Libri biblik numër 4—Numrat
Shkrimtari: Moisiu
Vendi ku u shkrua: shkretëtirë dhe Rrafshinat e Moabit
Shkrimi përfundoi: 1473 p.e.s.
Periudha përkatëse: 1512 p.e.s.–1473 p.e.s.
1. Përse u dokumentuan ngjarjet e librit të Numrave, dhe çfarë na ngulitin në mendje?
NGJARJET që ndodhën gjatë udhëtimit të izraelitëve nëpër shkretëtirë janë dokumentuar për dobinë tonë sot.a Ashtu si tha apostulli Pavël: «Këto gjëra u bënë shembuj për ne, që të mos jemi njerëz që dëshirojnë gjëra të dëmshme.» (1 Kor. 10:6) Tregimi i gjallë i Numrave na ngulit në mendje se mbijetesa varet nga shenjtërimi i emrit të Jehovait, nga bindja ndaj tij në çdo rrethanë dhe nga respekti që tregojmë për përfaqësuesit e tij. Pëlqimi i Perëndisë nuk fitohet nga mirësia apo nga ndonjë meritë e popullit të tij, por vetëm falë mëshirës së madhe dhe dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.
2. Me se lidhet emri Numrat, por me ç’emër më të përshtatshëm e quajtën judenjtë librin?
2 Emri Numrat lidhet me numërimin e popullit, që u bë së pari në malin Sinai dhe më vonë në Rrafshinat e Moabit, sikurse tregojnë kapitujt 1-4 dhe 26. Ky emër është marrë nga titulli Numeri në Vulgatën latine, që vjen nga titulli Arithmói në Septuagintën greke. Gjithsesi, në mënyrë më të përshtatshme, judenjtë e quajnë librin Bemidhbár, që do të thotë «Në shkretëtirë». Fjala hebraike midhbár tregon një vend të hapur, pa qytete dhe fshatra. Faktikisht, ngjarjet që përshkruhen në librin e Numrave ndodhën në shkretëtirë, në jug e në lindje të Kanaanit.
3. Ç’gjë provon se shkrimtari i Numrave ishte Moisiu?
3 Me sa duket, libri i Numrave ishte pjesë e vëllimit origjinal që përfshinte pesë libra, nga Zanafilla deri te Ligji i përtërirë. Në gjuhën origjinale, vargu i parë hapet me lidhëzën «dhe», e cila e lidh librin me ato që ishin thënë më parë. Prandaj, ai duhet të jetë shkruar nga Moisiu, shkrimtari i librave të mëparshëm. Kjo duket qartë edhe nga pohimi që bën libri kur thotë se «Moisiu i mbajti shënim», si dhe nga fjalët mbyllëse: «Këto janë urdhërimet dhe vendimet gjyqësore që u dha Jehovai me anë të Moisiut.»—Num. 33:2; 36:13.
4. Ç’periudhë përkatëse përfshin libri i Numrave, dhe kur përfundoi së shkruari?
4 Izraelitët e kishin lënë Egjiptin pak më shumë se një vit më parë. Duke e vazhduar tregimin muajin e dytë të vitit të dytë pas Daljes, libri i Numrave përfshin 38 vitet e nëntë muajt vijues, që nga 1512-a deri më 1473 p.e.s. (Num. 1:1; Ligj. 1:3) Edhe pse nuk futen në këtë periudhë kohore, ngjarjet që tregohen te Numrat 7:1-88 dhe 9:1-15 janë përfshirë për të krijuar sfondin historik. Pjesët e para të librit pa dyshim janë shkruar ndërsa ngjarjet ndodhnin, por është e qartë se Moisiu nuk mund t’i ketë përfunduar Numrat deri aty nga fundi i vitit të 40-të në shkretëtirë, në fillim të vitit kalendarik 1473 p.e.s.
5. Cilat aspekte dëshmojnë për autenticitetin e Numrave?
5 Autenticiteti i librit as që mund të vihet në dyshim. Izraelitët udhëtuan nëpër një vend përgjithësisht të shkretë që Moisiu e përshkroi si një «shkretëtirë të madhe e të frikshme», dhe është e vërtetë që edhe sot e kësaj dite banorët e shpërndarë të atij vendi janë vazhdimisht në lëvizje, në kërkim të kullotave dhe ujit. (Ligj. 1:19) Veç kësaj, edhe udhëzimet e hollësishme për fushimin e kombit, radhën e marshimit dhe sinjalet e trumbetave për punë të ndryshme në kamp, dëshmojnë se tregimi u shkrua vërtet ‘në shkretëtirë’.—Num. 1:1.
6. Si e mbështetin tregimin e Numrave gjetjet arkeologjike?
6 Madje, arkeologjia ka vërtetuar edhe raportin plot frikë të vëzhguesve, pasi u kthyen nga ekspedita në Kanaan, sipas të cilit «qytetet e fortifikuara janë shumë të mëdha». (13:28) Zbulimet e fundit tregojnë se banorët që popullonin asokohe Kanaanin, i kishin përforcuar vendbanimet me një sërë fortesash, të cilat shtriheshin në pozicione të ndryshme përgjatë vendit, që nga Ultësira e Jezreelit në veri, deri në Gerar në jug. Qytetet ishin jo vetëm të fortifikuara, por zakonisht ndërtoheshin majë kodrave, dhe kullat që ngriheshin mbi mure u bënin mjaft përshtypje izraelitëve, të cilët kishin jetuar për breza të tërë në vende të ulëta si Egjipti.
7. Cilën shenjë ndershmërie vërejmë te libri i Numrave?
7 Kombet e botës e kanë zakon t’i mbulojnë dështimet e të ngrenë në qiell fitoret, kurse tregimi i Numrave e shfaq vërtetësinë e tij historike, kur me ndershmëri na thotë që Izraeli ia mbathi me vrap para amalekitëve dhe kananitëve. (14:45) Tregimi thotë shkoqur se populli nuk kishte as besim dhe as respekt për Perëndinë. (14:11) Me një çiltërsi të jashtëzakonshme, profeti i Perëndisë, Moisiu, nxori në shesh mëkatet e kombit, të nipërve të tij dhe të vëllait e të motrës së tij. Nuk kurseu as veten, pasi tregon për ndodhinë kur nuk e shenjtëroi Jehovain tek ujërat e Meribës, aq sa humbi edhe privilegjin për të hyrë të Tokën e Premtuar.—3:4; 12:1-15; 20:7-13.
8. Si dëshmojnë edhe shkrimtarë të tjerë të Biblës që libri i Numrave është i frymëzuar?
8 Që tregimi i Numrave është pjesë autentike e Shkrimeve të frymëzuara nga Perëndia dhe të dobishme, duket nga fakti që pothuajse të gjitha ngjarjet e mëdha që përshkruan, si dhe shumë hollësi të tjera, janë marrë drejtpërdrejt si referime nga disa shkrimtarë të Biblës, mjaft nga të cilët kanë theksuar domethënien e atyre ngjarjeve. Për shembull: Josiu (Jos. 4:12; 14:2); Jeremia (2 Mbret. 18:4); Nehemia (Neh. 9:19-22); Asafi (Psal. 78:14-41); Davidi (Psal. 95:7-11); Isaia (Isa. 48:21); Ezekieli (Ezek. 20:13-24); Hozea (Hoz. 9:10); Amosi (Amo. 5:25); Mikea (Mik. 6:5); Luka, kur dokumenton fjalimin e Stefanit (Vep. 7:36); Pavli (1 Kor. 10:1-11); Pjetri (2 Pjet. 2:15, 16); Juda (Juda 11) dhe Gjoni, kur dokumenton fjalët e Jezuit për kongregacionin në Pergam (Zbul. 2:14), që të gjithë i referohen tregimit të Numrave, sikurse bëri edhe vetë Jezu Krishti.—Gjoni 3:14.
9. Çfarë thekson për Jehovain libri i Numrave?
9 Cili është qëllimi i librit të Numrave? Sigurisht që nuk ka vetëm vlera historike. Libri i Numrave nënvizon se Jehovai është Perëndi i rregullit dhe kërkon që krijesat e veta t’i përkushtohen vetëm atij. Kjo gjë ngulitet me forcë në mendjen e lexuesit teksa ndjek numërimin, sprovat e shoshitjen e Izraelit, dhe vëren se si mosbindja e rebelimi i kombit theksojnë sa jetësore është t’i bindemi Jehovait.
10. Për të mirën e kujt u ruajt tregimi i Numrave, dhe përse?
10 Ky tregim u ruajt për të mirën e brezave që do të vijnë, sikurse shpjegoi Asafi, «që Perëndia të jetë burimi i sigurisë së tyre e të mos harrojnë se si vepron, por të zbatojnë urdhërimet e tij», si dhe «që të mos bëhen si paraardhësit e tyre, një brez kokëfortë e rebel, një brez me zemër të papërgatitur e me frymë jobesnike ndaj Perëndisë». (Psal. 78:7, 8) Herë pas here, ngjarjet e Numrave përmenden te psalmet, të cilat ishin këngë të shenjta për judenjtë, dhe si të tilla përsëriteshin shpesh për dobinë e kombit.—Psal. 78, 95, 105, 106, 135, 136.
PËRMBAJTJA E NUMRAVE
11. Në cilat tri pjesë mund të ndahet përmbajtja e Numrave?
11 Në mënyrë të logjikshme Numrat ndahen në tri pjesë. E para, që përfundon në kapitullin 10, vargu 10, përmban ngjarjet që ndodhën kur izraelitët po fushonin në malin Sinai. Pjesa tjetër, që përfundon në kapitullin 21, tregon çfarë ndodhi gjatë 38 vjetëve, plus një a dy muaj më shumë, kur ata ishin në shkretëtirë, derisa mbërritën në Rrafshinat e Moabit. Pjesa e fundit, deri në fund të kapitullit 36, përqendrohet te ngjarjet që ndodhën në Rrafshinat e Moabit kur izraelitët po përgatiteshin të hynin në Tokën e Premtuar.
12. Sa i madh është fushimi i Izraelit në Sinai, dhe si është organizuar kampi?
12 Ngjarjet në malin Sinai (1:1–10:10). Izraelitët po bëjnë gati një vit në rajonin malor të Sinait. Këtu marrin formën e një organizate kompakte. Tani, Jehovai urdhëron të numërohen të gjithë meshkujt nga 20 vjeç e lart. Sipas llogarisë, fiset kanë nga 32.000 burra, fisi i Manaseut, deri në 74.600, fisi i Judës, me një total prej 603.550 burra të aftë për të shërbyer në ushtrinë e Izraelit, përveç levitëve, grave e fëmijëve—një kamp që numëron mbase tre milionë a më shumë veta. Tenda e mbledhjes, bashkë me levitët, vendoset në qendër të kampit. Izraelitët e tjerë fushojnë në vende të caktuara në të katër anët e kampit, në ndarje trifisëshe. Çdo fis ka marrë udhëzime për radhën e nisjes kur të zhvendoset kampi. Jehovai u jep udhëzime, dhe tregimi thotë: «Bijtë e Izraelit vepruan në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Jehovai Moisiut.» (2:34) Ata i binden Jehovait dhe tregojnë respekt për Moisiun, përfaqësuesin e dukshëm të Perëndisë.
13. Sipas cilit rregull caktohen në shërbim levitët?
13 Pastaj, levitët ndahen veç për t’i shërbyer Jehovait, si shpërblesë për të parëlindurit e Izraelit. Ata ndahen në tri grupe, sipas prejardhjes së tyre nga tre bijtë e Levit: Gershoni, Kehathi dhe Merari. Vendqëndrimi në kamp dhe përgjegjësitë e shërbimit, përcaktohen në bazë të kësaj ndarjeje. Ata që janë nga 30 vjeç e lart, duhet të bëjnë punën e rëndë të transportimit të tabernakullit. Për të lehtësuar punën, merren masa që disa të tjerë të shërbejnë që nga mosha 25 vjeç. (Në kohën e Davidit mosha u ul deri në 20 vjeç.)—1 Kron. 23:24-32; Ezd. 3:8.
14. Çfarë udhëzimesh jepen për të siguruar pastërtinë e kampit?
14 Që kampi të mbetet i pastër, jepen udhëzime për të vënë në karantinë të sëmurët, për të bërë shlyerjen për veprat e jobesnikërisë, për të zgjidhur çështjet kur një burrë dyshon për sjelljen e së shoqes dhe për të siguruar sjelljen e duhur të atyre që ndahen veç me anë të një betimi për të jetuar si nazire për Jehovain. Përderisa do të mbajë emrin e Perëndisë, populli duhet të jetojë në përputhje me urdhërimet e tij.
15. (a) Ç’kontribute u dhanë për përurimin e altarit? (b) Ç’lidhje duhet të mbajë mend Izraeli, dhe çfarë u kujton Pashka?
15 Më pas, Moisiu jep disa hollësi nga muaji i mëparshëm (Num. 7:1, 10; Dal. 40:17), dhe flet për kontributet materiale që bënë 12 prijësit e popullit gjatë 12 ditëve që nga koha e përurimit të altarit. S’kishte frymë konkurrence, dhe askush nuk kërkonte lavdi për vete; secili kontribuonte njësoj si të tjerët. Tani të gjithë duhet të mbajnë mend që mbi këta prijës, dhe mbi vetë Moisiun, është Perëndia Jehova, i cili i jep udhëzime Moisiut. Ata s’duhet ta harrojnë kurrë lidhjen e tyre me Jehovain. Pashka u kujton se Jehovai i çliroi nga Egjipti në mënyrë të mrekullueshme, dhe këtë e kremtojnë në shkretëtirë në kohën e caktuar, një vit pasi kanë dalë nga Egjipti.
16. Si e drejton Jehovai kombin, dhe çfarë sinjalesh të trumbetës përcaktohen?
16 Ashtu si kishte drejtuar daljen e Izraelit nga Egjipti, Jehovai vazhdon ta udhëheqë kombin gjatë udhëtimit: ditën me një re, që mbulon tabernakullin e tendës së Dëshmisë, kurse natën me atë që dukej si zjarr. Kur lëviz reja, lëviz edhe kombi. Kur reja qëndron mbi tabernakull, kombi qëndron i fushuar, qoftë për ca ditë, për një muaj apo më shumë, sepse tregimi thotë: «Me urdhër të Jehovait fushonin dhe po me urdhër të Jehovait niseshin. Ata e përmbushën detyrimin që kishin para Jehovait, siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.» (Num. 9:23) Ndërsa afrohet koha për të ikur nga Sinai, përcaktohen sinjalet e trumbetës që shërbejnë për të mbledhur popullin dhe për të drejtuar ndarjet e ndryshme të fushimit gjatë udhëtimit në shkretëtirë.
17. Përshkruaj procedurën e marshimit.
17 Ngjarjet në shkretëtirë (10:11–21:35). Më në fund, ditën e njëzetë të muajit të dytë, Jehovai e ngre renë nga tabernakulli, duke sinjalizuar kësisoj nisjen e Izraelit nga rajoni i Sinait. Me arkën e Jehovait që qëndron mes tyre, ata nisen për në Kadesh-Barnea, nja 240 km në veri. Ditën, gjatë marshimit, reja e Jehovait qëndron mbi ta. Sa herë që del Arka, Moisiu i lutet Jehovait që të ngrihet e të shpërndajë armiqtë e tij, dhe sa herë që ajo ndalon, ai i lutet Jehovait të kthehet «te burrat e panumërt të Izraelit».—10:36.
18. Pse ankohet populli udhës për në Kadesh-Barnea, dhe si e ndreq Jehovai procedurën teokratike në kamp?
18 Megjithatë, në kamp nisin problemet. Udhës për në veri, për në Kadesh-Barnea, populli ankohet të paktën në tri raste. Për të shtypur rebelimin e parë, Jehovai dërgon një zjarr që përpin disa nga populli. Më pas, «turma e përzier» e nxit popullin të qahet se s’kanë më si ushqim peshq, kastraveca, shalqinj, presh, qepë dhe hudhra të Egjiptit, por vetëm manë. (11:4) Moisiu mërzitet aq shumë, sa i kërkon Jehovait më mirë ta vrasë fare, se të shërbejë si mëndeshë për gjithë atë popull. Jehovai e merr parasysh këtë, dhe heq ca nga fryma që i kishte dhënë Moisiut e ia jep 70 pleqve, që fillojnë ta ndihmojnë Moisiun si profetë në kamp. Pastaj u siguron mish me bollëk. Sikurse kishte ndodhur edhe një herë tjetër, Jehovai dërgon një erë që sjell shkurta nga deti, dhe populli mbledh me lakmi sasi të mëdha, duke i grumbulluar me egoizëm. Jehovait i ndizet zemërimi kundër popullit që shfaq dëshira egoiste dhe vret shumë veta.—Dal. 16:2, 3, 13.
19. Si vepron Jehovai kundrejt qëndrimit kritik të Miriamit dhe të Aaronit?
19 Problemet vazhdojnë. Ngaqë nuk arrijnë ta shohin vëllanë e tyre më të vogël, Moisiun, si përfaqësues të Jehovait, Miriami dhe Aaroni mbajnë një qëndrim kritik ndaj tij, për shkak të gruas së tij që sapo ka mbërritur në kamp. Ata kërkojnë më shumë autoritet, baras me atë që ka Moisiu, edhe pse «Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë . . . më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut». (Num. 12:3) Jehovai merr përsipër ta ndreqë vetë situatën dhe e tregon hapur pozitën e veçantë të Moisiut, duke goditur me lebër Miriamin, që me sa duket, nxiti këtë ankesë. Ajo shërohet vetëm pas ndërhyrjes së Moisiut.
20, 21. Cilat ngjarje bëjnë që Jehovai të dekretojë endjen e Izraelit për 40 vjet nëpër shkretëtirë?
20 Me të mbërritur në Kadesh, Izraeli e ngre kampin në prag të Tokës së Premtuar. Tani, Jehovai e udhëzon Moisiun të dërgojë vëzhgues që të hetojnë vendin. Ata hyjnë nga jugu dhe udhëtojnë drejt veriut deri «në hyrje të Hamathit», duke përshkuar qindra kilometra për 40 ditë. (13:21) Kur kthehen, sjellin me vete ca nga frutat e pasura të Kanaanit. Dhjetë nga vëzhguesit, të cilëve u mungon besimi, argumentojnë se do të ishte çmenduri të ngriheshin kundër një populli aq të fortë, me qytete aq të fortifikuara. Kalebi përpiqet ta qetësojë asamblenë me një raport të favorshëm, por nuk ia del dot. Vëzhguesit rebelë ngjallin panik në zemrat e izraelitëve. Ky vend «i përpin banorët e vet», thonë ata. Dhe shtojnë: «Të gjithë njerëzit që pamë atje, janë burra me shtat të jashtëzakonshëm.» Murmuritjet dhe rebelimi përhapen nëpër kamp, prandaj Josiu dhe Kalebi i luten popullit: «Ne kemi Jehovain. Mos ua kini frikën.» (13:32; 14:9) Megjithatë, asambleja nis të thotë që t’i vrasin me gurë.
21 Prandaj Jehovai ndërhyn drejtpërdrejt dhe i thotë Moisiut: «Deri kur do të më përbuzë ky popull? Deri kur nuk do të kenë besim tek unë pas gjithë atyre shenjave që kreva mes tyre?» (14:11) Moisiu i lutet të mos e shkatërrojë kombin, pasi në lojë është emri dhe fama e Jehovait. Atëherë Jehovai dekreton endjen e Izraelit nëpër shkretëtirë derisa të kenë vdekur të gjithë të regjistruarit nga 20 vjeç e lart. Nga meshkujt e regjistruar, vetëm Kalebi dhe Josiu do të lejohen të hyjnë në Tokën e Premtuar. Më kot populli përpiqet të luftojë me kokën e vet, pasi pëson një disfatë të tmerrshme nga amalekitët dhe kananitët. Sa çmim të lartë paguajnë ngaqë nuk respektojnë Jehovain dhe përfaqësuesit e tij besnikë!
22. Si theksohet rëndësia e bindjes?
22 Vërtet, ata kanë shumë për të mësuar për sa i përket bindjes. Në mënyrë të përshtatshme, Jehovai u jep ligje të mëtejshme që theksojnë këtë nevojë. Ai u bën të ditur se, kur të futen në Tokën e Premtuar, duhet të bëjnë shlyerjen për gabimet, kurse ata që s’do të binden me qëllim, do të vriten patjetër. Prandaj, kur gjejnë një burrë që mblidhte dru, duke shkelur kështu ligjin e sabatit, Jehovai urdhëron: «Ai njeri duhet vrarë patjetër.» (15:35) Që t’u kujtojë urdhërimet e tij dhe sa e rëndësishme është bindja ndaj tyre, Jehovai e udhëzon popullin që të bëjë thekë në cepat e rrobave.
23. Cili është rezultati i rebelimit të Korahut, Datanit dhe Abiramit?
23 Gjithsesi, rebelimi shpërthen sërish. Korahu, Datani dhe Abirami, bashkë me 250 burra me emër të asamblesë, i kundërvihen autoritetit të Moisiut dhe Aaronit. Moisiu ia lë çështjen në dorë Jehovait, dhe u thotë rebelëve: ‘Merrni mbajtëse zjarri dhe temjan, dhe paraqitini para Jehovait, e ai le të zgjedhë.’ (16:6, 7) Tani, lavdia e Jehovait i shfaqet asamblesë. Rrufeshëm, ai ekzekuton gjykimin duke çarë tokën që përpin ata të shtëpisë së Korahut, Datanit dhe Abiramit, si dhe duke dërguar një zjarr që i bën shkrumb e hi 250 burrat që po paraqitin temjan, përfshirë Korahun. Mirëpo të nesërmen, populli nis të fajësojë Moisiun dhe Aaronin për çka bëri Jehovai. Prandaj Ai i godet me një plagë dhe fshin tej 14.700 të pakënaqur.
24. Çfarë shenje kryen Jehovai për t’i dhënë fund rebelimit?
24 Për shkak të këtyre ngjarjeve, Jehovai urdhëron që çdo fis të paraqitë para tij një shkop, përfshirë edhe një shkop me emrin e Aaronit për fisin e Levit. Ditën tjetër bëhet e dukshme që Aaroni është zgjedhur nga Jehovai për të pasur priftërinë, pasi vetëm shkopi i tij është plot lule dhe ka nxjerrë bajame të bëra. Shkopi duhet ruajtur në arkën e besëlidhjes «si shenjë për bijtë e rebelimit». (Num. 17:10; Hebr. 9:4) Pasi jep udhëzime të mëtejshme për të mbështetur priftërinjtë me anë të të dhjetave, dhe për përdorimin e ujit të pastrimit me hirin e një lope të kuqe, tregimi na çon përsëri në Kadesh. Këtu Miriami vdes dhe varroset.
25. Si ndodh që Moisiu dhe Aaroni nuk e shenjtërojnë Jehovain, dhe me ç’pasoja?
25 Edhe një herë në prag të Tokës së Premtuar, asambleja nis të bëjë sherr me Moisiun ngaqë u mungon uji. Për Jehovain është sikur të kenë bërë sherr me atë vetë, prandaj shfaqet në lavdinë e tij dhe urdhëron Moisiun të marrë shkopin e të nxjerrë ujë nga shkrepi. A e shenjtërojnë Jehovain Moisiu dhe Aaroni? Jo, përkundrazi, Moisiu e godet shkëmbin dy herë me zemërim. Populli dhe bagëtitë e shuajnë etjen, por Moisiu dhe Aaroni nuk ia japin meritën Jehovait. Edhe pse rrugëtimi sfilitës nëpër shkretëtirë pothuajse po mbaron, ata marrin mbi vete mospëlqimin e Jehovait që u thotë se nuk do të hyjnë në Tokën e Premtuar. Aaroni vdes më vonë në malin Hor, dhe biri i tij, Eleazari, merr detyrën e kryepriftit.
26. Cilat ngjarje ndodhin gjatë vërdallosjes përreth Edomit?
26 Izraeli kthehet në lindje dhe kërkon të kalojë përmes vendit të Edomit, por kërkesa e tij hidhet poshtë. Teksa detyrohet të bëjë një vërdallosje të gjatë përreth Edomit, populli futet sërish në telashe kur ankohet kundër Perëndisë dhe Moisiut. Ata janë mërzitur me manën dhe i ka marrë etja. Për shkak të këtij rebelimi, Jehovai u dërgon gjarpërinj helmues dhe shumë veta humbin jetën. Së fundi, me ndërhyrjen e Moisiut, Jehovai e udhëzon këtë të fundit të bëjë një gjarpër helmues prej bakri dhe ta vërë mbi një shtizë si shenjë. Ata që kafshohen nga gjarpërinjtë dhe ia ngulin sytë gjarprit prej bakri, mbeten gjallë. Udhës për në veri, izraelitët hasin një pengesë tjetër, mbretërit luftarakë Sihonin e amoritëve dhe Ogun e Bashanit. Izraeli i mposht në betejë të dy këta mbretër dhe pushton territoret e tyre në lindje të Luginës së Riftit.
27. Si i kthen përmbys Jehovai planet e Balakut për Balaamin?
27 Ngjarjet në Rrafshinat e Moabit (22:1–36:13). Të paduruar për të hyrë në Kanaan, izraelitët grumbullohen tani në rrafshinat e shkreta të Moabit, në veri të Detit të Vdekur dhe në lindje të Jordanit, përballë Jerikosë. Tek shohin këtë fushim të paanë që shtrihet para tyre, moabitët tmerrohen nga frika. Mbreti i tyre, Balaku, pasi është këshilluar edhe me midianitët, i çon fjalë Balaamit që të hedhë fall e të mallkojë Izraelin. Edhe pse Perëndia i thotë qartë: «Mos shko me ta», Balaamit i pëlqen të shkojë. (22:12) Ai do shpërblimin. Kështu që niset, por më kot, pasi rrugës e ndal një engjëll dhe vetë gomarica e tij, e cila me anë të një mrekullie nis t’i flasë e ta qortojë. Më në fund, kur Balaami ia del të bëjë ca deklarata për Izraelin, fryma e Perëndisë e nxit që në katër shprehjet e tij proverbiale të profetizojë vetëm bekime për kombin e Perëndisë, duke parathënë madje që një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli që të nënshtrojë e të shkatërrojë.
28. Cilën grackë dinake sugjeron Balaami kundër Izraelit, dhe si ndalet plaga?
28 Meqë ka shkaktuar tërbimin e Balakut, ngaqë nuk arriti të mallkonte Izraelin, Balaami tani kërkon pëlqimin e mbretit dhe i sugjeron që moabitët të futin në lojë femrat e tyre për t’i joshur burrat e Izraelit që të përzihen në ritet e fëlliqura të adhurimit të Baalit. (31:15, 16) Dhe pikërisht këtu, në kufi të Tokës së Premtuar, izraelitët i hapin rrugë imoralitetit të rëndë dhe adhurimit të perëndive të rreme. Zemërimi i Jehovait shpërthen me anë të një plage, dhe Moisiu kërkon që keqbërësit të ndëshkohen rreptë. Kur Finehasi, biri i kryepriftit, shikon birin e një prijësi të futë një grua midianite në tendën e tij, brenda kampit, i ndjek nga pas dhe i vret duke e shpuar gruan me heshtë tejpërtej në organet gjinore. Kështu, plaga ndalet, por pasi kanë vdekur 24.000 veta.
29. (a) Çfarë zbulohet nga numërimi i popullsisë në fund të vitit të 40-të? (b) Ç’përgatitje bëhen tani për të hyrë në Tokën e Premtuar?
29 Tani, Jehovai i urdhëron Moisiun dhe Eleazarin të numërojnë përsëri popullin, sikurse kishin bërë pothuajse 39 vjet më parë në malin Sinai. Nga ky numërim bëhet e qartë se ata nuk kanë pasur asnjë rritje. Përkundrazi, nga regjistrimi del se kanë 1.820 burra më pak. Nga ata që u regjistruan për shërbimin ushtarak në malin Sinai, nuk ka mbetur asnjë, përveç Josiut dhe Kalebit. Kishte ndodhur ashtu si kishte thënë Jehovai: të gjithë kishin vdekur në shkretëtirë. Më pas, Jehovai jep udhëzime për ndarjen e tokës si trashëgimi. Ai përsërit edhe një herë se Moisiu nuk do të hyjë në Tokën e Premtuar, sepse nuk e shenjtëroi Jehovain në ujërat e Meribës. (20:13; 27:14, shënimet te Bibla me referime, anglisht) Josiut i ngarkohet detyra si pasues i Moisiut.
30. Si lahen hesapet me midianitët, dhe kujt i caktohet territori në lindje të Jordanit?
30 Nëpërmjet Moisiut, Jehovai i rikujton Izraelit rëndësinë e ligjeve të Tij në lidhje me flijimet, festat dhe seriozitetin e betimeve. Gjithashtu, urdhëron Moisiun t’i lajë hesapet me midianitët, sepse ndikuan që izraelitët të josheshin pas Baalit të Peorit. Gjithë meshkujt midianitë vriten në betejë, bashkë me Balaamin, ndërsa u kursehet jeta vetëm vajzave të virgjëra, 32.000 nga të cilat merren robinja, bashkë me plaçkën e luftës, që përfshin 808.000 kafshë. Asnjë izraelit nuk bie në betejë. Bijtë e Rubenit dhe të Gadit, që janë rritës bagëtish, kërkojnë të vendosen në territorin në lindje të Jordanit, dhe kërkesa pranohet pasi ata bien dakord të japin ndihmesën e tyre për pushtimin e Tokës së Premtuar. Kështu, këto dy fise, bashkë me gjysmën e fisit të Manaseut, marrin në zotërim këtë pllajë të begatë.
31. (a) Si duhet të vazhdojë të tregohet i bindur Izraeli edhe pasi të ketë marrë në zotërim vendin? (b) Çfarë udhëzimesh jepen për trashëgiminë fisnore?
31 Pasi bën një rishikim të vendeve të fushimit gjatë udhëtimit 40-vjeçar, tregimi përqendrohet sërish te nevoja për t’iu bindur Jehovait. Perëndia u ka dhënë tokën, por ata duhet të bëhen ekzekutues në emër të tij, të dëbojnë nga vendi banorët e degjeneruar e adhurues të demonëve dhe të shkatërrojnë edhe gjurmën më të fundit të fesë së tyre idhujtare. Pastaj, përmenden me hollësi kufijtë e tokës që u ka dhënë Perëndia. Vendi duhet të ndahet me short. Levitëve, që nuk kanë trashëgimi fisnore, duhet t’u japin 48 qytete bashkë me kullotat e tyre, 6 nga të cilët do të jenë qytete strehimi për vrasësit e paqëllimshëm. Territori i caktuar duhet të mbetet brenda fisit, dhe kurrë nuk duhet t’i kalojë ndonjë fisi tjetër me anë të martesave. Nëse nuk ka trashëgimtarë meshkuj, vajzat që marrin trashëgiminë duhet të martohen brenda fisit të tyre, si ndodhi për shembull në rastin e bijave të Zelofehadit. (27:1-11; 36:1-11) Libri i Numrave mbyllet me këto urdhërime që Jehovai i përcjell përmes Moisiut, dhe bijtë e Izraelit më në fund janë gati të hynë të Tokën e Premtuar.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
32. Si është tipizuar Jezui dhe flijimi i tij në librin e Numrave?
32 Jezui iu referua Numrave në raste të ndryshme, kurse apostujt e tij dhe shkrimtarë të tjerë të Biblës treguan qartë sa domethënës e i dobishëm është ky libër. Në mënyrë specifike, apostulli Pavël e krahasoi shërbimin besnik të Jezuit me atë të Moisiut, për të cilin flitet gjerësisht te Numrat. (Hebr. 3:1-6) Flijimet në kafshë dhe spërkatja e hirit të lopës së re të kuqe, për të cilën flitet te Numrat 19:2-9, na japin edhe një herë një pasqyrim të masës më të madhe të marrë për pastrimin nëpërmjet flijimit të Krishtit.—Hebr. 9:13, 14.
33. Përse na intereson sot nxjerrja e ujit në shkretëtirë?
33 Gjithashtu, Pavli tregoi se nxjerrja e ujit nga shkëmbi në shkretëtirë, është plot domethënie për ne: «Pinë nga shkëmbi frymor që i ndiqte, dhe ai shkëmb përfaqësonte Krishtin.» (1 Kor. 10:4; Num. 20:7-11) Në mënyrë të përshtatshme, vetë Krishti tha: «Kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës. Sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet për të një burim uji që gufon për të dhënë jetë të përhershme.»—Gjoni 4:14.
34. Si e tregoi Jezui se gjarpri prej bakri kishte domethënie profetike?
34 Po ashtu, Jezui iu referua drejtpërdrejt një ndodhie nga libri i Numrave, e cila paraqiste masën e mrekullueshme që Perëndia po merrte nëpërmjet tij. «Ashtu si Moisiu ngriti gjarprin në shkretëtirë,—tha ai,—po kështu do të ngrihet edhe Biri i njeriut, që kushdo që beson tek ai, të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:14, 15; Num. 21:8, 9.
35. (a) Nga çfarë duhet të ruhen të krishterët, sikurse ilustrohet nga rasti i izraelitëve në shkretëtirë, dhe përse? (b) Cilët shembuj të lakmisë e të rebelimit përmendin në letrat e tyre Juda dhe Pjetri?
35 Përse izraelitët u dënuan të endeshin 40 vjet nëpër shkretëtirë? Për shkak të mungesës së besimit. Apostulli Pavël dha paralajmërime të forta për këtë pikë: «Hapni sytë, vëllezër, se mos, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillohet te ndonjëri nga ju një zemër e ligë, që i mungon besimi. Por vazhdoni të nxitni njëri-tjetrin çdo ditë.» Për shkak të mosbindjes e të jobesnikërisë, ata izraelitë vdiqën në shkretëtirë. «Prandaj, le të bëjmë çmos që të hyjmë në atë pushim [të Perëndisë], se mos ndokush bie në të njëjtin model mosbindjeje.» (Hebr. 3:7–4:11; Num. 13:25–14:38) Duke na paralajmëruar ndaj njerëzve të paperëndishëm që shajnë gjërat e shenjta, Juda iu referua lakmisë së Balaamit për të marrë shpërblimin, dhe të folurit rebel të Korahut ndaj Moisiut, shërbëtorit të Jehovait. (Juda 11; Num. 22:7, 8, 22; 26:9, 10) Balaamin e përmendi edhe Pjetri, që thotë për të se «deshi shpërblimin e keqbërjes», si edhe Jezui, i cili pasi kishte marrë lavdi, tha për Balaamin në zbulesën që i dha Gjonit se ‘vuri një gur pengese për ta joshur Izraelin në idhujtari e kurvëri’. Sigurisht që edhe sot kongregacioni i krishterë duhet të ruhet nga këta të paperëndishëm.—2 Pjet. 2:12-16; Zbul. 2:14.
36. Ndaj cilave praktika të dëmshme paralajmëroi Pavli, dhe si mund të përfitojmë sot nga këshillat e tij?
36 Kur në kongregacionin e Korintit u shfaq imoraliteti, Pavli shkroi se ata ishin «njerëz që dëshirojnë gjëra të dëmshme», duke iu referuar kryesisht librit të Numrave. Pastaj nxiti: «As të mos praktikojmë kurvërinë, sikurse kryen kurvëri disa nga ata, vetëm për të rënë të vdekur njëzet e tre mijë veta në një ditë.» (1 Kor. 10:6, 8; Num. 25:1-9; 31:16)b Ç’të themi për rastin kur populli u ankua, duke thënë se t’i bindeshin urdhërimeve të Perëndisë përfshinte vështirësi për ata vetë, dhe se ishin të pakënaqur nga mana që u kishte siguruar Jehovai? Për këtë, Pavli tha: «As të mos e vëmë në provë Jehovain, sikurse e vunë në provë disa nga ata, vetëm për të marrë fund nga gjarpërinjtë.» (1 Kor. 10:9; Num. 21:5, 6) Pastaj Pavli vazhdoi: «As mos jini murmuritës, siç murmuritën disa nga ata, vetëm për të marrë fund nga shkatërruesi.» Sa përvoja të hidhura pati Izraeli vetëm ngaqë murmuriti kundër Jehovait, përfaqësuesve të tij dhe masave që ai kishte marrë. Këto gjëra që «u ndodhnin atyre si shembuj», duhet të shërbejnë si paralajmërime të qarta për të gjithë ne sot, që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me besim të plotë.—1 Kor. 10:10, 11; Num. 14:2, 36, 37; 16:1-3, 41; 17:5, 10.
37. Ilustro se si libri i Numrave na ndihmon të kuptojmë pjesë të tjera të Biblës.
37 Gjithashtu, libri i Numrave na jep sfondin e shumë pjesëve të tjera të Biblës që na ndihmon t’i kuptojmë më mirë.—Num. 28:9, 10—Mat. 12:5; Num. 15:38—Mat. 23:5; Num. 6:2-4—Luka 1:15; Num. 4:3—Luka 3:23; Num. 18:31—1 Kor. 9:13, 14; Num. 18:26—Hebr. 7:5-9; Num. 17:8-10—Hebr. 9:4.
38. Në cilat mënyra të veçanta është i dobishëm libri i Numrave, dhe ku na e drejton vëmendjen?
38 Tregimi që gjejmë në librin e Numrave është vërtet i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të na mësuar rëndësinë e bindjes ndaj Jehovait dhe respektit për ata që ai ka caktuar si mbikëqyrës në popullin e tij. Me anë të shembujve, ai qorton keqbërjet, dhe nëpërmjet ndodhive me rëndësi profetike, na e drejton vëmendjen nga Ai që Jehovai e ka dhënë si Shpëtimtar e Udhëheqës të popullit të Tij sot. Libri përbën një hallkë lidhëse thelbësore e arsimuese për tregimet që çojnë deri në vendosjen e Mbretërisë së drejtë të Jehovait në duart e Jezu Krishtit, të cilin ai e emëroi si Ndërmjetës dhe Kryeprift.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 540-542.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 233, anglisht.