Libri biblik numër 14—2 Kronikave
Shkrimtari: Ezdra
Vendi ku u shkrua: Jerusalem (?)
Shkrimi përfundoi: rr. 460 p.e.s.
Periudha përkatëse: 1037 p.e.s.–537 p.e.s.
1. Kur i përfundoi Ezdra Kronikat dhe cili ishte qëllimi i tij?
MEQË libri i parë dhe i dytë i Kronikave, fillimisht ishin një libër i vetëm, argumentet e paraqitura në kapitullin e mëparshëm për sa i përket kontekstit historik, shkrimtarit, kohës kur u shkrua, përfshirjes në listën e librave të Biblës dhe autenticitetin, vlejnë për të dy librat. Sipas dëshmive të paraqitura, Ezdra e përfundoi librin e dytë të Kronikave rreth vitit 460 p.e.s., ka të ngjarë në Jerusalem. Qëllimi i Ezdrës ishte të ruante materiale historike që rrezikonin të humbitnin. Me ndihmën e frymës së shenjtë, si edhe me aftësinë e tij si historian për të siguruar e për të përzgjedhur hollësi, Ezdra arriti të përpilonte një dokument të saktë e të qëndrueshëm. Ai ruajti për të ardhmen ato që i konsideronte fakte historike. Puna që kreu Ezdra ishte pikërisht në kohën e duhur, pasi kishte ardhur koha për të mbledhur bashkë të gjitha shkrimet e shenjta hebraike që ishin shkruar gjatë shekujve.
2. Përse s’kemi arsye të dyshojmë për saktësinë e Kronikave?
2 Judenjtë e kohës së Ezdrës nxorën shumë dobi nga kronika që përpiloi ai nën frymëzimin hyjnor. Kjo kronikë u shkrua që ata të mësonin dhe të nxiteshin që të tregonin qëndrueshmëri. Nëpërmjet ngushëllimit që gjendej në Shkrime, mund të kishin shpresë. Ata e pranuan librin e Kronikave si pjesë të librave të Biblës. E dinin se ishte një libër i besueshëm. Mund ta kontrollonin duke e krahasuar me shkrime të tjera të frymëzuara dhe me burime të tjera të shumta historike, që përmendte Ezdra. Ndërkohë që ato burime të tjera historike, që s’ishin të frymëzuara, i lanë të humbitnin, Kronikat i ruajtën me shumë kujdes. Përkthyesit e Septuagintës e përfshinë librin e Kronikave në Biblën Hebraike.
3. Si tregojnë shkrime të tjera se libri i Kronikave është autentik?
3 Jezu Krishti dhe shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke e pranuan këtë libër si autentik dhe të frymëzuar. Pa dyshim që Jezui kishte ndër mend ngjarjet e dokumentuara te 2 Kronikave 24:21, kur e denoncoi Jerusalemin si vrasës të profetëve dhe të shërbëtorëve të Jehovait. (Mat. 23:35; 5:12; 2 Kron. 36:16) Kur Jakovi iu referua Abrahamit si «mik i Jehovait», ndoshta kishte ndër mend një shprehje që përdori Ezdra te 2 Kronikave 20:7. (Jak. 2:23) Libri ka edhe profeci që u përmbushën deri më një.—2 Kron. 20:17, 24; 21:14-19; 34:23-28; 36:17-20.
4. Cili zbulim arkeologjik dëshmon për autenticitetin e 2 Kronikave?
4 Edhe arkeologjia dëshmon për autenticitetin e 2 Kronikave. Gërmimet në vendin ku ndodhej Babilonia e lashtë kanë nxjerrë në dritë pllaka argjile që i përkasin periudhës së mbretërimit të Nabukodonosorit. Në njërën prej pllakave përmendet «Jaukini, mbreti i vendit të Jahudit», domethënë «Jehojakini, mbreti i vendit të Judës».a Kjo është në përputhje me tregimin e Biblës se Jehojakinin e morën rob në Babiloni, gjatë vitit të shtatë të mbretërimit të Nabukodonosorit.
5. Cilën periudhë kohore trajton libri i 2 Kronikave dhe përse përmendet vetëm historia e Judës dhe jo ajo e mbretërisë dhjetëfisëshe?
5 Në librin e 2 Kronikave, dokumentohen ngjarjet që ndodhën në Judë nga mbretërimi i Solomonit, që filloi në vitin 1037 p.e.s., deri në vitin 537 p.e.s., kur Kiri nxori dekretin për të rindërtuar shtëpinë e Jehovait në Jerusalem. Në këtë histori 500-vjeçare, mbretëria dhjetëfisëshe përmendet vetëm kur përzihet me çështjet e Judës, kurse shkatërrimi i kësaj mbretërie veriore në vitin 740 p.e.s. nuk përmendet fare. Përse? Sepse priftit Ezdra i interesonte kryesisht adhurimi i Jehovait në vendin që i takonte, pra në shtëpinë e Tij në Jerusalem, si edhe mbretërimi i linjës së Davidit, me të cilin Jehovai kishte bërë besëlidhjen e Tij. Prandaj, Ezdra e përqendroi vëmendjen te mbretëria jugore, në mbështetje të adhurimit të vërtetë dhe në pritje të sundimtarit që do të dilte nga Juda.—Zan. 49:10.
6. Në ç’aspekte libri i 2 Kronikave është pozitiv dhe ndërtues?
6 Ezdra përcjell një pikëpamje pozitive. Nga 36 kapitujt që ka libri i dytë i Kronikave, 9 të parët i kushtohen mbretërimit të Solomonit dhe 6 prej tyre vetëm përgatitjes dhe kushtimit të shtëpisë së Jehovait. Në këtë dokumentim, nuk përmendet shmangia e Solomonit nga adhurimi i pastër. Nga 27 kapitujt e tjerë, 14 flasin për pesë mbretër që kryesisht ndoqën shembullin e Davidit, duke iu kushtuar vetëm adhurimit të Jehovait. Këta ishin: Asa, Jehozafati, Jotami, Hezekia dhe Josia. Edhe në 13 kapitujt e tjerë, Ezdra bën kujdes që të theksojë anët e mira të mbretërve të këqij. Ai gjithnjë u kushton rëndësi ngjarjeve që kanë të bëjnë me rivendosjen dhe ruajtjen e adhurimit të pastër. Sa tregim ndërtues!
PËRMBAJTJA E 2 KRONIKAVE
7. Në ç’mënyrë Jehovai e bën Solomonin «tejet të madh»?
7 Lavdia e mbretërisë së Solomonit (1:1–9:31). Libri i 2 Kronikave hapet duke na treguar forcimin e Solomonit, birit të Davidit, në mbretërinë e tij. Jehovai është me të dhe e bën «tejet të madh». Në kohën kur Solomoni paraqet disa flijime në Gibeon, Jehovai i shfaqet natën dhe e pyet: «Më thuaj, ç’dëshiron të të jap?» Solomoni kërkon njohuri e mençuri, që të jetë në gjendje të qeverisë si duhet popullin e Jehovait. Për shkak të kësaj kërkese aspak egoiste, Perëndia premton se do t’i japë Solomonit jo vetëm mençuri e njohuri, por edhe pasuri, begati e lavdi «aq sa asnjë mbret para teje nuk i ka pasur dhe asnjë pas teje nuk ka për t’i pasur». Aq e madhe është begatia e atij qyteti, saqë në kohën e Solomonit ‘në Jerusalem ari dhe argjendi janë si gurët’.—1:1, 7, 12, 15.
8. Si kryhet puna në tempull dhe cilat janë disa hollësi të ndërtimit të tij?
8 Solomoni vë në punë të detyruar punëtorë për të ndërtuar shtëpinë e Jehovait, kurse Hirami, mbreti i Tirit, bashkëpunon dhe i dërgon lëndë druri dhe një punëtor të zotin. Ndërtimi filloi «vitin e katërt të mbretërimit [të Solomonit]» dhe përfundon shtatë vjet e gjysmë më pas, në vitin 1027 p.e.s. (3:2) Përballë tempullit ndodhet një portik i madh, 120 kute (53,4 m) i lartë. Përpara portikut ngrihen dy shtylla bakri tejet të mëdha. Njëra u quajt Jakin, që do të thotë «[Jehovai] e vendostë patundshmërisht», dhe tjetrën e quajtën Boaz, që ma sa duket do të thotë «në forcë». (3:17) Shtëpia vetë është relativisht e vogël, 60 kute (26,7 m) e gjatë, 30 kute (13,4 m) e lartë dhe 20 kute (8,9 m) e gjerë, mirëpo muret e saj dhe tavani janë të veshura me ar; edhe shenjtërorja e brendshme, Më e Shenjta, është zbukuruar plot delikatesë me ar. Atje gjenden edhe dy kerubinët prej ari, një në çdo anë të shenjtërores, me krahët e shtrirë që takoheshin në qendër.
9. Përshkruaj pajisjet dhe enët që ndodheshin në oborr dhe në tempull.
9 Në oborrin e brendshëm ndodhet një altar i stërmadh prej bakri, që është 20 kute (9 m) i gjatë e i gjerë dhe 10 kute (4,5 m) i lartë. Një objekt tjetër që të bie në sy në oborr, është deti prej metali të derdhur, një legen i stërmadh prej bakri, që qëndronte në kurriz të 12 demave prej bakri me fytyrë nga jashtë, tre në çdo drejtim. Ky det mund të mbante «tre mijë bato ujë» (66.000 litra), që priftërinjtë e përdornin për t’u larë. (4:5) Në oborr gjenden edhe dhjetë legenë të vegjël prej bakri, të vendosur mbi karroca prej bakri të zbukuruara, ku shpëlaheshin gjërat që përdoreshin gjatë flijimeve të djegura. Ata mbushen me ujë nga deti prej metali të derdhur dhe çohen me karrocë kudo që të ketë nevojë për ujë. Veç këtyre, janë edhe dhjetë shandanë prej ari dhe shumë pajisje të tjera, që shërbejnë për adhurimin në tempull, disa prej ari e disa prej bakri.b
10. Ç’ndodh kur Arkën e sjellin në Më të Shenjtën?
10 Së fundi, pas një pune prej shtatë vjet e gjysmë, shtëpia e Jehovait është gati. (1 Mbret. 6:1, 38) Dita e përurimit të tij është koha për të futur simbolin e pranisë së Jehovait në shenjtëroren e brendshme të kësaj ndërtese madhështore. Priftërinjtë e sjellin «arkën e besëlidhjes së Jehovait në vendin e vet, në shenjtëroren e brendshme të shtëpisë, në Më të Shenjtën, nën krahët e kerubinëve». Ç’ndodh pastaj? Teksa këngëtarët dhe muzikantët levitë lëvdojnë e falënderojnë Jehovain njëzëri me këngë, shtëpinë e mbush një re dhe priftërinjtë nuk janë në gjendje të qëndrojnë për të shërbyer, sepse «lavdia e Jehovait» mbush shtëpinë e Perëndisë së vërtetë. (2 Kron. 5:7, 13, 14) Kështu, Jehovai tregon miratimin e tij për tempullin dhe shfaq atje praninë e tij.
11. Ç’lutje bën Solomoni dhe çfarë kërkon?
11 Për atë rast ndërtohet një platformë prej bakri tri kute (1,3 m) e lartë, që vendoset në oborrin e brendshëm, pranë altarit të madh prej bakri. Në këtë vend të ngritur, Solomonin mund ta shohin turmat e mëdha që janë mbledhur për kushtimin e tempullit. Pas shfaqjes së mrekullueshme të pranisë së Jehovait në renë e lavdishme, Solomoni bie në gjunjë para turmës dhe bën një lutje prekëse falënderimi e lëvdimi, që përfshin disa kërkesa për falje e bekime. Në përfundim, ai lutet: «Tani, o Perëndia im, të lutem, mbaji sytë dhe veshët te lutja që po të bëhet për këtë vend! O Perëndi Jehova, mos e hidh poshtë të mirosurin tënd! Kujto dashamirësinë që ke treguar për Davidin, shërbëtorin tënd!»—6:40, 42.
12. Si i përgjigjet Jehovai lutjes së Solomonit dhe ç’përfundim të lumtur kanë kremtimet 15-ditore?
12 A e dëgjon Jehovai këtë lutje të Solomonit? Sapo Solomoni mbaron lutjen, nga qielli zbret një zjarr që përpin flijimin e djegur dhe flijimet e tjera, kurse «lavdia e Jehovait» mbush shtëpinë. Prandaj, gjithë populli përkulet thellë dhe falënderon Jehovain «sepse ai është i mirë dhe dashamirësia e tij zgjat përjetë». (7:1, 3) Pastaj, bëjnë një flijim shumë të madh për Jehovain. Pas festës njëjavore të Kushtimit mbahet festa e Mbledhjes dhe sabati, gjatë të cilit nuk duhej të bënin asnjë punë. Pas këtyre kremtimeve të lumtura e forcuese nga ana frymore që zgjatën 15 ditë, Solomoni i nis njerëzit të kthehen nëpër shtëpitë e tyre të gëzuar e me zemër të kënaqur. (7:10) Edhe Jehovai është i kënaqur. Ai e siguron sërish Solomonin për besëlidhjen e Mbretërisë dhe e paralajmëron për pasojat e tmerrshme të mosbindjes.
13. (a) Ç’vepër ndërtimi zë fill pas përfundimit të tempullit? (b) Si shprehet mbretëresha e Shebës pasi sheh mbretërinë e Solomonit?
13 Solomoni i futet tani një pune masive ndërtimi anembanë zotërimeve të veta; ndërton një pallat për vete si dhe qytete të fortifikuara, qytete-depo, qytete për karrocat, qytete për kalorësit dhe çdo gjë tjetër që dëshironte të bënte. Kjo është periudhë e lavdishme begatie dhe paqeje, sepse si mbreti dhe populli i kushtojnë vëmendje adhurimit të Jehovait. Madje edhe mbretëresha e Shebës, më shumë se 1900 km larg, dëgjon për begatinë dhe mençurinë e Solomonit, prandaj bën një udhëtim të gjatë e të vështirë për ta parë me sytë e veta. A mbetet e zhgënjyer? Aspak, sepse ajo pohon: «Nuk u besova atyre fjalëve, derisa erdha vetë e i pashë me sytë e mi, dhe ja, nuk më kishin treguar as për gjysmën e mençurisë sate të madhe. Ti ia kalon asaj që kam dëgjuar të flitet për ty. Lum njerëzit e tu dhe lum shërbëtorët e tu.» (9:6, 7) Asnjë mbret tjetër mbi tokë nuk ia kalon Solomonit për nga pasuritë dhe mençuria. Ai mbretëron në Jerusalem për 40 vjet.
14. Përse e humb kaq shpejt lavdinë Izraeli?
14 Mbretërimi i Rehoboamit dhe i Abijahut (10:1–13:22). Në vitin 997 p.e.s., sundimi i ashpër e shtypës i Rehoboamit, birit të Solomonit, provokon rebelimin e dhjetë fiseve veriore, të drejtuar nga Jeroboami. Megjithatë, priftërinjtë dhe levitët e të dyja mbretërive marrin anën e Rehoboamit, duke vënë kështu mbi nacionalizmin besnikërinë ndaj besëlidhjes për Mbretërisë. Shumë shpejt Rehoboami e braktis ligjin e Jehovait, dhe Shishaku, mbreti i Egjiptit, pushton vendin, hyn në Jerusalem dhe merr të gjitha thesaret nga shtëpia e Jehovait. Ç’gjë e trishtueshme të mendosh se vetëm pak më shumë se 30 vjet pasi u ndërtuan, këto ndërtesa të zbukuruara e plot madhështi e humbën lavdinë e tyre! Arsyeja: kombi ‘ishte treguar i pabesë me Jehovain’. Tamam në kohë Rehoboami përulet, e kështu Jehovai nuk e shkatërron kombin për fare.—12:2.
15. Cilat beteja zhvillohen pas vdekjes së Rehoboamit dhe përse Juda del më e fortë se Izraeli?
15 Pas vdekjes së Rehoboamit, Abijahu, një nga 28 bijtë e tij, bëhet mbret. Mbretërimi trevjeçar i Abijahut karakterizohet nga një luftë e përgjakshme me Izraelin në veri. Juda është dy herë më e paktë në numër, 400.000 trupa kundër 800.000 që kishte Jeroboami. Në betejat e tmerrshme që zhvillohen, Izraeli humb më shumë se gjysmën e luftëtarëve të vet, dhe gjysmë milion adhurues të viçit vriten. Bijtë e Judës dolën më të fortë sepse «u mbështetën te Jehovai».—13:18.
16. Si i përgjigjet Jehovai lutjes së ngutshme të Asës?
16 Mbreti Asa me frikë Perëndie (14:1–16:14). Vendin e Abijahut e zë i biri, Asa. Asa është mbrojtës i adhurimit të pastër. Ai nis një fushatë për të pastruar vendin nga adhurimi i shëmbëlltyrave. Pikërisht në këtë çast, Judën e kërcënon një forcë e stërmadhe ushtarake prej një milion etiopasish. Asa lutet: «Na ndihmo, o Jehova, Perëndia ynë, se te ti mbështetemi dhe në emrin tënd kemi dalë kundër kësaj turme!» Jehovai i përgjigjet duke i dhënë një fitore të jashtëzakonshme.—14:11.
17. Si merr zemër Asa për të reformuar adhurimin në Judë, por për çfarë qortohet?
17 Fryma e Perëndisë zbret mbi Azariahun që t’i thotë Asës: «Jehovai do të jetë me ju për sa kohë të jeni me të. Nëse e kërkoni, ai do t’ju lërë ta gjeni.» (15:2) Kjo i jep shumë zemër Asës, që nis të reformojë adhurimin në Judë, kurse populli bën një besëlidhje, sipas së cilës kushdo që nuk kërkon Jehovain, do të vritet. Megjithatë, kur mbreti i Izraelit, Baasha, ndërton disa pengesa për të ndalur vërshimin e izraelitëve në Judë, Asa kryen një gabim të rëndë. Ai paguan Ben-Hadadin, mbretin e Sirisë, që të luftojë kundër Izraelit, në vend që të kërkojë ndihmën e Jehovait. Për këtë Jehovai e qorton. Pavarësisht nga ky rast, zemra e Asës mbetet ‘e kushtuar gjatë gjithë ditëve të tij’. (15:17) Ai vdes pasi mbretëron për 41 vjet.
18. (a) Ç’fushatë ndërmerr Jehozafati për adhurimin e pastër dhe me ç’rezultate? (b) Në ç’mënyrë krushqia që bën për pak sa s’e çon në shkatërrim?
18 Mbretërimi i mirë i Jehozafatit (17:1–20:37). Jehozafati, biri i Asës, vazhdon luftën kundër adhurimit të shëmbëlltyrave dhe nis një fushatë të veçantë arsimimi, gjatë së cilës disa mësues të Ligjit udhëtojnë anembanë qyteteve të Judës, duke i mësuar njerëzit nga libri i Ligjit të Jehovait. Si rrjedhojë, Juda gëzon një periudhë begatie e paqeje, dhe Jehozafati vazhdon ‘të përparojë e të bëhet gjithnjë e më i madh’. (17:12) Mirëpo, më pas ai bën krushqi me mbretin e lig të Izraelit, Akabin, dhe shkon të luftojë bashkë me të kundër fuqisë siriane në rritje, duke shpërfillur kështu profetin e Jehovait, Mikajahun, dhe mezi shpëton kokën në betejën e Ramot-Galaadit, ku vritet mbreti Akab. Një profet i Jehovait, Jehu, e qorton Jehozafatin që ishte lidhur me Akabin e lig. Pas kësaj, Jehozafati cakton gjykatës në tërë vendin dhe i udhëzon që t’i kryejnë detyrat e tyre me frikë nga Perëndia.
19. Si duket në kulm të mbretërimit të Jehozafatit se beteja është e Perëndisë?
19 Tani vjen kulmi i mbretërimit të Jehozafatit. Forcat e bashkuara të Moabit, Amonit dhe rajonit malor të Seirit, sulen kundër Judës me një fuqi të stërmadhe dhe dynden në shkretëtirën e En-Gedit. Kombin e pushton frika. Jehozafati dhe tërë Juda, «madje edhe të vegjlit, gratë e tyre dhe bijtë e tyre», qëndrojnë në këmbë para Jehovait dhe e kërkojnë në lutje. Fryma e Jehovait zbret mbi levitin Jahaziel, që u thërret turmave të mbledhura: «Më kushtoni vëmendje, tërë ti, o Judë, ju, o banorë të Jerusalemit, dhe ti, o mbret Jehozafat! Ja çfarë ju ka thënë Jehovai: ‘Mos kini frikë, as mos u tmerroni për shkak të kësaj turme të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë. Nesër dilni kundër tyre. . . . Jehovai do të jetë me ju.’» Populli i Judës ngrihet herët në mëngjes, dhe nis marshimin me këngëtarët levitë në krye. Jehozafati u jep zemër: «Tregoni besim te Jehovai. . . . Kini besim te profetët e tij, që të keni sukses.» Këngëtarët lëvdojnë me gëzim Jehovain, «sepse dashamirësia e tij është e pafundme». (20:13, 15-17, 20, 21) Jehovai e shfaq dashamirësinë e tij në mënyrë të mrekullueshme: ngre një pritë kundër ushtrive pushtuese, e kështu ata shfarosin njëri-tjetrin. Kur mbërrijnë te kulla e rojës në shkretëtirë, judenjtë e ngazëllyer shohin vetëm kufomat e tyre. Vërtet, beteja është e Perëndisë! Jehozafati ecën me besnikëri para Jehovait deri në fund të mbretërimit të tij 25-vjeçar.
20. Ç’ngjarje të tmerrshme karakterizojnë mbretërimin e Jehoramit?
20 Mbretërimi i keq i Jehoramit, Ahaziahut dhe Atalisë (21:1–23:21). Biri i Jehozafatit, Jehorami, ia nis si mos më keq duke vrarë gjithë vëllezërit e vet. Gjithsesi, Jehovai ia kursen jetën për shkak të besëlidhjes së Tij me Davidin. Ndërkohë, Edomi nis të ngrejë krye. Elija dërgon një mesazh nga një vend i papërcaktuar, dhe e paralajmëron Jehoramin se Jehovai do të godasë shtëpinë e tij dhe ai vetë do të vdesë në mënyrë të tmerrshme. (21:12-15) Në përputhje me profecinë, filistinët dhe arabët sulmojnë e bastisin Jerusalemin, kurse mbreti, pasi ka mbretëruar për tetë vjet, vdes nga një sëmundje e neveritshme zorrëve.
21. Ç’të këqija vijnë nga sundimi i Atalisë në Judë, por si arrin Jehojada të rivendosë fronin e Davidit?
21 Vendin e Jehoramit e zë Ahaziahu (Jehoahazi), biri i vetëm që i kishte mbetur gjallë, mirëpo ai ndikohet për keq nga e ëma, Atalia, bija e Akabit dhe Jezebelës. Mbretërimi i tij ndërpritet pas një viti nga spastrimi që i bën Jehu shtëpisë së Akabit. Pas kësaj, Atalia vret nipërit e vet dhe uzurpon fronin. Megjithatë, një nga bijtë e Ahaziahut mbetet gjallë. Ai është Jehoasi njëvjeçar, të cilin halla e vet, Jehoshabeta, e fshehu në shtëpinë e Jehovait. Atalia mbretëron për gjashtë vjet, por pastaj burri i Jehoshabetës, kryeprifti Jehojada, me guxim e merr Jehoasin e ri dhe e shpall mbret, si një nga «bijtë e Davidit». Atalia shkon në shtëpinë e Jehovait, shqyen rrobat dhe thërret: «Komplot! Komplot!» Por s’pi ujë. Jehojada urdhëron që ta nxjerrin nga tempulli e ta vrasin.—23:3, 13-15.
22. Në ç’mënyrë mbretërimi i Jehoasit fillon mirë, por mbaron keq?
22 Mbretërimi i Jehoasit, Amaziahut dhe Uziahut nis mirë, por mbaron keq (24:1–26:23). Jehoasi mbretëron 40 vjet dhe, për sa kohë që Jehojada është gjallë dhe ndikon për mirë, ai bën atë që është e drejtë. Madje interesohet edhe për shtëpinë e Jehovait dhe e restauron. Mirëpo, kur Jehojada vdes, Jehoasi ndikohet nga princat e Judës dhe i kthen krahët adhurimit të Jehovait e u shërben shtyllave të shenjta e idhujve. Kur fryma e Perëndisë nxit Zakarinë, birin e Jehojadës, që të qortojë mbretin, Jehoasi jep urdhër që profetin ta vrasin me gurë. Pak më pas, një forcë e vogël ushtarake siriane sulmon, por ushtria shumë më e madhe e Judës nuk është në gjendje t’i sprapsë, sepse kanë «braktisur Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre». (24:24) Shërbëtorët e Jehoasit ngrihen dhe e vrasin.
23. Ç’model jobesnikërie ndjek Amaziahu?
23 Amaziahu zë vendin e të atit, Jehoasit. Ai e fillon mirë mbretërimin e vet 29-vjeçar, por më vonë humb miratimin e Jehovait ngaqë ngre dhe adhuron idhujt e edomitëve. «Perëndia ka vendosur të të shkatërrojë»,—e paralajmëron profeti i Jehovait. (25:16) Megjithatë, Amaziahu nis të shesë mend dhe sfidon Izraelin në veri. Ashtu si kishte thënë fjala e Perëndisë, ai pëson një humbje poshtëruese nga izraelitët. Pas kësaj disfate, disa komplotistë ngrihen dhe e vrasin.
24. Në ç’mënyrë forca e Uziahut bëhet dobësia e tij dhe me ç’pasoja?
24 Biri i Amaziahut, Uziahu, ndjek hapat e të atit. Ai tregohet një mbret i mirë gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit të tij prej 52 vjetësh, dhe fiton famë si strateg ushtarak, ndërtues kullash dhe si një njeri që «e donte bujqësinë». (26:10) Ai e pajis ushtrinë me armë dhe makina lufte. Mjerisht, forca e tij bëhet dobësia e tij. Ai bëhet fodull dhe guxon të marrë përsipër detyrën e priftërinjve për të paraqitur temjan në tempullin e Jehovait. Prandaj, Jehovai e godet me lebër. Për pasojë, ai detyrohet të jetojë i veçuar nga të tjerët, larg shtëpisë së Jehovait e shtëpisë së mbretit, ku Jotami, i biri, gjykon popullin në vend të tij.
25. Përse ka sukses Jotami?
25 Jotami i shërben Jehovait (27:1-9). Ndryshe nga i ati, Jotami ‘nuk e dhunon tempullin e Jehovait’. Përkundrazi, ‘ai bën atë që është e drejtë në sytë e Jehovait’. (27:2) Gjatë mbretërimit të vet 16-vjeçar, ai bën shumë vepra ndërtimi dhe arrin të shtypë me sukses një rebelim të amonitëve.
26. Në ç’llum të paparë ligësie zhytet Akazi?
26 Mbreti i lig Akaz (28:1-27). Akazi, biri i Jotamit, është një ndër më të ligjtë e 21 mbretërve të Judës. Ai shkon në ekstreme të tilla, sa paraqet bijtë e tij si flijime të djegura për perënditë pagane. Si pasojë, Jehovai e braktis në dorë të ushtrive të Sirisë, Izraelit, Edomit dhe Filistisë. Kështu, Jehovai e përul Judën, ngaqë Akazi ‘e lë Judën të shfrenohet gjithnjë e më tepër dhe tregohet shumë i pabesë ndaj Jehovait’. (28:19) Akazi shkon zi e më zi, dhe u paraqit flijime perëndive të Sirisë, meqë sirianët dalin më të fortë se ai në betejë. Ai mbyll dyert e shtëpisë së Jehovait dhe e zëvendëson adhurimin e Jehovait me adhurimin e perëndive pagane. Mbretërimi i Akazit merr fund pas 16 vjetësh, dhe shumë zgjat madje!
27. Si tregon Hezekia zell për adhurimin e Jehovait?
27 Mbreti besnik Hezekia (29:1–32:33). Hezekia, biri i Akazit, mbretëron 20 vjet në Jerusalem. Puna e parë që bën, është hapja dhe restaurimi i dyerve të shtëpisë së Jehovait. Më pas, mbledh priftërinjtë e levitët, dhe i udhëzon të pastrojnë tempullin e ta shenjtërojnë për shërbimin e Jehovait. Ai shpall se dëshiron të bëjë një besëlidhje me Jehovain, që të largojë zemërimin e Tij të zjarrtë. Adhurimi i Jehovait rifillon në mënyrë madhështore.
28. Ç’festë të jashtëzakonshme mban Hezekia në Jerusalem, dhe si e shpreh populli gëzimin?
28 Nisin planet për të kremtuar një Pashkë madhështore, por ngaqë s’ka kohë për ta përgatitur muajin e parë, ata vënë në zbatim një masë që kishte marrë vetë Ligji, dhe e kremtojnë muajin e dytë të vitit të parë të mbretërimit të Hezekisë. (2 Kron. 30:2, 3; Num. 9:10, 11) Mbreti fton që të marrë pjesë jo vetëm gjithë Judën, por edhe Izraelin. Edhe pse në Efraim, Manase dhe Zabulon disa tallen me ftesën, të tjerët me përulësi shkojnë në Jerusalem bashkë me gjithë Judën. Pas Pashkës, kremtohet festa e Kuleçve të Ndormë. Ç’festë e gëzueshme shtatëditore! Është aq ndërtuese, sa gjithë kongregacioni e zgjat festën edhe shtatë ditë të tjera. «Në Jerusalem pati një gëzim të madh, sepse që nga ditët e Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit, nuk kishte pasur një gjë të tillë në atë qytet.» (2 Kron. 30:26) I rimëkëmbur frymësisht, populli nis një fushatë të jashtëzakonshme për të zhdukur nga Juda dhe Izraeli idhujtarinë, kurse Hezekia nga ana e vet, rikthen kontributet materiale për levitët dhe shërbimet në tempull.
29. Si e shpërblen Jehovai besimin e palëkundur që kishte Hezekia tek ai?
29 Por ja, Senakeribi, mbreti i Asirisë, sulmon Judën dhe kërcënon Jerusalemin. Hezekia merr zemër, forcon mbrojtjen e qytetit dhe shpërfill talljet e armikut. Ai beson plotësisht të Jehovai dhe vazhdon të lutet për ndihmë. Jehovai i përgjigjet në mënyrë dramatike kësaj lutjeje të bërë me besim. Ai ‘dërgon një engjëll dhe zhduk çdo burrë trim dhe të fuqishëm, udhëheqës dhe të parë në kampin e mbretit të Asirisë’. (32:21) Senakeribi kthehet në shtëpi faqenxirë. As perënditë e veta s’mund ta shpëtojnë nga ky turp, sepse me vonë, vetë bijtë e tij e vrasin para altarëve të këtyre perëndive. (2 Mbret. 19:7) Me anë të një mrekullie Jehovai ia zgjat jetën Hezekisë; ai fiton pasuri e lavdi të madhe, dhe mbarë Juda e nderon kur vdes.
30. (a) Në ç’rrugë të keqe kthehet Manaseu, por ç’ndodh pasi pendohet? (b) Ç’ndodh gjatë mbretërimit jetëshkurtër të Amonit?
30 Mbretërimi i lig i Manaseut dhe i Amonit (33:1-25). Manaseu, biri i Hezekisë, i kthehet rrugës së keqe të gjyshit të vet, Akazit, duke zhbërë kështu çdo gjë të mirë që ishte arritur gjatë mbretërimit të Hezekisë. Ai ndërton vendet e larta, vendos shtyllat e shenjta, madje flijon bijtë e tij për perënditë e rreme. Së fundi, Jehovai sjell kundër Judës mbretin e Asirisë dhe Manaseun e marrin rob në Babiloni. Atje, ai pendohet për keqbërjet. Kur Jehovai i tregon mëshirë dhe e rivendos si mbret, ai përpiqet të çrrënjosë adhurimin demonik e të rivendosë fenë e vërtetë. Megjithatë, kur Manaseu vdes pas një mbretërimi të gjatë 55-vjeçar, i biri, Amoni, hipën në fron dhe sërish mbështet me ligësi adhurimin e rremë. Pas dy vjetësh, vritet nga shërbëtorët e tij.
31. Cilat janë disa ngjarje kryesore të mbretërimit të guximshëm të Josisë?
31 Josia mbretëron me guxim (34:1–35:27). Josia i ri, një nga bijtë e Amonit, bën një përpjekje të guximshme për të rivendosur adhurimin e vërtetë. Ai rrëzon altarët e Baalëve dhe shëmbëlltyrat e skalitura dhe meremeton shtëpinë e Jehovait, ku gjejnë «librin e ligjit të Jehovait që ishte dhënë me anë të dorës së Moisiut», pa dyshim kopjen origjinale. (34:14) Gjithsesi, Josisë së drejtë i thuhet se e keqja do të godasë vendin, për shkak të jobesnikërisë së mëparshme, por jo gjatë jetës së tij. Vitin e 18-të të mbretërimit, Josia përgatit kremtimin e një Pashke madhështore. Pasi ka mbretëruar për 31 vjet, Josia vdes, teksa përpiqet më kot të ndalojë hordhitë egjiptiane që po kalojnë përmes vendit të tij për të shkuar në Eufrat.
32. Si e çojnë katër mbretërit e fundit të Judës vendin drejt fundit të tij katastrofik?
32 Jehoahazi, Jehojakimi, Jehojakini, Zedekia dhe shkretimi i Jerusalemit (36:1-23). Ligësia e katër mbretërve të fundit të Judës e çon me të shpejt vendin drejt një fundi katastrofik. Jehoahazi, biri i Josisë, sundon vetëm tre muaj, dhe më pas hiqet nga Neko, faraoni i Egjiptit. Në vend të tij vendoset i vëllai, Eliakimi, të cilit ia ndryshuan emrin në Jehojakim, dhe gjatë mbretërimit të tij Juda bie nën sundimin e fuqisë së re botërore, Babilonisë. (2 Mbret. 24:1) Kur Jehojakimi ngre krye, Nabukodonosori shkon në Jerusalem për ta ndëshkuar në vitin 618 p.e.s., mirëpo Jehojakimi vdes po atë vit, pasi ka mbretëruar për 11 vjet. Në vend të tij ngjitet i biri, Jehojakini. Pas një mbretërimi që nuk zgjati as tre muaj, Jehojakini dorëzohet në duart e Nabukodonosorit, që e çon rob në Babiloni. Për të tretën herë, Nabukodonosori vendos në fron një tjetër nga bijtë e Josisë, ungjin e Jehojakinit, Zedekinë. Zedekia mbretëron si mos më keq për 11 vjet, dhe nuk pranon të ‘përulet para profetit Jeremia, i cili i flet me urdhër të Jehovait’. (2 Kron. 36:12) Me një mungesë të madhe besnikërie, priftërinjtë dhe populli ndotin shtëpinë e Jehovait.
33. (a) Si nis shkretimi 70-vjeçar ‘që të përmbushet fjala e Jehovait’? (b) Ç’dekret historik regjistrohet në dy vargjet e fundit të 2 Kronikave?
33 Së fundi, Zedekia ngre krye kundër zgjedhës babilonase, por kësaj here Nabukodonosori s’tregohet aspak i mëshirshëm. Zemërimi i Jehovait ka arritur kulmin dhe s’ka derman. Jerusalemi bie, tempulli i tij bastiset e digjet, dhe ata që mbijetojnë nga rrethimi 18-mujor, dërgohen robër në Babiloni. Juda mbetet e shkretë. Kështu, në vitin 607 p.e.s., nis shkretimi, «që të përmbushej fjala që tha Jehovai nëpërmjet gojës së Jeremisë . . . që të mbusheshin shtatëdhjetë vjet». (36:21) Pastaj, kronikani e kapërcen këtë boshllëk prej afro 70 vjetësh, dhe në dy vargjet e fundit regjistron dekretin historik të Kirit në vitin 537 p.e.s. Robërit judenj do të çlirohen! Jerusalemi do të ngrihet sërish!
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
34. Çfarë nxjerr në pah materiali që përzgjodhi Ezdra, dhe ç’dobi pati kjo për kombin?
34 Libri i 2 Kronikave, me dëshminë e vet të fuqishme, përforcon dëshmitë e tjera që kanë të bëjnë me këtë periudhë historike, 1037 p.e.s-537 p.e.s. Për më tepër, jep informacione shtesë shumë të dobishme, të cilat nuk gjenden në tregimet e tjera historike që janë pjesë e Biblës, si për shembull te 2 Kronikave, kapitujt 19, 20 dhe 2Kr 29 deri në 31. Materiali që përzgjodhi Ezdra nxjerr në pah elementet themelore dhe të qëndrueshme në historinë e kombit, si për shembull priftëria dhe shërbimi i tyre, tempulli dhe besëlidhja për Mbretërinë. Kjo ishte e dobishme për ta mbajtur kombin të bashkuar në shpresën e ardhjes së Mesisë dhe të Mbretërisë së tij.
35. Ç’pika të rëndësishme gjejmë te vargjet e fundit të 2 Kronikave?
35 Vargjet e fundit të librit të 2 Kronikave (36:17-23) sigurojnë një provë përfundimtare të përmbushjes së Jeremisë 25:12 dhe tregojnë se duhen llogaritur 70 vite të plota që nga shkretimi i plotë i vendit deri në rivendosjen e adhurimit të Jehovait në Jerusalem, në vitin 537 p.e.s. Rrjedhimisht, ky shkretim fillon në vitin 607 p.e.s.c—Jer. 29:10; 2 Mbret. 25:1-26; Ezd. 3:1-6.
36. (a) Ç’paralajmërim të fuqishëm përmban 2 Kronikave? (b) Si e forcon shpresën për Mbretërinë?
36 Libri i 2 Kronikave përmban një paralajmërim të fuqishëm për ata që po ecin në besimin e krishterë. Shumë mbretër të Judës e filluan mirë mbretërimin, por pastaj rrëshqitën në rrugë të keqe. Sa me forcë e ilustron ky dokumentim historik se suksesi varet nga besnikëria ndaj Perëndisë! Prandaj, jemi të paralajmëruar që të mos bëhemi «lloji që sprapset për shkatërrim, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit». (Hebr. 10:39) Madje edhe mbreti besnik Hezekia u bë fodull pasi u shërua nga sëmundja që i kishte rënë dhe arriti ta shmangte indinjatën e Jehovait vetëm sepse u përul menjëherë. Libri i 2 Kronikave madhështon cilësitë e mrekullueshme të Jehovait dhe lartëson emrin e sovranitetin e tij. E gjithë historia paraqitet nga këndvështrimi i përkushtimit të plotë ndaj Jehovait. Ngaqë nxjerr në pah edhe linjën mbretërore të Judës, na e forcon shpresën se do të shohim lartësimin e adhurimit të pastër nën Mbretërinë e përjetshme të Jezu Krishtit, «birit [besnik] të Davidit».—Mat. 1:1; Vep. 15:16, 17.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 147, anglisht.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 750, 751; vëll. 2, faqet 1076-1078, anglisht.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 463; vëll. 2, faqja 326, anglisht.