MBRETËRITË QË RRETHONIN IZRAELIN
NDËRSA banonte në vendin që i kishte dhënë Perëndia, kombi i Izraelit rrethohej nga kombe që adhuronin perëndi të rreme. Izraelitët kishin dalë nga Egjipti, ku hyjnizoheshin disa kafshë. Në lindje dhe juglindje tani kishin Amonin, Moabin dhe Edomin, që ishin farefis i largët i izraelitëve, por adhurues idhujsh. Në rrafshinën bregdetare në perëndim jetonin filistinët politeistë. Në veri të Izraelit, përgjatë bregdetit, banonin fenikasit, praktikat fetare të të cilëve përfshinin homoseksualizmin ose sodominë, marrëdhëniet seksuale me kafshë dhe flijimin e fëmijëve. Kurse në fenë e sirianëve paraqiteshin figura perëndeshash të zhveshura, që me gjestet e tyre e tërhiqnin vëmendjen te seksi. Që të vazhdonte të kishte miratimin e Jehovait, Izraeli duhej të mbetej i ndarë nga kombet rreth e qark.
Për t’i mbrojtur izraelitët, Jehovai u dha Ligjin e Moisiut, që shërbente si ‘mur ndarës’, pra i mbante të veçuar nga kombet përreth. (Ef 2:14) Nuk duhej të lidhnin aleancë me ato kombe, të bënin krushqi ose të imitonin praktikat e tyre fetare. (2Kr 16:7; 2Mb 17:13-15) Në atë masë që Izraeli i bindej këtyre ligjeve, po në atë masë mbetej një popull i shenjtë.
Megjithatë, individëve nga kombet përreth nuk u ndalohej të adhuronin Perëndinë e vërtetë. Ata mund të hiqnin dorë nga rruga idhujtare dhe të bëheshin adhurues të Jehovait. «Perëndia nuk është i anshëm.» (Ve 10:34) Ndërkohë që e mbante të veçuar Izraelin, Jehovai punonte për plotësimin e qëllimit të tij që përfundimisht të bekoheshin njerëz të të gjitha kombeve.—Zn 22:18.
[Tabela]
KOMBET PËRRETH dhe shkrimet përkatëse
Amon Gjy 10:6-9; 1Mb 11:5
Edom 2Kr 25:14, 15
Moab Nu 22:4-7; 25:1-3; 2Mb 3:26, 27
Filisti Gjy 10:6; 16:23; 2Mb 1:2
Feniki 1Mb 11:1, 2, 5; 16:30, 31
Siri Gjy 10:6; 2Kr 28:20-23
[Figurat në botimin e shtypur]
Moabitët jetonin në një terren të thyer, në lindje të Detit të Vdekur. Në Gurin e Moabit (majtas), mbreti Mesha mburret me perëndinë e vet Kemosh dhe flet gjithë përbuzje për Jehovain
[Figura në botimin e shtypur]
Perëndi egjiptian me kokë çakalli që përgatit një mumie. Perënditë e Egjiptit ishin njerëz, zogj e kafshë
[Figurat në botimin e shtypur]
Fenikasit, të cilët banonin në këtë vend përgjatë bregut lindor të Mesdheut, adhuronin perëndi si ky që paraqitet këtu mbi një luan