MALI I EBALIT
Mal që sot quhet Jebel-Eslamijeh (Har-ʽEval) dhe ndodhet në krahinën e Samarisë. Mali i Ebalit është përballë malit të Gerizimit dhe i ndan lugina e Sikemit (lugina e Nablusit), një luginë e bukur dhe e ngushtë ku gjendet qyteti i Nablusit, jo larg Sikemit të lashtë. Vetëm shpatet e poshtme vishen me bimësi, si hardhi e ullinj, kurse shpatet e sipërme janë shkëmbinj të zhveshur. Ashtu si male të tjera në Samari, zemra e Ebalit është gur gëlqeror i fortë, ndërsa shtresa e sipërme gur gëlqeror i butë. Gjendet në verilindje të malit të Gerizimit dhe arrin lartësinë më shumë se 900 m mbi nivelin e detit Mesdhe. Ebali dhe Gerizimi janë në perëndim të lumit Jordan.—Lp 11:29, 30.
Kur sheh drejt veriut nga maja e Ebalit, mund të soditësh pjesën më të madhe të Galilesë, si edhe malin Hermon. Në jug duken vendet më të larta afër Jerusalemit, kurse në perëndim rrafshina e Sharonit dhe Mesdheu. Në lindje syri mund të rrokë gjer në rajonin e Hauranit matanë Jordanit. Dikur Abrami (Abrahami) fushoi në luginën mes këtyre dy maleve, pranë pemëve të mëdha të Morehut.—Zn 12:6.
Moisiu u tha izraelitëve se, kur Jehovai t’i çonte në vendin që do të zotëronin, duhej ‘të shpallnin bekimet mbi malin e Gerizimit dhe mallkimet mbi malin e Ebalit’. (Lp 11:29, 30) I udhëzoi edhe të zgjidhnin gurë të mëdhenj të palatuar, t’i zbardhnin me gëlqere dhe t’i vinin në malin e Ebalit. Atje duhej të ngrinin një altar dhe në të duhej t’i paraqitnin flijime Jehovait. Gjithashtu, Moisiu tha: «Shkruaji shumë qartë në gurë të gjitha fjalët e këtij ligji.»—Lp 27:1-8.
Pasi Izraeli të kalonte Jordanin, fiset e Rubenit, të Gadit, të Asherit, të Zabulonit, të Danit dhe të Neftalit duhej ‘të qëndronin në malin e Ebalit për të shpallur mallkimet’, kurse fiset e tjera duhej ‘të qëndronin në malin e Gerizimit për të shpallur bekimet për popullin’. Atëherë do të thuheshin me zë të lartë bekimet që do të gëzonin ata që i bindeshin ligjit të Perëndisë, si edhe mallkimet që do t’u binin atyre që thyenin ligjin e tij. (Lp 27:12-14) Kur të shpalleshin mallkimet për mosbindjen, gjithë populli duhej të thoshte «amin!», domethënë «ashtu qoftë!», për të treguar se ishte dakord që, kush praktikonte ligësinë, meritonte dënimin.—Lp 27:15-26.
Pas fitores së Izraelit në Ai, Josiu zbatoi udhëzimet e Moisiut dhe ndërtoi një altar për Jehovain në malin e Ebalit. Mbi gurë (mbase ata të altarit, por jo medoemos) shkroi «një kopje të ligjit të Moisiut, që ky e kishte shkruar përpara bijve të Izraelit». Pastaj, para kongregacionit të Izraelit (përfshirë të ardhurit) që u mblodh siç kishte urdhëruar Moisiu, Josiu «lexoi me zë të gjitha fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet, pikërisht siç ishin shkruar në librin e ligjit». Gjysma e kongregacionit qëndronte rrëzë malit të Ebalit dhe gjysma tjetër rrëzë malit të Gerizimit, kurse levitët me arkën e besëlidhjes qëndronin mes dy grupeve. (Js 8:30-35) Pozicioni i shpateve të Ebalit dhe atyre të Gerizimit krijonte një akustikë të shkëlqyer për atë rast. Vlen të përmendet edhe se këto ngjarje ndodhën thuajse në zemër të tokës së premtuar dhe afër vendit ku Jehovai i premtoi tokën Abramit (Abrahamit), paraardhësit të Izraelit.—Zn 12:6, 7.
Sipas traditës judaike, levitët, që rrinin mes maleve Ebal dhe Gerizim, ktheheshin me fytyrë nga mali i Gerizimit kur shpallnin një bekim, të cilit populli i mbledhur atje i përgjigjej «amin!» Pastaj thuhet se ktheheshin me fytyrë nga mali i Ebalit dhe shpallnin një nga mallkimet, të cilit populli i mbledhur në atë krah i përgjigjej «amin!» Megjithatë, Shkrimet nuk e shpjegojnë me hollësi procedurën që u ndoq në atë rast të shënuar.
Te Ligji i përtërirë 27:4, Pentateuku samaritan thotë se gurët u vunë në malin «Gerizim». Mirëpo, teksti masoretik, Vulgata latine, Peshita siriake dhe Septuaginta greke thonë «Ebal». Te Josiu 8:30-32 tregohet se Josiu i vuri në malin e Ebalit gurët mbi të cilët shkroi «një kopje të ligjit të Moisiut».—Shih MALI I GERIZIMIT.
[Figura në botimin e shtypur]
Pamje e malit të Ebalit parë nga mali i Gerizimit