A po u përgjigjesh sinjaleve të trumbetave sot?
TË GJITHË besojmë se Jehovai po na prin si popull dhe po na mbështet që ta mbajmë të fortë miqësinë me të gjatë ‘ditëve të fundit’. (2 Tim. 3:1) Kuptohet që secili prej nesh ka përgjegjësinë t’i përgjigjet drejtimit të tij. Situata jonë është e ngjashme me atë të izraelitëve në shkretëtirë. Ata duhej t’u përgjigjeshin sinjaleve të trumbetave.
Jehovai i tha Moisiut të bënte dy trumbeta prej argjendi të punuara me çekan që ‘të thërriste asamblenë dhe që t’i sinjalizonte izraelitët të mblidhnin kampet e të niseshin’. (Num. 10:2) Priftërinjtë u binin trumbetave në mënyra të ndryshme për të treguar se ç’duhej të bënte populli. (Num. 10:3-8) Sot, populli i Perëndisë merr drejtime në mënyra të ndryshme. Të shqyrtojmë tri nga këto mënyra që na kujtojnë sinjalet e trumbetave në lashtësi. Popullit të Perëndisë i bëhet ftesa që të mblidhet në grumbullime të mëdha, pleqve të marrin stërvitje dhe të gjitha kongregacioneve të ndjekin rregullimet teokratike të reja ose të përditësuara.
SINJALI PËR T’U MBLEDHUR
Kur Jehovai donte që e «tërë asambleja» të mblidhej te hyrja e tabernakullit në anën lindore, priftërinjtë u binin të dyja trumbetave. (Num. 10:3) Të gjitha fiset, që e kishin ngritur kampin rreth e përqark tabernakullit në katër ndarje, e dëgjonin atë sinjal të veçantë. Fiset që ndodheshin më afër hyrjes, ka të ngjarë të vinin brenda disa minutave. Kurse të tjerat që ishin më larg, mund t’u duhej më shumë kohë dhe përpjekje për të ardhur. Sido të ishte, Jehovai donte që të gjithë të mblidheshin e të nxirrnin dobi.
Sot, nuk mblidhemi në një tabernakull, por jemi ftuar të marrim pjesë në mbledhjet e popullit të Perëndisë. Këto përfshijnë kongreset rajonale dhe raste të tjera speciale ku marrim informacione dhe udhëzime jetësore. Kudo përreth botës, populli i Jehovait ndjek të njëjtin program arsimimi nga Bibla. Kështu, ata që i përgjigjen ftesës për këto mbledhje, gjejnë kënaqësi në këto grumbullime të mëdha e të gëzueshme. Disave u duhet të udhëtojnë më shumë se të tjerët. Pavarësisht nga kjo, ata që i përgjigjen ftesës, janë dakord se ia vlen çdo përpjekje.
Ç’të themi për ata që janë në grupe të izoluara, larg këtyre mbledhjeve të mëdha? Falë teknologjisë moderne, shumë prej tyre kanë mundësi të nxjerrin dobi nga i njëjti program e madje të ndihen pjesë e këtyre rasteve. Për shembull, gjatë një vizite të një përfaqësuesi nga selia botërore, dega e Beninit e transmetoi programin në qytetin-minierë të Arlit, që ndodhet në Niger, në shkretëtirën e Saharasë. Ishin mbledhur 21 vëllezër, motra dhe të interesuar. Edhe pse ishin shumë larg, u ndien të bashkuar me grupin e madh prej 44.131 vetash. Një vëlla shkroi: «Faleminderit nga zemra për transmetimin e programit. Na tregoi edhe një herë sa shumë na keni për zemër.»
SINJALI PËR T’U STËRVITUR
Kur priftërinjtë izraelitë i binin vetëm një trumbete, te tenda e takimit duhej të vinin «vetëm prijësit, krerët e mijëra burrave». (Num. 10:4) Atje merrnin informacione dhe stërvitje nga Moisiu. Kjo do t’i ndihmonte të kujdeseshin për përgjegjësitë në fiset e tyre. Po të ishe një prej tyre, a nuk do të bëje çmos të ishe i pranishëm e të nxirrje dobi?
Sot, pleqtë e kongregacionit nuk janë ‘prijës’ e as nuk sillen si zotër me kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin e tyre. (1 Pjet. 5:1-3) Ata bëjnë më të mirën për të kullotur kopenë. Prandaj i përgjigjen me kënaqësi ftesës për të marrë stërvitje të mëtejshme, siç është edhe Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë. Gjatë stërvitjes, pleqtë mësojnë si të kujdesen sa më mirë për çështjet e kongregacionit. Dhe falë kësaj, të gjithë në kongregacion mund ta forcojnë marrëdhënien me Jehovain. Edhe nëse nuk ke ndjekur ndonjë nga këto shkolla, ka të ngjarë që po nxjerr dobi nga ata që kanë marrë pjesë në to.
SINJALI PËR T’U PËRSHTATUR
Ndonjëherë, priftërinjtë izraelitë u binin trumbetave në mënyrë të shkurtër dhe të përsëritur. Kjo sinjalizonte se Jehovai dëshironte që i gjithë kampi të lëvizte. (Num. 10:5, 6) Nisja e kampit ishte organizuar në mënyrë të përkryer, por kjo kërkonte shumë punë për çdo njeri. Me raste, disa mund të mos kishin qejf të lëviznin kampin. Pse?
Ndoshta mendonin se sinjalet e trumbetave për të lëvizur bëheshin shumë shpesh e krejt papritur. «Nganjëherë reja qëndronte vetëm nga mbrëmja deri në mëngjes.» Herë të tjera qëndronte «dy ditë, një muaj a më shumë». (Num. 9:21, 22) Po sa herë ka lëvizur kampi në të vërtetë? Në kapitullin 33 të Numrave përmenden rreth 40 vende ku fushuan izraelitët.
Ndonjëherë izraelitët mund ta ngrinin kampin në një vend me hije. Ky mund të ishte një vend i favorshëm në «atë shkretëtirë të madhe e të frikshme». (Ligj. 1:19) Prandaj mund të mendonin se lëvizja për në një vend tjetër do të ishte një ndryshim jo për mirë.
Kur fiset niseshin, disa mund ta kishin të vështirë të pritnin radhën e tyre. Të gjithë e dëgjonin buçitjen e shkurtër e të përsëritur të trumbetave, por jo të gjithë mund të niseshin në të njëjtën kohë. Ai sinjal tregonte se fiset në lindje, pra të Judës, të Isakarit dhe të Zabulonit, duhej të niseshin. (Num. 2:3-7; 10:5, 6) Pasi ata niseshin, priftërinjtë u binin trumbetave për herë të dytë në mënyrë të shkurtër dhe të përsëritur që të sinjalizonin tri fiset në jug. Priftërinjtë vazhdonin në këtë mënyrë derisa i gjithë kampi të nisej.
Ndoshta mund ta kesh pasur të vështirë të pranosh disa rregullime organizative. Mbase je ndier i turbulluar nga një sërë ndryshimesh të papritura. Ose ndoshta e pëlqeje mënyrën si bëheshin gjërat më parë dhe nuk doje të ndryshonte diçka. Mund të kesh vënë re se po të sos durimi nga ndryshimet dhe të është dashur kohë të përshtateshe. Sidoqoftë, nëse përpiqemi të përshtatemi me këto rregullime, ka të ngjarë të shohim se Perëndia po na bekon.
Në ditët e Moisiut, Jehovai u priu miliona burrave, grave e fëmijëve përmes shkretëtirës. Pa kujdesin dhe drejtimin e tij, ata s’do të kishin mbijetuar. Edhe sot, Jehovai po na prin në këto ditë të fundit të vështira. Ai na ndihmon të qëndrojmë afër tij dhe ta mbajmë të fortë besimin. Prandaj, ashtu si izraelitët besnikë, qofshim të vendosur t’u përgjigjemi sinjaleve të trumbetave!