniti dhe i kënaqi izraelitët në fillim, por me kohë shumë prej tyre u ankuan. «Na vjen neveri për këtë ushqim të keq»—murmuritën ata pa respekt, gjë që ishte një tregues se po fillonin të ‘largoheshin nga Perëndia i gjallë’. (Numrat 11:6; 21:5; Hebrenjve 3:12) Prandaj, shembulli i tyre shërben si «një paralajmërim për ne, mbi të cilët kanë mbërritur përfundimet e sistemeve të gjërave».—1. Korintasve 10:11, BR.
Si mund t’i vëmë veshin këtij shembulli paralajmërues? Një mënyrë është duke mos lejuar kurrë që mësimet biblike ose sigurimet që marrim përmes klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur, të na bëhen një gjë e rëndomtë ose e zakonshme. (Mateu 24:45) Në momentin kur fillojmë t’i konsiderojmë si diçka të zakonshme dhuratat e Jehovait ose të bëhemi indiferentë ndaj tyre, marrëdhënia që kemi me Perëndinë nis të ftohet.
Duke pasur arsye të vlefshme, Jehovai nuk na mbyt me një vërshim të vazhdueshëm gjërash të reja entuziazmuese. Përkundrazi, në mënyrë graduale e progresive, ai hedh gjithnjë e më shumë dritë mbi Fjalën e tij. (Fjalët e urta 4:18) Kjo i jep mundësi popullit të tij t’i asimilojë dhe t’i vërë në praktikë gjërat që mëson. Jezui ndoqi shembullin e Atit të tij, kur mësoi dishepujt e vet të parë. Ai ua shpjegoi atyre Fjalën e Perëndisë deri në atë masë që «ata ishin në gjendje ta kuptonin» ose ta «dëgjonin», siç thuhet në disa përkthime.—Marku 4:33; krahaso Gjonin 16:12.
Forcoje çmueshmërinë për masat e Perëndisë
Jezui përdori edhe përsëritjen. Patjetër, mendja mund ta kuptojë menjëherë një pikë, për shembull, një parim biblik, por për ta çuar në zemër dhe për ta bërë pjesë të ‘personalitetit të ri’ të krishterë, mund të duhet një çikë më shumë kohë, veçanërisht nëse zakonet dhe qëndrimet e vjetra botërore janë të rrënjosura thellë. (Efesianëve 4:22-24, BR) Kjo gjë ndodhi edhe me dishepujt e Jezuit, kur erdhi puna për të kapërcyer krenarinë dhe për të zhvilluar përulësinë. Jezuit iu desh t’u mësonte atyre përulësinë në një numër rastesh, duke ua paraqitur çdo herë të njëjtën pikë themelore nga një këndvështrim i ndryshëm, në mënyrë që atyre t’u ngulitej në mendje, gjë që ndodhi më në fund.—Mateu 18:1-4; 23:11, 12; Luka 14:7-11; Gjoni 13:5, 12-17.
Në kohët moderne, mbledhjet e krishtere dhe botimet e Watch Tower-it ndjekin shembullin e Jezuit, për sa i përket përdorimit të menduar mirë të përsëritjes. Prandaj, le ta çmojmë këtë si një shprehje të interesimit të dashur të Perëndisë për ne dhe të mos mërzitemi kurrë me atë që marrim, siç u mërzitën izraelitët me manën. Në fakt, ndërsa përpiqemi energjikisht e me durim për të përvetësuar përkujtuesit e rregullt të Jehovait, do të shohim frytet e shkëlqyera në jetën tonë. (2. Pjetrit 3:1) Një qëndrim i tillë mirënjohës tregon me të vërtetë se po ‘kapim kuptimin’ e Fjalës së Perëndisë në zemrën, si edhe në mendjen tonë. (Mateu 13:15, 19, 23) Lidhur me këtë, kemi shembullin e shkëlqyer të psalmistit David, i cili, edhe pse nuk kishte shumëllojshmërinë e ushqimit frymor që kemi ne sot, i përshkroi ligjet e Jehovait si «më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet».—Psalmi 19:10.
«Mana» që jep jetë të përhershme
«Unë jam buka e jetës,—u tha Jezui hebrenjve.—Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe [megjithatë, BR] vdiqën. . . . Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, nëse një ha nga kjo bukë, do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.» (Gjoni 6:48-51) Buka e mirëfilltë ose mana nuk dha dhe nuk mund të japë jetë të përhershme. Por ata që ushtrojnë besim në flijimin shpërblyes të Jezuit, përfundimisht do të gëzojnë bekimin e jetës së përhershme.—Mateu 20:28.
Pjesa më e madhe e atyre që nxjerrin dobi nga shpërblesa e Jezuit do të gëzojnë jetën e përhershme në një tokë parajsore. ‘Një shumicë e madhe’ e këtyre njerëzve, e paraqitur nga ‘përzierja e madhe e njerëzve’ të huaj që iu bashkuan izraelitëve në daljen e tyre nga Egjipti, do të mbijetojë ‘mjerimin e madh’ që po vjen, i cili do ta pastrojë tokën nga e gjithë ligësia. (Zbulesa 7:9, 10, 14, BR; Eksodi 12:38) Një shpërblim akoma më të madh gëzojnë ata, të cilët u paraqitën nga vetë izraelitët. Apostulli Pavël i përshkroi këta, të cilët numërojnë 144.000 njerëz, si ata që përbëjnë Izraelin frymor të Perëndisë. Shpërblimi i tyre në vdekje është ringjallja për të jetuar në qiell. (Galatasve 6:16; Hebrenjve 3:1; Zbulesa 14:1) Atje, Jezui do t’u japë atyre një lloj të veçantë mane.
Domethënia e ‘manës së fshehur’
«Kujt fiton, do t’i jap të hajë nga mana që është fshehur»,—i tha Jezui i ringjallur Izraelit frymor. (Zbulesa 2:17) Kjo manë simbolike e fshehur na sjell ndër mend manën që Perëndia i urdhëroi Moisiut ta mbante në një kupë ari brenda arkës së shenjtë të besëlidhjes. Arka mbahej në ndarjen e Më Të Shenjtës, në tabernakull. Atje ajo ishte jashtë rrezes së shikimit, si të thuash, ishte e fshehur. E mbajtur si një përkujtues, kjo pjesë mane nuk prishej ndërsa qëndronte në Arkë, kështu që do të ishte simbol më se i përshtatshëm i rezervës ushqimore të paprishshme. (Eksodi 16:32; Hebrenjve 9:3, 4, 23, 24) Duke u dhënë 144.000 vetave manën e fshehur, Jezui u garanton atyre se do të marrin pavdekshmërinë dhe mosprishjen, si bij frymorë të Perëndisë.—Gjoni 6:51; 1. Korintasve 15:54.
«Pranë teje [o Jehova] është burimi i jetës»,—tha psalmisti. (Psalmi 36:9) Sa mirë e rivërteton këtë të vërtetë themelore sigurimi i manës, qoftë i asaj të mirëfilltë, qoftë i manës simbolike! Mana që Perëndia i dha Izraelit të lashtë, mana figurative që siguroi ai në formën e mishit të Jezuit, i cili u dha për dobinë tonë, si edhe mana simbolike e fshehur që ai ua jep 144.000 personave me anë të Jezuit, na sjellin ndër mend të gjithëve ne varësinë ndaj Perëndisë për jetën. (Psalmi 39:5, 7) Le ta pranojmë me përulësi, me modesti dhe në vazhdimësi këtë varësi. Nga ana e vet, Jehovai ‘do të na bëjë mirë në ditët tona të mëpasshme’.—Ligji i përtërirë 8:16, BR.
[Figurat në faqen 26]
Për të fituar jetën e përhershme, të gjithë njerëzit varen nga «buka e gjallë që zbriti nga qielli»
[Figura në faqen 28]
Prania në të gjitha mbledhjet e krishtere pasqyron çmueshmërinë tonë për përkujtuesit e Jehovait